Viti i ndryshimeve të mëdha, çfarë po ndodh me sistemin bankar

Frank

Shine like a star ne forme dielli!
Euro-632x450.jpg


Viti 2018 ishte një nga vitet më të rëndësishme për sistemin bankar. Ndërsa bankat ishin të kujdesshme në drejtim të kredidhënies dhe u përqendruan më shumë në uljen e kredisë me probleme, ato ishin mjaft aktive në drejtim të shitjeve dhe blerjeve. Sistemi bankar pritet të mbetet me 12 banka, nga 16. Bankierët pohojnë se ky përqendrim do të jetë pozitiv për konkurrencën në sistem dhe konsumatorin
2018-a ishte e vakët për treguesit e sistemit bankar, për të dytin vit radhazi, kur sistemi duket se ka hyrë në stanjacion. Rritja e aktiveve ishte minimale, kredia e plogësht, zgjerimi i depozitave ishte i dobët dhe i ndikuar vetëm nga kursimet në euro, ndërsa fitimet ranë.

2018-a ishte një nga vitet më të rëndësishme për sistemin bankar. Ndërsa bankat ishin të kujdesshme në drejtim të kredidhënies dhe u përqendruan…
Teksa bankierët janë të një mendjeje se ecuria e sistemit bankar është e lidhur ngushtë me atë të ekonomisë, performanca e dobët e sistemit dhe kredive “konfirmon” se rritja më e lartë ekonomike në një dekadë, prej 4% në 2018-n, erdhi më shumë nga shitja e energjisë, e nxitur nga moti me reshje, dhe projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve mbi Devoll, që nuk kanë asnjë kreditim në sistemin bankar.
Zhvillimi më pozitiv ishte rënia e treguesit të kredive me probleme, i nxitur nga fshirja nga bilancet të kredive që kanë më shumë se 3 vjet që nuk kthehen dhe nga ristrukturimet e huave. Por, në kahun tjetër, sistemi ishte shumë aktiv në procesin e riformatimit, në drejtim të shitjeve dhe blerjeve, që kishte filluar prej disa vjetësh, por në 2018-n u arritën finalizime të rëndësishme.

ABI Bank bleu në shkurt Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG) dhe Intesa Sanpaolo finalizoi përthithjen e Veneto Bank. Të dy transaksionet e fundit kanë përfunduar dhe Banka Kombëtare e Greqisë dhe Veneto janë çregjistruar tashmë. Në fund të 2018-s, numri i bankave u ul nga 16 në 14.
Në fillim të prillit të këtij viti hungarezët e OTP Bank Nyrt, finalizuan blerjen e 100% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksioner të bankës me kapital francez, Societe Generale Albania sh.a. (89% të aksioneve), nga dhe të një grupi sipërmarrësish shqiptarë (11% të aksioneve), teksa marrëveshja mes bankave u arrit në 2018-n. Banka e Shqipërisë në mars të këtij viti ka miratuar paraprakisht zotërimin e 100% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksioner të Bankës Ndërkombëtare Tregtare (me kapital malajzian) sh.a., nga Banka Union sh.a, një bankë me kapital shqiptar (edhe kjo marrëveshje ishte arritur në 2018-n). Pas përfundimit të këtij transaksioni, numri i bankave në sistem pritet në shkojë në 13.

Në fillim të muajit shkurt, Banka e Shqipërisë miratoi paraprakisht zotërimin e 88.95% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksioner të Bankës Tirana sh.a. nga Balfin sh.p.k. dhe 9.88% nga Komercijalna Banka AD Skopje (palët ranë dakord në 2018-n).
Një tjetër bankë e vogël, Banka e Kreditit të Shqipërisë, me një peshë prej vetëm 0.1% të totalit të aktiveve, ka kërkuar likuidim vullneral, që është pranuar nga Banka e Shqipërisë, sipas informacioneve nga kjo e fundit. Në këtë mënyrë, sistemi pritet që të ketë 12 banka.
Deri në vitin 2006, kur u hap dhe banka e fundit e re (Union Bank), sistemi bankar kishte 17 banka. Në vitin 2008, italianët e Intesa Sanpaolo blenë Bankën Italo-Shqiptare dhe më pas edhe Bankën Amerikane të Shqipërisë, duke e reduktuar numrin e bankave në 16. Që prej asaj kohe nuk kishte pasur më ndryshime, teksa interesi i bankave të huaja për sistemin shqiptar ra pas krizës financiare globale që nisi në 2008-n.
Bankierët janë optimistë për riformatimin e sistemit bankar. “Procesi i konsolidimit në këtë sektor duhet të konsiderohet si një progres i shëndetshëm për hir të një sistemi financiar të shëndoshë”, thotë z. Seyhan Pencablıgil, CEO & Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), më e madhja në vend. Ai shton se, nga ana tjetër, numri i bankave në Shqipëri ishte shumë i madh duke marrë parasysh PBB-në dhe popullsinë e Shqipërisë, në fakt numri i bankave mund të ulet edhe më shumë në të ardhmen.

“Konsolidimi i bankave do të rrisë më shumë konkurrencën për një shërbim më cilësor dhe mund të shtyjë drejt specializimit të bankave në shërbime specifike për grupe të caktuar klientësh ose linja të caktuara produktesh”, thotë Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank.
Për Z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania, ky është një fenomen i mirë, si për sistemin bankar, gjithashtu edhe për vendin, sepse do të ketë një numër më të vogël bankash, por sistemi do të jetë më i fortë dhe në gjendje të konkurrojë.
Andi Ballta, drejtor i ABI Bank, pohon se interesi në shitje është sistemik dhe nuk ka mbaruar. Ai shton se rezultatet e transformimit janë gjë tjetër, pasi do të shihen rast pas rasti në 2-3 vitet e ardhshme.
Gazmend Kadriu, drejtori i Union Bank, pret që reduktimi i numrit të bankave ta bëjë sistemin më racional dhe rrjedhimisht më të fortë. Ai gjykon se reduktimi i projektuar i numrit të bankave nuk është ende aq i madh sa të influencojë nivelin e konkurrencës mes bankave.
Më pak optimist është Bozhidar Todorov, drejtor i përgjithshëm i Fibank. Ai pohon se nuk është gjë e mirë nëse emra të mëdhenj si NBG, Piraeus apo Societe Generale – një nga më të mëdhatë dhe më të mirat në rajon – largohen nga Shqipëria. Megjithatë, ai shton se mbeten për t’u parë strategjitë e lojtarëve të rinj.
Dr. Sándor Csányi, Kryetar dhe Drejtor i Përgjithshëm i OTP Bank, që sapo është prezantuar zyrtarisht në Shqipëri, është optimist për ecurinë që do të kenë në tregun bankar shqiptar. Ai pohon se planet e OTP-së janë për t’u bërë një nga bankat më të fuqishme në Shqipëri edhe përmes blerjeve të tjera, ndonëse shtoi se për momentin nuk ka ndonjë plan konkret.

Edhe Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitivisht konsolidimin që po ndodh në sistemin bankar. “Ndryshimet që po ndodhin në strukturën e sektorit bankar, janë shoqëruar me rritjen e peshës së kapitalit vendas dhe uljen e numrit të bankave. Ky proces, pritet të kontribuojë pozitivisht në ecurinë e ndërmjetësimit financiar”, thotë Banka në deklaratën e fundit të stabilitetit financiar.
Një tjetër sfidë e rëndësishme e sistemit bankar është dixhitalizimi. “Tashmë, ky proces ka filluar dhe sistemi bankar kryeson”, thotë Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank Albania, duke shtuar se është e nevojshme të vazhdojmë të investojmë për t’u ofruar klientëve tanë një shërbim të mirë dixhital.
“Revolucioni dixhital është tashmë një realitet dhe ne do të na duhet të dimë të zbatojmë modelin e ri, atë të veprimtarisë bankare të hapur (open banking)”, pohon Georgios Papanastasiou, drejtori i përgjithshëm i Alpha Bank.
“Zhvillimet me ritme të shpejta në fushën e teknologjisë së informacionit do të paraqesin sfida të veçanta në drejtim të modernizimit të infrastrukturës, si dhe të standardit të shërbimeve apo të produkteve bankare, por edhe nevojën për të parandaluar risqet operacionale me natyrë teknologjike”, thotë Dritan Mustafa, CEO i Tirana Bank.

Agan Azemi, anëtar i Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank në Shqipëri, një prej bankave pioniere në dixhitalizim, thotë se “sfida të reja shtrohen në vijim për bankat, në kuadër të përmirësimit të eficencës së tyre, në mënyrë që të sigurojnë përmbushje të objektivave të biznesit, përputhshmëri me kuadrin rregullator, përfitueshmërinë e synuar dhe qëndrueshmëri në afatgjatë”. LEXO TE PLOTA INTERVISTAT E BANKIEREVE: Intervistat e bankierëve / Çfarë do të sjellë konsolidimi i sistemit, ja pse ra euro

Balkanweb.com
 
Top