Rama: Unë, Kryeministri dhe kryeshërbëtori juaj

WxP

.
Mbrëmjen e së martës, në harkun kohor mes orës 21 e 26 minuta dhe 21 e 29 minuta, që simbolizonin numrat e LSI dhe PS në fletën e votimit, Edi Rama mbajti fjalimin e fitores në zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele, para mbështetësve të tij.

“Sot, ju, populli i Shqipërisë, vendosët të ma ngarkoni mua dhe skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes, së bashku dhe në mënyrë të pandarë me partnerët tanë strategjikë të LSI, këtë përgjegjësi kaq të madhe. Ne e pranojmë përgjegjësinë me ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj çdonjërit prej jush! Dhe për çdo ditë, nga sot e tutje, ne do të jemi me ju dhe për ju, deri kur kjo përgjegjësi madhore të jetë e jona. Unë e di që, siç thotë edhe Abraham Linkoln, asnjë qeveri në botë nuk mund t’i kënaqë të gjithë dhe për gjithë kohën, por për gjithë kohën që vjen nuk do harroj, që jeni ju që na vutë në krye të vendit. Ju na besuat, sepse ne nxorrëm më të mirën nga vetja, për të arritur deri këtu, një projekt ndryshimi për Shqipërinë, një aleancë të re për Shqipërinë europiane, e cila provoi botërisht se ne dimë ta vëmë vendin mbi veten dhe mbi partinë”, u shpreh Rama.

“Unë e dua këtë vend, prandaj dhe luftova kaq fort për të fituar”, tha Rama, i cili ftoi shqiptarët të jenë pjesë e skuadrës së Rilindjes.

“Ne do të udhëheqim, por as unë, as ne, të zgjedhurit për t’u drejtuar së bashku, nuk e sjellim vetëm Rilindjen që premtuam. Ndaj, dua që ju, njerëzit e këtij vendi, të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes. T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur, përmes lirisë së konkurrencës dhe taksimit të ndershëm. Një shoqëri të rilindur me arsim e shëndetësi për të gjithë dhe jo sipas mundësive. Pa harruar asnjë çast se sot, populli sovran e ngjyrosi me ngjyrën e purpurt të gjithë hartën e Shqipërisë, që nga Shkodra gjer në Vlorë, për të na dhënë mundësinë historike, që ta provojmë me sjellje e me vepra, se mund ta ndajmë përgjithmonë këtë vend nga ndasitë e vjetra të së shkuarës së deridjeshme. Të nisim bashkarisht punën për t’i treguar njëri- tjetrit, por edhe botës, se kemi talentin, vlerat, vendosmërinë për t’u ngjitur në lartësinë e amanetit të borxhit, që u kemi të parëve dhe fëmijëve të të gjithë Shqipërisë”, shtoi më tej Rama.

Përmes 3 fjalive, me 88 fjalë të zgjedhura me kujdes, Edi Rama foli edhe për kundërshtarin e tij politik, kryetarin e PD-së Sali Berisha, duke ndjekur shembullin e poltikanëve Përëndimorë, në të tilla raste, dhe duke vendosur edhe nje standard të vlerësimit të paraardhësit.

“Më ka qëlluar të them, deri dje, edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokraci të pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Unë sonte dua ta falënderoj për çdo gjë të mirë, për të cilën historia do e vlerësojë me një objektivitet më të madh se unë, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën private në vazhdim”, deklaroi Rama.

Rama nuk la jashtë vëmendjes edhe ata, që nuk i dhanë votën këtë të diel.

“Dhe, tani që zgjedhjet përfunduan, dua ta bëj shumë të qartë se vullneti im është, që t’u shërbej me përkushtim të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për fituesin. Votën plebishitare, që morëm në këto zgjedhje, unë nuk e konsideroj si triumfin e palës sonë dhe aq më pak si triumf personal, përkundrazi, shumica marramendëse, që na dhanë shqiptarët, më bën edhe më realist për sfidën, që duhet të fitojmë përmes qeverisjes sonë. Pjesë e kësaj sfide është, që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq, asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti, falë meritës së tij, të mos ndjehet i kërcënuar, asnjë burim mediatik, që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit, të mos ndjehet i rrezikuar”, theksoi Rama.

Ka qenë deri këtu një ëndërr e gjatë, pohoi Rama, por tani, së bashku - theksoi ai, - duhet ta bëjmë realitet, pa harruar në asnjë hap se duhet të jetë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi i pakicës.

“Ky është momenti më krenar i jetës sime. Por, midis krenarisë, që ndjej për veten, dhe përulësisë, që ndjej për besimin që keni tek unë, fiton thellë përulësia. Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do të jetë imja, pushteti do jetë i juaji. Unë s’do ta harroj këtë por, ju lutem, mos e harroni as ju! Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë, që duhet të rilindim së bashku”, përfundoi Rama.

/ Top Channel
 

Attachments

xhebrail1

INTERIST
Titulli: Rama: Unë, Kryeministri dhe kryeshërbëtori juaj

Fjalim i mire i Ed Rames mka pelqye po definitivisht ajo vepra e Berishes ishte tipike prej nje buurrri shteti..
 
Top