Për lotët e fëmijëve dje në Marsejë!

Soulmind

oNcE...
Nga Blendi Fevziu –

I pashë të qanin në dyert e daljes së Velodromit në Marsejë! Veshur me fanelën e ekipit kombëtar dhe me fytyrën pikturuar kuq e zi. Shumica mbanin në duar flamuj dhe shalle dhe përsërisnin me zërin fëmijënor thirrjet e më të rriturve: o sa mirë me qenë shqiptar, oe oe! Vinin nga gjithë viset e botës ku jetojnë e po kaq nga Shqipëria. Qanin me lot të vërtetë, të sinqertë dhe pyesnin prindërit e tyre se përse nuk kemi fat, përse humbim gjithnjë dhe humbim në fund. Ndër gjithë dhimbjet, ajo e fëmijëve është me e trishtuara. Ata e përjetojnë më fort dhe më me sinqeritet. Ndaj doja të shkruaja diçka për ta. Duke e krahasuar fëmijërinë e tyre me timen dhe të përbashkëtën që kemi me futbollin dhe ekipin kombëtar. Shpresoj që prindërit mund t’ju kujtojnë diçka nga kjo histori.

Kur isha fëmijë futbolli ishte gjithçka. Ai ishte gëzimi dhe hidhërimi ynë. Kur isha fëmijë ekipi ynë kombëtar luante aq rrallë. Një 10 vjet rresht nuk bëri asnjë ndeshje ndërkombëtare. Qeveria vendosi që ai mos merrte pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar se rrihej me shumë gola. Një ditë e ktheu vendimin e saj. Isha fare i vogël. Atëherë në katër – pesë vitet e shkollës fillote bëri disa ndeshje. Mbase një në vit. Më kujtohet fare mirë ajo kohë.

Kur isha fëmijë, në pesë vjet nuk fituam asnjë ndeshje. U mundëm 8 me 0 me Gjermaninë; 5 me 0 me Austrinë, u mundëm me Finlandën e Bullgarinë. Kur luanim këtu, shpresa e vetme ishte të mos pësonim shumë gola. Humbja 1 apo 2 me 0 ishte lumturi për ne. Jetonim gjatë me atë ndeshje dhe nuk e dinim kur vinte tjetra.

Kur luanin jashtë, rezultati na vinte edhe me 48 orë vonesë. Kur Gjermania na mundi 8 me 0 për ditë me rradhe nuk u dha asnjë njoftim. Pastaj gazeta Sporti Popullor, botoi një artikull kritik. Pa dhënë as rezultatin. Atëherë për Shqipërinë flitej rrallë dhe asnjëherë seriozisht.

Kur isha fëmijë nuk gjeja dot kurrë biletë për në stadium. Ata që vinin në shkallëyt e tij nuk kishin kurrë një fanelë kuq e zi. Nuk ekzistonte një e tillë; nuk kishte parrulla, as flamuj, as fytyra të lyera me bojë. Të gjitha këto ishin shfaqje të huaja dhe biletat shpesh ju jepeshin atyre që ishin të zot në punë dhe kishin raporte të mira politike edhe nëse nuk kishin parë kurrë një ndeshje në jetë.

Kur isha fëmijë, nuk na jepnin thuajse kurrë ndonjë ndeshje nga jashtë. E para ishte në 1983 me Gjermaninë. Hera e parë që u ndjeva krenar. Sepse humbëm vetëm 2 me 1. Dhe për atë ndeshje folëm gjatë. Por në stadium nuk kishte asnjë tifoz shqiptar. Shqiptarët nuk lejoheshin të udhëtonin jashtë. Dhe as mund të blinin një biletë me të ardhurat e tyre. Më vonën, nuk kishin viza që të ndiqnin ekipin kombëtar, ndërsa dje në Marsejë ishim 15 mijë; në Lens 23 mijë.

Kur isha fëmijë, sa herë dilnin jashtë, futbollistët ktheheshin me histori për blerjet në treg dhe kontrabandën e dollarëve. Lodheshin shumë të blinin diçka nga jashtë për familjet e tyre sepse nuk i dihej nëse do kishin më tjetër mundësi të dilnin edhe një herë nga Shqipëria. Ndeshja ishte më shumë se sa një garë, një mundësi për të udhëtuar jashtë.

Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me dhimbjen e humbjeve. Atëherë ishim gjithnjë të fundit në grup, ndërsa sot jemi në Finalet e Europianit. Jo kur isha unë fëmijë, por edhe ca vjet më parë as e mendonim që një ditë do kualifikoheshim; nuk e mendonim kurrë që në mes të Marsejës, kundër njërit prej ekipeve më të rëndësishme të botës dhe në prani të tifozëve të tij do luanim më shumë se sa të barabartë, madje dukshëm superiorë; nuk e mendonim kurrë që gjithë mediat botërore do duartrokisnin në unison ekipin kuq e zi!

Kur unë isha fëmijë, femrat thuajse nuk shkelnin në stadium. Dje në Marsejë, ca ditë më parë në Lens e kudo, shqiptaret zunë faqet e para të shtypit. Të bukura, të qeshura, të edukuara dhe padyshim mbresëlënëse ato ndryshuan imazhin që bota ka për Shqipërinë. Siç e ndryshuan tifozët e jashtëzakonshëm shqiptarë dje dhe të shtunën. Ardhur nga gjithë bota, me një entusiazëm mbresëlënës dhe një sjellje që kontrastoi me shumë ngafansët e tjerë në Europian.

Ishte një shqipëri e bukur ajo dje. Në fushë dhe jashtë fushe. Në Velodrom dhe në rrugët e Marsejës. Pak rëndësi ka humbja. Kemi humbur kaq shumë në historinë tonë sa një më tepër s’ka asnjë rëndësi. Kjo ishte një humbje e fituar. Madje fitorja jonë më e madhe. Ndaj, doja t’ju thoja atë që prindërit ju thoshin dje ndërsa ju fshinin lotët: do fitojmë ndeshjet e tjera, sepse ndryshe nga dikur, ne dimë të jemi sot fitues. Mos e humbisni kurrë besimin tek ekipi juaj kuq e zi. Sot dhe në vitet që vijnë. Ai është krenaria jua, dhe ju jeni krenaria e tij!
opinion-al
 

Soulmind

oNcE...
Titulli: Për lotët e fëmijëve dje në Marsejë!

Ja arritëm!

Arritëm atë që e besonin fare pak nga ne, por shumë e shpresonin!

Arritëm atë që në botë thuajse nuk e besonte askush dhe madje na ironizonin!

Arritën atë që breza të tërë futbollistësh dhe tifozësh nuk kishin guxim as ta ëndërronin!

Arritëm atë që ravijëzohej prej javësh në dëshirën e mijëra tifozëve që ndjekin ekipin kombëtar në Francë me një hare festive dhe një besim që po i befason të gjithë!

Arritëm atë që Shqipëria thuajse nuk e kishte arritur kurrë në historinë e saj. Të jemi të barabartë me më të mirët e kontinetit, në një prej evenimeteve më të rëndësishme të sportit botëror e madje shpresojmë të shkojmë më tej në 3 ditët e ardhshme. Ditë deçizive për ne, por që tani nuk varen më nga ne!

Arritëm atë që kishin ëndërruar prindërit emigrantë të futbollistëve shqiptarë të Kosovës. Ata që lanë Kosovën në luftë dhe i rritën fëmijët e tyre në Zvicër duke shpresuar që një ditë do të bëheshin qytetarë model të vendit ku jetojnë dhe po ashtu simbol të vendit prej nga i kishin ikur dhe ku kishin lënë një pjesë të rëndësishme të historisë së tyre!

Arritëm atë që besonin futbollistët emigrantë shqiptarë. Ata që kishin ikur si fëmijë me gomone apo të tjerë që qenë lutur në dyert e ambasadave për një vizë që të konfirmonte në perëndim talentin e tyre. Një talent pa kufij dhe pa kombësi.

Arritëm në rradhë të parë të kemi besim tek vetvetja. Pas 85 vitesh humbje dhe nëpërkëmbje.

Arritëm që në 3 ndeshje të dalim çdo herë nga fusha krenarë.

Ka shumë gjëra që nuk i kemi bërë siç duhet ose i kemi bërë keq. Por sot na mjafton të gëzojmë. Pak rëndësi kanë të tjerat. Pak rëndësi ka që rumunët na kanë mundur 68 vjet rresht. Ne i mundëm në ndeshjen më të rëndësishme që kemi luajtur mes nesh; Pak rëndësi kanë kritizerët që do të gjejnë edhe këtë herë ndonjë difekt; pak rëndësi kanë politikanët që vrapojnë të postojnë statuse për fitoren e ekipit edhe pse nuk e dinë tamam se me çfarë fanele ka luajtur Shqipëria. Ka rëndësi që sot ne ja arritëm! Të gjithë bashkë, falë 23 profesionistëve dhe stafit të ekipit kombëtar. Arritëm atë që e mendonim po nuk guxonim ta ëndërronim. Arritëm të jemi ndryshe nga sa kemi qenë me dekada. Ndaj faleminderit për emocionin e mrekullueshëm. Edhe në mos qoftë një fitore historikë, ishte gjithsesi një natë magjike!

Ju faleminderit nga zemra!

Blendi Fevziu
 
Top