Një vështrim tjetër i poezisë shqipe

Love

βeℓℓe â๓e
Koliqi e Camaj përtej artistit

GAZMEND KRASNIQI




Ernest Koliqi përmend kontributet e Justin Rrotës, Eqrem اabejt, Zef Skiroit apo të Namik Resulit, por kërkon që të mos u shohim të gjitha ekzigjencat, sepse para përpilimit të historisë së letërsisë duhen studiuar imtësisht e gjerësisht autorë e qendra letrare me rryma, ndikime të brendshme e të jashtme. Pa monografi mbi autorët dhe shfaqjet e rrymave letrare nuk mund të kemi një historishkrim të letërsisë, sepse më parë “duhen të derdhen në lum kombëtar burime e shenja letrare veçuese e të veçanta”. Sipas tij, çdo kontribut duhet të gjejë vendin dhe peshën e vërtetë, pa anësi, me një rend kronologjik, pa marrë parasysh kritere gjeografiko-historike – toskë, gegë, arbëreshë, kosovarë janë pjesëtarë të një përpjekjeje letrare. Ai kujton, gjithashtu, se këtë kriter kishte ndjekur në punimin Antologia della lirica albanese (Milano 1963).

Na zgjon vëmendjen koncepti koliqian, sepse kriteri i përcaktuar prej tij flet shumë për konceptin e një historie letrare, kur shkruan: “Nji zorim që mund të rrjedhi prej këtij rrjeshtimi kronologjik asht ai i cilësimit të qendrave letrare në vise e rrethe të ndryshme, por kjo kapërcehet lehtas tue marrë parasysh rrymbat letrare, jashtë rrjedhjes krahinore t’auktorvet. Për shembull, Mjedja për pregatitje e prirje e qëllime artistike asht ma afër Zef Skirojt se Fishtës dhe tjerve shkrimtarë shkodranë; Koliqi asht shumë ma afër Lasgush Poradecit se Prennushit e Bernardin Palajt; Shantoja në prozë asht shumë ma afër Konisës se Anton Harapit. Tue mos lanë mbas dore lidhjet e domosdoshme krahinore, shkaktue nga kushtet e kohës, të vëhen në dukje gjasimet e prirjeve stilistike dhe analogji në mes autorve e qendrash letrare të ndryshme”. Apo: “Duhen sidomos përimtue me kujdes e kuptim veprat e auktorëve dytanakë, qi, pa dalë në shesh kombtar, d.m.th. pa fitue nam gjithkund të përhapun, i dhanë letrësis s’onë ndihmesa përfundimtare, si, për shembull, Ilo Mitkë Qafëzezi në jugë e Kolë Thaçi në veri. I pari na dhuroi modelin e nji proze ekspozive të pasun në skaje të gjithfarshme dhe i dyti me përpajnimin në stil poetik të shqipes të nji sintaksi të ndërlikuem e naltsoi në shkallë ma t’epër poezin t’onë. Thaçi, sidomos, i çeli shtegun me stil poetik të vetin të zgjedhun e të përpunuem mundësis së përkthimit të veprave të mëdha klasike (Homeri, Virgili etj.). Si poet nuk la emën, si pionier i naltësimit të shqipes në mjet t’aftë për çdo provë të lartë artistike duhet të zajë nji vend të shënueshëm”.

Duke diskutuar në këtë mënyrë Koliqi i vihet shtjellimit të dy shkollave letrare shkodrane: asaj jezuite dhe asaj françeskane, që i dhanë letërsisë shqipe njëra Ndre Mjedën e tjetra Gjergj Fishtën. Ai shpjegon që në fillim se “fjalën e skajin shkollë këtu e përdorim në vështrim si rrymbë. Prandej flasim për dy rrymba letrare të ndryshme, secila me theorina të caktueme të veta”.

Me këtë shtjellim Koliqi realizon disa afirmime:

1. Afirmimin e konceptit të shkollës letrare jezuite


Duke pohuar se dallimet mes tyre janë relative, Koliqi merret me shtjellimin e veçorive, duke gjetur te shkolla jezuite (Xanoni, Mjeda, Thaçi) tonin e stilin e lartë dhe ndjekjen e modeleve të autorëve që bota i mban si shembuj përsosjeje letrare. Autorët e kësaj shkolle synonin:

E para, prej gjuhës së palëvruar, të arrinin në lartësitë e hartimit letrar ku u kapën kombet e tjera.

E dyta, duke lënë pas dore trajtat popullore dhe frazeologjitë e zakonshme, ata shkruanin për një elitë të zgjedhur.

E treta, argumentet i merrnin nga librat (duke gjetur aty edhe frymëzimin – duke na kujtuar intertekstualitetin tipik borhesian), nga dijet e tyre kulturore dhe historia e lashtë e Shqipërisë. Edhe kur shkruan “Andrrën e jetës”, ngjarjet e përditshme të një katundi shqiptar, Mjeda nuk i pasqyron me frazeologjinë e vendit, por “me trajta të rralla e të çmueshme nëpër të cilat lëvizë atmosfera e hollë i nji arti epruer”. Siç thotë Koliqi: “Shkolla e Jezuitvet solli në letrësin kombëtare dishiplinën e artit, kultin e trajtës, kërkesën e fjalve të rralla e të çmueshme ndër teksta të vjetër dhe në fjalorë”.

Meqë kjo poezi nuk është e popullarizuar, ia vlen të përdorim ilustrimin që bën Koliqi, pra, përkthimin e eklogës së parë të Virgjilit nga Xanoni:
O plak fatbardh! Njiktu ndër luma t’njoftun/
Ndër gurra shejte, nëpër hije flladin/
Ke per t’a gzue. N’kët anë, i skajit afër/
Gardhi, pada kur me i a thith’ vijnë bletat/
Fluturim shelqes lulen, shpesh ma t’ambla/
Fershellima për gjum‘ ty ka me t’ndjellun.

Ilustrimin e plotësojnë edhe këto vargje origjinale të Thaçit:
Arbnori i lum jetoi: me t’shugurumen/
Gjalm’ t’rreligjionit ndër kuvise i lidhun,/
Ku veç mbretni për t’larta punë dishiri,/
Ti i ndishe fjal’t tue ligjirue si mjalta;

2. Afirmimi i konceptit të shkollës letrare françeskane

Krejt ndryshe prej kësaj të folmeje – pa trajta të zakonshme e frazeologji popullore – do ta bëjë Koliqi përcaktimin e shkollës së dytë: “Gjuha shqipe sikur asht e pasun me skaje e fraza ku idhnimi e mënija shfrejnë me ma të madhën gjallni, ashtu ka mundësi të lakohet e të përkulet në shprehje dy kuptimesh, ku xixëllon ironija edhe ku fjala në gjinin e vet, qi duket i mitun, përmban thumbin ma shporues. Kush njef kuvendet e Malsorvet t’onë, din deri ku arrin zotsija e tyne me derrmue parashtresat e njaj kundërshtari me gjuhë që therë e pret. Kët krypë të bisedës shqiptare Françeskajt e derdhën në letrat t’ona”. Ose: “Shkolla e Françeskajvet i a hapi dyert e letrësis s’onë visarit shprehës populluer, i fali tharmin e krenىs shqiptare, gjuhën e ndiesive burimore e fisnike të malevet.”

De Martino, paraprijës i kësaj shkolle, shkruan: Pra,
mos t’dhimbet nji fërlik,/
Për dashtni t’ka ardhë ky mik/
Me t’ba nderë e jo me t’fik’./
Si t’kesh mish, venë e raki,/
Mrapa, ishalla, për dhunti/
Na çon Zoti nji tepsi.
Kësaj mënyre të shkruari Fishta do t’i shtonte nervin karakteristik, qoftë në epikë, qoftë në satirë. Vargjet e mëposhtme të Fishtës, që mbartin këtë “krypë” të bisedës shqiptare, janë të njohura për shumëkënd: Po shka, Zot – ka Mashi sot,/ Qi n’a vra – e nuk po ban za?

3. Afirmimi në vetvete i koncepteve të shkollave letrare

Kemi të drejtë të ngremë pyetjen: a janë të prerë plotësisht kufijtë midis këtyre dy shkollave, që veprojnë kaq pranë njëra-tjetrës? ثshtë vetë Fishta ai që shkel “kufijtë” midis tyre, kur shkruan poezinë e famshme “Nji lule vjeshtet”, tek e cila përdor atë varg të futur në letërsinë shqipe nga Xanoni – pra njëmbëdhjetërrokëshin e zbërthyer. Mjeda, në një farë mase, i shkel këta “kufij” kur shkruan “Andrrën e jetës”, tek e cila kërkon të kapë frymën e thjeshtë të jetës shqiptare, duke e vënë dialogun e personazheve shumë pranë gjuhës së folur.

Për Koliqin është e rëndësishme, siç thotë te punimi “Fryti i dy shkollave letrare shkodrane”, se “Lavrimi i gjuhës, mbledhja e shprehjeve nga goja e popullit, përpjekjet e parreshtuna stilistike, shembujt e letrësivet të hueja, influksi i trajtave ma moderne ia thyen ashpresىt dhe lakuen mjetin letrar në mënyrë qi çdo argument të mund të zhvillohet sot pa vishtirsi”.

4. Afirmimi në vetvete i konceptit të autorit “dytanak” (dytësor)

Për të bërë historinë e letërsisë shqiptare, vazhdon ai, duhen studiuar gjerësisht autorë e qendra letrare, me rryma e ndikime të brendshme e të jashtme, duke sqaruar se kjo nuk bëhet për qëllime ndarjeje, por për sqarime fazash. Thamë se shembullin tipik të autorëve “dytanakë”, i cili më tepër është fenomen i historisë letrare sesa i historisë së letërsisë, Koliqi e gjen te Kolë Thaçi. Ai e shikon atë si dishepullin ma besnik të Anton Xanonit dhe librit të këtij të fundit Prisi në lamë të Letratyrës, ndërsa veprat e tij si pasqyra ku virtytet dhe të metat e shkollës që përfaqëson spikasin më qartë se kudo, “mbasi qi në to mund të shohim e kundrojmë deri ku i ban gjuha shqipe disa hire retorike, të rëndomta ndër gjuhë të mëdhaja”.

Ky është përcaktimi që i bën Koliqi atij si njeri i letrave: “Trajtës i jepte randsin ma të madhe. Ai nuk e qite vjershën, nuk e shkruante copën e prozës me nji hov; e punonte me durim e dashuni, vinte tue e qortue, tue e stolisë me fjalë të rralla, me shprehje të zgjedhuna me nji shije qi përbuzte mënyrat e zakonshme popullore. Skemat strofike ma të vështira i përdori ma s’miri. Rrallë përsosmnija metrike, mjeshtria vargëtuese, lakimi i hapët e i zhdërvjellët i fjalive, qi ndeshim në Thaçin, gjendet ndër vargëtarë tjerë, përveç se në Mjeden e ndoshta në Lasgushin e Zef Skiroin”. Koliqi përfundon: “Me at pregatitje teknike letrare e gjuhsore, po t’a kishte rrëmbye flatra e një përftimi poetik të fuqishëm, edhe Mjeden do t’a kapërcente. I pat dhurue Perëndia nji vesh muzikuer ma të hollë se ai i Mjedes dhe nji zotsi ma të madhe me zgjua jehona të paprituna prej vargut në varg”.

Jemi të mendimit se një figurë si Thaçi vë më në dukje dallimet që ekzistojnë midis konceptit të historisë së letërsisë dhe konceptit të historisë letrare, prandaj mbetet ta respektojmë këtë dhuratë të Koliqit, këtë herë si historian i letërsisë. Pas një leximi të vëmendshëm, nga fjalët e zgjedhura me kujdes me anën e të cilave kërkon të japë frymën e idiomës së një qyteti si Shkodra, Thaçi na duket si pararendës i një poeti të gjysmës së dytë të shekullit njëzet: Zef Zorbës. Lidhja e tyre bëhet në admirimin e poezisë italiane: i pari njihte shkëlqyeshëm poetët italianë të shekullit XIX (Parini, Foscolo, Leopardi, Manzoni), ndërsa i dyti njihte dhe përkthente ata të shekullit XX (Quazimodo, Ungaretti, Montale). Kujtojmë se lidhjen midis dy grupeve të poetëve italianë, që përfaqësojnë dy shekuj të ndryshëm, e bën zhvillimi organik poetik në atë gjuhë.

5. Afirmimi i koncepteve pastërtisht letrare përballë një historiografie letrare tejet e politizuar dhe ideologjizuar

Nuk është koincidencë që artikujt mbi dy shkollat letrare shkodrane Koliqi i punoi dhe i botoi gjatë viteve 1954-1961, të cilët përkojnë me botimin e punimit Historia e Letërsisë Shqipe I – II, Tiranë 1959. Afërsisht me këtë kohë ka lidhje edhe punimi i tij Antologia della lirica albanese (Milano 1963). Duket si një reagim ndaj asaj që po ndodhte, ose që kishte ndodhur, me këto botime të Tiranës zyrtare, me të cilat shikonte hendeqet politike dhe ideologjike të ndarjes. Vërtet, ndodhi ajo që mund ta kishte frikësuar Koliqin: përgatitësit e punimit Historia e letërsisë shqipe I – II, Tiranë 1959 do t’i shanin punimin Shkrimtarë shqiptarë I – II 1941 (për të cilin vetë Koliqi shprehej mirë), me argumentin se vepra “u karakterizua nga një frymë e shtrembër ideologjike dhe politike”. Në fakt, meqë jemi te politika dhe ideologjia, vetë punimi që shante hapej me dy-tri faqe elozhe për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe përgatitjen marksiste-leniniste të kuadrove që do të bënin këtë punë, para se të arrinte në shpërfaqjen e kritereve të veta, të cilat ishin: “E para, të përqendrohemi tek auktorët e mëdhenj dhe më përparimtarë, për të cilët ishte bërë diçka edhe në të kaluarën; E dyta, të përpiqemi të vëmë në dukje trashëgiminë e shëndoshë letrare, duke lënë një herë për një herë pas dore disa nga auktorët dhe problemet që paraqiten shumë kompleksë në studimin e tyre; E treta, të përpiqemi të vëmë në dukje disa nga auktorët dhe veprat përparimtare me një farë vlere artistike, që në regjimet antipopullore dhe fashiste ishin lënë në harresë dhe në errësirë”.

Camaj

Martin Camaj mendon se për këto periudha të letërsisë shqipe, pra të ndara në bazë qarqesh kulturore, “elementi lidhës asht folklori shqiptar në përgjithësi, por sidomos poezia popullore, që ishte gjallë në të tri ambientet, ku lindi dhe u zhvillue letërsia reflekse, ndër arbreshë, ndër shqiptarët e ndikimit linduer dhe në Veriunë e tradicionit të Budit”. Camaj krahason vargje të Varibobës, vargje popullore arbëreshe dhe vargje popullore të Jugut të Shqipërisë dhe arrin në përfundimin se: “Freskinë e kësaj fryme popullore Variboba, De Rada etj., e nxorën nga poezia popullore arbëreshe, që asht në modele, figura e trajta, e lidhun ngusht, sidomos me kangë popullore darsmash e dashurie të Jugut të Shqipnisë. Se nji lidhje formale ekziston mes këtyne dy krijimeve popullore, nuk ka farë dyshimi”.

Për ta bërë me të prekshme këtë ide të Camajt, ia vlen të përdoren edhe ilustrimet e tij. Së pari, Madona i këndon fëmijës së vet si një nënë arbëreshe te poezia e Varibobës:
Kuçe, biir, jeta ime/
Kuçe tek zemëra ime/
Shpirti shajt ea më qëllo/
Ban za kuçe e ban nino.

Së dyti, strofa që me pak ndryshime, janë kthyer në popull:
Oi, bambin i vogelith/
Oi bambin i virgjerith/
Oi bambin i ambelith…

Së treti, ky kumbim i vargjeve popullore të Shqipërisë së Jugut:
O ujët e rrëzavet/
O misht e fëllezavet,/
O ujët e perivolit,/
Tin’o florir’ i Anadollit…

Camaj i kushton vëmendje asaj që i duket më e panjohura dhe më e pastudiuara: letërsisë shqipe me alfabet arab. Ai e sheh këtë pjesë të letërsisë shqipe si diçka që ka lënë gjurmë të pashlyeshme ndër autorët e mëvonshëm, sidomos në degët e satirës dhe humorit, që mungon në letërsitë kombëtare ballkanike. Duke cituar studiuesit më të mirë të kësaj periudhe, Camaj thekson se bejtja me tipare satire shqiptarizohet, nis të marrë veshjen e jashtme popullore, duke çuar edhe në zëvendësimin e rimës së rregullt me asonancën – karakteristikë e vargëzimit shqiptar, se edhe poezia popullore u pasurua prej këtij kontakti, si u futën për shembull alegoria dhe simbolet në këngët e dashurisë, apo krahasimet e femrës me lule e aromat e tyre.

Për Rilindjen, aty ku mungon ndikimi popullor, Camaj sqaron se “tue zbulue bazat kulturore të nji shkrimtarit ase veprat e hueja dashunue e shijue prej tij, nuk asht thanë se hulumtuesi përpiqet të gjejë “plagjatat” e shkrimtarit. Poetent e Rilindjes sonë me nji kulturë mjaft të gjanë e njohje gjuhësh të hueja klasike e moderne kishin nji mentalitet tjetër ndaj origjinalitetit, nji mentalitet të ngjashëm që kishin poetët e letrarët e renesancës ndaj veprave klasike greke e romake. Ndikimi i jashtëm mund të ketë faqe të ndryshme, si për shembull, ndikim motivesh, ndikim stili që mund të zbulohet në rendimin e nji periudhe ase fjalie e sidomos ndikime figurash e krahasimesh. Nëqese këta elementë pasqyrohen, p.sh., në Mjedën ase Frashërin, si reminishenca, nuk janë plagjata, mund t’i cilësojmë thjesht ndikime”.

Elementin tjetër të përbashkët midis qarqeve letrare, Camaj e gjen te gjuha. Lidhja e jashtme për tre nga përfaqësuesit kryesorë të periudhës historike të njohur si Rilindja – zgjimi i ndjenjës kombëtare – dallohet lehtë, por lidhja e brendshme, formale, ku format e tyre të mëdha, në pamje të parë të ndryshme nga njëra-tjetra, përcaktohen nga tetërrokëshi popullor, tashmë prej kohësh edhe i kultivuar prej shumë poetëve. Ky varg ua mbështet gjerësisht ambiciet e mëdha letrare. (Nga pikëpamja kohore, De Rada e Naimi mund ta lexonin njëri-tjetrin, ndërsa Fishta mund t’i lexonte të dy.) Stilistikisht, dallimet dhe të përbashkëtat e tyre mund të analizohen duke parë se si përzihet shtatë e gjashtërrokëshi te tetërrokëshi i De Radës, si e siguron ritmin melodioz Naimi dhe si e siguron ritmin hijerëndë Fishta.

Camaj kujton se Zef Schiroi Junior dhe Ernest Koliqi e shohin kriterin e vetëdijes kombëtare si një fill që lidh etapat e grupet e ndryshme me njëri-tjetrin. Qysh te Buzuku flitet për me shëndritunë pak mendtë atyne… së dashunit së botës sanë. Diçka që merret me radhë nga të gjithë shkrimtarët e Veriut. Për faktin që po shkruan shqip, krenohet edhe ndonjë prej bejtexhinjve. Camaj pranon se “ndërgjegja kombëtare është nji kriter lidhës i nji epoke me tjetrën dhe mes degëzimeve të letërsisë së një kohe”; për të shtuar: “Por ky asht nji element kuptimuer e pothuajse simbolik që nuk i përfshin të gjitha gjinitë letrare. Nga ana tjetër duhet pranue se karakteristika ideore e shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare asht pikërisht ndërgjegja kombëtare. Nëqese me metodën e analizës formale këto lidhje përforcohen, asht nji përfitim. Por që analiza formale të vehet në veprim dhe të përdoret si mjet në përcaktimin e rrymave e periudhave letrare, njëkohësisht duhen nda historia e letërsisë nga historia e kombit si dhe historia e zhvillimit shoqnuer nga historia e letërsisë. Nji përpjekje e tepruese që të këqyret kudo letërsia e arti në funksion të ngjarjeve të nji shteti, qoftë ky i bazuem në parime kombëtare ase sociale, mund të na çojnë në interpretimin jo të drejtë të letërsisë”.

Janë për t’u veçuar dy cilësi kryesore në shtjellimin e Camajt:

E para, Camaj nuk mund të rrijë pa përmendur një tytësi (boshllëk) të madh që sheh te teksti Historia e letërsisë shqipe (1959), siç është largimi prej aty, për arsye politike, i shumë poetëve të njohur të shqipes, të cilët bëjnë lidhje midis periudhave të ndryshme letrare. “Nuk e di se ç’farë kriteresh e parimesh ndiqen në këtë mes, shprehet ai, kurse asht mendim i përgjithshëm se arti letrar ase çdo art tjetër, shprehje e nji ideje nën nji trajtë të bukur, asht nji dukuni që mund të hulumtohet drejt vetëm me metoda që i përshtaten natyrës së tij specifike, ashtu si veprohet në degët diturore tjera, sepse dhe gjurmimi i letërsisë asht nji disiplinë diturore”.

E dyta, ai flet si intertekstualist, në një kohë që ky term ende nuk qe pagëzuar nga Julia Kristeva. Ai është i bindur se: “Analiza formale si metodë hulumtimi në zbulimin e filleve lidhëse mes periudhave e rrymave letrare ka randsinë e vet. Sigurisht, kjo asht mënyra ma e vështirë, e përshtatshme sidomos për monografina, por edhe frytdhënëse”.

Camaj na ofron një nga zërat më autoritarë për vizionet bashkëkohore të paradigmës së Historisë letrare. Ai na çon në zemrën e problemit, duke hedhur në tryezë disa prej çelësave të pazëvendësueshëm, që nuk mund të anashkalohen në përpjekjen për të ngritur në këmbë sistemin letrar shqiptar, siç janë: folklori; aftësia marrëse, natyralizuese e letërsisë shqipe; gjuha shqipe në vetvete, me potencialet e saj shprehëse; vetëdija kombëtare përballë gjuhës; pacenueshmëria për arsye politike a ideologjike e prodhimit letrar shqip; intertekstualiteti dhe fijet e tjera formale lidhëse mes veprave letrare.
 
Top