Libri elektronik zbeh librin fizik

Arfenilla

Themelues i Forumit
Interesimi, gjithnjë e në rritje për botimet elektronike

Këta libra megjithatë janë “shokë” të ngushtë

Studiuesi Avni Rudaku ka thënë se teknologjia po e zbeh librin fizik në rolin që ka pasur dikur në jetën e lexuesve, sepse ajo ka ndikuar në distribuimin më të lehtë, më të shpejtë dhe më ekonomik të librit, nga një hapësirë letrare e një ane të botës në anën tjetër dhe anasjelltas

Botimet elektronike kohëve të fundit janë bërë mjaft të kërkuara, jo vetëm për autorët, por edhe për lexuesit, të cilët me zhvillimet teknologjike që ka arritur vendi mundësojnë qasjen shumë të lehët në internet. Përdorimi i botimeve elektronike është rritur shumë dhe shkarkimi dhe mundësia e leximit të tyre po praktikohet gjithnjë e më shumë. Edhe pse libri fizik konsiderohet nga studiuesit si i pazëvendësueshëm dhe që jep kënaqësi më të madhe.

Proza, më e preferuar

Në një prononcim për “Kosova Sot”, shkrimtari Albatros Rexhaj, themelues i shtëpisë së botimeve elektronike ‘Filozofia Urbane”, ka thënë se interesimi për botimet elektronike është rritur dhe po vazhdon të rritet, si nga krijuesit ashtu edhe nga lexuesit. Bile, sipas tij, ka muaj kur numri i shkarkimeve kalon 300- in. “Gjatë verës interesimi për botimet elektronike të “Filozofisë Urbane” është më i vogël, por ka pasur muaj kur janë shënuar 300 deri 400 shkarkime të librave”, ka thënë ai, duke shtuar se interesimet për publikim në “Filozofinë Urbane” vijnë edhe nga krijuesit. Por, Rexhaj ka thënë se për botimin e veprave, menaxhmenti i “Filozofisë Urbane” zbaton dy mënyra, njëra kur menaxhmenti u ofron mundësi krijuesve të caktuar për të botuar botimet e tyre në “Filozofinë Urbane”, dhe tjetra kur krijuesit kërkojnë që veprat e tyre të përfshihen në programet e kësaj shtëpie të botimeve elektronike. Ndërsa më të preferuarit janë krijuesit e prozës, për shkak se, siç pohon Rexhaj, qëllimi është për të krijuar një balancë mes zhanreve. Ndërsa, meqë “Filozofia Urbane” është një shtëpi jofitimprurëse, botimi i veprave në të bëhet në bazë të një plani të koordinuar. “Gjatë vjeshtës ‘Filozofia Urbane’ planifikon të botojë edhe një numër veprash të reja”, tha shkrimtari Albatros Rexhaj.

Distribuimi më i lehtë

Ndërsa në një prononcim për “Kosova Sot”, studiuesi Avni Rudaku ka thënë se teknologjia ka ndikuar në distribuimin më të lehtë, më të shpejtë dhe më ekonomik të librit, nga një hapësirë letrare e një ane të botës në anën tjetër dhe anasjelltas. Ai ka thënë se teknologjia po e zbeh librin fizik në rolin që ka pasur dikur në jetën e lexuesve. “Por përmes një ‘ajpad’-i (Ipad) ose ‘e-reader’-i, e kemi mundësinë qindra e mijëra libra t’i kemi me një vegël aq të rëndësishme teknologjike, ndërsa kjo fizikisht është e paimagjinueshme”, ka thënë Rudaku, duke shtuar se libri fizik merr dashuri më shumë nga më të moshuarit, ndërsa te të rinjtë teknologjia dhe inovacionet pranohen shumë më lehtë dhe përqafohen me ritëm më të shpejtë. Sipas tij, leximi përmes teknologjisë hap shumë mundësi që të lexohen informacionet më të reja, lexuesit kanë qasje më të shpeshtë dhe është krijuar varësia ndaj qasjes në rrjetet e ndryshme sociale, sakaq leximi është bërë i mundshëm vetëm përmes teknologjisë. “Ka shumë libra që nuk mund t’i gjeni fizikisht, tregu është më pak i pasur me literaturë botërore nga lëmenj të ndryshme profesionalë e të ngjashëm. Ndoshta një prej sfidave mbetet mirëmbajtja e kualitetit të shikimit gjatë leximit përmes teknologjisë”, ka thënë ai. Rudaku i quan shokë të ngushtë librin fizik dhe atë elektronik, “mirëpo teknologjia ka bërë që shumë autorë të harruar të lexohen, shumë autorë që kanë qenë provincialë dhe në pamundësi të shpërndarjes së tyre në të gjitha grupet e lexuesve të bien në ‘desktop’-ët e tyre”, ka thënë Rudaku.

I.Vatovci

300

deri në 400 shkarkime të librave elektronikë kanë ndodhur në disa mua k.d
 
Top