Kristoforidhi, historia e një fjalori të gjuhës shqipe me 20 mijë fjalë

NGA KASTRIOT KOTONI

Në një numër të revistës “SHKOLLA KOMBثTARE”, Organ i Ministrisë së Arsimit Viti i V, Nr.58, Prill 1943-XXI.

Apostujt e Idealit Kombëtar, me autor profesor Aleksandër Xhuvanin, të bën përshtypje një jetëshkrim për rilindasin dhe babain e gjuhës shqipe, siç e quan Xhuvani Konstandin Kristoforidhin, por mbi të gjitha hidhet dritë për historinë e botimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe me njëzetmijë fjalë dhe kuptime fjalësh të përgatitur nga Kristoforidhi.

Konstandin Kristoforridhi lindi në Elbasan më 1830. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të Elbasanit dhe ato të mesme në gjimnazin grek të Zosimesë në Janinë. Mbas mbarimit të këtyre studimeve me ndërmjetësinë e një konsulli anglez, miku të babait të tij, i cili e kishte njohur qysh në Elbasan Kristoforridhi, vajti në Maltë, ku studjoi në një seminar protestantësh duke mësuar këtu gjuhët italisht dhe anglisht. Prej këtej ai shkoj si mësues në një shkollë fillore të greqishtes në lagjen orthodokse të Tiranës.

Propozimin e kishte bërë patrioti Stefan Koja, i cili e njihte mirë Kristoforidhin. Më pas me fillimin e luftës së Krimesë me ndihmën e konsullit anglez ai u bë përkthyesi i forcave shqiptare, të cilët luftonin me rrogë në ushtrinë angleze. Me të hollat që fitoi nga kjo punë u nis për në Londër për të vazhduar studimet e larta. Këtu ai qëndroi për tre vjet dhe u njojt me “Shoqërinë Biblike” e cila kërkonte një njeri të zotin që të përkthente në gjuhën shqipe librat e shenjta.

Siç shkruan më tej profesor Aleksandër Xhuvani, nuk dihet pse Kristoforidhi u nis për në Tunizi dhe ku punoi si mësues i greqishtes dhe i italishtes në një shkollë greke. Këtu ai bie në dashuri me një vajzë të një pasaniku grek dhe nga ky fryt dashurie ai pati katër djem edhe dy vajza. Përsëri e thërret Shoqëria Biblike për përkthimin në gjuhën shqipe të Shkrimit të Shenjtë.

Ai punoi për këtë Shoqëri Biblike për afro 20 vjet me qendër në Stamboll, por ai duhej të vinte e shkonte shpesh në Shqipëri për të mbledhur nga goja e popullit lëndën e parë të gjuhës shqipe. Edhe pas një viti e thërriti Shoqëria Biblike me qendër në Stamboll por nuk e ftoi më për pëkthimin e librave të shenjtë e kështu ai u gjend i papunë në Stamboll. Ngeli keq ekonomikishte dhe përsëri u gjend në Elbasan në shkollën greke të lagjes orthodokse në vitin 1888 dhe më pas duke ditur shumë mirë gjuhën turke u bë anëtar gjyqi deri sa vdiq në vitin 1895. Kristoforidhi në kohën që ishte pranë Shoqërisë Biblike botoi gjithsej 13 vepra në gjuhën gegënishte dhe toskërishte.

Nga të cilat 10 janë përkthime të librit të “Shkrimit të Shenjtë” dhe “Dhjata e Re” dhe pjesë nga “Dhjata e Vjetër” Psallme dhe Katakizma në gegërishte dhe toskërishte, tri të tjera prej këtyre janë pjesë origjinale si Abetare, “Historia e së Shejtës shkronjë” dhe gramatika. Për hartimin e këtyre veprave Kristoforidhi krijoi dy alfabete njërin latinisht dhe tjetrin në greqisht.

Këto të fundit i shkrojti në dialektin toskërisht dhe atë gegënisht e shkrojti në latinisht. Këto vepra u shkrojtën në Stamboll sa ishte gjallë. Pas vdekjes së tij u botuan nëpër gazeta të ndryshme dhe shumë dorëshkrime të tij e gjetën dritën e botimit. Ndër to është për tu përmendur Fjalori i tij “Shqip-Greqisht” dhe me kuptimësinë e fjalëve shqipe. Aleksandër Xhuvani e quan një monument të gjuhës shqipe këtë fjalor me 502 faqe dhe me 20 mijë fjalë e format të madh, më i miri deri në atë kohë dmth në vitin 1943.

Në këtë fjalor, të cilin Aleksandër Xhuvani siç thotë edhe vetë në këtë shkrim, nuk e ndaja nga dora. Shohim se si me një zell të pashoq, me siguri e përpikmëri i mbledh fjalët Kristoforidhi e po me kaq kujdes e hollësi i jep kuptimësi fjalëve. Sigurisht që fjalori i Kristoforridhit është bërë në një kohë kur leksikologjia nuk ishte aq e përparuar, nuk kishte sistemin organik siç bëhen fjalorët e sotëm të gjuhëve të huaja, por mbetet një thesar i paçmueshëm. Thuajse për çdo fjalë Kristoforidhi tregon edhe vendin se ku përdorej ajo në krahinat e ndryshme të Shqpërisë, tregon edhe për trajtat e ndryshme të fjalëve në gegënishte dhe toskërisht e jo vetëm në këto dialekte, por edhe në nëndialektet, tregohen sinonimet dhe kundërvënien e fjalëve, por shpesh bën edhe përkufizimin e tyre me përpikmëri dhe bukuri të madhe.

“Meqë shumëkush nuk e di historinë e këtij fjalori dhe ende ka shumë gojëdhëna ja po ua tregoj historinë e tij”, - shkruan Aleksandër Xhuvani. Kristoforidhi krahas punës për Shoqërinë Biblike punoi për fjalorin të cilin e pruri në Elbasan në formë dorëshkrimi.

E gjithë bota shqiptare e dinte se Kristoforridhi e kishe hartuar një fjalor, ndaj dhe të gjithë prisnin me padurim daljen në dritë të tij, si një e mirë e madhe për gjuhën shqipe. Ata e dinin se Kristoforidhi e njihte me themel gjuhën shqipe e quhej babai i saj, dhe kjo vepër do të kishte sikur ka një rëndësi të madhe për gjuhën shqipe.

Në anën tjetër Austriakët edhe Grekët u interesuan për ta botuar këtë vepër. Pas vdekjes së Kristoforidhit puna e solli që Fjalorin e bleu konsulli grek në Durrës i cili ia dërgoi qeverisë Greke. Në atë kohë shkruan Xhuvani unë isha në univesrsitetin e Athinës. Mbaj mend se në një gazetë të Athinës për disa politikanë botimi i këtij Fjalori ishte në dëm të interesave kombëtare greke në Shqpëri. Pasi siç e dimë helenizmi grek nëpërmjet kishës dhe organeve të saj është armike e betuar e gjuhës sonë edhe sot.

Por ishte edhe një parti politike greke e cila e influencuar nga veprimtaria e Ismail Qemalit mendonte se duke e lejuar botimin e këtij Fjalori e duke e lëvruar këtë gjuhë shqiptarët do të bëheshin më të ndërgjegjshëm për kombin dhe miqësinë mes popujve. Për fat tonin zotëroi ky mendim i kësaj partie dhe qeverija greke e aprovoi botimin e këtij Fjalori. Diogjen Harito, shqiptarit nga Përmeti i cili ishte mësues në shkollën e mesme të Athinës, iu besua kjo punë. Kur unë isha student në Ahtinë në vitin 1904 u botua ky Fjalor e gëzimi i studentëve shqiptar në Athinë ishte i madhë. E u tha më pas se grekët si kundërshtar të çështjes shqiptare(si edhe serbët) mund të kenë vënë dorë mbi origjinalin dhe do ta kenë botuar sipas interesave të propogandës së helenizmit. Po kjo nuk është aspak e vërtetë. Së pari kur u vendos që të botohej nuk kishte arësye që të vihej dorë. Së dyti duhet një kohë e gjatë dhe një dije e thellë albanologjike dhe linguistike si e Joklit për ta marrë përsipër për ta kthyer sipas qëllimeve të propogandës së helenizmit. Fjalori është botuar krejt sipas dorëshkrimit të Kristoforidhit vetëm ka disa gabime shtypi që mund të diktohen lehtë nga ata që e dijnë mirë gjuhën shipe dhe atë greke, shkruan Aleksandër Xhuvani.

Dorëshkrimi që edhe sot mund të gjendet në arkivat e Ministrisë së Jashtëme Greke( e që mjerisht nuk u bë gjallë asnjë qeveri shqiptare për ta kërkuar këtë dorëshkrim). Sido që të ketë qenë qëllimi i Grekëve të cilët e blenë këtë dorëshkrim të Fjalorit paska qenë një fat i mirë për ne. Ngjarjet e ndryshme që pasuan më pas Shqipërinë do të kishim ndoshta një fjalor të humbur apo të djegur, prandaj duhet me ua dit për nder atyre që u bënë shkak për botimin e këtij monumenti të gjuhës e një falenderim për Diogjen Hariton i cili u kujdes për botimin e këtij Fjalori.
Si për hartimin e Fjalorit, por edhe përkthimi i Shkrimit të Shenjtë, duket se Kristoforidhi e njihte shumë mirë gjuhën shqipe. Ai njihte shumë mirë dialektin gegë e toskë, por edhe të folmet labërishte edhe të folmen e çamërisë si dhe të folmen e viseve të tjera të Shqipërisë. Shënon emrat e katundeve dhe qyteteve të Shqipërisë ku flitet akçe fjalë nga shkrimtarë si Budi dhe Bogdani. Kristoforidhi ka pasur një otografi si të Budit e të Bogdanit që edhe pse sot duket arkaike ai hendjen e gjuhës të lidhurit e fjalëve i ka shqipe pa asnjë ndikim të huaj. Kristoforidhin nuk mund ta kaloj kush edhe sot për nga niveli i njohjes së gjuhës shqipe prandaj me të vërtetë është babai i shqipes.

Kristoforidhi ishte një burrë i madh e i pashëm, fliste kthjellët dhe kishte një timbër të rëndë, por të këndshëm. Ishte shumë i shoqërueshëm edhe pse ishte i gjezdisur e kishte parë vende e njerëz të shumtë nëpër botë, shumë herë e pyesnin. Por ishte dhe hokatar e kur u plak nuk i vinte fre gojës, por fliste me shpoti edhe fjalë të palara. E mbaj mend që vinte shpesh herë në kishë dhe predikonte shqip se ndër othodoksët është e lejuar predikimi edhe prej njerëzve të dijshëm. Kur vdiste në lagje ndonjë njeri i përmendur vinin Kristoforidhin me mbajtë shqip ligjëratën e varrimit dhe Lef Nosi mbaj mend ka copa të këtyre ligjeratave. Kur ishte plak Kristoforidhi e mbaj mend kur shkonte në gjykatore ose në Pazar.

Unë isha atëhere në klasën e tretë qytetëze shkollë greke dhe gjuha shqipe me librat e Naimit ishte përhapur në Elbasan dhe lexohej fshehurazi prej njerëzve, një ditë më caktuan shokët të pyesja Kristoforridhin se si përkthehej fjala “Arete” nga greqishtja në shqip. Ai po pinte e duke ngritur shishen e rakisë mu përgjigj i thonë (punë e mirë). Vajta me vrap tek shokët e ata ngelën të pakënaqur e donin të ishte vetëm me një fjalë. E pyeta përsëri Kristoforidhin e ai mu përgjigj se nuk ka me një fjali. Të shumta janë anekdodat që ka lënë ai edhe sot e kësaj dite e u thoshte njerëzve që ta përsëritnin së bashku frazën në mënyrë që ta mbanin mend. Kristofridhi ka bërë histori për gjuhën shqipe. Prej atij u përhap shqiptarizma në Elbasan dhe prej tij mësuan gjuhën shqipe shumë njerëz. Edhe gratë e mësuan gjuhën shqipe dhe abetaren e Kristoforridhit. Prej Konstandin Kristoforidhit u fut gjuha shqipe në kishën orthodokse të lagjes Kala, - shkruan Aleksandër Xhuvani një dishepull tjetër i gjuhës shqipe.


Kristoforidhi një jetë për gjuhën shqipe
Leu në Elbasan më 1827, ndër burime të tjera figuron më 1830, i biri i tregtarit e kujunxhiut Anastas Ndelkas/Nelkos. Kur ishte 14 vjeç, mbaroi mësimet e shkollës qytetëse greqishte të qytetit dhe i ati e dërgoi në gjimnazin Zosimea të Janinës prej 1847 deri më 1850.

Në Janinë u njoh me zv/konsullin austro-hungarez J. G. Hahn, i cili merrej me studimin e gjuhës shqipe dhe muar mësime për një kohë të gjatë prej tij për të studiuar shqipen mbi tekstin e Dhiatës së përkthyer nga Vangjel Meksi e të redaktuar prej Grigor Gjirokastritit.

Ndihmoi po ashtu për "Studimet Shqiptare" të konsullit të përmendur. Vitet që vijuan e gjetën mësues në shkollat greke në Tiranë më 1852, Elbasan e Berat. Më 1853 i vdesin prindët, detyrohet të shesë gjithçka dhe u vendos në Durrës ku punoi te nuni i tij Mimi Xhufka. Udhëtoi mbarë Shqipërinë për tregti dhe në fillimin e 1857 e gjejmë në Izmir ku me gjasë u poq për herë të parë me misionarët protestantë amerikanë, ku u rekrutua nga filologu dr. Rigzi, mbrapa më 1 mars në Stamboll ku nisi punë si përkthyes për Shoqërinë Angleze dhe të Huaj Biblike. Ndoqi për katër muaj kurse në Robert College në lagjen Babek të Stambollit.

Mbasandej duke parë se qe premtues e shpunë në Maltë (fund korriku 1857-1860) në kolegjin protestant, ku përfundoi përkthimin e Dhjatës së Re në të dy dialektet e shqipes. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese. U hodh në Tunis ku u martua me Eleninë dhe mësoi greqishte në një shkollë nga 1861 deri më 1865. Në fund të majit 1865 u gjend në Stamboll me përkthimin e kryer të Dhiatës së Re në gegnishte.

Aleksandër Tomson i Shoqërisë Biblike përmes një njohtësie me një riosh shkodran të shkolluar, Nikollë Serreqin, i cili me të shkuar në Stamboll e ndih Kristoforidhin me redaktimin dhe sugjeron alfabetin latin me të cilin qe shkruar gegnishtja në Shkodër si traditë e autorëve të vjetër. Në nëntor të 1869 zgjedhet anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes. Me Eleninë pati shtatë fëmijë: Anastasin, Poliksenin, Anastasian, Kleopatrën, Aleksandrin, Stefanin dhe Filipin. Prej 1874 gjer më 1878 pati një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Shoqërisë Biblike, prejse dyshohej që nuk besonte sipas qasjes protestante nga një keqkuptim që kishte pasë në Maltë. Me ndikimin e Alexander Thomson-it të degës së Stambollit u bë e mundur që të vazhdonte punën me Shoqërinë Biblike duke përkthyer e botuar, kështu që u zhvendos me këtë shkas në Stamboll familjarisht.

Më 1884 u kthye në Shqipëri dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike njëherë e mirë. U përpoq të hapte një shkollë shqipe në Tiranë, por qe e pamundur duke qenë se autoritetet osmane nuk e lejonin këtë gjë prej ndodhive të pas-Lidhjes së Prizrenit. Më 1888 u kthye në Elbasan ku punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi derisa vdiq më 1895 te shtëpia e Taq Budës. U varros mbrapa absidës kryesore të kishën Shën Mërisë.

shqiptarja.com
 
Top