Ja përse albatrosët arrijnë të fluturojnë me kilometra të tërë pa u lodhur

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Disa studiues kanë vendosur GPS satelitor te rreth 16 zogj albatros për të matur pozicionin e tyre 10 herë në sekondë. Nëpërmjet kësaj metode ata arritën të zbulonin misterin e tyre të fluturimit kilometrik, por edhe shkakun e moslodhjes








Kapaciteti i tij për të bërë udhëtime të gjata pa u lodhur kurrë ka fituar gjithmonë admirimin jo vetëm të marinarëve, por edhe të poetëve të mëdhenj si اarls Bodeliër (Charles Baudelaire), që në një poezi të famshme e përcakton albatrosin si një “princ të reve”. Ndërkohë, një studim i publikuar së fundmi në revistën shkencore “Journal of Experimental Biology” (Revista e Biologjisë Eksperimentale) shpjegon se si ky zog marinar është në gjendje të fluturojë për dhjetëra mijëra kilometra vetëm gjatë një udhëtimi dhe ta përshkojë rreth e rrotull globin në vetëm 46 ditë, pa shpenzuar shumë energji.

Albatrosët janë zogj oqeanikë me krahë shumë të gjatë, rreth 3.5 metra. Ata kalojnë 92% të jetës së tyre në det dhe vijnë në tokë vetëm për t’u shumuar. Karakteristika më e rëndësishme e këtyre zogjve është që ata mund të fluturojnë për një kohë shumë të gjatë pa u ndalur. Ata e kryejnë këtë detyrë të vështirë duke u mbështetur në stilin e fluturimit të tyre.

Teknika e fluturimit


Studiuesit kanë aplikuar Gps satelitor te gjashtëmbëdhjetë albatrosë, që jetojnë në oqeanin Indian, për të vëzhguar pozicionin e çdo zogu marinar dhjetë herë në sekondë duke ndjekur me detaje të gjithë udhëtimin e tyre. Shkencëtarët thonë se për një albatros është e mjaftueshme të hapë krahët e tij të gjerë për të fluturuar, të cilët arrijnë deri në 3.5 metra. Kjo është gjatësia më e madhe e krahëve ndër të gjithë llojet e zogjve. Duke përdorur rrymat e ajrit dhe erën, albatrosët lëvizin në drejtimin e tyre deri në 100 km/h. Ndërkohë, në kockat e krahëve të albatrosit gjendet një sistem mbyllës që u mundëson atyre t’i mbajnë krahët të hapur. Me anë të këtij sistemi mbyllës, ata nuk përdorin ndonjë fuqi muskulore. Kjo e bën më të lehtë fluturimin e këtyre zogjve. Në sajë të këtij sistemi të veçantë, albatrosët mund të fluturojnë pa u ndalur për ditë, javë, madje edhe muaj, duke harxhuar vetëm një sasi të vogël energjie. “Megjithatë, duhet thënë se albatrosët nuk “lulëzojnë” vetëm nga era e detit, por ata arrijnë të kapin një shpejtësi tri herë më të madhe sesa ajo e erërave”, shpjegojnë autorët e studimit.

Lëvizje magjepsëse

Inxhinieri i hapësirës ajrore, Gottfried Sachs, i cili jep mësim në Universitetin Teknik të Monakos në Gjermani dhe i cili është një nga autorët e studimit, shpjegon se kjo mënyrë fluturimi në lartësi të madhe ishte vërejtur qyshkur nga dijetarët e të kaluarës, por ajo kurrë nuk qe shpjeguar shkencërisht: “Teknika e fluturimit të albatrosëve është shumë magjepsëse. Ka një elegancë mjaft të veçantë në aspektin dhe në tipin e tyre të të fluturuarit. Shumë persona i kanë vëzhguar këta zogj dhe kanë mbetur të impresionuar, sepse bëhet fjalë për një manovër mjaft tërheqëse. Një mrekulli se si ata mund të kryejnë atë lloj fluturimi pa përplasur krahët. Në të kaluarën janë formuluar teori të ndryshme, por tani mendojmë se e kemi gjetur zgjidhjen”.

Zhdukja

Sipas vlerësimeve nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, rreth 22 lloje të albatrosit, edhe pse ata jetojnë në Tokë prej mëse 50 milionë vjetësh, janë në rrezik dhe të paktën tetë prej tyre mund të zhduken shumë shpejt në vitet që po vijnë.

Peshkatarët që lundrojnë në oqeane dhe që përdorin linja të gjata, i kapin dhe i vrasin pa dashje albatrosët që shkojnë pranë anijeve të tyre për të gjetur ushqim. اdo vit ngordhin 100.000 zogj detarë, apo e thënë ndryshe një në çdo pesë minuta. “Numri i tyre filloi të zvogëlohet në shekullin e shkuar. Shpejtësia me të cilën ata vriten në peshkim tregon se po humbin pjesën më të madhe të popullatës së tyre çdo vit”, shpjegon Grahame Madge, përfaqësuesi i RSPB, i organizatës më të madhe mjedisore britanike.

G.shqip
 
Top