Historia e Shqiperise-PELLAZGET DHE ILIRET.

Status
E mbyllur për postime të tjera.

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
AJO QE BASHKON ME SHUME SHQIPTARET
ASHTU SIC CDO KOMB TJETER
CDO BASHKESI TJETER ESHTE HISTORIA


NE SI KOMB NUK KEMI QENE AGRESIVE
NUK KEMI LUFTUAR PER PUSHTIME TROJESH
POR KEMI HISTORINE ME TE LASHTE NE RAJON


NDOSHTA PO TE KISHIN GOJE GURET,NDERTESAT
NDOSHTA PO TE KISHIM GJUHEN TONE TE SHKRUAR
TE GJITHE DO HABITESHIN NGA HISTORIA JONE
TE GJITHE DO NGELESHIN ME GOJE HAPUR NGA ATO QE DO LEXONIN.
POOOOOR
NE ISHIM KETU.....
NE JEMI AKOMA KETU.....
NE DO JEMI KETU PERGJITHMONE.


Ketu do mundohem te sjell komplet historine shqiptare te pergatitur nga Akademia e Shkencave.



kjo kryteme do mbeti e mbyllur,do lexoje kushtdo historine tone te kompletuar por nuk do kete te drejte te komentoje ate.

LEXIM TE KENDSHEM.
 
Last edited:

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

P A R A T H ث N I E

Në vitin 1959 u botua në Tiranë vëllimi i parë i Historisë së Shqipërisë, i cili, së bashku me vëllimin e dytë, që doli më 1965, përbën veprën e parë shkencore përgjithësuese për Historinë e Shqipërisë, të hartuar nga një grup autorësh.
Historia e lashtë (Ilirët) përbënte pjesën e parë të vëllimit të parë të botimit të vitit 1959. Ajo shërbeu si bazë për hartimin e tekstit të ri të Historisë së Shqipërisë që u përgatit dhe u botua si maket për diskutim në vitin 1973. Pjesa e parë e vëllimit të parë të këtij botimi të ri (1973) përfshinte periudhën e historisë së lashtë, nga fillimet e shoqërisë njerëzore e deri në fillimet e mesjetës së hershme shqiptare. Ajo u përgatit nga prof. Selim Islami (redaktor përgjegjës), prof. dr. Muzafer Korkuti, prof. Frano Prendi dhe prof.dr. Skënder Anamali. Në vitin 1977, historia e lashtë u botua e ripunuar dhe e plotësuar me të dhëna të reja nga këta autorë, në formë dispense, për përdorim të brendshëm. Ky tekst, me pak shkurtime, u botua edhe në frëngjisht më 1985 si vëllim më vete, për t’u shfrytëzuar nga studiuesit dhe nga lexuesit e huaj, me titullin Les Illyriens - Aperçu historique, Tirana, 1985.
Pjesa e parë, Ilirët, që përfshihet në këtë botim të ri (vëllimi i parë), është mbështetur në variantet e vitit 1977 dhe 1985, por të ripunuara dhe të plotësuara prej të njëjtit grup autorësh:
Krerët I dhe II janë hartuar nga prof. dr. Muzafer Korkuti.
Krerët III dhe V janë hartuar nga prof. Selim Islami.
Kreu IV është hartuar nga prof. Frano Prendi.
Krerët VI, VII dhe VIII janë hartuar nga prof. dr. Skënder Anamali.
Prof. dr. Edi Shukriu ka shkruar në pjesën Mbretëria Dardane (Kreu VI) sythet: Territori, popullsia e kultura dhe Dardania paraurbane.
Përgatitja për botim (redaktimi) e pjesës Ilirët, me ndryshimet përkatëse u bë nga prof. dr. Muzafer Korkuti.
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

K R E U I

LINDJA DHE FORMIMI I BASHKثSISث PRIMITIVE

1. SHFAQJA E SHOQثRISث NJERثZORE. PALEOLITI



Gjurmët më të hershme të jetës njerëzore
Historia e shoqërisë njerëzore fillon që në kohën kur nga kopeja e majmunëve antropoidë u formuan grupet e para të njerëzve primigjenë. Kjo ndarje e njeriut nga bota e kafshëve u krye nëpërmjet një procesi shumë të gjatë, të ndërlikuar dhe të papërsëritshëm.
Periudha më e hershme e zhvillimit të kësaj shoqërie primitive njihet arkeologjikisht me emrin e paleolitit (nga greqishtja palaios - i vjetër, lithos - gur) dhe përfshin periudhën afërsisht nga 1 500 000 deri në 10 000 vjet më parë. Kjo epokë ndahet nga ana e saj në paleolit të ulët, të mesëm dhe të lartë.
Në vendin tonë nuk janë zbuluar mbeturina kulturore nga paleoliti i ulët, që zë një pjesë të madhe të epokës së pleistocenit e vjen deri në kohën e vërshimit të akullnajave Riss.
Gjurmët më të hershme të qenies së njeriut në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket paleolitit të mesëm (100 000-30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apolonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj.
Tipi fizik i njeriut në këtë kohë ishte ai i neandertalit . Në procesin e antropogjenezës ky tip paraqet një hallkë më të zhvilluar në krahasim me pitekantropin e paleolitit të ulët.
Dyndja nga veriu në jug e akullimit të periudhës gjeologjike Riss bëri që edhe në vendin tonë klima të pësojë ndryshime të mëdha. Në malet e larta të Shqipërisë u formuan akuj të përhershëm, që zbritën deri në lartësinë 1 000 m mbi nivelin e detit. Si pasojë e këtyre ndryshimeve klimatike ndryshoi dhe fauna e flora e vendit. Nga kafshët e vjetra qëndruan vetëm ato që mundën ta përballonin të ftohtit. Krahas tyre u shfaqën dhe kafshët karakteristike vetëm për kushtet e klimës së ftohtë. Të tilla ishin mamuthi, rinoceronti leshtor, bizoni, dreri i veriut, ariu i shpellës, hiena e shpellës, dhia e egër etj.
Të ftohtët ndikoi edhe në mënyrën e jetesës. Në luftën për të përballuar vështirësitë klimatike dhe për të mbijetuar, njeriu i kësaj kohe bëri hapa të rëndësishëm drejt përparimit; u strehua në shpella pasi triumfoi në luftën për jetë a vdekje me kafshët e egra që i kishin zënë që më përpara këto vend-strehime natyrore. U vesh duke shfrytëzuar lëkurët e kafshëve, mësoi të ndezë vetë zjarrin, të cilin e përdori me sukses kundër të ftohtit dhe bishave të egra, por sidomos për të përmirësuar strukturën e ushqimit, duke përdorur gjerësisht mishin e pjekur, i cili luajti një rol të madh në përmirësimin e mëtejshëm biologjik të tij. Zjarri qe një arritje shumë e rëndësishme për kohën, sepse i dha njeriut për të parën herë zotërimin mbi një fuqi të caktuar të natyrës, që e ndau atë përfundimisht nga bota e kafshëve.
Banorët e paleolitit të mesëm jetonin me prodhimet, që i gjenin të gatshme në natyrë dhe sidomos me gjueti, e cila përbënte edhe drejtimin kryesor të veprimtarisë së neandertalasve. Me mbledhjen e frutave dhe të zhardhokëve, me ruajtjen e zjarrit, me rritjen e fëmijëve, me përgatitjen e lëkurës për veshje, etj., merrej gruaja, ndërsa burri dilte për gjah ose merrej me përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Gjuetia e kafshëve të mëdha, në kushtet e nivelit të atëhershëm, primitiv të veglave të punës, mund të bëhej vetëm në mënyrë kolektive. Në këto rrethana ajo ndihmoi shumë në forcimin e lidhjeve të brendshme midis anëtarëve të grupeve dhe së bashku me krijimin e lidhjeve të gjakut shpuri në organizimin e bashkësisë primitive.


Lindja e gjinisë matriarkale

Paleoliti i lartë është përfaqësuar shumë më gjerë. Vegla pune të kësaj periudhe janë zbuluar me shumicë në sipërfaqen e stacionit të Xarës (Xara II), në shpellën e Shën Marinës në Bogas të Sarandës, në shpellën e Konispolit, në Kryegjatë, në Rrëzë të Dajtit dhe në Gajtanin III, pra në një rreze të tillë që nënkupton shtrirjen e vendbanimeve të kësaj kohe në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë. Këto materiale përbëhen kryesisht nga vegla stralli të tipit aurinjacien, të një përvoje më të përparuar teknike dhe me forma më të larmishme, kryesisht thika, kruese dhe gërryese. Së bashku me veglat prej stralli në depozitën rrëzë Dajtit janë gjetur edhe disa vegla prej kocke, të cilat në këtë kohë marrin një përdorim të gjerë krahas përsosjes së mëtejshme të punimit të strallit. Në shtresën paleolitike të shpellës së Shën Marinës përveç veglave të punës janë gjetur dhe gjurmë zjarri, si dhe fosile kafshësh të pleistocenit të vonë (capra ibex - dhi e egër), që tregojnë për një faunë të ngjashme me atë të paleolitit të mesëm, gjë që është dhe e kuptueshme, pasi klima dhe në këtë kohë vazhdoi të ishte e ftohtë dhe e lagësht si më parë.
Përparësi kanë të dhënat që janë zbuluar në shtresën më të hershme të shpellës së Konispolit I, të datuar 26 370 vjet më parë, si një seri veglash pune të përgatitura nga gur-stralli i bardhë me retush të varfër, kocka kafshësh të egra si edhe farë rrushi të egër dhe thjerrëza të karbonizuara, të cilat janë tipike për Mesdheun Lindor paraneolitik.
Gjuetia e kafshëve të egra vazhdon edhe në këtë etapë të fundit të zhvillimit paleolitik të vendit tonë, të jetë mjeti kryesor i sigurimit të ushqimit. Madje në këtë kohë përsosen dhe më tepër armët e gjuetisë si dhe format e saj. Mbledhja e prodhimeve të gatshme, gjithashtu, mbetet një nga mënyrat e sigurimit të ushqimit të përditshëm.
Gjatë kësaj epoke përfundon procesi i gjatë dhe i ndërlikuar i antropogjenezës. Nga neandertali, me tipare ende shtazore, kalohet tani në tipin e njeriut të sotëm - homo sapiens.
Si rrjedhim i përsosjes së veglave të punës prej stralli e kocke u rrit ndjeshëm mundësia e sigurimit më me shumicë të produkteve ushqimore, gjë që solli ndryshime dhe në organizimin e bashkësisë primitive.
Formohen tani grupe të qëndrueshme njerëzish të bashkuar jo vetëm nga forma e përbashkët e prodhimit, por edhe nga lidhjet e gjakut dhe nga origjina e tyre e përbashkët. Gradualisht kalohet në bërthamën e parë të organizimit shoqëror, në gjininë matriarkale. Ishte matriarkale, pasi gruaja luante rol të dorës së parë në ekonomi dhe në jetën shoqërore të kësaj bashkësie gjinore. Forma kryesore e familjes në këtë gjini ishte martesa me grupe, prej së cilës origjina e fëmijëve përcaktohej vetëm nëpërmjet nënës.
Në epokën e mezolitit (guri i mesëm) 10 000 - 7 000 vjet p.e.re ndodhën ndryshime të mëdha në florën dhe në faunën e kontinentit, rrjedhimisht edhe në territorin e Ballkanit. U zhdukën të gjitha kafshët tipike të pleistocenit, si mamuthi, rinoceronti etj., kurse një pjesë e kafshëve që vazhduan të jetonin ndryshuan përhapjen gjeografike. Në kushtet e reja gjeo-klimatike, njeriu i mezolitit filloi të kalojë nga ekonomia që mbështetej në gjuetinë e mbledhjen e produkteve të gatshme, në fillimet e bujqësisë e të blegtorisë primitive.
Epoka e mezolitit dallohet nga ajo e paleolitit edhe prej veglave të punës, të cilat janë bërë nga ashkla stralli shumë të vogla me forma të rregullta gjeometrike, si trekëndësha, trapezoidale, në formë segmenti etj., me përmasa të vogla 4-6 cm, ndaj quhen mikrolite.
Në territorin e Shqipërisë vendbanime mezolitike janë zbuluar në shpellën e Konispolit (Konispol II) dhe në Kryegjatë. Në të dyja këto vendbanime veglat prej stralli janë të cilësisë shumë të mirë, kanë forma tipike mezolitike, me retush të imët të cilësisë së lartë. Në Konispol ato janë datuar saktësisht në vitet 8500 p.e.sonë (në bazë të C14).
Me epokën mezolitike lidhet pjesërisht edhe vendbanimi i Vlushës (rrethi i Skraparit), ku janë zbuluar vegla stralli tipike mezolitike. Këto vegla janë gjetur së bashku me fragmente enësh shumë primitive, fakt që e daton Vlushën në fillimet e epokës neolitike. Sidoqoftë, ato i takojnë një kulture me tradita të forta mezolitike, dhe Vlusha përfaqëson një kulturë që vë në lidhje të drejtpërdrejtë epokën e mezolitit me fillimet e epokës së neolitit. Të marra së bashku, Konispoli II, Kryegjata dhe Vlusha, përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për formimin e kulturës neolitike në territorin e Shqipërisë.
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

2)NEOLITI

Vendbanimet neolitike


Neoliti (nga greq. neos - i ri dhe lithos - gur) përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë. Në këtë të fundit përfshihet dhe periudha e bakrit ose eneoliti (nga bashkimi i fjalës lat. eneos - bakër dhe greq. lithos - gur), që përbën etapën e fundit dhe kalimtare për epokën e bronzit.
Në këta tridhjetë vjetët e fundit janë zbuluar e gërmuar një numër i madh vendbanimesh neolitike me shtrirje gati në tërë territorin e Shqipërisë, si në Maliq, në Cakran, në Vashtëmi, në Burimas, në Podgorie, në Barç e në Dërsnik të rrethit të Korçës, në Kamnik të Kolonjës, në Blaz e Nezir të Matit, në Cakran të Fierit, në Burim, në Gradec e në Cetush të Dibrës, në Kolsh të Kukësit, në Rajcë e në Rashtan të Librazhdit e nga gjetje të rastit në pika të tjera. Më mirë është njohur e studiuar pellgu i Korçës, i cili gjatë epokës prehistorike ka pasur kushte shumë të mira gjeoklimatike. Ai paraqet sot zonën më të pasur e më të zhvilluar kulturore të neolitit si edhe pellgun ku mund të ndiqet pa ndërprerje zhvillimi i kulturës neolitike në gjithë shtrirjen e tij kohore. Materialet e gjetura në këto qendra prehistorike, krahas atyre të dala në dritë shumë kohë më parë si në Velçë të Vlorës ose rastësisht në rrethet e tjera të vendit, kanë dhënë mundësi që të njihen aspekte të ndryshme të jetës ekonomike, shoqërore dhe kulturore të banorëve neolitikë të territorit tonë, ndërsa përhapja e gjerë e këtyre vendbanimeve dhe e gjetjeve rastësore neolitike ka treguar se ky territor gjatë kësaj epoke ka qenë i banuar dendur dhe pa ndërprerje.
Jeta në vendin tonë gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit t’i lëshonte vendin një klime më të butë, tani merr pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona.
Këto rrethana të favorshme natyrore ndihmuan që vendi ynë gjatë neolitit të arrijë në një nivel të lartë zhvillimi ekonomik dhe kulturor për atë kohë. Njeriu nga skllav i natyrës, siç ishte në paleolit, shndërrohet tani, pak e nga pak, në zotërues i saj. Në këtë kohë lindin e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë prodhuese të njeriut, të cilat me plot të drejtë mund të merren si zanafilla e degëve të veçanta të ekonomisë dhe të përparimit teknik e kulturor të shoqërisë së sotme. Të tilla janë bujqësia e blegtoria, prodhimi i qeramikës, tjerrja dhe endja, teknika e ndërtimit të banesave etj. Përsoset në këtë kohë edhe teknika e punimit të veglave prej kocke dhe prej guri. Hyn në përdorim të gjerë dhe bëhet karakteristike për epokën dhe teknika e lëmimit të gurit. Nga fundi i neolitit (eneolit), për të parën herë dalin dhe veglat e objektet prej bakri, të cilat shënojnë dhe fillimet e metalurgjisë në vendin tonë.
Në këto periudha të largëta të prehistorisë, vendbanimet i ndeshim zakonisht nëpër tarraca lumore, pranë burimeve ose në vende me toka pjellore dhe të pasura me pyje që strehonin shumë kafshë të egra. Por krahas këtyre, vazhdonin të shërbenin si vendbanim edhe shpellat (shpella e Velçës, e Trenit, e Konispolit, e Blazit etj.). Banesat paraqiten dy llojesh: në formë gropash nëndhese (Cakran) dhe të tilla të ndërtuara drejt mbi tokë (Maliq, Kamnik, Kolsh etj.). Zakonisht këto kishin planimetri drejtkëndëshe dhe ishin një ose dy dhomëshe. Muret e tyre thureshin me thupra ose me kallama dhe lyheshin pastaj me baltë në njërën ose në të dy faqet e tyre. Dyshemetë ishin gjithashtu prej balte; në disa raste ato vendoseshin mbi shtroje trarësh për të izoluar lagështirën. Në Dunavec dhe në Maliq të Korçës janë zbuluar banime të ngritura mbi hunj (palafite). Mbi hunjtë vertikalë qëndronte një platformë prej trarësh të vendosur horizontalisht e mbi të ngriheshin banesat (kasollet) të shtruara me baltë. Palafiti i Maliqit ka qenë i rrethuar me një gardh që e mbronte nga vërshimi i ujit apo nga rreziqe të tjera.


Ekonomia. Lulëzimi i gjinisë matriarkale

Nga materialet e zbuluara në vendbanimet neolitike të vendit tonë del se bujqësia përbënte një nga format kryesore të prodhimit dhe sidomos tek ato bashkësi primitive që banonin në toka pjellore, si p.sh. në pellgun e Korçës, në fushën e Cakranit (Fier) etj. Toka punohej cekët me shat prej guri ose briri dreri. Kjo ishte forma më primitive e punimit të tokës. Në këtë kohë mbillej gruri si dhe llojet e tjera të drithërave. Këtë e tregojnë farërat e karbonizuara të zbuluara në shtresat neolitike të Podgories, të Konispolit, të Maliqit apo në muret e banesave të lyera me baltë të përzier me byk drithërash, siç i gjejmë në vendbanimet më të hershme neolitike (Vashtëmi, Kolsh etj.).
Në depozitimet neolitike të vendit tonë, përzier me mbeturina të ndryshme të kulturës, janë zbuluar me shumicë dhe kocka bagëtish të imëta dhe të trasha, që tregojnë se krahas bujqësisë banorët neolitikë merreshin edhe me blegtori. Prej bagëtive ata siguronin qumështin, mishin, leshin, lëkurën etj. Një pjesë të këtyre produkteve ata i siguronin dhe nëpërmjet gjuetisë së kafshëve të egra, kockat dhe brirët e të cilave i ndeshim gjithashtu në qendrat e banuara të kësaj kohe. Dreri ishte një nga kafshët e egra më të parapëlqyera të gjahut, i cili përveç mishit dhe lëkurës, u siguronte bujqve primitivë edhe brirët me të cilët bënin vegla të ndryshme bujqësore, si shetër, çekanë etj., dhe që i gjejmë të përfaqësuar mirë sidomos në vendbanimin e Dunavecit e të Maliqit. Po këtu janë zbuluar edhe shumë pesha rrjetash, gropa etj., që dëshmojnë se një formë tjetër e sigurimit të ushqimit të banorëve neolitikë të Dunavecit e të Maliqit ishte dhe peshkimi.
Banorët neolitikë të vendit tonë dinin gjithashtu të tirrnin fijen dhe të endnin prej saj rroba me anë të vegjës primitive vertikale. Këtë e tregojnë rrotullat e boshtit dhe peshat për tërheqjen e fijes në vegjë, të zbuluara në Maliq e gjetkë.
Që në etapën më të hershme të neolitit shfaqen dhe enët prej balte të pjekur, që përbëjnë si kudo gjetjet më të shumta e më të rëndësishme në vendbanimet e kësaj kohe. Prodhimi primitiv i tyre ashtu si edhe ai i tekstilit dhe i prodhimeve bujqësore, ishte i lidhur me punën e gruas. اdo bashkësi neolitike i përgatiste vetë enët sipas nevojave të saj. Ato punoheshin me dorë në forma e madhësi të ndryshme, me faqe të trasha ose të holla, me ose pa zbukurime sipas qëllimit të tyre praktik.
Zhvillimi i madh, për atë kohë, i prodhimit, i cili gjeti shprehjen e vet në shtimin e llojeve të veglave të punës dhe në përmirësimin teknik të punimit të tyre, në zhvillimin e formave të tilla të ekonomisë, siç ishin bujqësia dhe blegtoria etj., solli ndryshime dhe në organizimin shoqëror, që u pasqyrua në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës gjinore. Gjinia matriarkale e lindur që në paleolitin e lartë dhe e zhvilluar dalëngadalë gjatë mezolitit arrin tani fazën e lulëzimit të saj. Në fushën ekonomike kjo fazë e zhvillimit gjinor ishte e lidhur kryesisht me zhvillimin e bujqësisë primitive, e cila duke qenë punë e gruas, i jepte asaj një vend me rëndësi në prodhimin shoqëror. Paraqitja e saj me figurat e shumta prej balte, dëshmon se ajo kishte një pozitë parësore në gjini. Martesa me grupe, karakteristike për periudhën e hershme të matriarkatit, zëvendësohet tani në periudhën e lulëzimit të saj me një formë të re më të përsosur, me martesën me çifte.
Gjatë gjithë kohës së neolitit, gjinia mbetet e vetmja njësi shoqërore dhe ekonomike në bashkësinë primitive. Në këtë gjini kishte jo vetëm bashkësi familjesh me çifte, por edhe një organizim pune dhe konsumi kolektiv. Puna e përbashkët i shpinte njerëzit në pronën e përbashkët mbi mjetet e prodhimit dhe mbi produktet e prodhimit.
Ndërmjet gjinive, që jetonin në afërsi të njëra-tjetrës, u vendosën gjatë kësaj periudhe marrëdhënie të tilla ekonomike e shoqërore që shpunë në formimin e bashkësive fisnore. Midis këtyre njësive të mëdha fisnore fqinje ose më të largëta, ekzistonin marrëdhënie këmbimi. Në vendbanimet tona neolitike janë ndeshur sende të sjella nga krahina të largëta, siç janë p.sh., importet e poçerisë diminiane të Thesalisë në depozitimet e vendbanimit të Cakranit apo të Kamnikut etj.




Arti i bujqve dhe i blegtorëve neolitikë priret drejt formave dekorative gjeometrike dhe figurative skematike.
Arti dekorativ neolitik shfaqet me tërë përmbajtjen e tij sidomos në prodhimet e poçerisë, ku shumë nga format e enëve me harmoninë dhe me elegancën e trupit të tyre i tejkalojnë kërkesat e ngushta utilitare dhe hyjnë në fushën e realizimeve artistike.
Në tërë kulturat neolitike të vendit tonë qeramika paraqitet e zbukuruar me ornamente të shumta të realizuara me teknika të ndryshme (pikturim, gërvishtje, ngulitje, inkrustim, etj.) dhe trajtime të veçanta stilistike, sipas fazave të zhvillimit përparues të saj. Motivet e zbukurimit përbëhen nga vija të drejta ose të përkulura me kombinime nga më të ndryshmet, si dhe nga figura gjeometrike: trekëndësha e rombe me fushë të zbrazët ose të vizatuar, nga rrathë, spirale, meandra, etj. Këto motive, përveç zhvillimit të thjeshtë për të zbukuruar enët, kanë shërbyer, në mjaft raste, edhe si simbole grafike për të paraqitur ambientin, sendet apo fuqitë e natyrës sipas botëkuptimit magjik të njerëzve neolitikë.
Arti figurativ i kësaj kohe përfaqësohet kryesisht nga figurat antropomorfe apo zoomorfe prej balte të pjekur, të cilat kryesisht janë të vogla. Tipari më karakteristik i tyre është skematizimi i formës, nganjëherë jashtë masës, ashtu sikurse është në artin dekorativ të qeramikës gjeometrizimi i theksuar i ornamentit. Këto figura qeniesh paraqiten në formë cilindrike, plaçke apo steatopigjike (vithegjera), në këmbë ose ulur. Një pjesë e tyre janë të ngjashme me tipat përkatës të Azisë së Përparme dhe të Mesdheut Lindor, gjë që tregon për lidhje e ndikime kulturore të drejtpërdrejta të kulturave neolitike të vendit tonë me ato të këtij areali.
Këto prodhime plastike, shpesh me vlera artistike, personifikonin, nga ana tjetër, ato fuqi të panjohura, të cilat sipas bujqve dhe blegtorëve primitivë, kishin në dorë pjellorinë e tokës dhe mbarështimin e kafshëve. Kështu, figurat e grave, të cilat mbizotërojnë në plastikën antropomorfe neolitike, janë të lidhura me kultin e pjellorisë së tokës-nënë, ndërsa ato që riprodhojnë figura zoomorfe - me kultin e kafshëve shtëpiake, që luanin, ashtu sikurse dhe bujqësia, një rol të rëndësishëm në ekonominë e bashkësisë neolitike. Me kultin e tokës-nënë dhe të kafshëve lidhen edhe vazot antropomorfe e zoomorfe të zbuluara në vendbanimet neolitike të Maliqit, të Dunavecit etj.
Botëkuptimi i banorëve neolitikë është shprehur edhe në kultin e varrimit. Varrosja e të vdekurve bëhej pranë ose brenda territorit të vendbanimit. Varret nuk kishin ndonjë ndërtim të veçantë; kufoma vendosej në një gropë të cekët në pozicion fjetjeje dhe këmbë të mbledhura pa takëm funeral. Riti i varrimit brenda territorit të banuar ose brenda banesës ishte i lidhur me një zakon shumë të përhapur në atë kohë në Ballkan dhe në përgjithësi në rajonin e gjerë të Mesdheut. Siç duket, ai kishte karakter flijimi dhe u kushtohej fuqive që mbronin vendbanimin.


Grupet etno-kulturore neolitike

Numri i konsiderueshëm i vendbanimeve neolitike të zbuluara në tërë territorin e Shqipërisë si edhe përkatësia kohore e tyre nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm, të vonë, duke përfshirë dhe epokën e bakrit, e bëjnë të mundur të veçojmë disa grupe kulturore dhe ta ndjekim zhvillimin e kulturës pa ndërprerje nga fillimet e mijëvjeçarit të shtatë e deri në fund të mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë.
Neoliti i hershëm, përfaqësohet nga Vlushi, Podgoria I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I e II. Vendbanimi i Vlushit karakterizohet nga një qeramikë trashanike ngjyrë gri të zezë, me forma tepër të thjeshta e me pak zbukurime të bëra me shtypje. Qeramika gjendet së bashku me vegla pune prej stralli tipike mezolitike, ndaj Vlushi i takon periudhës kalimtare nga mezoliti në neolit.
Kultura Podgorie I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I, II, të cilat janë njohur e studiuar mirë, i takojnë neolitit të hershëm të zhvilluar. Kjo periudhë në territorin e Shqipërisë Juglindore është dokumentuar nga kultura Podgorie I. Falë një shtrese kulturore të trashë rreth 3 m e mjaft të qartë, në Podgorie, dhe të një lënde shumë të pasur arkeologjike mund të rindërtohet tabloja e asaj kulture, e cila karakterizohet nga qeramika njëngjyrëshe e kuqe me shkëlqim, nga qeramika e pikturuar me bojë të bardhë mbi sfond të kuq si edhe nga figurat steatopigjike prej balte e tryezat e thjeshta të kultit, të cilat i vënë në raporte të drejtpërdrejta kulturore e kronologjike me neolitin e hershëm të Thesalisë (faza Presesklo e pjesërisht Protosesklo), si edhe me neolitin e hershëm të Maqedonisë (Vrshnik-Anzabegovo Ib, c). Elementet e tjera të pranishme në Podgorie I, si qeramika impreso e tipit të Devollit e ajo e tipit adriatik, si edhe qeramika barbotine e sheshtë e vënë atë në lidhje me kulturat e neolitit të hershëm adriatik e ballkano-qendror.
Kultura përfaqësuese e Shqipërisë Verilindore, Kolshi I ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikën impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudnikun (Rudniku III) në Kosovë dhe me gjithë kulturat e fazës Starçevo II b të Ballkanit Qendror. Blazi I e II në zonën e Matit ka qeramikë të tipit impreso-kardium me motive të ndryshme, si edhe qeramikë njëngjyrëshe gri e të zezë me shkëlqim që i japin kulturës së këtij vendbanimi shpellor karakterin adriatik lindor (Smilçiç I).
Kalimi nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm shënon një kthesë në të gjithë zhvillimin kulturor të territorit të vendit tonë, gjë që është pasqyruar mjaft qartë në kulturat Dunavec I - Cakran Blaz III, të cilat përfaqësojnë dhe tri fazat kryesore të zhvillimit të neolitit të mesëm në Shqipëri. Tipar themelor për të gjitha fazat e kësaj periudhe është qeramika ngjyrë gri, gri e zezë dhe e zezë me sipërfaqe të lëmuar me ose pa shkëlqim, si edhe qeramika barbotine e impreso të trashëguara nga neoliti i hershëm. Qeramika shquhet për një larmi formash ku mbizotërojnë kupat bikonike me variante të ndryshme, tasat trung konikë me fund të lartë, enët me trup sferik me profile të ndryshme etj. Qeramika e neolitit të mesëm dallohet edhe për pasurinë e zbukurimeve të bëra me incizim e thellim, hera-herës të inkrustuara me bojë të kuqe ose të bardhë, për zbukurimet plastike variantesh të ndryshme, për zbukurimin me kanelyra, me pikturim etj.
اdo njëra nga tri kulturat përfaqësuese ka tiparet dhe veçoritë lokale që burojnë nga diferencat në kronologjinë relative si edhe nga pozita gjeografike, nga raportet e lidhjet që ato kishin me kulturat fqinje.
Faza Dunavec I që përfaqëson shtresën më të hershme të neolitit të mesëm është e lidhur me ekzistencën e një vendbanimi palafit, i cili, sot për sot, është më i hershmi në territorin e Ballkanit. Në Dunavecin I, krahas qeramikës së zezë të cilësisë shumë të mirë vazhdoi të përdorej gjerësisht qeramika barbotine me reliev të zhvilluar, traditë kjo e neolitit të hershëm Starçevian. Por tonin kulturës së Dunavecit I ia jepnin format e reja të enëve të zbukurimit në reliev, zbukurimet me incizim e ngulitje, zbukurimet me kanelyra, pikturimi gri etj.
Gjatë Dunavecit II, krahas elementeve që u trashëguan nga periudha paraardhëse, që edhe këtu përbëjnë shumicën, ka edhe një tog elementesh të reja që e veçojnë atë si një fazë më vete. Zbukurimi në reliev njeh zhvillimin e tij më të gjerë, po ashtu bëhet tipik zbukurimi me gërvishtje i llojit adriatik, kanelyra përmirësohet cilësisht dhe, krahas pikturimit gri, del edhe qeramika e pikturuar me bojë të kuqërremtë. Në këtë fazë shfaqen edhe fragmentet e para të qeramikës dyngjyrëshe kuq e zi.
Cakrani dhe Dunaveci II kanë përputhje të plotë kulturore e kronologjike. Për t’u shënuar është gjetja në Cakran e disa fragmenteve enësh të pikturuara dhe në Dunavec II e një fragmenti, të cilat janë të importuara nga kultura Thesalike e Diminit të hershëm (faza Tsangli). Ato japin një datë të saktë për ekzistencën e njëkohshme të Cakranit e të Dunavecit II me Tsanglin dhe në të njëjtën kohë dëshmojnë për zhvillimin e këmbimit midis trevave tona me Thesalinë. Edhe kultura e Kolshit II në territorin e Shqipërisë Verilindore gjen përputhje të plotë me atë të Cakranit.
Faza fundore e neolitit të mesëm është dëshmuar nga Blazi III në territorin e Shqipërisë së brendshme qendrore. Ajo karakterizohet nga qeramika ngjyrë gri, gri e zezë e ngjyrë kafe e zbukuruar me motive linearo-gjeometrike e spiralike, të cilat janë elemente karakteristike për kulturat danilike të bregdetit dalmatin. Krahas tyre ka edhe enë të zbukuruara me ornamente me vija të thelluara, të cilat mjaft mirë e vënë këtë fazë të neolitit të mesëm në raporte kulturore e kronologjike me kulturën Lisiçiç (Hvar I) të neolitit të vonë të Adriatikut.
Kulturat e neolitit të mesëm të vendit tonë kanë edhe disa tregues të rëndësishëm të kultit e të botës shpirtërore. Si shfaqje e re dhe kryesore janë ritonet, enë jo të zakonshme me katër këmbë me grykë vezake të vendosur pjerrtas me një dorezë të madhe në pjesën e sipërme të trupit dhe të lyera me bojë të kuqe. Këto ritone sipas mendimit të shumë studiuesve duhet të kenë shërbyer në ceremoni rituale kushtuar kulteve të rëndësishme, siç është ai i pjellorisë së tokës, i nënës së madhe, kulte që ishin të lidhura me riprodhimin e jetës, me pjellorinë e tokës e të bagëtisë, të cilat ishin degët bazë të ekonomisë.
Një kult tjetër i epokës neolitike është ai i varrimit të fëmijëve në vendbanim, të vendosur në pozicion kruspull, dëshmi e një flijimi për vetë vendbanimin.
Kalimi nga periudha e neolitit të mesëm në neolitin e vonë është bërë shkallë-shkallë, gjë që provohet nga kultura e vendbanimeve të Dërsnikut, të Barçit II dhe të Maliqit I (Kamnik) ku disa tregues të kulturës vazhdojnë edhe gjatë neolitit të vonë, madje zhvillohen më tej dhe bëhen karakteristike. E tillë është qeramika me tone të çelëta e punuar me kujdes dhe e pikturuar me ngjyra të ndryshme, me motive të larmishme linearo-gjeometrike dhe meandro-spiralike. Kjo qeramikë krijon efekte shumë të ngjashme me qeramikën e neolitit të vonë të Thesalisë, që njihet arkeologjikisht si faza e Diminit klasik. Këto elemente kulturore luajtën një rol të rëndësishëm në formimin e kulturës së neolitit të vonë të vendit tonë.
Fazën finale të epokës së gurit të ri ose siç quhet ndryshe epoka e bakrit, e përfaqësojnë tri vendbanime me një vijimësi kulturore e kronologjike: Burimasi, Maliqi II a dhe Maliqi II b. Kultura e tyre karakterizohet nga përsosja e veglave të strallit, e veglave me gur të lëmuar dhe e atyre prej kocke e briri, si dhe dalja e veglave të para prej bakri (sëpata të tipit daltë, biza e grepa peshkimi), të cilat për shkak të cilësisë së butë të bakrit nuk mundën të zëvendësonin veglat e traditës neolitike.
Tiparin themelor të kësaj faze e përbën qeramika, e cila dallohet për cilësinë e punimit të saj, për larminë e formave të enëve, për ngjyrën e zezë e gri të zezë shpeshherë me shkëlqim, si edhe për zbukurimet e shumëllojshme (me pikturim gri, me bojë të bardhë ose të kuqe, me incizim, me ornamente plastike apo kanelyra etj.). Kultura shquhet edhe për një pasuri e larmi objektesh kulti, si figura antropomorfe e zoomorfe, tavolina kulti e objekte të tjera të karakterit ritual.
Kultura neolitike e vendit tonë u zhvillua në lidhje e marrëdhënie të ngushta me kulturat bashkëkohëse të vendeve fqinje, si me kulturën Crnobuki-Shuplevac të Pelagonisë, me kulturën Rahmani të Thesalisë dhe me kulturat egjeane të bronzit të hershëm.
Të dhënat e deriatëhershme dëshmojnë kështu se kultura neolitike në vendin tonë zhvillohet pa ndonjë ndërprerje dhe mbi një bazë autoktone. Njohuritë e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar se cilët ishin përfaqësuesit e grupeve apo të komplekseve më të gjera etnokulturore ballkanike të kësaj kohe. Mendimet e ndryshme sipas të cilave këto mund të kenë qenë ose jo popullsi indoevropiane mbeten ende të diskutueshme, sa kohë që të dhënat gjuhësore nga fusha e toponimisë së lashtë të Ballkanit është vështirë të përputhen me siguri me të dhënat arkeologjike. Në këto rrethana, banorët e kësaj lashtësie të largët, këto grupe kulturore ka shumë gjasë t’i takonin një popullsie paleoindoevropiane.
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

3. EPOKA E BRONZIT. KALIMI Nث ORGANIZIMIN FISNOR PATRIARKAL

Gjurmë të kohës së bronzit. Vendbanimet



Epoka e bronzit në Shqipëri përfshin mijëvjeçarin e tretë dhe gjithë mijëvjeçarin e dytë p.e.sonë, e deri në fundin e shek.XII p.e.r. Ajo njihet prej të dhënave të fituara nga shtresat e kulturës së bronzit në vendbanimet e Maliqit, të Trenit e të Sovijanit në pellgun e Korçës, nga shtresa e parë e vendbanimit të Gajtanit në afërsi të Shkodrës, nga gjetjet në shpellën e Nezirit dhe nga vendbanimi i Badherës e kalaja e Kalivosë në rrethin e Sarandës. Gjithashtu njihet nga varrezat tumulare në Mat, në Kukës, në Barç (Korçë), në Pazhok (Elbasan), në Divjakë (Lushnjë), në Patos (Fier), në Vajzë e Dukat (Vlorë), në Piskovë (Përmet), nga tumat në luginën e Dropullit, nga tuma e Bajkajt (Sarandë) e nga depo e gjetje të rastit të zbuluara buzë liqeneve të Shkodrës, të Pogradecit, të Prespës etj.
Këto të dhëna dëshmojnë se territori i Shqipërisë gjatë kësaj epoke ka qenë i populluar gjerësisht, që nga zonat e tij të ulëta fushore e deri në krahinat e brendshme dhe të vështira malore. Njerëzit banonin kryesisht në vendbanime të hapura. Në një masë më të kufizuar janë shfrytëzuar dhe shpellat, ashtu siç kanë vazhduar të jenë në përdorim edhe palafitet, siç tregojnë gërmimet e viteve të fundit në vendbanimin palafit të Sovijanit. Nga fundi i kësaj epoke lindin edhe vendbanimet e para të fortifikuara, të cilat rrethohen me mure gurësh të palatuar e të lidhur në të thatë apo me ledhe e hunj. Një pjesë e mirë e vendbanimeve të këtij lloji, si kalaja e Gajtanit, qyteza e Margëlliçit (Fier) etj., që do të marrin zhvillim të plotë dhe do të bëhen karakteristike për epokën pasuese, atë të hekurit, e kanë origjinën e vet në këtë periudhë.
Banesat kanë qenë kasolle, që ndërtoheshin me lëndë drusore, kallama e kashtë. Ato janë njëkthinëshe zakonisht me planimetri katërkëndëshe, por duket se ka qenë në përdorim edhe tipi me bazë të rrumbullakët e trup konik. Dyshemetë kanë qenë të shtruara me baltë të ngjeshur e të rrahur, kurse muret të thurura me thupra e të lyera me baltë të përzier me byk. Në mes kishin nga një vatër të rrumbullakët; ka raste kur këtë e gjejmë të vendosur anash në formën e një korite që nuk njihet në banesat neolitike. Vlen të përmendim një kompleks banesash të bronzit të vonë të zbuluara në kalanë e Badherës, të cilat kanë formë katërkëndëshe ose rrethore të ndërtuara me një xokolaturë gurësh, mbi të cilën ngriheshin paretet dhe çatia prej materiali të lehtë.


Lindja e metalurgjisë së bronzit dhe përparimet në degët e tjera të ekonomisë

Karakteristika themelore e kësaj epoke është lindja e metalurgjisë së bronzit, që i dha emrin dhe vetë epokës. Për zhvillimin e saj ndihmoi shumë dhe pasuria me bakër e vendit tonë, sidomos në zonat metalmbajtëse të Matit, të Kukësit, të Korçës etj.
Vendin kryesor në prodhimin e metalurgjisë e zënë veglat e punës dhe sidomos armët, siç janë sëpatat, drapërinjtë, shpatat, kamat, thikat dhe majat e heshtave e të shigjetave. Veglat dhe armët e reja nuk mundën të përjashtonin plotësisht nga përdorimi veglat dhe armët e traditës neolitike. Madje në periudhën e parë të bronzit ato janë ende të pakta e të dobëta, por gradualisht shtohen e përsosen dhe hyjnë gjerësisht në përdorim, duke ushtruar një ndikim të fuqishëm në veprimtarinë ekonomike e shoqërore të njeriut. Përsosuria e derdhjes dhe pastërtia e objekteve të prodhuara në fundin e epokës së bronzit arrin një nivel të tillë teknik, që dëshmon se gjatë kësaj periudhe metalurgjia e bronzit kishte arritur lulëzimin e saj të plotë dhe ishte kthyer në një zejtari të mirëfilltë. Midis këtyre prodhimeve meritojnë të përmenden sëpatat me forma karakteristike vendase siç janë sëpatat me emrin “shqiptaro-dalmate”. Krahas tyre qëndrojnë prodhimet vendase të imitacioneve egjeane ose me origjinë nga Evropa Qendrore, të tilla, si sëpatat dytehëshe të tipit minoik, shpatat e gjata të tipit egjean, sëpatat e tipit kelt, etj., që dallojnë nga prototipat e tyre për veçantitë lokale.
Arritjet në fushën e metalurgjisë së bronzit ndihmuan veprimtarinë prodhuese dhe u bënë mbështetje për zhvillimin e degëve të tjera të ekonomisë, në mënyrë të veçantë të bujqësisë. Karakteri i saj ndryshoi edhe si pasojë e zhvillimit të blegtorisë. Rritja e numrit të kafshëve shtëpiake, si kali, gjedhët dhe bagëtitë e imëta, që i gjejmë të përfaqësuara gjerësisht midis materialit kockor në shtresat kulturore të vendbanimeve të bronzit dhe në varrezat e kësaj kohe, solli me vete ndryshime thelbësore në bujqësi. Nga kopshtet e vogla, që rrëmiheshin me vegla të thjeshta prej briri e druri, kalohet tani në shfrytëzimin e sipërfaqeve më të gjera, që i punonin me parmendë druri, duke shfrytëzuar forcën tërheqëse të kafshëve. Tokat hapeshin me anë të djegies së pyjeve. Të shkriftuara nga zjarri i fortë dhe të pasuruara me plehun e hirit, ato ishin të gatshme për t’u mbjellë. Bujkut primitiv nuk i mbetej veçse të hidhte farën dhe ta mbulonte atë me një lërim të cekët. Kjo tokë nuk mund të shfrytëzohej për shumë vjet, sepse ngjishej dhe nuk mund të punohej më me veglat e thjeshta të kohës, prandaj bujqit hapnin toka të reja, gjë që i dha bujqësisë së bronzit një karakter ekstensiv.
Në krahasim me qeramikën e bukur dhe të një cilësie të lartë të neolitit të vonë, qeramika e bronzit të hershëm paraqitet më primitive si në teknikën e punimit, ashtu dhe në sistemin e zbukurimit. Por kjo është një qeramikë me forma të reja e të panjohura më parë, ndërsa një element i rëndësishëm në ndërtimin e saj janë vegjët. Më tipike në këtë qeramikë janë vazot me dy vegjë të larta mbi buzë, ato me dy ose katër vegjë unazore nën grykë, filxhanët me një vegjë të lartë mbi buzë dhe brokat me trup të fryrë dhe qafë cilindrike me një vegjë nën grykë. Tipar tjetër dallues i kësaj qeramike është zbukurimi me motive plastike shiritash me ose pa thellim. E njohur në gjuhën arkeologjike, për këtë arsye, si qeramika “shiritore”, ajo përbën tani një element të ri kulturor që nuk lidhet me traditën neolitike. Prototipat e saj janë me origjinë të largët nga Ponti në brigjet e Detit të Zi dhe shfaqja e saj në Ballkan, ashtu si dhe në krahinat e tjera të Evropës është e lidhur me dyndjen e madhe të një popullsie baritore që vjen nga stepat e Lindjes aty nga fundi i neolitit.
Krahas kësaj qeramike do të vazhdojë të mbijetojë edhe ajo me forma tradicionale neolitike vendëse, e zbukuruar me ornamente të incizuara ose me kanelyra, e cila paraqitet më e pakët në fillimet e shtresave kulturore dhe gradualisht vjen e zë vend parësor në qeramikën e bronzit.
Qeramika e bronzit të mesëm lidhet gjenetikisht me atë të bronzit të hershëm dhe riprodhon të njëjtat forma e sistem zbukurimi, por me një teknikë më të përparuar. Shfaqen tani dhe forma të reja, prej të cilave më karakteristike janë enët pseudominoike me dy vegjë të larta mbi buzë, sahanët me dy vegjë horizontale poshtë buzëve ose që ngrihen mbi to, etj.
Në bronzin e vonë prodhimi qeramik rigjallërohet. Enët paraqiten me forma më të evoluara, më të pasura dhe më të përsosura nga pikëpamja teknologjike. Zakonisht enët me parete të holla janë të pjekura mirë dhe kanë ngjyra kryesisht të çelëta, okër, të kuqe dhe gri në të blertë. Në fillim kjo qeramikë është e thjeshtë, por në fazat e mëpastajme pasurohet me zbukurime të pikturuara me motive të larmishme gjeometrike. Tek qeramika më e hershme e këtij tipi, pikturimi është bërë pas pjekjes së enës dhe ka ngjyrë të kuqe të praruar, kurse më vonë ai bëhet para pjekjes dhe merr pastaj ngjyrën kafe me nuanca të ndryshme.
Në literaturën arkeologjike kjo qeramikë është pagëzuar me emrin “devollite”, nga emri i krahinës ku është zbuluar më parë. Por djepi i saj duket se është pellgu i Korçës, ku ajo kronologjikisht paraqitet deri tani si më e hershme. Këndej ajo përhapet pastaj në të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe në krahinat fqinje të Maqedonisë, të Thesalisë dhe të Epirit, ku datohet si më e vonë. Nga fundi i bronzit, në sintaksën gjeometrike të sistemit zbukurues të qeramikës “devollite” futen dhe elemente të zbukurimit mikenas, si rezultat i lidhjeve gjithnjë më të ngushta të kësaj treve me botën e Egjeut.
Si e tillë qeramika “devollite” paraqitet si përfaqësuese e një grupi të veçantë kulturor me një shtrirje të gjerë në territorin jugor të Shqipërisë dhe të diferencuar nga ai i krahinave veriore, i cili nuk zbaton pikturimin e qeramikës dhe as teknologjinë e grupit “devollit”, duke u treguar më konservator si ndaj formave, ashtu dhe ndaj zbukurimit tradicional të periudhave pararendëse të epokës së bronzit.
Prodhimet zejtare dhe ato bujqësore-blegtorale bënë të mundshme edhe zhvillimin e këmbimeve. Tregues i rëndësishëm në këtë drejtim janë depot ose objektet e fshehura, që përbëjnë një dukuri të rëndomtë në bronzin e vonë dhe që ndeshen jo rrallë dhe në vendin tonë. Depo të tilla janë gjetur buzë liqenit të Shkodrës dhe Bunës, në afërsi të Shirokës e Beltojës me sëpata të tipit “shqiptaro-dalmat”, në një shpellë afër Koplikut dhe në fshatin Bushat me sëpata të tipit “kelt”, etj. Këto depo, që krijohen në raste rreziku nga zejtarë endacakë, të cilët janë njëkohësisht dhe shitës të prodhimeve të tyre, gjenden zakonisht gjatë rrugës natyrore. Ato përmbajnë objekte të pavëna në përdorim, shpesh prodhime të një kallëpi, të cilat, për shkak të formave standarde, shërbejnë edhe si njësi vlere për këmbim.
Objektet e importit egjean, italik dhe ato me prejardhje nga viset e Evropës Qendrore, të përfaqësuara në gjetjet arkeologjike të vendit tonë përmes armëve, qeramikës dhe sendeve të tjera të luksit, janë dëshmi e përpjesëtimeve që marrin këmbimet gjatë bronzit. Zhvillimi i tyre dhe lidhjet me krahina kaq të largëta u ndihmuan nga lindja në këtë kohë e transportit tokësor, që shfrytëzon forcën bartëse të kafshëve dhe sidomos shfaqja e anijeve me vela, që lejuan lundrimet në det të hapur dhe arritjen e brigjeve të tjera. Që nga kjo kohë banorët e bronzit të vendit tonë, duket se kryen për herë të parë dhe kalimin e Adriatikut.
Megjithatë duhet thënë se lidhjet midis krahinave të ndryshme, qofshin këto të afërta apo të largëta, nuk ishin të rregullta, prandaj dhe shkëmbimi i produkteve midis bashkësive mbetet gjithnjë një gjë e rastit.


Ndryshimet në strukturën shoqërore

Përparimet në degët e ndryshme të ekonomisë çuan në rindarjen e punës midis sekseve dhe për pasojë në ndryshimin e pozitës shoqërore të burrit dhe të gruas. Burri duke u marrë tani si me bujqësi e blegtori, ashtu edhe me prodhimin metalurgjik, zuri vendin drejtues në ekonomi e shoqëri, ndërsa roli i gruas u dobësua. Kjo solli ndryshime dhe në marrëdhëniet shoqërore, të cilat u shprehën në zëvendësimin e rendit gjinor matriarkal me atë patriarkal dhe në kalimin nga familja matriarkale me çifte në familjen patriarkale monogame, e cila u bë dhe bërthamë e shoqërisë fisnore të kësaj kohe. Brenda fisit ajo formonte një njësi të pavarur ekonomike e shoqërore. Pjesëtarët e saj i lidhte prona e përbashkët e familjes, prodhimi dhe konsumi i përbashkët. Të gjithë pjesëtarët e familjes ishin të barabartë midis tyre, kurse kryetari ishte i pari midis të barabartëve.
Gjatë epokës së bronzit struktura e fisit u bë më e ndërlikuar. Midis familjes dhe fisit u krijua një hallkë tjetër, vëllazëria, e cila përmblidhte disa familje të mëdha patriarkale, të dala nga ndarja e familjes mëmë.
Pasqyrë e këtij organizimi shoqëror janë monumentet skulpturore të kësaj kohe, tumat, të cilat janë varre apo varreza kolektive të një familjeje, vëllazërie ose fisi. Inventari i varreve të tyre flet dhe për diferencim social të popullsisë dhe një shtresëzim fillestar të saj, që e ka bazën te përparimet e shënuara në ekonomi dhe te mundësia që u krijua për grumbullimin e një lloj pasurie prej kësaj. Vetë ky fakt nënkupton krijimin e premisave për lindjen e pronës private, që do të sjellë në të ardhmen shpërbërjen e bashkësisë primitive.
Prirja për të shtuar pasurinë, për të fituar toka e kullota të reja çoi gjatë kësaj epoke në konflikte e lufta të vazhdueshme. Lëvizjet dhe dyndjet e mëdha të popullsive që vërtetohen në mënyrë të qartë, përmes të dhënave arkeologjike, janë një shfaqje e kësaj dukurie. Lindja e vendbanimeve të fortifikuara, përsosja e armëve dhe vendi që zënë ato në inventarin e varreve, dëshmojnë se nga fundi i epokës lufta ishte bërë një funksion i rregullt në jetë. Plaçkitjet dhe përfitimet e tjera që vinin prej saj, rritën një shtresë udhëheqësish ushtarakë, e cila filloi të veçohet nga masa e gjerë e anëtarëve të fisit, duke u pasuruar përmes përvetësimit të pjesës më të madhe të plaçkës së luftës dhe të robërve të saj. Këta të fundit do të bëhen pastaj burim për format më të hershme të shfrytëzimit të njeriut si skllav në familjet patriarkale ose ndryshe për lindjen e skllavërisë patriarkale.



Botëkuptimi dhe arti

Niveli i ulët i faktorëve të prodhimit dhe karakteri empirik i njohurive krijuan te njeriu primitiv një botëkuptim magjik-mistik për botën që e rrethonte dhe fenomenet e veçanta të saj. Mbi këtë bazë gjatë epokës së bronzit vazhdojnë të jetojnë rite e besime të trashëguara nga shoqëria neolitike siç është kulti i tokës-mëmë që vazhdon të ushtrohet edhe gjatë periudhës së parë të bronzit dhe që shprehet nëpërmjet figurave prej balte të pjekur, të cilat paraqesin gruan-mëmë, apo riti i flijimit dhe i varrimit të fëmijëve brenda territorit të vendbanimit, që i shërbejnë mbrojtjes nga fuqitë mistike keqbërëse, që vërtetohen me horizontin e bronzit të hershëm në Maliq dhe më vonë në grupin e urnave të shtresës së fundit të bronzit në Tren.
Shqetësimi për fatin e njeriut pas vdekjes krijoi tek njerëzit primitivë botëkuptimin e vazhdimit të jetës përtej varrit, që shprehet në këtë epokë me kujdesin e veçantë që tregohet për të vdekurin, për plotësimin e riteve të varrimit dhe për ndërtimin e vetë varreve. Krahas varreve të dysta të trashëguara nga neoliti, shfaqen në fillim të epokës së bronzit varret me tuma. Këto janë varre monumentale në formën e kodrave të vogla gjysmë sferike, të larta 1-4 m e me diametër 15-30 m, të ngritura me dhé e me gurë. Disa prej tyre kanë në bazë nga një ose dy unaza kufizuese me gurë, të cilat shërbenin si kufi për masën e dheut që hidhej mbi varret. Në qendër të tumës zakonisht është vendosur varri më i hershëm, për të cilin është ngritur tuma, kurse përreth e mbi të janë vendosur varre të tjera të mëvonshme. Arkitektura e varreve është e thjeshtë në formë gropash të rrumbullakëta ose katërkëndëshe të rrethuara e të mbuluara me gurë, apo arkash katërkëndëshe prej druri apo gurësh.
Varrimi bëhej duke e vendosur trupin me këmbë dhe me duar të mbledhura në pozicion fjetjeje. Kjo mënyrë varrimi e njohur që në neolit bëhet më karakteristike gjatë gjithë epokës së bronzit. Varrimi me djegie përkundrazi ndeshet më rrallë. Në këtë rast hiri dhe mbeturinat e djegura të trupit vendoseshin zakonisht në gropa të mbuluara me gurë ose me urna. Të vdekurit shoqëroheshin në varr me takëmin funerar, karakteri i të cilit përcaktohej nga seksi dhe pozita shoqërore e të vdekurit. Që nga bronzi i mesëm fillojnë të shfaqen dallimet midis varreve me inventar të pasur e të thjeshtë. Në disa raste të vdekurin e shoqëronin në varr edhe kafshë që adhuroheshin, siç është rasti i varrit qendror të tumës së madhe të Pazhokut, i cili krahas dy skeleteve përmbante dhe një kokë kau, kafshë kjo e lidhur me kultin e bujqësisë me parmendë, mjaft i përhapur si i tillë në botën e Mesdheut. Dy unazat bashkëqendrore me gurë të kësaj tume janë me sa duket, shprehje e kultit të diellit, që adhurohej nga përfaqësuesit e këtyre tumave si një fuqi jetëdhënëse dhe burim i prodhimtarisë së tokës.
Arti i kohës së bronzit është kryesisht një art i zbatuar i stilit gjeometrik, që përdoret në zbukurimin e qeramikës dhe më pak në prodhimet prej bronzi. Arti plastik, që përfaqësohet me figurinat skematike të gruas-mëmë paraqitet tani në rënie. Ai nuk ka veçse pak jetë gjatë periudhës së parë të kësaj epoke derisa më vonë zhduket krejt. Në bronzin e hershëm një rënie ka edhe në zbukurimin e qeramikës, por më pas, e sidomos në bronzin e vonë, ky art njeh një ngritje të re. Në qeramikën e tumave të Pazhokut ai është zbatuar në teknikën e incizimit. Motivet janë trekëndësha e rombe të vargëzuara me fushën e mbushur me vija të pjerrëta paralele. Në qeramikën “devollite” këto motive janë të pikturuara me tone pashkëlqim ngjyrë të kuqe apo kafe. Thurja e harmonishme e kompozicionale e tyre në enë me forma elegante përfaqëson një nga arritjet më të mira të artit dekorativ të epokës së bronzit.
Në prodhimet metalike zbukurimet janë të varfra. Vlerat artistike i shohim të shprehura më tepër në format e bukura të disa veglave, sidomos te sëpatat “shkodrane” e “shqiptaro-dalmate” të zbukuruara në mykat e tyre me stolisje plastike brinjësh, që hijeshojnë formën e zhdërvjellët të vetë objekteve.

 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

K R E U I I

SHTHURJA E BASHKثSISث PRIMITIVE
I L I R ث T
(SHEK. XI - V P.E.SONث)



Burimet historike dëshmojnë se në epokën e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët, një nga popullsitë e mëdha të Evropës së atëhershme, që shtrihej në gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit të shekullit XII ose fillimit të shekullit XI para erës sonë në territorin e tyre shfaqen për të parën herë objekte prej hekuri. Futja në përdorim e këtij materiali të ri, që i dha emrin epokës shënon, edhe për ilirët nismën e një periudhe të re historike. Hekuri kishte cilësi të pakrahasueshme ndaj lëndëve të para të njohura deri atëhere për përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Si i tillë, ai çoi në rritjen e rendimentit në sfera të ndryshme të ekonomisë, në zhvillimin e mëtejshëm të këmbimit, në rritjen e pasurisë shoqërore, në thellimin e diferencimit shoqëror, në formimin e federatave fisnore si forma të organizimit politik. Në tërë përmbajtjen e vet kjo periudhë e historisë së ilirëve karakterizohet, kështu, nga shthurja e plotë e organizimit fisnor dhe nga përgatitja e kushteve për lindjen e skllavopronarisë dhe të shteteve skllavopronare ilire.
Ky proces nuk u krye njëlloj në të gjithë territorin e gjerë ilir. Më shpejt përparuan popullsitë që banonin në ultësirën bregdetare dhe në luginat e pllajat me kushte më të mira natyrore, ndërsa më ngadalë ecnin fiset e zonave të thella e të varfra malore.
Njohuritë tona për këtë periudhë mbështeten kryesisht në të dhënat arkeologjike, por këtu vijnë në ndihmë për herë të parë edhe burimet e shkruara historike, të cilat u takojnë kryesisht ilirëve të Jugut.


1. ORIGJINA DHE TRUALLI HISTORIK I ILIRثVE


Teoritë rreth origjinës

Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit të trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore e kulturore, ka përbërë një nga synimet më kryesore të ilirologjisë. Rreth tij janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet komplekse arkeologjike, gjuhësore dhe historike të kohëve të fundit e kanë vendosur atë mbi një bazë më të shëndoshë dhe e kanë futur në një rrugë më të drejtë zgjidhjeje.
Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma teoritë mbi prejardhjen e ilirëve, në përmbajtje ato shprehin vetëm dy pikëpamje, njëra nga të cilat i quan ilirët si të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ndërsa tjetra si popullsi autoktone të formuar në truallin historik të Ilirisë.
Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa i takon vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre me kulturën e Halshtatit, të tjerë me kulturën e Fushave me Urna, apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre, në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë ilirët morën pjesë në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja dorike, egjeane apo panono-ballkanike dhe duke zbritur nga Evropa Qendrore, në fillim të epokës së hekurit, u ngulën në Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre historike.
Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit.
Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të kulturës, që jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik, gjen prova të shumta në territorin historik të ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra në truallin e Shqipërisë në vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare të Pazhokut, të Vajzës, të Matit etj., kurse jashtë vendit tonë në varrezat tumulare të pllajës së Glasinacit (Bosnjë) e gjetkë. Përballë këtyre zbulimeve bëhet fare e paqëndrueshme teza që e lidh etnogjenezën e ilirëve me kulturën e Halshtatit apo me bartësit e kulturës së fushave me urna. Trualli i kësaj kulture të fundit nuk mund të lidhet kurrsesi etnikisht me ilirët. Duke krahasuar truallin e kulturës së fushave me urna me atë të kulturës së mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin qendror të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore si në kulturën materiale në qeramikë, në objektet metalike etj., ashtu edhe në atë shpirtërore, që ka një rëndësi të veçantë në përcaktimin etnik të një popullsie. Trualli i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në vazo të veçanta (urna), ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në tuma e kryesisht me vendosje kufome. Këto ndryshime në kulturë i veçojnë panonët edhe si një grup etnik më vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të dhënat arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike, dorike a egjeane nuk e përfshinë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe si pasojë nuk shpunë në ndryshime dhe zhvendosje të theksuara të ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në territorin e vendit tonë, ku materialet arkeologjike të kësaj kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin autokton të kulturës, por për një vazhdimësi të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik, të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me ndikimet kulturore të ardhura përmes dyndjeve nga veriu. Ky zhvillim i pandërprerë kulturor në vendin tonë shfaqet akoma më mirë në qeramikë, e cila është një tregues i rëndësishëm në përcaktimin etnik dhe kulturor të bartësve të saj. Qeramika e kësaj kohe zhvillohet në tërë truallin ilir mbi bazën e poçerisë më të hershme të epokës së bronzit, pa pasur ndonjë ndryshim në kohën e kalimit nga epoka e bronzit në atë të hekurit, dhe duke e ruajtur këtë traditë autoktone të paktën deri në shek. VI p.e.sonë, kur historikisht dihet se këto krahina banoheshin nga bashkësi të qëndrueshme fisnore ilire.
Të gjitha këto të dhëna arkeologjike të grumbulluara në pesëdhjetë vjetët e fundit, në territorin e Shqipërisë së bashku tregojnë se etnogjeneza ilire nuk duhet parë kurrsesi në lidhje me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit, por si një proces historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton. Ky proces fillon shumë kohë përpara këtyre dyndjeve (dorike, egjeane a panono-ballkanike) dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit, që përfshin treva të gjera të Evropës dhe të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të dukshme etnike në Evropën neolitike.
Kjo dyndje e cilësuar indo-evropiane, që ndodhi në kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore të ardhura nga stepat e Lindjes. ثshtë provuar arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë, por valë-valë dhe se krahinat perëndimore të Ballkanit, midis tyre dhe territori i Shqipërisë u prekën prej saj më vonë se sa ato lindore.
Gjatë kësaj dyndjeje grupe të ndryshme kulturore të Evropës u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjera u përzien me popullsitë migratore, të cilat u imponuan me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën, në një farë mase edhe zakonet e veta. Kështu ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike të Vinçes, të Butmirit, të Lisiçi-Hvarit në territorin e Jugosllavisë, të cilat qenë zëvendësuar me kulturat e reja Kostalace, Vuçedole etj.; e njëjta gjë ndodhi edhe me kulturën neolitike të Maliqit, e cila qe zëvendësuar nga një kulturë më e ulët e karakterizuar me qeramikën e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht kësaj dyndjeje.
Në procesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve dhe të përzierjeve etnike dhe kulturore të popullsive neolitike vendase, paraindoevropiane ose sipas disa studiuesve, indoevropiane të hershme, me ardhësit e rinj indoevropianë të stepave u formua edhe baza mbi të cilën nisën të zhvillohen në kushte të veçanta edhe proceset etnogjenetike të popullsive të vjetra historike të Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje jo ilire. Në këtë proces, i cili u zhvillua gjatë gjithë mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë, diferencimi dhe asimilimi i popullsive, ashtu sikurse dhe lidhjet ekonomike e kulturore, luajtën një rol të rëndësishëm. Në qoftë se në periudhën e hershme të epokës së bronzit, kultura e krahinave ballkano-perëndimore, ishte shumë larg për t’i dhënë asaj karakter të përcaktuar ilir, të dallueshëm prej atyre të territoreve të tjera, ky diferencim i tipareve kulturore vjen e bëhet gjithnjë më i theksuar në periudhën e mesme e sidomos në atë të fundit të epokës së bronzit. Në rrugën e këtij zhvillimi të brendshëm krahinat jugore të kësaj treve ishin të kthyera më tepër me fytyrë drejt jugut, nga bota e përparuar e Egjeut, me të cilën qenë në marrëdhënie të ngushta ekonomike e kulturore. Veriu, përkundrazi, shfaq prirje drejt Evropës Qendrore, por me lidhje më të dobëta me të. Këto lidhje ndikuan sadopak në formimin dhe në diferencimin në fund të bronzit e në fillim të hekurit të dy grupeve të mëdha kulturore ilire, atij jugor dhe verior.
Kështu duke zënë fill në kapërcyell të epokës së bronzit, procesi i formimit të etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin e dytë rrugën e gjatë të diferencimit nga masa e pasigurt etnike që u formua pas shkatërrimit të botës neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij mijëvjeçari. Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore të Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura ilire. Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen me atë popullsi parailire, që në burimet historike njihet si pellazge.
Pavarësisht nga kjo hipotezë për parailirët, thelbësor është fakti se në fund të epokës së bronzit, në pjesën perëndimore të Ballkanit ishte formuar një bashkësi e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike. Kjo është dhe periudha e formimit të plotë të bashkësisë së madhe ilire dhe të grupeve të veçanta etnokulturore, ashtu siç përmenden tek autorët më të hershëm antikë.

 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

TRUALLI HISTORIK I ILIREVE


Sipas burimeve historike, nocioni ilir - Iliri, ka pasur gjatë historisë së vet një kuptim disi të ndryshëm gjeografiko-historik.
Me emrin ilir në fillim njiheshin vetëm krahinat jugore të ilirëve. Këtu banonin sipas burimeve më të vona letrare edhe ilirët e mirëfilltë, siç i quan ata historiani romak, Plini Plak. Ky emër u shtri gradualisht prej grekëve edhe në vise të tjera të njohura më vonë prej tyre, popullsitë e të cilave, pavarësisht nga veçoritë e zhvillimit të tyre lokal, paraqitnin elemente të një trungu të përbashkët etno-kulturor.
Në kohën e historianit grek Herodotit (shek. V p.e.sonë), emri ilir shtrihej mbi një territor mjaft të gjerë, i cili arrinte në lindje deri tek rrjedhja e lumit Moravë. Një shekull më vonë, sipas Pseudo-Skylaksit, ky emërtim do të përfshinte territore akoma më të gjera në veriperëndim të Ballkanit. Sipas tij ilirët shtriheshin përgjatë Adriatikut duke filluar që nga liburnët në veri e deri tek kufijtë e Kaonisë në jug. Përhapjen më të madhe dhe përfundimtare të emrit dhe të territorit ilir, na e jep Apiani i Aleksandrisë, i cili duke përmbledhur gjithë sa ishte thënë përpara tij mbi topografinë e ilirëve, shkruante: “grekërit quanin ilirë ata që banonin mbi Maqedoninë dhe Trakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Istër. Dhe kjo është gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia prej maqedonëve dhe thrakëve malorë tek paionët deri në Jon dhe në rrëzë të Alpeve”.
Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe në të dhënat arkeologjike si dhe në ato gjuhësore, rezulton se trualli historik i ilirëve përfshinte tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja e lumenjve Moravë e Vardar në lindje, e deri në brigjet e Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga lumi Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë në jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër.
Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore dëshmojnë për praninë e ilirëve edhe jashtë trevës historike të tyre. Grupe të tëra ilirësh, midis tyre dhe mesapët dhe japigët u vendosën në Itali gjatë bregut të Adriatikut dhe në krahinat jugore të saj.
Në Azi të Vogël u shpërngulën grupe popullsish dardane, paione, të cilat do të përmenden edhe në eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah trojanëve në luftën e tyre kundër grekëve. Prania e elementit etnik ilir është vërtetuar arkeologjikisht nga burimet e shkruara edhe në rajonet veriore të Maqedonisë e të Greqisë, si në Akarnani e në Etoli. Të gjitha këto lëvizje grupesh etnike ilire përtej trevës historike të tyre ndodhën, siç mund të provohet dhe arkeologjikisht, kryesisht gjatë dyndjes së madhe panono-ballkanike, e cila siç dihet fillon të vërshojë në drejtim të jugut që në fund të shek. XIII-XII p.e.sonë. Meqenëse fatet e tyre historike, në trojet e reja ku ato u vendosën, janë thuajse krejt të ndara nga bota e mirëfilltë ilire-ballkanike, këto grupe të emigruara nuk do të përfshihen në shqyrtimin e mëtejshëm të historisë ilire.


Topografia e fiseve më të rëndësishme ilire

Në shekujt e parë të mijëvjeçarit të fundit para erës sonë ishin formuar tanimë bashkësitë fisnore ilire dhe në përgjithësi ata kishin zënë vend në trojet e tyre historike. Ndër fiset më të hershme ilire që luajtën dhe një rol ku më shumë e ku më pak të rëndësishëm në ngjarjet historike të mëvonshme, për t’u përmendur janë: thesprotët, të cilët zinin ultësirën bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi i Thiamit (Kalama), në veri të tyre vinin kaonët, vendbanimet e të cilëve arrinin deri tek malet e Llogarasë dhe gryka e lumit Drinos. Molosët banonin në pllajën pjellore të Janinës. Gjatë luginës së Vjosës në të majtë banonin amantët, ndërsa në të djathtë bylinët, kurse në rrjedhjen e sipërme të Vjosës banonin parauejtë. Në lindje të bylinëve shtrihej territori i atintanëve. Taulantët shtriheshin në zonën bregdetare nga Vjosa e deri tek lumi i Matit dhe në veri të tij, përgjatë brigjeve të Adriatikut të Mesëm, fisi i ardianëve. Në viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset më të mëdha dhe më të rëndësishme ilire: paionët në luginën e mesme të Vardarit, dhe dardanët që banonin në rrafshin e Kosovës, të cilët shtriheshin në veri në tokat midis degëve jugore e perëndimore të Moravës deri aty ku këto bashkohen për të formuar Moravën e Madhe.
Midis fiseve të hershme të Ballkanit Veriperëndimor ndër më të fuqishmit ishin liburnët, të cilët banonin në bregdet dhe në ishujt deri tek lumi Krka, në jug të tyre vinin dalmatët, kurse në viset e Bosnjës së brendshme, autariatët.
Përveç këtyre fiseve, në territorin e gjerë të Ilirisë do të shfaqen më vonë, në rrethana krejt të reja historike e politike, edhe një numër i madh bashkësish të tjera ilire, midis të cilave edhe bashkësi të tilla që do të kenë një peshë të madhe në zhvillimin e ngjarjeve politike të shtetit ilir, si enkelejtë, dasaretët etj.
Përhapja e fiseve më të rëndësishme e të hershme ilire dëshmohet në burimet e autorëve antikë, të cilat në mjaft raste janë, megjithatë, të fragmentuara, madje dhe kontradiktore. Rrjedhimisht në përcaktimin e topografisë së fiseve ilire ka edhe raste të diskutueshme.

 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

2. GJENDJA EKONOMIKO - SHOQثRORE E ILIRثVE
(SHEK. XI-V P.E.SONث)

Vendbanimet



Vendbanimet

Ilirët e kohës së hekurit jetonin në fshatra dhe në vendbanime të fortifikuara. Të parët nuk njihen dhe aq mirë për arsye se nuk janë gjurmuar në mënyrë të mjaftueshme. Në burimet e shkruara ato dokumentohen nga fundi i kësaj periudhe, në fiset më jugore ilire, nëpërmjet Pseudo-Skylaksit, i cili thotë se kaonët, thesprotët dhe molosët banonin në fshatra. Ky njoftim i shkurtër, që me sa duket i referohet një burimi më të hershëm, nuk ndihmon shumë për të krijuar një ide të qartë mbi karakterin e këtyre vendbanimeve.
Me sa mund të gjykohet nga të dhënat arkeologjike, vendbanimet fshatare ilire të kësaj kohe formoheshin nga grupe shtëpish të grumbulluara sipas njësive shoqërore që përfaqësonin, d.m.th. mbi bazën e një familjeje të madhe patriarkale ose të një grupi familjesh të tilla, që i përkisnin një vëllazërie. Një mendim të tillë e sugjerojnë, të paktën për vendbanimet respektive të tyre, nekropolet tumulare të Matit, të cilat përbëhen nga grupe të vogla tumash, të vendosura në tarraca, në luadhe e në toka buke gjatë luginës së lumit. Po kjo gjë përsëritet në tumat e Kukësit, ato të pellgut të Korçës, të luginës së Drinos e gjetkë. Edhe vendbanimet fshatare të gjurmuara në luginën e Vjosës japin të njëjtën tablo. Në të gjitha rastet ato paraqiten si vendbanime të vogla e të shpërndara pranë tokave bujqësore.
Burimet e shek. V p.e.sonë dëshmojnë se vendbanimet e hapura fshatare të këtij lloji kanë qenë tipike jo vetëm për Ilirinë, por edhe për krahinat fqinje të Maqedonisë në lindje dhe të Akarnanisë e Etolisë në jug.
Gjatë kohës së hekurit vazhdojnë të mbijetojnë edhe palafitet si vendbanime të trashëguara nga epokat e mëparshme. Herodoti në “Historitë” e tij përshkruan me shumë hollësi një vendbanim të tillë buzë liqenit Prasaida të Panonisë. Arkeologjikisht ato janë vërtetuar gjithashtu në fshatin Knetë të Kukësit dhe jashtë territorit shqiptar, në Donja-Dolina e Ripaç të Bosnjës dhe në Otok afër Sinjit në Dalmaci.
Krahas vendbanimeve fshatare të pambrojtura në kohën e hekurit përhapen gjerësisht vendbanimet e fortifikuara me mure. Të njohura që nga koha e bronzit të vonë, ato evoluojnë dhe bëhen një nga elementet më karakteristike për epokën e hekurit. Në gjuhën e popullit këto vendbanime njihen me emrat qytezë, kala ose gradina.
Për Ilirinë e Jugut janë karakteristike qytezat apo kalatë e fortifikuara me mure gurësh. Ato janë të ngritura mbi kodra të mbrojtura dhe me pozitë mbizotëruese e horizont të gjerë shikimi. Kufijtë e vendbanimit i përcaktonin muret rrethuese. Linja e murit ndjek relievin e terrenit duke shfrytëzuar aftësitë mbrojtëse të tij dhe ndërpritet aty ku mbrojtja nuk është e nevojshme. Muret ndërtoheshin me gurë të mëdhenj e mesatarë të palatuar, formuar nga dy këmisha anësore dhe bërthama e mesit që mbushej me gurë të vegjël. Trashësia e tyre luhatet nga 3,10-3,50 m. Mungojnë në këtë sistem të hershëm fortifikimi kullat, kurse portat janë në përgjithësi të vogla. Në ndonjë rast ato janë pajisur me një korridor që ndihmonte mbrojtjen. Lartësia e këtyre mureve, e ruajtur deri në ditët tona arrin 2,50-3 m, por trashësia e tyre tregon se kanë pasur një ngritje të madhe. Megjithatë duhet menduar se mbi këtë nivel, fortifikimi do të ketë qenë plotësuar me gardhe hunjsh.
Madhësitë e këtyre vendbanimeve ndryshojnë nga një rast në tjetrin. Më të voglat kanë një shtrirje prej 1-2 ha, kurse të tjera si Gajtani arrinin deri 4-5 ha. Zgjerimet e mëvonshme kanë bërë që brenda mureve rrethuese të përfshihen sipërfaqe më të gjera, siç është rasti i kalasë së Trajanit (Korçë), i kalasë së Lleshanit (Elbasan), i kalasë së Karosit (Himarë), që zënë 15-20 ha. Në këto raste vendbanimet paraqiten me 2-3 e më shumë radhë muresh.
Shumë të pakta janë dijet për ndërtimet e brendshme të këtyre vendbanimeve. Gjurmët e ruajtura në sipërfaqe dëshmojnë se për ndërtimin e banesave është përdorur gjerësisht sistemi i tarracave, që përcaktohej nga terreni i thyer i faqeve të kodrave mbi të cilat shtriheshin vendbanimet. Si lëndë për ndërtimin e banesave është përdorur kryesisht druri e shumë më pak guri.
Ndryshe nga territori i Ilirisë Jugore, në krahinat lindore ilire ishin vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të njohura me emrin “gradina”. Ato ndeshen me shumicë në tokat e banuara nga dardanët, si në rrafshin e Glasinacit e gjetkë. I vetmi vendbanim i këtij lloji në Shqipëri është ai i zbuluar në Shuec të Bilishtit. Gradinat janë të vendosura mbi kodra mbizotëruese. Ledhet mbrojtëse të tyre formoheshin nga masa dheu apo gurësh, që arrinin 7-15 m gjerësi. Sistemi i mbrojtjes plotësohej me sa duket nga një gardh hunjsh, që ngrihej mbi ledhin dhe në disa raste nga një hendek që rrethonte vendbanimin.
Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të vendosura në një mjedis të pasur me toka buke e kullota, që formonin bazën e ekonomisë së tyre. Në disa raste, siç tregojnë të dhënat arkeologjike, në to zhvillohej edhe një veprimtari e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin vendbanimet e hapura fshatare, me të cilat formonin së bashku njësi të caktuara ekonomiko-shoqërore.
Vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të krahinave të brendshme e veriore ilire, janë zakonisht më të vogla se vendbanimet e fortifikuara të Ilirisë Jugore. Në shumicën e rasteve ato gjenden në një mjedis kullotash alpine, si në Glasinac apo në tokat e brendshme dalmate dhe ishin qendra grupesh të vogla fisnore të një popullsie baritore.
Në të dyja rastet lindën në këtë kohë edhe kryeqendra të këtyre vendbanimeve, që dallohen nga të tjerat prej madhësisë dhe pozitës gjeografiko-ekonomike qendrore. Si të tilla, me sa duket ato janë edhe qendra të një fisi të madh ose të një bashkimi të gjerë fisnor. Aty nga fundi i kohës së hekurit (shek.VII-V p.e.sonë), disa prej tyre marrin pamjen e qendrave protourbane.


Zhvillimi i bujqësisë, i blegtorisë, i zejtarisë dhe i këmbimeve

Burimet e shkruara dhe ato arkeologjike dëshmojnë se, gjatë kësaj periudhe, ilirët merreshin si dhe më parë kryesisht me bujqësi dhe me blegtori. Bujqësia u zhvillua sidomos në zonat fushore dhe në përgjithësi në krahinat pjellore të vendit. Ilirët kultivonin në këtë kohë të gjitha llojet e drithërave. Jo rastësisht, krahina të veçanta ilire, si Paionia dhe Thesprotia, përmenden që në eposin homerik si vende frytdhënëse dhe pjellore, d.m.th. të përshtatshme për kulturat bujqësore. Hesiodi, shkrimtar grek i shek. VIII-VII p.e.sonë, do ta cilësojë gjithashtu si shumë pjellore fushën e Helopisë, ndërsa sipas historianit grek Hekateut (fundi i shek. VI-V p.e.sonë), në Iliri kishte krahina që prodhonin deri dy herë në vit. Më vonë Skymni, duke përsëritur në vargjet e tij Hekateun, shton se popullsia ilire që banonte në viset e brendshme merrej me lërimin e tokës.
Krahas bujqësisë, në Iliri, veçanërisht në zonat bregdetare të saj dhe në krahinat e ulëta kodrinore me klimë të butë, qenë kultivuar dhe rrushi e ulliri. “I ngrohtë dhe frytdhënës ka qenë ky vend, shkruan historiani dhe gjeografi grek Straboni në veprën e tij “Gjeografia” (shek. I e.sonë); ai është plot me ullishta dhe vreshta”, vijon ky autor, përveç disa krahinave të pakta ku toka është fare e ashpër. Që ilirët merreshin me vreshtari, këtë e dëshmojnë farërat e rrushit të zbuluara në disa nga vendbanimet e kohës. Kushtet e përshtatshme tokësore dhe klimatike ndihmuan jo më pak edhe për kultivimin e perimeve, si të bishtajës, të bathës, të bizeles, etj., si dhe të kulturave frutore, si p.sh. të mollës, të dardhës, të qershisë etj., të gjitha këto janë të dëshmuara nga farërat e gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike.
Ilirët shfrytëzonin në këtë periudhë edhe bletët, prej të cilave ata siguronin mjaltin dhe dyllin. Sipas Aristotelit, taulantët e përdornin mjaltin edhe për të bërë një lloj pijeje të ngjashme me atë të verës së ëmbël dhe të fortë.
Tek ilirët ishte e zhvilluar edhe blegtoria, madje në krahinat e brendshme malore ajo përbënte bazën kryesore të ekonomisë së tyre. Hesiodi duke e cilësuar Helopinë si një fushë shumë pjellore dhe me livadhe të gjera, shton se ajo është e pasur me tufa delesh dhe me qé këmbëharkuar, ndërsa Pindari, do ta vlerësonte, në shek. V p.e.sonë, këtë krahinë si ushqyese të shkëlqyeshme të gjedhit. Hekateu gjithashtu bën fjalë për kullota të pasura të Adrias (krahinë bregdetare e Ilirisë), dhe për bagëtinë e saj me pjellshmëri të lartë. Si te ky autor i hershëm, ashtu dhe tek të tjerët, që përsërisnin më vonë këto njoftime, ato shpesh paraqiten të veshura me hollësira fantastike. Por duke lënë mënjanë teprimet e tyre, këto burime, sidoqoftë, flasin për një blegtori të zhvilluar tek ilirët.
Kujdesi që tregonin ilirët për mbarështimin e bagëtisë vihet re edhe nga tregimi i Aristotelit për kriporet e autariatëve dhe ardianëve. Konfliktet e shpeshta midis këtyre dy fiseve për këtë kripore, shprehin shqetësimet e blegtorëve ilirë lidhur me këtë produkt shumë të vlefshëm për jetën e gjësë së gjallë. “Kripa, - thotë Aristoteli, - u duhet atyre për kafshët, të cilave ua japin dy herë në vit, përndryshe shumica u ngordh”.
Midis kafshëve shtëpiake më të parapëlqyera ishin qetë, delet, derrat, qentë etj., për të cilat flasin si burimet historike, ashtu edhe vetë materiali kockor i zbuluar dendur në vendbanimet e ndryshme të kësaj periudhe. Ilirët shquheshin edhe si rritës të mirë të kuajve. Këta të fundit ishin të shpejtë në vrapime dhe të qëndrueshëm në punë, siç na thonë burimet e mëvonshme.
Krahas blegtorisë, ilirët merreshin edhe me gjueti, megjithëse kjo veprimtari nuk luante ndonjë rol aq të rëndësishëm në jetën ekonomike të tyre. Të përmendur ishin në atë kohë qentë e gjahut të Mollosisë, por akoma më të shquar ata që ruanin kopetë e bagëtive. Këta të fundit sipas burimeve të shkruara, ua kalonin qenve të tjerë për trupin e tyre të lartë dhe guximin e madh në kacafytje me bisha të egra. Skenat e gjuetisë së ilirëve na janë pasqyruar edhe në artin figurativ ilir të kësaj kohe. Për t’u përmendur në këtë drejtim janë ato që zbukurojnë vazot me fund të ngushtë (situlat) prej bronzi të zbuluara në krahinat veriore të Ilirisë. Nga kafshët e egra më tepër çmoheshin derri, dreri etj. Ky i fundit u jepte gjahtarëve ilirë jo vetëm mishin dhe lëkurën, por edhe brirët prej të cilëve ata punonin vegla të ndryshme dhe zbukurime. Të tilla vegla ndeshen shpesh nëpër vendbanimet ilire të periudhës së hekurit.
Deti, liqenet si dhe lumenjtë, që e përshkonin Ilirinë në drejtime të ndryshme, u dhanë mundësi banorëve pranë tyre të merreshin që herët edhe me peshkim. Këto burime ujore përmbanin sasi të shumta peshku. Kështu, p.sh. ilirët që jetonin pranë liqenit Prasiada të Peonisë, zinin, sipas Herodotit, shumë peshk.
Përparime të dukshme vihen re edhe në metalurgji. Kjo duket si në intensifikimin e nxjerrjes së mineraleve, ashtu dhe në zgjerimin e madh të prodhimit të objekteve metalike. Nëpër vendbanimet dhe në varrezat ilire të kësaj kohe gjejmë sasira të konsiderueshme armësh dhe veglash prej hekuri dhe bronzi, orendi të ndryshme shtëpiake dhe një mori të madhe shumë të larmishme stolish, të cilat tregojnë pa dyshim për një konsum të madh të lëndës së parë minerare, sidomos të bakrit dhe të hekurit, me të cilët ishte i pasur territori i Ilirisë.
Në shek. XI-IX p.e.sonë ilirët nuk e zotëronin ende mirë mjeshtërinë e përpunimit të hekurit dhe nuk është aspak e rastit që në varret e kësaj periudhe, objektet prej hekuri janë shfaqje tepër të rralla, ndërsa ato prej bronzi, të cilat në shumë pikëpamje zhvillojnë më tej traditën e kohës së bronzit, janë të shumta.
Vetëm në shek. VIII-VII p.e.sonë prodhimi metalurgjik i hekurit arrin zhvillimin e tij të plotë tek ilirët. Ky metal e zëvendëson në një masë të ndjeshme bronzin, në prodhimin e armëve dhe të veglave të punës, të cilat tani bëhen më të forta dhe më me rendiment në punimet e ndryshme bujqësore dhe zejtare. Ky përmirësim i veglave të punës çoi për pasojë edhe në zgjerimin e mëtejshëm të prodhimit të shoqërisë ilire të kësaj kohe.
Sendet metalike të kësaj faze të zhvilluar të epokës së hekurit, tregojnë se sa përpara kishte shkuar teknika e punimit të tij. Për këtë dëshmojnë format e bukura dhe nganjëherë shumë të përsosura të armëve dhe sidomos të stolive, të cilat nënkuptojnë dhe procese pune mjaft të ndërlikuara, si edhe vetë zbukurimi i pasur gjeometrik i këtyre objekteve të punuara me mjeshtëri dhe me një radhitje simetrike të motiveve. Kjo pasqyrohet më në fund edhe në vetë trajtimin plastik të figurave prej bronzi në trajta njerëzish, kafshësh e zogjsh.
Përpunimi i metaleve ishte përqendruar kryesisht në qendrat metalurgjike të Ilirisë. Të tilla ishin në vendin tonë, p.sh. zona e Mirditës dhe e Matit, ku janë përcaktuar edhe vendet e shkrirjes së bakrit, si zona e Kukësit, ajo e Korçës, e njohur për punimin e metaleve që në kohën e bakrit dhe të bronzit etj.
Prania e qendrave të ndryshme për punimin e metaleve në Iliri duket edhe në vetë karakterin e diferencuar tipologjik të prodhimeve të këtyre qendrave. Në to prodhohej jo vetëm për të plotësuar nevojat e brendshme të fisit ose të një krahine më të madhe, por edhe për t’u përdorur si mall këmbimi.
Përparime të dukshme vihen re në këtë kohë edhe në poçeri, e cila qëndron nga pikëpamja e teknikës, e formave dhe e trajtimit të dekorit të saj, më lart se poçeria e epokës pararendëse të bronzit. Duke filluar nga shek.VI p.e.sonë, mbase edhe pak më parë, në krahinat jugore të Ilirisë, kalohet gradualisht nga punimi me dorë të lirë i enëve prej balte, në prodhimin e tyre me çark. Prodhimet e para i kemi nga vendbanimi i Trenit (shek.VII). Një pjesë e madhe e poçerisë vendore të kohës arkaike e zbuluar në varrezat tumulare të Kuçit të Zi të Korçës, del e punuar me çark. Një dukuri e tillë vihet re edhe në zonën e Matit e të Kukësit. Futja e teknikës së re në prodhimin e enëve, bëri që poçeria të shndërrohet në një degë të veçantë zejtarie, me të cilën merreshin mjeshtra të specializuar në këtë fushë të prodhimit.
Zhvillimi i madh i degëve të ndryshme të prodhimit bujqësor dhe zejtar, bëri që të zgjeroheshin në këtë kohë edhe më tepër marrëdhëniet ekonomike ndërfisnore, si edhe midis popullsisë ilire dhe atyre të vendeve fqinje ose më të largëta. Në këtë drejtim ndihmoi shumë dhe pozita e favorshme gjeografike e territorit të Ilirisë, e ndodhur midis botës mesdhetare dhe Evropës Qendrore, si edhe rrugët e tij të hapura të komunikimit natyror, tokësor dhe detar. Këto marrëdhënie pasqyrohen qartë në prodhimet e ndryshme të zejtarisë greke apo në imitacionet lokale të modeleve të tyre, në stolitë e tipave italikë ose në qelibarin me prejardhje nga Baltiku. Nga ana tjetër, stolitë dhe armët tipike ilire që gjenden në Traki, Maqedoni, Itali ose në Greqi janë dëshmi tjetër e gjallë e këtyre lidhjeve reciproke tregtare që ekzistonin midis ilirëve dhe vendeve të tjera përreth. Një zhvillim të madh morën veçanërisht shkëmbimet tradicionale me Greqinë sidomos pas shek. VIII p.e.sonë, me themelimin e kolonive helene në brigjet e Ilirisë.
Shtrirja e territorit të Ilirisë gjatë brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit krijonte mundësinë për një hov të madh të lundrimit. Në fillim të epokës së hekurit ilirët përshkonin me anijet e tyre të shpejta ujërat e këtyre deteve duke kaluar deri në brigjet perëndimore të Greqisë dhe në ato jugore të Italisë. Disa prej fiseve ilire, si mesapët dhe japigët, u vendosën përgjithmonë në brigjet e Italisë së Jugut. Shumë aktivë në këtë veprimtari të hershme lundruese u treguan sidomos liburnët, të cilët themeluan edhe vendbanime të veçanta në ishullin e Korkyrës, si dhe në brigjet e Gadishullit Apenin.


 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

Lindja e pronës private dhe diferencimi shoqëror


Përparimet që u bënë në degët e ndryshme të ekonomisë gjatë epokës së hekurit sollën ndryshime edhe në vetë strukturën e shoqërisë ilire. Baza e këtyre ndryshimeve u bë prona private, e cila filloi të shfaqet tek fiset ekonomikisht më të zhvilluara, në fillim në blegtori e zejtari e më pas edhe mbi tokën. Hesiodi, duke folur për kopetë e mëdha në Helopi, shënon se ato ishin pronë e njerëzve të veçantë. Karakteri dhe shkalla e zhvillimit të zejtarisë dëshmon gjithashtu për praninë në këtë fushë të pronësisë private. Dukurinë e pronësisë për tokën e kemi të dëshmuar më vonë dhe duket se ajo ndjek një rrugë më të ngadaltë. Zakoni i ndarjes së tokës çdo tetë vjet, që na kumtohet nga Straboni për dalmatët, është një dëshmi që tregon se zotërimi periodik i saj ishte një hallkë e ndërmjetme në procesin e formimit të pronës private.
Forcat kryesore të prodhimit të shoqërisë ilire në këtë kohë ishin bujqit dhe blegtorët e lirë, anëtarë të thjeshtë të fisit. Këtyre u shtohet edhe një shtresë e re, më e kufizuar, ajo e zejtarëve. Nga ana tjetër, nga masa e gjerë e popullsisë, fillon të veçohet si një shtresë më vete aristokracia fisnore, e cila, duke u shkëputur nga prodhimi dhe nëpërmjet përvetësimit të pasurisë së përbashkët, vihet në një pozitë të privilegjuar derisa bëhet dalëngadalë zotëruese e pronave të mëdha tokësore dhe blegtorale. Ajo gradualisht mënjanon organet demokratike të fisit dhe uzurpon pushtetin.
Nga burimet e shkruara më të hershme, siç është eposi homerik, shihet se në disa nga fiset ilire ekzistonte, tanimë, diferencimi shoqëror, të paktën në shekujt VIII-VII p.e.re kur u krijuan “Iliada” e “Odisea”. Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve paionë në luftën e Trojës kundër ahejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia pjellore” me prijësit e ahejve dhe të trojanëve. Kjo pa dyshim flet për një gjendje sociale pak a shumë të ngjashme me atë të fiseve fqinje të Greqisë. Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ta dërguar atë në Itakë. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njërin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të thesprotëve. Këta kishin anijet e veta e njerëz që u shërbenin.
Shumë kuptimplotë në këtë drejtim është dhe një tregim i Herodotit, sipas të cilit, Klistheni, kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570 p.e.sonë) të gjithë burrat që do ta ndienin veten të denjë për të pasur për grua të bijën e tij Agaristën, midis atyre që u paraqitën tek tirani qe edhe një farë Alkoni nga Molosia. Sipas këtij tregimi, ky molosas duhet të ketë qenë nga një familje princore ose shumë e pasur, që të pretendonte për të lidhur krushqi me një skllavopronar të madh të Greqisë së asaj kohe, siç ishte Klistheni.
Të dhënat arkeologjike nga varrezat tumulare të luginës së Drinos, pellgut të Korçës dhe Ohrit (Trebenisht), zonës qendrore ilire të Glasinacit etj., dëshmojnë gjithashtu se në shek. VIII-V p.e.sonë, diferencimi shoqëror në gjirin e shoqërisë ilire ishte bërë mjaft i theksuar dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto varreza ndeshen, krahas varreve me inventar të varfër, edhe varre ku të vdekurin e shoqëronin armë të kushtueshme, sende luksi prej ari e argjendi dhe objekte të tjera të importuara nga viset përreth, që i takonin shtresës së pasur të aristokracisë fisnore.


Federatat fisnore

Zhvillimi i pronës private, që çoi në thellimin e diferencimit social, u bë burim konfliktesh në shoqërinë ilire të shek. VIII-V p.e.sonë. Në këtë kohë morën përpjesëtime të mëdha luftërat ndërfisnore dhe inkursionet plaçkitëse për det e tokë, që arrinin deri në Greqi dhe në brigjet e përtejme të Adriatikut. Të tillë kanë qenë inkursioni i enkelejve për plaçkitjen e thesarit të Delfit ose ato të detarëve liburnë, të cilët me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta zotëruan për një kohë brigjet e Adriatikut, që nga Korfuzi deri në brigjet italike.
Gjendja e krijuar nga këto luftëra dhe inkursione, që i sillnin aristokracisë fisnore ilire të ardhura të mëdha, gjen shprehjen e vet në veprimtarinë e gjerë të ndërtimit të vendbanimeve të fortifikuara dhe në zhvillimin e armatimeve, sidomos të armëve të reja, siç ishin shpatat, hanxharët dhe heshtat prej hekuri që janë gjetje të rëndomta në varret e luftëtarëve ilirë dhe të mburojave të paionëve, të përkrenareve e frerëve të kuajve që përbënin pajisjet e veçanta të aristokracisë luftarake.
Në procesin e këtyre konflikteve, fiset e vogla ilire filluan të lidhen dhe të formojnë gjatë veprimeve të tyre të përbashkëta në luftërat agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i shek.VII p.e.sonë, federatat e para. Një federatë e tillë ishte ajo e taulantëve, që nën mbretin Galaur dhe më pas, gjatë shek. VII-VI p.e.sonë invadoi disa herë Maqedoninë duke i shkaktuar asaj dëme të rënda dhe sakrifica të mëdha në njerëz. Gjatë shek. VI-V p.e.sonë federata të tilla formuan edhe disa fise të tjera, si molosët, thesprotët, kaonët, parauejtë, orestët, lynkestët, paionët, dardanët etj.
Në krye të federatës qëndronte mbreti, i cili në burimet quhet basileus. Në disa raste si tek kaonët e thesprotët vendin e tij e zinte një njeri i zgjedhur çdo vit nga gjiri i fisit sundues të federatës. Në burimet e fundit të shek.V vihet re se funksioni i basileut nuk i takonte më prijësit më të aftë ushtarak, por ishte bërë i trashëgueshëm dhe pushteti e autoriteti i tij ishte rritur mjaft si brenda fisit e lidhjes fisnore, ashtu dhe jashtë tij. Në bazë të këtij fuqizimi të prijësve ushtarakë dhe të basilejve qëndronte gjithnjë pasuria që vinte duke u shtuar përherë e më shumë në sajë të luftërave. Ata vinin nga shtresa e pasuruar e shoqërisë fisnore ilire, e cila dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë së thjeshtë. Ajo e konsideronte si një gjë të turpshme të merrej me punimin e tokës, me mbarështimin e bagëtisë, me prodhimin zejtar etj. Në këto punë ishin të angazhuar vetëm prodhuesit e vegjël, masa e gjerë e fshatarëve të lirë ose gjysmë të lirë. Zanati më i nderuar për ta ishin lufta, gjuetia, garat sportive etj., skenat e të cilave na janë transmetuar përmes gjuhës së gjallë artistike në objektet e bronzta të zbuluara në krahinat veriore ilire apo në kallcat e Glasinacit.
Në gjysmën e dytë të shek. V p.e.sonë disa nga federatat ilire kishin arritur një stad mjaft të përparuar në zhvillimin e tyre politik. Taulantët, fiset ilire, fqinje të Maqedonisë dhe ato më jugore: kaonët, thesprotët e molosët merrnin pjesë në ngjarje të tilla politike të historisë së botës së Mesdheut siç ishte lufta e Peloponezit.
Taulantët ndërhyjnë me këtë rast në luftën civile që shpërtheu në Epidamn në vitin 436 p.e.sonë. Në këtë luftë ata morën nën mbrojtje oligarkët e dëbuar nga demosi i qytetit dhe qenë një nga ato forca që në aleancë me Athinën, kundër lidhjes së Peloponezit, ndihmuan aristokracinë epidamnase të rikthehet në pushtet. Kjo ngjarje shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e kësaj kolonie greke, sepse fatet e saj do të lidhen paskësaj gjithnjë e më shumë me botën ilire.
Dy njoftime të tjera kanë të bëjnë me ngjarjet e vitit 423. I pari bën fjalë për kaonët, thesprotët, molosët dhe disa fise të tjera më të vogla fqinje të molosëve, që marrin pjesë nga ana e lakedemonëve në fushatën për të nënshtruar Akarnaninë dhe për ta shkëputur atë nga aleanca me Athinën, fushatë që përfundoi pa sukses.
Njoftimi i dytë lidhet me luftën që zhvilluan ilirët e krahinave juglindore kundër maqedonëve. Fisi ilir i lynkestëve ishte prej kohësh në konflikt me sundimtarët maqedonë, të cilët synonin ta nënshtronin. Gjatë luftës greko-persiane mbreti maqedon i ndihmuar nga persët kishte mundur t’u impononte lynkestëve sovranitetin e tij. Në kushtet e reja të luftës së Peloponezit, kur shteti maqedon ishte ende i pakonsoliduar dhe sundimtari i tij Perdika II përplasej sa në njërën anë në tjetrën, duke u lidhur herë me Athinën e herë me Spartën, mbreti i lynkestëve, Arrabeu, shfrytëzoi këtë situatë për t’u shkëputur nga varësia maqedone. Në përpjekjet e tij për të rivendosur gjendjen e mëparshme, Perdika kërkoi ndihmën e aleatit të vet, komandantit të forcave lakedemone, Brasidës, të cilit i kishte besuar luftën kundër Athinës në teatrin halkidik të veprimeve ushtarake. Një ekspeditë e fuqishme e përbërë nga forcat e Perdikës dhe të Brasidës provoi të thyente Arrabeun me anën e bisedimeve dhe të bëhej aleat i lakedemonëve. Por përpjekjet dështuan dhe bashkë me to dështoi edhe ekspedita kundër lynkestëve. Në kundërshtim me vullnetin e Perdikës, Brasida nuk guxoi të sulmonte dhe vendosi t’i tërhiqte forcat.
Pak kohë më vonë Perdika e bindi përsëri Brasidën për një fushatë të re kundër lynkestëve; forcat maqedone e ato lakedemone të përbëra prej 3 000 hoplitësh, 1 000 kalorësish dhe një numër barbarësh sulmuan Arrabeun. Por këtë radhë lynkestët kishin siguruar ndihmën e vëllezërve të tyre ilirë. Forcat e bashkuara të ilirëve dhe lynkestëve e shpartalluan veçmas mbretin maqedon dhe e detyruan të largohej në pështjellim të plotë, duke braktisur aleatin e tij. Kështu Brasida u gjend i rrethuar keq dhe vetëm me përpjekje të mëdha mundi t’i shpëtojë forcat e veta nga asgjësimi i plotë. Kjo luftë ndryshoi krejt drejtimin që kishin marrë ngjarjet në frontin halkidik. “I detyruar nga rrethanat e rënda,- shkruan Tukididi, - Perdika u përpoq të hynte sa më parë në marrëveshje me athinasit dhe t’i hiqte qafe peloponezasit”.
Duke i përshkruar këto ngjarje të shek. V, Tukididi na ka lënë edhe një shënim me mjaft interes për vlerësimin e jetës social-politike të ilirëve. Prej fjalimit, që sipas tij Brasida u mbajti ushtarëve të tij para tërheqjes, ne mësojmë se shoqëria ilire ruan ende në fundin e shek.V mbeturina të theksuara të rendit fisnor. Por midis njoftimeve të autorëve që bëjnë fjalë vetëm për inkursionet e ilirëve dhe atyre të Tukididit, që i përmend ata si një forcë aktive, pjesëmarrëse në ngjarjet më të rëndësishme të kohës, ku luajti ndonjëherë një rol jo pa rëndësi, ka një ndryshim të dukshëm. E re në njoftimet e Tukididit është se lufta e federatave ilire si në rastin e ndërhyrjes në luftën civile të Epidamnit, ashtu dhe në luftën kundër maqedonëve dhe aleatëve të tyre peloponezas, nuk kishte më karakterin e një inkursioni grabitqar, por synime politike të caktuara dhe kjo nënkupton një stad mjaft të avancuar të organizimit të tyre politik qoftë edhe në kuadrin e një federate fisnore.
I gjithë ky zhvillim social-politik, që vihet re, veçanërisht tek fiset ilire të jugut në fund të shek.V p.e.sonë, pasqyron qartë një shoqëri, që jetonte etapën e fundit të organizimit fisnor, atë kalimtare për në rendin skllavopronar. Mbi bazën e kësaj shoqërie do të lindin në fundin e shek. V - fillimin e shek. IV p.e.sonë formacionet e para shtetërore ilire.



3. KULTURA ILIRE


Njësia dhe veçantitë kulturore lokale

Kultura ilire u formua me tiparet e saj karakteristike që e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë në periudhën e zhvilluar të epokës së hekurit. Ajo ishte një kulturë autoktone që u krijua në truallin historik të ilirëve, në procesin e formimit të vetë etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të brendshëm social-ekonomik të shoqërisë ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë shprehur në arritjet më të rëndësishme të ilirëve në fushën e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre.
Krahas tipareve themelore të përbashkëta të kësaj kulture, që janë karakteristike për gjithë truallin ilir, vihen re edhe veçanti lokale. Në kushtet e një territori të gjerë, me larmi të theksuara fiziko-gjeografike, siç ishte pjesa perëndimore e Gadishullit të Ballkanit, me lidhje fqinjësie e marrëdhënie me krahina që i karakterizonte një zhvillim i ndryshëm social-kulturor, sidomos i theksuar midis veriut të prapambetur qendërevropian dhe jugut më të përparuar egjeo-mesdhetar, këto ndryshime lokale në kulturë janë po aq të kuptueshme sa edhe zhvillimi jo i njëjtë social-ekonomik që njohën ilirët e kësaj kohe. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ndryshime lokale edhe në aspekte të veçanta të jetës dhe të krijimtarisë së ilirëve, ndryshime të cilat janë thjesht të karakterit etnografik.
Sipas të dhënave arkeologjike, në truallin ilir dallohen në epokën e hekurit disa grupe kulturore: grupi jonik ose epirot, që përfshin krahinën e banuar nga kaonët, thesprotët, molosët dhe fiset e tjera më të vogla të viseve më jugore; grupi adriatik-jugor ose taulanto-ardian, që shtrihet në gjithë ultësirën bregdetare nga Vjosa në Naretva dhe që banohej nga këto dy fise të mëdha si dhe fise të tjera më të vogla rreth tyre; grupi devollit ose dasaret në krahinën juglindore të Shqipërisë me qendër pellgun e Korçës; grupi pelagon në Maqedoninë Perëndimore dhe ai paion në atë lindore, grupi i Matit ose pirust, që përfshin krahinat e brendshme të Shqipërisë Verilindore (Mat, Dibër Kukës) dhe ai dardan në Kosovë; grupi i Glasinacit me qendër rrafshnaltën me të njëjtin emër në lindje të Sarajevës dhe rreth saj, që i përgjigjet krahinës së banuar nga autariatët; grupi dalmatin, që përfshin krahinën midis lumenjve Naretva e Krka; grupi japod në territorin e sotëm të Likës dhe grupi verior-adriatik ose liburn, që shtrihej në territorin midis lumenjve Krka e Zrmanje.
اdo njeri nga këto grupe kulturore i përgjigjet kryesisht territoreve të banuara nga fiset ose bashkimet e mëdha fisnore ilire. Sa më të afërta gjeografikisht ishin këto grupe, aq më të mëdha ishin ngjashmëritë kulturore midis tyre. Kështu, p.sh., grupi japod paraqet mjaft paralele me atë fqinjë liburn. Në Ilirinë Qendrore grupi i Matit lidhet aq ngushtë me atë të Glasinacit dhe atë dardan saqë inkuadrohen me një kompleks të gjerë kulturor Mat-Glasinac; ndërsa në Ilirinë e Jugut grupi devollit afron në shumë aspekte me atë pelagon dhe epirot.
Këto ndryshime dhe ngjashmëri lokale, që burojnë nga baza e përbashkët etnike, kushtet herë të përafërta e herë të ndryshme të zhvillimit social-ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkrahinore, shkrihen në tërësinë e bashkësisë kulturore ilire, të cilën e vërejmë si në gjuhë, ashtu dhe në kulturën materiale (vendbanimet, veglat e punës, armët, qeramikën, stolitë etj.) e atë shpirtërore (artin e botëkuptimin) të saj, pa kërkuar një unitet të plotë për këtë shkallë të zhvillimit të ilirëve. Veçoritë lokale etnografike në kulturë, ashtu sikurse dhe ato dialektore në gjuhë, nuk cenojnë unitetin e kulturës ilire dhe të bartësve të saj, ato janë shprehje e larmisë dhe e ndryshimeve brenda së njëjtës kulturë.


Gjuha

Ilirët flisnin një gjuhë që dallohej nga gjuhët e popujve të tjerë të kohës së lashtë të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë e veçantë indoevropiane, që kishte lidhje afërie ku më të largët e ku më të afërt me gjuhë të tjera të gadishullit dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente të përbashkëta sidomos me trakishten. Lidhur me vendin e ilirishtes në mes të gjuhëve indoevropiane është diskutuar mjaft dhe janë dhënë mendime të ndryshme.
Një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sintezën më të plotë, të shoqëruar me vështrimin kritik të mendimeve për origjinën e gjuhës shqipe, e ka dhënë gjuhëtari i shquar prof. Eqrem اabej, i cili ka sjellë dhe argumentet e tij shkencore, në mbështetje të tezës ilire. Disa nga argumentet e parashtruara prej tij janë këto:
Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar popullsi ilire; nga ana tjetër, në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera në trojet e sotme; një pjesë e elementeve gjuhësore: emra vendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse; marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit; të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjitha këto argumente, del si përfundim se teza e origjinës ilire të gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore. Nga ilirishtja e Ballkanit gjer tani nuk është gjetur gjë e shkruar dhe është menduar se nuk ka qenë e shkruar. Dëshmohet e shkruar mesapishtja e Italisë Jugore, që është mbajtur e mbahet përgjithësisht si një degë e ilirishtes, në njëfarë mase si një dialekt i saj i zhvilluar më tej në kushtet e një veçimi prej disa shekujsh nga trungu i saj gjuhësor kryesor. Prej saj kemi rreth 2 000 mbishkrime të shkruara në një alfabet grek (dorik) me disa ndryshime për të riprodhuar disa tinguj të posaçëm të gjuhës së tyre. Një mbishkrim i Kalasë së Dalmaces afër Pukës, që për dekada të tëra qe mbajtur si i vetmi mbishkrim ilir, u provua nga gjuhësia e re shqiptare se nuk ishte tjetër veçse një mbishkrim greqisht i shek. VI-VII. Nëse do të kurorëzohen me sukses përpjekjet që po bëhen për leximin e një mbishkrimi të Muzeut të Shkodrës me prejardhje nga Dobraçi, shkruar me një alfabet të panjohur dhe të një mbishkrimi të gjetur në Bugojë të Bosnjës Perëndimore, mund të sillen të dhëna të reja e të hapen perspektiva. Zbulimet e mëtejshme arkeologjike mund të japin ndonjë tekst ilir të shkruar me alfabet të veçantë ose me alfabet grek a latin. Gjuhët greke dhe latine që hynë më parë në Iliri si gjuhë kulture, tregtare ose si gjuhë zyrtare administrative, nuk u bënë kurrë gjuhë të të gjithë popullit, i cili vazhdoi të ruajë në jetën e tij të përditshme të folmen amtare. Njoftimi i historianit grek të shek. II p.e.sonë, Polibit, për bisedimet e mbretit Gent me delegatët maqedonas përmes përkthyesit që njihte ilirishten, dëshmon se kjo gjuhë u praktikua edhe si gjuhë zyrtare deri në fund të jetës së pavarur politike të ilirëve.
Nga gjuha e ilirëve kanë mbetur disa materiale, por që nuk janë të mjaftueshme: elemente leksikore shumë të pakta të së folmes së përditshme përbërë nga disa glosa ilire, dhe sidomos një numër i madh (rreth 1 000) emrash të përveçëm, emra personash, perëndish, fisesh, vendesh dhe disa emra lumenjsh e malesh. Fjalët ilire i kemi në formën që na janë dhënë prej autorëve grekë e latinë, jo në formën autentike të tyre. Ndër ato fjalë mund të përmenden rhinos = mjegull, sabaia = birrë meli etj. Emrat e përveçëm ilirë që na janë transmetuar në burimet e shkruara antike (autorë grekë e latinë, mbishkrime greke e latine, monedha të territorit ilir) përbëjnë materialin kryesor që kemi prej ilirishtes së Ballkanit. Ato lejojnë që të nxirren disa elemente të fjalëformimit emëror të ilirishtes e ndonjë tipar fonetik i saj, ndonjë element i leksikut të saj dhe material krahasimi me gjuhët e tjera indoevropiane, po nuk japin mundësi të njihen gramatika dhe leksiku i saj.
Studiues të ndryshëm kanë përcaktuar si ilire edhe një numër fjalësh të ndeshura në gjuhët e tjera të lashta ose në gjuhët e sotme të Evropës, duke i marrë ato si huazime nga ilirishtja ose si të trashëguara prej saj. Shumica e tyre janë të diskutueshme, po disa kanë gjasa vërtetësie. Ndër to përmendim: lat. mannus = kalë i vogël, krhs. shqipen maz/mëz; gr. balios = i bardhë, me pulla të bardha, krhs. shqipen balë; gr. kalibe = kasollë; disa fjalë pararomane etj.
Material më të pasur jep mesapishtja e Italisë Jugore. Prej saj kanë ardhur një numër mbishkrimesh zakonisht të shkurtra e shpesh fragmentare të shek. VI-I p.e.sonë, që japin edhe fjalë, trajta e ndonjë frazë, përveç emrave të përveçëm që përmenden në to, por që janë kuptuar dhe shpjeguar deri më sot në një masë të vogël. Kemi disa glosa si brendon = bri, bilia = bilë, bijë etj., dhe shumë emra të përveçëm njerëzish, fisesh e vendesh.
Janë vënë re gjithashtu edhe bashkëpërkime të rëndësishme midis mesapishtes dhe shqipes në sistemin fonetik dhe gramatikor, si p.sh. reflektimi i |o|-së së shkurtër indoevropiane në |a|, evolucioni ?|-m|>|-n| i mbaresës së rasës kallëzore njëjës të emrave në të dyja këto gjuhë etj.


Arti dhe botëkuptimi

Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit karakterizohet me stilin e tij dekorativ të theksuar të epokës së bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.sonë në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Kjo vihet re qartë sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj., përfaqësohet nga një gamë e pasur figurash gjeometrike, si rrathë të veçantë e bashkëqendrorë, rombe e trekëndësha me fusha të zbrazura ose të mbushura me vija paralele etj., të kompozuara me një fantazi të zhvilluar dhe në një sistem rigorozisht simetrik.
Ky stil do të jetojë në të gjitha periudhat e veçanta të zhvillimit dhe të dobësimit të tij, deri në fund të periudhës së hershme të hekurit, duke përbërë kështu bazën kryesore dhe më të qëndrueshme të koncepteve estetike të ilirëve në përgjithësi. Arti figurativ në Iliri u zhvillua më vonë; atë e shohim të përfaqësuar në figura njerëzish dhe kafshësh të trajtuara skematikisht ose në mënyrë të stilizuar si dhe në objekte të tjera, si art dekorativ i ndërthurur me motive gjeometrike.
Nga shek.VI p.e.sonë tek fiset e Ilirisë së Veriut nën ndikimin e fuqishëm të kulturave mesdhetare dhe në kornizën e lidhjeve të shumëfishta të popullsive përreth Adriatikut Verior, lindi një art i pasur figurativ, shprehjen më të lartë të të cilit e gjejmë tek situlat liburne e tek urnat japode. Në një stil të pjekur arkaik të kohës janë paraqitur në këto monumente pamje nga jeta e përditshme e ilirëve, në mënyrë të veçantë e shtresave të pasura të shoqërisë së tyre, midis të cilave skena argëtimesh, siç është rasti i një valleje grash lidhur dorë për dore, apo i një procesioni funeral, ku përcjellja është dhënë nëpërmjet një vargu të gjatë kurorash luftarake dhe kalorësish që marrin pjesë në ceremoninë solemne. Në raste të tjera paraqiten skena luftimesh, gjuetie, mundjeje etj. Këto manifestime artistike, megjithëse të ndikuara nga pikëpamja e stilit dhe e karakterit tregimtar të ornamentit prej artit arkaik grek dhe ai etniko-italik përsa i përket paraqitjes së figurave, motiveve reale dhe përmbajtjes së tregimit, kanë mjaft elemente vendëse, që tregojnë për natyrën vendore të prodhimit të shumë prej tyre. Në këtë drejtim përveç vlerave artistike, këto monumente përbëjnë edhe një burim historik të dorës së parë për njohjen e jetës dhe të koncepteve të shoqërisë ilire në shek. VI-V p.e.sonë.
Përsa u përket besimeve të ilirëve të epokës së hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre të epokës së bronzit. Një rol të madh vazhdon të luajë kulti i tokës mëmë i lidhur me pjellorinë e saj dhe me zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi. Shumë e përhapur tek ilirët ishte heliolatria (adhurimi i diellit). Gjurmët e shumta të saj shprehen përmes motiveve të ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta dhe që në mënyrë grafike simbolizonin diellin. Të tilla ishin, p.sh.: rrathët bashkëqendrorë, svastikat, spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët shprehej dhe përmes varëseve të ndryshme në formë kali, kaprolli, zogu etj.
Një kult tjetër shumë i zhvilluar tek ilirët, sidomos tek ata të krahinave jugore, ishte dhe gjarpri si simbol i pjellorisë si totem, si qenie mbrojtëse nga syri i keq (apotropeike) etj.
Vendosja e varreve në tuma përreth një varri më të hershëm të pasur dhe qendror, si dhe shoqërimi i të vdekurit në varr me objekte të ndryshme, tregon se tek ilirët e periudhës së hershme të hekurit ishte i zhvilluar dhe kulti i të parëve, si edhe besimi mbi jetën e përtej varrit.
Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive mistike, që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore. Për t’i larguar këto të këqija, ilirët sajuan forma të ndryshme varësesh (amuleta), me karakter apotropeik etj.


4. KOLONITث HELENE Tث BREGDETIT ILIR


Themelimi i kolonive helene dhe marrëdhëniet me botën ilire

Vendosja e kolonive helene në bregdetin ilir është pjesë e drejtimit të lëvizjes kolonizuese helene, në të cilën më aktiv u tregua Korinthi. Kjo dukuri u zhvillua, nga njëra anë, me shtytjen e faktorëve ekonomikë e shoqërorë të metropoleve dhe, nga ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm në përfshirjen e zonave ilire në sferën e ekonomisë së Mesdheut. Kolonitë më të hershme u vendosën në tokat e Ilirisë së Jugut. Këto zona të banuara nga ilirët kishin marrëdhënie tregtare me vendet e Greqisë që nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë më të gjerë në kushtet e shthurjes së rendit fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kolonive ka qenë pasojë e këtij procesi. Në fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire pikat tregtare, të cilat me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me brendatokën ilire u populluan nga grupe kolonistësh helenë dhe u kthyen në qendra të shpërngulurish (apoike) të metropoleve greke.
Kolonia më e hershme u vendos në vitin 737 në ishullin e Korkyrës, që banohej atëhere nga liburnët. Nga këtej një valë kolonistësh u vendosën në Dyrrah (627 p.e.sonë, ka shumë gjasë edhe më herët). Apolonia, e cila u themelua në vitin 588, ngjan të ketë qenë populluar nga kolonistë të ardhur nga Dyrrahu. Për gjithë kohën antike midis dy qyteteve u mbajtën lidhje të ngushta ekonomike dhe politike, që janë karakteristike për marrëdhëniet midis metropoleve dhe apoikeve. Në të njëjtën kohë me Apoloninë u formua nga banorët të ardhur nga Eubea edhe kolonia helene në Orik, e cila për vetë mundësitë e kufizuara të kontakteve me prapatokën ilire nuk arriti kurrë rëndësinë ekonomike, as edhe famën e dy kolonive të tjera. Kaluan edhe dy shekuj të tjerë derisa kolonistët helenë të ardhur nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë dhe Knidi të vendoseshin në ishujt e Ilirisë së Veriut, ku themeluan Faron (sot Hvar), Isën (sot Vish) dhe Korkyrën e Zezë (sot Korculla).
Në fillimet e veprimtarisë së kolonive peshën kryesore në ekonomi e zinte tregtia tranzite. Nga tokat ilire merreshin prodhime bujqësore, lëndë druri dhe minerale për nevojat e metropoleve, kundrejt shkëmbimit mall me mall me prodhime të zejtarisë.
Por në shek.V p.e.sonë kolonitë e bregdetit ilir nuk janë më shtojca të ekonomisë e furnizuese të thjeshta lëndësh të para të qyteteve mëma. Prodhimi lokal, i mbështetur kryesisht në shfrytëzimin e punës së skllevërve, arrin në këtë periudhë një shkallë të tillë zhvillimi saqë ishte në gjendje të mbulonte jo vetëm kërkesat e popullsisë së këtyre qyteteve, por edhe të botës ilire përreth, gjallëruese dhe nxitëse e drejtpërdrejtë e këtij zhvillimi. Importimet nga qytetet mëma dhe Greqia u kufizuan kryesisht në sendet e luksit dhe në veprat e artit. Dyrrahu dhe Apolonia vepronin tani si njësi ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur këtë edhe në prerjen e monedhave të tyre të veçanta.
Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të konsumit të gjerë: qeramika, veglat e punës, armët që hidheshin në tregun e brendshëm dhe në atë të prapatokës. Punishtet e prodhimit të gjerë të enëve prej balte, të tjegullave e të tullave, të punimit të gurit etj., ishin prona të skllavopronarëve dhe kishin karakterin e ergasterive antike.
Në marrëdhëniet tregtare me botën ilire, veç prodhimeve bujqësore e blegtorale, lëndës së drurit për ndërtimin e anijeve dhe skllevërve, për të cilat tregu grek kishte mungesë, vëmendja e kolonistëve u përqendrua në pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut. Në shkrirjen dhe në përpunimin e hekurit, të bakrit dhe të argjendit, ilirët kishin një përvojë shekullore, nga e cila përfituan edhe kolonistët. Veçanërisht eksportimi i argjendit që nxirrej nga minierat e pirustëve dhe të Dardanisë, u bë një nga burimet kryesore të pasurimit e të lulëzimit të dy kolonive të mëdha, Dyrrahut dhe Apolonisë. Ai eksportohej kryesisht në formën e monedhave, të cilat gjetën një përkrahje të gjerë në krahinat e afërta dhe të largëta ilire.
Për të nxjerrë fitime sa më të mëdha nga marrëdhëniet tregtare me ilirët, sidomos nga tregtia me shumicë e lëndëve të para, e gjithë kjo veprimtari kryhej nëpërmjet një përfaqësuesi të veçantë të kolonive, të quajtur poleti.
Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin qendra zejtare e tregtare, bujqësia e blegtoria zinte në to një vend të dorës së dytë. Në rrethet e afërta të qytetit pronarët e pasur kishin tokat e kullotat e tyre me sipërfaqe e prodhim të kufizuar, sepse kufiri me ilirët nuk shtrihej shumë larg mureve të qytetit.


Rendi shoqëror dhe organizimi politik

Që në fillim në kolonitë helene të bregdetit ilir u vendos mënyra antike e prodhimit. Në ndarjen e shoqërisë në kolonitë rol të veçantë luante prejardhja shoqërore dhe etnike e njerëzve. Në kushte më të privilegjuara ishte shtresa me prejardhje aristokrate, që kishte qenë shpesh përkrahëse e themelimit të kolonive. Përbërja shoqërore e shtresave të lira ishte e larmishme. Krahas të mërguarve, për arsye politike gjatë luftërave të demosit me aristokracinë në metropole, kishte fisnikë të varfëruar, zejtarë të zhveshur nga mjetet e prodhimit, fshatarë të shpronësuar, tregtarë e detarë. Kjo masë e popullsisë shtohej vazhdimisht si rrjedhim i dyndjeve të herëpashershme nga metropolet. Në Dyrrah një kontingjent i madh njerëzish të tillë erdhi në gjysmën e dytë të shek.V.
Në Dyrrah e në Apoloni shtresa e skllevërve përbënte forcën kryesore të fuqisë punëtore. Ajo ndahej në tri kategori: në skllevër të qytet-shtetit skllavopronar, të cilët punonin në punishtet e tjegullave dhe të tullave, në thyerjen, transportimin dhe në skalitjen e gurëve, në përpunimin e metaleve e në prerjen e monedhave, pra në punët më të rënda. Të shumtë ishin edhe skllevërit privatë që përbënin kategorinë e dytë, të cilët përveç ergasterive shërbenin edhe në ekonomitë shtëpiake.
Një pjesë të popullsisë, gjithmonë në rritje, e përbënin “të huajt”, kategoria e tretë ose banorët me origjinë ilire. Këta në dhjetëvjeçarët e parë ishin të privuar nga të drejtat shoqërore dhe politike.
Në përputhje me këtë përbërje shoqërore të popullsisë, rendi politik në Apoloni e Dyrrah kishte në fillim karakter oligarkik. Pushteti i takonte një pakice me prejardhje aristokrate. Shumica dërrmuese e popullsisë, ashtu edhe ilirët, duke mos bërë fjalë për skllevërit, nuk gëzonte të drejta në qeverisjen e qytetit.
Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Dyrrahut dhe i Apolonisë në shek.VI-V shoqërohet me ndryshime në rendin shoqëror e politik të dy kolonive, si rrjedhim i një lufte të ashpër sociale e politike. Me zgjerimin e prodhimit zejtar dhe të shkëmbimit të mallrave me ilirët dhe me Greqinë, u pasuruan dhe u forcuan ekonomikisht shtresat tregtare e zejtare të kolonive. Këto shtresa dolën tani si forca të pavarura në arenën politike kundër grupit oligarkik, me synimin për të marrë pushtetin dhe për ta përdorur atë në dobi të interesave të tyre. Si rrjedhim i kësaj, në vitin 437 shpërtheu në Dyrrah një kryengritje e demosit, e njohur në historinë antike për rolin që luajti në prag të luftës së Peloponezit. Në arenën e kësaj lufte përveç forcave të demosit dhe aristokracisë, u duk edhe ndeshja e interesave të Korkyrës, prapa së cilës qëndronte Athina dhe Korinthi. Të dyja fuqitë synonin të përfitonin mundësi më të gjera në tregun ilir. Gjithashtu në këtë ndeshje morën pjesë aktive edhe ilirët fqinjë, të cilët duke ndihmuar aristokratët e dëbuar nga qyteti, u radhitën me forcat që përkahnin Athinën në luftën kundër lidhjes së Peloponezit.
Rrjedhimi kryesor i luftës civile në Dyrrah ishte triumfi i plotë i parimit të ndarjes klasore të shoqërisë, forcimi i polisit skllavopronar. Pushteti tani kalon nga rrethi i kufizuar i aristokracisë skllavopronare në duart e gjithë skllavopronarëve si klasë. Baza shoqërore e tij u zgjerua me pjesëmarrjen e shtresave më të gjera skllavopronare, të pronarëve të punishteve, të tregtarëve etj., duke bërë kështu më të theksuar mënyrën antike të prodhimit. Që nga kjo kohë u forcua edhe pozita shoqërore e ilirëve që banonin në qytet. Një dukuri e tillë e ngjashme u zhvillua edhe në Apoloni.
Këto ndryshime u pasqyruan edhe në përbërjen dhe në funksionet shtetërore. Vendin e krerëve (fylarkëve) aristokratë, në duart e të cilëve qe përqendruar pushteti gjatë regjimit oligarkik, e zuri tani një organ kolegjial, buleja (këshilli). Anëtarët e saj mund të ishin jo vetëm nga fisnikët, por edhe nga shtresat e tjera të skllavopronarëve. U krijua edhe organi i mbledhjes së përgjithshme të popullit, helieja. Detyrat kryesore të saj ishin miratimi i ligjeve, marrja e vendimeve me rëndësi dhe zgjedhja e kontrollimi i veprimtarisë së organeve ekzekutive të qytetit. Me gjithë pjesëmarrjen e popullit të lirë, edhe ky organ ishte në duart e skllavopronarëve, pa praninë e të cilëve helieja nuk kishte të drejtë të zgjidhte organet e larta ekzekutive të qytetit. Nga anëtarët e bulesë në krye të çdo viti zgjidhej prytani, i cili ishte funksionari më i lartë civil i qytetit. Me emrin e tij lidheshin të gjitha ligjet, dekretet e vendimet me rëndësi të shpallura gjatë vitit. Me çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen ushtarake dhe me luftën merrej toksarku, që ishte komandanti i shigjetarëve. Sekretarit i binte për detyrë kryesore të kujdesej për ngulitjen mbi gur ose mbi tabela bakri të ligjeve, të dekreteve e vendimeve të marra nga helieja apo organet e larta ekzekutive dhe t’i shpallte ato publikisht. Të tre hieramnamonët, merreshin jo vetëm me çështjet e kultit, me organizimin e lojërave e të festave, por me sa duket edhe me çështjet financiare të qytetit. Veç këtyre kishte edhe nëpunës të tjerë, të një rangu më të ulët, por që në të vërtetë luanin një rol me rëndësi në jetën ekonomike. I tillë ishte nëpunësi i ngarkuar me prerjen e monedhave, i cili kishte për detyrë të kujdesej si për sigurimin e lëndës së parë, ashtu edhe për prerjen dhe shpërndarjen e monedhave. Mbi drahmet e argjendta emri i tij vendosej krahas atij të prytanit. Një funksionar tjetër ishte poleti që merrej me rregullimin e tregtisë me ilirët.
Kulti fetar ishte në harmoni me institucionet shoqërore e politike të qytetit. Kjo duket edhe nga shkrirja e funksioneve fetare me ato shtetërore (hieramnamonët). Hyjnitë më të adhuruara në Apoloni ishin Apoloni, që i dha emrin qytetit, hyjnesha ilire e brigjeve u unjisua nga kolonistët me Artemisin; Dionizi ishte hyu i vreshtave etj. Perënditë kryesore, të cilëve u faleshin më shumë dyrrahasit, ishin Zeusi, Dielli dhe bashkëthemeluesi legjendar i qytetit Herakliu.
Kolonitë helene u vendosën në Iliri në rrethanat e marrëdhënieve të ngushta ekonomike me ilirët, që kushtëzoheshin nga interesat reciproke. Fuqizimi i mëtejshëm i kolonive përkon me lindjen e qyteteve ilire dhe me formimin e shtetit ilir. Tek këta kolonitë do të gjejnë një bazë për t’u mbështetur në synimet e tyre për çlirimin e plotë ekonomik dhe politik nga metropolet. Nuk kanë munguar edhe konfliktet midis ilirëve dhe kolonive, me sa duket, si rrjedhim i shpërdorimeve të kolonistëve në marrëdhëniet me ilirët dhe për kufijtë midis tyre. Këto morën forma të armatosura në luftën e Apolonisë me qytetin ilir Thronion rreth mesit të shek.V dhe në luftën e ilirëve kundër Isës më 385 p.e.sonë.
Që nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.sonë historia e kolonive helene të bregdetit të Ilirisë zhvillohet në marrëdhënie të ngushta me historinë politike të shtetit ilir dhe në kornizën e saj.

 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

K R E U I I I

SHTETET ILIRE


Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.



1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQثROR I ILIRثVE Nث SHEK. IV P.E.SONث

Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetare
Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke. Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me prapatokën ilire.
Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.
Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë mesit të shek. IV p.e.sonë. Historiani grek, Diodori, duke përshkruar fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë “u lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi shumë qytete të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe”. Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit për rrezikun që i kërcënonte nga mbreti maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po fortifikonte qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët grekë të shek. II p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet i Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend qytetin Oidanton. Më në fund nga të dhënat numizmatike të fillimit të shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion. Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë të pranishme në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një rast vërtetohet qysh në fillim të këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në fundin e shek. V p.e.sonë.
Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete këto qytete të hershme ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet pamja reale e këtyre qendrave urbane.
Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të tilla, nëpërmjet të cilave të dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund të pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë shek. IV p.e.sonë. Në këtë kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.
Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të epokës së hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por shtrihen me sipërfaqe relativisht më të gjera, që arrijnë deri në 10-20 ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë më të përparuar me blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me një bukuri të rrallë (Amantia, Klos, اuka e Aitojt etj.), por sistemi i fortifikimit në përgjithësi është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat, rolin e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të drejtë, që bën muri herë mbas here për arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë sistem janë të pakta e me një mbrojtje më të dobët.
Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë dhe shtrihen në një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Bylisit, i Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato me termin polisma, që do të thotë qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë qytet. Ndryshimi që vërehet në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet këtyre qendrave urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak dritë mbi këtë çështje hedh pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më të fortë” midis qyteteve të Dasaretisë. Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir që pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në shpinë të zonës bregdetare, diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu: “Pas Epidamnit dhe Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët; aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelejtë, të cilët i quajnë dasaretë; afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa e të dhënave më të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të Drinit të Sipërm.
Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë dhe për një fakt tjetër. Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat metalike.
Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti zejtar të përparuar të kësaj kohe, por padyshim jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet, jo vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por edhe si kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë qendra njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar ekonomia bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të kufizuar të zejtarisë.

Zejtaria, bujqësia e blegtoria
Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të ndryshme të ekonomisë ilire.
Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës. Por tani mund të flitet për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet në krahasim me zbukurimet.
Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën e zejtarisë së prodhimit qeramik, madje importi e dobësoi për një kohë këtë degë të zejtarisë ilire.
Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një revolucion i vërtetë. Mjeshtrat e ndërtimit shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike e teknike dhe për njohuritë e thella në fushën e artit të fortifikimeve, që i zbatonin në nivelin më të përparuar të kohës, ashtu si në shumë vise të tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të qyteteve të ndërtuara në stilin poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve në këtë fushë.
Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë e ilirëve për shek. IV janë të varfra. Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk bëjnë tjetër veçse përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes ende të pamjaftueshme të Ilirisë; megjithatë Iliria për autorët grekë ishte vendi i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore të së cilës shfrytëzoheshin vende-vende në mënyrë intensive dhe që krahas kulturave bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në kullotat e pasura rritnin bagëti të mira të racës.
Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto njoftime. Parmenda e paraqitur në buzët e një pitosi gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në monumentet varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e ullirit, bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut, simbol i pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire dhe zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire në këtë kohë.


Tregtia dhe qarkullimi monetar
Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve të tjera të ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë ilire. Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej balte që përsëriten në gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë për marrëdhënie intensive midis popullsisë së krahinave të ndryshme dhe për një zhvillim të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.
Një zhvillim më të gjerë morën në këtë kohë shkëmbimet me botën greke. Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore tërhoqën vëmendjen e autorëve antikë të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi zinin këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës, të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen e monedhave të tyre, kurse nga tokat e afërta të Atintanisë serën, që u duhej për ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit. Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit grek, midis të tjerave prodhime atike e italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të Apolonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë të duken më dendur edhe në krahinat e brendshme ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në luginën e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës. Këto prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura qysh në shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e bregut Adriatik, ashtu edhe të Egjeut.
Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve.
Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik, skllavopronarisë.

Vendosja e skllavopronarisë
Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare, e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe aristokracia e vjetër fisnore që përbënte parinë e qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore, me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar, e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore.
Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë. Në burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla, por fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e qarkullimi i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin fisnor, ato i japin bashkësisë një përmbajtje të re nga pikëpamja e marrëdhënieve ekonomike e shoqërore.
Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë të kësaj kohe, shumica e popullsisë në Iliri jetonte në fshatra; qytetet ishin ende në numër të vogël. Masën kryesore të kësaj popullsie e formonte fshatarësia e lirë, por burimet bëjnë fjalë edhe për një popullsi fshatare të varur. Theopompi në veprën e tij “Filipika” shkruan se “ardianët kanë 300 mijë prospelatë si helotë...”. Me prospelatë autorët e vjetër kuptonin një popullsi të varur që merrej me punimin e tokës dhe që u jepte zotëruesve të saj si detyrim një pjesë të prodhimit. Duke i krahasuar prospelatët e ardianëve me helotët e Spartës, Theopompi e përcakton edhe më mirë gjendjen e tyre sociale. Me sa duket edhe këta ishin, sikurse helotët, një popullsi e nënshtruar që pas pushtimit ishin shpronësuar dhe ishin kthyer në gjendje vartësie. Nuk kemi prova nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo një fis tjetër ilir që pësoi këtë fat; numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar, por mbetet i padiskutueshëm fakti që kemi të bëjmë me një masë popullsie mbi të cilën ushtrohet shtypje ekonomike dhe politike.
Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë për ardianët. Një shekull më vonë Agatharkidi në veprën e tij “Evropaikon” do të pohojë se “dardanët kanë kaq shumë skllevër (ai i quan këta me emrin “dullos”), sa dikush kishte 1 000, kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta në kohë paqeje punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri duke pasur si prijës zotin (“despotes”) e tij”.
Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet e mëtejshme e bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me një popullsi të tipit të prospelatëve ardianë. Nuk ka asnjë dyshim që termi “dullos” përdoret këtu me kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse ndodh shpesh që autorët antikë i quajnë helotët “dullë të lakeldemonëve”.
Një rast tjetër është ai që përmend Atheneu, për penestët. Sipas tij “thesalët quajnë penestë jo ata që lindin skllevër, por ata që shtihen në dorë me anë të luftës”. Dihet se me emrin penestë quhej një fis i tërë në territorin e Mbretërisë Ilire. Përkufizimi i Atheneut të çon në përfundimin se popullsia e këtij fisi duhet të ketë qenë e ngjashme nga pikëpamja e gjendjes shoqërore me prospelatët e ardianëve dhe dullët e dardanëve.
Prania e një popullsie të tillë të varur e të shfrytëzuar ekonomikisht midis ilirëve, është një dëshmi e rëndësishme për të përcaktuar karakterin dhe strukturën e shoqërisë ilire. Siç tregojnë të dhënat e autorëve antikë, popullsia e varur e tipit prospelatë-helotë-penestë përfaqësonte në këtë kohë në Iliri një formë të hershme të skllavërisë që ekzistonte në disa nga popullsitë kryesore ilire. Kjo kategori njerëzish përdorej në masë në punimet bujqësore dhe mbase edhe në shfrytëzimin e minierave. Zotërit e tyre (despotët) duket se banonin në qendrat e vogla të fortifikuara ose në qytete. Kohën më të madhe ata e kalonin në luftëra dhe jo rrallë me dëfrime. Theopompi na thotë se sunduesit e prospelatëve ardianë “çdo ditë deheshin, bënin mbledhje dhe shtroheshin në gosti, të dhënë pas të ngrënit e të pirit”. Pjesën tjetër të popullsisë e përbënte masa e fshatarëve të lirë që luante, me sa duket, ende një rol kryesor në prodhimin shoqëror.
Përveç përfitimit nga puna e popullsisë vendase, shtresa e pasur siguronte të mira materiale nëpërmjet grabitjes kolektive të popujve fqinjë me anë të luftërave. Tributet e përvitshme që detyroheshin të paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto grabitje kryheshin në mënyrë sistematike.
Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri e ndarë në klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë format e hershme të varësisë skllavopronare, prandaj edhe ishte një shoqëri skllavopronare. Lindja e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe të tregtisë ato i dhanë hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit të punës së huaj.
Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në këtë periudhë të hershme mund të thuhet se ai vepron jo vetëm si bartës i skllavopronarisë, por edhe si përçues i saj në botën fshatare që e rrethon. E lidhur me qytetin me anë të marrëdhënieve ekonomike dhe e varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve, bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej rreth qyteteve nuk është më bota e organizimit fisnor. Ajo njeh tani marrëdhënie vartësie në formën e skllavërisë së tipit helot.
Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me një rol e peshë të ndjeshme në jetën ekonomi/B]
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

2. MBRETثRIA E PARث ILIRE. DINASTIA E BARDHYLIT
(FILLIMI I SHEK. IV - 335 P.E.SONث)


Ardhja në fuqi e Bardhylit
Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit të mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit, u zhvillua një luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë krahinë. Në këtë luftë mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli, që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca midis tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë zanafillën e saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë dhe duket se ka qenë përforcuar me një martesë dinastike midis Syras dhe një vajze të Arrabeut. Rezultatet e kësaj lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme tregojnë se nuk ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen ekzistuese.
Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën katër dekada me radhë. Kontradiktat e brendshme që u bënë shkak për këtë vrasje dhe për intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen e konflikteve midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj. Në fillim të sundimit të Amyntës II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një zgjidhje. Martesa e Amyntës me një bijë të mbretit Syra, të quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve.
Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe jo për pajtim. Rasti i volitshëm për ta arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht tani, që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë të saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të kthehej në vend me ndihmën e thesalëve, të cilët preferonin më mirë sundimin e tij se atë të Argeut që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte me një tribut vjetor që do t’ua paguante atyre.
Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet e vendosura së fundi midis ilirëve dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm se ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet në burimet shumë më vonë, në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara. Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë), ose pak më vonë, ishte në një moshë të thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si një mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e pastaj kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar të Syras, por si një përmbysës të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund t’i jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet e ilirëve me maqedonët në vitin 393 p.e.sonë. Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat rol të rëndësishëm ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369 dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti në fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë të tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që pësuan maqedonët në vargun e përpjekjeve të tyre për t’u çliruar nga ilirët.
Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë burimet përmendin edhe një ngjarje tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin. Ndërmjetës për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të dyja palët qenë të interesuara për këtë, sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori vinte në dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2 000 vetash dhe 5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”. Por nuk thotë se me cilët luftonin ilirët në këtë kohë. ثshtë supozuar se Diodori e ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët, kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm për të kthyer Alketën. Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”. Në këtë rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët ishin në gjendje lufte pothuajse të pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion kundër molosëve për të sjellë në fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat kryesore në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori thotë se “ushtrinë që u erdhi në ndihmë ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja përfundoi me sukses të plotë. Në betejën e rreptë që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe molosët lanë në fushën e luftës shumë të vrarë. Ndihma që u dërguan spartanët nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë. Me sa duket, aleanca me Syrakuzën ishte për të një mbështetje e shëndoshë në luftën kundër Maqedonisë.

Fushata maqedone kundër Mbretërisë Ilire
Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri në fushë të betejës kundër ilirëve, por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët e tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar rrezikun trak e paion.
I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish. Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të madhe, 10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës. Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë të pafavorshme ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet që kishin në zotërim në atë kohë; Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë. Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja. Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet e armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në trajtë kuadrati. “Në krye, - shkruan Diodori, - fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra palë, dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë luftuan me një trimëri të rrallë. Nga të dy anët u vranë shumë veta dhe ca më shumë u plagosën”. Megjithëse maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi e pa se nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që kishin pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin se për cilat toka ishte fjala, kur thotë se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë betejë, ai zgjidhi përfundimisht çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në kufijtë perëndimorë në favor të Maqedonisë.
Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve, të cilët ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar që t’i shkëpuste nga ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë ky synim u përsërit në përpjekjen për një aleancë të gjerë antimaqedone. Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre mbretër, ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë, ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin aq të fortë për ta luftuar veçmas, u lidhën ndërmjet tyre me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”. Por ata ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur më lart. Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i Bardhylit, që në këtë kohë duhet të ketë vdekur.
Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet në pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë, e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri të fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin nga mbreti Pleuria. Ata i bënë një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e betejës ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë, ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe. Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën pjesë të vendit është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara, por dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi të dalë. Ka të ngjarë që ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe që mund të identifikohen me vargun e maleve të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.



Kryengritja e vitit 335 p.e.sonë
Pas vdekjes së Filipit II, ilirët e krahinave të nënshtruara ngritën krye në vitin 355 p.e.sonë kundër pasardhësit të tij, Aleksandrit, kur ky ndodhej larg vendit, duke luftuar me tribalët dhe popullsi të tjera veriore. Këtu Aleksandrit i erdhi lajmi i kësaj lëvizjeje në Iliri. Kliti, i biri i Bardhylit, ishte shkëputur prej tij dhe me të ishte bashkuar edhe Glaukia, mbret i ilirëve taulantë. Si mësoi se Kliti kishte pushtuar qytetin Pelion, Aleksandri u drejtua me forcat e tij kundër këtij qyteti. Rufi dhe Ariani që bëjnë fjalë për këtë ngjarje, përshkruajnë me hollësi pozicionin e qytetit, vendosjen e forcave kundërshtare dhe stratagjemat që përdorën të dyja palët. Sipas tyre Pelioni ishte një qytet i Dasaretisë, buzë lumit Eordai, dhe më i forti në këtë vend. Ushtria ilire ishte ndarë në dy pjesë: garnizoni që mbronte qytetin dhe repartet e lëvizshme që kishin zënë rrugët dhe majat përqark tij. Aleksandri vendosi t’i shkëpusë lidhjet midis tyre; ngriti lëmin pranë qytetit dhe filloi ndërtimin e një muri që do të pengonte garnizonin të dilte për të marrë pjesë në luftimet e jashtme. Mbërritja e befasishme e Glaukisë me një ushtri taulantësh e vuri ushtrinë maqedone në pozitë të vështirë dhe vetëm në sajë të një manovre të shpejtë, Aleksandri mundi të tërhiqte pa humbje të mëdha trupat e veta. Por ilirët nuk ditën ta shfrytëzonin fitoren. Duke besuar në një sukses të plotë, ata e lanë ushtrinë e tyre pranë Pelionit në shkujdesje. Kjo i dha mundësi Aleksandrit, që tri ditë pas tërheqjes, të kthehej fshehtas përsëri në fushën e betejës dhe ta godiste natën ushtrinë ilire. Pasi pësoi humbje të mëdha, masa kryesore e ushtrisë ilire u tërhoq në malet e taulantëve. Vetë Kliti, pas dështimit të kryengritjes u mërgua në vendin e taulantëve, ndërsa garnizoni u largua duke i vënë zjarrin qytetit. Deri në prag të kryengritjes duket se Kliti sundonte në mbretërinë e tij të dobësuar, duke njohur sovranitetin e mbretit maqedon. Kjo të paktën mund të nënkuptohet nga shprehja e Arianit që thotë se ai “u shkëput” prej Aleksandrit, kur e njoftuan për fillimin e kryengritjes. Por në burimet nuk thuhet se cila qe gjendja juridike që u vendos në këtë pjesë të Ilirisë pas largimit të Klitit. Aleksandri duket se u kënaq me rivendosjen e gjendjes së mëparshme në këtë pjesë të shtetit të tij dhe nuk e vazhdoi më tej konfliktin me ilirët; telashe të tjera e prisnin në Greqi. Taulantët, të cilët Filipi nuk kishte mundur t’i shkelte, paraqiten në këtë konflikt si një fuqi më vete dhe me një mbret të tyre. Tokat e këtij fisi përbënin siç duket atë pjesë të Mbretërisë Ilire që kishte mbetur e pavarur.

Organizimi politik i Mbretërisë Ilire
Gjatë veprimtarisë së tij tridhjetëvjeçare deri në vitin 360 p.e.sonë Bardhyli e kishte rritur pushtetin e vet dhe kishte krijuar një mbretëri të fortë. Pellgu rreth liqenit Lyhnid ishte krahina ku u zhvilluan ngjarjet e rëndësishme të gjysmës së parë të shek. IV, por kjo krahinë nuk mund të identifikohet me territorin e shtetit ilir, shtrirja e plotë e të cilit është vështirë të rindërtohet. Sidoqoftë ai na paraqitet si një forcë që ishte në gjendje t’i kundërvihej me sukses Maqedonisë. Kuptohet vetiu që si i tillë ai përbënte një njësi të paktën të barabartë me të, si nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe e forcës së gjallë njerëzore. Si rrjedhim, krahina të tjera të Ilirisë së Jugut, pa përjashtuar ultësirën bregdetare, duhet të kenë bërë pjesë në këtë njësi.
Organizimi politik i këtij formacioni shtetëror nuk njihet mirë. Bardhyli quhet prej autorëve antikë “mbret i ilirëve”; po kështu emërtohen dhe pasardhësit e tij. Kjo lejon që ky formacion të konsiderohet si një mbretëri, e cila nuk kishte marrë ende tiparet e qarta të një monarkie. Vetë Bardhyli, në fillimet e tij na paraqitet si një prijës i thjeshtë ushtarak që respekton shumë zakone të rendit fisnor. Duket më e besueshme, që mbretëria e tij të ketë qenë në fillim një bashkim i thjeshtë bashkësish ilire, të cilat i lidhnin interesa ekonomike dhe politike, në radhë të parë interesi i mbrojtjes nga rreziku i jashtëm. اdo bashkësi kishte në krye mbretin e vet të vogël që njihte sovranitetin e mbretit të federatës dhe i nënshtrohej atij. Me kalimin e kohës, autoriteti dhe pushteti i Bardhylit si mbret u rrit e u forcua së tepërmi. Ky pushtet mbështetej në forcat e armatosura. Në vitet 60 të shek. IV p.e.sonë, ai kishte një ushtri të rregullt, me një organizim dhe taktikë luftarake të përparuar. Kjo ushtri formohej nga një këmbësori e organizuar dhe e armatosur mirë që përbënte bazën e forcave të armatosura dhe nga kaloria, e cila, megjithëse e vogël në numër, ekzistonte si njësi më vete me cilësinë e një force të manovrueshme goditëse.
Ngjarjet politike që jetoi Mbretëria Ilire e kohës së Bardhylit dhe e pasardhësve të tij tregojnë gjithashtu se ajo përfaqësonte një forcë serioze. Veprimet e saj nuk janë të shkëputura, por gjejnë vend në kuadrin politik të kohës dhe janë shprehje e një qëndrimi që ka si objektiv të qartë dobësimin e kundërshtarit kryesor dhe forcimin e pozitave të veta në raport me shtetet fqinje. Kjo politikë mbështetej në marrëveshje e aleanca politike e ushtarake. Nuk mund të përfytyrohet dot një organizim fisnor apo një demokraci ushtarake që të luajë një rol kaq aktiv në situatën ndërkombëtare dhe të ketë pikësynime kaq të qarta politike, të cilat kërkonin përqendrim forcash e mjetesh, siç është rasti i Mbretërisë Ilire të kësaj kohe. Një veprimtari kaq e gjerë dhe kaq e guximshme në politikën e jashtme mund të ketë vend vetëm në kushtet e një organizimi shtetëror.
Por nuk duhet të kujtojmë se shteti ilir i kësaj kohe ishte një organizëm i përkryer që u përgjigjej të gjitha kërkesave të këtij nocioni në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithatë ai kishte tiparet thelbësore që i duhen një shteti: territorin, ndarjen territoriale të popullsisë sipas njësive gjeografike-etnografike dhe pushtetin publik në duart e klasës sunduese. Struktura social-ekonomike e krijuar në gjirin e shoqërisë ilire të kësaj kohe çoi gradualisht në lindjen e këtij shteti, si një mjet që i duhej klasës sunduese për të nënshtruar shtresat e tjera dhe për të mbrojtur interesat e saj. Nuk mund të detyrohej masa e madhe e prospelatëve-dulle të punonte për pjesën tjetër të shoqërisë ilire, për despotët pa një aparat shtrëngimi të përhershëm siç ishte aparati shtetëror. Kjo përbënte funksionin kryesor të brendshëm të shtetit ilir. Karakteri i shtetit shprehet edhe në funksionin e jashtëm që realizohet nëpërmjet ndeshjeve me popujt fqinjë me anë të fushatave pushtuese dhe ngarkimit të tyre me tribute. Shteti ilir ndodhej në stadin e tij fillestar dhe karakterizohej nga mbeturina të theksuara të rendit fisnor që gjenin shprehje në anë të veçanta të jetës shoqërore. Por qytetet dhe popullsia e tyre, që përbënin bazën themelore ekonomike e shoqërore të tij, kishin marrë një zhvillim të dukshëm. Pozita dhe roli i tyre në jetën politike u bë më i qartë në periudhat e mëpastajme, dora-dorës me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë antike ilire.
Shteti ilir lindi si rezultat i zhvillimit të brendshëm të forcave prodhuese në Ilirinë e Jugut. Procesi i lindjes dhe i formimit të tij përkon me periudhën e sundimit të mbretit Bardhyl; ai mund të konsiderohet edhe si themeluesi i shtetit ilir. Luftërat me Maqedoninë qenë, nga ana tjetër, një faktor i jashtëm me rëndësi që e shpejtoi këtë proces. Dështimi i përkohshëm në luftërat me Filipin II dhe Aleksandrin nuk e ndërpreu jetën shtetërore të ilirëve. Këto luftëra përbëjnë vetëm një episod të shkurtër politik që nuk e ndali këtë proces të thellë shoqëror në Iliri.
Shteti ilir lindi brenda territorit, të cilin e banonin sipas Plinit dhe gjeografit romak të shek. I, Melës “ilirët e mirëfilltë” dhe do të zhvillohet më tej në kuadrin e po këtij territori.


3. MBRETثRIA E DYTث ILIRE. DINASTIA E GLAUKISث
(335-231 P.E.SONث)

Rimëkëmbja e shtetit ilir
Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe Greqinë, Maqedonia u drejtua nga lindja duke e lënë të qetë shtetin ilir. Fqinjësia me Maqedoninë nuk përbënte më atë rrezik serioz dhe ilirët u munduan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar për rimëkëmbjen e shtetit të tyre. Rufi njofton për trazira të reja në Iliri, por duket se ato nuk patën sukses, sepse në vitin 323 p.e.sonë, kur u bë ndarja e perandorisë së Aleksandrit, një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin e Antipatrit, që u bë mbret i Maqedonisë, i Greqisë, i Ilirisë, i Epirit dhe i popullsive të tjera të pushtuara në Ballkan.
Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas vdekjes së Aleksandrit dhe shthurjes së perandorisë së tij krijoi kushte më të përshtatshme për çlirimin e tokave lindore ilire. Duke u lidhur me armiqtë e Maqedonisë, Glaukia, mbret i taulantëve, arriti t’i çlirojë këto toka dhe t’i bashkojë me mbretërinë e tij. Duket se pas kësaj ai mori edhe titullin “mbret i ilirëve” në vend të titullit të mëparshëm “mbret i taulantëve”.
Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi shtetin ilir, Glaukia u përpoq të dobësonte ndikimin maqedon në Epir. Për këtë qëllim ai u afrua me mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua me Berojën, një bijë nga dera mbretërore molose. Në këtë politikë ai u ndesh me të birin e Antipatrit, Kasandrin, që pas shumë përpjekjesh ishte vendosur në krye të Maqedonisë. Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri rrëzoi nga froni molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i cili kishte ndërhyrë në grindjet e brendshme për fronin maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës së Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia mori nën mbrojtje dhe mbajti në pallatin e tij birin e mbretit të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi Pirron; ai nuk e bëri këtë as kur mbreti maqedon i premtoi si shpërblim shumën e madhe prej 200 talentesh, as kur ky e kërcënoi me luftë.

Shtrirja e sovranitetit mbi Dyrrahun e Apoloninë
Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri, duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej në Greqi pasi la këtu garnizone të fuqishme. Një vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi Apoloninë, por pa sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët. Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një rol të veçantë u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve, të cilët kishin ardhur për ndihmë. Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”. Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë për çështjet se përse korkyrasit ua dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se korkyrasit në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm të apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut cenonte interesat ekonomikë e politikë si të shtetit ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës, prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe nuk dëshironin t’i nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu duket se kishte qenë para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë apoloniatët Glaukisë më 313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të përkohshëm në këtë qytet të një grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit.
Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri para mureve të Apolonisë për të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon se “apoloniatët ishin lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse ishte kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër, por duhet nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha” se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të largohej, pasi kishte humbur një pjesë të mirë të ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto anë.
Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin e bregdetit Adriatik. Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh kishin njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë nuk duhet të ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita juridike e këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të ketë qenë pak e ndryshme nga ajo e Dyrrahut.
Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte Pirron në fronin molos. Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që kishte me të nëpërmjet së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato që e shtynë Glaukinë në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë kohë ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në kontradiktat iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin e humbur. Për këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe, ai hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit molos 12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh në favor të ilirëve. Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit ilir u kurorëzua me sukses.
Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm, duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm që ushtroi një ndikim të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.



Forcimi i pushtetit mbretëror
Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet më. Periudha që pason është mjaft e errët dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara, por ndonjëherë tepër të rëndësishme.
Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend në krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta. Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros. Plutarku thotë se pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës, Pirroja “u martua me shumë gra, për arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”. Një ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për një fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të cilën ai kishte dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e tyre, pa na thënë emrin e tij. Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë bregdetit Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë, megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij. Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e brendshme midis trashëgimtarëve apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e cila u shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është për t’u përjashtuar edhe pikëpamja sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire, ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim të tij.
Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit të ri si “mbret i lirëve” mbi një pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë zgjatur shumë. Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan dhe pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen shpejt. Në prologun e librit XXIV të historianit latin Trogut bëhet fjalë për “luftën që Ptolemeu e Kerouni (mbret i Maqedonisë) bënë me Monunin ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut”. Ky lajm që i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë flet për një sundimtar ilir që ndërhyn në grindjet për fronin maqedon si aleat i pretendentit tjetër, birit të Lysimahut. Sipas renditjes së Trogut, Monuni është kundërshtar i parë i Keraunit dhe mund të supozohet edhe iniciator i kësaj lufte. Sidoqoftë ky Monun duhet të ishte sundimtar i një vendi, kufijtë e të cilit takonin me Maqedoninë.
Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është zhvleftësuar duke i lënë vend mendimit se në rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet më e qartë nëpërmjet një monedhe të Dyrrahut. Kjo është një tridrahme, e cila mban simbolet e njohura të tridrahmes së mëparshme autonome të Dyrrahut; në faqe ka një lopë duke e pirë viçi, në shpinë një katror të mbushur me zbukurime lineare; ndryshe prej së parës monedha e re ka një peshë më të vogël (10,3-10,5 gr. në vend të 10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo ??? ka edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull derri mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat e vjetra. Në një variant tjetër monedhave të Monunit u është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit dhe është zëvendësuar me një heshtë. Këto tridrahme janë datuar me të drejtë pas vitit 300 p.e.sonë dhe përputhen si kohë me Monunin e përmendur prej Trogut.
Njoftimi i Trogut dhe prerja e kësaj monedhe dëshmojnë se me gjithë tronditjen që kishte pësuar shteti ilir mbas vdekjes së Glaukisë nga ndërhyrja e Pirros, Monuni kishte mundur të rimëkëmbte shtetin e tij në të gjithë territorin e dikurshëm, prej brigjeve të Adriatikut deri në kufi të Maqedonisë. Si duket, ai përfitoi nga largimi i Pirros për në Itali për t’i rikthyer shtetit të vet tokat e pushtuara. Pushteti i tij mbi Dyrrahun ishte rritur. Duke vënë dorë mbi punishten e monedhave, ai i thelloi më shumë se paraardhësi i tij marrëdhëniet me këtë qytet. Varianti i fundit i prerjeve të Monunit tregon se mbreti ilir duhet ta ketë ndjerë veten mjaft të fortë qysh se hoqi prej kësaj monedhe emrin e shkurtuar të Dyrrahut. Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet e tij me Apoloninë, por s’ka ndonjë arsye për t’i konsideruar të ndryshme. Edhe ky qytet duhet të ketë njohur sovranitetin e plotë të mbretit ilir, duke iu nënshtruar atij si Dyrrahu politikisht dhe ekonomikisht.
Pasardhës i Monunit dhe i fundit prej dinastisë së Glaukisë ka qenë Mytili. Edhe për të si traditë letrare kemi vetëm një njoftim të shkurtër në prologun e librit XXV të Trogut ku thuhet se “... i biri i tij /Pirros/, Aleksandri bëri me Mytilin luftën ilire”. Një monedhë bronzi e prerë edhe kjo në punishten e Dyrrahut vërteton plotësisht natyrën historike të personit të Mytilit. Kjo monedhë, e cila ka si simbole kryet e Herakliut në faqe dhe armët karakteristike të këtij heroi (harkun, mëzdragun dhe millin) në shpinë, ndryshon prej prototipit të vet, sepse në vend të nëpunësit monetar të Dyrrahut atë e siglon këtë radhë mbreti Mytil (??S???OS ???????), i cili ka hequr përveç kësaj nga monedha edhe legjendën e qytetit. Vetë këto të dhëna të monedhës tregojnë se Mytili ishte zoti i Dyrrahut dhe ushtronte mbi këtë qytet po atë pushtet që kishte edhe paraardhësi i tij Monuni. Monedha është tepër e rrallë, gjë që tregon se sundimi i tij ka qenë i shkurtër.
Lufta midis Mytilit dhe Aleksandrit, për të cilën bënte fjalë Trogu, i takon vitit 270 p.e.sonë. Për fat të keq nuk është ruajtur ndonjë njoftim i saktë mbi shkaqet dhe përfundimet e kësaj lufte, gjë që ka dhënë shkas edhe për supozime të ndryshme. Mendimi se ajo përfundoi në favor të Aleksandrit dhe se ky u bë përsëri zot i krahinave jugore të shtetit ilir, madje edhe i Apolonisë, u referohet Frontinit dhe Apianit. Një shqyrtim më i kujdesshëm i njoftimeve të tyre tregon se këto përfundime nuk janë plotësisht të drejta. ثshtë e vërtetë se Frontini, që plotëson Trogun, bën fjalë për një ndeshje në të cilën Aleksandri mundi ilirët, por përleshja zhvillohet në tokën epirote dhe nga ky lajm nuk del se ai pushtoi qoftë edhe ndonjë pjesë nga tokat e shtetit ilir. Sa për njoftimin e Apianit, ai ka karakter tepër të përgjithshëm dhe as ky dhe as ndonjë autor tjetër nuk paraqesin prova se Apolonia ka qenë nën sundimin e ndonjë mbreti epirot.

4. FUQIZIMI I SKLLAVOPRONARISث

Lulëzimi i qyteteve. Pamja e tyre
Periudha midis viteve 335-230 p.e.sonë është koha e shtrirjes së mëtejshme të jetës qytetare në Iliri, e zhvillimit të vrullshëm dhe e lulëzimit të qytetit ilir. Ajo përputhet me fuqizimin më të madh të shtetit ilir. Jeta qytetare u zhvillua veçanërisht në krahinat e ultësirës bregdetare, në shpinë të Dyrrahut e Apolonisë, zonë që përbënte tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave lindore në përbërjen e shtetit maqedon, këto qytete e humbën rëndësinë që kishin në kuadrin e shtetit ilir. Qytete të tjera, si Bylisi, Amantia, Kanina (Thronioni ?) janë ndër ato qytete të vjetra, që u rritën e u zhvilluan dhe luajtën në këtë kohë një rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën në këtë zonë edhe një varg qytetesh të reja, si Dimli, Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran), Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në Gradishtën e Belshit, në Selcën e Poshtme, në Irmaj etj., të panjohura më parë. Që nga kjo kohë jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare në veri të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni etj., lindën vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e shek. III p.e.sonë. Por në krahinat e brendshme të luginës së Matit e të Drinit të mesëm nuk ka ende dëshmi të qendrave urbane dhe duket se jeta qytetare këtu nuk u zhvillua.
Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit, por në disa raste si në Dimale, Olympe, Selcë e Poshtme etj., qyteti lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të lumit Mat është se ato janë të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij.
Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është e njëjtë për të gjitha qytetet ilire të kësaj kohe. Ato dallohen sipas madhësisë dhe rolit ekonomik e politik të tyre: ka qendra të mëdha qytetare, si Bylisi, Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra, Lisi etj., ka edhe qendra më të vogla prodhimi, si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza, Gurzeza, Kanina, Treporti, اuka e Ajtojt etj. Një kategori tjetër formojnë qendrat me fizionomi qytetare, por me funksione ushtarake dhe administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi, Peshtani, Rabija, Cerja, Lekli, Selo, Ripsi etj.
Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të rrethanave në të cilat lindi dhe u zhvillua qyteti ilir mund të veçohen tre tipa qytetesh.
Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të cilat kanë një akropol në majë dhe qytetin poshtë tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë qendër tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë jetë këtyre qyteteve zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u shtri nëpër faqet e kodrave. Kur u forcuan ekonomikisht qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse, duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës së vjetër u kthye në këtë rast në një mur të brendshëm të tërthortë, që ndante qytetin në dy pjesë: në atë të sipërm - akropolin, dhe në atë përfund tij - qytetin e poshtëm. Në Lis, ky tip qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një ndarje të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej prej pjesëve të tjera të qytetit me një mur të dytë të brendshëm.
Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën e vogël të një kodre të veçuar me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e qark qendrës së vjetër. U krijua kështu një tip qyteti me akropolin në mes dhe qytetin rreth tij. Qytetet e këtij tipi duket se nuk kishin një mur të jashtëm rrethues për lagjet e jashtme dhe mjaftoheshin vetëm me fortifikimin e akropolit.
Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi, Irmaj etj., u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë kryesisht të rrafshtë me kurrize e thyerje të buta. Këto qytete që lindën mbi një truall të ri duket se nuk kanë pasur akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me një mur të vetëm. Ato përbëjnë tipin e tretë të qyteteve ilire.
Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë të veçantë në zhvillimin e tij. Kodra e Klosit, mbi të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër, në fund të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit të kësaj qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte më të përshtatshme për këtë qëllim ishte kodra e Hekalit, 1 500 m prej Klosit, ku filluan të vendosen qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi të ri. Që nga kjo kohë të dyja qendrat u zhvilluan paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë dhe u bë më përfaqësuesi. I parë më vete Bylisi ka të gjitha tiparet e qyteteve të tipit të tretë, pa akropol. por së bashku me Klosin ai përbën një kategori të veçantë qyteti.
Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund t’u bëhen qyteteve ilire, trajtimi i tyre urbanistik u përgjigjej disa kërkesave themelore, siç ishin vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë kryesore, për banim, për veprimtari shoqërore e mbrojtje dhe krijimi sipas kushteve të terrenit, i unitetit midis agorasë dhe komplekseve të banimit.
Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të asaj kohe ishte modelimi sipas vijës së jashtme i mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon sa më mirë mundësitë mbrojtëse të terrenit. Në këtë sistem fortifikimi muret e qendrave të vjetra të epokës së hekurit shfrytëzoheshin vetëm pjesërisht. Qytetet e ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt të re që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe të Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal, kurse ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit, Irmajt e të Zgërdheshit, ndiqnin stilin kuadratik. Këto ishin mure të fuqishme të ndërtuara me blloqe të mëdha e të skalitura me një trashësi prej 2,70-3,50 m dhe që në kohën e vet arrinin një lartësi prej 10-12 m. Ato përforcohen tani me kulla të shumta.
Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy porta, qytetet që kanë tani një jetë më të dendur dhe lëvizje të madhe kanë porta të shumta, të mëdha e të vogla, për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve. Meqenëse portat përbënin pikat më të prekshme, mbrojtjes së tyre i kushtohej një kujdes i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin midis dy kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një e tillë e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën e djathtë të hyrjes, me qëllim që të shfrytëzohej krahu i zbuluar i armikut.
Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i brendshëm i këtyre qyteteve, por edhe ato të dhëna të pakta që kemi dëshmojnë se ato janë ndërtuar sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe në Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura të kohës helenistike. Përveç ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të mesëm e të poshtëm, në këto qytete dallohet edhe pjesa ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu i qytetit. Skodra e Lisi dhe qytete të tjera të ngritura buzë detit apo lumenjve, kishin edhe skelat e tyre.
Rrugët ishin një element themelor urbanistik që e ndanin qytetin në insola, që niseshin nga hyrjet kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin në drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët përbërëse të tij.
Vendet më në dukshme janë përdorur në qytetet ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt, teatrot, portikët, stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj., varret monumentale në Selcë të Poshtme etj. Kur terreni ishte i pjerrët, ai sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me anë tarracash.
Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin ujërat jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë të pijshëm mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuaret që ndërtoheshin brenda qytetit ose në trashësinë e mureve rrethuese.
Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin hapësira që ato zinin dhe perimetri i mureve të tyre rrethuese. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2 200 m; Bylisi shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha, ndërsa muret ishin 25 550 m të gjatë, kurse Klosi kishte pushtuar në kodrën e vet 18 ha tokë, që rrethoheshin prej muresh me një gjatësi prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen e saktë të Skodrës, por duket se ka qenë pak më e madhe se ajo e Lisit. Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale, Zgërdheshi kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret perimetrale nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë qytetesh, si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më të vegjël; muret e tyre ishin nën 1 400 m të gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 5-7 ha. Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese (jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempuj e ndërtime të tjera), prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e përbënte territori brenda mureve rrethuese.
Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë ruajtur dëshmojnë se ndërtimet e tyre u nënshtroheshin parimeve të njohura të urbanistikës antike. Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqisnin ndërtimet mbrojtëse dhe ato me karakter publik e privat, në atë shkallë të gjerë dhe në atë nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën këta ndërtues midis vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e një shoqërie skllavopronare që kishte mundësitë e organizimit dhe të sigurimit të materialeve për një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese.
Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara të epokës së hekurit në qytete nuk përfshin dhe as që mund të përfshinte të gjitha këto qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qytete vetëm ato që kishin një pozitë gjeografike të përshtatshme për një zhvillim më të lartë. Pjesa tjetër, më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre qendrave të lindin në rrugët e komunikacionit ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla, të fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative. Të tilla mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore nëpër Shkallën e Tujanit - Qafë Murrizë - Dibër - Maqedoni; qyteza e Shkamit në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën që lidhte ultësirën bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit; pikëvrojtimi i Rabies në Mallakastër, në rrugën që ndjek krahun e djathtë të Vjosës e të tjera si këto, të cilat gjenden pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës së dytë që përshkonin truallin e vendit tonë. Tek autorët antikë dhe në burimet epigrafike këto qendra përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve me termat castellum apo peripolia. Ato janë në funksion të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative, qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre pranë qafave ose rrugëve që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar një kurorë fortifikimesh në zonën gjeografike ku qyteti mbizotëron me ekonominë e vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë prodhimet e qytetit sesa prodhojnë vetë.



Rritja e prodhimit zejtar dhe e tregut
Në fushën e prodhimit kjo periudhë shënon përparime të dukshme. Punishte të shumta metalesh funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave, zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre qyteteve, dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut, veçanërisht ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin veglat e punës, armët dhe punoheshin stolitë e enët metalike që u nevojiteshin qytetarëve dhe banorëve të rretheve në jetën e tyre të përditshme. Gjetja me shumicë e këtyre sendeve në qytetet dhe në varrezat e kësaj kohe dëshmon për karakterin intensiv të prodhimit zejtar dhe për konsumin e gjerë të këtyre mallrave.
Në qytete kishte edhe punishte zejesh të tjera si ato për regjjen e lëkurave, punimin e veshmbathjes, endjen dhe thurjen e rrobave etj. Një nga zejet më të rëndësishme ishte ajo e gurgdhendësve, të cilët angazhoheshin në ndërtimet monumentale të qytetit, si në ndërtimin e mureve rrethuese të qytetit, në godinat shoqërore, në ngritjen e varreve monumentale etj. Veprimtaria e grupeve të specializuara të gurgdhendësve provohet nga guroret e zbuluara në Selcë të Poshtme, Bylis, Amantia, në shkallët e Konispolit etj.
Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria e prodhimeve qeramike. Enët prej balte që dilnin tani nga punishtet e qyteteve ishin të punuara kryesisht me çarkun e poçarit, kurse sasia e atyre të punuara me dorë është tepër e kufizuar. Kalimi në teknikën e re të prodhimit të enëve u shoqërua me largimin nga format tradicionale dhe me përshtatjen në shkallë të gjerë të formave greke. Nuk mungojnë edhe përpjekjet për të zhvilluar format e vjetra, por zakonisht ato çojnë në ndërthurje eklektike që nuk gjejnë përhapje të gjerë, me sa duket për shkak se nuk u përgjigjeshin kërkesave të tregut dhe shijeve të kohës. Prodhimi i enëve me forma greke merr përhapje të gjerë. Kështu nga furrat e punishteve qeramike të qyteteve ilire dalin tani enë të llojeve të ndryshme, duke filluar prej atyre të mëdha, si pitosa e amfora e deri tek enët e përdorimit të gjerë apo të luksit të lyera me vernik të zi apo të pikturuara. Një vend me rëndësi në këtë kohë zë edhe prodhimi i tullave e sidomos i tjegullave, që përdoreshin në ndërtimin e banesave dhe të godinave shoqërore. Sot njihen pothuajse për çdo qytet punishte qeramike të tilla që ishin pronë private e qytetarëve ilirë. Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat del se një punishte në Lis ishte pronë e një farë Ortai; në Irmaj pronarët e punishteve quheshin Trito, Pato, Bato dhe Pito; një vulë me emrin e Kleitit, nga rrethi i Gramshit i takon një punishteje në Irmaj. Një Plator vulos buzën e një pitosi të gjetur në Tren të Korçës, kurse një Epikad te një enë tjetër e këtij lloji nga rrethi i Pogradecit. Pronari i një punishteje qeramike në Selcë të Poshtme (Polion) quhej Gent , në Bylis (Klos) një punishte e tillë i takonte Balaneut , kurse në Dimal kemi pronarët Epikad dhe Olnio. Në qytete të tjera, si në Zgërdhesh e Margëlliç vulat e pronarëve janë të shënuara me monograme apo shenja simbolike. Krahas këtyre, nëpër këto qendra ka edhe vula që mbajnë emra grekë e maqedonë. Prania e këtyre emrave në vulat e punishteve qeramike të qyteteve ilire nuk është domosdo e lidhur me qytetarë të origjinës greke apo maqedone në këto qendra. Në periudha të caktuara dhe aty ku pati vend një pushtim i qëndrueshëm maqedon, kjo gjë padyshim edhe mund të ketë ndodhur. Por kjo dukuri lidhet kryesisht me ndikime të karakterit kulturor, si pasojë e të cilave këta emra u përhapën dhe u adaptuan nga popullsia ilire. Dëshmi të gjalla të kësaj dukurie vihen re në mbishkrimet varrimore të Apolonisë e të Dyrrahut ku emri i parë është grek, kurse i dyti, ai i atit, është ilir ose anasjelltas. Në Apoloni kemi emra të tillë, si Nikanori i Gentit (???a???a Ge?????), ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë (?????a G?a???a), Epiktesi i Tritos (?p??t???? ???t??), Teutaia e Aristionit (?e?t??a ??e?????), Euklidi i Tritos (?p??t?a?? ???t??), Teutaia e Aleksenit (?e?t??a ??e??????), Brygu i Afrodisit (?????? ?f??d?s?) etj.
Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të dendur të mallrave dhe zgjerimit të tregtisë. Prodhimet e zejtarisë së qyteteve ilire mbulojnë tani rrethin e tyre të ngushtë dhe lëvizin në drejtimet më të ndryshme për të ushqyer reciprokisht tregjet e njëri-tjetrit; jo rrallë ato shtrihen në krahina të brendshme. Në qoftë se deri në fund të shek. IV popullsia e këtyre krahinave të largëta kënaqej me prodhimet e qeramikës lokale të punuar me dorë ndërsa prodhimet e importit ishin sende luksi tepër të rralla, më vonë prodhimet e qeramikës qytetare ilire depërtojnë gjerësisht në këto anë dhe hyjnë në konsumin e përditshëm të popullsisë. Zonat e thella të dasaretëve dhe të fiseve të tjera më të vogla që banonin në krahinat malore të rrjedhjeve të sipërme të Shkumbinit, të Devollit dhe të Osumit furnizonin me prodhimet e tyre qytetet e jugut, të cilat ishin më të dendura dhe më të zhvilluara.
Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apoloninë bëhen më intensive. Megjithëse këto nuk janë më qendrat e vetme që furnizojnë tregun ilir, prapëseprapë vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm. Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë të zonave të tregtimit: ndërsa Dyrrahu shtrin veprimtarinë e vet kryesisht mbi krahinat në veri të Shkumbinit, në orbitën e Apolonisë hyjnë ato në jug të këtij lumi. Përmes këtyre dy qendrave përhapen gjerësisht në Iliri edhe prodhimet e qyteteve të Apulisë. Mallrat e qendrave greke që gjenden krahas tyre janë përkundrazi më të rralla, kurse ato maqedone dhe të Epirit ndeshen kryesisht në zonat kufitare.
Rrugët kryesore nëpër të cilat lëviznin mallrat dhe zhvillohej tregtia me botën ilire ishin luginat e lumenjve; ndër to ajo e Drinit, e Shkumbinit, e Devollit, e Osumit dhe e Vjosës formonin arteriet më të rëndësishme. Rrugë të tjera të shumta, të dorës së dytë, përshkonin grykat e ngushta dhe qafat e maleve për të lidhur njërën krahinë me tjetrën. Sado të vështira që ishin këto rrugë, asnjë krahinë e Ilirisë Jugore nuk mbeti në këtë kohë e izoluar dhe jashtë ndikimit të marrëdhënieve tregtare me qytetet. Më e rëndësishmja është se në tregun e brendshëm mbizotëronin prodhimet lokale, të cilat konkurronin si me prodhimet që vinin nga Dyrrahu e Apolonia, ashtu edhe me ato të importit dhe që ishin kryesisht sende luksi.
Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar u lejoi qyteteve Skodra, Bylis, Amantia e Olympe të presin gjatë gjysmës së parë të shek. III monedhat e tyre prej bronzi në emër të bashkësive qytetare përkatëse.

Organizimi shoqëror e politik
Burimet nuk hedhin dritë plotësisht mbi strukturën shoqërore dhe organizimin politik të qytetit ilir. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se një bazë ekonomike e tillë si ajo që u krijua në Iliri në kohën e lulëzimit të jetës qytetare i takonte një shoqërie antike të zhvilluar me të gjitha tiparet e saj.
Duke qenë qendra ekonomike, një vend me rëndësi në popullsinë e qyteteve zinte shtresa e prodhuesve zejtarë dhe e mjeshtërve ndërtues, të cilët mund të ishin qytetarë të lirë ose dhe skllevër. Prania e këtyre të fundit dëshmohet në qytetet ilire vetëm përmes burimeve që lidhen me ngjarjet e mbarimit të shek. III dhe ato të fillimit të shek. II p.e.sonë, por nuk ka dyshim se në këtë kohë ato nuk janë një dukuri e re, ashtu si nuk janë vetë qytetet që përmendëm. Shtresën tjetër të popullsisë e përbënin pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe në qytetet bregdetare, detarët. Krahas tyre, në qytetet ilire jetonin, me sa duket, edhe përfaqësues të aristrokracisë së vjetër fisnore që mbështeteshin në pronën e tokave dhe të blegtorisë. Si e tillë popullsia e qyteteve paraqitej në këtë etapë e diferencuar shumë qartë në shtresa shoqërore me interesa të ndryshme.
Nga pikëpamja e organizimit politik mbi bazën e federalizmit qyteti së bashku me rrethinat fshatare dhe kështjellat që formonin sistemin e tij mbrojtës dhe u shërbenin nevojave të tregtisë, përbënin koinonin që mbante emrin e qytetit kryesor, i cili ishte qendra e kësaj njësie. Koinoni kishte organe që zgjidheshin çdo vit nga eklesia ose mbledhja e përgjithshme. Prej saj dilte këshilli legjislativ ose buleja, si dhe organi përfaqësues i njësive i përbërë nga damiorgët. Zbatimi i vendimeve bëhej nga një kolegj nëpunësish, të quajtur prytanë që zgjidheshin çdo vit, të shoqëruar nga një sekretar. Në krye të koinonit qëndronte strategu. Në koinonin e bylinëve strategu ishte një nëpunës ushtarak që shoqërohej në këtë funksion edhe nga hiparku, komandanti i kalorisë. Pastaj vinin me radhë nëpunësit e ngarkuar me edukimin e rinisë (gymnasiarkët), me organizimin e festave dhe të garave sportive (epimeletët), me drejtimin e rojeve (toksarkët, peripolarkët) etj.
Koinoni duke qenë një organizëm autonom përbënte një njësi administrative të shtetit ilir. Si rrjedhim, shteti përbëhej nga disa koinone të organizuara mbi bazën e federatizmit.
Veprimtari e rëndësishme e qyteteve ishte emetimi i monedhave. Skodra, Lisi, Bylisi, presin monedhat e tyre në emër të bashkësive qytetare, gjë që dëshmon jo vetëm për fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve, por edhe për një autonomi politike që ato gëzonin në kuadrin e shtetit ilir. Simbolet e monedhave të tyre hedhin dritë, mbase edhe mbi karakterin e pushtetit politik në këto qytete. Pasqyrimi i anijes në monedhat e Skodrës ka mundësi të përfaqësojë një shenjë për tregtinë detare që zhvillonte qyteti dhe të jetë, në këtë mënyrë, një e dhënë e tërthortë për peshën sunduese të shtresës tregtare në qytet. Në Bylis, përkundrazi, përdoret si simbol fytyra e themeluesit legjendar të qytetit, duke theksuar me këtë traditën, me të cilën lidhej kryesisht shtresa aristrokratike e qytetit.
Pak më i qartë bëhet ky problem në burimet e çerekut të fundit të shek. III. Këtu për herë të parë bëhet fjalë se në krye të qyteteve qëndronin polidinastet (sundimtarë të qyteteve), të cilët i nënshtroheshin plotësisht pushtetit të mbretit.



Dyrrahu dhe Apolonia
Përfshirja e Dyrrahut dhe e Apolonisë në gjirin e shtetit ilir pati pasoja të rëndësishme si për jetën e këtyre qyteteve, ashtu edhe për vetë shtetin ilir.
Të dhënat arkeologjike tregojnë se qysh nga çereku i fundit të shek. IV p.e.sonë, lidhjet e këtyre qyteteve me botën ilire bëhen më të dendura dhe më të drejtpërdrejta. Tregtisë së Dyrrahut dhe të Apolonisë iu hapën lirisht rrugët e gjera të tregut ilir. Që nga kjo kohë në krahinat e brendshme ilire fillojnë të depërtojnë me lehtësi prodhimet e zejtarisë së zhvilluar të tyre. Nëpërmjet këtyre qyteteve, në Iliri hynin mallrat e importit, midis të cilave vendin më të rëndësishëm e zinin ato që vinin nga brigjet e përtejme të Adriatikut.
Dyrrahu dhe Apolonia fillojnë të hedhin në treg monedha të reja argjendi, ndër të cilat përhapje të gjerë merr drahma e argjendtë e këtyre dy qyteteve. Ajo ishte destinuar kryesisht për tregtinë me botën ilire, prandaj edhe me të drejtë është pagëzuar “drahma ilire”. Shfaqje e re e kësaj kohe është prerja nga këto qytete e monedhave të bronzit. Vënia në qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë gjetjet, i këtyre monedhave me vleftë shumë herë më të vogël se monedhat e argjendit, tregon se ekonomia monetare ishte zhvilluar në një shkallë të gjerë në Iliri.
Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një periudhë të vërtetë lulëzimi. Ndërtimet më të rëndësishme e më monumentale në këto qytete i përkasin periudhës pas mesit të shek. IV p.e.sonë. Forcimi ekonomik dhe pasurimi i tyre nga tregtia me botën ilire u lejuan të ndërtonin mure të fuqishme mbrojtëse, që përfshinin në gjirin e tyre sipërfaqe shumë më të mëdha nga ato që njihnin më parë, të ngrinin tregje e sheshe publike, shëtitore, tempuj, gjimnaze e godina të mëdha administrative.
Një dukuri e re filloi të përshkojë dhe të ndryshojë në një drejtim të caktuar jetën shoqërore të këtyre qyteteve dhe përbërjen e mëparshme etnike të tyre. Emrat ilirë që janë gjetur vitet e fundit mbi gurët e varreve të zbuluara në nekropolin e Dyrrahut, përbëjnë mbi 1/3 e tërësisë së emrave të njohur në këtë qytet nga monumentet epigrafike. Këto emra dëshmojnë praninë në masë të popullsisë ilire në to. Emrat ilirë të prytanëve dhe të nëpunësve monetarë që gjenden në të dyja faqet e monedhave prej argjendi dhe bronzi dhe emrat në vulat e tjegullave të Dyrrahut dhe të Apolonisë, tregojnë se popullsia ilire kishte një peshë me rëndësi në jetën ekonomike, dhe kishte siguruar të drejta qytetare të plota deri në zënien e posteve më të larta në jetën administrative e politike të qytetit. Midis emrave të shumtë ishin edhe këta: ??????, Ge?????, ?a????, ?aa???da?, ???ta???, ?????????, ???t??, për Dyrrahun, ?at??, ?p??ad?? etj., për Apoloninë.
Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.e.sonë, Dyrrahu dhe Apolonia humbasin karakterin tipik të një kolonie, mbasi popullsia e tyre përbëhet në një përqindje të madhe edhe nga ilirët. Procesi i ilirizimit të këtyre qyteteve, rezultat i shtrirjes së sovranitetit ilir mbi to, ushtroi një ndikim të thellë mbi gjithë jetën sociale-politike e kulturore të Ilirisë në shekujt e mëpastajmë. Rezultati i këtij procesi qe shkëputja e plotë e Dyrrahut dhe e Apolonisë nga qytetet mëmë dhe integrimi i tyre i plotë në jetën ekonomike e politike të shtetit ilir. Këtë integrim e favorizonte përputhja e interesave të tyre ekonomike e politike me ato të shtetit ilir. Mbreti dhe shtresa sunduese e shtetit ilir lakmonin fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët e Dyrrahut dhe të Apolonisë pushtetin e fuqishëm të sundimtarëve ilirë mbi një krahinë shumë më të gjerë se sa territoret e ngushta të qyteteve-shtete të tyre me pasuri dhe treg të gjerë. Rezultati u arrit, siç tregojnë faktet, sado të pakta, nëpërmjet një lufte të ashpër politike, mjaft të ndërlikuar, ku u përzien edhe fuqi të jashtme, por edhe si rrjedhojë e një domosdoshmërie të diktuar nga kushtet objektive të kohës.


5. RثNIA E DINASTISث Sث GLAUKISث

Gjendja politike në vitet 270-231
Pas luftës së fundit të Mytilit kundër Aleksandrit II të Epirit, në vitin 270, nuk flitet më në burimet për shtetin ilir. Duke zbritur drejt vitit 230 dalin të dhëna të reja mbi këtë shtet.
Megjithëse në vështrimin e parë kjo duket si një periudhë e errët, ajo përbën në vetvete një faqe me shumë interes në historinë ilire. Gjatë gjysmë shekulli, që nga Glaukia deri te Mytili, shteti ilir kishte mundur t’i bënte ballë me sukses agresionit të Kasandrit dhe më pas të Pirros e pasardhësit të tij. Të gjithë këta kishin dështuar në ndërmarrjet e tyre dhe më në fund qenë detyruar të hiqnin dorë prej Ilirisë. Ndërkaq gjendja në Greqi mbetej e paqëndrueshme. Sundimtarët maqedonë, Antigon Gonata dhe i biri i tij Demetri, u gjendën tërësisht të angazhuar në teatrin grek të veprimeve politike e ushtarake për të ruajtur hegjemoninë e Maqedonisë në këto anë.
Për shtetin ilir kjo qe një periudhë qetësie në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht me Maqedoninë, dhe me këtë duhet shpjeguar edhe heshtja e burimeve. Por nuk qe Gonata ai që “diti, siç pretendohet, t’u imponojë paqen fqinjëve veriperëndimorë”. Burimet nuk bëjnë fjalë për një gjë të tillë. Në qoftë se midis Ilirisë dhe Maqedonisë nuk pati në këtë kohë ndonjë konflikt, kjo duhet shpjeguar më tepër me faktin se ilirët, të lodhur nga luftërat e deriatëhershme, nuk mundnin, pra, edhe nuk kërkuan t’i shfrytëzonin vështirësitë e Maqedonisë në interes të tyre.
Ndërkaq ka të ngjarë që nga mesi i shek. III p.e.sonë ose pak më parë shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk njihen mirë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në zëvendësimin e dinastisë sunduese të Glaukisë me atë të Agronit dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, të Dyrrahut e të Apolonisë, nga shteti ilir.
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

K R E U I V

SHTETI I EPIRIT


1. LINDJA E SHTETIT TEK EPIROTثT



Territori dhe popullsia
Në periudhën antike treva që nga malet e Llogarasë dhe të Kudhësit me rrjedhjen e mesme të Vjosës në veri dhe deri në gjirin e Ambrakisë dhe në kufijtë e Etolisë në jug, që nga malet e Pindit në lindje e deri tek brigjet e detit Jon në perëndim, përbënte një njësi gjeografike-politike më vete të formuar historikisht dhe të njohur me emrin Epir, nga greqishtja e vjetër Apeiros që do të thotë stere, tokë.
Me fjalën Epir autorët grekë nënkuptonin në fillim çdo vend kontinental përballë ishujve. Po me këtë kuptim, p.sh., Homeri e quan Akarnaninë Epir, gjithashtu më vonë edhe Tukididi. Kështu i quanin edhe brigjet përkundrejt tyre banorët e ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e vet ishullore.
Ky emër i përdorur në fillim si një emër i përgjithshëm për të caktuar pozitën kontinentale të krahinës etnikisht ilire, që ndodhej përballë tyre, u shndërrua më vonë në një nocion të përveçëm gjeografik, që i atribuohej një krahine të veçantë me kufijtë pak a shumë të përcaktuar historikisht.
Në këtë kuptim emri Epir ndeshet për të parën herë tek shkrimtari grek i fundit të shek. VI p.e.sonë, Hekateu, kur thotë se Oriku është liman i Epirit, dhe pak më vonë tek Pindari, i cili e quan Epirin “të famshëm me hapësira kodrash të shkëlqyeshme ... që fillojnë nga Dodona e deri në brigjet e Jonit”.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, me transformimin e bashkësisë molose në një shtet të ri federativ, të quajtur epirot, që përfshinte pjesën më të madhe të popullsisë së këtij territori duke pasur një nënshtetësi të vetme, epirote, emri Epir merr tani një kuptim të përcaktuar qartë politik.
Shkrimtari grek i shek. IV p.e.sonë numëron në këtë kohë në Epir vetëm 14 fise, por nga burimet e tjera historike-epigrafike rezulton që ky numër të ketë qenë shumë më i madh. Nga fiset më kryesore ilire, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë politike të kësaj krahine, përmenden sidomos thesprotët, kaonët, molosët etj. Ndërmjet këtyre fiseve ndodhnin luftëra të vazhdueshme për epërsi territoriale dhe politike dhe kishte një prirje për separatizëm midis sundimtarëve të veçantë të tyre. Kjo gjendje vazhdoi të paktën deri në fillim të shek. IV p.e.sonë, kur mbretërit molosë arritën t’u imponohen shumë prej fiseve fqinje epirote dhe të krijonin një mbretëri të fuqishme, me bazë federative, që autorët grekë e quanin Koinon të molosëve.

Premisat për krijimin e shtetit në Epir
Si rezultat i zhvillimit të mëparshëm ekonomiko-shoqëror, në shek.V p.e.sonë në Epir ishin krijuar të gjitha premisat për lindjen e formacioneve të hershme shtetërore.
Diferencimi social, sidomos tek fiset ekonomikisht më të përparuara të kësaj krahine, siç ishin molosët, kaonët, thesprotët etj., pasqyrohet qartë në burimet historike që në shek. VIII-VII p.e.sonë, por tani ai merr përpjesëtime më të gjera. Aristokracia epirote e tokës dhe e bagëtive, kishte arritur t’u impononte pushtetin e vet prodhuesve të vegjël fshatarë dhe të shfrytëzonte për interesat e saja ekonomike punën e shtresave të tjera e të skllevërve.
Në duart e kësaj aristokracie ishin grumbulluar tashmë pasuri të mëdha që i mundësonin asaj të hynte në marrëdhënie të ngushta me shoqërinë antike të Greqisë.
Në gjysmën e dytë të shek.V p.e.sonë, në Epir ekzistonin edhe shtresa të tjera; përveç aristokracisë së tokës, ishte fuqizuar edhe shtresa e zejtarëve e tregtarëve. Shumë kuptimplotë në këtë drejtim paraqitet një mbishkrim i vitit 427/426 zbuluar në sanktuarin e Poseidonit në Tenarë, sipas të cilit një farë Eskrioni, epirotas, liron skllavin e tij, Herakleid, duke ia kushtuar këtë akt hyut të detrave. Sipas përmbajtjes dhe vendgjetjes së mbishkrimit Eskrioni duhej të kishte qenë pikërisht njëri nga përfaqësuesit e tregtarëve skllavopronarë epirotas të lidhur me tregtinë detare. Kjo është prova më e hershme epigrafike, që dëshmon për ekzistencën e institucionit të skllavërisë në Epir të paktën që nga gjysma e dytë e shek. V p.e.sonë.
Mbi bazën e këtij diferencimi të brendshëm dhe të luftës së vazhdueshme që bënin sundimtarët e fiseve të veçanta për nënshtrimin e fqinjëve të tyre, në Epir lindën një tok federatash, sistemi politik i të cilave mbështetej në bashkimin e një grupi fisesh të federuara të quajtura koine.
Më herët këto bashkësi u krijuan rreth fiseve ekonomikisht dhe politikisht më të fuqishme të Epirit, si tek thesprotët, kaonët dhe molosët. Ashtu siç paraqiten në mesin e shek.V, ato ndryshonin midis tyre jo vetëm nga madhësia dhe rëndësia politike, por edhe nga struktura e tyre organizative. Sipas një lajmi të Tukididit, i cili u referohet viteve të para të luftës së Peloponezit, Koinonet e kaonëve dhe të thesprotëve nuk e njihnin pushtetin e mbretit. Në krye të tyre qëndronin dy magjistratë më të lartë ekzekutivë të quajtur në traditën historike, prostatë, të cilët zgjidheshin çdo vit nga rrethet aristokratike të fisit që kryesonte Koinonin.
Molosët, ndryshe nga dy koinonet e para, sundoheshin nga mbretër, pushteti i të cilëve tanimë ishte bërë i trashëgueshëm. Tukididi përmend që në vitin 470 p.e.sonë një mbret molos Admetin, që i dha strehim politik gjeneralit grek Themistokliut të dëbuar me ostrakizëm nga Greqia. Sipas përshkrimit të kësaj ngjarjeje, Admeti paraqitet si një sundimtar me origjinë fisnike, i fuqishëm dhe me influencë deri në rrethet qeveritare të Athinës.
Për veprimtarinë politike të federatave të Epirit burimet historike heshtin pothuajse fare. Ato i shohim të dalin në skenën e historisë vetëm në kohën e luftës së Peloponezit, kur ushtritë e kaonëve, të thesprotëve, të molosëve etj., me sundimtarët e tyre në krye, marrin pjesë në anën e Spartës në ekspeditën luftarake kundër qytetit Strato të Akarnanisë.
Midis këtyre bashkësive të veçanta rolin më të rëndësishëm dhe aktiv në historinë politike të vendit filloi ta luajë Mbretëria e Molosëve. Në qoftë se deri në fundin e shek. V p.e.sonë këto bashkësi vepronin të veçuara dhe në konflikte të brendshme me njëra-tjetrën, tani është Mbretëria Molose ajo që do të marrë iniciativën për të zgjeruar pushtetin e saj dhe për ta vënë Epirin në rrugën e bashkimit të tij politiko-ushtarak.




2. KOINONI (LIDHJA) E MOLOSثVE

Gjendja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore e Epirit në fundin e shek. V dhe gjatë shek. IV p.e.sonë
Nga fundi i shek.V dhe sidomos gjatë shek. IV p.e.sonë, në Epir vihet re një zhvillim i mëtejshëm i ekonomisë në të gjitha degët e saj: në bujqësi, blegtori, e sidomos në zejtari; zhvillohet prodhimi i mallrave, zgjerohen lidhjet tregtare etj.
Në Epir shfaqet tani një faktor shumë i rëndësishëm që luan një rol të ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm, ky është qyteti epirot. Kështu në fundin e shek. V dhe në gjysmën e parë të shek. IV, sipas të dhënave burimore historike dhe arkeologjike, lindin qytetet Kasope, në krahinën e Kasopisë në skajin jugperëndimor të Epirit dhe Elea afër Velianit në krahinën Eleatis të Thesprotisë. Në Epirin Qendror lindin qytetet Passaron (Gardhiqi), kryeqendra tradicionale e shtetit të molosëve dhe qyteti i Kastrisë që identifikohet me Euremenin ose Tekmonin antik.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë urbanizimi në Epir mori përpjesëtime më të mëdha dhe rritet akoma më shumë pesha e tij në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Lindin qytete të reja, midis të cilave në Thesproti, Elina (Dymokastro), Kutçi dhe Gitana (Gumani) që sipas Tit-Livit, duhet të ishte qendra kryesore e Koinonit të thesprotëve; në Kaoni, Teqeja e Melanit, Himara, Foinike (Finiqi), që ishte qyteti më i madh dhe më i fortë i Kaonisë dhe kryeqendra e saj.
Qytetet e Epirit, ashtu sikurse dhe ato të Ilirisë, ishin të fortifikuara me mure të fuqishme prej blloqesh shumëkëndëshe ose të ndërthurura me teknikë muraturash trapezoidale apo kuadratike sipas kushteve të veçanta të terrenit ose të guroreve. Për përforcimin e mureve ngriheshin kulla në vendet më të atakueshme nga armiku. Në sistemet më të hershme fortifikuese këto kulla mungonin ose ishin dukuri të rralla. Vetëm nga gjysma e dytë e shek. IV, ato hynë në përdorim të gjerë si një komponent i nevojshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të teknikës luftarake.
Mënyra antike e prodhimit i dha një hov të menjëhershëm prodhimit zejtar dhe sidomos atyre degëve që lidheshin me ndërtimet. Brenda mureve mbrojtëse të këtyre qyteteve kishte muratorë, gurskalitës, farkëtarë, poçarë, tjegullabërës, arkitektë etj. Zhvillimi i degëve të ndryshme të zejtarisë dhe shtimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nxitën dhe më tej zgjerimin e tregtisë brendapërbrenda, me kolonitë helene të bregut të Jonit dhe sidomos me krahinat fqinje mesdhetare. Kjo e fundit zhvillohej më tepër përmes trafikut detar, të përcaktuar nga vetë pozicioni i favorshëm bregdetar i krahinave, megjithëse funksiononin në këtë drejtim dhe rrugët tokësore.
Në qoftë se deri në shek. V p.e.sonë Epiri lidhjet ekonomike i mbante kryesisht me Korinthin dhe kolonitë e tij në brigjet e Jonit, nga fundi i këtij shekulli ai filloi të orientohet edhe nga Athina. Tani janë mallrat e prodhimit atik, ata që mbizotërojnë në tregjet e Epirit. Prej këtej Athina si këmbim tërhiqte prodhime bujqësore e sidomos blegtorale, lëkura, lëndë druri etj., për të cilat ajo kishte gjithnjë nevojë. Në zhvillimin e tregtisë detare rol të veçantë luanin edhe portet detare në brigjet e Kaonisë, si Onkesmi, Himara, Butrinti etj.
Zgjerimi dhe intensifikimi i tregtisë çoi nga ana e vet në shtimin progresiv të prodhimit të mallrave, bëri të nevojshme lindjen dhe qarkullimin e monedhës autonome. Në fillim ishte Lidhja e Molosëve ajo që hedh e para në treg monedhën e vet (rreth viteve 400 p.e.sonë). Këto ishin monedha kryesisht prej bronzi, megjithëse pati në këtë kohë edhe prerje jetëshkurtër dhe të kufizuar monedhash prej argjendi. Më vonë filluan të presin monedha edhe qytete të veçanta dhe në fund të shek. IV edhe shteti federativ i epirotëve.

Mbretëria e Molosëve gjatë sundimit të Tharypës (423-385 p.e.sonë)
Në çerekun e fundit të shek. V p.e.sonë shtetin e molosëve e kryesonte Tharypa (423-385 p.e.sonë), i cili, sipas një lajmi të Tukididit, e trashëgoi fronin mbretëror të babait në një moshë të mitur duke pasur për një kohë si tutor Sabylintin, prijësin e atintanëve.
Tradita historike i atribuon këtij sundimtari një seri reformash të karakterit ekonomik, ushtarak dhe kulturor, të cilat çuan në zgjerimin dhe në forcimin e mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Në radhë të parë ato prekën formën e hershme të qeverisjes dhe legjislacionin e vjetër të vendit. Kuvendi i popullit si organ i trashëguar nga rendi i komunës primitive, mori tani përmbajtje të re. Në organet drejtuese të shtetit, rol të rëndësishëm fillon të luajë prostati, funksionari më i lartë i shtetit pas mbretit. Ky zgjidhej për çdo vit në Kuvendin e Popullit nga rrethet aristokratike, të cilat ushtronin fuqishëm autoritetin e tyre në kuvend. Duke qëndruar pranë mbretit, si mbrojtës i ligjeve të vendit, prostati në fakt e kufizonte shumë pushtetin mbretëror, dhe me këtë ai ruante të palëkundshme pozitat e aristokracisë në veprimtarinë politike të shtetit.
Kjo formë e kufizuar e pushtetit qendror nga aristokracia e tokës, si edhe ligjërimi i të drejtave të tjera të saj, i japin Mbretërisë Molose atributet e një shteti me mbeturina të theksuara të rendit fisnor.
Mbretëria Molose që në fillim të veprimtarisë së saj politike tërhoqi vëmendjen e shteteve fqinje të Mesdheut dhe sidomos të Athinës dhe të Spartës, të cilat sapo kishin nisur midis tyre konfliktin e armatosur për supremaci ekonomike dhe politike në Greqi. Në këtë konflikt historikisht të njohur si Lufta e Peloponezit dhe që, siç dihet, zgjati me ndërprerje të vogla plot 28 vjet (432-404 p.e.sonë) dhe pati pasoja të rënda për Greqinë, të dyja palët ndërluftuese bënë përpjekje që të siguronin përkrahjen e shtetit të ri të molosëve, meqë territori i tij zinte një pozicion mjaft të favorshëm strategjik me rrugën midis brigjeve veriperëndimore të Greqisë dhe të Maqedonisë e Thesalisë.
Në fillim ishte Sparta ajo që ushtroi ndikimin e saj mbi shtetin molos. Në vitin 429 p.e.sonë, molosët i ofrojnë asaj deri ndihmën ushtarake, duke dërguar kontingjente të konsiderueshme luftëtarësh për pushtimin e qytetit Stratos të Akarnanisë.
Mirëpo edhe pas kësaj fushate të pasuksesshme, e cila synonte të dobësonte ndikimin e Athinës në këtë zonë kufitare të Epirit, diplomacia athinjote nuk hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetin e molosëve. Ajo kishte shumë nevojë për përkrahjen e këtij shteti të ri energjik në qendër të Epirit. Përmes territorit të tij Athina mund të kontrollonte nga shpina maqedonët e paqëndrueshëm të Perdikës si dhe thesalët, me të cilët ajo sapo kishte krijuar lidhje miqësore pas kryengritjes së lynkestëve (433 p.e.sonë).
Nga ana tjetër, me këto marrëdhënie Athina synonte të kishte edhe përfitime ekonomike. Se sa rëndësi i jepte Athina lidhjeve me shtetin molos, këtë e tregon dhe fakti se ajo në këtë kohë merr përsipër edukimin e Tharipës së vogël në një nga shkollat e Athinës dhe e pret atë më vonë në Athinë me nderime të veçanta duke e regjistruar si qytetar nderi.
Për vendosjen e marrëdhënieve të mira me Athinën ishte i interesuar gjithashtu edhe vetë shteti i molosëve, i cili kërkonte të siguronte përkrahje për politikën e zgjerimit territorial që projektoi Tharypa, të cilën ai filloi ta realizonte në vitet e fundit të jetës së tij.
Këto marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe politike me Athinën i hapën rrugë depërtimit të ndikimit të qytetërimit helen, i cili u shfaq në strukturën organizative të shtetit, në ndërtimet, në përdorimin e gjuhës dhe të shkrimit grek në rrethet e aristokracisë dhe të administratës shtetërore, në trajtimin tipologjik dhe metrologjik të monedhave të para molose sipas prototipave të monedhës atike të fundit të shek.V dhe fillimit të shek. IV p.e.sonë. Ky ndikim do të shfaqet gjithashtu dhe në jetën kulturore e artistike, qendra e së cilës bëhen qytetet. Në Passaron, p.sh., mendohet të jetë ftuar dramaturgu i shquar grek Euripidi, për të vënë në skenë tragjedinë e tij “Andromaka”, ku lavdërohej origjina dinastike e mbretërve molosë. Kjo vepër ndikoi shumë në kultivimin e mitit gjenealogjik të molosëve, sipas të cilit zanafilla e tyre i referohet tani Molosit, biri i Neoptolemit të Akilit dhe i Andromakës, të vesë së Hektorit, që pas shkatërrimit të Trojës erdhën dhe u vendosën në Epir.




Lidhja Molose (çereku i parë i shek. IV p.e.sonë).
Struktura e saj organizative
Gjatë sundimit të Alketës, birit të Tharypës, shteti molos mori zhvillim të mëtejshëm. Nuk është përcaktuar me saktësi se në ç’kohë dhe në ç’rrethana e trashëgoi fronin. Dihet se në vitin 385 p.e.sonë ai gjendej i strehuar politik tek Dionizi, tirani i Sirakuzës. Në burimet historike nuk jepen as motivet që e shtynë Alketën të braktiste fronin. Ka mundësi që ky, duke dashur të vazhdonte politikën e aleancës me Athinën, në një kohë kur kjo kishte pësuar tashmë humbje ushtarake dhe diplomatike nga Sparta, të ketë ndeshur në kundërshtimin e partisë filospartane. Në këtë kohë kjo filloi të aktivizohej shumë, sidomos pas fitoreve të Agesilaut në Akarnani (389-388 p.e.sonë), që i hapën rrugën Spartës për të shtrirë ndikimin e vet jo vetëm në Greqinë Veriperëndimore, por edhe në Epir.
Dionizi që ishte interesuar dhe po vepronte aktivisht për të vendosur një kontroll efektiv në detin Adriatik dhe mbi rrugët që të çonin për në Epir, e mirëpriti Alketën dhe e ndihmoi atë që të rikthehej në fronin e humbur. Me këtë mënyrë tirani i Sirakuzës synonte të siguronte një aleat të ri, që do të përkrahte pikësynimet e tij politike dhe tregtare në brigjet e Ilirisë dhe të Epirit. Për këtë qëllim në vitin 385 p.e.sonë, Dionizi bëri një marrëveshje me Alketën për të ndërhyrë ushtarakisht në territorin e shtetit të molosëve duke i siguruar një ndihmë efektive në kontingjente luftarake dhe armatime. Ky sulm i papritur i forcave të bashkuara iliro-sirakuzane, u shkaktoi molosëve rreth 15 000 të vrarë sipas Diodorit të Sicilisë. Përforcimet që u dërgoi Sparta molosëve nuk e ndryshuan gjendjen e tyre të vështirë. Siç duket, ajo nuk u angazhua aq shumë në këtë luftë, pasi nuk ishte e interesuar të hynte në konflikt me Dionizin. Kështu ky aksion i nxitur prej tiranit të Sirakuzës përfundoi me sukses dhe me rivendosjen e Alketës në krye të shtetit molos.
Pasi përforcoi pozitat brendapërbrenda mbretërisë, Alketa vazhdoi politikën e zgjerimit territorial të shtetit të tij të filluar që në kohën e Tharypës, rivendosi marrëdhëniet e ndërprera për pak kohë, me Athinën. Në vitin 377 ndihmoi aktivisht Lidhjen e dytë detare të Athinës, duke lehtësuar veprimet e saj luftarake kundër Spartës në pellgun e Jonit. Në vitin 372 p.e.sonë Alketa i dha mundësi një reparti prej 600 pelltastësh të Stesiklit, të kalonin nëpër territorin molos dhe të lidheshin në Korkyrë përmes bregut të Epirit.
Me politikën e tij ekspansioniste, Alketa arriti të shtrijë sovranitetin e vet mbi një territor të konsiderueshëm të Epirit. Sipas një mbishkrimi dekretor të viteve 370-368 p.e.sonë kufijtë e Mbretërisë Molose që trashëgoi në këtë kohë i biri i tij Neoptolemi, shtriheshin në lindje deri në Hestiotiden perëndimore, në verilindje deri në kufijtë e Orestides në luginën e sipërme të Haliakmonit dhe në veriperëndim përmes një rripi toke deri në kufijtë e Parauejes në rrjedhjen e mesme të Vjosës. Molosët dolën në det siç duket në zonën e Kestrinës, në veri të lumit Kalama (Thiamis). Nga perëndimi pas aneksimit të Dodonës në fund të shek. V p.e.sonë, molosët e shtrinë kontrollin e tyre deri tek lugina e sipërme e Aheronit.
Kjo shtrirje territoriale e Mbretërisë Molose në kohën e Alketës, duket se përputhet plotësisht me cilësimin që i bën këtij sundimtari Polidami i Fardales në një fjalim të transmetuar nga historiani e gjenerali grek Ksenofoni, kur e quan atë “sundimtar suprem të Epirit”.
Këto të dhëna burimore dhe epigrafike tregojnë se në kohën e këtij sundimtari dhe të pasardhësit të tij kishte avancuar mjaft procesi i bashkimit politik të popullsive të veçanta të Epirit, proces ky që çoi në krijimin e organizimit më të gjerë shtetëror që njihet me emrin Lidhja e Molosëve.
Duke gjykuar nga të dhënat mbishkrimore të kësaj periudhe, në këtë Lidhje përveç molosëve bënin pjesë edhe shumë popullsi të tjera epirote, si tripolitët, kelaithët, paialët, arktanët, genoait, ethenestët, onopernët, etj. Këto grupe të veçanta etnike merrnin pjesë në qeverisjen e kësaj lidhjeje përmes përfaqësuesve të zgjedhur të tyre, të cilët në dekretet mbishkrimore quhen demiorgë ose synarhontë.
Një mënyrë e tillë qeverisjeje, i jepte këtij formacioni të ri shtetëror karakter federativ, por nën hegjemoninë e molosëve.
Lidhja Molose, e cila përfaqësonte etapën e parë në procesin e zgjerimit dhe të konsolidimit progresiv të shtetit federativ të Epirit, kishte një strukturë organizative të brendshme të përcaktuar qartë me institucione legjislative dhe ekzekutive. Në krye të Lidhjes së Molosëve qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve. Por pushteti i tij, ashtu siç e thekson Aristoteli, ishte i kufizuar. Mbreti kur merrte pushtetin në dorë, ishte i detyruar të bënte fli në altarin e hyut të luftës në Passaron dhe të betohej përpara përfaqësuesve të shtetasve të tij, se do të sundonte sipas ligjeve të vendit. Përfaqësuesit nga ana e tyre, i premtonin mbretit se do ta përkrahnin atë gjatë sundimit të tij. Ky betim tradicional midis mbretit dhe përfaqësuesve, ishte një formë e trashëguar nga rendi i vjetër fisnor, por që tani merr një përmbajtje të re duke siguruar me këtë ndikimin e aristokracisë në drejtimin e kësaj lidhjeje shtetërore.
Mbreti ishte komandant suprem i ushtrisë së Lidhjes Molose dhe gëzonte një pushtet të padiskutueshëm në kohë lufte. Pas mbretit funksionari më i lartë në Lidhjen Molose vinte Prostati, një magjistrat eponym që zgjidhej për çdo vit nga komunitetet e ndryshme etnike të bashkuara në këtë lidhje. Ai kryesonte kuvendin e popullit, e thirrte atë, drejtonte punët e tij, paraqiste propozimet për t’u miratuar etj.
Në mbishkrime së bashku me prostatin përmendet edhe sekretari, që zgjidhej për çdo vit zakonisht nga i njëjti fis, të cilit i përkiste dhe prostati. Kuvendi i popullit përbëhej, me sa duket, nga të gjithë burrat e aftë për luftë, qofshin këta molosë apo anëtarë të bashkësive të tjera që përfshiheshin në Lidhjen e Molosëve. Ky kuvend votonte vendime, të cilat akordonin të drejta qytetarie, proksenie dhe privilegje të tjera. Në këtë kuvend legjislativ mund të merrnin pjesë të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë të të gjitha komuniteteve etnike të përfshira në Lidhjen e Molosëve. Kuvendi mund të mblidhej disa herë në vit, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme. Vendi i mbledhjeve të tij ishte Passaroni, megjithëse ato mbaheshin edhe në qendra të tjera, si p.sh. në Dodonë etj.
Vendimet apo ligjet për të cilat votonte Kuvendi, përgatiteshin siç duket nga një institucion tjetër i veçantë, nga Këshilli. Ky ndoshta ishte ai senat për të cilin flet Justini duke ia atribuar krijimin e tij mbretit Tharypë.
Organ tjetër, i ndryshëm nga Këshilli, ishte dhe kolegji i përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme në Lidhjen e Molosëve, me anë të të cilëve ato merrnin pjesë në drejtimin e përbashkët të punëve të shtetit. Në krye të këtij kolegji, qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve dhe dy magjistratët e zgjedhur çdo vit, prostati dhe sekretari, të cilët mund të ishin molosë ose jo. I tërë ky organizim shtetëror i jepte Lidhjes Molose, që përfaqësonte njëkohësisht dhe shtetin më të fuqishëm në Epir deri në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë, formën e një shteti federativ monarkik.

Marrëdhëniet politike të Lidhjes me Maqedoninë
Pas viteve 60 të shek. IV p.e.sonë në politikën e jashtme të Lidhjes Molose vihen re ndryshime të dukshme, që çuan në zgjerimin territorial dhe në fuqizimin e mëtejshëm politik të saj.
Në këtë kohë në kufijtë verilindorë të Epirit filloi të mëkëmbet me shpejtësi shteti maqedon. Gjatë sundimit të Filipit II Maqedonia u shndërrua në një monarki të fuqishme të centralizuar, në një forcë kryesore politike dhe ushtarake në Ballkan.
Duke shfrytëzuar krizën e shteteve greke, Filipi pasi zgjeroi dhe konsolidoi shtetin e vet, nuk vonoi të ndërhynte edhe në çështjet e brendshme të tyre duke zhvilluar një politikë konsekuente hegjemoniste mbi to. Në këtë drejtim Epiri duhet të shërbente si një mbështetje për të shtrirë kontrollin maqedon në brigjet perëndimore të Greqisë, për këtë qëllim Filipi II i dha një rëndësi të veçantë vendosjes së një aleance të qëndrueshme me Lidhjen Molose. Për këtë aleancë ishte interesuar dhe vetë Lidhja, sa kohë që Maqedonia do t’i linte dorë të lirë për ta çuar më tej politikën e zgjerimit të mëtejshëm të kufijve të saj. Dhe jo rastësisht Arryba, i cili kryesonte në këtë kohë Lidhjen, shpejtoi të lidhte krushqi me Filipin II, duke i dhënë këtij të fundit në vitin 357 p.e.sonë mbesën e tij, Olymbinë për grua.
Midis viteve 360-344 p.e.sonë, Lidhja Molose shënon një zgjerim të mëtejshëm të territorit të saj nga verilindja duke arritur kufirin më të largët në këtë drejtim deri tek Parauejtë në pellgun e Përmetit, Timfejtë dhe Orestët në luginën e sipërme të Haliakmonit.
Por në vitin 344 p.e.sonë, Lidhja detyrohet të heqë dorë nga këto krahina, të cilat Filipi II ia kaloi Maqedonisë. Kur pak më vonë Athina nisi të përzihet në çështjet e brendshme të Epirit, duke rrezikuar pozitat e Maqedonisë në Epir, Filipi II sulmoi ushtarakisht Ambrakinë duke kaluar nëpër territorin shtetëror të Lidhjes. Pasi mposhti Ambrakinë dhe nënshtroi kolonitë helene të elejve në Kasopi, Buketin, Pandosinë dhe Eletren, zboi nga froni Arrybën, aleatin e lëkundur dhe të pabindur të Maqedonisë, i cili kërkoi strehim në Athinë. Në krye të Lidhjes Molose vuri kunatin e vet Aleksandrin 20-vjeçar, të mbiquajtur Molos, të cilit i dorëzoi dhe qytetet që sapo i kishte pushtuar. Për ta angazhuar edhe më shumë ndaj Maqedonisë, Filipi II i dha Aleksandrit për grua të bijën, Kleopatrën, dhe e përkrahu atë në politikën e zgjerimit territorial të shtetit molos. Gjatë sundimit të Aleksandrit (342-331 p.e.sonë), Lidhja Molose i zgjeroi shumë kufijtë e saj në drejtim të krahinave jugore dhe veriperëndimore të Epirit. Nën kontrollin e Lidhjes hynë tani jo vetëm kolonitë elease, por edhe tërë Kasopia fqinje, të cilat u bënë aleatë të saj (symnatios), duke gëzuar një farë autonomie dhe të drejtën që të prisnin monedhat e tyre.
Aleksandri arriti t’i imponojë pushtetin e tij dhe Koinonit të thesprotëve, deri atëhere i pavarur, megjithëse territorialisht në përfitim të Lidhjes Molose, e cila ushtronte mbi të presion të vazhdueshëm, për të dalë në det. Jashtë kontrollit të shtetit molos ende mbetej në këtë kohë Koinoni i kaonëve, që vazhdoi të ruante pavarësinë e tij. Zgjerimi territorial në drejtim të pjesës më të zhvilluar nga pikëpamja social-ekonomike të Epirit dhe në mënyrë të veçantë dalja e tij gjerësisht në det, e fuqizuan edhe më shumë ekonomikisht dhe politikisht shtetin molos, dhe hapën rrugë për një intensifikim të lidhjeve sidomos me brigjet perëndimore të Mesdheut.
Në vitin 334 p.e.sonë Tarenti kërkoi nga Aleksandri molos ndihmë ushtarake, meqenëse po rrezikohej pavarësia e qytetit dhe e aleatëve të tij nga lukanët. Aleksandrit do t’i jepej mundësia që të përhapte influencën e Epirit edhe në qytetet e tjera të Italisë së Jugut, për të cilën ishin të interesuara shtresat sunduese të vendit, që ai përfaqësonte dhe në mënyrë të posaçme ajo tregtare. Kjo u bë nxitje që Aleksandri të ndërhynte aktivisht në çështjet e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Pasi ia la sundimin e Mbretërisë Epirote gruas së vet sa kohë që ai do të mungonte, Aleksandri u nis për në Itali me forca të kufizuara, sipas Aristotelit me 15 anije ushtarake dhe mjaft anije tregtare. Me të zbritur në Itali, ai e zgjeroi bërthamën e ushtrisë së tij relativisht të vogël, me forca tarentine si edhe me mercenarë, me lukanë të dëbuar dhe me kontingjentet që i vunë në dispozicion qytetet e tjera greke të kërcënuara nga fiset italike.
Në fillim Aleksandri korri një sërë fitoresh kundër lukanëve dhe samnitëve, futi në dorë Heraklenë, koloninë e Tarentit, Sipontin e Apuljes etj., dhe për një kohë ai e konsideroi veten sundimtar të plotë mbi to. Nga kjo pozitë, ai bëri marrëveshje dhe me qytete të tjera, madje dhe me Romën. Nga vendet e kontrolluara prej tij dërgoi për në atdhe 300 familje të shquara si pengje. Më vonë lukanët dhe samnitët e morën veten dhe me forca të shumta të bashkuara, filluan të ushtrojnë përherë e më tepër presion mbi ushtrinë epirote dhe të aleatëve të saj numerikisht më të pakët, derisa në dimrin e vitit 331-330 p.e.sonë, pas një beteje të përgjakshme pranë Pandosisë, jo larg Kozencës, forcat e Aleksandrit u thyen keqas dhe ai mbeti i vrarë në këtë betejë.
Me rrjedhimet që patën këto ngjarje në Epir mbyllet dhe etapa e parë e zhvillimit historik të shtetit federativ epirot.



 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e shqiperise

3. ALEANCA (SYMAHIA) EPIROTE

Formimi i shtetit të epirotëve dhe organizimi politik i tij
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ndodhën ndryshime të një rëndësie të veçantë në organizimin shtetëror të Epirit. Lidhja e Molosëve shndërrohet tani në një formë të re shtetërore të një karakteri gjithnjë federativ, si edhe më parë, por me një emërtim të ri kushtetues, të quajtur aleancë e epirotëve.
Ky shtet i epirotëve, siç rezulton nga të dhënat e ndryshme burimore të kohës, u formua nga bashkimi i shtetit të molosëve me aleatët (symahoi) e tij, me Kasopene dhe qytetet e Eleasë fqinje me të, si edhe me shtetin e thesprotëve.
Nuk njihen me saktësi motivet që çuan në konsolidimin juridik të këtij organizimi të ri shtetëror; po kështu ekzistojnë mendime të ndryshme rreth saktësimit të datës së kësaj ngjarjeje, duke e vendosur atë në kohën e Aleksandrit ose fill pas vdekjes së tij kur ishte regjente e shoqja e tij Kleopatra. Në qoftë se do të pranohet se organizimi i kësaj forme të re shtetërore u bë nga Aleksandri Molos, përpara se ai të fillonte fushatën luftarake në Itali, atëherë kjo duhet të ketë qenë rrjedhojë e fuqizimit të mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Por, nëse formimi i saj do të ketë ndodhur fill pas vdekjes së Aleksandrit, ky organizim duhet parë si rrjedhojë e dobësisë së autoritetit të sundimtarëve molosë. Megjithatë, është e sigurt, se rruga drejt kësaj zgjidhjeje të re në organizimin shtetëror të vendit qe hapur nga Aleksandri me politikën e federimit të territoreve të reja që i ishin atashuar Lidhjes Molose.
Federata epirote nga pikëpamja e formës së qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ me bazë monarkike dhe me të drejta të barabarta të të gjithë pjesëmarrësve në të. Në kuadrin e kësaj federate çdo bashkësi e madhe apo e vogël etnike kishte organizimin e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit, prostatin e tij. Bashkësitë merrnin pjesë në qeverisjen e shtetit epirot nëpërmjet kolegjit të përfaqësuesve (damiorgë) të tyre, që dilte nga çdo komunitet i veçantë etnik.
Institucionet drejtuese të këtij shteti nuk ndryshonin nga pikëpamja funksionale nga ato të Lidhjes Molose. Ndryshimi i emrave të tyre nga molos në epirot, nuk shprehin ende ndonjë diferencim real të institucioneve shtetërore. Në këtë drejtim mund të thuhet se Lidhja e Molosëve vazhdon, zgjerohet, por pa u dobësuar, në një formë të re, në atë të shtetit epirot.
Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili zgjidhej gjithnjë nga familja mbretërore e molosëve të dinastisë tradicionale të Eakidëve, por tani si mbret i shtetit epirot. Si edhe më parë, pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati, i cili megjithëse ruante titullin “i molosëve” ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin e shtetit epirot. Ai kishte për detyrë të ruante ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të nënshtetasve epirotë, t’i drejtonte ato, të bëhej interpret midis mbretit dhe nënshtetasve në këmbimin e premtimeve reciproke në faltoren e Zeusit Arcios, në Passaron etj.
Eklesia e molosëve, ia lëshon vendin tani një asambleje të re më të gjerë ku merrnin pjesë popullsia e tërë shtetit epirot. Kjo asamble me funksione legjislative, që miratonte edhe dekretet shtetërore quhej Symahia e epirotëve.
Kjo federatë me karakter të theksuar politik-ushtarak merrej edhe me çështje të veçanta ekonomike dhe financiare që ishin në funksion të saj. Kështu p.sh. në bazë të një mbishkrimi dekretor të viteve 317-312 p.e.sonë, gjetur në Dodonë, nxirret përfundimi se të ardhurat doganore ishin caktuar të mblidheshin për llogari të kësaj aleance.
Me krijimin e kësaj kushtetute konfederale epirote, ndryshoi dhe sistemi i mëparshëm monetar. Monedhat e molosëve, të thesprotëve dhe të kasopasve, të cilat qarkullonin deri atëherë në Epir si monedha autonome, zëvendësohen tani me një prerje të përbashkët për të tërë Epirin, gjë që pasqyrohet qartë dhe në legjendën e tyre, “e epirotëve”. Nuk dihet me saktësi se ku qenë prerë këto monedha të Symahisë. Mund të mendohet të ketë qenë Dodona, ku më vonë do të provohet dhe ekzistenca e një punishteje monetare. Por kjo nuk përjashton mundësinë që ato të jenë prerë dhe në ndonjë vend tjetër, si p.sh. në Pasaron.
Aleanca epirote, me gjithë ndryshimet që mund të ketë pësuar gjatë jetës së saj, historikisht vazhdoi të ekzistonte rreth një shekulli deri në vitet 334-233 p.e.sonë, kur u zëvendësua nga Lidhja Republikane Epirote.

Shteti i ri epirot në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë
Pas vdekjes së Aleksandrit molos, shteti i Epirit u gjet përpara vështirësive serioze, të shkaktuara nga grindjet e brendshme midis grupeve të ndryshme politike të shtresave sunduese, si edhe nga krijimi i situatave të jashtme të jo të favorshme, që çuan në prishjen e ekuilibrit në marrëdhëniet midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë.
Në krye të luftës kundër Maqedonisë u vu tani Olymbia. Kjo, fill pas vdekjes së vëllait, qe kthyer në vendlindje për t’iu kundërvënë Antipatresit të Aleksandrit maqedon, me të cilin ishte në opozitë. Duke ardhur në Epir ajo zboi nga regjenca Kleopatrën (330-328 p.e.sonë) dhe filloi të sundojë shtetin epirot si tutore e të nipit të mitur, Neoptolemit II për një kohë dhe bashkë me Ajakidin të birin e Arrybës.
Në vitin 317 p.e.sonë, përpjekjet e Olymbisë për të marrë pushtetin në Maqedoni, u kurorëzuan me sukses, por vetëm për pak kohë, pasi qe e detyruar ta lëshojë atë nga presioni ushtarak që i bëri asaj Kasandri, i biri i Antipatrit. E ndjekur prej tij Olymbia u strehua në Pella, ku më kot priti ndihmën e Ajakidit, meqenëse një pjesë e madhe e ushtrisë së tij kundërshtoi vendimin për të hyrë në luftë me Maqedoninë. Kjo revoltë e ushtarëve, aktivizoi në prapavijë elementët promaqedonë, të cilët e detyruan këshillin e aleancës më në fund të dëbojë Ajakidin nga froni dhe të rivendosë lidhjet me Maqedoninë. Olymbia e lodhur nga rrethimi i gjatë, uria dhe nga sulmet e pareshtura të armikut, u dorëzua më në fund dhe u vra nga kundërshtarët e saj. Kjo disfatë në frontin e luftës, i dha shkas një vale të tërbuar ndjekjesh kundër përkrahësve të Ajakidit. Opozita kërkoi të zhdukte edhe të birin e tij, Pirron dyvjeçar, por nuk arriti, pasi njerëzit e tij e dërguan fshehurazi tek mbreti ilir Glaukia, me të cilin Ajakidët kishin lidhje.
Për të shuar qëndresën antimaqedone në vend, Kasandri vendosi në Epir një regjim pushtimi. Ai e bëri këtë siç duket, me qëllim që të ishte i lirë në zbatimin e politikës së tij pushtuese në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Por ky presion i vazhdueshëm politik dhe shoqëror i Maqedonisë, shkaktoi një valë të papërmbajtur zemërimi midis popullsisë epirote, e cila u hodh në opozitë të hapur me shkelësit e të drejtave të saj. Këtë pakënaqësi e shfrytëzoi Ajakidi. Ky, pasi u kthye në atdhe në vitin 313 p.e.sonë, me ndihmën e përkrahësve të tij nga Etolia, mundi të organizojë me lehtësi ushtrinë epirote dhe sulmoi kundërshtarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo ndodhi në një kohë kur Maqedonia sapo kishte filluar luftën kundër etolëve dhe ilirëve. Megjithatë kjo fushatë e Ajakidit nuk pati sukses dhe vetë mbreti mbeti i vrarë në fushën e betejës.
Gjendja në Epir nuk ndryshoi as më vonë, kur në krye të shtetit epirot u vendos Alketa II, i biri i Ajakidit. Ai bëri shumë përpjekje për t’u shkëputur nga Maqedonia, por pavarësisht nga sukseset e përkohshme, ai u detyrua më në fund të pranonte paqen me kundërshtarin në kushte të favorshme për këtë. Alketës II iu desh të ndryshonte dhe politikën e vet dhe të bënte aleancë me Maqedoninë. Ky veprim krijoi një opozitë të fortë në Epir, kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi, por pa rezultat. Ndërkaq, veprimet e tij arbitrare, shkaktuan zemërimin e popullsisë, që shpërtheu në një kryengritje hakmarrëse dhe që përfundoi me vrasjen e Alketës II dhe të bijve të tij.
Në vitin 307 p.e.sonë u duk sikur gjendja do të ndryshonte. Glaukia, duke mos e parë me sy të mirë fuqizimin e ndikimit maqedon në Epir, ndërhyri me forcë në punët e brendshme të tij dhe vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar dhe bashkë me të edhe ndikimin e tij. Por ky nuk zgjati më shumë se 5 vjet, pasi Kasandri organizoi me njerëzit e vet shfronësimin e Pirros, në një kohë kur ai ende nuk kishte forcuar mirë pozitat e tij, dhe vendosi në fron Neoptolemin II. I ndodhur në këtë kohë jashtë Epirit, Pirroja u vu në shërbim të sundimtarëve helenistikë, Demetër Poliorketit dhe Ptolemeut të Egjiptit për disa vite me radhë. Në këto vende ai pati rast që të shohë e të mësojë shumë si nga jeta shoqërore, ashtu edhe nga arti luftarak i këtyre vendeve, ku dhe u dallua së tepërmi duke treguar shkathtësi, guxim dhe trimëri të rrallë në një varg betejash.
Në vitin 297 vdekja e Kasandrit të Maqedonisë dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj sundimit arbitrar të Neoptolemit II, e ndihmuan Pirron që të rikthehej në atdhe. Për këtë veprim ai qe përkrahur dhe nga Ptolemeu, i cili shpresonte të kishte në personin e Pirros një mbështetje efektive për planet e tij në Greqi. Pasi zbarkoi në brigjet e Epirit me forcat e veta ushtarake të sjella nga Egjipti dhe duke gjetur përkrahjen e popullit që, sipas Plutarkut, e priti duke e përshëndetur me mbiemrin “Shqiponjë”, Pirroja u vendos më në fund në fronin e Mbretërisë Epirote. Në fillim ai u përpoq të përforconte pozitat e tij në Epir, dhe këtë e arriti me durim, duke e ndarë për një kohë fronin me Neoptolemin II, i cili kishte ende përkrahës në qarqet sunduese. Kur ia arriti këtij qëllimi, dhe, pasi mori vesh se rreth tij po kurdisej një kurth nga përkrahësit e Neoptolemit, Pirroja e vrau këtë, dhe pas kësaj shpejtoi të përqendronte të tërë pushtetin mbretëror në duart e veta.



Epiri në kohën e sundimit të Pirros (297-272 p.e.sonë)
Në fillim të shek. III p.e.sonë, Epiri del nga kriza e vështirë dhe me pasoja të rënda politike që e kishte mbërthyer pas vdekjes së Aleksandrit Molos dhe vihet në rrugën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror dhe politiko-kulturor.
Nga një politikë e paqëndrueshme e brejtur nga kontradikta të brendshme dhe presione nga jashtë, shteti epirot kalon tani në një politikë energjike të pavarur, me një perspektivë të gjerë në fushën e forcimit të pushtetit shtetëror dhe të zgjerimit territorial të tij, që u realizuan me një shpejtësi dhe me një mënyrë të paparë deri atëherë. Gjatë sundimit të Pirros shteti epirot bëhet një fuqi imponuese e kohës me një pushtet të fortë mbretëror, me një potencial të madh ushtarak si dhe me një autoritet politik të shquar në botën mesdhetare të kësaj kohe.
Pirroja vendosi marrëdhënie diplomatike me disa shtete të fuqishme të asaj kohe dhe i forcoi lidhjet me martesa të shumta që bëri me bijat e sundimtarëve të tyre. Që kur ishte në oborrin e Ptolemeut I, Pirroja qe martuar me të bijën e tij Antigonën, më vonë pas vdekjes së saj, me Lanasen, të bijën e Agathoklit të Sirakuzës, prej së cilës mori si prikë dhe Korkyrën që ai kishte pushtuar dhe pastaj edhe me të bijat e sundimtarëve ilirë, Audoleonit të paionëve dhe të Bardhylit të Ri. Pirroja i kushtoi vëmendje të posaçme organizimit të ushtrisë, përpunimit të një strategjie efektive luftarake, për të cilat kishte njohuri të mëdha teorike, si dhe rritjes së aftësisë luftarake të ushtrisë. Ai favorizoi gjithashtu dhe përparimin ekonomik dhe kulturor të vendit që u pasqyrua në zhvillimin dhe në intensifikimin e mëtejshëm të urbanizimit të Epirit. U zhvillua një veprimtari e dendur ndërtuese në qytetet ekzistuese si në Dodonë, Ambraki apo në qytetet e tjera të reja epirote, midis të cilëve Berenike, Kasopi dhe Antigonea në Kaoni, të cilët mbajnë emra që kanë të bëjnë me siguri me kohën e sundimit të Pirros. Për një nivel të lartë të artit të ndërtimit në këtë kohë dëshmojnë edhe shtëpitë shumë të bukura dhe të ruajtura mirë të Amotoposit në Molosi, ku mendohet të ketë qenë dhe Fylakeja antike.
Pirroja projektoi një politikë të jashtme aktive ekspansioniste. Ai ndërhyri në çështjet e ndërlikuara të botës greko-maqedone dhe italike me mendimin që të krijonte një shtet të madh epirot, i cili do të përfshinte Ballkanin dhe përtej detit, Gadishullin Italik.
Së pari, Pirroja e drejtoi vëmendjen nga Maqedonia, ku pas vdekjes së Kasandrit kishin shpërthyer turbullira për trashëgimin e fronit. Këtë gjendje të vështirë të Maqedonisë e shfrytëzoi për të ndërhyrë në punët e brendshme të saj si përkrahës i Aleksandrit, të birit të Kasandrit. Me këtë rast Pirroja i shkëputi Maqedonisë mjaft krahina që gjendeshin në atë kohë nën kontrollin e saj dhe pikërisht Tymfenë e Paraunenë epirote të pushtuara nga Filipi II, Amfilokinë, Akarnaninë dhe Ambrakinë, të cilën e bëri kryeqytet të mbretërisë së tij.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë nuk vazhduan shumë dhe u prishën në vitin 294 p.e.sonë, kur Demetër Poliorketi zhduku aleatin e tij Aleksandrin dhe mori në duar frenat e Mbretërisë Maqedone. Në këtë situatë Pirroja duke mos qenë më i sigurt në kufijtë lindorë të mbretërisë së tij, u vu në opozitë të hapur me sundimtarin e ri maqedon dhe aderoi në aleancën antimaqedone që u krijua pak më vonë në Greqi. Në vitin 289 p.e.sonë, Demetri duke dashur t’u imponohej kundërshtarëve të vet, pushtoi Etolinë dhe sulmoi Epirin, por Pirroja kundërveproi menjëherë. Pasi theu maqedonët në Etoli, duke u shkaktuar atyre humbje shumë të mëdha, i detyroi ata të tërhiqeshin dhe nga Epiri.
Kundër Demetrit të Maqedonisë filloi të veprojë pak më vonë koalicioni i sundimtarëve helenistikë: Ptolemeu i Egjiptit u nis me një flotë të madhe dhe ngriti kundër tij qytetet e Greqisë, kurse Lysimaku, sundimtar i Trakisë dhe i një pjese të Azisë së Vogël, hyri në Maqedoninë Veriore duke e shkretuar atë. Kjo gjendje vuri në lëvizje edhe Pirron, i cili e sulmoi Maqedoninë nga jugu. Ky iu drejtua qytetit Edisa, dhe e pushtoi atë pa hasur në ndonjë qëndresë të madhe, meqë forcat më të rëndësishme të ushtrisë së Demetrit ishin dislokuar në veri kundër Lysimakut. Pirroja ndërkaq përparonte pa ndonjë qëndresë nga ana e maqedonëve dhe arriti, madje, të shpallej mbret i tyre. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi qe detyruar t’i ndante zotërimet e tij në Maqedoni me Lysimakun, i cili pretendonte se kishte dhënë ndihmesë në sukseset e Pirros duke mbërthyer për një kohë forca të shumta të Demetrit në kufirin verior të Maqedonisë. Këto lëshime të Pirros mënjanuan konfliktin e mundshëm me Lysimakun, por nuk zhdukën kontradiktat midis tyre.
Në këtë kohë, zotërimet e shtetit epirot në Ballkan arritën zgjerimin e tyre më të madh. Pirroja sundonte tani jo vetëm mbi tërë Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të Thesalisë në lindje, mbi krahinat greke në jug të Epirit, ku bënin pjesë Ambrakia, Amfilokia e Akarnania. Në veri zotërimet e tij shtriheshin dhe mbi një pjesë të vogël të Ilirisë, si edhe mbi disa ishuj të Jonit ku bënte pjesë edhe Korkyra. Kjo hapësirë territoriale, megjithatë, nuk përbënte një organizim të qëndrueshëm politik rreth një bërthame të fuqishme qendrore, as edhe një komunitet territoresh dhe popullsish të bashkuara me interesa të përbashkëta, por një konglomerat popujsh me zhvillim jo të njëllojtë social, ekonomik dhe politik, të nënshtruar nga ushtria epirote në krye të së cilës qëndronte si komandant Pirroja. Kjo ishte arsyeja që këto zotërime, në rastin më të volitshëm, u shkëputën nga varësia e Epirit. Dhe ky rast u shfaq menjëherë pas shpartallimit të Demetrit në Azi. Lysimaku që e ndiente tani veten të lirë dhe kohën të përshtatshme për të aneksuar tërë Maqedoninë, u drejtua me forca të mëdha kundër Pirros dhe e detyroi atë të hiqte dorë nga pushtimet në Maqedoni dhe në Thesali.
Ndërkaq në Italinë e Jugut u zhvilluan ngjarje, të cilat nuk lanë pa tërhequr vëmendjen e sundimtarit epirot, sidomos tani pas humbjes së Maqedonisë. Qytetet greke të Italisë së Jugut, me të cilat Epiri kishte vendosur me kohë lidhje tregtare, të dobësuara nga lufta e konkurrenca ndërmjet tyre, nuk qenë në gjendje të zhduknin kontradiktat e ashpra që karakterizonin marrëdhëniet midis tyre.
Këtë gjendje e shfrytëzoi me sukses Roma, e cila ndërhyri për t’i zgjidhur këto kontradikta në të mirën e vet. Por ky fakt ngjalli pakënaqësi tek Tarentinët, që hynë në konflikt të hapur me romakët. Duke mos e përballuar epërsinë e forcave romake, me të cilët u bashkuan si aleatë edhe lukanët, mesapët dhe tarentinët kërkuan ndihmën e Pirros.
Shtetit epirot iu dha për të dytën herë mundësia që të ndërhynte aktivisht në punët e brendshme të qyteteve të Italisë së Jugut. Qarqet sunduese të Epirit e mirëpritën këtë ftesë, duke shpresuar se lufta në Itali do t’u sillte përfitime të mëdha. Pirroja iu përgjigj me kënaqësi kësaj thirrjeje, duke menduar se kishte ardhur koha për të bërë hapin e rëndësishëm në formimin e një perandorie të madhe në perëndim.

Pirroja në Itali
Në vitin 280 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe të përbërë kryesisht nga kontingjente molosësh, thesprotësh dhe kaonësh (20 000 këmbësorë, 3 000 kalorës, 2 000 varkëtarë e 500 hobetarë), Pirroja u nis për në Itali, duke pasur me vete dhe 200 elefantë. Pasi arriti në Tarent ai mori menjëherë masa për ta vënë qytetin në pozita lufte; rekrutoi ushtarë nga popullsia qytetare dhe në krye të forcave të bashkuara i doli përpara ushtrisë romake që po përparonte në drejtim të qytetit. Të dy ushtritë kundërshtare u ndeshën pranë Heraklesë. Këtu u zhvillua beteja e parë, në të cilën Pirroja korri një fitore të shkëlqyer, që ia ngriti lart autoritetin mbretit epirot në sy të aleatëve. Në anën e tij kaluan tani dhe fiset italike kundërshtare të Romës, si edhe pjesa më e madhe e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Fitorja e Heraklesë, megjithatë nuk e zgjidhi fatin e luftës. Në vitin 277 p.e.sonë, Roma grumbulloi forca të tjera të mëdha dhe e detyroi Pirron të hynte përsëri në luftë me të. Por në një betejë të ashpër dhe të përgjakshme që u zhvillua pranë Askulit, Pirroja arriti t’i thyente për të dytën herë romakët. Ata nuk mundën t’i qëndronin manovrimit taktik luftarak të Pirros dhe aq më pak sulmit të tërbuar të elefantëve, të cilët sollën panik në ushtrinë romake. Pirroja fitoi edhe kësaj radhe, por kjo fitore i kushtoi atij humbje shumë të mëdha. Që atëherë fitore të tilla me humbje u bënë zakon të quhen fitore pirrike ose “fitore e Pirros”. Pavarësisht nga sukseset e para të shpejta dhe të bujshme të Pirros, gjendja e tij në Itali sa vinte e vështirësohej. Forcat epirote të ndodhura larg atdheut të tyre, vinin gjithnjë duke u pakësuar dhe duke u dobësuar, ndërsa Roma kishte ende rezerva të shumta materiale e njerëzore për të vazhduar luftën. Pirroja, megjithatë, nuk u tërhoq nga fushata e tij në Itali. Mirëpo, pa përfunduar ende paqen me romakët, ai u nis për në Sicili për t’i shkuar në ndihmë Sirakuzës, të cilën e kishin sulmuar kartagjenasit. Për të kontrolluar gjendjen në Itali, ai la vetëm disa garnizone.
Në vitin 276 p.e.sonë, forcat aleate epirote, greke dhe italike të udhëhequra nga Pirroja, i shpartalluan keqas pushtuesit e ishullit dhe i zbuan ata pothuaj nga tërë Sicilia. Kjo fitore e shpejtë dhe e shkëlqyer e rriti pushtetin politik dhe ushtarak të Pirros, saqë siciliasit e deklaruan atë prijës dhe mbret të tyre. Por Pirroja, si gjithnjë i papërmbajtur në aspiratat e tij të guximshme politike, filloi menjëherë të ushqejë mendimin për t’u hedhur në Afrikë edhe pse nuk e kishte të sigurt akoma gjendjen në Itali. I prerë në vendimin e tij, ai iu vu përgatitjes së flotës dhe organizimit të ushtrisë, pa menduar se ata kërkonin rezerva të mëdha njerëzore dhe financiare, të cilat siciliasit e lodhur nga luftërat dhe anarkia që kishte pllakosur vendin pas vdekjes së Agathoklit, nuk mund t’i siguronin. Nga ana tjetër, ndërhyrja arbitrare e Pirros në punët e brendshme të qyteteve të Sicilisë dhe shkelja nga ai e traditave të tyre demokratike, bëri që Pirroja të humbiste dita-ditës e më shumë besimin në ishull dhe të bëhej objekt sulmesh dhe komplotesh të rrezikshme për jetën e tij dhe fatin e ushtrisë epirote. Këtë situatë të brendshme plot turbullira dhe pasiguri, e shfrytëzoi menjëherë Kartagjena, e cila dërgoi ushtri të mëdha për ripushtimin e ishullit. Të përkrahur tani edhe nga qytetet opozitare, kartagjenasit arritën me lehtësi t’i shkaktonin humbje mbretit epirot. Në duart e tij mbeti vetëm Sirakuza, por edhe prej saj atij iu desh të hiqte dorë, meqenëse në këtë kohë romakët kishin rifilluar sulmet kundër aleatëve dhe garnizoneve të tij në Itali. Me t’u kthyer në Itali, Pirroja riorganizoi forcat e veta dhe të aleatëve të tij dhe u drejtua menjëherë kundër dy konsujve romakë, të cilët me legjionet e tyre po vepronin në drejtime të ndryshme. Në këtë situatë ai vendosi t’i thyejë ato veçmas, sa kohë që ende nuk ishin bashkuar. Sulmoi në befasi legjionin romak që gjendej pranë Beneventit. Këtu u zhvillua edhe beteja e tretë dhe e fundit për Pirron në Itali, ku pësoi disfatë të plotë. Pasi qe tërhequr me humbje të mëdha në Tarent, Pirroja provoi të kërkojë ndihma nga Antigon Gonata dhe Antiohu i Sirisë për ta vazhduar luftën kundër Romës, por më kot. I lodhur dhe pa pasur ndonjë shpresë për të realizuar i vetëm qëllimet e tij në Gadishullin Italik, ai u kthye në Epir me ushtrinë epirote që i kishte mbetur, duke lënë në Tarent vetëm të birin e tij Helenin.
Në luftën kundër Romës Pirroja angazhoi forca të mëdha epirote dhe aleate, që mbulonin mjaft mirë legjionet e kundërshtarit dhe manovroi me sukses për një kohë në operacionet luftarake, duke vënë në përdorim një sistem taktik luftimi nga më të përparuarit e kohës. Mirëpo ushtria që komandonte Pirroja, ndryshonte nga përbërja dhe fryma luftarake nga ajo e kundërshtarit. Ajo nuk e kishte kompaktësinë e ushtrisë romake të përbërë nga nënshtetasit e vet, por ishte një ushtri më tepër mercenarësh, të armatosur më së miri dhe të udhëhequr nga një strateg i talentuar, por që kishte hyrë në një aventurë ushtarake.
Pas dështimit të fushatës italike, Pirroja u përpoq të shfrytëzonte në favor të tij gjendjen e krijuar në Ballkan. Së pari, vendosi të shtinte në dorë Maqedoninë. Në vitin 274 p.e.sonë ai hyri në luftë me sundimtarin e saj Antigon Gonatën, i cili sa kohë që Pirroja luftonte në Itali, kishte arritur suksese në konsolidimin e pushtetit të tij qoftë në Maqedoni, qoftë dhe mbi një pjesë të Greqisë. Ai arriti të pushtojë një territor të gjerë të Maqedonisë. Antigonit i mbeti vetëm pjesa në lindje të lumit Vardar. Ishte e qartë se epirotët nuk mund të bëheshin zot të tërë Maqedonisë sa kohë që Antigoni mbante akoma në dorë Maqedoninë bregdetare dhe rrugët e komunikacionit detar. Në këto rrethana Pirroja vendosi ta luftonte kundërshtarin në Peloponez, i cili gjendej nën kontrollin e tij. Në vitin 272 p.e.sonë, pa siguruar ende mirë pozitat e tij në tokat e pushtuara të Maqedonisë, ai arriti në Lakoni. Këtu iu desh të përballonte presionin e forcave spartane dhe maqedone të bashkuara kundër rrezikut epirot. Pasi korri një sërë fitoresh të reja, Pirroja sulmoi më në fund Spartën dhe Argosin, me të cilat zhvilloi luftime të ashpra, por pa rezultate. Gjatë përleshjeve në rrugët e Argosit, Pirroja u plagos dhe ashtu siç ishte i dërrmuar, ra në duart e kundërshtarëve, të cilët e vranë. Ushtria epirote e mbetur pa prijës qe çorganizuar dhe më në fund u shpartallua.
Me luftërat e tij pushtuese në Ballkan, Itali dhe në Sicili, Pirroja e rriti shumë fuqinë politike të shtetit epirot dhe autoritetin e tij në botën mesdhetare. Gjatë sundimit të tij, Epiri arriti të bëhet një nga shtetet më të fuqishme të kohës helenistike.
Në këto luftëra Pirroja pati përkrahjen e plotë të aristokracisë e të skllavopronarëve epirotë, gjithnjë të etshëm për pushtime e lavdi, kurse si mbështetje kishte ushtrinë e vet të stërvitur mirë, të përbërë kryesisht nga fshatarë të lirë, të gatshëm për të luftuar, meqë lufta për ta ishte një mjet fitimi, burim plaçke dhe pasurie. Në këto suksese të veprimeve ushtarake ndikoi edhe situata e jashtme e favorshme për të, dhe pikërisht turbullirat e anarkia që krijoheshin herë pas here në shtetet fqinje nga rrethanat e ndryshme politike.
Këto suksese të shpejta luftarake, megjithëse jo të qëndrueshme, i duhen atribuar në një farë mase dhe vetë manovrimit taktik, të përsosur për atë kohë, të forcave ushtarake gjatë luftimit, që ishte kryesisht meritë e aftësive të shquara taktiko-luftarake të Pirros.
Fitoret e njëpasnjëshme dhe guximi i tij i provuar në beteja të shumta, e rritën së tepërmi autoritetin e Pirros në sy të bashkëluftëtarëve të vet dhe e forcuan aq shumë pushtetin e tij, sa që arriti të sundonte dhe të vepronte i lirë nga çdo kufizim kushtetues i aleancës epirote mbi territoret e pushtuara. Në këtë drejtim ai shkoi aq larg sa caktoi, siç duket, edhe fëmijët e tij si mbretër trashëgimtarë në Itali dhe në Sicili.
Në këto vende Pirroja preu, në kundërshtim me kushtetutën federative epirote, edhe monedha ari e argjendi personale me legjendë “Mbreti Pirro”; por ato, siç kuptohet nga mungesa e tyre në trevat e Epirit, nuk duhet të jenë lejuar të qarkullonin brenda territorit të Aleancës, ku vazhdonin të kishin vlerë vetëm prerjet tradicionale të Federatës së epirotëve.
Në qoftë se në territoret e pushtuara Pirroja sillej si monark i pakufizuar, brenda Aleancës ai mbetej ashtu si dhe më parë mbret i molosëve dhe udhëheqës me pushtet të kufizuar i Federatës epirote.
Pirroja qe një nga strategët më të mëdhenj të kohës helenistike. Kur e pyetën njërin nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë, se kush ishte tani strategu më i shquar, ai iu përgjigj: “Pirroja kur të arrijë moshën e pjekurisë”. Ndërsa më vonë Hanibali, një ndër komandantët më të përmendur të botës antike, i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit, kurse vetes vendin e tretë. Pirroja qe njëkohësisht dhe teoricien i madh në artin ushtarak, por planet e tij të gjera nuk ishin gjithnjë të studiuara dhe kishin karakterin e aventurave ushtarake. Talenti i tij ushtarak nuk plotësohej me largpamjen e një politikani të matur dhe të pjekur. Synimet e tij ambicioze u bënë pa llogaritur mirë tendencat e zhvillimit të vrullshëm ekonomik dhe politik të shtetit të ri romak dhe potencialin ushtarak të tij, si dhe mundësitë e kufizuara materiale e njerëzore të Aleancës Epirote. Për këtë arsye dhe humbja përfundimtare e Pirros në këtë ndërmarrje të madhe përtej Adriatikut qe një përfundim i natyrshëm dhe i pashmangshëm.



Fundi i sistemit monarkik në Epir
Pas vdekjes së Pirros, Aleanca Epirote filloi gradualisht të humbiste fuqinë e saj të mëparshme politike dhe ushtarake. Me gjithë përpjekjet e bëra për të ruajtur zotërimet e mëparshme në Maqedoni, në Greqi dhe në Iliri, ajo qe e detyruar më në fund të tërhiqej prej tyre. Trashëgimtarit të Pirros, Aleksandrit, që në fillim iu imponua një luftë e rrezikshme nga mbreti i ilirëve Mytili, të cilën më vështirësi mundi ta përballonte. Kurse Demetri II, e detyroi atë të hiqte dorë jo vetëm nga Maqedonia, por për një kohë dhe nga vetë Epiri, mbi të cilin vendosi kontrollin e tij. Pasi qe rikthyer në atdhe me ndihmën e etolëve, Aleksandri u përpoq edhe një herë që të rimëkëmbte fuqinë e dikurshme të Aleancës Epirote por më kot, pasi ajo kishte marrë tatëpjetën.
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë, Mbretëria Epirote përjetoi periudhën e fundit të ekzistencës së saj, e mbërthyer në një krizë të ashpër, e cila rrëmbimthi e çoi deri në brerjen e themeleve të regjimit monarkik. Depërtimi gjithnjë e më i thellë i skllavopronarisë në fshatin epirot, po shkatërronte dhe po shpronësonte përherë e më shumë prodhuesit e vegjël të lirë fshatarë, që dikur përbënin masën kryesore dhe më energjike të ushtrisë federative epirote dhe çoi në dobësimin e fuqisë dhe të kompaktësisë ushtarake. Kjo krizë e brendshme u acarua dhe më tepër nga situatat e jashtme jo të favorshme për Aleancën Epirote. Përreth saj vepronin tani shtete të tilla të fuqishme, si Maqedonia, Lidhja Etole dhe Shteti ilir, të cilët kërkonin secili të fusnin nën kontrollin e vet Epirin, meqë ai zinte një pozitë kyçe në planet e politikës së tyre pushtuese. Në këto situata sundimtarët epirotë u treguan të paaftë të qeverisnin vendin. Aristokracia epirote, duke parë më në fund se ata nuk ishin më në gjendje të mbronin dhe të përkrahnin si dikur qëllimet e saj, e shfrytëzoi pakënaqësinë e popullit për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë regjimit të vjetëruar monarkik në Epir. Ajo e realizoi këtë me vrasjen në vitin 234/233 p.e.sonë të mbretëreshës Deidames, që ishte dhe sundimtarja e fundit prej dy shekujsh e dinastisë së Ajakidëve.

4. LIDHJA EPIROTE

Organizimi i Lidhjes Epirote dhe karakteri i saj
Kur kontradiktat e thella politike çuan në përmbysjen e regjimit monarkik në Epir, Aleanca Epirote që deri në atë kohë ekzistonte si një formë shtetërore federative nën hegjemoninë e mbretërve molosë, reformohet tani mbi një bazë të re republikane, pak a shumë sipas modelit të Lidhjes fqinje etole, duke u quajtur dhe Lidhja Epirote. Kjo ishte një lidhje politike që u siguronte të drejta të gjitha bashkësive të veçanta epirote që bënin pjesë në të dhe që ruanin, në kuadrin e kësaj federate, vetëqeverisjen e brendshme të tyre. Pra, edhe këtu si më parë mbetej parimi federativ i shtetit, por tani i bazuar mbi një konstitucion të ri, që nuk njihte më privilegje apo hegjemoni të ndonjërit prej anëtarëve të saj, siç ndodhte në Aleancën e mëparshme, ku kryesonte mbreti i molosëve. Në këtë aspekt Lidhja paraqitej si një formë më e lartë shtetërore, më kompakte dhe operative. Të gjithë anëtarët e saj kishin një shtetësi dhe njiheshin zyrtarisht me emrin e përbashkët epirotë. Lidhja, ashtu sikurse dhe aleanca epirote ruante të drejtën të merrte vendime në emër të të gjithë epirotëve, pavarësisht se kishte edhe bashkësi që qëndronin ende jashtë saj, siç ishin p.sh. kasopiasët dhe athamanët.
Organi më i lartë i Lidhjes ishte Kuvendi i Përgjithshëm me fuqi të mëdha këshillimore dhe vendimore, që nuk ishte i pranishëm, (të paktën nuk është provuar ende), në federatën e mëparshme monarkike. Këtu mund të merrnin pjesë të gjithë nënshtetasit e saj të lirë. Kuvendi zgjidhte magjistratët federativë dhe vendoste mbi çështje të karakterit politik, ushtarak, ekonomik e shoqëror. Kështu ai vendoste për luftë ose për paqe, për thirrjen e popullit nën armë, për aleanca me shtetet e tjera, për të zgjedhur dhe për të ftuar delegacione, për t’u dhënë të huajve të drejta qytetarie, pronësie etj. Ai ushtronte dhe funksionet e instancës më të lartë gjyqësore. Organi më i lartë ekzekutiv ishte Këshilli i Lidhjes, që përbëhej nga përfaqësues të zgjedhur të anëtarëve të saj. Në krye të këshillit qëndronte kolegji prej tre strategëve që duhet të përfaqësonin ndoshta të tri grupet më të mëdha etnike të Epirit: molosët, kaonët dhe thesprotët. Por mbi ta dominonte vetëm njëri, i ngarkuar me funksionin e komandantit ushtarak, funksion të cilin e ushtronte më parë mbreti i molosëve. Nëpunës të tjerë të Lidhjes ishin dhe sekretari i këshillit, hiparku, komandanti i kalorësisë etj.
Kryeqyteti i Lidhjes tani u bë Foinike, kryeqendra e Kaonisë. Këtu mblidhej zakonisht dhe Këshilli i Lidhjes, megjithëse të tilla mbledhje, siç duket, organizoheshin edhe në qytete të tjera të Epirit.

Zhvillimi ekonomik dhe politik i Epirit në kohën e Republikës (234/233 - 168 p.e.sonë)
Që në fillim të veprimtarisë së saj Lidhja u ndodh përpara vështirësive të mëdha të shkaktuara nga situata të brendshme dhe të jashtme jo të favorshme për të. Territorialisht ajo qe rrëgjuar afërsisht në kufijtë e shtetit epirot përpara sundimit të Pirros. Kështu nuk bënin më pjesë në të: Ambrakia, Kasopia dhe Athamania. Megjithatë, ajo mori një sërë masash për riorganizimin administrativ dhe ushtarak të vendit. Lidhja vuri dorë në sistemin e mëparshëm monetar të vendit. Të gjitha këto pasqyrojnë qartë ndryshimet që u bënë në organizimin e brendshëm politik dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Në periudhën e Republikës së Epirit u vu në qarkullim një masë e madhe monedhash, më e madhe se asnjëherë tjetër në Epir, prej bronzi dhe prej argjendi. Disa tipa të këtyre monedhave u përmbahen simboleve të vjetra të përdorura që më parë nga Lidhja Molose apo Aleanca Epirote, megjithëqë ishin në përshtatje edhe me një varg simbolesh të Aleksandrit dhe të Pirros të prera jashtë Epirit. Por, në monedhat e federatës republikane të Epirit shënohen për të parën herë edhe emrat e nëpunësve të lartë, që ka mundësi të lidhen dhe me strategët eponym të Lidhjes. Nuk dihet gjithashtu me saktësi se ku mund të jenë prerë këto monedha; supozohet të jenë prerë në Dodonë ndoshta dhe në Foinike, por nuk përjashtohet mundësia që një nga vendprerjet e tyre të ketë qenë dhe Antigonea, ku janë zbuluar tani së fundi monedha të pavulosura si dhe shufra bronzi për nxjerrjen e tyre. Përsa i përket zonës së qarkullimit të monedhave të Lidhjes Epirote, ato përhapjen më të madhe e kanë pasur brenda trevave të Epirit dhe sidomos në zonat veriore të tij. Pak prej tyre janë gjetur në Greqi e në Maqedoni, por kanë qarkulluar në sasira të konsiderueshme në qytetet dhe krahinat e Ilirisë së Jugut, sidomos në ato kufitare me Epirin. Kjo tregon se midis këtyre trevave fqinje në çerekun e fundit të shek. III dhe në fillim të shek. II p.e.sonë ekzistonin marrëdhënie të rregullta dhe intensive tregtare, që shprehen edhe në afërsitë stilistike dhe tipologjike të disa monedhave republikane epirote me ato të Amantisë, të Orikut, të Apolonisë etj.
Qytetet epirote, nga pikëpamja e sistemit të fortifikimit, urbanistikës, strukturës së ekonomisë dhe tipareve të kulturës ngjanin shumë me qytetet bashkëkohëse ilire; puna e skllevërve zinte një vend të rëndësishëm. Historiani grek Polibi duke përshkruar me hollësi pushtimin e Foinikes nga ilirët në vitin 228 p.e.sonë, thotë se sipas marrëveshjes së paqes, epirotët e lirë qenë liruar me anë shpërblimesh, ndërsa skllevërit e qytetit, ilirët i morën me vete së bashku me pasuritë e tjera, prej të cilave Teuta mbeti shumë e kënaqur.
Të dhëna të shumta për format klasike të skllavopronarisë në qytetet epirote të kohës helenistike, ofrojnë dhe materialet epigrafike të zbuluara kryesisht në Dodonë e në Butrot. Vetëm në hyrjen perëndimore të teatrit të Butrotit janë afishuar të skalitura në blloqet e gurëve, 29 akte lirimi. Sipas këtyre dekreteve shpallen të lirë rreth 400 skllevër, pjesa më e madhe e të cilëve vinte nga sferat e prodhimit, midis të cilëve gjysma ishin gra.
Në kohën e Republikës një rol të madh në jetën ekonomike dhe politike të vendit filluan të lozin qytetet e trevave veriore të Epirit. Foinike, sipas Polibit, dallohet në këtë kohë si qyteti më i fuqishëm dhe më i pasur i Epirit, ndërsa të dhënat arkeologjike të fituara në këto vitet e fundit në Antigone e paraqesin këtë qytet të madh, me një sistem të fuqishëm fortifikimi dhe me një planimetri shumë të rregullt urbanistike (sistemi hipodamik). Në këtë qytet funksiononin punishte të veçanta të specializuara në degë të ndryshme të zejtarisë dhe zhvillohej një veprimtari e gjerë tregtare, rrezja e shtrirjes të së cilës arrinte deri në brigjet e Mesdheut Lindor dhe Perëndimor.
Në politikën e jashtme, Lidhja Epirote që në fillim u tregua e paqëndrueshme dhe nuk kishte fuqi të mjaftueshme për të përballuar presionin diplomatik dhe ushtarak të shteteve fqinje dhe konkretisht të lidhjes etole në jug, të Maqedonisë në lindje, shtetit ilir në veri dhe atij romak në perëndim. E ndodhur në një pozitë tepër kyçe midis këtyre shteteve rivale, me një potencial të madh ekonomik dhe ushtarak, ajo u tërhoq më tepër pas politikës së aleancave dhe të qëndrimit asnjanës, që e çuan më vonë Epirin në humbjen e pavarësisë së tij të plotë ekonomike dhe politike.
Në fillim Lidhja Epirote pati marrëdhënie të mira me etolët. Në vitin 230 p.e.sonë, kur asaj iu imponua një luftë e rrezikshme nga ilirët, të cilët për një kohë e pushtuan dhe kryeqytetin Foinike, qenë pikërisht etolët ata që bashkë me akejtë e ndihmuan aleaten e tyre që të përballonte këtë provë të vështirë. Por kjo ngjarje e tronditi aq shumë Epirin sa bëri që Lidhja të ndryshonte menjëherë politikën e saj kundrejt etolëve, duke hyrë në aleancë me kundërshtarët e tyre, me shtetin ilir, të kryesuar nga Teuta dhe pak më vonë me atë maqedon, në krye të të cilit qëndronte Antigon Dosoni. Madje në vitet 219-217 p.e.sonë, epirotët e ndihmuan aktivisht pasardhësin e Dosonit, Filipin V kundër etolëve. Por këtë veprim ata e paguan shtrenjtë, pasi etolët duke kundërvepruar, hynë në Epir dhe shkretuan pjesë të tëra të tij duke mos kursyer as vetë Dodonën që ishte qendër e rëndësishme kulti. Edhe pas këtyre ngjarjeve Epiri e përkrahu Maqedoninë, madje edhe atëhere kur Roma hyri në luftë e vendosur për të zhdukur këta rivalë të fuqishëm të saj në Ballkan. Në vitin 205 p.e.sonë, Lidhja bëhet ndërmjetëse midis palëve ndërluftuese për vendosjen e një paqeje, që u nënshkrua në Foinike, për të cilën më tepër ishte e interesuar Maqedonia.
Në luftën e dytë maqedono-romake, Epiri u përpoq të ruante asnjanësinë midis Maqedonisë dhe Romës dhe të ndërmjetësonte rishtas në vitin 198 p.e.sonë për një paqe midis tyre, por kësaj radhe pa dobi, meqenëse kërkesat romake qenë të rënda për Filipin. Në këtë kohë tek një pjesë e epirotëve filluan të shfaqeshin tendencat e para për të përkrahur hapur Romën. Ndihma që u dha romakëve Karopsi, një prijës i kaonëve, për të thyer qëndresën e ushtrisë maqedone, e cila kishte zënë grykën e Vjosës midis maleve të Trebeshinit dhe Dhembelit, qe mjaft domethënëse në këtë drejtim dhe i kushtoi humbje të mëdha Filipit. Këto tendenca proromake u shfaqën më qartë, në prag të luftës së tretë maqedone. Të deleguar nga Roma erdhën në Epir dhe kërkuan nga Kuvendi i epirotëve, që ishte mbledhur në qytetin bregdetar Gitana (akoma i paidentifikuar), të përkrahte Romën në luftën e saj përfundimtare me Maqedoninë. Ky presion diplomatik i vuri në lëvizje përkrahësit e Romës në Epir. Mirëpo këta duke dashur t’i imponojnë këshillit të Lidhjes politikën e aleancës me Romën, ngjallën kundërshtimin e një pjese të anëtarëve të saj dhe në mënyrë të veçantë të molosëve, të cilët kërkonin të ruhej si dhe më parë politika e ekuilibrit midis palëve ndërluftuese, në sajë të së cilës Epiri kishte shpëtuar deri tani pa u dëmtuar. Më vonë këto kundërshtime dhe intriga të brendshme, çuan në dobësimin e unitetit të veprimit të Lidhjes. Në vitin 170 p.e.sonë molosët qenë hedhur më në fund definitivisht nga ana e Perseut, ndërsa kaonët e thesprotët u radhitën në luftë përkrah romakëve.
Në këto veprime arbitrare dhe të kundërta, Lidhja Epirote në fakt e humbi pavarësinë dhe funksionin drejtues të saj. Fatin e Epirit duhet ta vendoste tani lufta dhe rrjedhimet qenë katastrofike sidomos për krahinat që gjatë saj mbajtën qëndrim antiromak. Në vitin 169 p.e.sonë krahina të tëra të Epirit u shkretuan, rreth 70 qytete të tij u plaçkitën dhe u dogjën nga pushtuesit romakë, ndërsa 150 000 veta u kthyen në skllevër. Një numër i madh epirotësh të shquar u dërguan në Itali.
Pas vitit 168 p.e.sonë, vetëm disa krahina që përkrahën Romën në luftën e saj kundër Perseut ruajtën një farë autonomie formale; ato u riorganizuan në një Lidhje të re epirote, gjeografikisht të kufizuar, të quajtur sipas të dhënave epigrafike Lidhja e epirotëve përreth Foinikes, por që më vonë do të përmendet vetëm si Lidhja Epirote.
Qendra e jetës ekonomike dhe politike e kësaj Lidhjeje, qe përqendruar kryesisht në Foinike, por përveç Foinikes kishte edhe qendra të tjera të rëndësishme si Pandosia e Dodona, të cilat prenë në këtë kohë monedhat e tyre me legjendën e “Epirotëve”, por pa emra nëpunësish, siç ishin, p.sh. ato të prera nga Lidhja republikane para vitit 168 p.e.sonë. Lidhja Epirote përreth Foinikes u krijua si një njësi kinse autonome politike-administrative dhe ekonomike, por ndër rrethana pushtimi dhe nën kontrollin drejtpërdrejt të Romës, të cilin ajo e ushtronte përmes njerëzve të besueshëm në Epir. Kjo Lidhje e vazhdoi ekzistencën e saj, pavarësisht se politikisht nuk pati ndonjë rëndësi, deri në vitin 148 p.e.sonë, kur, bashkë dhe me pjesën tjetër të Epirit që kishte mbetur jashtë kësaj Lidhjeje, hyri më në fund në sferën e administrimit të provincës maqedone të porsakrijuar, ashtu sikurse dhe krahinat e tjera të Ilirisë të Jugut, në jug të lumit Mat.
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e Shqiperise-PELLAZGET DHE ILIRET.

K R E U V

SHTETI ILIR - FUQI MESDHETARE.

LUFTثRAT KUNDثR ROMثS
(231 - 168)



Në historiografinë moderne është bërë zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë emër ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre, ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në bregun e djathtë të Naronës, përballë ishullit Far, në jug të dalmatëve; pa i braktisur këto krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.sonë në kohën e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët zbritën gjatë bregdetit deri thellë në jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të taulantëve dhe ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë së Jugut; u krijua kështu një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa të parat, që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej Naronës në veri.
Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar. Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve në formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i zëvendësonin ata me labeatët, të cilët kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj asaj periferike të ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te historiani Dion Kasi, një burim i vonë i shekullit II të erës sonë, kurse autorë të tjerë, më të hershëm e më të besueshëm, e përmendin si një mbret të ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia e lindjes së këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe u paraqit si krijesë e një grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise që kishin interesa të përbashkëta dhe lidhje afërie me dinastinë pushtuese.
Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara, ato bashkohen në vështrimin që i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni politik për të cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet fisnor dhe si një vepër personale e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni.
Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi rreth mesit të shek. III p.e.sonë i një mbretërie ardiane shumë më të gjerë e më të fuqishme se të parat paraqitet sot si një trajtesë mekanike. Me të drejtë është vënë në dukje se kësaj teze i mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve është një krijesë e historiografisë moderne.
Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet si një dukuri krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit të shek. III u krijua ky “entitet politik krejtësisht i ri”. Analiza objektive e burimeve tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje në traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më në jug se sa pranohet dhe bërthamën e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të vjetër ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake. Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas autorëve antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë e rëndësishme që bënin pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i veçantë në formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja e tyre në përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë në dukje me të drejtë, në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes së këtij shteti në veri. Burimet tregojnë qartë se banorët e këtij shteti quhen si më parë “ilirë”, vendi “Iliri” dhe sundimtarët “mbretër ilirë”.
Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë veriore. Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka të ngjarë që në mesin e shek. III p.e.sonë ose pak më parë, shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti ilir.
Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.sonë) të shtetit ilir është kryesisht historia e luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të këtyre luftërave janë vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto janë një dëshmi e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis fuqive të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet politike të kohës.
Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra është vepra e historianit grek Polibi. Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori të përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve, ashtu sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve politikë të Romës, paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë në këtë vepër pushtimet romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse “fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën”. Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen nga historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të përgjithshëm, ka karakter thjesht propagandistik.
Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë nën ndikimin e një tradite të korruptuar rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë të parë tek Livi, i cili i kushton më tepër vëmendje efektit retorik e moralizues sesa të vërtetës historike. Për hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë të vërtetë. Tregimet e tij janë të veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi fantastike.
Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të pasakta të tradicionit të vjetër.

1. NGJARJET Nث PRAG Tث LUFTثS ME ROMثN

Aleanca iliro-maqedone.
Sulmi kundër Medionit
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë shteti ilir kishte arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi thotë se “Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”. Kufijtë e shtetit të tij përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona deri në Aoos me përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë. Qytetet e veriut, Lisi, Skodra, Ulqini e Rizoni, me limanet e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e fuqishme ilire dhe përbënin bazën e shtetit ilir.
Ndër fqinjët e shtetit ilir vetëm Mbretëria Dardane ishte në ngjitje, ndërsa vendet jugore jetonin ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe Greqia ishin të kapërthyera nga luftërat e ashpra socialo-politike dhe rivaliteti midis tyre. Në mesin e shek. III pozita e Maqedonisë ishte lëkundur përsëri. Përpjekjet e Antigon Gonatës për të ruajtur hegjemoninë e saj në Greqi nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i tij Demetri II u gjet në një situatë edhe më të vështirë. Lëvizja antimaqedone ishte forcuar, sepse më në fund dy lidhjet e mëdha greke, ajo Etole dhe Ahease ishin bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja e monarkisë në Epir (viti 234) dhe dalja e këtij vendi nga aleanca me Maqedoninë për t’u bashkuar me koalicionin republikan, antimaqedon, e rëndoi edhe më shumë gjendjen. Raporti i forcave ndryshoi në dëm të Maqedonisë. Në vitin 231 të dy lidhjet e shtuan presionin e tyre ushtarak mbi Maqedoninë, duke ndërhyrë me forca të armatosura kundër Akarnanisë, një vend i vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë. Pothuajse në të njëjtën kohë një sulm i furishëm dardan i pavarur apo i bashkërenduar, shpërtheu mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë, si rrallë ndonjëherë, Demetri kishte nevojë për aleat dhe këtë e gjeti te sundimtari i shtetit ilir, Agroni.
Kushtet e marrëveshjes nuk pasqyrohen në burimet historike të kohës. Versioni i Polibit, që është edhe burimi i vetëm për këtë çështje, sipas të cilit se Demetri ia mbushi mendjen Agronit me të holla për të ndihmuar qytetin akarnan Medionin, që mbahej i rrethuar nga etolët, duket se shpreh tendencën e këtij autori për t’u rezervuar ilirëve një pozitë të padenjë. Ngjarjet konkrete që u zhvilluan pas kësaj e sqarojnë më mirë politikën e shtetit ilir, si edhe domethënien e përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.
Sidoqoftë një aleancë midis Maqedonisë dhe Ilirisë qe përfunduar dhe ajo i vinte këto dy shtete kundër koalicionit republikan në Greqi dhe kundër rrezikut që vinte prej tij. Ky rrezik qe bërë real në Epir dhe mund të ndikonte keq edhe përtej kufijve të tij. Ky ishte shkaku i kësaj aleance, për hir të së cilës Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta shohim, disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet e Jonit, për të kënaqur aspiratat ilire në këto anë.
Aleanca hyri në veprim; ndërsa Demetri ishte i zënë me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh me 5 000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin, prisnin dorëzimin e tij nga çasti në çast. Ata ishin aq të sigurt saqë kishin filluar të bënin llogaritë për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara të papriturës së hidhur. Ilirët që ishin futur në liman natën pa u ndjerë, zbritën me të shpejtë nga anijet dhe pasi u rreshtuan në formacion luftarak u sulën kundër lëmit etol. Ilirët ditën ta maskojnë mirë lëvizjen e flotës së tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin e Ambrakisë, pa u diktuar. Por edhe sikur të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara greke nuk qe në gjendje t’u dilte atyre përpara. Duke përshkruar këtë fushatë, Polibi i atribuon një rol të veçantë befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre. Në të vërtetë ruajtja e fshehtësisë në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia janë elemente të domosdoshme të taktikës luftarake. Por këta nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën fatin e betejës. Nga vetë zhvillimi i saj nuk është vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë ndeshje e luajti organizimi më i mirë i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në manovrimin e forcave. Pesha që kishte “rreshtimi i tyre” dhe përqendrimi i forcës goditëse në pikën më të dobët të armikut, pohon Polibi, bënë që ilirët të shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët, etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve. Medionasit, që deri atëherë qëndronin të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në shpinë. Të asgjësuar, etolët lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur dhe gjithë pajisjet e tyre luftarake.
Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë e madhe. Ushtria që mbahej si më e forta ndër ushtritë greke, që krenohej me traditat e saj luftarake, për fitoren mbi galët në vitin 270 dhe që për gati 10 vjet me radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë, kishte marrë papritur një grusht dërrmues. Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç’pasoja mund të kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë veç zhbllokimit të Medionit, gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me etolët, duke përgatitur kështu kushtet për një ndërhyrje të gjerë në këtë vend. Pas përfundimit të betejës ata ngarkuan menjëherë plaçkën në anijet e tyre dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të madhe dhe Polibi tregon se mbreti Agron u dha aq shumë pas të pirit dhe dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.

Fushata e vitit 230 kundër Epirit
Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit, që Agroni e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja e tij e parë, Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm apo një uzurpim nuk dihet me saktësi, por ardhja e saj në fuqi paraqet një rast të veçantë në të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia e së ëmës t’i ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën mashkullore të mos ketë pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin e ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk donte t’ia kalonte këtë të drejtë një dege tjetër të familjes mbretërore, e cila mund të sillte më vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit. Sidoqoftë ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit, ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin ilir një gjendje të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të shtresës sunduese ilire, “miqtë” e mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta “ushtroi - siç thotë Polibi, - drejtimin e punëve”.
Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën e aleancës së farkëtuar nga Agroni me Maqedoninë. Në vitin 230, një vit pas fitores mbi Medionin, një forcë ushtarake dhe detare ilire, “jo më e vogël se ajo e Agronit”, u vu përsëri në lëvizje drejt jugut. Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje armike gjithë anëdetjen dhe t’i shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe në Meseni, krahina që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion flota do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve e të aheasve, kurse forcat kryesore do të godisnin nga deti dhe nga toka objektivin kryesor, Epirin. Forcat detare ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët galë t’u dorëzonin qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët të shqetësuar dërguan forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur mirë të vendosin lëmin e tyre buzë lumit, që rrjedh pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se një ushtri tjetër ilire prej 5 000 vetash, nën komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat epirote që u dërguan kundër tyre nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq ilirët që kishin zënë Foiniken ndërmorën një sulm të fuqishëm kundër lëmit epirot që ndodhej në anën e përtejme të lumit (Bistricës). Epirotët u shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushë të luftës shumë të vrarë e të plagosur; vetëm një pjesë mundën të shpëtojnë e të ikin tek atintanët. Por edhe këtë radhë dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.
Pas këtij dështimi epirotët e humbën çdo shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma nuk vonoi t’u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën në vendin e quajtur Helikanon (një vend i paidentifikuar) diku në pellgun e Vurgut. Këtu erdhën dhe pushtuesit e Foinikes bashkë me forcat e Skerdilaidit, që duhet të kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga qafa e Skarficës për të arritur në Foinike. Të dyja palët u radhitën përballë njëra-tjetrës, por nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë Polibi, ilirët morën urdhër nga Teuta të tërhiqeshin nga Epiri, për t’u dalë përpara dardanëve që po sulmonin nga lindja dhe për të qetësuar disa nga fiset që ishin bashkuar me ta.
Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan nuk mund të thuhet, por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan më parë një armëpushim me epirotët, në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin dhe robërit që ishin qytetarë të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe flota morën rrugën e kthimit duke marrë me vete, me sa duket, edhe premtimin për një aleancë të ardhme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundohet. Përfaqësuesit epirotë arritën me të shpejtë te mbretëresha ilire dhe përfunduan me të një aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin ilirët dhe të jenë armiq të etolëve dhe të ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akarnanët, të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët. Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me akarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe shtetit ilir.

Shqetësimet në Romë. Përgatitjet për luftë
Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por më të mëdha ishin ato në Romë. Reagimi romak është transmetuar në dy versione. Versioni i parë i përket Polibit. Sipas tij, në këtë kohë senati dërgoi te mbretëresha ilire dy delegatë për t’u ankuar kundër sulmeve të piratëve ilirë, të cilët prej kohësh u binin në qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan në grindje dhe fyerje, që çuan në vrasjen, me urdhrin e Teutës, të njërit prej delegatëve, gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet janë dhënë me hollësi megjithatë vërtetësia e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është veshur një qëndrim mendjelehtë prej gruaje, që me të drejtë është konsideruar si një formulim tipik i huajtur nga historiografia helenistike e llojit sensacional.
Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej atij të Polibit. Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa vise të Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin dhe Farin dhe kishte vendosur garnizone në to. Por meqë zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan delegatë së bashku me isejtë, por delegatëve u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e Isës dhe e qyteteve të tjera të bregdetit; delegatët vriten, por pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk zihet aspak në gojë.
Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre burimeve, Romës i bëhej një fyerje dhe shkelej “e drejta njerëzore”. Ky ishte motivacioni me të cilin do të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet e mëtejshme të Republikës, një motivacion banal, të cilin politika romake do ta përsëriste të paktën edhe një herë tjetër më vonë kundër ilirëve dalmatë. Por këtë herë prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi, se romakët u shpallën luftë dalmatëve për t’i nënshtruar, “por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve të tyre”.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë. Edhe mbretëresha ilire nga ana e saj nuk vonoi të marrë masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes për forcimin e rendit të brendshëm dhe qetësoi fiset që qenë shkëputur pas sulmit dardan. Por vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi sigurimit të bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen e krijuar një pozitë me rëndësi zinin Isa në veri, Korkyra në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin pikat më delikate që do të synonte armiku dhe zotërimi i tyre do të luante një rol të dorës së parë për fatin e luftës. Prandaj mbretëresha shpejtoi të vërë dorë mbi to.
Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua, ilirët vendosën bllokadën e saj. Pak më vonë, në pranverë të vitit 229, një ekspeditë e madhe u vu, njëkohësisht në lëvizje, kundër Epidamnit dhe Korkyrës. Ndërsa shumica e flotës vazhdoi lundrimin drejt jugut, një pjesë e saj u ndal në Epidamn. Orvatja për pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë ilirët u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën në det të hapur, u bashkuan përsëri me forca të tjera për të vazhduar lundrimin drejt Korkyrës. Sapo mbërritën këtu, forcat ilire zbarkuan dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit e rrethuar kërkuan ndihmën e etolëve dhe të aheasve. Në të njëjtën kohë erdhën për të kërkuar ndihmë tek ata edhe delegatë nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh. Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt Korkyrës. Ilirët, si morën dhe 7 anijet që u kishin dërguar akarnanët, sipas marrëveshjes, u dolën ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër ishullit Paksos. Flota ahease u shpartallua. Katër anije u kapën dhe një e pestë u fundos, të tjerat u detyruan të sprapsen me shpejtësi për t’i shpëtuar fatit të të parave. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje. Të përdorura me guxim e shkathtësi nga detarët ilirë, ata triumfuan mbi anijet e rënda katër e pesërremëshe greke. Pas kësaj Korkyra iu dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim qytetin, ilirët lanë këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit, kurse forcat kryesore u kthyen dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u nisën kundër Ilirisë.
2. LUFTA E PARث ILIRO-ROMAKE

Shkaqet e luftës. Veprimet ushtarake
Problemi i ndërhyrjes romake në Iliri ka qenë për historiografinë një tezë e parapëlqyer, rreth së cilës janë zhvilluar mjaft diskutime. Pikëpamja që ka qenë për një kohë të gjatë më e pranuar është se shkaku kryesor i kësaj ndërhyrjeje ka qenë pirateria ilire, që i sillte dëme të rënda tregtisë italike. Duke përsëritur Polibin, kjo ndërhyrje u paraqit si një konflikt që iu imponua senatit romak, në kundërshtim me vullnetin e tij, “për të frenuar veprimet e sundimtares mendjelehtë ilire”. Tezës që e shikonte ndërhyrjen romake si pjesë të një plani për një ekspansion më të gjerë në lindje iu kundërvu versioni se Roma as në këtë kohë e as më parë nuk ka pasur një politikë orientale. Më vonë kjo teori u përsërit dhe në ditët tona. Pasues të saj i atribuojnë monarkisë ardiane një “rol organizues” që i dha piraterisë ilire “pamjen e një imperializmi fillestar” dhe si pasojë bëri që “zgjerimi ilir të ndeshet me interesat romake”.
ثshtë e rëndësishme të sqarohet në këtë rast nëse ishte pirateria ilire ajo që çoi në konfliktin iliro-romak dhe që bëri të pashmangshme luftën apo shkaqe të tjera më të thella.
Pirateria lindi dhe u zhvillua tek ilirët, ashtu sikurse dhe te popujt e tjerë të Mesdheut, në një stad të caktuar të zhvillimit të tyre historik. Kështu, burimet i përshkruajnë etruskët, në gjysmën e dytë të shek. IV, si një popull që terrorizonte lundrimin në Adriatik dhe në Egje; etolët në shek. III kishin gjithashtu një nam të keq si piratë. Edhe vetë romakët, pretenduesit e mbrojtjes së rendit, e kanë ushtruar piraterinë në prag të erës sonë. Tek ilirët ajo luajti një rol të dukshëm qysh nga fundi i shek. IV. Ky mendim pajtohet si me njoftimet e autorëve antikë, ashtu dhe me vetë zhvillimin shoqëror e politik të ilirëve në këtë kohë. Pirateria ishte një dukuri e pandarë e shoqërisë skllavopronare, që e shoqëroi atë në forma të ndryshme gjatë gjithë ekzistencës së saj.
Por veprimet ilire që përshkruan Polibi dhe që kanë të bëjnë me ngjarjet në prag të konfliktit të armatosur me Romën, nuk kanë aspak karakter piratesk. Ato ishin pjesë e politikës së shtetit ilir lidhur me gjendjen e krijuar në Greqi. Prandaj përpjekja e studiuesve për t’i shpjeguar shkaqet e ndërhyrjes romake me anë të piraterisë ilire nuk është e përligjur. Nuk kanë munguar orvatjet për të kërkuar shkakun e luftës edhe te “frika e zakonshme e romakëve ndaj fqinjit të fortë”. Por edhe ky nuk është një shpjegim i plotë. Ndërhyrja e Romës lidhej në rastin konkret me rrezikun që paraqiste ky fqinjë i fortë, aleati i Maqedonisë për aspiratat e saj në kushtet e një Greqie të dobësuar nga lufta e brendshme. Sukseset në perëndim e kishin rritur oreksin e qarqeve sunduese skllavopronare romake dhe e kishin bërë më të fuqishme tendencën për të mos e ndarë sundimin e Mesdheut me fuqi të tjera, kurse dalja e shtetit ilir në arenë u shkonte ndesh këtyre tendencave. Midis kontradiktave të thella që kishin përfshirë në këtë kohë botën mesdhetare, ato të shtetit ilir me Romën dolën në plan të parë dhe shkaktuan konfliktin e armatosur të vitit 229. Në të ardhmen këto kontradikta do të thellohen e do të shtrihen gjithnjë më në lindje, duke sjellë me vete konflikte të reja të armatosura.
Që nga sulmi kundër Foinikes deri tek ardhja e delegatëve kishte kaluar një vit. Megjithatë, kjo çështje ziente qysh prej 2 vjetësh, nga ngjarja e Medionit. Gjatë kësaj kohe Roma kishte arritur të bënte, siç e pamë, hapat e nevojshëm diplomatikë për përgatitjen e opinionit publik. Ishin grumbulluar gjithashtu forca të konsiderueshme ushtarake, të cilat në rastin e rënies së Korkyrës u vunë menjëherë në lëvizje. Një flotë prej 200 anijesh dhe një ushtri prej 20 000 këmbësorësh do të merrte pjesë në këtë operacion, të cilin do ta drejtonin dy konsujt që ishin në fuqi atë vit. Kjo tregon se sa i madh ishte preokupacioni i romakëve për fushatën ilire dhe sa të ndërgjegjshëm ishin ata për vlerën reale të kundërshtarit të tyre. Nuk ishte kjo, pra, një çështje kaq e lehtë dhe e thjeshtë, siç është bërë zakon të paraqitet.
Por zhvillimi i ngjarjeve tregon se mbretëresha nuk arriti t’i dalë rrezikut përpara. Qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu, Apolonia dhe Korkyra, të cilat do të përbënin pikëmbështetjet kryesore të mbrojtjes, kishin mbajtur një qëndrim negativ. Plani për pushtimin me forcë të tyre nuk pati sukses. Kur romakët iu drejtuan Korkyrës, flota dhe forcat ilire ishin të shpërndara dhe të angazhuara në bllokadën e Dyrrahut dhe të Isës. Garnizoni ilir i Korkyrës kishte mbetur i izoluar dhe kësaj iu shtua tradhtia e Demetër Farit. Romakët, që edhe kështu kishin ardhur me forca të mëdha (200 anije), i gjetën portat e hapura dhe e zunë qytetin pa vështirësi. Forca të tjera të nisura nga Brindisi dhe ato të Korkyrës, pasi u bashkuan, iu drejtuan Apolonisë e më pas Dyrrahut dhe i zunë po me kaq lehtësi. Shtresa sunduese e këtyre qyteteve, e cila e kishte përcaktuar pozitën e vet që më parë, i mirëpriti pushtuesit; ajo u tregua e gatshme të hyjë në ombrellën romake mjaft që të ruante pozitat e veta dhe të siguronte pasurinë e tregtinë. Këtë politikë ndoqi edhe aristokracia parthine e atintane, e cila ishte e lidhur ngushtë me interesa ekonomike me qytetet fqinje, Dyrrahun dhe Apoloninë, ajo shpejtoi gjithashtu, siç thotë Polibi, “t’u nënshtrohej me dashje” romakëve dhe të sigurojë “miqësinë e tyre”.
Të mbështetur në planin fillestar të mbrojtjes së vijës bregdetare, ilirët nuk qenë në gjendje dhe nuk patën kohë të organizonin një qëndresë serioze. Vetëm në krahinat në veri të Dyrrahut romakët ndeshën në kundërshtimin ilir. Këtu ardianët i pritën me armë në dorë. Polibi nuk jep hollësira për luftën e tyre, thotë vetëm se i “i nënshtruan”, por këtë radhë nuk përdor më shprehjen “me dashje” si në rastin e parthinëve dhe atintanëve. Ai nuk ka mundur, gjithashtu, të heshtë për qëndresën e fortë të qytetit Nutria, pushtimi i të cilit u kushtoi romakëve shumë ushtarë dhe oficerë të vrarë. Duke përparuar drejt veriut gjatë bregdetit, thuhet se romakët morën edhe qytete të tjera, por emrat e tyre nuk zihen në gojë. Dimë që Isën e bllokuan romakët dhe ilirët, që e mbanin të rrethuar, u strehuan në qytetin Arbone, kurse Teuta me forca të vogla u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rizonit.
Fushata e asaj vere thuajse e kishte zgjidhur përfundimisht fatin e luftës. Viset e pushtuara në veri, konsujt i lanë nën mbikqyrjen e Demetër Farit dhe vetë u kthyen në Dyrrah me flotën dhe forcat e tyre tokësore. Njëri prej tyre u nis për në Romë duke marrë me vete pjesën më të madhe të forcave; tjetri mbeti në Iliri me 40 anije dhe si rekrutoi ushtarë në qytetet që ishin rreth e rrotull, vendosi ta kalojë aty dimrin për të vigjëluar ardianët dhe popullsitë e tjera që ishin vënë nën “mbrojtjen” e Romës.

Paqja e vitit 228 dhe pasojat e luftës së parë
Ndërkaq Mbretëria Ilire kishte filluar të shpërbëhej. Duke parë këtë gjendje, në pranverë të vitit 228, Teuta dërgoi në Romë përfaqësuesit e saj që përfundoi paqen me senatin. Kushtet e paqes qenë të rënda. Sipas Polibit, Teuta detyrohej: 1. t’u paguante romakëve një tribut, 2. të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm pak vende dhe 3. të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije, por edhe këto të paarmatosura. Të formuluara me terma kaq të përgjithshëm këto kushte janë bërë objekti i diskutimeve të shumta. Përpjekjet që janë bërë për të shpjeguar ndryshimet territoriale që iu bënë Mbretërisë Ilire dhe për të përcaktuar gjendjen juridike të tokave të shkëputura prej saj kanë çuar në përfundime të ndryshme, të cilat në ndonjë rast ishin të tilla që nuk mund të cilësohen as si hipoteza.
Për një kohë ka zotëruar një mendim, sipas të cilit, romakët i ndanë pushtimet e tyre në dy pjesë. Në veri krijuan një shtet të vogël që përbëhej nga ishulli i Farit dhe disa toka të bregdetit përballë. Në krye të atij ata vunë tradhtarin Demetër Farin, me qëllim që të vëzhgonte dhe të njoftonte për çdo veprim të Mbretërisë Ilire. Me tokat e tjera të pushtuara në jug romakët krijuan një protektorat, që shtrihej prej Lisit e deri tek malet Akrokeraune dhe ato Kaone. Në këtë protektorat u përfshinë, përveç Dyrrahut, parthinëve dhe atintanëve, edhe qytetet Dimale, Aulona, Oriku, Bylisi, Amantia e deri Antigonea e largët. Këtyre u shtoheshin edhe ishujt Isa e Korkyra.
Ndryshe nga kjo pikëpamje, më realist është mendimi që nuk njeh ndonjë teprim lidhur me të ashtuquajturin protektorat romak në Iliri. Me të drejtë është vënë në dukje se ai nuk ka përbërë kurrë një rrip të pandërprerë toke, që nga Lisi e deri te bregu kontinental përballë Korkyrës, por ka qenë përbërë, ashtu si e nënkupton Polibi dhe e shpreh Apiani, nga Apolonia, Dyrrahu dhe territoret e tyre, nga ishujt Korkyra, Isa dhe nga parthinët e atintanët, pa asnjë territor më tepër nga ato që i ishin dorëzuar Romës. Lisi, i cili në bazë të traktatit përbënte një kufi detar, nuk pranohet edhe si kufi tokësor midis Mbretërisë Ilire dhe protektoratit romak. Duke u nisur nga kjo është shprehur mendimi se disa toka në jug të protektoratit mbetën përsëri nën vartësinë e Mbretërisë Ilire, me gjithë vështirësitë që paraqiste kjo vartësi për të qenë reale. Me këtë sistem, traktati i siguronte Romës lundrimin e qetë në ngushticën e Otrantos dhe mbikqyrjen me anë të protektoratit të Mbretërisë Ilire, duke i hequr kësaj çdo mundësi që të bëhej përsëri një fuqi e madhe.
Kohët e fundit janë bërë përpjekje që këto mendime të zëvendësohen me një tezë të re, sipas së cilës zotërimet romake kufizohen gjithashtu me tokat e Dyrrahut, të Apolonisë, të parthinëve dhe të atintanëve, por parthinët shtriheshin në luginën e mesme dhe të epërme të Shkumbinit, kurse atintanët në اermenikë. Kështu protektorati ngushtohet, por shtrihet thellë në lindje. Rreth tij pastaj vendosen një sërë zonash të pavarura, që shërbejnë, sikurse thuhet, si amortizatorë për zotërimet romake. Në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës vendoset zotërimi i Demetër Farit, që ndante protektoratin nga Mbretëria Ilire; në lindje zotërimet romake, duke depërtuar thellë deri në burimet e Drinit të Zi, ndanin mbretërinë ardiane nga aleatët e saj maqedonë dhe bllokonin rrugët nga Maqedonia për në brigjet e Adriatikut; më poshtë Dasaretia, që zinte territorin midis Devollit dhe Osumit, u bë gjithashtu një zonë e pavarur dhe formoi një amortizator tjetër ndaj Maqedonisë; më në fund, në jug zona që hyri në vartësinë e Romës përfundonte në territorin e Apolonisë, që takonte bregun e Vjosës, por nuk përfshinte Aulonin, Orikun, Bylisin dhe Amantien. Këto katër qytete formonin një grup të pavarur ose neutral, me fjalë të tjera një amortizator tjetër ndaj Lidhjes Epirote.
ثshtë e pabesueshme që romakët të kenë projektuar dhe realizuar një sistem të tillë mbrojtës, të paktën në mënyrë të ndërgjegjshme, siç na paraqitet. Senati nuk mund të zbatonte një politikë jo realiste. Shtete të tilla të vogla nuk mund të kishin një vlerë reale, sepse fuqitë që qëndronin pas këtyre të ashtuquajturve amortizatorë nuk do t’i përfillnin ato, nuk do t’i konsideronin si pengesë. Në fakt të gjitha sulmet që shpërthyen më vonë prej Mbretërisë Ilire apo Maqedonisë kundër zotërimeve romake nuk kanë ndeshur në pengesën e këtyre lloj shteteve dhe nuk ka të dhëna që mbrojtja romake të jetë mbështetur në to. Përveç kësaj, disa fakte të veçanta që përfshihen në këtë tezë janë krejt arbitrare. Kështu, është e pabazuar vendosja e zotërimeve të Demetër Farit në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës dhe, po kështu, nuk qëndron lokalizimi i atintanëve në اermenikë.
Duke pranuar si të drejtë mendimin që zotërimet romake në tokën ilire formoheshin nga Dyrrahu, Apolonia dhe parthinët e atintanët, mbetet sidoqoftë e paqartë shtrirja territoriale e këtyre zotërimeve. Përpjekjet për lokalizimin e parthinëve dhe të atintanëve nuk kanë dhënë përfundime të kënaqshme. Në qoftë se për parthinët ka ardhur duke u saktësuar mendimi që ata, si banorë të tokave në shpinë të Dyrrahut, shtriheshin prej Ardaksanit e deri në Aps (Apsos), për atintanët mendimet e studiuesve ende nuk përkojnë. Megjithatë, po t’i çlirojmë këto pohime nga ndonjë interpretim jo i drejtë i burimeve dhe të lëmë mënjanë si të dyshimta, ato burime që i shtrijnë atintanët deri në Dodonën e largët apo në luginën e Drinos, atëherë do të vërejmë se burimet kryesore e më të besueshme e vendosin këtë popullsi në shpinë të Apolonisë, në Mallakastrën e sotme. Kështu, parthinët e atintanët së bashku zinin gjithë bregdetin prej Ardaksanit deri në Aps (Apsos) me një shtrirje në lindje që përfshinte edhe brezin kodrinor të ultësirës bregdetare. Në këtë territor bënin pjesë një varg qytetesh ilire, midis të cilave ka të ngjarë edhe Dimale, por jo Bylisi, që zinte skajin më jugor.
Me vënien nën sundimin e tyre të tokave më të rëndësishme të bregdetit, romakët likujduan kështu zotërimet e Mbretërisë Ilire në jug. Edhe në qoftë se në këto anë mbeti ndonjë zonë që nuk u përfshi në zotërimet romake, siç mund të ishte Bylisi me rrethin e afërt të tij, Dasaretia apo ndonjë zonë tjetër e brendshme malore, ato në fakt mbetën të shkëputura nga Mbretëria Ilire, me të cilën edhe më parë, për vetë natyrën e shteteve antike, jo gjithmonë kishin lidhje të forta. Koinoni i bylinëve, si një bashkim i popullsisë dhe i qendrave të vogla përreth, që na përmendet në burimet epigrafike i takon, me sa duket, kësaj kohe.
Nga analiza e pikave të traktatit arrihet në përfundimin se Roma e reduktoi shtetin ilir në një mbretëri të vogël në veri të Lisit. Në jug ajo krijoi një zotërim të vetin që formohej nga Dyrrahu, Apolonia, parthinët dhe atintanët. Këtë zotërim ajo do ta përdorte si një bazë për të garantuar respektimin e traktatit dhe për të shtypur çdo përpjekje për rimëkëmbjen e shtetit ilir. Zotërimet (dinasteia) e Demetër Farit përbënin gjithashtu një kundërpeshë ndaj Mbretërisë Ilire në veri, kurse krahinat apo qytetet e tjera të jugut, që mbetën të shkëputura nga kjo mbretëri, u lanë të papërfillura me besimin që, si njësi të vogla, favorizonin pozitën e Romës në këto anë. Ndalimi, sipas traktatit, i lundrimit në jug të Lisit kishte për qëllim të kufizonte nga ana tjetër fuqinë detare të Mbretërisë Ilire; për këtë do të shërbenin në mënyrë të veçantë zotërimi i Isës dhe i Korkyrës. Kështu me anë të këtij traktati Roma siguronte të gjitha masat e mundshme për ta dobësuar shtetin ilir dhe për ta mbajtur atë nën kontroll, por jo për ta asgjësuar plotësisht.
Në marrëdhëniet me Romën Mbretëria Ilire mbeti, pas përfundimit të traktatit, një shtet tributar. ثshtë thënë se tributi ka qenë një dëmshpërblim që do të paguhej me këste, megjithëse masa dhe mënyra e shlyerjes së tij në traktat nuk përcaktohet. Gjendja juridike e qyteteve dhe e popullsive që u përfshinë në zotërimet direkte të Romës nuk është gjithashtu e qartë. Marrja e tyre nën të ashtuquajturën mbrojtje nga Roma lejon të nënkuptohet se ato qenë vënë nën një lloj varësie. Ka shumë të ngjarë që këto të jenë konsideruar nga ana formale si “aleatë” apo “miq” që u lejohej e drejta e një vetadministrimi të kufizuar. Por në fakt ato ishin të varurit e Romës dhe si të tillë nuk mund të hynin në marrëdhënie të lira me shtetet e tjera. Përveç kësaj, ata ishin të detyruar të pranonin në çdo kohë ushtritë romake dhe t’i furnizonin ato me ushqime apo t’i plotësonin me kontingjente ndihmëse tokësore e detare, siç ndodhi, qysh në vitin e parë të pushtimit, në dimrin e vitit 229/228 dhe më vonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Demetër Farin, që u vu në shërbim të Romës, si dinast i varur i një zotërimi të vogël në ishullin e Farit dhe brigjet e Dalmatisë.
Gjatë konfliktit Maqedonia, Lidhja Epirote dhe Akarnania kishin mbajtur një qëndrim që nuk pajtohej me detyrimet e tyre si aleatë të shtetit ilir dhe me interesat e tyre politike në përgjithësi. Ky qëndrim shpjegohet me një varg rrethanash. Sado me rezerva ta kenë parë këta aleatë rritjen e fuqisë ilire, dalja e Romës në brigjet lindore të Adriatikut nuk mund të ishte për ta më e mirë. Por, nga ana tjetër, nuk shohim, të paktën burimet nuk na e thonë, që krahas masave mbrojtëse me karakter ushtarak, shteti ilir të ketë marrë edhe masa për vënien në lëvizje të aleatëve të tij. Duket qartë se ilirët, ashtu edhe aleatët e tyre nuk arritën t’i përfundonin përgatitjet për t’i dalë përpara rrezikut që po i kërcënonte. Jo vetëm kaq, por vetë Maqedonia u gjend në këtë kohë e rrezikuar seriozisht nga një sulm dardan, i cili i kushtoi jetën sundimtarit të saj, Demetrit II. Ky fakt nuk ishte pa rëndësi në zgjedhjen e momentit të përshtatshëm për shpërthimin e konfliktit të armatosur kundër ilirëve. Edhe në qoftë se ky sulm ishte krejt i pavarur, nuk mund të mos merret parasysh fakti që ai përkon në kohë me ngjarjet e përshkruara më lart. Në këto rrethana romakëve nuk u mbetej gjë tjetër veçse të ndanin dhe të paralizonin aleatët jugorë, Lidhjen Epirote dhe Akarnaninë prej mbretërive ilire. Këtë detyrë ata e zgjidhën duke drejtuar goditjen e tyre të parë kundër Korkyrës dhe Apolonisë.
Pasi rregulluan punët në Iliri, romakët përcaktuan edhe qëndrimin e tyre ndaj aleatëve dhe armiqve të shtetit ilir. Në gjendjen e re të krijuar senati deshi t’u jepte atyre një provë më të qartë të pozitës së Republikës. Menjëherë pas përfundimit të traktatit të paqes, konsulli që mbeti në Iliri u dërgoi një delegacion etolëve dhe ahejve për t’u shpjeguar arsyet e ndërhyrjes dhe të luftës në Iliri dhe për t’u bërë të ditur kushtet e paqes që u kishin imponuar ilirëve. Përfaqësuesit bënë çmos të justifikonin këtë iniciativë të Romës, duke nxjerrë në pah pasojat e “lumtura” që rridhnin prej saj për helenët. Kujdesit dhe mirësjelljes së tyre të shtirë, lidhjet e mëdha greke qenë detyruar t’u përgjigjeshin duke i pritur këto delegacione plot respekt dhe duke dhënë kështu, miratimin e tyre për këto veprime të Republikës. Më vonë delegatët vizituan edhe dy qytete të mëdha tregtare, Korinthin dhe Athinën, që përfaqësonin kundërshtarin më të vendosur të Maqedonisë dhe jo vetëm gjetën të njëjtën pritje, por si asnjëherë më parë, u lejuan të merrnin pjesë në lojërat istmike. Krenaria greke ishte thyer dhe Roma kishte bërë në këtë drejtim hapin e parë konkret. Nga ana tjetër, Maqedonia, Epiri dhe Akarnania, aleate të Mbretërisë Ilire, nuk u vizituan. Me këtë qëndrim mospërfillës Roma u dha të kuptojë atyre se në cilën anë ishin simpatitë e saj.
3. LUFTA E DYTث ILIRO-ROMAKE

Përpjekjet për t’u shkëputur nga varësia romake.
Lufta e dytë
Në vështrimin e parë mund të duket se punët në Iliri u rregulluan në atë mënyrë që garantonin respektimin e traktatit të paqes dhe një sundim të qetë për pushtuesin. Megjithatë, ngjarjet politike treguan se as ilirët, as fqinjët e tyre maqedonët, nuk donin të pajtoheshin me gjendjen e krijuar.
Në vitet që pasuan luftën e parë, Demetër Fari u bë regjent i Mbretërisë Ilire, në vend të Teutës, që thuhet se kishte vdekur apo abdikuar. Nuk dihet nëse ky akt u krye me pëlqimin e Romës, por është e sigurt se duke shtrirë pushtetin e tij mbi gjithë Mbretërinë Ilire, Demetri u forcua mjaft. Nuk duhet përjashtuar që në këtë rast ai të ketë pasur edhe përkrahjen e komandantit të njohur të Teutës, Skerdilaidit, me të cilin bashkëpunoi për një kohë.
Pas vitit 225 ose pak më vonë vihet re largimi i Demetrit nga miqësia me Romën, që u pasqyrua në veprimet e pavarura të tij. Në vitin 223 ai mori pjesë në invadimin e Peloponezit si aleat i mbretit të Maqedonisë, Antigon Dozonit dhe në vitin pasues forcat ilire të komanduara prej tij luajtën një rol vendimtar në betejën e Selanisë. Këto veprime të Demetrit, megjithëse nuk drejtoheshin haptazi kundër Romës, shprehnin qartë tendencën e tij për t’u shkëputur nga varësia romake dhe preknin me këtë pozitën e Republikës në Iliri.
ثshtë pohuar se Farosiani mundi të veprojë lirisht për shkak të “indiferentizmit” që treguan romakët ndaj ngjarjeve në Lindje, ose sepse ekzistonte një keqkuptim në përcaktimin e marrëdhënieve midis ilirëve dhe Republikës, që buronte nga mënyra e ndryshme e të menduarit dhe të kuptuarit të këtyre marrëdhënieve nga palët. Por do të ishte gabim të hidhej poshtë vlerësimi që i bënte Polibi situatës dhe të nënvleftësohet ndikimi që patën ngjarjet në Itali dhe Greqi ndaj qëndrimit të Demetrit. Nuk ka dyshim se sulmi gal dhe rreziku kartagjenas lehtësuan veprimet e Dozonit në Greqi dhe përcaktuan pozitën e Farosianit. Para Romës së kërcënuar në Perëndim Demetri preferoi aleancën me Maqedoninë. Roma në fund të fundit nuk i kishte kënaqur ambicjet e tij pas luftës së parë, kurse ai tani donte të forconte pozitat e fituara si sundimtar i shtetit ilir, duke shfrytëzuar vështirësitë e Republikës.
Senati e kuptoi atë që po ndodhte në Iliri dhe provoi ta frenonte Demetrin. “E thirri në Romë, sepse ishte bërë kryelartë dhe i rëndë...”, por pas kësaj ai u tregua edhe më i pabindur dhe u hodh në veprim të hapur kundër Romës. Në vitin 221 bëri për vete istrianët dhe së bashku me ta sulmoi anijet italike, kurse më 220 ndërmori veprime edhe më të guximshme; pushtoi disa nga qytetet e Ilirisë që ishin nën vartësinë e Romës dhe nxiti një kryengritje të atintanëve, rezultat i së cilës qe largimi i tyre prej romakëve. Më në fund, në përkrahje të veprimeve maqedone në Greqi, ai ndërmori së bashku me Skerdilaidin një ekspeditë detare kundër Pylosit (në Meseni) dhe këndej u hodh me anijet e tij kundër Cykladeve.
Për shumë vite me radhë, Roma nuk qe në gjendje të merrte masa kundër Demetrit, por sidoqoftë në vitet e fundit gjendja për të qe bërë më e favorshme. Ajo ishte lehtësuar nga pesha e rëndë e luftës me galët, kurse në Greqi pas vdekjes së Antigon Dozonit ishin riaktivizuar, jo pa nxitjen e saj, armiqtë e Maqedonisë, me shpresën se pasardhësi i tij, Filipi V, për moshën e re nuk do të ishte në gjendje të mbante frenat e vendit.
Ndërsa Demetri po e forconte aleancën me pasardhësin e Dozonit, një e çarë u vërtetua edhe në marrëdhëniet e tij me Skerdilaidin. Ajo u shfaq pas dështimit të sulmit kundër Pylosit, por shkaqet duhen kërkuar më thellë. Skerdilaidi nuk e ndoqi Demetrin në ekspeditën e tij në Iliri. Rrugës u ndal në Naupakt. Këtu, me ndërmjetësinë e mbretit të athamanëve, që e kishte të tijin, ai mori një vendim të papritur: u lidh me etolët dhe i ndihmoi në veprimet e tyre kundër aleatëve të Maqedonisë. Shenja të mospajtimit me politikën e Demetrit ishin shfaqur në Iliri edhe më parë. Forca ilire të kundërta me të kishin sulmuar Maqedoninë në kohën kur Demetri luftonte përkrah Dozonit në Selasi dhe mbreti maqedon qe detyruar të kthehej me të shpejtë për të shpëtuar vendin nga ky rrezik. Edhe më vonë Demetri qe detyruar të merrte masa të rrepta ndaj kundërshtarëve të tij në qytetet e Ilirisë e t’ua jepte pushtetin miqve të besuar. Tani që Skerdilaidi kishte marrë vendim, Filipi V u detyrua të ndërhynte vetë për ta neutralizuar dhe në takimin që pati me të mundi ta bindë që të largohej nga etolët me premtimin se “do ndihmonte për të rregulluar punët e Ilirisë”; megjithëse Skerdilaidi pranoi të lidhte aleancë me Filipin, marrëdhëniet me Maqedoninë nuk gjetën në vitet që pasuan terren të përshtatshëm për t’u zhvilluar e forcuar.
Veprimet e etolëve e kishin detyruar Filipin, nga ana tjetër, t’u shpallte këtyre luftë, por si përgjigje pati një kryengritje të “kleomenistëve”, miq të Etolisë në Spartë. I tërhequr nga ngjarjet në Greqi, Filipi qe detyruar të lërë mënjanë çështjet e Ilirisë dhe Farosiani mbeti i vetmuar përballë Romës.
Gjendja e turbullt në Iliri dhe në Greqi i lejoi senatit të ndërhyjë me forca të armatosura për të rivendosur autoritetin e tronditur në brigjet lindore të Adriatikut. Kjo i duhej Romës edhe për një arsye tjetër të rëndësishme: në perëndim kishin filluar të bëheshin gjithnjë më të qarta shenjat e një konflikti të afërt me Kartagjenën.
Në pranverën e vitit 219 romakët zbritën për të dytën herë me ushtritë e tyre në brigjet e Ilirisë. Këtë radhë ata e drejtuan goditjen kundër pikave më të rëndësishme të mbrojtjes së Demetrit në jug kundër qytetit Dimale, kurse në veri kundër kryeqendrës së tij, Farit. Megjithëse këto dy qendra ishin shumë të fortifikuara dhe me gjithë masat mbrojtëse që kishte marrë Demetri, Dimale nuk i qëndroi sulmit romak veçse një javë. Fari ra gjithashtu shumë shpejt si rezultat i një dredhie taktike të romakëve; konsulli e shkatërroi krejt qytetin. Demetri mundi të shpëtojë duke u larguar fshehurazi me një anije të vogël dhe arriti te Filipi, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij si këshilltar i keq i mbretit të Maqedonisë.
Polibi tregon se pas kësaj konsulli “pushtoi dhe pjesën tjetër të Ilirisë dhe i rregulloi punët si deshi vetë”. Ky pohim nuk duhet të jetë i saktë, sepse po ky autor e përmend Skerdilaidin ende të pavarur në veprimet e tij dhe si aleat të Filipit në vitin 218. Me sa mund të gjykohet prej Apianit, vetëm Pineu iu nënshtrua romakëve dhe nënshkroi me ta marrëveshje e traktate të dyta, kurse Skerdilaidin ata nuk e prekën dhe me sa duket e kursyen, megjithëse edhe ai kishte shkelur traktatin e vitit 228. Kjo mund të mendohet edhe për atintanët kryengritës apo për ndonjë nga popullsitë dhe qytetet e tjera. Konsujt duhet të kënaqeshin këtë radhë me dëbimin e Demetrit dhe të ktheheshin me të shpejtë në atdhe, sepse Hanibali e kishte sfiduar keq Republikën me veprimet e tij në Spanjë. E konsideruan se me këtë aksion kishin treguar në mënyrë të mjaftueshme forcën e Romës, pa e zgjeruar luftën në Iliri dhe pa hyrë në konflikt të hapur me Maqedoninë; morën me vete skllevër dhe plaçkë të shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse lufta që kishin bërë nuk e meritonte këtë.

Lufta për ribashkimin e shtetit ilir
Lufta e dytë e la shtetin ilir të përçarë dhe në një kaos të brendshëm politik. Ndërsa Pineu u mbeti “besnik” romakëve, Skerdilaidi vepron ende më 218 si aleat i Maqedonisë, duke përkrahur Filipin në ndërmarrjet e tij detare të atij viti. Por i penguar nga komplotet dhe trazirat që i kishin shkaktuar dinastët e qyteteve të Ilirisë, nuk mundi të dërgonte më shumë se 15 anije, baras me gjysmën e atyre që kishte premtuar. Nga ana tjetër, kontingjente ilire, nën komandën e Demetrit vepronin krahas forcave maqedone në Greqi dhe luanin një rol të parëndësishëm në operacionet e mbretit maqedon kundër etolëve dhe aleatëve të tyre.
Gjendja në Iliri ishte shumë e rëndë edhe për shkak të luftës së brendshme, e cila po ziente në qytete prej disa vitesh. Polibi e paraqet këtë si një luftë që zhvillohej në sferat e larta sunduese, midis dinastëve të qyteteve dhe sundimtarëve të lartë të shtetit ilir. Megjithatë nuk ka dyshim se ajo ishte shumë më e ndërlikuar. Në situatën e rëndë që jetonte Iliria, ajo shprehte si kontradiktat në gjirin e shtresës sunduese, ashtu edhe ato midis saj dhe shtresave të tjera të ulëta qytetare. Orientimet promaqedone dhe proromake, si edhe rrymat decentralizuese dhe centralizuese ishin shprehja e jashtme e saj.
Ndërkaq, ndërsa në Greqi vazhdonte me furi lufta midis Maqedonisë dhe Lidhjes Etole, në të cilën qenë tërhequr edhe ilirët përkrah aleatëve të njërës apo tjetrës palë, në perëndim shpërtheu lufta vendimtare midis Romës dhe Kartagjenës, e njohur si Lufta e Dytë Punike. Kontradiktat midis fuqive të mëdha mesdhetare dhe rezultatet e kësaj lufte patën një ndikim të thellë në orientimet politike të fuqive ndërluftuese në Greqi dhe rënduan edhe më shumë gjendjen e Ilirisë. Kështu me gjithë dështimet që kishte pësuar në vitin 217, Roma nuk ngurroi të dërgonte përfaqësues në Iliri për të bërë presion politik me qëllim që të ruante pozitat e saj në brigjet e Adriatikut dhe të mënjanonte një qëndrim eventualisht të kundërt nga ana e Pineut. Ajo nuk la mënjanë edhe Maqedoninë, të cilën e konsideronte si armike potenciale të saj. Të dërguarit e senatit i vunë në dukje Pineut se ishte vonuar në shlyerjen e tributit dhe se po të donte ta shtynte duhej të jepte pengje, kurse Filipit i kërkuan dorëzimin e Demetrit pa përfilluar kështu pozitën e tij të pavarur.
Por rezultatet e luftës me Hanibalin ishin të tilla që nuk mund të mos errësonin këto hapa të senatit. Në Maqedoni ato u pritën me entuziazëm dhe ngjallën një shpresë për largimin e rrezikut romak, i cili qëndronte pezull mbi këtë vend qysh nga lufta e parë iliro-romake. Lajmi i fitores së Hanibalit, pranë liqenit të Trazimenit e bëri më të vendosur Filipin. I nxitur edhe nga Demetri, ai mori aty për aty vendimin të çlirohej nga lufta në Greqi për t’u drejtuar kundër Romës.
Kur Filipi nuk kishte përfunduar ende paqen me etolët në Naupakt (verë e vitit 217), ishte hedhur në luftë kundër tij Skerdilaidi. Polibi tregon se një flotë e tij kishte dalë papritmas në Leukas, sulmoi dhe rrëmbeu disa anije të Filipit dhe pastaj vazhdoi lundrimin drejt Maleas, duke zënë e plaçkitur rrugës tregtarët. Në të njëjtën kohë, Skerdilaidi kishte sulmuar Filipin nga toka, kishte pushtuar Piseun, një qytet i vogël në Pelagoni, dhe, pasi kishte bërë për vete qytetet e Dasaretisë, midis të cilave edhe qytetin e rëndësishëm Antipatrean, kishte kryer sulme edhe kundër një pjese të Maqedonisë në kufi me këto qytete.
Shkakun pse sundimtari ilir, ish-aleat i Maqedonisë, u gjend papritur në luftë me Filipin dhe u prish me të, Polibi e shpjegon në mënyrë të thjeshtëzuar. Ai thotë se Skerdilaidi ishte zemëruar me mbretin maqedon, sepse “nuk i kishte dhënë të hollat që i detyrohej sipas marrëveshjes”. Një shpjegim i tillë nuk mund të jetë bindës edhe në qoftë se ky fakt është i vërtetë; shkaqe më të thella duhej të kenë tronditur marrëdhëniet e tij me Maqedoninë.
Ajo që preokuptonte Skerdilaidin vitet e fundit ishte kapërcimi i vështirësive të brendshme që vinin nga trazirat e dinastëve të qyteteve. Në verën e vitit 217 ai i kishte eleminuar ato me sukses dhe mbase përmes tyre kishte arritur t’i jepte fund përçarjes politike që ekzistonte midis tij, Demetrit dhe Pineut. Nuk ka dyshim se pas kësaj ai u bë sundimtar i vetëm i shtetit ilir dhe është fakt që për Pineun nuk bëhet fjalë më në burimet. Roma duhet të mos i jetë kundërvënë Skerdilaidit, në veprën e tij të ribashkimit, kurse për Maqedoninë kjo nuk mund të thuhet. Përveç premtimeve, Filipi, që përkrahte Demetrin, nuk i kishte dhënë atij asnjë ndihmë konkrete. Shtrirja e pushtetit të Skerdilaidit mbi qytetet e Dasaretisë, që u bashkuan me të vullnetarisht, nuk duhet të jetë mirëpritur në oborrin mbretëror në Pela dhe ka shumë të ngjarë që këtu të ketë zanafillën e vet edhe konflikti i armatosur midis sundimtarit ilir dhe Filipit.
4. LUFTA MAQEDONO-ROMAKE DHE NGJARJET Nث ILIRI

Agresioni i Filipit V kundër Ilirisë
Koha të cilën Skerdilaidi e kishte zgjedhur për t’i rikthyer shtetit ilir Dasaretinë nuk ishte aspak e përshtatshme. Filipi sapo ishte çliruar nga lufta në Greqi dhe nuk kishte asnjë vështirësi për t’u drejtuar kundër tij. Aq më tepër që kjo ndërmarrje përputhej edhe me planin e tij të madh për të dalë në brigjet e Adriatikut prej nga ëndërronte të hidhej në Itali. Me një fushatë të shpejtë ai pushtoi qytetet rreth liqenit Lyhnid dhe ato të Dasaretisë, deri në Antipatrea.
I vendosur në ndërmarrjen e tij, Filipi e zgjeroi vitin tjetër ndërhyrjen në Iliri, duke iu drejtuar asaj këtë radhë nga deti. Pasi ndërtoi në skelat e Maqedonisë 100 anije, në verë të vitit 216 doli në ishujt e Jonit. Kur u sigurua se flota romake ishte larg, lundroi për në brigjet e Ilirisë. Në planin e tij ishte pushtimi i Apolonisë, të cilën e mendonte si bazën më të përshtatshme për aksionin e tij të ardhshëm. Por, kur iu afrua grykës së Aosit, mori papritur, lajmin se anijet romake ishin drejtuar për në Apoloni. Pa sqaruar ende fuqinë e kundërshtarit, flota maqedone u tërhoq në panik. Skerdilaidi që e kishte ndjerë rrezikun e një sulmi nga deti ua kishte bërë të ditur këtë gjë romakëve dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre. Në përgjigje të kësaj kërkese romakët shkëputën nga flota e tyre e Sicilisë 10 anije pesërremëshe dhe i dërguan në Apoloni. Ishte kjo skuadër e vogël që shkaktoi panik te maqedonët dhe dështimin e tyre.
Pasojat e kësaj ngjarjeje qenë edhe më serioze. I kërcënuar nga Maqedonia, sundimtari ilir qe detyruar të kthehej me fytyrë nga Roma, pasi kishte luftuar kaq vjet për të shpëtuar prej saj. Me agresionin kundër Ilirisë, Filipi kishte bërë një hap fatal për vetë fatin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi: kishte bërë që interesat e sundimtarit ilir të përputheshin detyrimisht me ato të Republikës. Që nga kjo kohë Skerdilaidi do të vepronte si aleat i Romës, duke i dhënë politikës së shtetit të tij një kurs të ri që do të ndiqej për rreth katër dekada me radhë.
Drejtimi që kishin marrë punët qysh prej vitit 217 u përcaktua edhe më qartë pas fitores së Hanibalit në Kanë. Në vitin 215 Filipi dhe Hanibali përfunduan një traktat aleance sipas të cilit zotoheshin të ndihmonin njëri-tjetrin në luftën kundër Romës. Në traktat nuk përfilleshin aspak interesat e shtetit ilir. Klauzola sipas së cilës romakët nuk duhet të mbeteshin “zotër të Korkyrës, as të Apolonisë e Epidamnit, as të Farit, as të parthinëve dhe Dimales, as të Amantisë”, i njihte praktikisht Maqedonisë të drejtën e sundimit në Iliri. Po të pranojmë se përfundimi i një aleance midis Kartagjenës dhe Maqedonisë ishte objekt bisedimesh qysh prej kohës së Dozonit dhe se qe vonuar për shkak të pavendosmërisë së Filipit, atëherë në dritën e klauzolës së sipërme ka arsye të mendohet se lakmitë e Maqedonisë kanë qenë prej kohësh një shqetësim për Ilirinë dhe mbase kanë pasur edhe ato ndikimin e tyre në marrëdhëniet midis Skerdilaidit e Filipit.
Duke përcaktuar sferat e interesave marrëveshja përcaktonte edhe zonat e veprimeve ushtarake. Në frymën e marrëveshjes të dyja palët ndërmorën në vitin 214 veprime të përbashkëta në Itali dhe Iliri. Ndërsa Hanibali sulmoi Tarentin, Filipi u drejtua sërishmi kundër qyteteve bregdetare të Ilirisë. Me një flotë prej 120 lembesh u fut në Aos dhe provoi të merrte Apoloninë, por shpejt u bind se kjo nuk ishte një punë e lehtë. Atëherë papritmas u drejtua kundër Orikut, të cilin e pushtoi me sulmin e parë, sepse nuk ishte aq i mbrojtur. Ndërkaq mbante të ngujuar Apoloninë dhe shpresonte ta merrte me qetësi, duke menduar se romakët nuk do të ishin në gjendje ta shqetësonin në operacionet e tij. Por ndodhi e kundërta. Reagimi i romakëve qe i menjëhershëm: një flotë prej 50 anijesh pesërremëshe u nis nga Brindisi dhe pushtoi Orikun që Filipi e kishte lënë në duart e një garnizoni të vogël. Pastaj pa u vonuar forcat romake u gjendën në Apoloni, ku hynë natën pa u diktuar. Këndej së bashku me forcat e qytetit, sulmuan në befasi kampin e Filipit, të cilin e gjetën krejt të pambrojtur. Afër 3 000 maqedonë mbetën në fushën e betejës ose u zunë robër. Mbreti provoi të ikte nga deti, por si e gjeti grykën e lumit të mbyllur nga flota romake, dogji anijet e veta dhe u tërhoq nga toka për në Maqedoni me mbeturinat e ushtrisë.
Dështimi para mureve të Apolonisë i tregoi Filipit se plani për daljen në brigjet e Adriatikut dhe kalimi në Itali nuk ishte një punë e lehtë. Në të dy vitet që pasuan ai e ndryshoi drejtimin e sulmit të tij: nënshtroi atintanët, parthinët bashkë me qytetin e tyre Dimalin dhe u fut në tokat e ardianëve, duke u shtyrë në veri deri në Lis. Mendimi se atij iu nënshtrua edhe Skodra, madje se u shtri deri përtej lumit Narona, nuk qëndrojnë dhe kanë gjetur pak përkrahje. Veprimet e dy viteve të fundit dëshmojnë për një strategji të re politike-ushtarake të Filipit, që synonte të zgjeronte pushtimet në Iliri. Marrja e Lisit, megjithëse i siguroi një dalje në det, nuk mund të lidhet me planin e vjetër të kalimit në Itali. Qyteti ishte shumë larg brigjeve të përtejme të Adriatikut dhe sa kohë që Dyrrahu dhe Apolonia ishin në duart e romakëve, çdo kalim përmes detit ishte i paracaktuar të dështonte. Duket më e besueshme që Filipi të jetë interesuar në këto çaste në radhë të parë për vendosjen e një sundimi të shëndoshë në Iliri me perspektivën e dëbimit të plotë të romakëve prej këndej, kurse plani i kalimit në Itali të ketë ardhur duke u zbehur. Pushtimet e tij ishin padyshim një rezultat me rëndësi: ato ngushtuan shumë zotërimet romake në Iliri dhe duke hyrë si pykë midis tyre dhe shtetit ilir, e ndanë këtë të fundit prej romakëve.

Koalicioni antimaqedon
Në qoftë se më 213 dhe 212 Filipi i kishte duart e lira në Iliri, më vonë punët ndryshuan. Me marrjen e Syrakuzës dhe të Kapuas (212-211), romakët filluan të shijojnë frytet e para të epërsisë së armëve të tyre mbi Hanibalin. Pas kësaj ata riaktivizuan politikën e tyre në lindje: më 211 përfunduan një aleancë me etolët, në të cilën tërhoqën më vonë edhe disa shtete të tjera greke, Atalin e Pergamit si dhe shtetin ilir, të përfaqësuar nga Skerdilaidi dhe i biri i tij Pleurati. Duke shfrytëzuar me kujdes armiqësitë e popujve të ndryshëm ndaj politikës pushtuese të Filipit, romakët arritën kështu të krijojnë në Ballkan një koalicion të fuqishëm antimaqedon, që ua lehtësoi shumë peshën e luftës përtej Adriatikut.
Filipi u njoftua për aleancën në Pela ku ishte duke dimëruar. Duke ditur se gjendja e krijuar në Greqi do ta tërhiqte plotësisht andej, ai vendosi të siguronte më parë shpinën e mbretërisë nga rreziku ilir; ndërmori papritur një ekspeditë kundër tokave të Orikut dhe Apolonisë dhe shkretoi viset fqinje të Ilirisë me Maqedoninë, me qëllim që të linte pas frikë dhe terror. Në pranverë iu kthye Greqisë, por aleatët ia kishin marrë iniciativën dhe duke e goditur në shumë anë e detyruan të vihet në pozita mbrojtëse.
Në 209 Filipi i mbante ende tokat e pushtuara në Iliri, sepse në bisedimet për paqe, që u zhvilluan midis tij dhe etolëve në Falaia dhe pastaj në Aigon, mbretit iu kërkua t’u kthejë romakëve Atintaninë dhe Skerdilaidit ardiejtë, pra pushtimet e tij më veriore. Bisedimet dështuan dhe problemi në këtë rrugë nuk gjeti zgjidhje. Por, po këtë vit, Skerdilaidin e gjejmë në Etoli duke luftuar kundër maqedonëve dhe një vit më vonë, më 208, midis panikut që kishte kapur aleatët e Maqedonisë në Greqi, Filipit i erdhi lajmi shqetësues nga mbretëria: “Skerdilaidi dhe Pleurati ishin vënë në marshim”. Hollësitë rreth këtij sulmi ilir dhe rezultatet e tij nuk dihen, por fakti që ky marshim kishte ngjallur shqetësime në Maqedoni tregon se sundimtarët ilirë kishin zbritur thellë në jug dhe si pasojë i kishin dëbuar forcat maqedone të paktën nga pushtimet e tyre veriore, Lisi dhe tokat e ardiejve.
Ndryshe nga këto përfundime, vitet 207 dhe 206 shënojnë një rënie të luftës kundër mbretit maqedon. Romakët që deri atëherë kishin luftuar kundër Filipit me forca të pakta, u tërhoqën nga fusha e betejës, duke menduar se ia kishin arritur qëllimit të tyre për të larguar Filipin nga ndërhyrja në perëndim. Shembullin e tyre e ndoqi dhe Atali, i thirrur në atdhe për nevoja të mbretërisë. Pesha e luftës mbeti kështu mbi aleatët ballkanikë. Duke shfrytëzuar këtë gjendje, Filipi përqendroi goditjen mbi etolët dhe më 206 i detyroi ata të bëjnë paqe të veçantë.
Në këto rrethana romakët u detyruan të dërgojnë me të shpejtë forca në Iliri. Në pranverë të vitit 205 zbritën në Dyrrah me 10 000 këmbësorë dhe 1 000 kalorës me 35 anije. Sapo mësuan ardhjen e romakëve, parthinët dhe popuj të tjerë fqinjë u ngritën kundër maqedonëve. Duke pushtuar pa vështirësi tokat e tyre, romakët arritën në Dimale, të cilin e rrethuan. Ndërkohë ata dërguan një pjesë të forcave të tyre me 15 anije në Etoli me shpresë se mund të prishnin paqen.
Këtu në Apoloni të dyja palët, nën ndikimin e disa rrethanave, shprehën dëshirën për të mos e vazhduar më tej luftën. Gjendja në Itali kishte ndryshuar; Hanibali kishte pësuar humbje të rënda në Itali dhe aleanca me të kishte humbur çdo kuptim për Filipin. Edhe romakët e ndienin veten të lodhur nga lufta e gjatë me Kartagjenën. Të dyja palët ishin të prirura për një paqe ose të paktën për një armëpushim të gjatë. Epirotët u vunë në rolin e ndërmjetësit dhe Foinike, kryeqyteti i tyre, u bë qendër e bisedimeve. Paqja u vendos dhe sipas kushteve të marrëveshjes, romakëve u njihej e drejta mbi parthinët e Dimalen dhe dy qytete të vogla pranë tij, kurse Filipi mbante Atintaninë dhe, kuptohet, Dasaretinë. Midis aleatëve të Romës është përfshirë edhe sundimtari i shtetit ilir, Pleurati, i cili tani përmendet pa të atin, Skerdilaidin. Në marrëveshje nuk thuhet shprehimisht cilat qenë të drejtat që i njiheshin atij. Paqja, pa dyshim, i jepte fund gjendjes së luftës midis mbretit ilir dhe Maqedonisë ndërsa çështje territoriale, të pazgjidhura midis tyre, me sa duket, nuk kishte. Fakti që në bisedimet e Foinikes nuk bëhet fjalë më për Lisin dhe ardianët tregon se çështja kishte gjetur zgjidhje që më parë, mbase që në vitet 209 ose 208.

Lufta e dytë maqedono-romake. Dështimi i Filipit V
Paqja e Foinikes, ashtu sikurse u përfundua, i la hapur kontradiktat midis Romës dhe Maqedonisë. Pozita që ruajti Maqedonia në Iliri nuk ishte aspak e favorshme për Republikën, por ajo e bënte këtë hap vetëm e vetëm që të çlirohej dhe të përqendronte forcat për betejat e ardhme vendimtare me Hanibalin. Filipi nga ana e tij e kishte kuptuar se për të nuk kishte rrugë tjetër, veçse të forconte pozitat në Ballkan dhe në Lindje, ku ai parashikonte ndeshjen e ardhme me Romën.
Këtë drejtim morën, në fakt, edhe ngjarjet në vitet që pasuan. Ndërsa Roma ishte duke përfunduar luftën me Hanibalin, Filipi ndërmori një varg veprimesh diplomatike dhe ushtarake në Lindje: përfundoi një aleancë me Atalin III të Sirisë, zgjeroi pushtimet në Egje, duke u shtrirë deri në Helespont, shtoi presionin mbi Greqinë dhe u mori disa toka etolëve, goditi në veri dardanët dhe në kundërshtim me traktatin e Foinikes bëri pushtime të vogla në Iliri që i lejuan t’u shkëpuste romakëve parthinët.
Ndërkaq në vitin 201 romakët e thyen përfundimisht Hanibalin dhe e detyruan Kartagjenën të përfundonte paqen. Fitimtarët, që edhe më parë nuk e kishin duruar Filipin, nuk mund të lejonin tani që t’u cenoheshin interesat e tyre në Iliri dhe në përgjithësi nuk mund ta shihnin me sy të mirë forcimin e pozitave të tij në Lindje.
Goditjen vendosën t’ia japin nga Iliria. Në vjeshtë të vitit 200 dy legjione zbritën në Apoloni dhe ngritën lëmin në afërsi të lumit Aps. Këtej filloi sulmi kundër pozitave të Filipit në Dasareti. U dërgua menjëherë një ekspeditë kundër Antipatreas, sepse ky qytet i rëndësishëm ishte pika më e përparuar e Filipit në Iliri dhe zinte një pozitë kyçe në rrugën që kalonte përmes luginës së Devollit për në Maqedoni. Me një sulm të shpejtë forcat romake zunë tri kështjella në rrethet e qytetit (Karagun, Geruntin dhe Orgesin) dhe sakaq u gjendën para mureve të tij. Komandanti romak u mundua të hyjë në Antipatrea me anën e marrëveshjes, por paria, duke pasur besim te madhësia e qytetit, te muret dhe pozita e tij e mbrojtur kundërshtoi të dorëzohet. Atëherë romakëve iu desh ta merrnin me sulm, gjë që u kushtoi shumë shtrenjtë. Për këtë arësye komandanti romak u soll në mënyrë barbare. Ai urdhëroi masakrimin e popullsisë prej 16 vjeç e lart dhe pasi plaçkiti qytetin, e dogji dhe i shkatërroi muret mbrojtëse të tij. Pas kësaj romakët pushtuan edhe dy qytete më të vogla në thellësi: Kodrionin dhe Knidin dhe pasi lanë një garnizon në Kodrion u kthyen në lëmin e tyre në Aps. Kjo ekspeditë e përmirësoi shumë pozitën e romakëve; ata kishin asgjësuar një bastion të Filipit siç ishte Antipatrea, kurse me vendosjen e garnizonit në Kodrion kishin shtyrë në thellësi pikën e kontaktit me armikun dhe kishin hapur rrugën për operacionet e ardhshme.
Gjatë dimrit konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë. Thirri në lëmin e tij në Aps mbretërit e vendeve fqinje me Maqeoninë, midis të cilëve Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Aleksandrin e Athamanisë dhe u mori atyre premtimet për ndihmë në luftën kundër Filipit. Por përpjekjet për të tërhequr etolët përsëri në luftë dështuan, kurse Epiri i mbeti besnik Filipit.
Mbreti i Maqedonisë po përgatitej në mënyrë të ethshme për fushatën e stinës së ardhshme të vitit 199. I siguruar nga qëndrimi i Epirit dhe i Lidhjes etole në jug ai i përqendroi forcat në veri. Me qëllim që të mënjanonte rrezikun e një depërtimi dardan në Maqedoni, dërgoi forca për të mbyllur grykën e Pelagonisë. Me forcat kryesore u vendos diku në afërsi të malit Lynkus duke pritur një sulm të konsullit dhe të Pleuratit, që mendonte se do t’i vinte përmes luginës së Genusit në drejtim të Lyhnidit. Por u gabua. Konsulli nuk e ndryshoi drejtimin e tij. Duke rimarrë operacionin u shty më tej në Dasareti dhe nëpër luginën e Apsosit (Devollit) doli në fushën e Korçës. Këtu u furnizua me drithë nga hambarët e pasur të Dasaretisë dhe prej këndej mbërriti në Oresti dhe Elimioti.
Kur mësoi për drejtimin që kishte marrë konsulli, Filipi shpërnguli forcat nga Pelagonia dhe Lynku në drejtim të jugut. Por me këtë i hapi rrugën Pleuratit i cili, me sa duket, pasi çliroi parthinët, ndoqi luginën e Genusit dhe arriti në Lyhnid. Edhe dardanët vërshuan nga veriu në Maqedoni. Në këtë kohë romakët u kthyen përsëri në Dasareti dhe pushtuan qytetin Peilon. Meqenëse qyteti kishte një pozitë të përshtatshme për të sulmuar Maqedoninë, konsulli la këtu një garnizon dhe si mori me vete plaçkën dhe skllevërit, e solli ushtrinë përsëri në krahinën e qetë të Apolonisë, aty prej nga ishte nisur.
Filipit, përkundrazi, iu desh të bëjë përpjekje të mëdha për të përballuar pas kësaj, në veri ilirët e Pleuratit dhe dardanët që kishin hyrë në Maqedoni, kurse në jug athamanët dhe etolët, të cilët pas sukseseve të romakëve kishin vendosur të hynin përsëri në luftë kundër mbretit të Maqedonisë. Kështu në dy fushata gjatë viteve 200 dhe 199 Filipi u dëbua nga tokat e parthinëve dhe Dasaretia, ndërsa kundër tij u ngritën përsëri etolët dhe popullsi të tjera të vogla fqinjë.
Në vitin e tretë të luftës (198) veprimet ushtarake u shpërngulën në jug, në luginën e lumit Aos. Operacionet e dy viteve të para u kishin treguar romakëve se rruga për në Maqedoni, përmes Dasaretisë ishte e lidhur me vështirësi serioze përsa i përket furnizimit dhe rezervat e kësaj krahine nuk i përballonin dot nevojat e ushtrisë romake. Duhej kërkuar një rrugë tjetër më e sigurt. E tillë paraqitej lugina e Aosit që të çonte në Maqedoni përmes Thesalisë. Kjo krahinë ishte një hambar i sigurt për një ushtri që do të shkëputej kaq shumë nga bazat e saj. Përveç kësaj, me hyrjen e etolëve në luftë gjendja në jug ishte bërë më e favorshme për romakët, prandaj depërtimi në zemër të Greqisë përmes luginës së Aosit u siguronte romakëve bashkimin me aleatët e tyre.
Filipi që e kishte ndjerë këtë rrezik dërgoi në pranverë të vitit 198 një pjesë të forcave që të zinin grykën e Antigonesë, duke menduar se romakët mund të merrnin rrugën përmes luginës së Drinos dhe fushës së Malësisë për të dalë në Thesali. Mbas disa ditësh arriti edhe vetë me forcat kryesore dhe, si e pa gjendjen, vendosi t’ia kushtojë vëmendjen kryesore mbrojtjes së ngushticës së Aosit, e cila megjithëse nëpër një rrugë më të vështirë, por më të shkurtër, të çonte gjithashtu në Thesali. Pa lëshuar grykën e Antigonesë ai vendosi forcat në të dyja anët e lumit Aos. Mbrojtjen e krahut të majtë, nga ana e malit Asnau (mali i Golikut), dhe grykën e Antigonesë ia besoi komandantit të tij, Atenagorës, kurse krahun e djathtë, d.m.th. atë nga ana e malit Merop (mali i Shëndëlliut) dhe rrugën që kalonte nga kjo anë buzë lumit, e mbajti vetë.
Romakët që kishin ngritur lëmin e tyre përballë të dyja grykave qëndruan për një kohë të gjatë të pavendosur për të sulmuar, sepse pozitat e mbretit maqedon ishin shumë të forta. Gjatë kësaj kohe nuk munguan edhe përpjekjet për të arritur në një marrëveshje, por Filipi shpresonte në rezultate më të mira dhe nuk i pranoi kushtet e konsullit.
Ndërkaq romakët mundën të siguronin një dalje në shpinë të Filipit me ndihmën e njërit prej parisë epirotase. I zënë në befasi nga mbrapa dhe i goditur me forcë në ballë, Filipi u detyrua të lërë pozicionet e tij të fuqishme dhe të tërhiqej me humbje të mëdha. Duke ndjekur armikun, romakët u bënë shumë shpejt zotër të një pjese të mirë të Greqisë Qendrore.
Pas kësaj Lidhja Epirote, deri tani aleate e Filipit, por që nuk kishte hyrë në konflikt të armatosur, u afrua me romakët. Së shpejti edhe Lidhja Epirote-Ahease u shkëput nga aleanca me Maqedoninë.
Në vitin 197 ushtria romake dhe ajo e aleatëve ishin përqendruar në Thesali. Në betejën që u zhvillua në afërsi të Kinoskefales, Filipi mori goditjen vendimtare dhe u detyrua të kërkonte paqe. Kushtet e paqes qenë shumë të rënda. Filipi detyrohej të hiqte dorë nga gjithë Greqia dhe nga zotërimet e tij aziatike, t’u kthente romakëve tokat e pushtuara në Iliri që ishin njohur nga paqja e Foinikes dhe të prishte flotën, duke e zbritur atë në pesë anije. Për të kënaqur kërkesat e aleatëve të tyre, romakët bënë shumë ndryshime territoriale dhe u njohën autonominë disa krahinave të vogla, të cilat ishin ngritur kundër Filipit, gjë që e thelloi edhe më tepër përçarjen politike në Greqi. Me pushtimin e Dasaretisë dhe të Atintanisë, romakët i zgjeruan zotërimet e tyre në Iliri dhe e shtynë kontaktin me Maqedoninë në thellësi. Pleuratit i njohën të drejtën mbi parthinët dhe Lyhnidin dhe me këtë i zgjeruan kufijtë e shtetit ilir nga jugu deri në Genus, kurse në lindje përfshinë penestët deri te liqenet Lynkeste, duke vënë kështu edhe shtetin ilir në kontakt direkt me Maqedoninë në kufijtë e vjetër lindorë.
Por duke e detyruar Filipin të kthehej në kufijtë e vjetër e të ngushtë të Maqedonisë dhe duke u asgjësuar si fuqi detare, romakët nuk kishin ndërmend të asgjësonin tani për tani shtetin maqedon dhe as të shfarosnin vetë Filipin. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të aleatëve grekë lidhur me këtë çështje, konsulli u tha se “ishte e qartë se liria e Greqisë kërcënohej nga forca e mbretërve maqedonë, por po të shkatërrohej kjo mbretëri ... trakët, ilirët, grekët ... do të dyndeshin në Greqi”.
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e Shqiperise-PELLAZGET DHE ILIRET.

Pasojat e luftërave romako-maqedone për Ilirinë
Luftërat që u zhvilluan në truallin ilir gjatë çerekut të fundit të shek. III p.e.sonë patën pasoja të rënda për Ilirinë.
Mbretëria e cunguar dhe e dobësuar ilire, pasi kishte dështuar në përpjekjet e saj për të dalë nga gjendja e krijuar prej dy luftërave të mëparshme, u gjend këtë radhë në një aleancë të detyruar me Romën. Si e tillë asaj i takoi të mbante një pjesë të peshës së luftës në dobi të Republikës. Krahinat në jug, që ishin shkëputur nga mbretëria prej kohësh, u kthyen në rezerva strategjike të Romës; qytetet e parthinëve dhe të atintanëve qenë detyruar të kontribuojnë në këto luftëra pushtuese të Romës me trupa ndihmëse dhe të strehojnë e të furnizojnë ushtritë pushtuese. Duke u kthyer në fushë lufte, këto krahina kaluan herë në duar të romakëve, herë të maqedonëve dhe më se një herë u grabitën dhe u shkretuan.
Gjatë luftës së dytë maqedone u dëmtua në mënyrë të veçantë Dasaretia. Qytetet e saj u plaçkitën e u rrënuan; Antipatrean e shkatërruan nga themelet dhe popullsia e saj u masakrua; Pelioni u plaçkit dhe i morën skllevër banorët e qytetit që përbënin forcën prodhuese kryesore; fshatarësia dasarete u detyrua të braktiste vatrat e saj dhe të merrte malet në kohën kur ushtritë pushtuese romake grabisnin hambaret e saj.
Luftërat e vazhdueshme ndikuan rëndë edhe mbi gjendjen ekonomike të Dyrrahut dhe të Apolonisë. Si aleatë të Romës këto qytete qenë detyruar të përballonin një varg detyrimesh ushtarake dhe ekonomike. Dyrrahu, i cili mbeti pak i mënjanuar nga teatri kryesor i veprimeve luftarake, duket se i përballoi më me lehtësi këto detyrime. Ruajtja e standardeve dhe e simboleve tradicionale në prerjet e tij monetare dëshmon për një farë stabiliteti në jetën ekonomike e politike të qytetit. Por Apolonia, e cila shërbeu si kryeura e zbarkimit të trupave romake në Iliri dhe si pika më e synuar e maqedonëve në kundërveprimet e tyre ndaj Romës, e ndjeu më shumë peshën e luftës. Barra e rëndë e detyrimeve që rridhnin nga aleanca me Romën dhe shkretimi i tokave nga sulmet e Filipit V e rënduan shumë gjendjen ekonomike të këtij qyteti. Për ta përballuar këtë gjendje apoloniatët u detyruan të intensifikojnë prerjen e monedhave prej bronzi dhe të hidhnin në treg variante të reja monedhash që ndryshojnë herë pas here simbolet e tyre. Me detyrime të rënda ngarkuan romakët edhe qytetet e afërta me Apoloninë: Bylisin, Orikun dhe Amantien. ثshtë për t’u shënuar se në këtë kohë monedhat e këtyre qyteteve huazojnë simbolet e prerjeve apoloniate, gjë që u imponohet me dashje ose pa dashje, nga nevoja për të përballuar së bashku peshën e luftës.
Kështu, paqja e vitit 196 e gjeti Ilirinë të raskapitur nga luftërat e gjata dhe të dobësuar ekonomikisht e politikisht.

5. LUFTA E TRETث ILIRO- ROMAKE.
RثNIA E SHTETIT ILIR

Gjendja politike në Ballkan e në Iliri pas vitit 196.
Ardhja në fuqi e Gentit dhe gjallërimi i forcave antiromake në Iliri
Pasi fitoi luftën e dytë me Maqedoninë, Roma u kujdes të forconte pozitat e saj në Greqi dhe të zinte këtu vendin e Maqedonisë. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi me mjeshtëri kontradiktat që ekzistonin midis shteteve greke; duke përkrahur Lidhjen e Ahesë asgjësoi lëvizjen e Nabisit në Spartë, më pas u dha fund pretendimeve të Lidhjes Etole për hegjemoni në Greqi dhe njëherësh me këtë u preu rrugën synimeve të Antiohut të Sirisë mbi këtë vend.
Në këto ngjarje Mbretëria e dobët Ilire, e varur dhe e lidhur me detyrime ndaj Romës, veproi si aleate e saj. Pleurati qe detyruar të dërgonte flotën e tij kundër brigjeve të Greqisë dhe të ndihmonte me këtë për fitoren romake mbi etolët në vitin 189.
Edhe Filipi V mori anën e romakëve. Ai i ndihmoi ata kundër Nabisit dhe pastaj edhe në luftën kundër etolëve dhe Antiohut. Duke u përzier në këtë luftë Filipi shpresonte të përmirësonte pozitat e tij dhe u mundua t’i kthejë Maqedonisë një pjesë të tokave të humbura, por romakët e detyruan të tërhiqej në kufijtë e vitit 196, duke i dhënë të kuptonte se nuk kishin ndërmend të ndanin me të pozitat e tyre në Greqi.
Interesat e Maqedonisë u ndeshën përsëri me politikën agresive të Romës. Filloi një periudhë e re marrëdhëniesh të acaruara, që çuan dalëngadalë në konfliktin e fundit të armatosur midis tyre. Përgatitjet për luftë gëlltitën për shumë vite me radhë burimet më të rëndësishme ekonomike dhe ngritën në këmbë forca ushtarake që nuk kishte njohur më parë historia e luftërave të këtyre dy vendeve. Me luftën e ashpër politike për të bërë aleatë dhe përkrahës ato e shtrinë konfliktin mbi një zonë të gjerë të Ballkanit dhe të Lindjes. Shtetet e kësaj zone dhe shtresat e ndryshme shoqërore u tërhoqën në konflikt sipas interesave të tyre politike dhe ekonomike.
Historia e shtetit ilir në këtë kohë është e lidhur ngushtë me përpjekjet që bëhen në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës kundër etolëve dhe Antiohut dhe ngjarjet e lidhura me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës gjetën një vlerësim të ri në Iliri. Politika agresive e Romës që synonte tani asgjësimin e plotë të shtetit maqedon nuk mund të pritej mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe shtetin e dobësuar ilir. Gjendja e ekuilibruar që ishte krijuar nga prania përballë njëra-tjetrës në Gadishull e forcës maqedone dhe asaj romake, ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një mënyrë ose në një tjetër, mbijetesën e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk ishte në interesin e tyre. Duke vlerësuar drejt këtë rrezik u gjallëruan dhe u aktivizuan forcat antiromake në Iliri. Si pasojë, në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit vihet re një kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir me Romën, që u shpreh në afrimin e tij me Maqedoninë. Të dhënat numizmatike dëshmojnë për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike midis shtetit ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave ilire në përbërjen e garnizonit të Kasandresë që provohet nga Livi dhe që sipas fjalëve të tij “i pat dërguar prej kohësh Pleurati”, vërteton këtë mendim.
Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit të ri ilir, veçanërisht pas ardhjes në fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në vitin 181. Politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me tërë ashpërsinë e saj. Ai u akuzua si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej gjoja aleatëve të Romës dhe qytetarëve romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.
Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara vështirësive edhe më serioze. Kundër tij u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë edhe nga krerë të fiseve të tjera. Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë me tendenca proromake, e cila kishte përkrahës edhe në oborrin mbretëror. Në këtë luftë ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të vëllait, Platorit, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.

Përpjekjet për forcimin ekonomik e politik të Mbretërisë
Kërcënimi i ri romak diktonte nevojën e përgatitjeve për t’i dalë përpara një konflikti të hapur, i cili siç tregojnë ngjarjet, ishte i pashmangshëm. Duke e kuptuar qartë këtë detyrë, Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë.
Midis masave me karakter ekonomik ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Krahas Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën e prerjes së monedhave edhe dy qyteteve të tjera të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si dhe dy fiseve të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve. Kjo zgjeroi shumë qarkullimin monetar dhe e shtriu atë në viset më të thella të mbretërisë. Rëndësi të veçantë patën përpjekjet e Gentit për vendosjen e një sistemi të përbashkët monetar në mbretërinë e tij. Për këtë qëllim ai ndërpreu prerjet e vjetra të punishtes së Skodrës dhe në vend të tyre hodhi në treg monedha të reja. Tani monedha kryesore e Skodrës në vend të Zeusit, mban në faqe portretin e mbretit, kurse në shpinë, duke ruajtur si simbol anijen ilire, vendin e legjendës së qytetit e zë titulli dhe emri i mbretit.
Monedhën me mburojë përkrenare që u fut në sistemin monetar të Skodrës qysh prej kohës së Pleuratit, Genti vazhdoi ta presë, por edhe kësaj i hoqi legjendën e vjetër dhe në vend të saj vuri titullin dhe emrin e vet. Kjo tregonte se Genti i kishte hequr Skodrës autonominë monetare dhe punishten e bashkësisë qytetare e ktheu në punishte mbretërore.
Ndryshe prej Skodrës mbreti u njohu Lisit, Labeatëve dhe Daorsëve të drejtën që monedhat e tyre t’i siglojë me emrin e bashkësisë qytetare apo fisnore (?as????? Ge?????), por edhe këta i detyroi të respektojnë standardin shtetëror: të pajisin monedhat e tyre me portretin e mbretit dhe anijet ilire, si dhe t’u japin të njëjtën masë e peshë që kishin monedhat e prera në punishten mbretërore të Skodrës.
Më vonë mbreti shtiu në dorë edhe punishten monetare të Lisit dhe i ndaloi qytetit prerjen e monedhave autonome; që nga kjo kohë ai krijoi për Skodrën, Lisin dhe krahinat qendrore të mbretërisë, një sistem monetar të përbashkët të përbërë nga tri monedha: dy prej tyre ishin monedhat e njohura që priteshin në punishten mbretërore të Skodrës; njëra me portretin e mbretit - anijen ilire, dhe tjetra me mburojë - përkrenare. Monedha e tretë ishte monedha e vjetër, e vogël e Lisit, e cila paskëtaj do të siglohej me titullin dhe emrin e mbretit. Në sistemin e ri monedha e parë përfaqësonte nominalin, kurse dy të tjerat nëndarjet e tij.
Sistemi monetar që vendosi Genti në zonën qendrore nuk u shtri edhe në qytetet periferike të mbretërisë. Monedhat prej argjendi të Rizonit me mburojë - pegas dhe ato prej bronzi të Lyhnidit me mburojë gjysmë anije, të prera në emër të bashkësisë qytetare (??ss?t??, ?aك?at??, ?a??s??) dëshmojnë për një farë autonomie në marrëdhëniet ekonomike të këtyre qyteteve me mbretërinë.
Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera në emër të mbretit apo të qyteteve e të fiseve në punishtet e Skodrës, Lisit, Rizonit, Lyhnidit etj., u shtrinë në skajet më të thella të Mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah e Apoloni. Vetë prerjet e daorsëve dhe të labeatëve si dhe monedhat e gjetura në Mat, Peshkopi, Malësi e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të Zi, tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar dhe në krahinat e brendshme malore.
Politika e ndjekur prej Gentit në fushën e prerjeve monetare mund të konsiderohet një reformë e vërtetë, që i lejoi mbretit të përqendrojë në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e qartë e kësaj është përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët. Livi na thotë se në arkën e mbretit u gjetën 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000 denarë dhe 120 000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë e madhe që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat e pronarëve mbretërorë dhe taksat e rënda që u kishte vënë nënshtetasve.
Dendësimi i prerjeve monetare dhe përpjekja për të përqendruar në arkën shtetërore sa më shumë mjete financiare diktohej në radhë të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte bëhej më i qartë dhe mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të flotës. Fakti që në kohën e shpërthimit të konfliktit efektivi i ushtrisë ilire numëronte 15 000 veta, me të cilët Genti u drejtua kundër romakëve (pa llogaritur këtu garnizonet e veçanta të qyteteve) dhe fakti që flota ilire numëronte ende në fund të luftës 220 anije, tregon se sundimtari ilir e kishte vlerësuar drejt këtë rrezik dhe u kishte kushtuar gjithë vëmendjen përgatitjeve për ta përballuar atë.
Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e tij.
Në kohën e Gentit, edhe pse e cunguar, Mbretëria Ilire shtrihej ende në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Pasi i dhanë Pleuratit Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë Ilire si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte edhe tokat e Penestisë, kurse në veri pas shkëputjes së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina rreth gjirit të Rizonit.
Kryeqytet i mbretërisë ishte Skodra. Njësitë administrative të saj duket se përputheshin me territorin rreth qyteteve. Ato kishin si qendër një qytet të rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash, të cilat mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën. Një njësi të tillë formonte Rizoni me kështjellat e vogla rreth këtij gjiri. Që nga koha që Skodra u bë kryeqytet i mbretërisë duket se qendra e Labeatëve kaloi në Meteon. Në jug, si shembull mund të sillet krahina e penestëve, për të cilën burimet lejojnë të nënkuptohet se formonte një tërësi të tillë. Uskana, qyteti më i madh i penestëve, ishte kryeqendra e krahinës, kurse kështjellat që përmenden rreth saj ishin, me sa duket, qendra me funksione më të ngushta administrative e mbrojtëse.
Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për të përcaktuar sa njësi të tilla kishte mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku kemi një qytet të rëndësishëm, rreth tij kemi dhe një krahinë që formonte një njësi administrative të mbretërisë. Nuk mund të kërkohet kjo për krahinat e thella malore ku jeta qytetare nuk u zhvillua. Rolin e qendrave kanë mundur ta luajnë këtu vetëm fortesat e vogla që shërbenin si seli e aristokracisë së fiseve.
E mbështetur në ekonominë e përparuar skllavopronare të qyteteve Mbretëria Ilire e Gentit paraqitet me tipare të qarta të një monarkie të tipit helenistik. Pushteti më i lartë ishte në duart e mbretit. Ashtu si dhe parardhësit e tij ai mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij. Anëtarë të veçantë të familjes mbretërore zinin detyra me përgjegjësi në punët e shtetit, por rolin më të rëndësishëm në jetën politike e luanin “miqtë” e mbretit. Ata ishin bashkëpunëtorët më të afërt e më të besuar të tij. Këtë institucion, që ishte tipik helenistik e ndeshim në Mbretërinë Ilire për herë të parë gjatë sundimit të Teutës; “miqve” ajo u besoi drejtimin e punëve të shtetit. Në kohën e Gentit “miqtë” e mbretit luanin një rol të dukshëm në qeverisjen e vendit dhe ngarkoheshin me misione të rëndësishme diplomatike.
Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore dhe detare. Veprimet ushtarake i drejtonte vetë ose ua besonte komandantëve të veçantë. Bërthamën kryesore të ushtrisë që ishte mbështetja kryesore e pushtetit mbretëror e përbënin kontingjentet e rregullta, të cilat sipas rastit qëndronin si garnizone në qytete ose përqendroheshin për të ndërmarrë një ekspeditë apo për të përballuar luftimet në një front të caktuar. Burimet nuk bëjnë fjalë për forca ndihmëse në përbërjen e ushtrisë ilire, por nuk duhet përjashtuar mundësia që fiset malore të kenë ushqyer ushtrinë mbretërore me forca të tilla, sa herë që i thërriste mbreti, duke qenë të komanduara nga krerët e tyre.
Njësi e flotës ilire është lembi, një anije e vogël, por e shpejtë dhe e manovrueshme. اdo lemb, përveç rremtarëve, kishte edhe 50 luftëtarë që përbënin njësinë bazë të forcave ushtarake detare dhe mbase edhe tokësore ilire.
Mbreti kishte nën kontroll punishtet monetare dhe autorizonte prerjen e monedhave në emër të vet ose të bashkësisë qytetare e fisnore. Një aparat fiskal vilte taksat me të cilat Genti kishte ngarkuar shtetasit; kurse burgjet dhe nënkuptohet, një aparat dhune garantonin rendin e vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi i saj më i lartë, mbreti.
Në marrëdhëniet me botën e jashtme shtetin e përfaqësonte gjithashtu mbreti; ai shpallte luftën dhe përfundonte paqen, lidhte aleanca, zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta ose përmes përfaqësuesve caktonte pengje për të garantuar një marrëveshje, merrte hua etj.
Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej me to u besohej dinastëve, të cilët mbreti mund t’i zëvendësonte. Në zonën qendrore të mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë autonominë e qyteteve dhe ta dobësonte autoritetin e dinastëve lokalë, të cilët në burimet njihen ndryshe dhe si “principa illyriorum”.
Siç shihet, në këtë periudhë shteti ilir paraqitet me një strukturë të gjithanshme dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione të ndryshme në veprimtaritë për forcimin e pushtetit qendror dhe konsolidimin e shtetit. Reforma monetare ishte një shprehje e qartë e kësaj politike. Kontradiktat në plan ndërkombëtar që mplekseshin me ato sociale, të brendshme, e diktonin një politikë të tillë. Genti e përçoi këtë pa ngurrim dhe me rezultat në zonën qendrore të mbretërisë.

Politika e jashtme e Gentit
Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Romën, Genti u kujdes të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në fillim të sundimit të tij, ai ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjën lindore, Mbretërinë Dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi me një martesë dinastike dhe sado e ndërlikuar që u bë më vonë gjendja politike në Ballkan, nga burimet nuk del që ato të jenë prishur.
Por bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës kishin diktuar një politikë të tillë qysh në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit. Tani në kohën e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej edhe më i nevojshëm, sepse, në fund të viteve 80 dhe sidomos gjatë dekadës së re, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire. Burimet letrare nuk hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me sundimtarin e Maqedonisë Perseun, në vitet e para të sundimit të Gentit, por në to vihet re qartë një paralelizëm në qëndrimin armiqësor të Republikës (Romës) ndaj tyre. Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon për lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike, midis Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.
Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më mirë në prag të luftës së fundit. Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173 dhe fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël që përkrahte politikën romake diku në Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët dhe që në burime paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin që zhvillon Perseu për të përmirësuar pozitat e tij në jug dhe në lindje. Këto ngjarje që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të tyre nuk mund të merren thjesht si një produkt i propagandës romake që synonte t’i paraqiste të dy sovranët si provokatorë. Livi, sipas Polibit, pohon se, krahas delegatëve që vijnë nga Lindja me ankesa kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin për atë që “ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe që të dy së bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve”. Gjendja ishte e tillë që u impononte të dy sovranëve nevojën e veprimeve të bashkërenditura për të përballuar rrezikun romak që sa vinte bëhej më kërcënues. Megjithatë është fakt se duke u përgatitur për t’i bërë ballë këtij rreziku, të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur. Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua të dërgonte delegatë në Romë “për të larë nga fajet që i ngarkonin isasit”. Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin e mbretit dhe i bëri të ditur pakënaqësinë e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Duke dashur, nga ana tjetër, që ta izolonte plotësisht Perseun, senati provoi ta bindë Gentin që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte armët e tij me ato të romakëve. Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake për të tërhequr Gentin nga ana e tyre.
Kështu në pragun e luftës kundër Maqedonisë, kur Roma zhvillonte një veprimtari të etshme diplomatike, të shoqëruar me presion të madh politik, për të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën e Republikës. Livi e paraqet Gentin të lëkundur, por faktet tregojnë se as këtë radhë, as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje në qëndrimin e tij ndaj Romës. Ishte vetëm përgatitja e pamjaftueshme që do ta pengonte për të dalë në fushën e betejës kundër saj.

Lufta e tretë romako-maqedone, veprimet luftarake të vitit 171
Krahas përgatitjeve diplomatike, Roma po merrte edhe masat ushtarake për të asgjësuar Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire që ishin dy forcat kryesore, të cilat pengonin planet e saj ekspansioniste në Ballkan.
Në nëntorin e vitit 172 senati urdhëroi dërgimin e forcave të para në brigjet e përtejme të Adriatikut, të përbëra nga 5 000 këmbësorë dhe 300 kalorës. Ky kontingjent i vogël që dërgohej si pararojë e ushtrisë konsullore, pasi zbriti në Epir, me sa duket në Orik, ngriti lëmin e vet në afërsi të Nymfeut, në tokat e Apolonisë. Këndej një njësi prej 2 000 vetash u dërgua menjëherë për të zënë, siç na thuhet, “fortesat e dasaretëve dhe të ilirëve”. Po të gjykojmë nga të dhënat e mëvonshme, forcat romake duhet të jenë vendosur në këtë kohë në Lyhnid, Uskanë dhe në disa kështjella rreth saj, aty ku prania e tyre na del papritur në ngjarjet e dimrit të vitit 170/169. Ky aksion kishte një qëllim të largët strategjik. Ai duhet të siguronte pozitat romake në Iliri, të mbante të hapura rrugët kryesore për në Maqedoni dhe të bënte presion mbi Mbretërinë Ilire, duke e ndarë atë territorialisht nga Maqedonia.
Më vonë forca të pakta u dërguan në Greqi dhe u vendosën nëpër qytete si garnizone të vogla që kishin më tepër karakter simbolik. Një kontingjent i veçantë u dërgua në Thesali për të zënë Larisën si një pikë me rëndësi strategjike. Pasi ishin zënë pozitat e përparuara në Iliri e Thesali, në pranverën e vitit 171, senati vendosi të fillonte luftën kundër Perseut. Goditja do të jepej nga Thesalia. Ushtria konsullore pasi zbriti në Apoloni, përshkoi Epirin dhe ra në ultësirën thesale; këtu ajo u gjend përpara forcave të Perseut që kishin zënë rrugën e hyrjes për në Maqedoni; 40 000 ishin forcat konsullore përballë 43 000 forcave të Perseut, megjithatë të dyja palët iu shmangën betejave vendimtare dhe stina e verës së vitit 171 u mbyll pa ndonjë rezultat të shënuar, duke i lënë kundërshtarët në pozitat e mëparshme, fillestare.
Ndërkaq Roma nuk e la krejt pas dore edhe Mbretërinë Ilire. Ndërsa ushtria konsullore u nis për të zbritur në Apoloni, flota romake vuri dorë mbi 54 anije të Gentit, pa marrë pëlqimin e mbretit dhe i përfshiu në përbërjen e forcave detare që do të zinin Qefaloninë dhe do të vepronin gjatë bregdetit grek në mbështetje të forcave tokësore romake. Më vonë romakët duket se ndërmorën një aksion të dytë, shumë të rëndësishëm, kundër Mbretërisë Ilire. Ndërsa po zhvillohej fushata verore në Thesali, konsulli urdhëroi të nënshtroheshin disa qytete në Iliri. Midis tyre Karnunti, një qytet i paidentifikuar, u bëri një qëndresë të fortë pushtuesve, prandaj pretori që komandonte forcat romake, urdhëroi plaçkitjen e këtyre qyteteve. Nuk është thënë qartë për ç’qëllim u organizua kjo fushatë, megjithatë një ngjarje që ndoshta mund të lidhej me të, do të ishte ajo që ka të bëjë me ndryshimet në kufirin jugor të Mbretërisë Ilire. Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Gentin dhe pasi dështuan përpjekjet për ta bërë atë për vete, senati urdhëroi aneksimin e tokave dhe të qyteteve parthine që i pat njohur Pleuratit më 196 dhe e shtyu kufirin e Mbretërisë Ilire nga Genusi në Ardaksan, aty ku shënohet disa vite më vonë. Në këtë rast Karnunti dhe qytetet e tjera që u sulmuan bashkë me të duhen kërkuar në veri të Genusit. ثshtë për t’u shënuar se si për rastin e grabitjes së anijeve, ashtu dhe për ndryshimet që ndodhën në kufirin jugor të mbretërisë, sundimtari ilir nuk jep asnjë shenjë kundërshtimi, sepse, me sa duket, nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.

Fushata e Perseut në Iliri në dimrin e vitit 170/169.
Aleanca iliro - maqedone
Gjendja në frontin thesal edhe në vitin 170 mbeti e pandryshuar. Në Iliri përkundrazi u zhvilluan ngjarje të rëndësishme. Në verën e këtij viti romakët i shtuan forcat e tyre rreth Mbretërisë Ilire. Garnizoni i Isës që kishte më parë vetëm 12 anije të vogla vendase u përforcua me 18 anije të tjera pesërremëshe dhe 2 000 ushtarë, që do të ishin të gatshëm për çdo rast kundër Gentit. Nga ana tjetër, Senati dërgoi në Iliri edhe 4 000 këmbësorë dhe kjo forcë u rrit më vonë me 8 000 veta, me trupat ndihmëse që u mobilizuan midis aleatëve të Romës. Kështu forcat romake nga 5 000 që ishin në fillim të konfliktit u rritën në vitin 170 në 15 000 veta. Kjo forcë e konsiderueshme që ushtronte presionin e vet të vazhdueshëm mbi Mbretërinë Ilire, kishte krijuar një gjendje lufte të pashpallur.
Gjendja e krijuar në Iliri shqetësonte mjaft edhe Perseun, sundimtarin e Maqedonisë. Forcat romake që ishin grumbulluar këtu po bëheshin një rrezik gjithnjë më serioz për të dhe po e ngushtonin Gentin që ai e quante aleatin e tij të natyrshëm. Prandaj, pasi përfundoi fushatën kundër dardanëve, Perseu vendosi t’i godiste pozicionet romake në Penesti dhe, duke u shtyrë në thellësi të Ilirisë, të vendoste kontaktet me Gentin. Si kohë të përshtatshme për këtë ekspeditë, Perseu zgjodhi mesin e dimrit (dhjetor-janar 170/169), kur një sulm romak kundër Maqedonisë nga ana e Thesalisë ishte pothuajse i pamundshëm, meqenëse bora e madhe i bënte të pakapërcyeshme malet që ndanin këto dy vende. Pasi përqendroi një forcë goditëse prej 12 500 vetash në Stuberë u drejtua kundër Uskanës, qytetit më të madh të tokës së penestëve dhe e rrethoi atë. Mbas një qëndrese të vogël garnizoni romak prej 4 000 vetash dhe forcat ndihmëse të mobilizuara tek ilirët u dorëzuan. Romakët i ndanë në grupe të vogla dhe i shpërndanë nëpër qytete për t’i mbajtur në rojë, kurse uskanasit dhe ilirët e zënë rob i shitën.
Pas kësaj Perseu u drejtua kundër qytetit Oene, që zinte një pozitë strategjike në rrugën për në krahinën e labeatëve, qendër e mbretërisë së Gentit. Por më parë iu desh të nënshtronte një varg kështjellash, midis të cilave Draudakun, një qendër e fortë dhe me një popullsi të dendur, që zinte një vend me rëndësi në mbrojtjen e Oenes. Vetëm pasi zuri këto kështjella dhe bashkë me to edhe garnizonet e vogla romake, gjithsej 1 500 veta, Perseu arriti në Oene. Qyteti ishte vendosur në një vend të mbrojtur mirë nga lumi që i kalonte pranë dhe një mal i lartë në shpinë të tij. Meqenëse nuk pranoi të dorëzohej, mbreti qe i detyruar ta merrte me forcën e armëve pas një rrethimi të gjatë e të lodhshëm. I zemëruar, Perseu urdhëroi të masakroheshin të gjithë burrat; gratë e fëmijët i mori rob dhe qytetin ua la ta plaçkisnin ushtarakëve.
Pas kësaj fitoreje ekspedita i kishte arritur objektivat e saj: kishte larguar njëherë për njëherë rrezikun e një invazioni romak nga perëndimi dhe kishte çelur rrugën për tek Genti. I kënaqur Perseu u kthye në Stuberë dhe menjëherë u kujdes për të hyrë në lidhje me mbretin ilir, aleancën me të cilin në këtë çast e çmonte shumë. Për këtë qëllim, nisi dy përfaqësues të vet, Adeun nga Maqedonia, dhe ilirin Pleurat, i cili gjendej pranë tij i mërguar dhe që do të shërbente si përkthyes. Delegatët u porositën të informonin Gentin mbi rezultatet e luftës kundër romakëve dhe dardanëve, në mënyrë të veçantë t’i vinin në dukje fitoret që kishte korrur Perseu gjatë fushatës së fundit në Iliri dhe t’i propozonin aleancë. Pasi përshkuan një rrugë të gjatë, përmes krahinave malore të Ilirisë delegatët arritën në Skodra. Genti ndodhej në Lis, prandaj i ftoi ta gjenin atje. Bisedimet që filluan këtu në janar të vitit 169 dhe që u rimorën disa herë gjatë këtij viti, përfunduan vetëm në janarin tjetër të vitit 168. Që në takimin e parë Genti e pranoi idenë e një aleance, por u tha të dërguarve të Perseut se nuk kishte armë dhe të holla të mjaftueshme për t’u shpallur luftën romakëve. Pas kësaj përgjigjeje të Gentit, tradicioni antik dhe pas tij gjithë historiografia moderne, kanë parë gjithmonë lëkundjet dhe pavendosmërinë e mbretit ilir për t’u prishur haptazi me romakët dhe dëshirën e tij për të përfituar sa më shumë të holla. Perseu, nga ana tjetër, paraqitet gjatë traktativave si një koprac që do t’ia arrijë qëllimit me një çmim sa më të lirë, prandaj humbet kohën me bisedime të zgjatura dhe pa rezultat. Nuk ka dyshim se qëndrimi proromak i Polibit, që i transmeton këto bisedime, ka bërë që të errësohet përmbajtja racionale e këtyre traktativave. Rezerva që bën Genti në lidhje me mungesën e armëve dhe të të hollave dëshmon vetëm se ai ishte i papërgatitur për të hyrë në luftë. Kjo vërtetohet edhe me atë që një vit më vonë ai do ta bënte këtë pa ngurrim. Fakti që Genti nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Perseut tregon se midis tyre kishte, me sa duket, vështrime të ndryshme të karakterit taktik për çështjen e luftës. Ndërsa mbreti maqedon, mbasi kishte hyrë në luftë, donte që me aksionet e tij ushtarake dhe politike t’u imponohej romakëve, t’i bindte se ishte e pamundur fitorja mbi maqedonët, dhe t’i bënte të pranonin një zgjidhje kompromisi, Genti që e shikonte ende të balancuar forcën romake me atë maqedone, donte të fitonte kohë për një përgatitje të mjaftueshme para se të hynte në luftë, në qoftë se kjo do të ishte e pashmangshme.
Ndërsa këta dy sovranë mendonin dhe vepronin me mënyrën e tyre, romakët merrnin masa për të kaluar në veprime vendimtare. Në muajt e fundit të dimrit të vitit 169, aksionet e tyre në Iliri ishin ende të parëndësishme: ata ndërmorën një sulm që përfundoi pa sukses, për të ripushtuar Uskanën dhe më pas u kujdesën që të forconin kontrollin mbi krahinat e pushtuara të Ilirisë, duke marrë për këtë qëllim pengje nga parthinët dhe disa qytete të penestëve, që kishin mbetur në duart e tyre. Romakët nuk patën sukses në një aksion që ndërmorën në Epir. Por në prag të verës gjendja ndryshoi. Në frontin thesal romakët, me një manovër të shkathët kaluan masivin e Olimpit dhe papritur u gjendën në Maqedoni, duke e detyruar Perseun të tërhiqej në pozita të reja mbrojtëse.
Ndërkaq forcat romake në Iliri u rritën në 30 000 veta. Në numrin e përgjithshëm të forcave tokësore dhe detare që përqendroi Republika në fillim të vitit 168, kjo ishte një fuqi e konsiderueshme. Në kundërshtim me tendencën e historiografisë antike dhe moderne për të minimizuar rolin e Mbretërisë Ilire, kjo shifër tregon qartë se ç’vend zë ajo në këtë luftë vendimtare për fatet e popujve të Ballkanit, sa kohë që Roma qe detyruar të drejtonte kundër saj një forcë të tillë ushtarake.
Përpjekjet që u bënë nga Perseu gjatë dimrit 169/168 për të gjetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, duke përdorur si ndërmjetës shtetet helenistike, dështuan. Në këto rrethana u bë e qartë se fati i luftës do të zgjidhej vetëm në fushën e betejës.
Në janar të vitit 168 bisedimet midis përfaqësuesve të Perseut dhe Gentit morën fund pasi pala maqedone kishte marrë përsipër të jepte një ndihmë financiare prej 300 talentesh për nevojat e luftës dhe “gjithë sigurimet e domosdoshme”. Kjo frazë që mbase nënkuptonte rregullimin e gjithë marrëdhënieve midis dy mbretërive gjatë dhe mbas luftës, mbetet për fat të keq te Polibi e papërfunduar. Menjëherë pas kësaj Genti ratifikoi marrëveshjen në Meteon dhe pasi bëri betimin, u dorëzoi përfaqësuesve të mbretit maqedon pengjet. Perseu që i jepte një rëndësi të veçantë kësaj aleance, në këtë çast kritik për Maqedoninë, e shpalli përfundimin e marrëveshjes me një solemnitet të veçantë: ai organizoi në Dium ceremoninë e betimit dhe të këmbimit të pengjeve në prani të kalorisë maqedone, duke llogaritur kështu edhe efektin psikologjik që do të kishte kjo ngjarje në trupat e tij.
Përveç delegacionit që asistoi në ceremoninë e ratifikimit të marrëveshjes, Genti dërgoi në Maqedoni edhe dy përfaqësues, të cilët së bashku me një delegacion maqedon do të shkonin në Rod për ta tërhequr këtë fuqi detare në aleancën e tyre. Këtij misioni sovranët i jepnin një rëndësi të madhe, sepse sipas tyre po të bënin për vete këtë qytet, romakëve nuk do t’u mbetej asnjë shpresë për fitore as në tokë, as në det. Ata kishin shumë besim në suksesin e këtij misioni, sepse edhe Rodi, me pozitën hegjemone në Mesdheun Lindor nuk e donte daljen e Republikës në këto anë.
Pas kësaj Genti mori qëndrimin e parë të hapur kundër romakëve, të cilët kohët e fundit kishin riaktivizuar diplomacinë e tyre për ta bërë për vete mbretin ilir. Dy delegatë që senati kishte dërguar për këtë qëllim i arrestoi dhe menjëherë kaloi në masat efektive për fillimin e veprimeve luftarake. Në këtë pikë tradita polibiane i atribuon Perseut një veprim të pandershëm që e shpjegon me vesin e tij të kopracisë. Sipas Polibit, mbreti maqedon i bindur se me këtë hap Genti ishte komprometuar në marrëdhëniet me romakët, ndërpreu dërgimin e ndihmës financiare, lejoi vetëm dërgimin e 10 talenteve, kurse shumën tjetër të parave, të vulosura me simbole ilire, që kishte arritur në kufi, urdhëroi ta kthenin mbrapsht. Ky pasazh i Polibit, për vërtetësinë e të cilit e mbrojnë me forcë edhe autorë modernë, është vënë në dyshim me të drejtë, si një shprehje e qëndrimit të tij, përgjithësisht armiqësor ndaj Perseut, ashtu sikurse edhe ndaj Gentit, figurat e të cilëve ky historian dhe pas tij gjithë burimet antike i paraqisnin në një dritë të rreme.

Lufta e tretë iliro-romake
Kështu në çastin kur konflikti kishte arritur kulmin e tij, mbreti ilir kishte vendosur të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë politike. Vendimi i tij u prit me entuziazëm në Maqedoni, në Rod dhe duhet menduar edhe në vise të tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për fitoren mbi romakët.
Genti nuk vonoi të vepronte. Pasi kishte grumbulluar në Lis një forcë të konsiderueshme prej 15 000 vetash, u hodh në sulm. Me forcat kryesore u drejtua kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur në tekstin e Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Ky qytet ishte në aleancë me romakët. Genti u mundua ta bëjë për vete atë me anë të bisedimeve, por mbasi nuk pranoi të nënshtrohej, e rrethoi. Ndërkaq të vëllanë Karavandin e dërgoi me 1 000 këmbësorë dhe 50 kalorës, në veri për të nënshtruar fisin e Kavëve. Qyteti Durn e priti mirë, kurse qyteti tjetër i mbylli dyert Karavandit. Genti nuk pati sukses edhe në operacionet detare. Flota e tij prej 80 anijesh që ishte dërguar të godiste tokat rreth Dyrrahut dhe Apolonisë dhe, me sa duket, të vendoste kontrollin mbi rrugën detare që lidhte të dy brigjet e Adriatikut, u thye në afërsi të Apolonisë në ndeshjen me flotën romake dhe qe e detyruar të tërhiqej në drejtim të veriut.
Pas kësaj romakët, që kishin përqendruar ndërkaq forcat e tyre në Genus, u drejtuan kundër mbretit në Basania. Forcat romake, dy herë më të mëdha në numër, mbasi pushtuan qendrat e rëndësishme gjatë rrugës, u gjendën para mureve të Skodrës. Boshllëku që është krijuar në tekstin e Livit nuk jep mundësi për të njohur hollësitë e këtyre veprimeve luftarake.
Qëndresën e fundit Genti e bëri në Skodra. Ai shpresonte shumë në këtë qytet që e kishte zgjedhur si kryeqendër të mbretërisë, sepse pozita e tij ofronte një mbrojtje të sigurt. Dhe me të vërtetë i rrethuar nga dy lumenj, Klausali dhe Barbana dhe i fortifikuar mirë, qyteti mund të përballonte me sukses një rrethim të gjatë. Por mbreti nuk diti ta organizonte mirë mbrojtjen. Në vend që forcat ilire të qëndronin brenda mureve rrethuese të qytetit dhe t’i shmangeshin përleshjes në fushë të hapur, u futën në betejë aty ku armiku kishte epërsi numerike, dhe i theu keqas. Pasi dështuan edhe përpjekjet e vëllait të tij, Karavandit, për të grumbulluar forca të tjera nga krahinat përqark, Genti u dorëzua.
Dhjetë ditë më vonë pas rënies së Skodrës, në betejën që u zhvillua në Pydna u shkatërrua përfundimisht dhe ushtria maqedone. Njëherësh me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti dhe Perseu bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër të shumtë lufte u dërguan në Romë.
Kështu u nënshtruan dy shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos në këto krahina sundimi romak.

Copëtimi i tokave të shtetit ilir
Menjëherë pas mbarimit të luftës romakët u morën me ndarjen administrative të tokave të shteteve të mundura. Senati romak i shpalli “të lirë” ilirët e maqedonët; në të vërtetë, sikurse e treguan ngjarjet e mëvonshme, ai shpalli humbjen e pavarësisë së tyre. Në një mbledhje që u bë në Skodra, në vitin 167 p.e.sonë, ku morën pjesë pesë të dërguar të posaçëm nga Roma dhe përfaqësuesit e parisë ilire proromake, komandanti i ushtrisë Lue Anici shpalli vendimet e senatit romak. Tokat e shtetit ilir u ndanë në tri njësi administrative të veçanta. Në krahinën e parë, me qendër Lisin, qenë përfshirë tokat përreth këtij qyteti deri te lumi Mat në jug. Njësia e dytë administative përbëhej nga krahina e banuar prej labeatëve, qendra e së cilës ishte Skodra. Në krahinën e tretë bënin pjesë viset bregdetare ilire në veri të Skodrës deri te lumi Narona, duke përfshirë qytetet Rizen e Olcin. Pushtuesit romakë shpallën gjithashtu se të gjithë ilirët, që nuk ishin bashkuar me Gentin në luftën kundër Romës nuk do të paguanin taksa, kurse ilirët e tjerë do t’i jepnin shtetit romak gjysmën e taksave që i kishin paguar mbretit Gent. Romakët larguan nga qytetet dhe kështjellat ushtritë e tyre dhe në krye të njësive administrative të formuara rishtas vunë përfaqësues nga paria ilire, përkrahëse të politikës pushtuese të Romës në Iliri.
اfarë fshihej prapa “Lirisë” së dhënë nga Roma? Për të kuptuar këtë duhet marrë parasysh pohimi i autorëve antikë, që theksojnë se Iliria e Maqedonia, të mundura ishin vënë “nën pushtetin e popullit romak” dhe se ilirët e maqedonët do të jetonin “të lirë” vetëm mbasi romakët t’u jepnin atyre kushtetutën, duke rregulluar ligjet dhe duke caktuar taksat. Pastaj tri krahinat ilire të ndara dhe të bazuara mbi autonominë e “civitates-ve” bashkësive, do të kishin organet e tyre administrative, por nuk do të kishin të drejtë për të pasur asnjë lloj marrëdhënie gjinie, ekonomike e politike midis tyre. Në këtë mënyrë ndërpriteshin lidhjet ekonomike, bëhej i pamundur një bashkim ushtarak i tyre dhe shmangej kështu rreziku i një kryengritjeje.
Krahinat e qytetet ilire në jug të lumit Mat, të cilat nuk kishin bërë pjesë në shtetin ilir të Gentit, sundimtarët e paria e të cilëve qysh në dy luftërat e para iliro-romake kishte mbajtur krahun e Romës, siç qenë parthinët e atintanët, romakët i mbajtën nën protektoratin e tyre. Të tjerët që nuk kishin marrë pjesë në luftë, si bylinët, amantët, dasaretët etj., i lanë përsëri më vete. Qytetet greke Korkyra, Apolonia e Dyrrahu ruajtën autonominë e tyre, por mbetën baza të rëndësishme ushtarake për veprimet luftarake të mëvonshme të Romës në Ballkan. Për pjesëmarrjen në luftën kundër shtetit ilir senati romak u ndau atyre 220 anijet që ishin pjesë e plaçkës së zënë në Iliri.
Në tokat e shtetit të Epirit, ku romakët kishin hasur gjatë veprimeve ushtarake një qëndresë të fortë, pas shkatërrimeve të mëdha, pas masakrave që bënë legjionet romake dhe shndërrimit në skllevër të një pjese të madhe të popullsisë, u vendos një regjim i rreptë ushtarak. Vetëm qytetit Foinike, bashkë me një territor të vogël të banuar nga kaonët, romakët u lanë një farë autonomie, sikurse tregojnë disa mbishkrime dhe monedhat e prera prej këtij qyteti.
Kështu pas mbarimit të luftës së tretë iliro-romake, Iliria e Jugut u copëtua ekonomikisht e politikisht. Të vëna nën protektoratin e Romës ose duke pasur një farë autonomie, krahinat e qytetet ilire nuk mundën të zhvillonin si më parë ekonominë e tyre. Disa degë të prodhimit, si nxjerrja e metaleve e ndërtimi i anijeve u ndërpre dhe kaluan në duart e romakëve. Megjithëse disa qytete të Ilirisë së Jugut vazhduan prerjen e monedhave autonome, qarkullimi monetar dhe marrëdhëniet tregtare nuk kishin më atë intensitet që kishin pasur para luftërave iliro-romake. Në këtë kohë u forcua edhe më tepër pozita e shtresës së pasur ilire, e skllavopronarëve të mëdhenj, të cilët e mbështetnin politikën e Romës dhe kërkonin të përfitonin nga rrethanat e reja ekonomike e politike për të shtuar pronat e pasuritë e tyre.
Kjo gjendje që u krijua në Ilirinë e Jugut në fund të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë nuk zgjati shumë. Ajo qe e varur në përgjithësi nga politika që Republika do të ndiqte në Gadishullin Ballkanik dhe nga synimet pushtuese të saj. Dy ngjarje që ndodhën brenda një kohe të shkurtër, agresioni romak ndaj krahinave veriore ilire dhe kthimi i Maqedonisë në provincë e bënë të qartë qëndrimin që do të mbante Roma kundrejt ilirëve. Romakët, pas kryengritjes maqedone të vitit 149 p.e.sonë, krijuan provincën e Maqedonisë dhe përfshinë në të të gjitha krahinat ilire në jug të lumit Mat.
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e Shqiperise-MBRETERIA E DARDANISE.

K R E U VI

MBRETثRIA E DARDANISث



Mbretëria Dardane doli në skenën historike në shek.IV p.e.sonë dhe u bë një prej faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë në Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I p.e.sonë Shteti i Dardanisë, duke i bërë sfidë dominimit romak për një kohë të gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë Romake. dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 e.sonë. Mëvehtësia e dikurshme, që krijoi identitetin dardan dhe rezistenca e vazhdueshme, bënë që në vitin 279 e.sonë të krijohej njësia e veçantë administrative-politike romake, Provinca e Dardanisë.

Territori dhe popullsia
Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. Në gjysmën e dytë të shek.III p.e.sonë, në kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeo-strategjike Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën qëndrore të kësaj mbretërie.
Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi.
Falë edhe pasurive natyrore (arit, argjendit, hekurit, fushave pjellore, pyjeve, kullotave), si dhe të klimës së përshtatshme, kontinentale dhe mesdhetare, Mbretëria Dardane në shek.IV-II p.e.sonë njohu lulëzimin më të madh.
Në Dardani jetonin një varg fisesh, por nga burimet e shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve, galabrëve, daunëve dhe i thunatëve Pa dyshim, fisi i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të aristokracisë fisnore, në shekujt VI-IV p.e.sonë, mori rolin udhëheqës mbi bashkësitë fisnore duke i dhënë emrin mbretërisë. Në shek.V p.e.sonë këto fise banonin në hapësirën midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë) dhe Timakus (Timok).
Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë, lidhet me glosën indoevropiane dardh -a, shqip: dardha, dhe do të thotë vendi i dardhave. Edhe qytetet antike dardane e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes, si Naissus-Nish, Scupi-Shkup, apo emrat e maleve e të lumenjve në Dardani, si Scardus mons (Mali Sharr), Drinus (Drini) etj.
Dardanët janë një nga fiset e mëdha ilire. Në epokën e hekurit, ata formuan një kulturë me veçori lokale duke ruajtur tiparet e përbashkëta me kulturën ilire. Vendbanimet në këtë kohë janë ngritur në kodra gjeostrategjike, pranë burimeve të qëndrueshme ekonomike. Vendbanimet rrethohen me ledhe prej dheu, përforcohen me gjerdhe, apo me ledhe prej gurësh, të ngritura me teknikë të thatë. Këto vendbanime njihen sot me emrat gradina, gadisha e gradisha, disa prej tyre që banuan edhe në antikitetin e vonë e në mesjetë, njihen me toponimet gjytet dhe kala.
Deri në shek. IV p.e.sonë varrimi kryesor është bërë në nekropole tumulare, si në gjithë trevën tjetër ilire. Në fazat e hershme të epokës së hekurit ka edhe varrime me urna - kultura Bërnicë (shek. XI-IX p.e.sonë).





Dardania paraurbane
Bazat për lindjen e shtetit dardan vërehen në protohistorinë dardane gjatë shek. VI-IV p.e.sonë. Në këtë fazë protourbane fuqizohet aristokracia fisnore, e cila akumulon pushtetin, duke krijuar kështu bazë për një shtresë të ardhshme skllavopronare.
Lidhjet me jugun e zhvilluar, gjatë shek. VI-V p.e.sonë shpejtuan procesin e diferencimit shoqëror. Tregtarët sollën në trojet dardane importe të shumta luksoze për të plotësuar nevojat e aristokracisë vendëse gjithnjë në rritje.
Prodhimtaria e mjeshtërve dardanë u intensifikua nga mesi i shek.V p.e.sonë. Zejtarët poçarë, prodhonin enë me çark sipas traditës vendëse dhe sipas modeleve helene.
Vendbanimet e fazës protourbane gjenden ende në kodra, por me elemente më të avancuara arkitektonike, siç janë themelet me gurë e me lidhje të thatë. Ato zgjerohen në shpate kodrash, me tendencë të vendosjes së tyre rrëzë kodrave apo në rrafsh, gjë që bëhet tipike në fazën vijuese, me krijimin e qendrave urbane.
Nekropolet e shek. VI-IV p.e.s. vazhdojnë të jenë të tipit tumular duke qenë pjesë e traditës së hershme ilire.

Dardanët në shek. IV p.e.sonë.
Lindja dhe forcimi i Mbretërisë Dardane
Lajmi i parë për dardanët i përket mesit të shek. IV p.e.sonë dhe tregon për një përpjekje të mbretërisë së Maqedonisë, që ishte bërë asokohe fuqia politike-ushtarake më e madhe në Ballkan, për të forcuar kufijtë veriorë. Sipas historishkruesit romak, Justinit, Filipi II kishte mundur të mposhte e të nënshtronte dardanët e fqinjët e tjerë. Kjo luftë e sundimtarit maqedon lidhet me pushtimin e Paionisë dhe në përgjithësi me veprimet e tij ushtarake kundër ilirëve, sepse në vitin 344 p.e.sonë ai sulmoi edhe shtetin ilir.
Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim i kufijve me fqinjët ilirë, të cilët e kundërshtonin politikën hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan. Në kufirin me dardanët shteti maqedon kishte arritur pasi kishte pushtuar viset e paionëve. Ngjarjet që ndodhën pas kësaj lufte, duke filluar me kryengritjen e vitit 335 p.e.sonë tregojnë qartë se dardanët nuk u pajtuan me politikën pushtuese të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedon.
Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi të dardanëve dhe nuk thonë asgjë për organizimin e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk përmendin as sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme dhe të dhëna të tjera burimore dëshmojnë se në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ishte kryer bashkimi i fiseve në një bashkësi të fuqishme. Dardania asokohe përbënte një tërësi gjeografike e politike më vete. Në bashkësinë e dardanëve ishte rritur mjaft pushteti i parisë pronare të tokave. Nga gjiri i kësaj parie doli më vonë dinastia mbretërore, që i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra u nxitën, në radhë të parë, nga politika e sundimtarëve maqedonë, të cilët duke mbajtur të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë marrëdhëniet miqësore midis dy fqinjëve dhe kërcënonin në mënyrë të vazhdueshme dardanët.
Në fillim të shek. III p.e.sonë në trevën qendrore të Ballkanit del Mbretëria Dardane si një organizëm politik i rëndësishëm. Në vitet 80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve, kalimi i tyre në drejtim të Greqisë e të Maqedonisë dhe ndihma që dardanët i ofrojnë Maqedonisë për t’u mbrojtur nga ky invazion. Sipas njoftimit të Justinit, në vitin 279 p.e.sonë “mbreti i dardanëve” kishte dërguar delegatë te mbreti maqedon Ptoleme Kerauni për t’i ofruar një ndihmë ushtarake prej 20 mijë luftëtarësh në luftën kundër keltëve. Por Ptoleme Kerauni e përbuzi ndihmën dhe iu përgjigj me fjalë fyese delegatëve dardanë. Dardanët morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve. Pas disfatës në Greqi, keltët të mundur e të shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat e ushtrisë së tyre “u asgjësuan të gjitha në tokën e dardanëve, nëpër të cilën deshën të kalonin”, kështu shkruante Diodori në tregimin e tij për përfundimin e invazionit të keltëve.
Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një burim i çmuar për të njohur gjendjen e krijuar te dardanët në fillim të shek. III p.e.sonë. Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit të dardanëve, dihet se këta të fundit kishin mbretërinë e tyre, e cila tashmë ishte një forcë politike-ushtarake e fuqishme. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedon. Ky veprim i sundimtarit të dardanëve duhet parë si një tregues i fuqisë së Mbretërisë së Dardanëve dhe, ndoshta, edhe si një përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet me fqinjët jugorë.
Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike, për katër dekada nuk ka ndonjë lajm për dardanët. Së pari mund të mendohet se gjatë kësaj kohe dardanët qenë të shtrënguar të merrnin masa për zhdukjen e pasojave të invazionit kelt. Duke u mbështetur në përhapjen e onomastikës dardane dijetarët kanë shfaqur edhe një mendim tjetër: gjatë periudhës së mësipërme Mbretëria e Dardanëve u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht kufijtë e saj në veri e në jug.
Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.sonë rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane dhe shtetit maqedon. Shkaku i fillimit të luftërave duket se ka qenë politika pushtuese e sundimtarëve maqedonë kundrejt fqinjëve të tyre iliro-veriorë dhe në mënyrë të veçantë pushtimi i truallit të paionëve. Paionët herëpashere janë ngritur kundër pushtuesve maqedonë dhe, duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur të çlirohen. Një aleancë e vjetër, më tepër se sa një pushtim, duhet të ketë ekzistuar midis dardanëve e paionëve, sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe të dhënat e autorëve antikë sipas të cilëve, sa herë që paionët fitonin pavarësinë, dardanët e kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.
Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari i parë dardan që njohim me emër, Longari, i cili, pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.sonë, luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke kundërshtuar kështu përpjekjet e shtetit maqedon për të zgjeruar kufijtë veriorë. Mbretëria Dardane ishte forcuar shumë dhe prej kësaj kohe sundimtarët maqedonë u detyruan të angazhonin forca të mëdha ushtarake në konfliktin me dardanët, çka ndikoi negativisht në veprimet e tyre luftarake në Greqi dhe në përgjithësi në dobësimin e shtetit maqedon.
Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë së tyre sundimtarët dardanë bënë përpjekje për ta forcuar pozitën e tyre në zemër të Ballkanit edhe kundrejt shteteve të tjera fqinje. Në vitin 229 p.e.sonë, duke përfituar nga rasti që shteti ilir, në krye të të cilit ndodhej Teuta, ishte i zënë në veprime ushtarake në jug, në Epir, “një pjesë e ilirëve, - shkruan Polibi, - ishin shkëputur dhe ishin hedhur nga ana e dardanëve”. Teuta dha urdhër për të bërë paqe me epirotët dhe për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit ilir. Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën vartësinë e tij ata ilirë që u bashkuan me dardanët. Trazirat, me të cilat, sipas tij, u ndesh dhjetë vjet më vonë Skerdilaidi, të çojnë në mendimin se shteti ilir nuk mund t’i mbante nën vartësi këto fise. Dardanët, po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë që kalonte mbretëria maqedone sulmuan tokat e saj. Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe sundimtari i Maqedonisë Demetri II.
Luftërat dardano-maqedone vazhduan edhe gjatë sundimit të Antigon Dozonit, kur iniciativa e luftës kaloi në duart e Maqedonisë, e ndihmuar edhe nga gjendja e re e krijuar nga aleanca me shtetin ilir. Antigon Dozoni mundi të nxirrte dardanët jashtë Maqedonisë e Paionisë dhe nga të gjitha viset që kishin pushtuar në vitet e fundit të sundimit të Demetrit II. Në qytetin paion Bylazora, në luginën e lumit Aksios, maqedonët vendosën një garnizon të fortë ushtarak. Ky qytet kishte një rëndësi të madhe strategjike, sepse duke u ndodhur në luginën e Aksiosit u mbyllte dardanëve rrugën në drejtim të Maqedonisë. Një forcim i tillë i maqedonëve në kufirin me dardanët ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e hegjemonisë mbi Greqinë, aq më tepër kur në brigjet perëndimore të Adriatikut kishin zbarkuar legjionet romake dhe Republika e Romës kishte ardhur në kontakt me Maqedoninë. Kjo gjendje herët a vonë do t’i çonte të dyja palët në luftë.
Politikën antidardane e zbatoi më me konsekuencë pasardhësi i Dozonit, Filipi V. Siç tregojnë burimet e shkruara, Mbretëria Dardane edhe gjatë sundimit të këtij mbreti nuk u pajtua me gjendjen e krijuar në Paioni, as me pretendimet hegjemoniste të Maqedonisë. Në vitin 219 p.e.sonë, kur Filipi V ndodhej në Peloponez ushtria dardane çliroi atë pjesë të Paionisë që mbanin të pushtuar maqedonët dhe bashkë me të edhe qytetin Bylazora. Filipi V u detyrua të ndërpriste luftën në Greqi dhe ta dërgonte ushtrinë e tij në kufijtë veriorë. Veprimet ushtarake u përqendruan përreth Bylazorës dhe luginës së Aksiosit. Forcimi i kufirit verior të mbretërisë maqedone dhe zotërimi i Bylazorës, që sipas Polibit do ta vështirësonte hyrjen e dardanëve në Maqedoni, nuk i ndali sulmet e këtyre të fundit. Në një pasazh të Livit tregohet se sundimtari maqedon u kthye përsëri në vitin 211 në kufirin dardan dhe kësaj radhe pushtoi edhe qytetin Sintia në pjesën jugperëndimore të Dardanisë, dhe në veri të Pelagonisë (rrafshi i Manastirit) një pikëmbështetje tjetër e rëndësishme e sulmeve të dardanëve.
Luftërat që Mbretëria e Dardanëve bëri me shtetin maqedon gjatë sundimit të Filipit V, pavarësisht që nuk arritën të zgjidhnin në favor të tyre çështjen e vartësisë së paionëve, e dobësuan mjaft Maqedoninë dhe u bënë një pengesë serioze për realizimin e ndërhyrjeve ushtarake që synonin rivendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi. Për Mbretërinë Dardane u krijua një situatë e favorshme në konfliktin me Maqedoninë pas agresionit të Filipit V në Ilirinë e Jugut. Në vitin 208 p.e.sonë, dardanët në aleancë me Eropin, sundimtarin e një krahine ilire juglindore, sulmuan Maqedoninë. Ndërsa ky i fundit i kufizoi veprimet ushtarake në qytetin Lyhnid dhe në zonën përreth tij, ushtria dardane zbriti deri në Orestidë, një krahinë në kufirin jugperëndimor të Maqedonisë. Kësaj radhe, duke bashkëpunuar me forcat ilire të Dasaretisë, ushtria dardane kaloi nëpër Pelagoni në kufirin perëndimor të mbretërisë maqedone. Futja e ushtrive ilire në tokat e shtetit maqedon dhe sidomos pushtimi i Orestidës nga ana e ushtrisë së dardanëve e detyruan mbretin maqedon të hiqte dorë nga lufta e Ahesë dhe të kthehej në Maqedoni. Sulmet e dardanëve, shkruante Livi, bënë që Filipi “të tërhiqej edhe nga lufta kundër romakëve dhe e vunë përpara domosdoshmërisë që të mbronte mbretërinë e vet”. Me këto ngjarje të fundit duhet të lidhet edhe një lajm i Justinit, sipas të cilit “dardanët kishin filluar të shkretojnë krahinat kufitare të Maqedonisë dhe kishin marrë 20 mijë robër”. Më pas, vazhdon ai, Filipi V duke analizuar situatën e vështirë në të cilën gjendej Maqedonia dhe marrëdhëniet me kundërshtarët kryesorë të saj, vendosi që fushatën e parë ta bënte kundër dardanëve, sepse ata përbënin një kërcënim serioz dhe zotëronin fuqi të mëdha ushtarake. Për zbatimin e këtij vendimi ai luftoi kundër dardanëve në vitet 208 e 206 para e.sonë.





Bashkëpunimi dardano-romak kundër maqedonëve
(Shek. II p.e.sonë)
Gjendja e krijuar në Ballkan në fund të shek. III p.e.sonë, pas paqes që shteti maqedon bëri me etolët dhe romakët, që i dha mundësi atij për të sulmuar dardanët, nuk vazhdoi gjatë. Livi shkruan se në vitin 200 p.e.sonë, pas ekspeditës së suksesshme të romakëve në Dasareti (kundër Maqedonisë) tek lëmi i romakëve erdhën mbretër të ndryshëm e prijësa fqinjë të maqedonëve, midis të cilëve Pleurati, i biri i Skerdilaidit dhe Batoja, i biri i Longarit. Ata i ofronin komandantit romak ndihmë ushtarake kundër maqedonëve. Dardanët u futën përsëri në koalicionin antimaqedon, por tani të përgatitur nga Roma për qëllimet e saj. Ky koalicion e afroi Mbretërinë e Dardanëve edhe me shtetin ilir. Duke bashkëpunuar me ushtrinë romake që kishte arritur në kufijtë e Maqedonisë dhe duke i bashkërenditur me të veprimet luftarake, paria sunduese dardane shpresonte se me premtimet territoriale që i kishte bërë Roma, do të realizonte aspiratën e saj të vjetër, futjen e Paionisë nën varësinë e saj. Kështu në luftën e dytë romako-maqedone morën pjesë edhe dardanët.
Veprimet e para që ndërmori shteti maqedon në luftën kundër romakëve qenë ato kundër aleatëve të tyre, dardanëve, të cilët, sipas Livit, bashkë me etolët formonin dy mbështetje të mëdha për romakët. Këto veprime u përqendruan në mbylljen e në forcimin e grykës së Pelagonisë, një rrugë tjetër kalimi e përdorur nga dardanët sidomos pas afrimit të tyre me sundimtarët e Ilirisë së Jugut. Në vitin 199 p.e.sonë, nën presionin e ushtrive romake Filipi V i largoi forcat ushtarake të komanduara nga djali i tij Perseu që mbanin ngushticat e Pelagonisë dhe në këtë mënyrë u hapi rrugën për në Maqedoni ushtrive ilire të Pleuratit e të dardanëve. Edhe në këtë luftë maqedonët i konsideruan dardanët si armiq më të rrezikshëm. Duke u tërhequr para forcave kundërshtare, sundimtari maqedon mori masa vetëm kundër dardanëve, të cilët pasi kishin plaçkitur Maqedoninë e Sipërme bashkë me romakët, u tërhoqën drejt viseve të tyre. Ushtria dardane që po largohej nga Maqedonia, e sulmuar nga maqedonët u detyrua të rreshtohej për luftim. Beteja që vuri përballë ushtrinë e armatosur rëndë të dardanëve kundër kalorisë e këmbësorisë së lehtë të stërvitur mirë të Maqedonisë përfundoi pa fitoren e asnjërës palë. Taktika që përdori ushtria dardane bëri që në këtë betejë ajo të mos kishte humbje të mëdha dhe të mos mbetej asnjë rob në duart e armikut.
Në vitin 197 p.e.sonë, pas betejës së Kinokefalit që përfundoi në favor të romakëve, u vendos një armëpushim midis Romës e Maqedonisë. Dardanët, megjithëse luftuan përkrah romakëve, ndryshe nga shteti ilir, nuk patën asnjë përfitim, kështu u bë e qartë politika e diferencuar e Romës dhe synimet e qëndrimi i saj ndaj shteteve të ndryshme ballkanike. Pakënaqësia e krijuar tek paria dardane ndaj romakëve, pas ngjarjeve të mësipërme, shkaktoi një të çarë të thellë në marrëdhëniet midis tyre. Ata filluan përsëri të bëjnë një politikë të pavarur që e provon edhe fakti se etolët në vitin 190 p.e.sonë, u kërkuan dardanëve ushtarë me pagesë në luftën kundër romakëve.
Nga ana tjetër, maqedonët përfituan nga paqja e qëndrimi hakmarrës i romakëve kundër dardanëve, të cilëve iu desh të luftojnë të vetëm kundër një armiku të egërsuar. Për këtë qëllim, Filipi V, me forca të shumta sulmoi dardanët dhe në betejën që u bë pranë qytetit Stobi në Paioni e theu ushtrinë e tyre. Por dardanët mbetën për maqedonët gjithnjë kundërshtarë të fortë që nuk e ndërprenë luftën kundër tyre. Duke e ndjerë forcën e Mbretërisë Dardane dhe mospajtimin e saj me politikën maqedone, sundimtarët e Maqedonisë menduan ta shkatërrojnë atë me anën e forcave të treta. Për këtë Filipi V i shfrytëzoi bastarnët që banonin në krahinën e Danubit.
“Qëllimi i Filipit, - thotë Tit-Livi, - ishte që të zhdukte fisin e dardanëve dhe të vendoste në tokat e tyre bastarnët. Ai [Filipi V], mendonte se prej kësaj do të kishte një përfitim të dyfishtë, nga njëra anë, do të zhdukej fisi i dardanëve, i cili gjithmonë kishte qenë armik i rrezikshëm i Maqedonisë dhe shqetësonte mbretërit e saj në çaste të vështira, kurse, nga ana tjetër, do të dërgonte bastarnët në Itali që ta shkretonin atë pasi të linin në Dardani gratë dhe fëmijët e tyre”.
Bastarnët invaduan viset dardane në vitin 179 p.e.sonë të ndihmuar edhe nga trakët e skordiskët, fqinjë veriorë e lindorë të tyre. Invazionet dhe qëndrimi i bastarnëve në viset e dardanëve krijoi për këta të fundit një situatë shumë të vështirë, kurse Perseu, pasardhësi i Filipit V, mundi ta vazhdonte i qetë luftën kundër Romës. Dardanët e pësuan për të dytën herë nga aleatët e tyre romakë. Roma nuk i dha asnjë përgjigje ankesës së delegatëve dardanë që njoftonin senatin romak se invazioni i bastarnëve ishte i përgatitur dhe i nxitur nga Maqedonia. Të mbetur përsëri vetëm, sundimtarët dardanë grumbulluan ushtrinë e tyre dhe i sulmuan bastarnët. Beteja përfundimtare, tregon Tit-Livi, u zhvillua nën muret e një qyteti dardan. Kjo betejë, të cilën e fituan dardanët, edhe pse Livi nuk e përmend këtë, përfundoi me largimin e bastarnëve nga Dardania në dimrin e vitit 176-175 p.e.sonë.
Atë që shteti maqedon nuk mundi ta bëjë me anën e bastarnëve, u përpoq ta bënte me forcën e armëve të tij. Në vitin 172 p.e.sonë në krye të ushtrisë maqedone që sulmoi Mbretërinë Dardane u vu vetë mbreti Perseu. Fitorja e përkohshme nuk i lëkundi dardanët dhe nuk pati ndonjë rëndësi të madhe, sepse në dy vitet që pasuan Mbretëria e Dardanëve përmendet si një fuqi e rëndësishme në brendi të Ballkanit. Në këtë kohë ata e forcuan miqësinë me shtetin ilir nëpërmjet një lidhje martesore të Teutës, bijës së mbretit Monun, me Gentin. Kjo aleancë u shoqërua me një veprimtari ushtarake të përkohshme kundër Maqedonisë në kufijtë perëndimorë të saj, por sukseset e Perseut në krahinën e banuar nga penestët dhe politika antiromake që filloi të bënte Genti e afruan shtetin ilir me shtetin maqedon. Koniunktura politike që u krijua në prag të luftës së fundit të romakëve kundër shtetit maqedon e shtetit ilir e detyroi Mbretërinë Dardane të afrohej përsëri me romakët, etolët e penestët kundër maqedonëve. Por me gjithë pjesëmarrjen e tyre në koalicionin antimaqedon edhe pas mundjes përfundimtare të Maqedonisë, dardanët nuk e morën Paioninë. “Dardanëve, të cilët kërkonin Paioninë, pasi ishin kufitarë me tokat e tyre, komandanti romak, - thotë Livi, - iu përgjigj se u jepte liri gjithë atyre që qenë nën sundimin e Perseut. Duke mos u dhënë Paioninë e kërkuar prej tyre, u dha të drejtën të tregtonin kripë”.

Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i dardanëve në shek. III-II p.e.sonë
Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.sonë u shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një formacion politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm. Treva në të cilën u krijua kjo mbretëri ndodhej në zemër të Ballkanit dhe identifikohet me truallin në të cilin autorët antikë kanë vendosur fisin e madh ilir të dardanëve. Kjo trevë në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanëve arrinte në veri deri në lumenjtë e Angros (Morava e Ibari) dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët e skordiskët. Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit Aksios (Vardar), duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante Dardaninë nga Trakia, kurse në perëndim lumi Drin e mali i Sharit e kufizonin me truallin e shtetit ilir. Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.
Për mungesë të dhënash burimore nuk e njohim ende mirë organizimin e brendshëm të Mbretërisë së Dardanëve.
Nga të dhënat burimore të derisotme, që janë të pamjaftueshme, arrihet në përfundimin se dardanët nuk arritën atë zhvillim ekonomik e shoqëror dhe atë organizim politik e shtetëror që patën shtetet fqinje bashkëkohëse të Ilirisë së Jugut e të Maqedonisë. Por kjo nuk do të thotë se dardanët qenë në një shkallë të tillë të zhvillimit që përjashtonte praninë tek ata të një organizimi shtetëror. Nga pikëpamja e strukturës shoqërore dhe ekonomike Mbretëria Dardane, e lindur mbi bazën e një bashkësie fisnore, nuk ka qenë thjesht një organizëm fisnor, primitiv. Gjatë gjithë ekzistencës së saj Mbretëria Dardane ka pasur synime politike të qarta dhe me një veprimtari të organizuar, ku vendin kryesor e zënë natyrisht luftërat me Maqedoninë. Nuk është vetëm “etja për plaçkë” ajo që i shtynte dardanët në luftë me maqedonët. Luftëra plaçkitëse nuk ka bërë vetëm Mbretëria Dardane, ato i kanë bërë në Greqi edhe sundimtarët maqedonë, sikurse edhe më vonë komandantët romakë. Luftërat dardano-maqedone kanë pasur si burim politikën e dy palëve ndërluftuese. Në plan të parë qëndronte politika hegjemoniste e Maqedonisë, por duhet thënë se në kohën e lulëzimit të saj edhe Mbretëria Dardane ka pasur prirje ekspansioniste, kryesisht kundrejt fqinjës së saj, Paionisë.
Në marrëdhëniet me fqinjët Mbretëria Dardane, ashtu si shtetet e tjera, përfaqësohej nga mbretërit, të cilët janë përpjekur të mbrojnë interesat e shtetit të tyre edhe nëpërmjet lidhjeve martesore.
Në Mbretërinë Dardane pushteti mbretëror ishte i trashëgueshëm. Mbreti komandonte dhe dispononte fuqinë ushtarake të të gjithë dardanëve. Nga ato pak burime që njihen, del se ushtria dardane ka qenë një ushtri e rregullt, e organizuar mirë, në bazën e së cilës qëndronte falanga me tetë mijë luftëtarë. Ajo ishte një ushtri e përbërë nga këmbësorë të armatosur rëndë, që manovronte në luftë sipas një taktike të veçantë. Në vitin 199 p.e.sonë kur ushtria dardane po tërhiqej nga Maqedonia u sulmua nga ushtria maqedone; “dardanët, - shkruan Tit-Livi, - kthyen flamujt dhe u vendosën në radhë të rregullta përballë armikut, beteja u zhvillua njëlloj si në një luftë të vërtetë”. Dhe më poshtë ai shton: “Por sapo dardanët viheshin në rrugë, njerëzit e mbretit [Filipi V] i bezdisnin me kalorinë e këmbësorinë e tyre të lehtë, kurse dardanët nuk kishin ushtri të këtij lloji dhe ishin ngarkuar me armë të rënda... U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nuk u zu, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen”. Një ushtri e tillë nuk mund të ishte një ushtri fisnore. Në Mbretërinë Dardane ushtria përbënte një forcë të madhe. Në vitin 279 p.e.sonë mbreti dardan i ofron si ndihmë Ptoleme Keraunit një ushtri prej 20 mijë luftëtarësh. Shtatëdhjetë vjet më vonë, pasi kishte hyrë në Maqedoni, ushtria dardane duke u tërhequr mori me vete 20 mijë robër, kurse në betejën e vitit 170 p.e.sonë kundër Perseut ajo humbi 10 mijë luftëtarë. Këto shifra të larta, të cilat tregojnë fuqinë ushtarake të Mbretërisë Dardane, edhe pse mund të duken të tepruara, bashkë me të gjitha veprimet luftarake të saj, janë dëshmi e pranisë së një organizimi shtetëror në Dardani.
Mbretëria Dardane, si një organizëm politiko-ushtarak i veçantë ka pasur mënyrën e vet antike të prodhimit. Jeta ekonomike në Dardani ka qenë mbështetur në radhë të parë në zhvillimin e bujqësisë. Rrafshinat e Dardanisë kanë qenë pjellore dhe të përshtatshme për të gjitha degët e bujqësisë. Bujqësia duke qenë dega kryesore e ekonomisë, ka bërë që te dardanët të mbizotërojë popullsia fshatare dhe njëkohësisht të ruhet karakteri rural i popullsisë. Një burim me vlerë për të njohur zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe format e pronësisë tokësore te dardanët në shek. III p.e.sonë janë të dhënat e Agatharkidit. Në veprën e tij “Evropaikon”, ai shkruan se “dardanët kanë kaq shumë skllevër sa dikush kishte një mijë... kurse një tjetër edhe më shumë. Secili nga këta [skllevër] në kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin e vet”. Duke pranuar mendimin e përgjithshëm se me termin dulloi=skllevër, duhet kuptuar një popullsi fshatare e varur, vërtetohet prania te dardanët e një shtrese të pasur që zotëronte prona të mëdha tokësore dhe të një popullsie të shpronësuar, e cila kishte detyrime ndaj parisë ose shtresës sunduese dardane. Paria dardane shfrytëzonte jo vetëm “skllevërit” që përmend Agatharkidi, por edhe robërit e luftës. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që në luftën e vitit 216 p.e.sonë ushtria dardane mori me vete 20 mijë robër nga Maqedonia. Por kjo nuk ka qenë forma e vetme e pronësisë së tokës në Mbretërinë Dardane. Te dardanët ka pasur edhe një shtresë të fuqishme fshatarësh të lirë, të cilët bashkë me zejtarët e lirë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit. Edhe gjatë pushtimit romak, kur skllavëria si sistem ekonomiko-shoqëror u përhap në një shkallë të gjerë, fshatarët e lirë mbetën një forcë e madhe në provincën e Dardanisë. Një degë gjithashtu e rëndësishme në jetën ekonomike të dardanëve ka qenë xehtaria, nxjerrja dhe përpunimi i metaleve. Në mungesë të të dhënave të mjaftueshme të drejtpërdrejta duhet marrë parasysh shfrytëzimi i madh i burimeve metalifere në kohën e pushtimit romak, përvoja e xehtarëve dhe e metalpunuesve dardanë.
Nga mesi i shek. IV p.e.sonë disa nga vendbanimet e fortifikuara të tipit gradina zëvendësohen me qendra urbane. Ato u ngritën pranë xeherorëve ose në rrafsh e në udhëkryqet tregtare. Damastioni ishte një prej qyteteve të hershme, i cili u ngrit afër minierave të argjendit rreth shek. V p.e.sonë. Në njoftimet fragmentare të autorëve antikë ato quhen me termat polis, urbs, oppidum. Straboni përmend si të tilla Scupi, Naisi, Ulpiana pararomake, Novobërda etj. Qyteti Sitnia, në veri të Pelagonisë, përmendet si qendër e rëndësishme. Ptolemeu, autor i shek. II e. sonë përmend katër qytete të vjetra dhe të rëndësishme të Dardanisë: Naissos, Arribantion, Ulpianon dhe Scupi.
Duke iu referuar burimeve e të dhënave arkeologjike mund të mendohet se në shek. III-II ato kishin filluar të merrnin tiparet e qendrave urbane. Objekte të tilla, si vegla pune, stoli e prodhime qeramike që janë zbuluar në disa qendërbanime të fortifikuara dhe që janë prodhime vendase, dëshmojnë për transformimin e tyre në qendra zejtare. Monedhat maqedone, ato të Damastionit e të qyteteve Dyrrah e Apoloni etj., si edhe objekte të ndryshme të importuara duhen marrë si tregues të këmbimit mall-para dhe të një veprimtarie tregtare mjaft të gjerë që arrinte deri në Adriatik e në detin Egje.

Mbretëria Dardane në luftën kundër Romës
Pas pushtimit të Paionisë e të Maqedonisë nga romakët marrëdhëniet e dardanëve me ta ndryshuan. Që nga kjo kohë për parinë sunduese dardane u bë e qartë se me romakët nuk kishte vend më për bashkëpunim, i cili nuk u kishte sjellë përveç dëmeve, asnjë përfitim. Në kufijtë jugorë vendin e shtetit maqedon e kishte zënë Roma, synimet e së cilës për nënshtrimin e plotë të ilirëve nuk mund të fshiheshin. Tradhtisë së romakëve dardanët iu përgjigjën, në fillim me sulme kundër viseve të pushtuara prej tyre ose duke mbrojtur kundërshtarët e Romës. Më vonë, pas largimit të skordiskëve, të cilët me sulmet e tyre kishin dobësuar Mbretërinë Dardane, dardanët u radhitën në luftë kundër romakëve përkrah fqinjëve të tyre lindorë, medëve. Veprimet e përbashkëta të medëve e të dardanëve, për disa dekada e penguan depërtimin e ushtrisë romake në viset e tyre. Ekspeditat e ndryshme romake të viteve 97 e 85 p.e.sonë gjetën një qëndresë të fortë te medët e dardanët dhe përpjekjet për t’i nënshtruar jo vetëm që nuk patën sukses, por përfunduan me humbje për Romën. Në vitin 84 dardanët bënin pjesë në fiset ballkanike që duke sulmuar provincën romake të Maqedonisë arritën deri në Delf. Për komandantët e mëkëmbësit romakë u bë e qartë se dardanët ishin kundërshtarë të fortë dhe për nënshtrimin e tyre duheshin forca të mëdha ushtarake dhe një përgatitje e veçantë për luftë në të cilën objekti kryesor i goditjes do të ishin dardanët.
Këto masa i mori konsulli romak Gai Skribon Kurioni, i dërguar në vitin 76 p.e.sonë në provincën e Maqedonisë në krye të pesë legjioneve. Me këto operacione luftarake Roma donte të arrinte nënshtrimin sistematik të fqinjëve veriorë të provincës maqedone. Kryengritja që bëri njëri nga pesë legjionet fill pas zbarkimit në Iliri tregon se në qarqet ushtarake të Romës jehona e ekspeditave të dështuara kundër dardanëve dhe qëndresa e këtyre të fundit ishin një fakt tanimë i njohur. Frontini shkruan në Stratagemat, se “kur në luftën e Dardanisë, njëri nga pesë legjionet, e vendosura në rrethinat e Dyrrahut ngriti krye, iu shmang shërbimit ushtarak dhe tha se nuk kishte ndërmend të ndiqte komandantin e paarsyeshëm dhe një ekspeditë të vështirë e të rrezikshme, Konsulli G. Kurioni, urdhëroi katër legjionet të dilnin të armatosura dhe të radhiteshin në formacion luftarak me armë të zhveshura”. Katër legjionet e sjella nga Kurioni dhe ushtria romake që ndodhej në provincën e Maqedonisë sulmuan Mbretërinë Dardane dhe u futën në Dardani. Burimet e shkruara romake nuk japin të dhëna të drejtpërdrejta për atë se si u zhvillua kjo “luftë me dardanët”, që qe një luftë e vërtetë për nënshtrimin e Dardanisë, si dhe për përfundimin e saj. Por dihet se ushtria romake ka gjetur një qëndresë të fortë dhe u soll mizorisht me dardanët. Kujtimi i masakrave romake në Dardani u ruajt për një kohë të gjatë. Në shek. IV e.sonë Amian Marcelini, duke shkruar për dënimet me dhjetim që perandori Valentinian i dha ushtrisë së tij, e krahasonte atë me mizorinë e Skribon Kurionit në Dardani. Ky i fundit pas kësaj lufte arriti me ushtrinë e tij deri në Danub dhe më vonë festoi edhe triumfin në Romë. Por në burimet e shkruara dardanët dalin edhe më vonë si kundërshtarë të romakëve. Në bazë të këtyre të dhënave kuptohet që edhe pas ekspeditës së Kurionit nuk ndodhi një nënshtrim i plotë i Dardanisë, por më tepër një varësi nëpërmjet së cilës dardanët kishin disa detyrime kundrejt romakëve. Disa ngjarje të mëvonshme tregojnë se dardanët edhe pse të dobësuar nga luftërat kundër romakëve dhe nga pasojat e tyre, vazhduan të kundërshtonin politikën pushtuese të Romës.


 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e Shqiperise-PELLAZGET DHE ILIRET.

K R E U VII

QثNDRESA E ILIRثVE KUNDثR PUSHTUESVE ROMAKث



Luftërat e gjata të shtetit ilir dhe atij maqedon ishin bërë pengesa më e fuqishme kundër pushtuesve romakë. Thyerja e këtyre dy fuqive më të rëndësishme në Ballkan i kishte hapur Romës rrugën për të vazhduar më tej politikën e saj ekspansioniste në këtë gadishull dhe më tej në Lindje. Në shekullin II p.e.sonë dhe në shekujt që pasuan, Roma i shtriu luftërat e saj pushtuese edhe mbi krahinat e tjera të Ilirisë së brendshme dhe të asaj veriore.
Objekt i synimeve të Romës u bënë, në radhë të parë Mbretëria Dardane dhe federata e dalmatëve, dy formacione shtetërore ilire, të cilat dolën në skenën politike më vonë. Mbretëria Dardane, siç u pa në kreun e mëparshëm, përmendet në burimet e shkruara edhe para këtyre luftërave dhe del si kundërshtare e fortë e ekspansionit maqedon në Ilirinë Verilindore, duke arritur zhvillimin e saj më të madh në pjesën e dytë të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë. Në këtë shekull të fundit dardanët u bënë gjithashtu edhe kundërshtarët më të fortë të pushtuesve romakë.
Flamurin e luftës e morën dalmatët dhe fiset e tjera të veriut, që u bënë simbol i qëndresës kundër romakëve për një shekull e gjysmë. Kryengritjet e njëpasnjëshme të ilirëve morën karakter të gjerë duke përfshirë thuaj gjithë trevën ilire nga Danubi në veri deri në skajet jugore të Ilirisë.
Në prag të erës sonë shpërtheu kryengritja e madhe e ilirëve, e quajtur kryengritja e Batos, e cila qe kurorëzim i të gjitha kryengritjeve të mëparshme dhe i solli dëme të ndjeshme Perandorisë Romake duke e detyruar të hiqte dorë nga politika e saj agresive në Evropën Qendrore.

1. FEDERATA E DALMATثVE

Në veri të shtetit ilir dhe të Mbretërisë Dardane banonin popullsi të ndryshme ilire, të cilat me përjashtim të ilirëve të bregdetit të Adriatikut. dalin vonë në burimet e shkruara antike. Midis tyre ata që përmenden më herët janë “liburnët” të njohur si një nga popullsitë ilire që zhvilluan detarinë. Por nga ilirët veriorë, të cilët njihen më mirë dhe që zënë një vend të rëndësishëm në ngjarjet e shekujve II-I p.e.sonë e në qëndresën kundër pushtuesve romakë, kanë qenë dalmatët.
Kjo gjendje e trashëguar nga përshkrimet e autorëve antikë për ilirët e veriut është pasqyruar në një farë mënyre edhe në historiografinë e sotme. Nuk mund të thuhet se mungojnë studimet për ilirët e veriut, por këto studime lidhen më tepër me popullsi të veçanta, me shtrirjen e tyre gjeografike dhe nuk ka një trajtim të përgjithshëm të historisë së tyre. Këto studime mbështeten pak nga të dhënat e arkeologjisë, edhe pse këto janë të pasura në krahinat veriore ilire për periudhat prehistorike e protohistorike dhe për periudhën e pushtimit romak.

Federata e dalmatëve dhe luftërat kundër pushtuesve romakë
Në shek. II p.e.sonë, dalmatët shfaqen në Ilirinë e Veriut si një fuqi politike aktive. Tokat e banuara prej tyre deri në atë kohë ndodheshin në krahinën e brendshme, në jug të Alpeve Dinarike, ku gjendej edhe kryeqendra politike e tyre, kështjella e Delminit. Në këtë krahinë dalmatët krijuan një federatë të fuqishme, e cila erdhi duke u shtrirë në drejtim të bregdetit. Në federatën e dalmatëve u përfshinë edhe disa popullsi fqinje. Gjatë shek. II p.e.sonë territori i saj u zgjerua mjaft, në këtë territor qenë përfshirë jo vetëm tokat e brendshme, por edhe ato bregdetare. Në veri treva e federatës arriti deri te lumi Titius (Krka e sotme), duke pasur si fqinjë liburnët. Në jug, në fillim ishte lumi Tilur (Cetina), por më vonë kufiri arriti deri te rrjedhja e poshtme e Naronës (lumi i sotëm Neretva), në brigjet jugore të së cilës banonin daorsët. Më i vështirë është përcaktimi i kufirit lindor, pasi kemi të bëjmë me një krahinë malore, por ka shumë të ngjarë që ai të arrinte deri tek viset e banuara nga desidiatët, në Bosnjë. Pjesa më e madhe e trevës së federatës së dalmatëve, brenda këtyre kufijve dhe detit Adriatik ishte thuajse tërësisht malore, por nuk mungonin edhe disa pllaja të mëdha. Kjo veçori e relievit të viseve dalmate dhe kullotat e pasura të rrafshnaltave favorizonin zhvillimin e blegtorisë, kanë bërë që blegtoria të ishte baza kryesore e ekonomisë dhe që vetë dalmatët të njihen më tepër si blegtorë. Bujqësia vinte në rend të dytë, kurse xehtaria ka qenë më pak e zhvilluar.
Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se edhe te dalmatët sikurse tek ilirët e tjerë, në periudhën e parë të hekurit kishte filluar shthurja e bashkësisë primitive dhe diferencimi ekonomik e shoqëror. Në gjirin e shoqërisë së dalmatëve ishte krijuar një shtresë e veçantë që zotëronte kope të mëdha bagëtish të imta, nga e cila doli paria fisnore, që u vu në krye të federatës dhe e udhëhoqi në luftërat e ndryshme. Kësaj kohe i përkasin edhe një tok qendërbanimesh të fortifikuara, të quajtura zakonisht “gradina” të ngritura përreth pllajave të brendshme, rrënojat e të cilave janë ruajtur deri në ditët tona. Këto qendërbanime të fortifikuara apo kështjella ngriheshin në majat e sheshuara të disa kodrave të ulta dhe janë të njëkohshme. Ato përveç mbrojtjes natyrore ishin të fortifikuara me ledhe gurësh që dalmatët bënë kundër pushtuesve romakë. Ndryshonte prej tyre Delmini, kryeqendra e dalmatëve, të cilën Straboni e ka quajtur një qytet të madh; sikurse del nga përshkrimet e disa autorëve të tjerë antikë, ai ka qenë shumë i fortifikuar, i rrethuar me mure të larta dhe i vështirë për t’u pushtuar. Për të njohur natyrën e qendërbanimeve të fortifikuara të dalmatëve mund të ndihmonte arkeologjia; por ato qendërbanime kanë mbetur ende të pastudiuara mirë. Sidoqoftë ato nuk u zhvilluan si qendra qytetare, veçse me ndonjë përjashtim të rrallë, por i shërbyen kryesisht popullsisë blegtorale. Duke qenë blegtoria degë kryesore e ekonomisë së viseve të brendshme dalmate, në këto vise u zhvilluan ato zeje që lidhen me blegtorinë. Kështu pasuria e madhe me dhen i dha shkas punimit të leshit dhe krijimit të punishteve të tekstilit. Në popullsinë blegtorale të dalmatëve pati një zhvillim edhe punimi i drurit, i ndihmuar nga pyjet e pasura të viseve të tyre.
Të dhënat burimore të shkruara dhe arkeologjike, tregojnë se te dalmatët e viseve të brendshme u ruajt më gjatë organizimi fisnor; për marrëdhëniet ekonomike e shoqërore të ruajtura te dalmatët e brendshëm bën fjalë Straboni kur shkruan se, ende në kohën e tij, dalmatët e ndanin tokën çdo tetë vjet dhe se ndryshe nga banorët e bregdetit, përdornin monedhat. Nga kjo e dhënë e Strabonit kuptohet se nuk ishte fjala për tokat e kulturave bujqësore, ku ekzistonte prona private, por për kullotat, pyjet etj., të cilat vazhdonin, si edhe tek ilirë të tjerë, të ishin prona të përbashkëta. Por, në të njëjtin vend Straboni shkruan se Salona ishte një skelë e dalmatëve dhe se në viset e tyre ka pasur qendërbanime të shumta (sipas tij numri arrinte në 50); qytete të rëndësishme, përveç Salonës e Delminit, kanë qenë Propona, Ninia, Andetri etj. ثshtë e qartë se njoftimi i parë i Strabonit u përket viseve të brendshme, kurse në krahinën bregdetare gjendja ishte krejt ndryshe. Në ishujt fqinjë dhe në bregdet ndodheshin kolonitë greke të Farit e të Isës dhe qytetet Tragur e Epeti, të varura prej kësaj të fundit. Në krahinën bregdetare ku ndodheshin të gjitha qendrat qytetare që u përmendën më sipër, janë gjetur materiale arkeologjike e monedha, midis të cilave edhe monedha të Dyrrahut e të Apolonisë, tregues të një zhvillimi ekonomik e shoqëror të përparuar. Në këtë krahinë të gjerë të federatës së dalmatëve organizimi fisnor po ia lëshonte vendin shoqërisë skllavopronare. Ka qenë ky zhvillim që pati treva e federatës së dalmatëve, i cili e bëri këtë të fundit një fuqi politike të rëndësishme në brigjet e Adriatikut Verior në shek. II-I p.e.sonë.
Në fillim të shek. II p.e. sonë, gjatë sundimit të Pleuratit dalmatët qenë në vartësinë e shtetit ilir, por për një kohë të shkurtër. Me vdekjen e Pleuratit dhe me ardhjen e Gentit në krye të shtetit ilir në vitin 181 p.e.sonë ata u bënë përsëri të pavarur. Pas shkëputjes nga shteti ilir federata e dalmatëve u forcua shumë. Në këtë kohë dalmatët bashkuan rreth vetes edhe popullsi të tjera ilire, të cilat qenë detyruar t’i jepnin federatës si tribut, bagëti dhe grurë. Në viset bregdetare adriatikase, Traguri e Epeti, dy qytete që ishin nën varësinë e kolonisë sirakuziane, Isës, dhe që ndodheshin pranë Salonës, qenë detyruar t’i jepnin gjithashtu një tribut federatës së dalmatëve. Dalmatët u përpoqën njëkohësisht të nënshtronin daorsët, të cilët zotëronin vetëm krahinat pas bregut të majtë të rrjedhjes së poshtme të lumit Naretva. Daorsët para vitit 168 p.e.sonë bënin pjesë në shtetin ilir dhe me rënien e këtij të fundit kishin hyrë nën protektoratin e Romës.
Forcimi i federatës së dalmatëve sidomos në viset bregdetare jugore, nuk mund të mos ngjallte shqetësime në shtetin romak, që ndiqte një politikë pushtuese në viset veriore ilire. Këtë politikë pushtuese shteti romak e justifikonte, gjoja për të mbrojtur kufijtë lindorë të Italisë. Kështu pati vepruar që në kohën e luftërave iliro-romake, ndërsa në vitin 178 p.e.sonë ushtria romake, pasi kishte thyer qëndresën e istrëve, kishte pushtuar gjithë gadishullin e banuar prej tyre. Duke zbatuar më tej politikën pushtuese Roma sulmoi edhe federatën e dalmatëve. Për luftën kundër dalmatëve romakët përdorën si pretekst ankesat e daorsëve e të Isës, të cilët ishin nën tutelën e Romës, dhe sjelljet e këqija të dalmatëve kundër delegatëve të tyre. Vepra e Polibit, që është burimi kryesor për këto ngjarje, tregon se nuk qenë veprimet e dalmatëve shkaku i luftës, por plani i Romës, i përgatitur me kohë për të pushtuar trevën veriore ilire. “Duke ndërmarrë një fushatë kundër dalmatëve, shkruan Polibi, në njërën anë do të nxitnin, do të ngrinin shpirtin luftarak të popullit të tyre dhe, në anën tjetër, do t’u jepnin një mësim ilirëve dhe do t’i detyronin t’i nënshtroheshin sundimit të Romës. Për këto arsye romakët u shpallën luftë dalmatëve, por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënë këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve ndaj përfaqësuesve të tyre”.
Në vitin 156 p.e.sonë ushtria romake duke pasur si bazë rrjedhjen e poshtme të lumit Naretva filloi sulmin kundër dalmatëve. Përpjekja e parë e ushtrisë romake për t’u futur në viset e dalmatëve përfundoi keq dhe ajo u detyrua të kthehej përsëri në bazën e nisjes. Konsulli romak G. Mark Figuli, duke shpresuar se do t’i zinte dalmatët në befasi, i sulmoi përsëri ata në fillim të dimrit. Dalmatët e përballuan me sukses sulmin që ushtria romake i bëri kryeqendrës së tyre Delminit, por një vit më vonë, pas përgatitjesh të mëdha, romakët duke përdorur të gjitha mjetet mundën të pushtojnë Delminin. Burimet e shkruara nuk bëjnë fjalë për gjendjen që u krijua pas luftës. Ngjarjet e mëpastajme tregojnë se lufta vërtet përfundoi keq me pushtimin e Delminit, por jo me nënshtrimin e dalmatëve. Pas kësaj lufte romakët e zgjeruan agresionin e tyre në Ilirinë e Veriut duke sulmuar japodët e panonët. Kësaj radhe sulmet e romakëve patën si pikënisje kufirin verilindor të Gadishullit Italik dhe si bazë për fushatat e tyre kundër ilirëve shërbeu qyteti Akuilea, në Gadishullin e Istrisë, ku shteti romak kishte vendosur një koloni me qytetarë romakë. Japodët e panonët, ashtu si dalmatët i vazhduan për një kohë të gjatë luftërat kundër pushtuesve romakë. Me qëndresën që i bënë shtetit romak për më se njëqind vjet - nga gjysma e dytë e shek. II deri në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë - popullsitë ilire të veriut, e detyruan atë të dërgonte në viset e tyre ushtri të reja, por pa arritur rezultate të dukshme. Në krye të popullsive veriore ilire, në luftën kundër romakëve, qëndronin dalmatët, të cilët për shumë vjet me radhë mbetën kundërshtarët më të fortë të Romës.
Në gjysmën e dytë të shek. II p.e.sonë kundër pushtuesve romakë luftuan edhe ardianët. Ardianët ishin një nga popullsitë e mëdha ilire që jetonte në brigjet e Adriatikut të Mesëm deri në afërsi të liqenit të Shkodrës. Viset e tyre, që bënin pjesë në shtetin ilir, pas vitit 168 p.e.sonë, ishin futur në njërën nga krahinat pseudoautonome të krijuara nga shteti romak. Nën ndikimin e luftës dhe të qëndresës së federatës së dalmatëve kundër Romës, ardianët e ndryshuan statusin e vendosur në vitin 168 dhe u bënë të pavarur. Në përpjekjet për të forcuar pozitën e tyre në një krahinë të varur politikisht nga shteti romak, ata u ndeshën së pari me “aleatët” e këtij shteti. Sipas Tit Livit ardianët e pleurejtë “shkretonin Ilirinë që ishte nën romakët”. Përpjekjet e ardianëve e të pleurejve për të forcuar pavarësinë e tyre, në një kohë kur edhe fise të tjera ilire luftonin kundër pushtuesve romakë, krijuan për Romën një situatë të vështirë, të rënduar edhe nga kryengritja e skllevërve në Sicili. Për të dalë nga kjo situatë shteti romak dërgoi në viset e ardianëve e të pleurejve një ushtri relativisht të madhe, të përbërë nga 10 mijë këmbësorë e 600 kalorës. Mënyra se si u zhvilluan luftimet tregon se sulmi romak i gjeti ardianët e pleurejtë të papërgatitur për një luftë e qëndresë të gjatë. Burimet japin njoftime vetëm për një betejë që u bë në vitin 135 p.e.sonë, ku romakët i thyen ardianët e pleurejtë. Pas kësaj lufte shteti romak, për të shmangur një kryengritje e re, i shpërnguli me forcë ardianët nga bregdeti në viset e brendshme malore të Hercegovinës së sotme.




Kryengritjet e ilirëve në mesin e shek. I p.e.sonë
Megjithëse popullsitë e ndryshme ilire ishin mundur në beteja të veçanta nga ushtria romake, kjo e fundit nuk e kishte thyer përfundimisht qëndresën e tyre. Pas luftërave mbrojtëse filluan kryengritjet. Mizoritë e ushtrive romake, veprimet arbitrare të komandantëve e të qeveritarëve romakë, taksat e rënda, plaçkitjet e grabitjet e pushtuesve i shtynë në kryengritje ilirët e veriut dhe të jugut. Pushtimi romak bëhej përherë e më i rëndë; në krahinat e pushtuara nuk ishin të siguruara as gjëja, as nderi dhe as jeta e ilirëve.
Kjo bëri që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë, gjatë krizës politike që kaloi Republika Romake për shkak të luftës civile, lufta çlirimtare e ilirëve të zgjerohej edhe më shumë. Në krahina të ndryshme të Ilirisë, sidomos në ato bregdetare u krijua një situatë e favorshme, e cila u dha shkas përpjekjeve për çlirim. Duke pasur synime të qarta politike, ilirët u përpoqën të përfitonin nga konfliktet që lindën në gjirin e klasës sunduese romake. Kështu në vitet 50 të shek. I p.e.sonë një pjesë e qyteteve (ku ishin vendosur qytetarë italikë) që kishin filluar të zhvilloheshin ekonomikisht, morën anën e Cezarit; paria ilire, e nisur nga interesat e saj jetësore, përkrahu kundërshtarin e tij, Pompeun.
Të parët që morën armët dhe u ngritën kundër romakëve qenë pirustët; në vitin 50 p.e.sonë ata sulmuan krahinat jugore të vëna nën administrimin e Cezarit. Shteti romak mori masa mbrojtjeje kundër pirustëve kryengritës, dërgoi forca të reja ushtarake dhe fortifikoi qytetet. Ne kemi dëshminë e tri mbishkrimeve latine të gjetura në Lezhë dhe të vetë Cezarit për rindërtimin e fortifikimeve të Lisit, që duhet të ketë qenë një nga qytetet e para të sulmuara nga pirustët.
Atë që nuk mundën ta bënin pirustët, dëbimin e pushtuesve romakë nga vendi i tyre, e bënë dalmatët. Në vitet 50 të shek. I p.e.sonë dalmatët rimëkëmbën federatën e tyre. Në kufirin verior me liburnët ata çliruan qytetin Promona dhe thyen ushtrinë e fortë romake të dërguar kundër tyre nga Cezari. Në vitet 47-48 në një betejë të madhe ata shkatërruan tërësisht ushtrinë romake të përbërë nga 15 kohorta këmbësorësh e 3 000 kalorës. Më shumë se 2 000 ushtarë, 30 centurionë e 4 tribunë romakë u vranë në këtë betejë. Me disfatë përfunduan edhe operacionet e tjera të ushtrisë romake, e cila u thye, duke humbur edhe flamujt. Sipas Apianit, dalmatët pas këtyre betejave “nga plaçka e shumtë që zunë jo vetëm u pasuruan në të holla, por rritën fuqinë e tyre ushtarake”. Dalmatët mbetën të pavarur dhe të fuqishëm edhe pas vdekjes së Cezarit.
Kundër pushtuesve romakë u ngritën edhe parthinët, tokat e të cilëve gjatë luftërave u bënë shesh lufte. Me pasoja për ta qe lufta midis Cezarit e Pompeut që shkatërroi ekonominë e tyre. Gjatë kësaj lufte ushtritë romake grabitën popullsinë parthine dhe krijuan aty një gjendje pasigurie. Për herë të parë parthinët ngritën krye në vitin 48 p.e.sonë, por kryengritja më e madhe e tyre ka qenë ajo e vitit 39, gjatë së cilës u shkaktuan pushtuesve romakë humbje të mëdha. Por në luftimet u vranë rreth 5 000 kryengritës. Sipas tregimit të Apianit, edhe pasi ishte shtypur kryengritja, njëri prej komandantëve romakë, Mark Antoni, do të ndihmonte ushtrinë që kishte në tokat ilire dhe me qëllim që ta bënte të pasur dhe njëkohësisht ta stërviste, e hodhi këtë ushtri kundër parthinëve.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. I fise të tjera kryengritëse ilire të veriut vazhduan të luftojnë kundër pushtuesve romakë. Oktaviani, që ishte bërë në vitet 40 sundimtar i vetëm i shtetit romak, u detyrua të vinte vetë në viset ilire të çliruara në krye të një ushtrie prej 8-10 legjionesh (pothuaj 1/5 e ushtrisë së tij). Me këtë fushatë të madhe ushtarake Oktaviani kërkonte të forconte njëkohësisht edhe pozitën e tij në Itali. Në vitin 35 p.e.sonë ushtria i sulmoi nga toka dhe nga deti liburnët, kaonët dhe japodët. Këta të fundit u bënë legjioneve pushtuese një qëndresë të madhe. Në qëndresën ilire të kësaj kohe mbetet si një shembull i madh lufta për mbrojtjen e Metulit, qytetit kryesor të japodëve. Romakët mundën të pushtonin këtë qytet vetëm kur ai u shkatërrua i tëri dhe kur ishin vrarë mbrojtësit e tij. Për të mos rënë në duart e armikut, gratë metulase me fëmijët e tyre u hodhën në zjarrin që përfshiu qytetin. Shteti romak sulmoi pastaj edhe fise të tjera ilire si panonët, dalmatët e dardanët.
Pas kësaj fushate të përgjakshme që u kushtoi rëndë romakëve, këta të fundit arritën deri në Danub, duke hapur edhe rrugën tokësore që lidhte krahinat danubiane me detin Egje. Ilirët kryengritës, që luftonin jo të bashkuar u mundën nga ushtria e madhe romake e armatosur dhe e organizuar mirë. Por popullsitë ilire nuk iu nënshtruan pushtuesit as pas fushatës së viteve 30, me gjithë masat e marra nga shteti romak, largimin me forcë prej vendit të tyre të shumë kryengritësve dhe kthimin në skllevër të robërve të zënë gjatë luftërave pushtuese.

Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të erës sonë
Kryengritja më e madhe ilire kundër pushtuesve romakë ka qenë ajo e viteve 6-9 të e.sonë. Ajo dallohet nga kryengritjet e tjera për shtrirjen e gjerë të saj, pjesëmarrjen e popullsive të tëra ilire, për luftën e paepur të kryengritësve dhe për gjendjen e vështirë që krijoi për shtetin romak. Kryengritja filloi në një kohë kur Perandoria Romake, duke vazhduar politikën pushtuese të saj, po përgatitej për luftën kundër markomanëve gjermanikë, të cilët kishin krijuar në tokat e اekisë së sotme një federatë fisnore të fuqishme. Shteti skllavopronar romak kishte ngarkuar me tribute popujt e pushtuar dhe i kishte detyruar të jepnin rekrutë për luftërat e reja pushtuese. Për luftën kundër markomanëve ishte përgatitur një ushtri e madhe prej 12 legjionesh, e cila do të plotësohej me reparte ndihmëse. Ushtarët e këtyre reparteve do të rekrutoheshin kryesisht tek fiset e mëdha të veriut: dalmatët, desidiatët, panonët etj. Rekrutimi i bërë me forcë i shtyti përsëri në kryengritje ilirët, që ishin rënduar edhe nga pagesa e taksave. Dalmatët edhe para kësaj kryengritjeje kishin qëndruar të qetë. Të parët u ngritën desidiatët dhe shumë shpejt kryengritja u përhap edhe tek popullsitë e tjera ilire, nga lumenjtë Sava e Dava në veri, deri tek lumi Mat në jug, ku u ngritën pirustët. Kjo ka qenë kryengritja më e madhe ku, për të parën herë, një tërësi popullsish ilire rrokën armët së toku dhe u hodhën në luftë kundër pushtuesve romakë. Ushtria kryengritëse ilire përbëhej nga 200 mijë këmbësorë e 9 000 kalorës dhe udhëhiqej nga tre komandantë: nga Bato Desidiati dhe nga një tjetër Bato e Pini nga fisi i breukëve panonë. Duke bashkërenditur veprimet e tyre, kryengritësit ilirë filluan operacionet në tri drejtime: 1) Një grup kryengritësish u drejtuan nga krahinat bregdetare adriatikase dhe, duke çliruar mjaft qytete e kështjella, zbritën në jug deri në afërsi të qytetit të Apolonisë, në provincën e Maqedonisë. 2) Një grup tjetër kryengritësish u drejtua nga veriperëndimi, për të çliruar krahinat ilire në kufi me Italinë dhe për të forcuar mbrojtjen në këto vise. 3) Një pjesë tjetër e kryengritësve qëndroi në brendësi të viseve dalmate, duke pasur si detyrë jo vetëm çlirimin e plotë të vendit, por edhe organizimin e mbrojtjes.
Lufta çlirimtare e ilirëve dhe fitoret e para të tyre u bënë shqetësuese për romakët, të cilët po humbnin kështu tokat e pushtuara në pjesën veriore të Ballkanit. Vrulli i kësaj lufte e tronditi shumë pushtetin qendror romak. Në Romë u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Vetë perandori Oktavian lëshoi kushtrimin në senat, se “në dhjetë ditë, po të mos merren masa mbrojtjeje, armiku mund të hyjë brenda në Romë”. Perandori kërkoi që për nevojat e ushtrisë shtresat e pasura të jepnin një pjesë të pasurisë së tyre. U thirrën nën armë veteranët e luftërave të mëparshme dhe u pranuan në ushtri edhe skllevërit e liruar. Me markomanët shteti romak bëri një marrëveshje, e cila u lehtësua edhe nga fakti që nuk kishin filluar veprimet e luftës. Legjionet romake, të dërguara kundër markomanëve dhe të vëna nën komandën e Tiberit, morën urdhër të drejtohen për në Iliri, ku ziente kryengritja.
Me gjithë masat e forta që mori Perandoria Romake, gjatë dy viteve të para të luftimeve me legjionet romake, iniciativa ishte në duart e kryengritësve, të cilët duke vepruar me shpejtësi dhe shkathtësi e goditnin ushtrinë romake në befasi dhe në disa drejtime në një kohë, sulmonin kolonat e furnizimit etj. Në luftë kundër kryengritësve ilirë, shteti romak solli nga Siria dy legjione nga më të fortat, kërkoi ndihmën e aleatit të tij Remetalkut, mbretit të Trakëve dhe dërgoi në Ilirik komandantët më të mirë ushtarakë. Ushtria romake gjatë operacioneve në viset ilire përdori të gjitha mjetet për të mposhtur qëndresën e ilirëve, forcën e armëve, djegien e qendërbanimeve të ilirëve kryengritës, shkatërrimin e arave, të kopshteve e të pyjeve, vrasjen e kthimin e popullsisë ilire në skllevër. Në vitin e tretë të kryengritjes duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të krijuar pas dimrit të fortë në vitet 7/8, duke përdorur intrigat dhe përçarjet, romakët mundën me anë premtimesh të bënin për vete Baton, njërin prej prijësve breukë. Megjithëse Batoja i breukëve u kap shpejt nga kryengritësit dhe u dënua si tradhtar, kryengritësit panonë ishin përçarë dhe ushtria romake mundi ta shtypte qëndresën e fiseve kryengritëse të Panonisë.
Në vitin 9 vatra kryesore të kryengritjes mbetën krahinat dalmate. Shteti romak, në luftën kundër kryengritësve ilirë angazhoi të gjitha forcat ushtarake të grumbulluara. Kryengritësit ilirë, ndër të cilët forcën kryesore e përbënin dalmatët, qenë të detyruar t’u bënin ballë sulmeve të një ushtrie armike disa herë më të madhe dhe që zotëronte mjete të shumta lufte. Kryengritësit dalmatë treguan në luftimet kundër legjioneve romake një trimëri e vendosmëri të madhe dhe u shkaktuan dëme të shumta armiqve. Nën muret e kështjellës së Andetrit, në Dalmati romakët nga rrethues u shndërruan në të rrethuar dhe shpëtuan nga një katastrofë e madhe, të ndihmuar përsëri nga tradhtia e disa përfaqësuesve të parisë vendase. Në mbrojtje të një kështjelle tjetër, Arbudës, me kryengritësit u bashkuan edhe gratë, të cilat për të mos rënë në duart e armiqve u hodhën me fëmijët e tyre në zjarrin që kishte përfshirë kështjellën dhe në humnerat poshtë saj. Kështjellat dalmate, të mbrojtura nga kryengritësit ranë në duart e pushtuesve romakë si gërmadha dhe pa banorë. Popullsi të veçanta ilire e vazhduan qëndresën edhe pas rënies së kështjellave dalmate. Të fundit që u mposhtën qenë desidiatët e pirustët, të cilët sikurse shkruan historishkruesi romak Velei Paterkuli, pjesëmarrës në luftën kundër kryengritësve ilirë, “ishin pothuaj të pathyeshëm në sajë të pozitës së vendeve dhe të maleve, të natyrës së tyre të egër, të zotësisë së tyre të çuditshme për të luftuar...”.
Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të e.sonë, sipas historishkruesit romak Suetonit, “ishte më e tmerrshme nga të gjitha luftërat e jashtme pas luftës punike”. Gjatë luftës për mposhtjen e kryengritjes shkruan një tjetër historianshkrues antik, “shumë njerëz humbën dhe u shpenzua një sasi e madhe të hollash. Sepse gjatë kësaj lufte u desh të mblidhej shumë ushtri, ndërsa plaçka e luftës ka qenë shumë e paktë”. Pasojat e kryengritjes së madhe ilire, dobësimi i fuqisë ushtarake të Perandorisë Romake, që nuk dispononte mjete të mjaftueshme për një luftë të re, u dukën shumë qartë në disfatën e në humbjen e tri legjioneve në pyllin e Teutiburgut në viset gjermane. Kryengritja e madhe e ilirëve e viteve 6-9 krijoi në Perandori një situatë të nderë e të vështirë. Ajo i dha fund periudhës agresive të politikës së jashtme të Oktavianit. Shteti romak u detyrua të hiqte dorë nga politika e tij pushtuese kundër markomanëve gjermanikë dhe Evropës Qendrore.
Raprezaljet që bënë romakët në viset ku shpërtheu kryengritja qenë të tmerrshme. Kryengritësve iu mor toka dhe çdo gjë që kishin; disave u prenë duart, kurse shumë të tjerë u shitën si skllevër. Vetëm pas më shumë se një shekulli e gjysmë luftimesh pushtuesit romakë mundën të mposhtnin qëndresën e armatosur të ilirëve dhe t’i nënshtronin “në një farë mënyre”. Straboni shkruante asokohe se shkretimi i Ilirisë “ka filluar prej shumë kohësh dhe në disa vise nuk ka pushuar as sot e kësaj dite për shkak të kryengritjeve...”. “Romakët po ngrehin lëmet në shtëpitë e tyre”.
Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë ndonëse nuk pati lëvizje të mëdha të organizuara të ilirëve kundër romakëve, qëndresa e ilirëve ndaj pushtuesve, e sidomos kundër romanizimit e asimilimit vazhdoi gjatë.

 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e Shqiperise-PELLAZGET DHE ILIRET.

K R E U VIII

ILIRIA Nث PERIUDHثN E ZGJERIMIT DHE Tث RثNIES
Sث PERANDORISث ROMAKE



1. GJENDJA EKONOMIKO-SHOQثRORE DHE ADMINISTRIMI I ILIRISث Nث SHEK. I-III E.SONث



Shteti romak si gjatë luftërave, ashtu edhe pas mbarimit të tyre u mor me organizimin administrativ të viseve të pushtuara, të cilin e kreu në disa etapa dhe me ndryshime sipas koniunkturave që krijoheshin herë pas here dhe në pajtim me mundësitë që kishte vetë shteti romak. Qëllimi kryesor i organizimit administrativ të Ilirisë, ka qenë përforcimi i pushtetit romak, me anë të të cilit do të kalohej në një administrim e shfrytëzim më racional e sistematik të provincave ilire. Kjo ka ndodhur në periudhën e fundit të Republikës së Romës dhe në mënyrë të veçantë me krijimin e perandorisë. Këtij qëllimi i shërbyen masa të tilla si konfiskimi i tokave dhe ndryshimet në pronësinë tokësore, shndërrimi i disa qyteteve në koloni romake dhe ngulimet e një popullsie italike e orientale, zhvillimi i teknikës dhe i prodhimit, shfrytëzimi i minierave dhe ndërtimi e rindërtimi i rrugëve dhe në përgjithësi situata e rëndë që iu imponua ilirëve, veçanërisht duke filluar nga shek. I e.sonë.
Bashkë me këtë politikë Roma bëri përpjekje të mëdha për asimilimin, “romanizimin” e popullsisë ilire, por pa arritur rezultate të dukshme.

Marrëdhëniet agrare. Krijimi i latifondeve
Që në shek. I p.e.sonë, por në mënyrë të veçantë pas shek. I e.sonë, shteti skllavopronar romak filloi zbatimin në viset ilire të një politike agrare, në thelb të së cilës ishte marrja me forcë, konfiskimi i tokave më të mira e pjellore, të cilat i shpalli “ager publicus”, prona të shtetit romak. Një pjesë të madhe të tokave të konfiskuara Roma ua dha qytetarëve romakë, kolonistëve romakë e italikë dhe veteranëve të ushtrisë, të cilët banonin në periferinë e qyteteve, duke i shndërruar në toka të qyteteve që qenë kthyer në koloni e në municipe. Por nga fondi i tokave të grabitura morën prona edhe përfaqësuesit e aristokracisë tokësore; në këtë mënyrë në Iliri u krijuan ekonomitë e mëdha bujqësore, latifondet. Latifondet gjendeshin kryesisht në fushat, zonat e ulëta kodrinore dhe në luginat e ulëta të lumenjve, më tepër pranë rrugëve të mëdha, sepse ato furnizonin me prodhime bujqësore qendërbanimet e mëdha. Nga burimet e shkruara del se zotërime të mëdha tokash, latifonde ka pasur në krahinat bregdetare dhe në fushat e brendshme. Përreth Buthrotit ka pasur prona të mëdha tokësore Pompon Atiku, që i përkiste parisë skllavopronare romake, kurse në rrethet e kolonive të Ulpianës e të Skupit, në Dardani, zotëronte prona të gjera tokësore familja patrice romake e Turëve.
Me gjithë konfiskimet tokësore pushtuesit romakë i lanë toka edhe popullsisë ilire dhe në këtë drejtim vepruan sipas qëndrimit që mbanin kundrejt fiseve të ndryshme. Në mënyrë të veçantë pronat tokësore të vendasve u ruajtën në viset e brendshme ilire, ku në shekujt e parë të erës sonë, një pjesë e madhe e popullsisë jetonte, ende në fshatra, e organizuar në bashkësi fshatare. Pjesëtarët e këtyre bashkësive fshatare, krahas pronës së përbashkët, kullotave, djerrinave e pyjeve zotëronin ngastra toke, të cilat i punonin vetë, me mjetet e tyre.
Skllavopronarët romakë, pas tyre dhe paria ilire, vazhduan të konfiskonin tokat duke bërë përpjekje të reja për t’i rritur pronat e tyre tokësore. Të dhënat mbishkrimore tregojnë se në fillim të shek. II të erës sonë, territori bujqësor i qytetit të Dyrrahut arrinte deri në Skampin (Elbasan) që ishte një fshat “vicus” i varur nga Dyrrahu. Mbishkrimet latine, të zbuluara në fshatra të ndryshme të fushës së Tiranës dhe që i takojnë shek. I të erës sonë mbajnë emra jo ilire, çka do të thotë se edhe në këtë zonë pronat bujqësore u ishin marrë vendësve. Në lidhje me grabitjen e tokave të bashkësive fshatare vendëse me shumë interes është një mbishkrim i shek. II të erës sonë i zbuluar në tokat e orestëve, që banonin në krahinat kufitare juglindore ilire. Në këtë dokument mbishkrimor, i gjetur pranë Vatinës, theksohet e drejta e njohur e orestëve për zotërimin e tokave shtetërore në territorin e qytetit Vatina. Në mbishkrim theksohet gjithashtu se nga kjo e drejtë përjashtohen “të huajt”, në këtë rast pronarët romakë të tokave që kërkonin të zgjeronin pronat e tyre tokësore. Një organizim të ngjashëm me orestët, pra edhe marrëdhënie agrare të ngjashme me ta kanë pasur edhe dasaretët. Një veçanti e krahinave të banuara nga orestët, dasaretët dhe popullsitë e tjera malësore të Ilirisë Juglindore është mungesa, në gjetjet arkeologjike, e dokumenteve mbishkrimore në gjuhën latine. Kjo mungesë mund të shpjegohet vetëm me një status të posaçëm të këtyre krahinave ilire.
Marrëdhëniet e reja agrare të vendosura në Iliri gjatë sundimit romak e keqësuan shumë gjendjen sidomos të asaj pjese të fshatarësisë ilire që i ishin grabitur tokat. Fshatarët e mbetur pa tokë u detyruan të iknin dhe të kërkonin punë si argatë në qytetet dhe në minierat. Ata që mbeteshin në fshat për të jetuar, u shtrënguan të punonin si mëditës - arrendatorë - në pronat tokësore të qyteteve dhe të latifondistëve romakë. Në veprën e tij “Mbi ekonominë fshatare” shkrimtari romak Varroni shkruan për ekzistencën në shek. I të erës sonë të fshatarëve të varur, të skllavëruar në borxhe, të cilët ai i quan “obaerati”, që sipas tij gjendeshin me shumicë në Iliri dhe punonin në vende e në kushte të vështira. Edhe gjendja e fshatarëve të lirë nuk ishte aspak e mirë; mbi ta rëndonin taksa e detyrime të ndryshme, të cilat i çuan në shkatërrim të plotë. Shumë prej fshatarëve të shpronësuar, në pamundësi për të përballuar jetën hynin në borxhe, shpeshherë duke u kthyer edhe në skllevër. Skllevërit në përgjithësi i bënin punimet bujqësore në latifondet dhe në pronat tokësore të qyteteve.
Zhvillimi i ekonomive bujqësore në territoret e konfiskuara nga qytetet, rritja e pronave të mëdha tokësore e shpejtoi procesin e zëvendësimit të pronës së përbashkët (prona kolektive u bë pronë e “shtetit romak”) me atë private dhe pati si pasojë shtrirjen dhe thellimin më tej të marrëdhënieve skllavopronare në fshatin ilir. Ky proces preku edhe pronat e vogla private në ato vise që hynin nën administrimin e qyteteve ose ku kishte mundësi të zhvilloheshin latifondet. Më pas u bënë përpjekje për t’i shtrirë marrëdhëniet e reja agrare edhe në viset e brendshme. Megjithatë, në krahinat e brendshme ilire vazhdoi të ruhej edhe prona e vogël tokësore dhe fshatarët e lirë. Në këto krahina blegtoria, krahas bujqësisë, mbeti një degë e fuqishme e ekonomisë së popullsisë ilire.

Qytetet
Duke filluar nga shek. I i e.sonë në krahinat ilire ndodhën ndryshime edhe në jetën qytetare. Këto ndryshime u bënë natyrisht në pajtim me traditat vendase të urbanizimit dhe me kushtet e reja politiko-ekonomike të krijuara në tre shekujt e parë të erës sonë.
Kështu në Ilirinë e Jugut dhe në Epir, gjatë shekujve të mësipërm nuk u ngritën qytete të reja, madje në krahasim me periudhën pararendëse numri i tyre u pakësua. Nuk kanë të bëjnë me procesin e urbanizimit të asaj kohe, disa kështjella (castra), me karakter thjesht ushtarak, të cilat u ngritën gjatë rrugëve më të rëndësishme.
Me pushtimin romak dhe me organizimin administrativo-ekonomik provincial pjesa më e madhe e qyteteve autoktone nuk i kishin më funksionet ekonomike e politike që kishin pasur më parë dhe, duke mos pasur mundësi të zhvilloheshin më tej, filluan të bien. Në kushte të tilla banorët e disa qyteteve e qytezave të fortifikuara ilire braktisën vendbanimet kodrinore-malore dhe zbritën në fushë. Disa prej tyre, megjithëse u kthyen administrativisht në gjendjen e fshatrave, nuk kanë pushuar së qeni qendra qytetare, të tjerat u bënë vendbanime fshatare duke u marrë kryesisht me bujqësi. Pati edhe ndonjë qendërbanimi të fortifikuar ilire, që duke pasur qysh në fillim karakter mbrojtës u shndërrua si qendër e një garnizoni ushtarak romak.
Shpëtuan nga rrënimi për dy-tre shekuj pak qytete që përfituan nga politika e diferencuar që zbatuan në fillim autoritetet pushtuese romake. Kjo politikë mbështetej në qëndrimin proromak të disa qyteteve gjatë periudhës së luftërave iliro-romake dhe ndikohej nga fakti se romakët për një farë kohe nuk qenë në gjendje të qeverisnin drejtpërdrejt të gjitha krahinat bashkë me të gjitha qytetet e pushtuara. Në krye të këtyre qyteteve ishte ai i Apolonisë, ku u ruajtën krahas autonomisë së brendshme edhe traditat kulturore-artistike helenistike, gjuha greke dhe punishtja monetare, ku priteshin monedha deri në fillim të shek. III të erës sonë. Statusin e vjetër dhe një autonomi të brendshme ruajtën edhe qytetet Amantia e Foinike.
Një impuls të ri në zhvillimin e tyre ekonomik e kulturor patën në të gjithë Ilirinë qytetet që morën statusin e kolonisë dhe të municipit. Në Ilirinë e Jugut koloni romake u bënë Skodra, Dyrrahu, Bylisi dhe Buthroti, kurse në Ilirinë e Veriut dhe të brendshme si koloni të rëndësishme qenë Narona, Salona, Jader, Epidauri dhe Skupi. Të dhënat që kemi për këto koloni tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së tyre përbëhej nga italikë të ardhur aty, nga veteranë të legjioneve romake dhe banorë me prejardhje nga Lindja. Kjo popullsi, pavarësisht nga përbërja etnike, kishte të drejtën e qytetarisë romake dhe formonte shtresën më të pasur të qyteteve. Në duart e saj ishin përqendruar postet më të rëndësishme administrative. Mbajtja e tyre, që konsiderohej detyrë nderi, ishte e lidhur edhe me detyrime në fushën e ndërtimeve, të zbukurimit të qyteteve etj. Përfaqësuesit e shtresës së pasur, kalorët, financonin shfaqje teatrale, garat sportive dhe luftërat e përgjakshme të gladiatorëve. Të hollat për të gjitha këto nxirreshin nga puna e skllevërve dhe e masës së gjerë të popullsisë së varfër.
Në përbërjen e shtresave të larta ka pasur edhe ilirë të pasur, përfaqësues të shtresës skllavopronare ose të parisë së vjetër fisnore, të cilët kishin marrë qytetarinë romake. Në një situatë të tillë, paria provinciale ilire, si një shtresë e privilegjuar, e cila më të shumtën i përkiste shtresës së kalorëve dhe prej nga dilnin edhe komandatë ushtarakë, u bë një përkrahëse e shtetit romak, sepse ajo shihte te pushteti i fortë perandorak mbrojtësin e interesave të saj.
Shtresat e tjera të popullsisë së lirë, me të drejta qytetare, përbëheshin nga pronarët e vegjël të tokave, zejtarët e tregtarët. Banorët vendës që në to kanë qenë të paktë, sepse qenë dëbuar që në fillim, madje edhe nga zonat periferike bujqësore, nuk kishin të drejta politike dhe kryenin punë të rënda si punëtorë krahu, druvarë, barinj etj.
Kolonitë, bashkë me municipet, kanë qenë baza ekonomike të Romës dhe njëkohësisht bërthama përçuese të politikës së asimilimit të popullsisë ilire. Veprimtaria ekonomike e kulturore e tyre ka qenë e lidhur ngushtë me Romën e modelet romake dhe gjuha zyrtare e tyre ka qenë gjuha latine.
Institucionet municipale ishin të njëjta në të gjitha qytetet-koloni të Ilirisë dhe ishin organizuar sipas shembullit të Romës. Organ drejtues ka qenë këshilli i qytetit ordo decuriorum, i cili vendoste për çështjet më me rëndësi. Pushteti ekzekutiv ushtrohej nga një kolegj prej dy magjistratësh të lartë, të zgjedhur për 5 vjet, duumviri quinquennales. Funksionarë të tjerë të qytetit ishin edilet (aediles), të cilët kujdeseshin për ndërtimet publike e furnizimin e popullsisë, kuestorët (questores), që kishin nën kontrollin e tyre arkën e shtetit. Në administrimin e qytetit një detyrë e lartë ka qenë detyra e mbrojtësit ose e patronit të kolonisë (patronus coloniae), i cili ishte i ngarkuar nga perandori për të mbrojtur interesat e saj.
Në krahinat ilire, përveç qyteteve-koloni në shekujt e parë të erës sonë një rol të rëndësishëm kanë luajtur disa qendërbanime të vogla të quajtura municipe, të cilat kanë pasur një vetëqeverisje më të kufizuar. Municipet zotëronin gjithashtu prona tokësore në periferinë e afërt; zejtaria e tregtia nuk kanë qenë aq të zhvilluara dhe në përgjithësi në këto qendërbanime nuk ka pasur institucione, që ishin karakteristike për kolonitë. Municipe ka pasur edhe në viset e brendshme, disa prej të cilave kanë qenë lidhur me minierat. Një municip i tillë ka qenë Ulpiana në Dardani (afër Prishtinës), e ngritur në fillim të shek. II të erës sonë pranë një qendre minerare, që u bë shpejt qendra kryesore e krahinës. Në municipet e zonave të brendshme popullsia ishte thuajse tërësisht vendase, në to puna e skllevërve ka qenë përdorur fare pak, për të mos thënë aspak, kurse banorët ilirë në pjesën më të madhe të tyre kanë qenë marrë me bujqësi e blegtori. Në këto qendërbanime u ruajtën më të forta traditat e lashta vendëse dhe politika asimiluese e shtetit romak gjeti një kundërshtim e një qëndresë më të madhe se në rajonet bregdetare.
Burimet e shkruara antike tregojnë për ekzistencën në Iliri të disa qendërbanimeve të vogla të fortifikuara, të cilat i quajnë castella ose oppida (kështjella apo qyteza), banorët e të cilave nuk kishin të drejtën e qytetarisë romake. Këto kështjella e qyteza ilire ishin edhe qendra të njësive krahinore të brendshme civitates-ve, ku qenë vendosur paria vendase dhe autoritetet provinciale të perandorisë që zbatonin politikën sunduese të saj.

Zejtaria, tregtia dhe komunikacioni
Zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve dhe lulëzimi i jetës qytetare në shekujt e parë të erës sonë në provincat ilire ka qenë i lidhur ngushtë me zhvillimin që morën degët e ndryshme të ekonomisë, zejtaria, tregtia dhe bashkë me ta rrjeti i komunikacionit. Me gjithë ngritjen që pati në dy shekujt e parë të perandorisë provinca e Maqedonisë, ku qenë përfshirë edhe Iliria e Jugut dhe Epiri, këto nuk arritën gjendjen që kishin pasur në kohën kur qenë të pavarura. Ndryshe prej tyre, në krahinat e brendshme e të veriut, në Dalmati, Panoni, Dardani etj., vendosja e mënyrës antike (romake) të prodhimit u pasua nga një zhvillim ekonomik më i lartë se ai që kishin pasur më parë.
Në këtë periudhë u zhvilluan në Iliri ato degë të zejtarive, prodhimet e të cilave ishin të destinuara për të plotësuar kërkesat e një rrethi të gjerë konsumatorësh, në radhë të parë të vendasve. Në këtë kategori hynin veglat e punës, orenditë shtëpiake, enët prej balte, qelqi dhe stolitë. Zhvillimi i metalurgjisë dhe i disa zejeve të rëndësishme u pasua me futjen në përdorim të një sërë veglash të reja pune, të cilat e shtuan edhe më tej prodhimin. Njëkohësisht vërehet edhe krijimi, sidomos në qytetet e mëdha, të punishteve, të cilat i zotëronin skllavopronarë të njohur italikë, sikurse është rasti i kandilave prej balte të pjekur të prodhuar në Bylis nga firmat e njohura FORTIS e FELIX të Italisë së Veriut, të cilat ishin llogaritur gjithashtu për tregun vendës. Nga fundi i shek. I dhe sidomos në shek. II të e. sonë bëhet i zakonshëm edhe në provincat prodhimi i kandilave me firmë, me kallëpe të sjella nga Italia. Në qytetet e mëdha ku zejtaria ka qenë më e zhvilluar zejtarët ishin të bashkuar sipas zejeve në shoqata (collegia). Disa mbishkrime të zbuluara përmendin kolegjet e zejtarëve që punonin hekurin, gurin e drurin. Shumë qytete të Ilirisë kanë qenë të njohura për prodhimin e tullave e të tjegullave, të armëve, të tekstileve etj.
Një nga degët e ekonomisë që mori një zhvillim të madh në krahinat ilire në shek. I-III të erës sonë dhe për të cilën pushtuesit treguan një zell të madh ka qenë shfrytëzimi i minierave. Pas pushtimit të Ilirisë edhe minierat e arit, të argjendit, të bakrit e të hekurit të Dalmatisë, të Dardanisë e të viseve të pirustëve u bënë prona të shtetit romak dhe patën një rëndësi të madhe për perandorinë. Shfrytëzimin e minierave perandorake ose e bënte vetë shteti ose ua jepte sipërmarrësve të vegjël romakë. Në minierat punonin, në kushte të këqija, skllevërit dhe banorët e lirë vendës. Minierat e provincave ilire filluan të shfrytëzoheshin në mënyrë intensive në shek. II e.sonë. Flori, historian i shek. I-II të e.sonë, tregon se pas kryengritjes së viteve 6-9 romakët i shtrënguan dalmatët “të gërmojnë tokën dhe të nxjerrin prej saj arin”. Më vonë minatorët dalmatë e pirustët u dërguan me forcë për të punuar në minierat e provincës së Dakisë.
Një rol jo të vogël në jetën e krahinave ilire ka luajtur edhe tregtia. Më e zhvilluar ishte tregtia që bënin qytetet si qendra të prodhimit zejtar me periferinë e tyre bujqësore dhe me viset e brendshme, në të cilën merrnin pjesë gjerësisht shtresat e gjera të popullsisë vendëse. Një zhvillim të madh mori gjithashtu tregtia tranzite dhe ajo që bëhej në Gadishullin Italik e në provincat mesdhetare të perandorisë, që ishte në duart e shtresës së tregtarëve negotiatores, të cilët u dukën në viset ilire që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë. Nga tregtia përfituan ato krahina që ishin në afërsi të qendrave të mëdha tregtare ose të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacionit. Qendra të rëndësishme tregtare të kësaj kohe qenë Dyrrahu, Salona, Jader etj., në skelat e të cilave shkarkoheshin mallra të ndryshme që drejtoheshin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Sipas një burimi të shkruar, nga krahinat dardane eksportohej djathë, kurse Dalmatia, përveç djathit, eksportonte lëndë druri të përshtatshme për ndërtime dhe hekur.
Qytetet dhe qendërbanimet e rëndësishme të provincave ilire të kësaj kohe kanë qenë lidhur me rrugë. Shteti romak, fill pas pushtimit të tyre, nisi ndërtimin e rrugëve të reja dhe rregullimin e rrugëve të vjetra. Një rrugë e njohur dhe e rrahur ka qenë rruga Egnacia (e ndërtuar fill pas formimit të provincës së Maqedonisë (mesi i shek. II p.e.sonë), mbi rrugën më të vjetër të Kandavisë), e cila duke u nisur nga Dyrrahu e Apolonia dhe duke kaluar nëpër Thesalonik arrinte në Bizant (Kostandinopojën e mëvonshme), pasi kishte përshkuar një pjesë të mirë të krahinave jugore të Ballkanit. Sipas Strabonit, rruga Egnacia ka qenë e gjatë 553 milje, afërsisht 830 km. Ajo ishte rruga më e shkurtër dhe më e sigurt midis Italisë së Jugut, Greqisë Veriore, Maqedonisë e Azisë së Vogël. Një rrugë e rëndësishme transballkanike ka qenë edhe ajo që nisej nga bregdeti jugor i Adriatikut, kalonte nëpër Lis, kapërcente Drinin dhe dilte në Dardani duke arritur në Nais. Në Nais ajo lidhej me rrugën që vinte nga Veriu (Danubi), nga Singiduni e Viminaci dhe që mbaronte në Thesalonik. Rrugë të tjera të dorës së parë kalonin gjatë bregdetit për në veri dhe për në jug. Të dhëna më të plota për këto rrugë gjenden në itineraret (lista rrugësh e harta grafike, të hartuara që në fillim të shek. III e.sonë), që janë një burim i çmueshëm për rrugët e lashta, ku jepen edhe emrat e vendbanimeve dhe situata gjeografike. Mjetet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve dhe krahët e punës romakët i nxirrnin nga popullsia vendase. Gjatë këtyre udhëve ka pasur vende për këmbimin e kuajve (mutatio) dhe stacione të posaçme me bujtina (mansio).
 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e Shqiperise-PELLAZGET DHE ILIRET.

Organizimi administrativ i Ilirisë
Në fund të shek. I.p.e.sonë u krijua provinca e Ilirikut (Illyricum), ku qenë përfshirë krahinat e Ilirisë Veriore. Provinca e Ilirikut përfshinte një territor shumë të gjerë: në veri arrinte deri në Danub, kurse në jug deri te lumi Mat; në lindje provinca e Ilirikut shtrihej në qendër të Ballkanit, duke përfshirë në përbërjen e saj edhe territorin e Serbisë së sotme. Ndryshimet që ekzistonin midis krahinave perëndimore bregdetare dhe atyre të brendshme malore bënë të nevojshëm krijimin në pjesën qendrore të Ilirisë të një province tjetër. Provinca e Mëzisë - me këtë emër u quajt provinca e re - përfshinte edhe Dardaninë, e cila deri atëhere kishte bërë pjesë në provincën e Maqedonisë.
Kryengritjet dhe në përgjithësi kundërshtimi që iu bë pushtimit në viset ilire, sidomos në ato të provincës së Ilirikut e detyruan shtetin romak të rishikojë marrëdhëniet me provincat dhe të riorganizojë aparatin administrativ. Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë provinca e Ilirikut u nda më dysh: në jug u krijua provinca e Dalmatisë dhe në veri ajo e Panonisë. Në etapën e fundit të organizimit administrativ të provincave ilire, nga Perandoria e hershme Romake (shek. II e.sonë), u krijua provinca e Epirit, ku u futën krahinat ilire në jug të Vjosës, i gjithë Epiri dhe Akarnania e Etolia, në jug të tij.
Provincat e nënshtruara e të qetësuara në një farë mënyre, ishin nën mbikëqyrjen e senatit romak, kurse provincat që kishin rëndësi strategjike, ku gjendja ishte e pasigurt dhe ku ishte e nevojshme të mbaheshin reparte ushtarake, vareshin drejtpërdrejt nga perandori. Në Iliri provinca perandorake ishin Panonia, Dalmatia, Mëzia e Epiri, kurse Maqedonia ishte provincë e varur nga senati.
Në krye të provincave qëndronin sundimtarë të posaçëm, mëkëmbësit, të cilët sipas rëndësisë së provincave ishin të rangjeve të ndryshme. Në provincën perandorake të Dalmatisë, mëkëmbësi ishte në rangun e konsullit (legatus) (Augustipropraetore). Provinca e Epirit hynte në grupin e provincave të dorës së dytë dhe sundohej nga mëkëmbës që vinin nga shtresa e kalorëve romakë. Në krye të provincës së Maqedonisë kanë qenë vënë senatorë në rangun e propretorit.
Mëkëmbësit emëroheshin në administrimin e provincës për një vit, duke pasur edhe funksionin e lartë gjyqësor dhe politikën fiskale. Në provincat ku mbaheshin reparte ushtarake ata kishin në dorë edhe pushtetin ushtarak. Mëkëmbësit kanë qenë zotër të vërtetë të provincave dhe kanë pasur një pushtet të pakufizuar. Veprimtaria e mëkëmbësve në provincat ka qenë jashtë çdo kontrolli, ata kishin në duart e tyre jetën e banorëve të provincave dhe shfrytëzonin postin e tyre për interesat vetjake, duke shtuar pasurinë e tyre me anë të grabitjeve sistematike. Në përgjithësi veprimet e mëkëmbësve të provincave karakterizoheshin nga një arbitraritet i theksuar. Shembull i abuzimeve dhe i plaçkitjeve të sundimtarëve romakë, i shthurjes dhe i paligjshmërisë së plotë në provincat, ishte bërë provinca e Maqedonisë, gjatë sundimit të mëkëmbësit romak Kalpurn Pizonit, në vitet 57-55 p.e.sonë. Në një ligjëratë të mbajtur kundër Pizonit, oratori i njohur romak Ciceroni, e ka përshkruar gjendjen e krahinave ilire në provincën e Maqedonisë të asaj kohe me këto fjalë: “Dyrrahu e Apolonia të shkatërruara... parthinët e bylinët të gënjyer, Epiri krejt i shkatërruar ... të gjithë kanë provuar se ti kishe ardhur vetëm për t’i vjedhur, plaçkitur, keqpërdorur dhe trajtuar si armiq...”.
Në provincat ilire mëkëmbësit kishin mjaft nëpunës ndihmës, midis tyre ishin kuestorët që merreshin me financat, prokuratorët që drejtonin degë të ndryshme të ekonomisë dhe legatët që kryenin detyrat e tyre në ushtri dhe në gjyqe. Një detyrë themelore e mëkëmbësve dhe e ndihmësve të tyre ka qenë mbledhja e taksave nga popullsia ilire. Shteti romak kishte përpunuar një sistem të hollësishëm të nxjerrjes së taksave dhe të detyrimeve të tjera në popullsitë e viseve të pushtuara. Taksat kryesore kanë qenë ato që paguheshin për tokën dhe ato për frymë (tributum soli dhe tributum capiti). Baza e sistemit fiskal romak ka qenë regjistrimi i pasurisë. Me caktimin e taksave janë marrë prokuratorët, të cilët i caktonin ato sipas të ardhurave, sipërfaqes dhe cilësisë së tokës. Këto taksa, në fillim i paguanin vetëm banorët vendës, të cilët romakët i quanin “peregrini” (të huaj). Më vonë taksat u shtrinë edhe mbi qytetarët romakë të vendosur në provincat ilire.
Përveç taksave të drejtpërdrejta, popullsia vendëse ka qenë e shtrënguar të paguante edhe taksa të tjera të tërthorta, që merreshin pjesërisht në të holla e pjesërisht në natyrë, si p.sh. taksën për ndërtimin e rrugëve, për pyllin, për peshkimin dhe taksën doganore. Taksa doganore apo e kufirit paguhej për disa mallra të importuara që kalonin nëpër rrugët tokësore lumore ose detare nga një njësi administrative-doganore në tjetrën. Një njësi doganore më vete përbënte Iliriku (portorium Illyrici), në të cilën qenë përfshirë provinca e Dalmatisë, e Panonisë, e Mëzisë, e Norikut dhe më vonë provinca e Dakisë. Nga banorët e provincave ilire nxirreshin shuma të mëdha në të holla për mbajtjen e administratës romake dhe të reparteve ushtarake të dislokuara në to. Të gjitha taksat e abuzimet e nëpunësve romakë rëndonin thuajse tërësisht mbi popullsinë e thjeshtë. Përfaqësuesit e pushtetit perandorak, legatët, prokuratorët, fajdexhinjtë e tregtarët italikë i shihnin provincat si objekt grabitjeje. Një nga provincat që u shkatërrua shpejt nga veprimtaria grabitqare e sundimtarëve romakë ka qenë provinca e Maqedonisë. Pasiguria e krijuar në këtë provincë, kundërshtimet dhe kryengritjet e banorëve të saj kundër qeveritarëve romakë, bënë që më vonë ajo të kthehej nga një provincë e administruar nga senati në një provincë perandorake.
Grabitjet dhe barra e rëndë e taksave kanë qenë më të theksuara në krahinat bregdetare dhe në ato të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacioneve, ku kishte gjithfarë nëpunësish romakë. Në viset e brendshme dhe në krahinat malore të provincave ilire, pushtuesit romakë nuk mund të vendosnin marrëdhënie të tilla vartësie as edhe të nënshtronin plotësisht banorët vendës ndaj autoriteteve shfrytëzuese të perandorisë. Shumë krahina e bashkësi territoriale ruajtën për një kohë të gjatë një vetadministrim të brendshëm. Këto bashkësi, të quajtura civitates, ishin të përbëra nga qendërbanime të vogla e fshatra që kishin përreth tyre një territor bujqësor të gjerë, që shtrihej në kufijtë e vjetër të popullsive ilire dhe që ishte pjesërisht tokë private dhe pjesërisht pronë e përbashkët. Në krye të civitates-ve ka pasur një prefekt (praefectus civitatis) që zakonisht zgjidhej midis ushtarakëve të reparteve të afërta. Në këto bashkësi prefektët ushtronin autoritetin e tyre në emër të shtetit romak, pa pëlqimin e të cilit nuk mund të merrej asnjë vendim. Më vonë oficerët romakë u zëvendësuan nga përfaqësues të parisë vendëse që kishin marrë qytetarinë romake. Duke organizuar bashkësitë vendëse sundimtarët romakë, mundën të siguronin një farë kontrolli mbi popullsinë vendëse dhe ta tërhiqnin atë në jetën e shtetit romak. Në burimet mbishkrimore përfaqësuesit e parisë ilire të vënë në krye të bashkësive autonome, si p.sh. te dalmatët, japodët, desidiatët e dokleatët, janë quajtur praepositi (kryetarë). Pranë tyre ka pasur edhe një këshill fisnor, i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të parisë vendëse, principes, që ishin gjithashtu njerëz të besuar të Romës. Kjo shtresë e parisë ilire erdhi gjithnjë duke u kufizuar; nga gjiri i saj kanë dalë më vonë ata që bënë përpjekjet e fundit, por pa rezultat, për të mëkëmbur perandorinë e hershme romake dhe për të mbajtur gjallë skllavopronarinë që ishte në shthurje e sipër.
Për të lehtësuar sundimin e tyre romakët krijuan krahina të mëdha gjuhësore-administrative, të quajtura kuvende (conventus provinciae). Në provincën e Dalmatisë ka pasur tri kuvende. Në kuvende merrnin pjesë përfaqësuesit e shtresave sunduese të qyteteve dhe të parisë ilire të bashkësive territoriale; midis tyre zgjidhej për një vit, kryetari i kuvendit dhe prifti i kultit të perandorit.

2. ILIRIA Nث PERIUDHثN E RثNIES Sث PERANDORISث ROMAKE

Historia e ilirëve gjatë shek. IV, V e VI e. sonë, një periudhë që ka të bëjë me krizën e sistemit antik të prodhimit dhe me rënien e Perandorisë Romake, ndryshe nga ajo e tre shekujve të parë të erës sonë ka mbetur më pak e studiuar. Vëmendjen e studiuesve për këtë periudhë e kanë tërhequr sulmet e “barbarëve” dhe luftërat që Perandoria Romake dhe më pas perandoria e hershme bizantine kanë bërë për mbrojtjen e kufijve veriorë. Nuk ka munguar interesimi i historiografisë së huaj edhe për “perandorët ilirë”, të cilët bënë përpjekje për t’ia zgjatur jetën Perandorisë Romake dhe njëkohësisht rendit skllavopronar në rënie e sipër.
Kjo është, në historinë e ilirëve, një periudhë plot me ngjarje të rëndësishme, në të cilën ndodhën invazione e dyndje popujsh të ndryshëm, që u shoqëruan me ndryshime në përbërjen etnike të popullsive ballkanike. Shekujt IV-VI janë jo vetëm periudha e përballimit me sukses të invazioneve barbare, por edhe periudha e rigjallërimit të ilirëve pas rënies së Perandorisë Romake, rigjallërim që shfaqet në shumë aspekte të jetës e të kulturës së tyre. Ndryshe nga ajo e veriut, popullsia ilire e trevave jugore u qëndroi dyndjeve dhe invazioneve “barbare” duke ruajtur fizionominë e vet etnike. Kjo me të drejtë është njohur si një premisë themelore historike e etnogjenezës së popullit shqiptar, sepse në këtë trevë, në mesjetën e hershme, u mbrujt kombësia shqiptare.

Kriza e sistemit antik të prodhimit dhe e Perandorisë Romake
Duke filluar nga shek. III e. sonë, në Perandorinë Romake mënyra antike e prodhimit i kishte shteruar mundësitë e saj për një zhvillim të mëtejshëm dhe filloi të shkonte drejt rënies. Skllavëria nuk sillte të ardhura si më parë. Rendimenti i skllevërve, që nuk kishin asnjë nxitje për punë, bëhej gjithnjë e më i pakët, kurse shfrytëzimi i tyre më pak i leverdisshëm dhe skllevërit e tepërt ishin bërë një barrë e rëndë për pronarët e tyre. Marrëdhëniet e vjetra po bëheshin një pengesë në rrugën e zhvillimit shoqëror. Filloi kështu kriza e përgjithshme e sistemit antik të prodhimit.
Në fushën e ekonomisë kriza u shfaq me rënien e prodhimit, me varfërimin e masave të gjera të popullsisë, dobësimin e lidhjeve tregtare midis krahinave e provincave të ndryshme. Në shumë qytete pati një ulje të nivelit të jetës, çka është vërejtur edhe në zbulimet arkeologjike. Me rënien e qendrave të mëdha zejtare banorët e provincave nisin t’i prodhojnë në vend sendet për të cilat kishin nevojë, por kësaj radhe për një rreth të ngushtë konsumatorësh. Në gjendjen e krijuar duke filluar nga shek. IV u rrit edhe më shumë roli i bujqësisë. Ajo u bë dega vendimtare e prodhimit në gjithë botën antike. Ekonomia e latifondeve, që ishte bazuar në punën e skllavit nuk sillte më të ardhura ndaj, ekonomia e vogël u bë përsëri e vetmja formë e bujqësisë që sillte fitime.
Banorët e provincave mbetën gjithnjë nën presionin e vazhdueshëm të taksave, prej të cilave nëpunësit perandorakë kërkonin të nxirrnin burime të ardhurash sa më të mëdha. Burimet e shkruara antike përmendin Probin, sundimtarin e Ilirikut, i cili që nga fundi i shek. III e.sonë, duke mbledhur taksat në mënyrë të padrejtë, i kishte dobësuar krahinat veriore ilire, para se ato të shkatërroheshin nga barbarët.
Një shenjë tjetër e krizës ishte edhe dobësimi i pushtetit qendror në perandori. Gjendja e keqe e popullsisë qytetare e fshatare u bë shkak për shpërthimin e kryengritjeve. Në kryengritjet me skllevërit e kolonët u bashkuan si fshatarët e varfër, dhe vegjëlia e qyteteve. Lufta e tyre e tronditi thellë regjimin perandorak. Shpeshherë perandorët e sundimtarët për të shtypur kryengritjet e popullsive të provincave kërkonin ndihmën e barbarëve. Kështu veproi perandori Honor me gotët e udhëhequr nga Alariku: në vitin 395 e. sonë kishin ngritur krye taulantët dhe duke mos qenë në gjendje të shtypte “kryengritjen e shtetasve të tij”, Perandori dërgoi kundër ilirëve vizigotët që ishin futur asokohe në Ballkan.
Në acarimin e krizës së përgjithshme të sistemit antik të prodhimit një rol jo të vogël kanë luajtur sulmet e “barbarëve”. Kufijtë veriorë e verilindorë që nga shek. III e këtej filluan të sulmoheshin gjithnjë e më shumë nga fise të ndryshme “barbare”.
Një nga shfaqjet më të rënda të krizës që ndikoi në dobësimin e perandorisë ka qenë edhe prirja e qarqeve sunduese të provincave për t’u shkëputur nga pushteti qendror dhe sidomos lufta për pushtet ose lufta midis senatit e ushtrisë, midis perandorëve të senatit e perandorëve të ushtrisë, bashkë me ta edhe ndryshimet e shpeshta në fron. Mbështetja e vetme e sigurt e pushtetit perandorak u bë ushtria. Në periudhën e krizës dhe pas saj, pjesa më e madhe e ushtrisë vinte kryesisht nga popullsia fshatare e provincave. Në provincat periferike një vend të dorës së parë zinin provincat ilire, sidomos ato veriore e lindore ku ishin përqendruar njësi ushtarake të shumta dhe ku prona e vogël e tokës kishte një peshë të madhe. Ushtria, e cila vinte nga këto shtresa, u bë mburoja e fundit e perandorisë dhe filloi të luajë një rol vendimtar në ngjarjet politike të kohës. Nga gjiri i saj u krijua një pari e fortë provinciale e interesuar për ruajtjen e skllavopronarisë dhe e gatshme për të luftuar kundër skllevërve, kolonëve dhe shtresave popullore, të cilat ngrinin krye herë pas here
Në vitin 212 e. sonë, i imponuar nga fillimet e krizës dhe situata e krijuar si pasojë e saj, perandori Karakalla shpalli ediktin e tij, me anë të të cilit popullsive të provincave të konsideruara deri atëhere “të huaja” iu dhanë të drejtat e qytetarisë romake. Perandoria Romake e mori këtë masë për të zgjeruar bazën shoqërore mbi të cilën mbështetej pushteti qendror dhe për rëndësinë që kishin provincat e pasura të Gadishullit Ballkanik. Në këtë mënyrë u thellua edhe më shumë procesi i “provincializmit” dhe i “barbarizmit” të Perandorisë Romake. Masat e marra nga perandorët në shek. III dhe më vonë nuk mundën të ndalonin krizën e përgjithshme dhe të ruanin skllavopronarinë. Këtë nuk mundën ta bënin as disa nga përfaqësuesit e shtresave sunduese provinciale, të cilët arritën të bëhen edhe perandorë.
Në shekujt III-IV e. sonë, madje deri në shek. IV në krye të Perandorisë Romake kanë qenë disa perandorë me prejardhje ilire. Perandorë “ushtarë” ilirë kanë qenë: Deci, Klaudi II, Aureliani, Probi, Diokleciani dhe Konstandini. Burimet e shkruara bashkëkohëse tregojnë se këta perandorë, si përfaqësues të qarqeve sunduese provinciale, në vija të përgjithshme ndoqën një politikë, e cila synonte të forconte pushtetin e perandorit, të ruante skllavopronarinë dhe të shtypte lëvizjet kryengritëse. Ata forcuan ushtrinë dhe me anën e saj u përpoqën të mbronin kufijtë e perandorisë nga sulmet e jashtme. Figura më kryesore midis perandorëve ilirë ka qenë Diokleciani, një ilir nga qyteti Dioklea (në provincën e Dalmatisë), që sundoi në vitet 284-305. Diokleciani ndoqi të njëjtën politikë si paraardhësit e tij, por ai bëri edhe disa reforma administrative e ushtarake. Perandoria Romake u nda në katër prefektura dhe 12 dioceza. Në pjesën lindore të saj gjendej prefektura e Ilirikut, e cila ndahej në tri dioceza e në disa provinca. Tokat shqiptare që nga gjysma e parë e shek. IV, qenë përfshirë në provincën e Prevalit me qendër Shkodrën, ku bënin pjesë Dalmatia e Jugut, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore, në provincën e Dardanisë me qendër Skupin, ku hynin pothuaj të tëra krahinat e Kosovës së sotme, në provincën e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun, që përmblidhte krahinat e Shqipërisë Qendrore e Jugore deri te lumi Vjosa dhe në provincën e Epirit të Vjetër, me qendër Nikopolin, ku hynin tokat në jug të Vjosës deri në gjirin e Prevezës.
Me reformat e tij ushtarake Diokleciani e rriti numrin e legjioneve dhe formoi me ushtarë të zgjedhur njësi ushtarake të lëvizshme, të cilat në kohë lufte shoqëronin sundimtarët dhe në kohë paqeje qëndronin si garnizone në qytetet e kështjellat e provincave.
Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. III, por në mënyrë të veçantë gjatë shek. IV në provincat ilire u bënë ndërtime me karakter fortifikues dhe u hapën e u riparuan rrugë të ndryshme. Në radhë të parë këto punime u bënë në provincat veriore dhe shërbyen për mbrojtjen e kufijve nga sulmet e “barbarëve”. Por edhe në provincat e brendshme jugore, po për qëllime ushtarake u rifortifikuan shumë qytete dhe u ngritën kështjella të reja. Ndryshe nga ato të veriut, përveç detyrës së mbrojtjes së Perandorisë nga invazionet e “barbarëve”, që mund të hynin në Gadishullin Ballkanik, ato patën edhe një mision tjetër, shërbyen për qëndrimin e garnizoneve dhe për të përballuar kryengritjet e vendësve, të cilat u shtuan në situatën e krijuar nga kriza e rendit skllavopronar.
Reformat administrative e ushtarake dhe ndërtimet fortifikuese të bëra nga Diokleciani e vonuan pak rënien e Perandorisë Romake, por nuk mundën ta ndalonin. Në këtë drejtim një rol jo të vogël kanë luajtur provincat veriore e verilindore ilire, por ndihmuan edhe rrethanat politike, sidomos lufta kundër sulmeve të barbarëve në kufirin danubian. Kjo luftë kishte një karakter të dyfishtë për perandorët e komandantët ushtarakë ilirë, ishte një luftë për mbrojtjen e vendit të tyre, por edhe për mbrojtjen e Perandorisë me të cilin ishin lidhur ngushtë interesat e tyre.
Në sajë të disa masave që mori paria e re provinciale, duke përfshirë edhe atë ilire, u bë e mundur të përballohej për një farë kohe kriza e Perandorisë Romake. Por ato nuk mundën ta shmangnin atë.

 

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Titulli: Historia e Shqiperise-PELLAZGET DHE ILIRET.

Tiparet e krizës në provincat ilire
Shthurja e sistemit antik të prodhimit, që përfshiu gjithë perandorinë dhe që ishte arsyeja themelore e krizës së saj, nuk pati kudo përpjesëtime të njëjta. Në Lindje dhe në Ilirik, ku prona private ishte zhvilluar më ngadalë, kjo krizë nuk qe aq katastrofike sa në provincat perëndimore.
Pas shek. III e. sonë edhe në provincat ilire bujqësia fitoi një rëndësi të madhe. Në fshatin ilir, deri në fund të shek. IV e. sonë ka pasur një rritje të prodhimit bujqësor. Sipas burimeve të shkruara në Ilirik ka pasur fshatarë të pasur që kishin skllevër, të cilët ishin, kryesisht, robër lufte me origjinë gote. Në provincat ilire, për një farë kohe u gjallëruan edhe pronarët e mëdhenj të tokave, që i shtuan pronat e tyre pas rënies së qyteteve. Por latifondet qenë relativisht të pakta dhe të kufizuara në ultësirat bregdetare.
Me gjithë gjendjen e keqe që u krijua në Perandorinë Romake, në provincat ilire fshatarët e lirë mbetën edhe për një farë kohe një forcë e madhe. Për ruajtjen e popullsisë së lirë fshatare dhe për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi prej borxheve, ishin të interesuar edhe perandorët, të cilëve u duhej si rezervë për ushtrinë dhe për taksat e ndryshme. Në zonat e brendshme malore ilire kishte edhe bashkësi fshatare, pjesëtarët e të cilave ishin zotërues tokash.
Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një zhvillim të bujqësisë dhe të vendbanimeve fshatare në Iliri në shek. III-IV. Veglat bujqësore prej hekuri ishin të zakonshme dhe mbizotëruese në inventaret e varreve të kësaj kohe, që u takonin vendbanimeve fshatare kryesisht të vogla. Vendbanimet fshatare u shtuan edhe në zonat e brendshme; disa prej tyre qenë lidhur me minierat e ndryshme, të cilat në kohën e krizës kishin kaluar në duart e banorëve vendas.
Në pronat bujqësore të provincave ilire filloi të shtohet numri i kolonëve, një dukuri që njihej edhe më parë. Kolonët në fillim kanë qenë qiramarrës të lirë dhe vinin kryesisht nga radhët e fshatarëve të rrënuar dhe të mbetur pa tokë. Kolonë zunë të bëheshin edhe robërit e luftës. Borxhet, që erdhën duke u shtuar i shkatërruan kolonët, fillimisht të lirë, dhe i bënë pjesë të pandarë të tokës. Në përgjithësi gjendja e kolonëve edhe në Ilirik ka qenë e keqe dhe nuk ndryshonte nga ajo e skllevërve. Në kushte të tilla kolonët braktisnin shpesh tokat dhe arratiseshin. Perandori Konstandin, me anë të një dekreti, kishte shpallur se të gjithë ata që fshihnin kolonët e ikur gjobiteshin, kurse kolonët e arratisur duhej të ktheheshin me forcë në vendbanimin e tyre. Ky ligj u përsërit disa herë, por pa sukses. Në vitin 371 të e. sonë u lëshua një urdhër i posaçëm për kolonët e Ilirikut. Tani ligjet ndalonin shitjen e kolonëve pa tokën, kështu që këta të fundit u shndërruan në një shtresë shoqërore që lidhej me tokën.
Të gjitha masat që mori perandoria në kohën e krizës në fushën e marrëdhënieve agrare kishin të bënin me politikën fiskale të saj. Taksat që paguanin pronarët e tokave caktoheshin jo vetëm sipas sipërfaqes së tokës që ata kishin, por edhe nga numri i frymëve, i njerëzve që punonin në to. Kolonët mbetën të lidhur me tokën, ata ishin paraardhësit e bujkrobërve të kohës së mesjetës.
Pas shek. III e. sonë kriza e tatëpjeta e përgjithshme pati përfshirë edhe mjaft qytete të provincave ilire, sidomos të atyre jugore, duke ndikuar në rënien e jetës qytetare, ndonëse jo në atë masë si në pjesën perëndimore të perandorisë. Qytete të rëndësishme, si Apolonia, Bylisi, Amantia, Foinike, Antigonea e ndonjë tjetër që si koloni, municip apo qytet “i lirë” i qenë përshtatur organizimit administrativ, me fillimin e krizës së sistemit antik të prodhimit e me rënien e ekonomisë morën tatëpjetën për t’u zhdukur më vonë bashkë me ato qytete ilire që kishin filluar të binin që në dy shekujt e parë të erës sonë. Disa prej këtyre qendrave të vjetra qytetare nuk mundën të qëndrojnë si të tilla edhe pse u bënë qendra peshkopatash. Një dukuri që nis të duket në shek. IV e. sonë ka qenë ngritja e gjallërimi i disa qytezave të lashta e të reja, të fortifikuara me nismën e fuqinë e popullsisë vendase, roli ekonomik i të cilave u rrit, i ndihmuar nga kriza ekonomike e politike e perandorisë.
Në rrënimin e qyteteve ndikuan faktorë të ndryshëm. Së pari, duhet theksuar rënia e pronës së vogël e të mesme bujqësore të lidhura me qytetin, të cilat kishin ruajtur deri vonë tiparet e një ekonomie skllavopronare. Gjatë shek. IV pronat tokësore të qyteteve u fortifikuan nga perandorët dhe nga kleri kristian ose kaluan në duart e pronarëve të mëdhenj. Pronat e mëdha tokësore dhe fshatrat me bashkësi të lira luanin asokohe një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të perandorisë. Në këto prona e fshatra u zhvillua edhe zejtaria, me të cilën u morën në latifondet skllevërit e kolonët dhe në fshatrat zejtarët e lirë. Pranë tyre u zhvendosën një pjesë e popullsisë së qyteteve dhe u krijuan tregjet. Qytetet humbën edhe autonominë e privilegjet e vjetra duke kaluar nën vartësinë e prokuratorëve, të cilët ishin emëruar nga sundimtarët e provincave. Edhe gjendja e shtresës së lartë qytetare ishte keqësuar shumë. Kuritë që kishin zënë vendin e dekurionëve të mëparshëm, të cilët mbanin ofiqet administrative në qytetet, u pakësuan. Ata jo vetëm që duhej të nxirrnin nga qytetet detyrimet e taksat, por ishin të detyruar të paguanin edhe vetë. Detyra e kurive u bë një barrë e rëndë; nën shtrëngimin e sundimtarëve, në disa qytete ajo u bë e trashëgueshme. Kurialët që të shpëtonin nga detyrimet e rënda largoheshin nga qytetet, duke ikur në fshat ose duke u futur në ushtri. Në gjysmën e dytë të shek. IV ndonjë perandor bëri përpjekje për të rimëkëmbur kuritë qytetare, por pa sukses. Rendi i kurive e kishte jetuar kohën e tij. Qytetet mbetën në duart e nëpunësve perandorakë, të cilët u pasuruan në sajë të shpërdorimeve që bënin në kurriz të shtresave të ulëta qytetare. Kjo gjendje vazhdoi në ato qytete që përballuan krizën.
Në provincat jugore jeta qytetare nuk u shua; pati edhe qytete, të cilat mbetën si qendërbanime të rëndësishme, sidomos në ultësirën bregdetare. Në një burim të shkruar, kur tregohet për pushtimet e bëra nga Teodoriku në provincën e Epirit të Ri thuhet: “askush nuk do të duronte që ai të mbante qytete kaq të mëdha”. Qyteti më i madh në trevën jugore ilire, i cili jo vetëm ruajti fizionominë e tij, por nga shekujt V e VI, sidomos në këtë të fundit, pati një zhvillim e lulëzim të mëtejshëm, ka qenë Dyrrahu. Ai ishte njëkohësisht edhe kryeqendër e provincës dhe seli peshkopale. Një funksion të tillë ka pasur edhe qyteti i Skodrës. Mbetën si qendra qytetare, edhe pse për një farë kohe u degraduan si kështjella me karakter më tepër ushtarak, qytetet e qytezat e lashta të Lisit, të Antipatresë, të Aulonit, të Kaninës, të Adrianopolit, të Justinianopolit, të Buthrotit etj. Në shekujt IV-VI pati edhe kështjella ushtarake që u kthyen në qendra qytetare, sikurse ndodhi me Skampinin.
Një tablo tjetër kemi në qytetet e provincave veriore dhe të brendshme ilire, të cilat kishin reparte ushtarake të shumta. Në disa qytete, si në Salona, Naisi e ndonjë tjetër ka pasur një ngritje të madhe të atyre degëve të zejtarisë që lidheshin me ushtrinë. Për këtë qëllim u zgjerua punimi i hekurit dhe punishtet për përpunimin e tij. Në provincat ballkanike prodhohej rreth 40% e armëve të ushtrisë romake. Qyteti Nais i Dardanisë ishte njëri nga qytetet ku ndodheshin punishtet e mëdha perandorake për prodhimin e armëve. Nga provincat e Dalmatisë dhe të Dardanisë, sipas një burimi të shkruar të kohës, vazhdonin të tregtoheshin si mallra të kërkuara, hekuri, druri dhe prodhimet blegtorale.
Por me gjithë zhvillimin që patën disa qytete, gjendja që u krijua në përgjithësi në qytetet e provincave ilire që kishin përballuar krizën, qe e rëndë. Kjo bëri që perandorët të merrnin disa masa për të shmangur rrënimin e shtresave të ulëta e të mesme qytetare të përbëra nga zejtarët, tregtarët, pronarët e tokave, sepse ndryshe rrezikoheshin të ardhurat shtetërore. Për këtë qëllim në qytetet e Ilirikut u krijua institucioni për mbrojtjen e shtresave të ulëta qytetare, i cili duhej të kishte pushtet në çështjet policore, juridike dhe financiare. Por këto masa nuk u zbatuan dhe gjendja e vështirë e popullsisë së qyteteve të Ilirikut nuk u përmirësua; nëpunësit perandorakë vazhduan veprimet e tyre grabitëse, sepse më vonë dolën dekrete të tjera që kishin të njëjtën frymë. Ashtu si në pronat bujqësore e në fshatrat, edhe në qytete u lëshuan urdhëresa perandorake që të siguronin pagesën e rregullt të taksave dhe furnizimin e ushtrisë me mallra e prodhime të ndryshme. Në shek. IV të gjithë zejtarët qenë shtrënguar të regjistroheshin në kolegje nga të cilat as fëmijët e tyre që trashëgonin zanatin nuk mund të largoheshin. Por si skllevërit, kolonët e fshatarët e varfëruar, edhe shtresat e ulëta qytetare nuk e duruan këtë gjendje, ndaj ngritën krye, duke u bashkuar edhe me “barbarët” që invadonin gjithnjë e më shpesh Gadishullin Ballkanik.

Provincat ilire
Me ndarjen e Perandorisë Romake në fund të shek. IV provincat ilire mbetën me perandorinë e Lindjes, Bizantin. Edhe pasi u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine struktura ekonomiko-shoqërore e provincave ilire nuk ndryshoi. I vetmi ndryshim ishte se ato u bënë krahina periferike të perandorisë, çka ndikoi më vonë në jetën e tyre.
Në Perandorinë Bizantine, ku bënin pjesë krahina të pasura me qendra të mëdha zejtare dhe ku ruheshin fshatarët e zejtarët e lirë, kriza e skllavopronarisë nuk ishte ndjerë aq shumë. Edhe pse nuk arriti të ndalonte dyndjet e “barbarëve” në Ballkan, Perandoria Bizantine me burimet e saj ekonomike mundi të përballonte gjendjen e krijuar gjatë këtyre dyndjeve dhe të qëndronte si një shtet i madh edhe një mijë vjet të tjera. Kurse perandoria e Perëndimit nuk mundi të rezistojë para sulmeve të “barbarëve” dhe në vitin 476 ra në duart e gjermanikëve, të udhëhequr nga Odoakri.
Në shek. V-VI provincat jugore e juglindore ilire si Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër, pas shkatërrimeve e dëmeve të shkaktuara nga invazionet barbare u mëkëmbën, madje në shek. VI patën një farë ngritjeje që u vu re në shumë drejtime.
Bujqësia mbeti edhe në këta shekuj një degë e rëndësishme e ekonomisë. Karakteri i pronave bujqësore mbeti ai që kishte qenë edhe më parë. Në disa vendime shtetërore që i takojnë vitit 535 duket shumë qartë gjendja e pronave bujqësore në Ilirik. Qëllimi i këtyre vendimeve ishte ndalimi i përpjekjeve të pronarëve të mëdhenj dhe i fajdexhinjve për t’u marrë fshatarëve borxhlinj tokat e bagëtitë. Në pronat e mëdha bujqësore figura qendrore ka qenë koloni. Në legjislacionin e asaj kohe flitet për kolonë të lirë e kolonë të varur. Të parët, krahas tokës që merrnin nga pronarët, kishin edhe ngastra e vegla të tyre, kurse të fundit ishin të lidhur pas tokës; as vetë, as edhe fëmijët e tyre nuk mund të largoheshin nga vendet ku ishin regjistruar. Më vonë, midis kolonëve nuk kishte më asnjë ndryshim çka u pasqyrua më pas edhe në legjislacion.
Edhe në shekujt V-VI në provincat ilire nuk qenë zhdukur pronat e vogla tokësore; në viset malore vazhdonin të ruheshin edhe bashkësitë e lira fshatare. Si më parë, edhe tani shteti bizantin duke ruajtur pronat e vogla fshatare dhe duke ndaluar rrënimin e tyre, kërkonte të siguronte një prodhim sa më të madh drithërash, të mblidhte taksat dhe të rekrutonte ushtarë. Fshatarët ishin të detyruar të kryenin edhe angari të shumta në hapjen e rrugëve, në ndërtimin e urave e të kështjellave. Për t’u shkëputur nga vështirësitë ekonomike, ngarkesat e shumta me taksa, veprimet e padrejta e dhuna e nëpunësve të financave dhe për të mos u kthyer në kolonë, fshatarët kërkuan mbrojtjen e pronarëve të mëdhenj me ndikim që ishin të interesuar të kujdeseshin për ta (v. 468). Lindi kështu patronazhi latifondar, i cili u përhap mjaft saqë perandorët nxorën urdhra për ta ndaluar atë.
Rrënimi i fshatarësisë u bë më i theksuar, veçanërisht në fund të shek.V dhe në fillim të shek.VI, kur ajo u ngarkua me taksa edhe më të rënda. Fshatarët e provincave ilire qenë të detyruar t’u paguanin pronarëve të mëdhenj të tokave një taksë të re në të holla, ndërsa shtetit në ar. Të gjitha këto ndihmuan në ruajtjen në këto provinca të marrëdhënieve mall-para, por fshatarët qenë shtrënguar të shisnin në treg prodhimet e tyre ose të merrnin hua nga fajdexhinjtë. Duke mos qenë në gjendje për të paguar me kohë borxhet ata duhet t’u dorëzonin atyre gjithçka zotëronin dhe pastaj të kërkonin mjete jetese në qytetet ose të hynin në radhët e ushtrisë. Në këtë mënyrë, në ushtrinë e perandorisë së hershme bizantine hynë shumë ilirë.
Për provincat jugore ilire të asaj kohe ka qenë karakteristik zhvillimi i bujqësisë në qendërbanime të vogla, të fortifikuara, të cilat, sikurse tregojnë të dhënat e arkeologjisë, të shek. V-VI, ishin bërë qendra të rëndësishme ekonomike. Por në këta shekuj ekzistonte një ndryshim midis provincave jugore e veriore; këto të fundit i përballuan të parat goditjet e sulmeve të “barbarëve”. Në provincat jugore që nuk u prekën aq nga inkursionet e barbarëve dhe qenë krahina pa trupa të rregullta ushtarake, u ruajt në mënyrë më kompakte popullsia e vjetër fshatare e qytetare. Burimet e shkruara tregojnë se edhe në shek. V dardanët përbënin një popullsi të madhe e kompakte, kurse nga burimet mbishkrimore rezulton se në këtë provincë edhe në shek. VI vazhdonin të ruheshin emra vetjakë e emra fshatarësh ilirë.
Në provincat ilire edhe në shek. V e VI jeta qytetare vazhdoi pa ndërprerje, megjithëse numri i qyteteve ishte pakësuar edhe më shumë. Hierokli, në udhërrëfyesin e tij të shek. VI përmend në katër provincat jugore ilire, emrat e 27 qyteteve, disa prej të cilave ishin edhe qendra peshkopale. Sidoqoftë, me gjithë numrin e pakësuar të qyteteve dhe krizën e skllavopronarisë, në shek. VI, në Iliri kishte ende qytete relativisht të pasura ose qytete që kishin ruajtur rëndësinë e tyre. Në këtë kohë, pas shkatërrimeve të shekujve paraardhës, ka qenë karakteristike një rigjallërim i jetës në qytet dhe në fshat, dhe një qëndrueshmëri në raportet mall-para.
Që nga fundi i shek.V dhe gati gjatë gjithë shek. VI, kur ndodhi rilulëzimi i jetës qytetare, numri i monedhave u shtua në mënyrë të ndjeshme. Monedha të kësaj kohe, e sidomos monedhat e perandorit Justinian, të perandorit Justin qarkullonin gjerësisht; ato gjendeshin jo vetëm në qytetet, por edhe në qendërbanime të fortifikuara e të vogla e në zona të brendshme malore.
Në pjesën ballkanike të perandorisë së Bizantit një qytet i madh ka qenë Dyrrahu. Në Dyrrah vinin anije nga vende të ndryshme të Mesdheut, kurse rrugët tokësore që niseshin nga ky qytet nuk e kishin humbur rëndësinë e tyre. Këtu ndodheshin punishtet dhe arsenalet që furnizonin me armë e me mjete të tjera ushtrinë e flotën perandorake. Qyteti, dy herë i dëmtuar nga tërmetet dhe nga pushtimi i gotëve, ishte mëkëmbur dhe zbukuruar me mure të reja. Perandori bizantin Anastasi (v. 491-518) që ka qenë me origjinë nga ky qytet, e rrethoi Dyrrahun me një kurorë trefishe muresh mbrojtëse dhe ndërtoi aty një hipodrom të madh. Shkrimtari i shek. VI, Prokopi nga Gaza, e përshkruan Dyrrahun “si një qytet të madh që zgjatet nga toka në det, që ka me tepricë nga ato që mund të prodhojë toka e deti”.
Ndërtime me karakter fortifikues në provincat jugore ilire janë bërë edhe pas sundimit të Anastasit. Prokopi i Cezaresë, bashkëkohës i perandorit Justinian ka shkruar se ky i fundit, për të mbrojtur perandorinë e provincat e saj nga sulmet e mundshme të barbarëve, ndërtoi e rindërtoi një varg kështjellash. Vetëm në tri provincat ilire jugore sipas listës së hartuar nga autori i mësipërm, numri i qendërbanimeve të fortifikuara arrinte deri në 168. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se në shek. V-VI në Iliri janë ndërtuar një tok kështjellash, shumë prej të cilave nuk përfshihen në listën e atyre kështjellave, që sipas Prokopit të Cezaresë janë ndërtuar e rindërtuar nga perandori Justinian. Përveç qyteteve të rrethuara rishtas me mure, por shpeshherë të kufizuar në sipërfaqe të vogla, vërehen në këta dy shekuj përpjekje të vetë popullsisë për të fortifikuar qendërbanime të reja ose për t’u kthyer në kështjellat e vjetra. Sikurse është provuar nga të dhënat arkeologjike, në këta shekuj vihet re një rritje e rolit ekonomik të qytezave të reja të fortifikuara, sidomos në ato krahina ku ishte dobësuar autoriteti perandorak. Kjo bëri, sidomos në periudhën parafeudale, që të rigjallërohet popullsia vendëse dhe që krahinat e brendshme të fitojnë një rëndësi të veçantë, e cila do të shfaqet që nga shek. VII e më tej në vendosjen e feudalizmit si sistem ekonomik.
Në shek. VI u krijuan kushtet jo vetëm për ndërtime me karakter mbrojtës, por edhe për ndërtime të tjera me karakter monumental. Kësaj kohe i përkasin ndërtime të shumta të kultit të krishterë në qytetin e Bylisit, Butrintit si dhe në qendrat e tjera të vogla. Këto kanë qenë monumentet e fundit të shoqërisë antike.
Në shek. VI autoriteti perandorak ishte ende i fortë në krahinat bregdetare dhe në qytetet. Qytetet e provincave ilire nuk kishin më magistraturat municipale, as edhe vetadministrimin e vjetër. Ato kishin rënë në duart e funksionarëve perandorakë. Nga paria e vjetër sunduese kishte mbetur një pakicë e vogël e përbërë nga pronarët e mëdhenj të tokave. Funksionarët shtetërorë dhe të kishës i ruajtën të paprekura pozitat sunduese. Nga radhët e kësaj shtrese qenë zgjedhur edhe perandorët. I tillë ka qenë edhe Anastasi që vinte nga gjiri i aristokracisë senatoriale të Dyrrahut. Por edhe në këtë kohë ushtria vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm në shtetin e Bizantit dhe prej asaj vazhduan si më parë, të dilnin perandorët. Ushtarakë ilirë, që kishin bërë karrierë në ushtrinë bizantine qenë edhe perandori Justin I (518-527) dhe ai Justinian (527-565). Sipas një burimi të shkruar bizantin perandori Justin, fshatar me origjinë nga Dardania, duke mos siguruar dot jetesën në vendlindjen e tij kishte shkuar në Konstantinopol dhe kishte hyrë në radhët e ushtrisë, ku arriti më pastaj deri në postin më të lartë shtetëror.
Me kohë, në qarqet sunduese të provincave ilire, si kudo në perandori, një rol të madh filloi të luante kisha e krishterë e përfaqësuar nga kleri i lartë, i cili për shërbimet kundrejt perandorisë merrte si dhuratë toka e pasuri të ndryshme. Në shek. VI kisha e krishterë ka pasur prona të saj në provincat e Bizantit prej nga nxirrte të ardhura të mëdha.
Shek. VI përbën përpjekjen e fundit të rigjallërimit të antikitetit në Ballkan. Në gjysmën e dytë të shek. VI dhe në gjysmën e parë të shek.VII do të rifillojnë invazione e dyndje të reja popujsh, të cilat do të sjellin ndryshime në përbërjen etnike të gadishullit dhe do të çojnë në rënien e plotë të sistemit antik të prodhimit. Në Perandorinë e Lindjes, në të cilën bënin pjesë edhe provincat ilire, ku skllavopronaria ka qenë më pak e zhvilluar, procesi i shthurjes së mënyrës antike të prodhimit dhe vendosja e feudalizmit u bë më me ngadalë.



3. KULTURA Nث PROVINCAT ILIRE

Kultura në shekujt e parë të erës sonë
Në shek. I të e.sonë, me pushtimin e plotë të Ilirisë, nisi të përhapej edhe kultura romake, duke u ndërthurur me kulturën vendëse ilire dhe duke zhdukur pak nga pak edhe ndryshimet kulturore që ekzistonin deri atëherë midis krahinave ilire. Një rol të rëndësishëm në përhapjen e kulturës romake në provincat ilire ka luajtur aparati administrativo-ushtarak i pushtuesve romakë. Vatra kryesore të përhapjes së kulturës romake u bënë kolonitë e municipet, ato qytete, të cilat si pasojë e organizimit të ri administrativ u bënë qendra të rëndësishme ekonomike dhe patën një jetë të gjallë kulturore-artistike. Dukuritë më të shumta kulturore, të ndikuara nga Roma, zunë vend, në masën më të madhe, tek banorët e ardhur nga Italia ose nga provincat e tjera dhe te përfaqësuesit e shtresës së pasur vendëse.
Në provincat ilire, sikurse edhe në provincat e tjera të perandorisë romake u zhvilluan arkitektura zyrtare, skulptura - veçanërisht portreti, arti i mozaikut dhe piktura murale.
Pushtuesit romakë për nevojat e tyre bënë ndërtime të shumta, të cilat në disa raste ndryshuan planet e vjetra urbanistike të qyteteve. Këto ndryshime në planin urbanistik të qyteteve të vjetra në provincat jugore ilire u bënë sepse romakët nuk ngritën ndonjë qytet të ri. Më qartë ato shihen në Buthrot e Apoloni. Në njërën nga tarracat e mëdha, të formuara në kodrën ku shtrihej qyteti i Apolonisë, në pjesën perëndimore të saj, gërmimet kanë nxjerë në dritë tepricat e një ansambli godinash me karakter shoqëror të ngritura në fillim të shek.II e.sonë. Këto ndërtime, që i takojnë lagjes qendrore të qytetit, u bënë mbi rrënojat e godinave më të lashta ose duke i ndryshuar ato që i përkisnin gjithashtu qendrës së qytetit para pushtimit romak.
Në ansamblin e godinave të kësaj pjese qendrore të qytetit, bënin pjesë një teatër i vogël i mbuluar (odeon), një bibliotekë dhe një godinë me një fasadë monumentale, e quajtur në literaturën arkeologjike, monumenti i agonotetit, e cila ka shërbyer si seli e këshillit të qytetit (buleteurion). Me interes është këtu edhe mbishkrimi i skalitur në arkitekturën e fasadës që tregon, jo vetëm se kush e kishte ndërtuar këtë godinë monumentale, por edhe se me rastin e inaugurimit të saj ishin organizuar dyluftime midis 25 çifte gladiatorësh. Kjo supozon se në atë kohë në Apoloni ekzistonte një arenë amfiteatër i madh dhe se luftimet e gladiatorëve ishin shfaqje të futura nga shtresa skllavopronare sunduese e italike. Me kompleksin e godinave me karakter shoqëror të mësipërme lidhej edhe një hark triumfi me tri porta, i ngritur në mes të sheshit dhe një rrugë magjistrale, e cila nga godina e këshillit zbriste në drejtim të lagjeve të pjesës perëndimore të qytetit, ku ndodheshin edhe banesat e parisë skllavopronare apoloniate. Të gjitha këto godina nga pikëpamja e planimetrisë dhe e teknikës së ndërtimit nuk ndryshojnë nga ato bashkëkohëse të ngritura në provinca të tjera ballkanike.
Një plan të ri urbanistik ka pasur, në shekujt e parë të erës së sonë, edhe qyteti i Buthrotit. Nuk ka të dhëna që të provojnë nëse në fillim të erës sonë ndryshoi plani urbanistik i qytetit të Dyrrahut. Megjithatë, dihet se në këtë qytet, në shek. II, u ndërtua një amfiteatër i madh, një pjesë e të cilit është zbuluar.
Një zhvillim të mirë ka pasur në tre shekujt e parë të e. sonë edhe arti plastik, skulptura. Skulpturën e kësaj kohe e njohim në mënyrë të veçantë nga zbulimet e bëra në rrënojat e Apolonisë. Karakteristike për skulpturën apoloniate të kësaj kohe është se një pjesë e mirë e veprave skulpturore i mbetën besnike traditave të artit klasik e helenistik ose riprodhojnë vepra më të njohura të artit grek, kurse në portretet shpesh janë zbatuar rregullat kompozicionale dhe të skalitjes karakteristike për skulpturën romake. Në vargun e gjatë të skulpturave apoloniate të tre shekujve të parë të erës sonë ka vepra origjinale, të denja për mjeshtra të zotë e me përvojë të madhe, portrete të stilit augustian e më të vona, si busti i Karakallës e ndonjë tjetër, por ka edhe kopje të veprave klasike, të cilat kanë një forcë të madhe shprehëse, janë shumë të bukura dhe dëshmojnë për një pjekuri artistike të autorëve të tyre (portreti i Demostenit, busti i Filozofit e ndonjë tjetër). Ndryshe ka ndodhur në relievin sidomos atë mortor, ku nuk ndeshen më kompozimet e bukura të stileve sepolkrale apoloniate dhe në vend të tyre skaliten relieve me një dekoracion uniform e monoton të marrë nga repertori i stileve romake.
Në plastikën e vogël vendin kryesor e zënë figurinat prej bronzi, të gjetura në qytete dhe në lokalitete fshatare. Në këto figura bronzi të vogla, të prodhuara më të shumtën në seri, të cilat lidhen me hyjni ashtu edhe me personazhe laike (aktorë, fëmijë, atletë etj.), ka edhe modele me vlera artistike të vërteta.
Një përhapje të gjerë, gjatë periudhës së pushtimit romak ka pasur edhe arti i mozaikut. Edhe mozaikët dhe zhvillimi i tyre, ashtu sikurse veprat më të bukura të arkitekturës dhe të skulpturës, kanë qenë lidhur me shtresat e larta të provincave, si të atyre të qyteteve, ashtu edhe të vendbanimeve fshatare, të zotëruesve të vilave e latifondistëve. Në këta mozaikë ku mbizotëron dekoracioni gjeometrik ndeshen edhe elemente e skena të marra nga mitologjia greke e tejlashtë (Akili e Pentesilea në mozaikët e Apolonisë etj.).
Ndryshime të dukshme ndodhën edhe në kulturën materiale e shpirtërore, veçanërisht në qytetet dhe në periferitë e tyre. Krahas me futjen në prodhim të një sërë veglash të reja pune, gjatë shekujve të parë të pushtimit romak hyjnë në përdorim edhe stoli të reja, një pjesë prej të cilave lidheshin me modele veshjesh të ardhura. Midis stolive vendin e parë e zënë fibulat, funksioni i të cilave sigurohej nëpërmjet një thumbi ku kapej gjilpëra, duke u zënë vendin atyre fibulave ku mbyllja sigurohej nëpërmjet një spiraleje, nga dilte gjilpëra. Fibula të kësaj kohe të llojit të quajtur “Aucissa”, me këmbë përthyer ose të tipit “pincete” përhapen gjerësisht në provincat jugore ilire.
Me forma e teknikë të re paraqitet në tre shekujt e parë të erës sonë edhe qeramika, duke përfshirë edhe qeramikën e ndërtimit. Përveç punishteve të poçarisë vendëse, që prodhojnë forma enësh të zakonshme, edhe në provincat e tjera romake, një përhapje të gjerë mori në dy shekujt e parë (në drejtim më tepër si imitacion) qeramika e quajtur “terra sigillata”. Në këtë kohë zgjerohet më shumë edhe përdorimi i enëve prej qelqi.
Në qytetet e në zonat fshatare deri në thellësi hyjnë në përdorim tjegulla - solene e kaliptere - të lakuara, tulla me trajta e përmasa të ndryshuara, ndërsa në ndërtim hynë llaçi e gëlqerja, të cilat sollën ndryshime në teknikën e ndërtimit, në cilësinë dhe në pamjen e godinave.
Ajo që bie në sy në gërmimet e zbulimet arkeologjike është se këto ndryshime në kulturën materiale sikurse shfaqjet e tjera të kulturës së veçantë, i takojnë ultësirës bregdetare, periferive të qyteteve dhe disa luginave të përshkuara nga rrugë magjistrale. Në këto krahina është vërejtur edhe prania e kulteve të hyjnive romake dhe më rrallë edhe të hyjnive me prejardhje lindore. Viset e brendshme ilire u prekën shumë më pak nga ndikimet e kulturës romake. Në përgjithësi në këto krahina elementet e kulturës materiale e shpirtërore romake janë të pakta, ndërsa ato vendase më të shumta. Ky raport do të thellohet edhe më tepër në shekujt që pasojnë, në kohën e krizës së skllavopronarisë, kur elementet kulturore vendase, tradicionale e të reja zënë një vend gjithnjë e më të madh në jetën e banorëve të provincave ilire.

Kultura në kohën e vonë antike (shek. IV-VI)
Gjendja ekonomike e politike që u krijua në provincat ilire në shek. IV të e. sonë ndikoi edhe në zhvillimin e kulturës, nxiti gjallërimin dhe vazhdimin e traditave kulturore të lashta. Në shekujt që pasuan, kultura materiale, bashkë me ndikimet bizantine filloi të marrë tipare të qarta anase, mbi bazën e të cilave do të formohet kultura e hershme shqiptare. Ajo nuk pati atë zhvillim të madh si më parë, por në këtë lindën elemente të reja të rëndësishme (si në kulturën materiale, dhe në marrëdhëniet shoqërore), të cilat në mesjetë u zhvilluan në mënyrë më të plotë.
Ndryshe nga periudha pararendëse, në provincat ilire u zhvilluan më tepër ndërtimet me karakter fortifikues ushtarak dhe ato me karakter fetar, të krishterë. Në grupin e parë hynin kryesisht kështjellat e reja dhe kështjellat e lashta të fortifikuara për qëllime ushtarake, ndërtimi dhe rindërtimi i të cilave pati filluar që në shekullin IV dhe arriti kulmin në shek. VI në kohën e sundimit të perandorit Justianian, i cili sikurse shkruan biografi i tij, në dy provincat Epir i Ri dhe Epir i Vjetër, ndërtoi dhe rindërtoi 94 kështjella.
Nga qytetet, në të cilat u bënë ndërtime të mëdha e të rëndësishme që prekën edhe sistemin e brendshëm urbanistik ka qenë Dyrrahu. Këto ndërtime u bënë në kohën e sundimit të perandorit bizantin Anastas, që ishte me origjinë nga ky qytet. Nga këto objekte, me të vërtetë monumentale, janë ruajtur pjesë të sistemit fortifikues: muret rrethuese trefishe të Dyrrahut të ngritura nga perandori Anastas, të cilat llogaritet të kenë qenë 4 400 m të gjata, rreth 12 m të larta dhe 3,50 m të gjera. Me interes është edhe rrjeti i kanalizimeve që dëshmon gjithashtu për një qytet të madh dhe mjeshtra të aftë.
Arkitektura e banesave, siç kanë treguar zbulimet arkeologjike, nuk pati ndryshime të dukshme. Si në planin, ashtu edhe në ndërtimin e saj u ruajtën traditat e lashta.
Monumentet arkitektonike që lidhen me fenë e krishterë, dhe që ishin karakteristike për antikitetin e vonë kanë qenë bazilikat. Këto godina kulti janë me interes për planimetrinë e tyre, plastikën dekorative dhe për dyshemetë me mozaikë. Përsa u përket planimetrive janë gjetur bazilika të thjeshta me tri anijata (në Tepe të Elbasanit) dhe bazilika të tipit trikonke (në Lin të Pogradecit). Shpesh godinat e kultit paleokristian janë ngritur mbi ndërtime më të lashta, duke ndryshuar planimetritë e tyre (bazilika në Tiranë, pagëzimorja e Butrintit).
Rrënojat e një bazilike monumentale janë zbuluar në qytetin e sotëm të Ballshit, që në mesjetë u bë një qendërbanim i rëndësishëm shqiptar (në burimet mesjetare është njohur me emrin Kefalonia-Glavinica). Në këtë bazilikë monumentale është vërtet e pasur dhe me vlerë artistike plastika dekorative arkitektonike. Në plastikë përveç kapiteleve, harqeve, arkitrave, spikasin në mënyrë të veçantë disa pilastra e panele të perdes ndarëse të altarit. Si pilastrat, dhe panelet janë punuar në reliev, kanë një trajtim të mirë artistik dhe një dekoracion të pasur ku nuk mungojnë elementet zbukuruese tradicionale vendase.
Midis monumenteve të skulpturës të kohës së vonë antike dhe që nuk lidhen me kultet fetare janë disa relieve mortore, të punuara nga artistë vendas. Këto relieve nga mënyra e trajtimit artistik, kompozimit, frymëzimit, modelimit e nga paraqitja e figurave dhe veshja e tyre, përbëjnë një tërësi që i veçon nga ato relieve sepulkrale të zakonshme për tre shekujt e parë të erës sonë. Ajo që i bën edhe më interesante këto vepra artistike ilire (sepse u takojnë ilirëve), është se ato janë gjetur jo në qendra qytetare, por në lokalitete të brendshme, në fshatra dhe se figurat që mbajnë paraqesin zakonisht njerëz të punës, fshatarë e zejtarë. Karakteristike për këtë kohë janë edhe disa portrete tek të cilët nuk vërehet as idealizmi i artit grek, as natyralizmi i skulpturës romake; portretet pasqyrojnë qoftë edhe në mënyrë të thjeshtë karakterin burrëror, por edhe të rreptë të popullsisë ilire.
Karakteristike për periudhën e vonë antike ka qenë lulëzimi i artit të mozaikut. Duke filluar nga shek. IV e. sonë arti i mozaikut përhapet edhe në viset e brendshme të provincave ilire, duke u lidhur në fillim me qendërbanimet rurale, “vilat” fshatare dhe më pas me godinat e kultit, bazilikat paleokristiane. Në këta mozaikë janë të pranishme, krahas elementeve të reja dekorative, edhe ato tradicionale më të lashta. Kështu në dyshemetë me mozaikë të godinave të kultit vërtet mbizotërojnë figurat që përfytyrojnë kafshë, shpendë e peshq tipike për artin masiv paleokristian, por krahas tyre, në kornizat që rrethojnë emblemat vërehen elemente dekorative gjeometrike, figura rombesh, motivi i gërshetës, i rrathëve që priten etj., që lidhen me një traditë të lashtë. Mozaikët e kohës së vonë antike, nga të cilët janë zbuluar mjaft në këto vitet e fundit, tregojnë për një lulëzim të këtij arti, sidomos në shek.V e VI dhe për praninë e atelieve mozaikpunuese vendase.
Në antikitetin e vonë ndodhën ndryshime të dukshme edhe në kulturën materiale. Zhvillimi i bujqësisë u shoqërua me futjen në përdorim dhe përsosjen e një sërë veglash bujqësore. Shfrytëzimi intensiv i vendbanimeve me metale bëri të nevojshëm shtimin e përmirësimin e veglave të minatorëve. Shek. IV, sipas të dhënave arkeologjike, me gjithë krizën e përgjithshme, ka qenë periudhë e një gjallërimi të zejtarive, të qyteteve të mëdha dhe të qendrave të brendshme. Kjo vërehet në prodhimin e stolive, ku vendin e parë e zënë fibulat, të cilat edhe në këtë kohë vazhdojnë të kenë një funksion praktik e estetik. Një përhapje të gjerë kanë pasur fibulat e gjoksit të tipit të quajtur me koka qepe dhe ato me këmbë të përthyer, pararendëse të fibulave të përdorura nga shqiptarët në mesjetën e hershme.
Edhe qeramika masive (tullat e tjegullat), edhe qeramika e përdorimit të përditshëm nuk ndryshon shumë nga ajo e shekujve pararendës. Ndërsa në elementet dekorative përdoret pikturimi me breza ngjyrë kafe e të kuqe, trajtat e enëve thjeshtohen. Gjithnjë e më shpesh enët prej balte të pjekur zbukurohen me motivin e gropëzuar, çatalla dhe vija rrethore ose të valëzuara të gërricura, motive këto të traditës ilire.
Përsa i përket kulturës shpirtërore për antikitetin e vonë kultet e besimit fetar të krishterë, përhapen gjithnjë e më shumë në popullsinë e provincave ilire. Feja e krishtere, e cila në fillim lindi si një fe e shtresave të varfra, të cilat mendonin të gjenin tek ajo rrugën e shpëtimit, u përqafua më vonë edhe nga shtresat e pasura dhe u bë fe zyrtare.

Qëndresa e ilirëve ndaj romanizimit
Gjatë gjithë periudhës së pushtimit, Perandoria Romake, zbatoi në provincat ilire një politikë asimilimi, ose, sikur është cilësuar ndryshe, romanizimi. Për të realizuar këtë politikë dhe për të forcuar pushtimin, shteti romak ka synuar që në krye të tërhiqte dhe të bënte për vete parinë vendëse. Për këtë, që herët, kësaj shtrese iu dha e drejta e qytetarisë romake dhe poste të ndryshme në administratën provinciale. Edhe rekrutimi i të rinjve në ushtrinë romake që Roma ka zbatuar gjerësisht në disa provinca, si në Dalmati, Panoni e Dardani ndikonte në këtë politikë të forcimit të sundimit të saj në Iliri. Të rinjtë e rekrutuar, që në fillim kryenin detyrimin ushtarak në formacionet ndihmëse të ushtrisë romake (në burimet e shkruara latine përmenden kohortat dalmate e dardane dhe kalorët dalmatë). Shteti romak i largonte nga vendlindja, i dërgonte në provincat veriore dhe në ato të Afrikës. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, zëvendësoheshin humbjet e ushtrisë gjatë luftërave pushtuese, ndërsa, nga ana tjetër, dobësohej qëndresa e popullsisë ilire.
Në tregjet e provincave ilire shiteshin asokohe prodhimet e punishteve të mëdha italike e jashtitalike. Në fushat e ndryshme të prodhimit, në metalurgji, në zejtari dhe në bujqësi hynë në përdorim një tok veglash të reja pune më të përsosura e më praktike. Bashkë me to u përhapën edhe stoli e objekte zbukurimi të reja. Përhapje të gjerë ka pasur edhe qeramika romake e kuqe me lustër, e quajtur “terra sigillata”, dhe në të njëjtën kohë u bë uniformizimi i shumë prodhimeve të qeramikës. Në përgjithësi në provincat ilire, sidomos në shekujt I-II të e.sonë, kishin hyrë elemente të kulturës materiale e artistike romake, bashkë me to edhe disa shfaqje të kulturës shpirtërore, që kishin marrë karakter kozmopolit dhe ndesheshin edhe në provincat e tjera.
Duke u nisur nga kjo pamje e përgjithshme që kanë pasur provincat ilire në tre shekujt e parë të erës sonë, disa dijetarë kanë shfaqur mendimin se sikurse popujt e tjerë, dakët, galët, iberët, edhe ilirët u “romanizuan” plotësisht. Sipas tyre asimilimi nga ana e Romës u bë “me anë të gjuhës, të antroponomisë, të fesë dhe të disa shfaqjeve shoqërore-politike”. Mirëpo, argumentet që sjellin dijetarët për “romanizimin” në tërësi të ilirëve, nuk arrijnë ta provojnë këtë. Duhet pasur parasysh fakti se procesi i romanizimit, preku gjerësisht shtresat e larta të popullsisë vendëse, të cilat për shkak të pozitës së tyre të privilegjuar ishin më të ekspozuara ndaj ndikimeve romake, por jo masën e popullsisë ilire. Pastaj ky proces nuk u zhvillua njëlloj në të gjitha krahinat e fushat e jetës dhe ndikimet e tij kanë ndryshuar nga njëra krahinë ose provincë në tjetrën. Kështu p.sh. procesi i romanizimit mori përmasa më të gjera në Ilirinë Veriore, ku u zhvillua edhe dalmatishtja, një gjuhë romane, e cila u zhduk përfundimisht në shek. XIX.
Një argument që përdoret për të provuar romanizimin e ilirëve është përhapja e gjuhës latine si gjuha zyrtare e kohës. Ka edhe gjuhëtarë që i mbahen pikëpamjes se përdorimi i gjerë i gjuhës latine në të shkruar e në të folur, bëri që gjuha ilire të zhduket. Dokumentet mbishkrimore të zbuluara në provincat ilire tregojnë se gjuha latine ka qenë gjuha e administratës dhe e kulturës dhe nuk ka pasur në çdo kohë dhe kudo një përhapje të gjerë. Në mënyrë shumë të qartë kjo vërehet në provincat e Ilirisë Jugore, ku numri i mbishkrimeve latine është shumë i vogël dhe i kufizuar, madje edhe në kolonitë romake dhe në periferinë e tyre të afërt. Në shumë krahina të këtyre provincave, sidomos në brendësi të vendit, nuk ka dëshmi mbishkrimore të përhapjes së gjuhës latine. Gjuha latine nuk mundi asnjëherë t’i zinte vendin gjuhës ilire si mjet shprehës në marrëdhëniet shoqërore e familjare, madje as në qytetet ku ilirët bashkëjetuan me banorët italikë të ardhur. Hieronimi, një ilir nga Dalmatia dhe që ka jetuar në shek. IV të e. sonë, shkruante se ilirët në kohën e tij flisnin gjuhën e tyre, e cila ndryshonte nga gjuha latine. Për më tepër, vetë prania e gjuhës shqipe në trevat e Ilirisë Jugore dëshmon qartë kundër romanizimit të një pjese të madhe të popullsisë së këtyre trevave.
Një fushë tjetër, ku del qartë gjithashtu, qëndresa ilire, është onomastika, ruajtja e emrave tradicionalë vendës, si tek njerëzit, emrat e vendeve, lumenjve, maleve etj. Emra vetjakë ilirë ka me shumicë në mbishkrimet latine të gjetura në provincat e ndryshme ilire. Emra ilirë ka edhe në monumentet mbishkrimore që u takojnë edhe personave zyrtarë e ushtarakëve që kishin marrë qytetarinë romake dhe ishin dërguar për të kryer shërbimin ushtarak larg atdheut. Ilirët ruajtën, bashkë me qendërbanimet, e tyre edhe emrat e lashtë. Si të tilla mund të përmenden Skodra, Lisi, Dyrrahu, Aulona, Skupi, Naisi etj. Të rralla kanë qenë edhe midis qendërbanimeve të reja, që u zhvilluan si qytete, ato që mbanin emra romakë. U ruajtën, gjithashtu, edhe emrat e shumë lumenjve e maleve, si Drilon (Drin), Mathis (Mat), Skardi (Sharr) e shumë të tjerë, të cilët kanë mbetur si të tillë deri në ditët tona.
Ilirët nuk i kishin humbur vetitë e tyre kulturore e etnike dhe këtë e tregojnë riti i vjetër i varrimit me vendosjen e trupit në varr dhe mënyra e ndërtimit të varreve. Në monumentet skulpturore, kryesisht në gurët e varreve, përveç emrave ilirë, figurat e skalitura mbajnë edhe veshjen popullore ilire. Studiuesve të këtyre monumenteve u ka rënë në sy se shumica prej tyre, sidomos relievet, janë punuar disi më ndryshe nga ato të njohura si vepra të skulpturës romake. Ato ruajnë disa tradita të artit helenistik, të gërshetuara me një stil vendës, që është i ngjashëm dhe rrjedh nga ai i gdhendjes së drurit.
Një fushë tjetër ku pushtuesit romakë u ndeshën me traditat e lashta vendëse dhe ku hasën qëndresë, ka qenë besimi, feja. Romakët nëpërmjet kolonive e qytetarëve romakë përhapën hyjnitë e panteonit të tyre. Në të njëjtën kohë ata mundën që të unifikonin disa hyjni të vjetra vendëse me ato romake duke u dhënë edhe veshjen e jashtme, emrin latin (interpretatio romana). Në këtë mënyrë hyu i madh i parthinëve u barazua me Jupiterin romak, por në mbishkrimet ai do të cilësohet Jupiter Parthinus, sikurse hyjnesha e Kandavëve, kulti i së cilës ishte shumë i përhapur; ajo barazohej me Dianën e do të quhej Diana Candavensis - (Diana e Kandavëve). Në Dalmati hyun e vjetër ilir Vidas romakët e identifikuan me Silvanin e tyre, mirëpo në relievet ai vazhdoi të paraqitej me atributet e vjetra. Shumë nga kultet e vjetra ilire, me gjithë interpretimin romak, edhe gjatë tre shekujve të parë të e.sonë, vazhduan të zinin një vend të rëndësishëm në jetën shpirtërore të ilirëve.
Të nisur nga këto fakte e të dhëna të tjera, dijetarë të ndryshëm e gjithnjë më të shumtë e kundërshtojnë tezën e “romanizimit” të ilirëve. Duke sjellë argumente gjuhësore, arkeologjike e jashtarkeologjike këta dijetarë kanë provuar se edhe pas futjes nën sundimin romak, ilirët nuk u shfarosën dhe as u asimiluan, por ruajtën elemente të shumta të kulturës shpirtërore e materiale, u ruajtën si një popullsi kompakte dhe e qëndrueshme, se “kombësia ilire i qëndroi romanizimit më mirë” në Ilirinë Jugore (pak a shumë tokat e banuara sot nga shqiptarët) dhe se gjatë sundimit romak, me përjashtim të disa qyteteve bregdetare, si Dyrrahu, Apolonia etj. në tokat e brendshme populli duhet të ketë folur ilirishten.
 
Status
E mbyllur për postime të tjera.
Top