Greqi, Tsipras del në mbrojtje të “planit B”, por edhe ish-ministrit Varoufakis

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member

Kryeministri Alexis Tsipras pranoi gjatë së premtes se qeveria e tij kishte pasur plane të fshehta rezervë, në rast se Greqia do të detyrohej të dilte nga Eurozona, por refuzoi akuzat se ai kishte ideuar kthimin te dhrahmia.

Tsipras u detyrua të jepte llogari mbi këtë çështje në Parlament, pasi ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis zbuloi gjatë kësaj jave përpjekjet për të piratuar kodet fiskale të qytetarëve, në mënyrë që të krijohej një sistem paralel pagesash, duke shkaktuar tronditje dhe zemërim në Greqi.

Zbulimi ashpërsoi edhe më tej presionin ndaj Tsiprasit, i cili është përballur javët e fundit me një rebelim brenda partisë së tij Syriza, por edhe me nisjen e bisedimeve të vështira me Bashkimin Europian e Fondin Monetar Ndërkombëtar për të siguruar një program të tretë shpëtimi, e të dyja këto “zjarre” brenda më pak se 3 javësh.

“Nuk kishim hartuar, as nuk kemi pasur ndonjë plan për ta nxjerrë vendin nga monedha e përbashkët europiane, por ne kishim plane emergjence”, tha Tsipras përpara Parlamentit. “Nëse partnerët tanë dhe huadhënësit kishin përgatitur planin për një ‘Grexit’ të mundshëm, përse ne si qeveri të mos përgatisnim planet tona për mbrojtje?”.

Ai e krahasoi planin me përgatitjet e një vendi për të mbrojtur vetveten përpara një lufte, duke thënë se ishte një detyrim dhe një përgjegjësi e qeverisë, që të kishte gati zgjidhjen në rast emergjence.

Ai nuk iu referua drejtpërdrejt zbulimit të planeve nga Varoufakis për të piratuar programet e Ministrisë së drejtuar prej tij deri pak kohë më parë, për të siguruar kodet fiskale. Por, Tsipras tha se ideja e një baze të dhënash, duke u dhënë grekëve fjalëkalime për të bërë pagesa për shlyerjen e borxheve nuk ishte aspak “një plan i fshehtë dhe djallëzor për ta nxjerrë vendin jashtë Euros”.

Tsipras doli gjithashtu në mbrojtje të ish-ministrit të Financave, tepër të sulmuar, Varoufakis, i cili edhe pas largimit nga posti në fillim të këtij muaji vazhdon të shkaktojë “dhimbje koke” për qeverinë greke.

“Varoufakis mund të ketë bërë gabime, si edhe të gjithë ne. Ju mund ta fajësoni atë sa të doni për planin e tij politik, për deklaratat e tij, për shijet personale të veshjes, për pushimet në Egje”, tha Tsipras. “Por nuk mund ta akuzoni kurrsesi për vjedhjen e parave të popullit grek, apo për pasjen e një plani të fshehtë për ta çuar Greqinë buzë gremine”.

Ndërkohë Tsipras, në një takim të këshillit qendror prej 200 anëtarësh të partisë së tij, ka mbrojtur vendimin e tij për të pranuar kushtet e ashpra të paketës së tretë të shpëtimit, duke u përballur përsëri me rebelët e grupit marksist në gjirin e radikalëve të majtë.

Më mbështetjen e shumicës, që e ka përkrahur, është vendosur që në shtator të zhvillohet një Kongres i Syriza-s, në të cilin vlerësohet se Tsipras do të spastrojë partinë nga të gjithë ata, që jo vetëm nuk e mbështesin e duan ta rrëzojnë, por bëjnë edhe thirrje për një kthim te monedha kombëtare, duke e akuzuar se po shkel premtimet elektorale.

Ndërsa Athina ka filluar bisedimet zyrtare me huadhënësit e saj, Tsipras, i cili sipas sondazheve duket se ka edhe mbështetjen e shumicës së grekëve, vlerësohet se do të shkojë edhe në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të ndryshojë grupin parlamentar, për të pasur përsëri shumicën në Kuvend dhe për të miratuar me lehtësi reformat e dhimbshme, që kërkohen nga huadhënësit, si kusht për ndihmën prej 86 miliardë eurosh.

/ Top Channel
 
Top