Greqi, padi ndaj ish-ministrit Varoufakis mbi “planin B”. Por hetimi kërkon autorizim

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Një prokuror grek ka nisur hetime në lidhje me ndonjë “shkelje të mundshme ligjore”, pas zbulimit të planit nga ana e ish-ministrit të Financave, Yanis Varoufakis, për të piratuar kodet e sigurisë së taksave dhe për të krijuar një sistem paralel pagesash. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të një gjykate gjatë së mërkurës.

Hetimi nuk do të fokusohet vetëm ndaj Varoufakisit si person, për shkak se gjykatat greke mund të hetojnë vetëm ndaj atyre që nuk janë ministra apo ligjvënës, sepse këta të fundit gëzojnë imunitet parlamentar ndaj ndjekjeve penale.

Veç tij, hetimi do të merret edhe me raportimet e medias mbi planin, për të zbuluar nëse është kryer ndonjë krim, si shkelja e mbrojtjes së të dhënave personale apo shkelje e detyrës. Një grup avokatësh kanë dorëzuar një padi në gjykatë gjatë kësaj jave.

Varoufakis konfirmoi këtë javë se kishte mbledhur një ekip të vogël për të përgatitur një sistem paralel pagesash, si pjesë e të ashtuquajturit “plan B”, në rast se Greqia do të detyrohej të largohej nga Eurozona, duke shkaktuar një shok dhe irritim të madh te deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar hetim ndaj kësaj çështjeje.

Varoufakis, i cili dha dorëheqjen si ministër i Financave këtë muaj, ka hedhur poshtë këtë nismë, duke e quajtur një “plan emergjent që nuk u vu kurrë në zbatim”.

Dy padi të ndryshme janë dorëzuar kundër Varoufakisit mbi këtë çështje janë transferuar tashmë në Parlament, pasi është ai që do të vendosë nëse është e nevojshme që ish-ministri të merret nën hetim. Në situatën aktuale, ai nuk mund të ndiqet penalisht për shkak të imunitetit, që mbulon krimet që mund të ketë kryer ai, por gjatë kohës që ka shërbyer në krye të Ministrisë së Financave.

Varoufakis, i cili mohon të ketë shkelur ligjet, tha se ky hap është një përpjekje për të dëmtuar qeverinë e radikalëve të majtë. “Synimi i tyre është ta konsiderojnë periudhën janar-korrik si ‘një gabim të madh’, apo më mirë të them të kriminalizojnë negociatat e vështira pesëmujore nga qeveria e radikalëve të majtë”, tha ai përmes një deklarate të publikuar nga zyra e tij.

Njëra prej padive është dorëzuar nga një kryebashkiak, i cili ka sulmuar kryesisht stilin personal të Varoufakisit, duke e akuzuar atë për një sjellje “jashtëzakonisht antipatike”, gjë që e ka ekspozuar Greqinë në një armiqësi me partnerët e Eurozonës.

Greqia ishte pranë largimit nga Eurozona, ndoshta edhe nga BE-ja, përpara se të arrihej marrëveshja e minutës së fundit në samitin europian të 13 korrikut, në të cilën u përcaktua një raund i ri masash shtrënguese, në mënyrë që të rinisnin bisedimet mes Athinës dhe huadhënësve të saj mbi pakon e tretë të ndihmës së shpëtimit.

/ Top Channel
 
Top