Cilët janë kandidatët për të zëvendësuar Panuccin në stolin kuqezi

Milanisti

Larguar
duka.jpg


Sfida e nesërme në Andorra i është besuar ndihmësit të Panuccit, Ervin Bulku, i cili do të asistohet edhe nga trajneri me eksperiencë, Sulejman Mema, ndërsa synimi është që Kombëtarja të ketë një trajner të ri në muajin qershor, për ndeshjet e radhës eliminatore.

Edi Reja ishte emri i parë që u përfol se do të marrë vendin e Panuccit, me teknikun 73-vjeçar që ishte edhe në tribunën e “Loro Boriçit”, për të ndjekur nga afër sfidën përballë Turqisë.

Presidenti i FSHF-së nuk e mohoi Rejan si alternativë, ndonëse duket se nga takimi i parë mes palëve, kanë mbetur shumë gjëra pezull.

Ndërkohë, së fundi raportohet se është rikthyer fuqishëm një tjetër emër, ai i Luigi De Kanios. Ish trajneri i Udineses ishte një pretendent i fortë edhe për të pasuar De Biasin, por atëherë garën e fitoi Panucci.

Krahas italianëve, që duket se janë “të preferuarit” e FSHF-së, për vetë faktin se vijnë nga një vend fqinj dhe e njohin mirë mentalitetin shqiptar, zgjidhja mund të vijë edhe me një ish të Kombëtares.

Bëhet fjalë për ish mesfushorin dhe kapitenin e kuqezinjve, Besnik Hasin, i cili aktualisht është i papunë dhe do të mirëpriste një ftesë për të drejtuar kuqezinjtë.

Gjakovari ka qenë një alternativë për të drejtuar Shqipërinë edhe para se të ulej në stol De Biasi, por atëherë presidenti i Anderlechtit nuk e lejoi të pranonte ofertën e Dukës.

Vetë ky i fundit, vlerëson kandidaturën e Hasit si njeri që njeh mirë ambientin dhe mentalitetin shqiptar, mund të ndihmojë në bashkimin e grupit dhe mbi të gjitha, mund të sjellë ndonjë shqiptar të Kosovës më shumë në Kombëtare.

Megjithatë “kastingu” sapo ka filluar dhe Duka me stafin e tij po kalojnë në “sitë” të gjithë alternativat e mundshme, për të ofruar zgjidhjen më të mirë për stolin kuqezi.

Top Channel
 
Top