Ballkani të çmontohet dhe integrohet

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Ballkani duhet të çmontohet dhe integrohet në BE




Ballkani duhet të çmontohet tërësisht dhe hapësira e tij të integrohet e të transformohet si hapësirë unike e Bashkimit Evropian. Nëse nuk ndodhë kjo shpejt, atëherë krizat do të vazhdojnë të jenë prezente dhe të majisen, nën sponsorizimin e ri të Rusisë putiniane. Pse rikthehen krizat në Ballkan, madje edhe kur duket se janë fashitur ose edhe zgjidhur? Kjo pyetje e thjeshtë nuk mund të ketë përgjigje të lehtë, sepse shkaqet për riciklimin e krizave janë të numërta, e nuk e kanë një emërtues të përbashkët. Disa shkaqe janë historike, disa gjeokulturore, disa gjeopolitike, disa fetare, disa absurditete brendaballkanike.

Dimensioni historik i krizave

Nëse shihet në kontekstin historik, krizat në Ballkan janë shfaqur me ashpërsi në shekullin XIX, kur Rusia si sponsori kryesor i shteteve sllave e ortodokse, filloi të zbatonte projektet e formimit të shteteve që t’i kishte nën influencën e vet. Kryengritjet serbe, bullgare e greke, të shoqëruara me pogrome ndaj muslimanëve, mbollën farën e urrejtjes, e cila nuk u zhduk më kurrë, veçse vazhdoi të helmojë Ballkanin në çdo situatë të turbullt politike e sociale. Faktikisht, të tre këto shtete ortodoske janë formuar mbi gjenocidin ndaj muslimanëve, turqve e shqiptarëve në rend të parë, duke i dëbuar nga vatrat e veta dhe duke fshirë gjurmët fetare e kulturore të tyre në viset e pushtuara. Sipas të dhënave të publikuara së fundi, vetëm në Luftën e Parë Ballkanike, rreth 60 për qind e shqiptarëve ose janë vrarë ose janë dëbuar nga vatrat e veta, të cilat pastaj janë uzurpuar nga serbët, grekët e malazezët.

Për shkak të rivaliteteve që kishin vazhdimisht fuqitë e mëdha evropiane ndërmjet tyre (Britania e Madhe, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania e Italia) disa prej tyre bënin aleanca me Rusinë, veçmas kundër Perandorisë Osmane, gjë që e lehtësoi edhe më shumë projektin rus për sllavizimin politik, fetar e gjeopolitik të Ballkanit. Ndërhyrjet reaktive të Fuqive të Mëdha (pas Paqes së Shën Stefanit, pas dy luftërave ballkanike, pas Luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore) si dhe pas rënies së komunizmit, e kanë dizajnuar Ballkanin, sipas raporteve të fuqisë, e jo sipas realitetit demografik, kombëtar, gjeokulturtor e fetar.

Prandaj që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Konferenca e Versajit, Samiti i Jalltës, Dejtoni e deri te Konferenca e Rabujesë, dizajnimi vazhdimisht është bërë nën presionin e interesave pansllaviste ruse, po edhe të fuqive të tjera evropiane. Me aso qasjesh arbitrare, të cilat e kanë fshehur edhe gjenocidin kundër shqiptarëve, është krijuar një konfiguracion i panatyrshëm, i cili vazhdimisht prodhon konflikte ndërmjet kombeve të Ballkanit.

Në atë vorbull konfliktesh jemi edhe sot, pas 14o vjetëve nga Kongresi i Berlinit. Pra, jemi në një realitet të imponuar me dhunë nga e kaluara, ku shqiptarët, janë të ndarë në disa shtete, pa e pasur mundësinë që të deklarohen vetë për vullnetin e tyre. Bile edhe pavarësimi i Kosovës pasoi si reaksion ndaj shpërbërjes së përgjakshme të ish Jugosllavisë, e jo si ndonjë projekt për vënien e drejtësisë në vend, ose për respektimin e vullnetit të shqiptarëve. Ndërsa, shqiptarët në Maqedoni vetëm kohët e fundit, kur shteti, nën presionin e SHBA-ve dhe të NATO-s, po lëvizë më qartë drejt anëtarësimit në NATO, janë përfshirë në projektin shtetëror, si një subjekt aktiv. Edhe pse Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s, ajo ende nuk është rehabilituar nga trauma, për shkak të qëndrimit të gjatë nën influencën sovjetike dhe kineze.

Pasojat e stalinifikimit dhe të Revolucionit Kulturor Kinez ense janë prezente në gjithë shoqërinë shqiptare, që nga defetarizimi e dekombëtarizimi e deri te mohimi i të drejtës së pronës. Mjafton të shikohet dokumentari “Miqësia e Kinën” (ABC/story, 20 tetor 2018) që të kuptohet se sa shfytyruese, në aspektin gjeokulturor e kombëtar, ka qenë ajo lidhje me Kinën komuniste dhe aziatike. Rasti i përvojës së hidhur të lidhjeve të Shqipërisë me Kinën, po edhe me botën sovjetike, dëshmon më së miri se Ballkani si pjesë përbërëse e Evropës, nuk funksionin jashtë kornizës gjeokulturore e gjeopolitike të Evropës. Meqë një Kinë e re, shumë më agresive se sa ajo e Mao ce Dunit, tashmë është shfaqur në horizont, me ndikim në rritje edhe në Ballkan, kujdesi i NATO-s dhe BE- së duhet të shtohet, që të mos lejohet penetrimi kinez në këto hapësira. Penetrimi i ri kinez po vjen me anën e investimeve në disa prej shteteve ballkanike, më së shumti në Serbi, që përkon edhe me histerizmin antiperëndimor në rritje në Serbi.


A mund ta korrigjojë atlantizimi i Ballkanit deformimin e historisë

Prandaj moti ëshë e qartë se zgjidhja e vetme e logjikshme, jo vetëm në rastin e kombit shqiptar, po edhe të mbarë Ballkanit, është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i Kosovës e Maqedonisë në NATO. Meqë Shqipëria tashmë është anëtare e Aleancës Veriatlantike, mbetet që të përshpejtohet anëtarësimi i Maqedonisë dhe i Kosovës. Vetëm nëse përmbushet ky proces, mund të thuhet se kombi shqiptar, ai maqedonas dhe ai boshnjak, e sigurojnë ekzistencën e vet dhe e fillojnë një etapë rehabilitimi. Natyrisht, procesi i futjes së Ballkanit në Bashkimin Evropian duhet të përfshijë në pako të gjitha shtetet e Ballkanit, mundësisht edhe Serbinë, edhe pse Serbia si satelite e Rusisë, e ka shumë të vështirë të shkëputet nga tutela ruse. Me një fjalë, Ballkani duhet të çmontohet tërësisht dhe hapësira e tij të integrohet e të transformohet si hapësirë unike e Bashkimit Evropian. Nëse nuk ndodhë kjo shpejt, atëherë krizat do të vazhdojnë të jenë prezente dhe të majisen, nën sponorizimin e ri të Rusisë putiniane.

Sikundër dihet, ndikimi rus në Rrepublika Serpska të Bosnjes është evident, ndërsa në Serbi ndikimi rus është shumë i fuqishëm, gjë që shihet nga Qendra Humanitare Ruse në Nish dhe nga Gaspromi, i cili ka edhe njësi të armatosura në tokën serbe. Tashmë nuk është sekret që politikanë rusë kanë shfaqur haptas mendime se Rusia duhet ta rikthejë influencën e dikurshme në Ballkan. Vizitat e shpeshta të zyrtarëve serbë të Republika Serpskas dhe të Serbisë në Moskë dhe të zyrtarëve rusë në Beograd, janë vetëm maja e ajsbergut e kësaj lidhjeje që po e shndërron Serbinë në një shtet vasal të Putinit dhe Republika Serpskan, në një place d’arme rus.

Fakti që Serbia nuk ka pranuar të imponojë sanksione ndaj Rusisë dhe as të dëbojë diplomatët rusë për rastin Skripal, vërteton se Serbia nuk zbaton politikat e BE-së e të SHBA-ve në raport me Rusinë. Poashtu, presionet e Serbisë janë permanente ndaj Shkupit, Prishtinës dhe Sarajevës, saktësisht në linjat, ku llogaritet se është më e dukshme dobësia e Perëndimit, për shkak të paragjykimeve që kanë ndaj muslimanëve, d.m.th ngadalësimit të anëtarësimit të këtyre shteteve në BE dhe në NATO. Pra, e përbashkëta e krizave në linjën Shkup-Prishtinë-Sarajevë, ka të bëjë me taktikat e goditjeve serbe, që janë në funksion të rikthimit të influencës serbe dhe ruse në këto hapësira. Këtë gjë nuk duket se e kanë të qartë strategët e BE-së. Ndoshta strategët e NATO-s së fundmi e kanë pak më të qartë, gjë që po shihet në lëvizjet e tyre në drejtim të Maqedonisë dhe të ndryshimit të kursit lidhur me ushtrinë e Kosovës. Megjithatë, paqartësia në BE është epike.

Synimet ruso-serbe nuk do të ishin të rrezikshme vetvetiu, po të mos ishte konfuze politika aktuale e Bashkimit Evropian dhe po të mos ishte shqetësuese politika aktuale amerikane ndaj Ballkanit. Bashkimi Evropian proklamon procese integrimi te Ballkanit, pastaj i bllokon vetë dhe ashtu e ka humbur shumë kredibilitetin në sytë e qytetarëve të shteteve ballkanike. Nga ana tjetër, deklarata shokuese e presidentit amerikan, Donalld Trampit, se SHBA nuk do të mbrojë Malin e Zi, si anëtar i NATO-s, në rast të konfliktit me Rusinë, i ka inkurajuar rusët që të ëndërrojnë kthimin e influencës së tyre. Edhe ideja e Xhon Bolltonit për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë është shokuese dhe faktikisht çon ujë në mullirin e pretendimeve ruse për t’u rikthyer si hakmarrëse në Ballkan. Lënia e Maqedonisë për një kohë kaq të gjatë jashtë vëmendjes së BEsë e të NATO-s, e solli Maqedoninë në zgripc të luftës civile më 27 prill 2018, kur për një fije floku shpëtoi nga kaosi dhe nga shpërbërja. Injorimi i Maqedonisë ndodhi për shkak të qëndrimit të një shteti anëtar të NATO-s dhe të BE-së, por ai inat u dha hapësirë veprimi forcave antiNATO e antiBE, Rusisë e Serbisë.


Autodestruksioni si rrethanë vështirësuese për ballkanasit

Por, krizat riciklohen edhe për fajin e vetë kombeve ballkanike. Fjala vjen, Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh Kishën maqedonase e as atë malazeze, gjë që vazhdimisht prodhon tensione. Kisha Serbe bën ndërhyrje edhe në Kosovë, me çka i fryen zjarrit të nacionalizmit serbomadh. Slogani më i famshëm i Kishës Ortodokse Serbe është ‘osvetiti Kosovo” (të hakmirremi për Kosovën), të cilin e manifestojnë edhe në çdo kremtim të Vidovdanit, më 28 qershor në Gazimestan. Problem paraqet edhe nacionalizmi primitiv sllavomaqedonas, i cili duke tentuar të minimizojë rolin e shqiptarëve në shtet, ka raste kur e rrezikon stabilitetin e vet shtetit, duke i krijuar ashtu hapësira veprimi Serbisë e Rusisë.

Situata në Bosnjë e Hercegovinë është edhe më e ngrysët, për shkak të agresivitetit të nacionalizmit serbomadh, i cili vazhdimisht kërcënon me shkëputjen e Republika Serpskas. Kjo politikë diversioniste e mban konfliktin pezull dhe e pengon Bosnjen që të stabilizohet e të ecën më shpejt në rrugën e integrimit euro-atlantik.

Problem jo të vogël, për veten e tyre, paraqesin edhe vetë shqiptarët, me paaftësinë e tyre që të bashkërendojnë politikat e të bëhen faktorë që dekurajon nacionalizmin serb, grek e maqedonas. Në jo pak raste ndodhë krejt e kundërta, pra, me mungesën e bashkërendimit të tyre, inkurajohen nacionalizmat e fqinjve. Rasti me eklatant ishte ai i afrimit të panatyrshëm të Edi Ramës me Vuçiqin, gjë që prodhoi dëm serioz për Kosovën. Edhe propozimi i Hashim Thaçit për gjoja korrigjimin e kufirit dhe aneksimin e Luginës së Preshevës, ka krijuar jo pak problem në bashkërendimin e politikës së shqiptarëve, madje edhe brenda vetë Kosovës. Rast tjetër bizar ishte “kauza” e rreme e shqiptarëve të Luginës së Preshevës lidhur me lapidarin, gjë që e zbuloi dobësinë e bashkërendimit.

Kur e hoqi xhandarmëria serbe lapidarin, askush nuk guxoi të reagonte në Preshevë, ndërsa në Kosovë pati një reagim banal, dëmtimi i disa varrezave të serbëve në komunën e Vitisë, gjë që pastaj u shndërrua në pretekst për presione të reja ndaj Kosovës. Edhe rasti i Kumanovës mund të shikohet brenda kësaj skeme të mungesës së bashkërendimit institucional dhe të imponimit të axhendave nga grupe okulte. Të gjitha këto aventurizma, që janë pasojë e mungesës së bashkërendimit brendakombëtar, krijojnë hapësira për ndërhyrjen e të huajve dhe veçmas të armiqve të shteteve të Ballkanit. Në këtë pikë jemi. Nëse nuk ndodhë ndërgjegjësimi i ballkanasve dhe eliminimi i paragjykimeve të Perëndimit ndaj shqiptarëve e boshnjakëve në rend të parë, riciklimi i krizave do të vazhdojë, duke bllokuar lëvizjen e kësaj pjese të Ballkanit drejt BE- së e NATO-s. Bash për qejfin dhe hesapet revanshiste të Rusisë.




Autor:
Milazim Krasniqi
 
Top