At Gjergj Fishta, profili i tij si arkitekt e piktor

Pak skica kanë mbërritur prej tij nga vizatimet e hershme, ndërsa dëshmohet edhe hapja e një ekspozite. Ndërsa në fushën e arkitekturës njihen si vepra të tij “Kisha e re e Motravet Stigmatine”, Kisha e Prekalit, e Toplanës në Dukagjin, e Rubikut, etj…

Sot shënohen plot 76 vjet nga vdekja e At Gjergj Fishtës, poeti, dramaturgu, arkitekti, piktori, frati i përkushtuar dhe politikani i pakompromis. Figura e tij është shumëdimensionale dhe botimet e shumta të viteve të fundit po e plotësojnë pak nga pak portretin e tij të pazakontë. Sot do të sjellim për lexuesit dy anë jo shumë të njohura të këtij profili: rolin e Gjergj Fishtës në arkitekturë, ku njihet si autor i një varg ndërtimesh kryesisht kishtare, dhe po ashtu rolin e tij në artet pamore, sipas dëshmive të bashkëpunëtorit të tij të afërt at Leon Kabashit.

Fishta si arkitekt

Fishta mahnitej prej ndërtesave të bukura. Kur i qëllonte të gjendej para një të tillë, në kryeqendrat e Evropës e deri në qytetet e Ballkanit si Sarajeva, ai ulej në gjunjë dhe e sodite gjatë deri në hutim. Mandej me atë imazh ndër mend, mbërrinte te fleta e parë që gjente dhe me laps niste e skiconte frymëzimin e ri. Gjergj Fishta ishte i lidhur fort pas arkitekturës.

Në foton e famshme të Marubit, ku ai paraqitet në studion e tij, bashkëkohësit dëshmojnë ndër shënimet e tyre se Fishta aty është pikërisht duke skicuar një projekt arkitekture.

Befasia më e madhe e Fishtës arkitekt, është dëshmia e bashkëkohësve të tij, të cilët thonë se ai ka qenë arkitekt i një varg kishash të famshme në veri të Shqipërisë dhe i kanë përshkruar me hollësi ndërhyrjet e tij arkitekturore.

Dorëshkrimet e Fishtës, fletoret ku skiconte e tablotë e pikturave nuk janë publikuar. Vonë, pas viteve ’90, besnikët e tij, që i kishin ruajtur me fanatizëm përgjatë viteve të ashpra të diktaturës, i nxorën këto thesare nga “vendet e fshehta”. Një pjesë e madhe e tyre gjendet në arkivin e shtetit, pasi u dorëzuan prej tyre. Aty bashkë me skicat artistike, janë dhe një numër i madh projektesh arkitekture skicuar prej tij.

Po ashtu edhe në studimin e pader Leon Kabashit, i cili flet gjerësisht për Fishtën në botën e arteve pamore, jepen dhjetëra dëshmi të punëve të tij arkitekturore.

Më e veçanta e kuriozja, mbase është ndërhyrja e tij në kuvendin françeskan në Lezhë, pranë kishës së Dom Lleshit e ndërtuar në vitin 1240. Te ky kuvend Fishta ka kryer një varg ndërhyrjesh arkitekturore. Aty ndodhet edhe oda e tij, ku ka qëndruar një kohë të gjatë, e ku ka shkruar këngën 26, më të bukurën e poemës së tij epike “Lahuta e Malcisë”, si dhe i ka dhënë dorën e fundit kësaj vepre të madhe të letërsisë shqipe.

Në studimin e tij pader Leon Kabashi, nxënësi i Fishtës, për këtë punë të poetit arkitekt, shkruan se një vepër e veçantë e tij është “ndërtesa e bukur, qela e Lezhës, e cila ka dritare të mëdha të hijshme, që grishin udhëtarin kah mikpritja e fratit, e ku është edhe oda e At Gjergjit, në të cilën shkroi do pjesë të Lahutës”.

Një tjetër monument fetar ku vuri dorë Fishta ishte edhe Kisha e Rubikut, me pamjen ballore gdhendur në gur ku sheshe, korniqe e shtylla përbëjnë një organizëm të pashoq.

Po ashtu kabashi përmend Kishën e Re të Laçit, dhe një varg kishash në qytetin e Shkodrës.

“Kisha e re e Motravet Stigmatine në Shkodër është arkitekturë e Fishtës e vitit 1927. “Ajo navate e gjerë e dekoruar me kapitela të posaçëm, a nuk i përngjan prehrit të nënës shqiptare, çerdhes së parë të jetës, e gatshme të rritë, të mbrojë dhe të drejtojë brezat e rinj të denjë për fenë, për nderin dhe trashëgiminë e të parëve? Po ato pesë dritaret romanike në ballë, të hedhura e të ngushta, të ndara tresh si mosha e njeriut, e para dhe më e vogla të sjell ndër mend jetën e fëmijës, tre dritaret në qendër kohën e aktivitetit të vrullshëm të jetës, ku më madhja atë ndaj fesë, ndërsa e pesta ashtu si e para, tregon parabolën e jetës në perëndim, moshën e pleqërisë. Si mund të bëhej më mirë balli i kësaj kishe, përveçse ashtu siç e zgjidhi patër Gjergji?”, analizon Kabashi, këtë ndërhyrje të veçantë arkitekturore të Fishtës.

Më tej ai përmend kishën e Prekalit (Dukagjin) “te gurra e Zhylës, vend pushimi për shtegtarin e maleve, dëshmi feje dhe burrërie për malësorin. Aty ndër Thermopilajt e Dukagjinit, ku pa mëshirë për qindra vite iu ndal hovi rrymës aziatike, u desh një muranë e denjë për atë kufi të shenjt; At Gjergj Fishta në bashkëpunim me mikun e vet inxhinierin L. Zojsin realizuan planin e ri të lavdërueshëm sipas stilit të bukur në vitin 1938”.

Po ashtu sipas shënimeve të kabashit mësojmë se edhe për fratin misionar të Toplanës(Dukagjin), “njeri i botës së qytetëruar nuk pati deri vonë një banesë për të jetuar si njeri; At Fishta mendoi edhe për këta flijues të maleve tona, premtoi dhe ndërtoi shtëpi të thjeshtë, por të rregullt”.

Kisha e lagjes Arra-Madhe(Shkodër), me kumbanorë të bukur që i përkiste kohës së Turqisë, priste At Fishtën, i cili së bashku me inxhinier Zojzin morën planin e vjetër ku me vështirësi e guxim bashkuan dy ndërtesa në një.

“Ku më fort u zgjua dashuria për klasicizëm, se në hartimin e Kishës së lagjes Rus(Shkodër)? Sipas Kabashit, At Fishta në atë shesh ngriti pas qindra vitesh jetën klasike si dikur në Firencen e familjes së famshme Mediçi, me arkitektët e mëdhenj Leon B. Albertin, Bruneleskine, Mikelaonxholon. “Duke qenë se vendi ku do të ngrihej ndërtesa ishte i kufizuar dhe ndoshta edhe shuma financiare, dëshira e madhe për t’i dhënë një trajtë të bukur dhe tipike si brenda dhe jashtë, ndoshta pa e kuptuar hartuesi, u duk pak i tepruar në korniqe. Vizat e pastra horizontale sipas stilit grek, të harmonizuara më së miri me harkun guximtar romak, na jep shijen e një ekleptike të hollë te Fishta arkitekt. Dritaret dhe harqet me të endurat e korniqeve janë sipas shijes së Mikelanxhelos në kapelën e Mediçajve të Firences apo të pallatit Farnese në Romë”.

Po ashtu, Fishtës i njihet si arritje në fushën e arkitekturës edhe shumë ndërhyrje në Kuvendin Françeskan të Shkodrës, sidomos në Bibliotekën e françeskanëve.

Sikurse kishte ndodhur me dashurinë e tij për pikturën, botë në të cilën të gjithë përpjekjet e Fishtës ishin autodidakte, pa studime të mirëfillta në një akademi arti, e njëjta sfidë ishte për të edhe në botën e arkitekturës. Ai vizitonte pafund muzetë e ndërtesat më madhështore të qyteteve më në zë të Evropës, studionte pa fund literaturën që mbështetej mbi arritjet e mëdha të mjeshtërve të Rilindjes, ndërthurjet dhe përputhjet e stileve më të njohura, ligjet e kësaj fushe tejet të veçantë e të vështirë njëkohësisht.

Rezultati i këtij pasioni të madh ishte i dukshëm. Sot të gjithë kureshtarët mund të zbulojnë gjurmë të madhështisë së Fishtës arkitekt, në të gjitha këto ndërtesa monumentale, mund të zbulojnë magjinë dhe frymëzimin e pazakontë që e kishte pushtuar poetin e madh, tek e fundit Fishtën në botën e artit figurativ, ana më e panjohur e kolosit të letërsisë shqipe.

Fishta në artet pamore, çfarë dëshmon At Leon Kabashi

Pader Leon Kabashi një prift i burgosur nga regjimi komunist ka lënë dëshminë më të mirë mbi figurën e Gjergj Fishtës në artet pamore. Ai ka qenë nxës i Fishtës dhe ëhstë nxitur pikërisht prej tij për të ndjekur studimet në fushën e arteve pamore. Studiuesi i Fishtës Tonin اobani tregon se e ka takuar vetë disa herë pader Leon Kabashin, pasi ai u lirua nga burgu në vitet ’90. Ishte njeri shumë i paqtë, dhe tregon me pasion mbi pikturën. Edhe në burg është marrë vazhdimisht me pikturë dhe muzologji. Pavarësisht arsyeve që e kishin çuar në burg ai reflektonte dhuntitë artistike e për këtë arsye njerëzit e rejgimit e përdornin për qëllimet e tyre, sidomos në fushën e muzeve. Pasi doli nga burgu për disa vite ka jetuar si frat i lirë në Lezhe e në Shkodër. Mbaj mend që i ndiqte me interes të gjithë ekspozitat e arteve figurative dhe reflektonte një përgatitje estetike të admirueshme. Për Fishtën fliste me adhurim dhe tregonte se Fishta ishte kujdesur posaçërisht që ai të vazhdonte studimet për arte figurative në Itali”. Në një nga bisedat mes tyre اobani kujton edhe titullin e një libri, i botuar në vitin 1943 për nder të një përvjetori të At Gjergj Fishtës.

Ky libër me titull “At Gjergj Fishta”, i përgatitur nga At Benedikt dema, përfshin një varg kumtesash e artikujsh kushtuar figurës madhore të Fishtës. Ndër to është dhe një material me kujtime e dëshmi të padër Leon Kabashit titulluar “A. GJ. Fishta ndër arte”, i cili flet për gjithë veprimtarinë e Fishtës në fushën e arteve figurative.

Në këtë material, Pader Leon Kabashi shkruan:

“Gjergj Fishta është një ndër prodhuesit, udhëheqësit dhe nxitësit kryesor të arteve të bukura në Shëqipëri. E them këtë jo vetëm se e kam ndier, por sepse kam pasur fatin të marr mësime e të drejtohem prej tij, për disa kohë dhe raste të ndryshme në Shëqipëri dhe jashtë saj.

Shenjat magjistrale të Lahutës së Malësisë a nuk janë pikturat më të bukura të ngjyrave më të zgjedhura? Lahuta është një pinakotekë e artit kombëtar ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, kostumet, shenjat, një depozitë motivesh kombëtare që u lihet piktorëve të ardhshëm. Gjergj Fishta deshi të realizonte të gjitha ato që i ndjente, por jo për faj të tij, hovet psiqike e ndeshën me vështirësi të vendit, kohën dhe mjetet e megjithëkëtë i përballoi, se kjo është një veti kryesore e një artisti”.

Kabashi kujton në këtë artikull se të shumtën e kohës së lirë Fishta e kalonte me laps në dorë duke endur studime arkitekture e pikture. Sipas Kabashit, Fishta shpesh thoshte: “do të kisha dalë arkitekt i mirë po të ishin sjellë rrethanat ndryshe”.

Fishta në botën e artit figurativ

Duket, që në fëmijërinë e tij Fishta do i ketë pasur në gjak për përparimet e ndryshme, i nxitur sidomos prej françeskanit italo-shqiptar Leonard de Martino si dhe të tjerëve që shihnin te ai cilësi fenomenale.

Kabashi shkruan se në Bosnje Fishta pati rastin të shohë ndryshimet prej vendit të tij. atje u dha shumë pas vizatimeve, gjë e cila dëshmohet, (sipas padre Leon Kabashit) “nga disa punime të ruajtura ku shprehet jo vetëm me kujdes e preçizion, por që edhe shpirti e mendja e tij ishin në dispozicion apo prirje të natyrshme nga estetika dhe artet e bukura”.

“Menjëherë pas luftës Ballkanike u njoha për herë të parë me tipin e lartë e të pashëm, fytyrën plot fuqi e shpresa të bukura, zemrën plot dashuri për bijtë e shqipes, mjeshtrin e parë timin patër Gjergjin që na mësoi vizatim në shkollën Fretnore të Shkodrës”, shkruan Padre Leon Kabashi, ndërsa kujton se “dy pikturat peisazhe të tij, varur në rruginën e shkollës, të punuara bukur me laps blu, për ne, mijra fëmijë, veshur, dikush me bradavekë e dikush me braktesha, ishin një nxitje e pandërprerë për edukimin e artit”.

Kush mendonte në atë kohë për levrimin e artit? Me këto mendime në kokë do të të quanin të çmendur, thotë Pader Leon Kabashi. Por në këto kushte, ndërsa Gjeçovi rrëmonte në heshtje duke zbuluar visaret e kombit, Fishta me fretërit e tjerë dhe mësues civilë shqiptarë edukonte rininë shkodranë e më gjerë në Shkollën fretnore.

Por, megjithëse pasioni i tij për pikturën nuk njihte kufij, gjendja e Shqipërisë që kërkonte shumë lëvizje patriotike në atë kohë, e detyroi Fishtën ti pezullonte disa herë planet e tij të saponisura.

“Kalonte disa herë kufijtë e atdheut, kaloi detin e oqeanin, atje ku e lypte nderi i Shqipërisë. Por në këto udhëtime nuk linte kurrë një rast t’i kalonte pa e shfrytëzuar, që të vizitonte qendrat e kulturës, pinakotekat, muzetë dhe qendrat më të famshme të gjenive të Evropës ku u takua me profesorë e njerëz të mëdhenj dhe përçoi në zemrat e nxënësve të tij shprehjet e thjeshta dhe të madhërishme të arkitekturës klasike të Rilindjes”, shkruan Kabashi, ndërsa kujton një detaj shumë të veçnatë me Fishtën në Itali.

“Ndiqja kursin e dytë të Akademisë së Pikturës në vitin 1933 kur më ra rasti të vizitoj muzetë e disa pinakoteka të Italisë bashkë me të. Jam bindur atëherë, se si dinte ai, pa qenë ndjekës i ndonjë Akademie për të dhënë gjykime e për të bërë krahasime të hollësishme, të shijonte bukuritë dhe shprehjet e brendshme të artit. Kur ndidheshim përpara ndonjë ndërtese arkitektonike vërtet të bukur unë nuk flisja. Ai vetëm ulej dhe për nja një gjysëm ore nuk i ndante sytë. Ajo ndërtesë organike e racionale korniqesh, shtyllash, hijesh e dritas i fliste shpirtit të tij si poet e si artist”, kujton Padre Leon Kabashi, ndërsa citon një thënie të Fishtës.

“Nuk do kisha dashur gjë tjetër” më pat thënë njëherë duke parë nga një ndërtesë, “vetëm të kisha qenë autori i saj”.

“Blinte libra, prodhime arkitekture e pikture të autorëve me famë që t’i kishte në bibliotekën e re të Kuvendit të Shkodrës duke menduar se dikujt do t’i vlenin ndonjëherë si aspirim. Nuk e lëshoi kurrë traktatin e arkitekturës Vignola duke studiuar vetë stilet dhe ligjet e proporcioneve të artit. Ishte aq i dhënë, aq ndjente shpirti i tij që të linte gjurmë në fillesat artistike në Shqipëri, të vinte themelet e para të çdo përparimi shoqëror ku më tej të rinjtë të vijonin të përmirësonin, sa siç më shkruante në vitn 1932 At Vinçens Prenushi, atëherë Provincjal i françeskanëve: At Gjergjit i kanë shpëtuar lotët kur mori vesh se Akademia e Arteve të Bukura e shkollës mistike të Sienës i dha Provincjalit një relacion të mirë në favor të dy akademistëve françeskanë shqiptarë”, shkruan Kabashi.

Sipas kujtimeve të tij vetë Fishta do të shkonte po në atë Akademi si inspektor në vitin 1936, atëherë kur një nxënës i tij fitoi konkursin e viti akademik në 1935. Në këtë rast Fishta u shpreh para të huajve “po provoj një ndër gëzimet më të mëdha e më të rralla të jetës sime, dhe më duket si ëndërr kur shoh sot që një bir shqiptari brohoritet për fitoren e merituar në art prej përfaqëuesev, profesorëve e konkurentëve”.

“Me laps në dorë“

Do të kisha dalë arkitekt i mirë po të ishin sjellë rrethanat ndryshe”, thoshte shpesh Fishta, në kohën kur pasioni për artin figurativ e kishte pushtuar të tërin. Nxënësi i tij pader Leon Kabashi, dëshmon në shënimet e tij se Fishta i madh të shumtën e kohës së lirë e kaloi me laps në dorë duke endur studime arkitekture e pikture.

Në muzetë e Evropës

Bashkëkohësit e Fishtës dëshmojnë se në udhëtimet e shumta të Fishtës jashtë Shqipërisë, poeti i madh nuk linte kurrë rast pa vizituar qendrat e kulturës, pinakotekat, muzetë dhe qendrat më të famshme të gjenive të Evropës ku takohej me profesorë e njerëz të mëdenj të artit figurativ.

Autodidakti

Fishta nuk e lëshoi kurrë traktatin e arkitekturës Vignola duke studiuar vet stilet dhe ligjet e proporcioneve të artit. Sa herë ushëtonte jashtë Shqipërisë, blinte libra, riprodhime arkitekturore e piktura të autorëve me famë të cilat i sillte në bibliotekën e re të Kuvendit të Shkodrës, që e kishte ndërtuar sipas ideve të tij.

Arkitektura

“Kisha e re e Motravet Stigmatine

Kisha e lagjes Arra-Madhe(Shkodër)

Kishës së lagjes Rus(Shkodër)

Kuvendi françeskan në kishën e Lezhës

Kisha e Rubikut.
Shqiptarja.com
 

jana80

Super Moderator
Staff member
Gjuha Shqype

Porsi kanga e zogut t'verës,*
qi vallzon n'blerim të prillit;*
porsi i ambli flladi i erës,*
qi lmon gjit e drandofillit;*
porsi vala e bregut t'detit,*
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,*
porsi ushtima e nji tërmetit,*
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.*
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,*
porsi gjumi m'nji kërthi,*
porsi drita plot uzdajë,*
porsi gazi i pamashtri;*
edhè ndihet tue kumbue;*
porsi fleta e Kerubinit,*
ka'i bien qiellvet tue flutrue*
n't'zjarrtat valle t'amëshimit.*
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,*
qi këtë gjuhë të Perëndis',*
trashigim, që na la i Pari,*
trashigim s'ia len ai fmis;*
edhe atij iu thaftë, po, goja,*
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;*
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,*
flet e t'veten e lèn mbas dore.*
Në gjuhë shqype nanat tona*
qi prej djepit na kanë thânun,*
se asht një Zot, qi do ta dona;*
njatë, qi jetën na ka dhânun;*
edhe shqyp na thanë se Zoti*
për shqyptarë Shqypninë e fali,*
se sa t'enden stina e moti,*
do ta gzojn kta djalë mbas djali.*
Shqyp na vete, po pik' mâ para,*
n'agim t'jetës kur kemi shkue,*
tue ndjekë flutra nëpër ara,*
shqyp mâ s'pari kemi kndue:*
kemi kndue, po armët besnike,*
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,*
kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.*
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,*
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,*
në këtë gjuhë edhe Kastriota*
u pat folë njatyne ushtrive,*
qi sa t'drisë e diellit rrota,*
kanë me kênë ndera e trimnive.*
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,*
gegë e toskë, malci e qyteta,*
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,*
mos ta lini sa t'jetë jeta,*
por për tê gjithmonë punoni;*
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,*
fisi juej, vendi e zakoni*
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,*
Nper gjuhë shqype bota mbarë*
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,*
ka me ju njohtë për shqyptarë;*
trimi n'za, sikurse jini.*
Prandaj, pra, n'e doni fisin,*
mali, bregu edhe Malcija*
prej njaj goje sod t'brohrisim:*
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!

- poezi nga Gjergj Fishta
 
Last edited:

Loyalty

Anëtar i Nderuar
Marak me mbeti qe nuk e bleva librin Jerina ose Mbretnesha e luleve
 
Top