Artan Gjyzel Hasani

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

DUKE Tث PRITUR TY…

Pritja i paska
minutat orë
orët ditë
ditët muaj
muajt vite
vitet shekuj
ku koha vdes...
po të pres prej vitesh…
prej shekujsh…
po të pres...
Pritja i paska ngjyrat të cuditshme,
të bardhën të zezë,
të zezën gri
grinë blu
dhe bluja sa lehtë kthehet
në një shpresë të gjelbër,
e vetmja gjë e gjelbër
në këtë vjeshtë të verdhë,
në këtë vjeshtë gri
në këtë vjeshtë të thinjur…
dhe unë po të pres
me dashurinë e bardhë
me pikëpyetjet e zeza,
i thinjur gri si vjeshta
me sytë blu drejt një reje shpresash
të gjelbërta…të gjelbërta…
Pritja paska muzikën e saj të pazakontë…
këngët pa fjalë,
muzikën pa nota
melodinë të ashpër
e unë duke të pritur ty
rënkoj muzikën
pa fjalë
pa nota
pa melodi
me zërin tim
të cjerrë
të ashpër
të tmerrshëm…
Pritja paska mallin e saj
ku
kujtimi dhe harrimi
përleshen
plagosen
vriten
e të përgjakur
ringjallen
se edhe malli paska
pritjen....
Pritja paska lotët e saj
të lodhur
të rëndë
plot trishtim
pritja ka edhe
fshirje lotësh
pritja ka edhe zgjim…
Pritja paska dashurinë e saj
të kuqe
rozë
të verdhë
dhe dashuria paska
pritjen e saj
të madhërishme
të heshtur
të thellë…

©Artan Gjy
zel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

Për vajzën që buzëqesh dhe skuqet lehtë...

kur bie mbrëmja ti ulesh e më lexon..
buzëqesh dhe skuqesh lehtë...
fluturat turbullohen...
dhe unë e di që për një çast...
pa fjalë...
më jepesh ashtu...
në mënyrën tënde...
buzëqeshur...
faqet skuqur lehtë...

pastaj ti largohesh ashtu...
në mënyren tënde...
heshturazi...
pa fjalë...
duke më lënë spërkatur me buzëqeshjen tënde...
............................
ah ajo buzëqeshja jote-
-parfumi im në shishen e huaj...

Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

PERDERISA...
përderisa është shpirti që papritur
femrën në ujëra të tjera e hedh...
përderisa është rrahja e zemrës që papritur
aq drithërueshëm qënjen e saj dredh...
përderisa është lëkura që papritur
rrënqethet nga prekja paralizuese e tjetrit...
përderisa është filizi i ri që papritur
mbin aq fuqishëm në rrënjet e të vjetrit...
përderisa anën tjetër të hënës
ende s’e ka parë askush…
përderisa poleni i jetës
shkretëtirat e vdekjes mbush…
përderisa dita ka agim dhe nata muzg
e muzgu s’është tjetër vecse hije e ndrojtur agimesh
përderisa heshtja është më e ngrohtë
se cdo diell rrëfimesh…
përderisa gjinjtë e saj të vakët papritur
djegin nën puthjen e huaj...
përderisa aq papërballueshëm
të rilindë dëshiron...
më thuaj...
vallë a nuk ndjehesh keq
kur "putanë" atë femër e quan?

(nga libri 'Misioni Paranoik" 2006)
©Artan Gjyzel Hasani[/SIZE]
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E DASHURISE

a jemi dashur vërtet ne të dy apo ëndërr ishte?
dashuria është një aksident, përplasje,
devijim, greminë, rrëshqitje,
një autombulancë gjithmonë e vonuar
transporton viktimat...ca për në martesë
e ca për në reanimacionin apo morgun e saj
njerëz që kërkojnë provat nga vendngjarje,
kurreshtarë ngatërrestarë, dëshmitarë okularë të verbër,
është pasojë e rrugës së keqe, e rrugës së lagur, e shpejtësisë
e parkimit në vend të gabuar, e krahut të gabuar,
pasojë e motit të keq...e shiut ...stuhisë...
mjegullës a verbërisë...pasojë e një gote më shume...
në tundimin e vjeter për t'u përhumbur...
por le të themi që ne duhemi ose akoma më keq,
që ne edhe mund të duhemi , dhe pastaj
le të njihemi edhe pse pak rëndësi ka
se cilët jemi në të vërtetë për sa kohë
që ne të dy ekzistojmë veç si mirazhe përsosmërie
në sy të tulatur nga mungesa e zgjatur
e dhimbjes dhe e frikës për çka vjen më pas...
le të themi që ne nuk duhemi ose akoma më keq,
që nuk jemi dashur kurrë dhe pastaj
le të harrohemi duke kujtuar që udha ishte e pafund
të ngushëllohemi për ikanakët që nuk vinë...
dhe për gurët që kërkonin shumë mund
t’ua vinim në shpinë sizifëve që shpikëm
për t’ua bërë më të lehtë në të kuptuar
mitologjinë tonë patetikëve të ardhshëm
dhe kurreshtarëve të anës tjetër të udhës
që guxojnë të shohin edhe gjëra aspak interesante
si lumturitë e padeshifrueshme të të tjerëve
dashuria ka etjen e saj fisnike dhe privilegjin
e të çmendurve që jetojnë jashtë mureve
alkimia që gurin e rëndomtë e kthen në ar
është shpirti i thellë triumfalisht i shndrruar në sy
por hej...
si ç ‘pyet im vëlla në statuset inkurajuese të facebook-ut
a nuk është sëmundja më e përhapur e syve
dashuria me shikimin e parë?
dhe uria e saj...
më e tmerrshmja e të gjitha urive e dashurisë është...
kur s’ka tjetër për të ngrëne e vetveten tret
dashuria ha dashnorët e shndrruar në kanibalë ...
pa lotë qan fatin e vet....ashtu në heshtje ngadalë
noton...mbush...derdhet...në kupën e të tjerëve.
mbytet e vetmuar në kupën e saj
e ngopur me hiç ikën trupit e poshtë zbret...
...........................................................
aty ku dikur hutoheshin fluturat
syri shpirtit i thotë “më fal”...
gjërat janë ndryshe kur errësira bie
iluzioneve u dorëzohemi ashtu si padashur
trullosur nga tundimet e pasiguritë tona
frikërat ua lënë vendin euforive
e këto ndrojturazi kthehen në hutim
vjen çasti kur lodhemi e s’kuptojmë dot
ajo që s’shohim në syrin e të verbërit fshihet
e vështirë, e pamundur, e padukshme
hieroglife kineze me të zezë vizatuar
tatuazh për lëkurën e dirsur të negrit...
por ti do i kuptosh këto veçse në dehje...e pirë
nga iluzioni i lehtësisë së papërballueshme të dashurisë
e mpirë nga kohët anestetike që do jetosh
kur mos të të dhëmbë asgjë në trupin tënd ...
asgjë...
asgjë veç meje…
Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

TORONTO - ORA ZERO PLUS DICKA (nga libri "Mekatari")

I rremë si iluzioni i ndrrimit të orës vjen mëngjesi
ne qytetin pa male ku sizifët gjerbin vetmi…
do dalë dhe dielli…
do dalim dhe ne nga shtretërit e ngrohtë…
do nisemi për në punë hypur mbi toyotat tona,
golfet , benzat, bmw-të, shevroletët,
pontiakët, kiat, hondat,
autobuzët, trenat, motorrët, biçikletat
dhe të armatosur me credit cards, debit cards,
credit lines, visa, master cards,
ëndrra gjumëvrara,
si dhe me ca të holla për kafenë tonë “Tim Hortons”
do arrijmë aty ku na pret menazheri
që ndërkohë po flet në telefon me një tjetër të pagjumë…
“hi”
“hi”
do varim në qafë badge-in ku shënohet
emri, profesioni, numri ynë
dhe do fillojmë punën…
më pas mesdita…
do bëjmë pak pushim që në gjuhën e tyre i thonë lunch…
do përtypemi në tasat plastikë
dhe do ndjehemi pa shije si ushqimet e tyre…
do hapim zemrat me pakistanezë, kinezë, gajanezë
kolumbianë, portugezë, italianë, rusë
ukrainas, azerë, afganë, arabë,
zezakë, të bardhë, indianë aborigjenë, eskimezë
flasim anglisht, por kuptojmë edhe spanjisht
spanglisht
punjabi
natyrisht edhe ca mandarin
të mësuar nga kinezja me emrin Roberta…
do flasim për faturat e papaguara te dritave,
telefoneve, celularëve, kabllove,
siguracioneve, taksat,
për pushimet gjithnjë të ardhshme në Kubë
Santo Domingo
Meksikë
Xhamajkë…
për uraganet dhe shtëpitë e lira në Floridë
dhe ndonjëherë
edhe për llojin e badge-s që nesër do varin në qafë
fëmijët tanë…
pasditja vjen mbi kurrize gjarpërinjsh të asfaltë
që na çojnë në vendin e duhur…
në kohën e duhur kur s’ka trafik...
dhe do mbrrijmë në strofullat bashkëkohore...
bashkëshortore...
me rentë,
mortgage…
condo...
house...
semi-attached…
single…
sipas rastit…
muzike trans nga dhoma e djalit
zhurmë enësh nga kuzhina e gruas
përplasje e këpucëve në korridor...
duhet t'i hiqja te dera...
“erdhe, burrë?"
“erdha…”
pastaj muzgu që gjithnjë më fshihet pas pemëve…
telekomanda…
lajmet…
“40 gra dhe fëmijë të vrarë sot në Afganistan”
“Tërmet në Kili përsëri”
“Zjarrfikësit heroikë të Torontos shpëtojnë jetën e një maceje”
“ Paris Hilton me dashnor të ri”
do vijë mbrëmja…
e nëse jemi me fat edhe hëna…
pas saj,
më në fund,
pas gjithckaje që ka ardhur dhe ka ikur kësaj dite,
nga rrugë të fshehta tastierash do vish dhe ti…
do më pyesësh “c’kemi?”
“hiç…të zakonshmet…”, do të të përgjigjem
“c’kemi?”, do të të pyes,
të zakonshmet dhe ti…
“natën”
“natën”
vjen mëngjesi përsëri…
Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

NOCTURN

është mbrëmje e jo rastësisht pranverë
varganë jargavanësh lule- zanafille çelur kanë
qetësi dhe zhurmë e heshtjes s’dëgjohet askund
ujvarë varrezash
mërmërimë e mermertë
mbi varrin bosh të Jaranit të Fundit...

zhvishesh...
shtrihesh...
epshesh epur...
s’je e bukur, por je lakuriq...
ndoshta edhe e bukur e s’kam sy të të shoh
për pak caste e lavdishme si çdo femër e cthurur
kur i thuren vargje si këto...

lavdi e lakuriqtë
mbi Harkun e Triumfit shkujdesur mbathjet var,
ndërsa një Ikarus pa I, pa krahë
dhe pa ca shkronja të tjera
mbi buzët e tua rrëzohet ngadalë...

hëna qirinj te shkrire mbi katedralet e gjinjve të derdh,
ndërsa ti në agoninë e përpëlitjes rrëmben qiellin…
e vjedh…
e shkul…
e bën tëndin
dhe me yjet e përflakur
i vë zjarrin tajgës së fundbarkut tënd...

më pas vjen nata
në vargjet e mia gjithnjë më pas vjen nata
errësohet shumë
dhe askush s’di çfarë ndodh
derisa Yll’ i Mëngjesit mes shalëve të tua
shuhet mes ethes pa u keqkuptuar
nga astrologët, rojtarët e varrezave
e nga mirembajtës katedralesh si unë...

në gjyqe yjesh mëngjesi paditur
e pagojë dita agon pa e ditur...

© Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

GRIMCA

DISTANCE

jemi mijera milje afer
dhe nje te shtune larg...
GJETHE NE ERE
në pranverë të përkëdhel me stuhi...
në vjeshtë të mbroj nga puhiza...
ORA ZERO
tashmë është vonë…
arrita kaq shpejt.
MIKESHثS Sث HUAJ
flisnim në gjuhë të ndryshme,
heshtnim në gjuhë të njëjtë…
PERGJIGJE TY...
nuk me lodh pagjumesia....
me lodh mungesa e endrres...
JETE
Erdhët të gjithë?
Tani mund të vdes i qetë vetmie...
© Artan Gjyzel Hasani
 

PiNkY

Anëtar i Nderuar
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

EDHE LIRIA ESHTE AJER, BIRI IM...


Kujdes, biri im,
është botë e shkalluar
shpirtërash të shëmtuar…
pak janë njerëz të lirë
shumica janë të cliruar...
nuk dinë të ecin vetëm…
ndaj zvarriten së bashku…
i pengon ajri më shumë se hekurat…
i pengon qielli me shume se kafazi…
por ti je akoma i bukur,
ke kohë të shëmtohesh
ndaj frikë mos ki
merre ajrin…
thithe...
mushkëritë mbushi...
formo tingullin...
rrokjen...
fjalën...
jeto!
ditën që do ndjehesh burrë
në frymëmarrje shpirti ta njohësh lirinë
e liria jote prangë e tjetrit
përpiqu të mos bëhet kurrë…
por kujdes
edhe liria ajër është...
ndotet shpesh...
mos harro!


##################################


JO CDO RENIE GJETHESH ESHTE VJESHTE...


gjërat nuk janë si ç’i di ti
tek fjalët e shumta fle hiçi
njërrokëshe është folja “di”
në Londër nuk janë të gjithë xhonsmith-ër
e jo çdo kosovar ka mbiemrin Krasniqi…

ja…afromu…
po shtyhem të të bëj pak vënd
dhe që të ta shpjegoj më thjeshtë
buzët jepmi të t’i puth
e më thuaj nëse je ndjerë kështu…
gjunjëkëputur si tani ndonjëherë…

se nuk janë njësoj puthjet
as stinët nuk janë…
e kur një syth dua të çel në ty
“është vjeshtë”, më thua
“gjethet tona prej kohësh rënë kanë...”

por jo çdo gjethe që bie është e verdhë,
jo çdo rënie gjethesh është vjeshtë
mund të jetë një pranverë e vrullshme
se gjethet nuk janë njësoj,
e njësoj nuk janë as stinët…
lëri amatorët e pasverës
të gëzojnë kur një gjethe bie
e të thonë “erdhi vjeshta”...
pyet dashuronjësit e pranverës
se cilat gjethe bien nga vyshkja
e cilat prej vrullit të erës…
të gjelbërta të gjitha...
 
Last edited:

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

F ishte një grua e martuar, mesuese fshati, që banonte diku pranë pallatit tim. Thonin që ishte shumë qejflie, nëse do të besonim mitologjinë erotike vendase, sipas të cilës femrat leshatore e gëzonin këtë dhunti të shumëdëshiruar. Mos harroni: jetonim në epokën kur depilimi kryhej vec në rastet e operacioneve mjekësore dhe being natural hairy konsiderohej modë.
Shkoja shpesh pasditeve te një shoku im që banonte përballë shtepisë së F.
Nga F kujtoj këmbët e gjata tërheqëse, gjinjtë e vegjël aromatikë, drithërimën e gjuhës gjarpërushe, si edhe dialektin e saj verior.
Me të pata një lloj lidhjeje disi të cuditshme që vazhdoi gjatë tërë stinës së verës të vitit tim të tretë të gjimnazit.Takoheshim sa herë që donte ajo. Nuk jemi palluar bashkë, por vec puthur dhe përkëdhelur në vendet me intime. Takoheshim në shtëpinë e saj ku i shoqi shpesh mungonte në kërkim të mineraleve nëntokësore që trevat tona i kishin me shumicë...
Ajo kishte përvec burrit, edhe një dashnor, por në intervale të ndryshme i pëlqente të puthej edhe me mua qe isha pothuajse gjysma e moshes se saj. Nga ajo kam mësuar the french kiss. Cfarë mësova më vonë nga femrat e tjera mbi artin e të puthurit ishin bashkëtingëllore të pazëshme të gramatikës së buzëve.
Sot ajo është thinjur tërësisht në prag të të shtatëdhjetave jeton ne kryeqytet me burrin e vet dhe është pronare e një koneje të vockël e të bardhë.
Muaj më parë i dhurova librin tim të fundit me dedikimin simbolik: "Mësueses që më mësoi më shumë se të tjerat!"
( nga "Labirinthe", 2006)
©artangjyzelhasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

Me R u njohem ne nje ceremoni varrimi ne nje dite plot shi. Po varrosnim nje mesuesin tone i cili kish vdekur ne gjume. Ndersa po degjonim fjalimin e rastit te mbajtur nga drejtori i shkolles sone ne nje moment kapa nje fraze e cila me shkaktoi nje nenqeshje sarkastike ne fytyre...Dhe cuditerisht pashe se te njejtin efekt ajo fjali kish shkaktuar edhe mbi fytyren e nje nxeneseje tjeter...diku mes turmes te stermadhe qe kish ardhur ne varreza per t'i bere nderimet e fundit te ndjerit mesues. Ajo nxenese ishte R. Veshtrimet tona ishin kryqezuar dhe kjo gje kish mjaftuar qe menjehere pas mbarimit te ceremonise ne te kerkonim me sy njeri tjetrin dhe te takoheshim e te flisnim per here te pare ne jete. Vajze interesante. "Interesante" per mua ne ate moshe maturanti quhej cdo vajze qe tregohej e interesuar per mua.
Brune simpatike syjeshile dhe tip i heshtur qe dinte saktesisht se cfare kerkonte nga rinia e saj, ne ndryshim nga shumica e moshatareve te saj qe kujtonin se rruga drejt nje dashnori kalon nepermjet lumit te pafund te fjaleve.
Relata ime me R kaloi dy periudha. E para ne dimrin e atij viti (nja dy muaj besoj...dmth nja tre kater takime seksuale... ) dhe e dyta shume vite me vone ne rrethana jo edhe aq rastesore...
Nga ai dimer kujtoj nje episod te lezetshem.
E kishim lene te takoheshim ne shtepine e nje shokut tim ate pasdite dimri qe behej mbremje qe ne oren 4 e gjysem...Meqe ai shoku nuk u tregua korrekt ne nuk dinim ku te strukeshim dhe keshtu u strukem ne oborrin plot bime dekorative dhe stola te mbuluar me debore te Muzeut te qytetit tone.
Ndersa gjetem nje vend te pershtatshem diku ne nje qoshe syte tane dalluan edhe nje cift tjeter qe po zhgerryhej mbi debore disa metra larg nesh pas nje kacubeje...(Te nesermen mora vesh se ata kishin qene nje cift interesant dashnoresh i qytetit..nje nga ciftet me heroike dhe te guximshem qe demonstronin lidhjen e tyre pa ua bere terr syri edhe pse qe te dy ishin te martuar dhe kishin familjet e tyre respektive...)
Ne ate kohe me shkoi ne mend nje ide fantastike. Une kisha mundesi te siguroja brenda pak minutave celsin e muzeut nga dikush qe e dispononte...
Keshtu...nje gjysem ore me vone Oda Karakteristike e Muzeut po degjonte per here te pare jo zerin e ciceronit, por renkimet tona...e sidomos te sajat...ndersa nje lekure stermadhe ariu (ne mos gaboj) deshmoi te ishte water proof nen djerset dhe avujt e trupave tane...
Nuk e di se ku mund te ndodhet sot R...
( nga "Labirinthe", 2006)
©artangjyzelhasani
 

PiNkY

Anëtar i Nderuar
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

RERE DHE ZJARR
jam rërë brenda qelqit tënd
ora e rërës që mat kohën tënde të humbur
sa herë të duket sikur mbaroj
më kthen përmbys
e gjithçka nis nga e para
brenda qelqit që nuk e thyej dot…
por jam edhe zjarr që dot s’e shuan
më vjedh pa shumë mund
Prometenjtë e tu digjen rrugës,
pa arritur të më falin askund...
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

GRAVITACIONALE (nga libri "Mekatari")

do vijë një ditë kur nga mungesa e peshës
shpirti do më rëndohet
dhe asnjëra nga gratë që në shtratin tim fjetën...
për mua s'do të ketë më rëndësi…
të ligjshme
të paligjshme...
vejusha...
virgjëresha...
të dashura
dashnore...
perëndesha...
kurva...
karakurva...
të një nate…
bashkëshorte...
të miat
të tjetrit...
të serta…
të urta...
zonja...
mantenuta...
putana...
prostituta...
që prehjen torturuese në krahët e mi gjenin...
do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
ti GRUA që të femërova me hijen time mbuluar...
do mbetet mendje e cmëndur që s'mban mënd asgjë
dhe rafteve të harresës kujtimesh gdhendur
vargjet mëkatare që për ty kam shkruar…
……………………………………
do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
dhe po atë ditë kam për të vdekur...
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

DESTIN
pendimet e mia pafund
dhe prapë trok’ i zemrës pafund...
ëndrra të abortuara dhunshëm
zgjime në momentin jo të duhur...
cka të tjerët e arritën lehtë
për mua ah sa mund...
fëmijë një natë vere yjet që binin doja t’i prisja
dhe plot dëshirë duart zgjata unë..
prita një jetë sa duart m’u lodhën
e kurrë s’i kapa se ranë larg shumë…
të nesërmet e mia gjithnjë ishin pulëbardha
në detin blu më joshën të notoja larg shumë…
e kur pranë tyre arrita…sa pranë…ah sa prane…
s’ishte gjë tjetër vec e valëve shkumë…
vjeshtat e të tjerëve pranverave të mia hedhur
udhëve aq të ndryshme mbi të njëjtin gur penguar…
rrudhosur këndet e syrit...
vështrimi po ai…
dritarja ime në murin e gabuar…
në ëndrrën time gjithmonë i huaj
kujtimeve të të tjerave harruar
zgjimeve pas epsheve përgjumur
dëshirave krahëprera mohuar
ferrparajsash gjithmonë i humbur
sa orë..
sa ditë..
sa muaj...
ndoshta paska qenë vërtet e shkruar,
fluturimet të më mbaronin kaq shpejt…
po vallë përse o Zot u bë si c'deshe Ti,
sa herë që bëra si c'desha vetë...?

(nga libri "Erotika")
©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

KAM VDEKUR SHTATE HERE SOT…


…por ti s’e di
askush s’di gjë për vdekjet e mia
shtatë sa mrekullitë…
ishte herët mëngjes
një zog që e gjeti të prishur strehën
më kujtoi foletë që dikur kisha
dhe u mbyta në filxhanin e kafesë…
ishte ora 8 kur ndodhi e dyta
i telefonova shtëpisë sime në Shqipëri
“Alo…mami...si je?”
pastaj u kujtova që aty nuk banon më askush
tymosa një cigare dhe vdiqa…
e treta do të ketë qenë në mesditë
kur ndërsa shihja veten në pasqyrë
sytë e tim eti më thanë
“nuk ia vlen, sado që të përpiqesh, biri im,
gjithnjë do të ndodhë diçka
dhe fundi do të të duket fillim…”
në 4 pasdite ndodhi e katërta
kur u ktheva nga puna për në shtëpi
kontrollova në kutinë postare
veç zarfa bankash, fatura dhe gjoba,
asnjë letër dashurie…
e pesta ndodhi në muzg
i tronditur nga buzëqeshja e tij
u përpoqa t’ia fshi lotin një kllouni
nuk munda, ndaj ia hoqa maskën
dhe isha unë ai…
tjetra si zakonisht në mbrëmje
kur të gjitha pemët e botës më duken mimoza
zgjata duart t’i përkëdhel, por ato nuk ishin
në atë orë unë gjithnjë bëhem pluhur
rërë në erë…
pjalm endacak…
vdekje aromatike…
me puthjen e jetës më ringjalli nata
për t’i varrosur gjashtë vdekjet nëpër vargje
ia lexova mungesës tënde
dhe kjo ishte e shtata…
© Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

DIT' KOTI

e lodhshme kjo ditë
si një cështje nderi...
iku agimi…
i vrenjtur qielli
me ngjyrë ndëshkimi mëngjesi dënuar
për atë që kurrë nuk di se ç’do
të trembura guguçet...
të hutuara si vajzat
kur për herë të parë u vinë ato….
në mulli të orës si kuajt në lëmë
akrepat bluajnë shifrën 12
e mërzitshme si martesë mesdita
vetëmashtruese si divorc pasditja do të jetë…
në muzg flokëve të tu u vjen era rastësi
magjike mbrëmja
e hijshme si gruaja
kur menopauza vonon t’i vijë…
me pas do vijë nata…
e dashura ime nata...
kjo zonjë pa gëzime që më mbyll sytë
sa herë që vetvritem me një ëndërr dalëboje
është vejusha ime...
pastaj do fle i vetëm…
i vetëm vet’ i dytë…
(nga libri "Mëkatari")
©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

E AVULLT
rri si ç’je…mos ndrysho…
edhe nëse kjo gjë kërkon shumë mund…
femra në gjendje natyrore është avull
e ngrohtë
e pakapshme
eterike
rri e avullt, vajzë,
larg akujve
dhe njerëzve të ftohtë…
larg njerëzve pa kujtime…
perndryshe
do të të kondensojnë
pikë
pikë
pikuar
alkool nga ty do nxjerrin
do të të pinë
do të dehen me ty
derisa të të vjellin…
pikë
pikë
pikuar
në bulëz parfumi do të të shndrrojnë
do të të mbyllin në një shishe
dhe vetminë e tyre do spërkasin
sa herë që të kenë nevojë…
…………………………………
brenda kafkave bosh
do të të bënin kujtimin e tyre të vetëm
dhe e vetme atje do të ngrije...
(23 Dhjetor,2011)
©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

RREZJA E DRITES NGANJEHERE....

nganjëherë është më mirë të ecësh në terr,
lexuese e dashur...
të kapërcesh atë që s’sheh...
të pengohesh te ajo që s’njeh...
të rendësh drejt feksjes në errësirë...
të mos shohësh nganjëherë është më mirë...
të lexosh atë që do dhe jo atë që rrëfehet...
të dëgjosh melodinë e një kënge që kurrë s’këndohet...
të ndjesh atë që do dhe jo atë që ndjehet...
të bësh të pashlyer kujtimin që ia vlen të harrohet…
nëse një rreze drite për ty do të thyej,
shpirti yt mes gabimesh të njohura më s'do të jetojë...
imazhet e gënjeshtërta me të vërteta do të përlyej
e kushedi ç'makthe të panjohura rrezja ime do të ndriçojë...
se shpesh drita është një demon i ri
kafshuese e pangopur e ëndrrës dëshirëplotë
vrasëse e pamëshirshme e varrmihëse përsëri
e mëkateve të errëta pa të cilat s'jetojmë dot...
(2006)
©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

NJE POEME E PAKOMPLIKUAR PER NATEN E SHTUNE...

mbaroi dhe java e lodhshme e punës
në zyrat e akullta s’ka mbetur më njeri
tunduese shfaqet mbrëmja e së shtunës
e avullt…
joshëse…
turbulluese…
si këmbët e një femre kur del nga taksia
në rrugën ku pak më parë ka rëne shi…
e ti sonte mendjen e ke ndarë
të zbresësh në downtown
të marrësh duke dhënë
kur t’i dhurosh dikujt
ndonjë kënaqësi të ndaluar
mishtore…
të ngrohtë…
rastësore…
mund të jetë një prostitutë gazmore ajo
shtëpiake hallexheshë në liridalje…
një virgjëreshë simbolike
a studente imcake mosbesuese
me gjoks të hedhur e të plotë…
apo një vejushë ndërgjegjevrarë marinari
si katedrale e vjetër besimtari
ku gjinjtë këmbana s’bëhen dot…
rrëshqit drejt qendrës së qytetit
bashkë me rrëketë e shiut anash trotuarëve
dhe aty ku dritat e bareve
si yje të abortuar qiejsh jetimë
mbi çadrat e lagura pikojnë pikëllim….
dikush që do këtë nevojë për vetminë tënde
sonte kësaj nate diku aty rrotull do të jetë…
mund të të kërkojë një çakmak a shkrepse
por edhe mund të mos të të kërkojë asgjë
kur ti të ndalosh hapat për të ndezur një cigare…
shëtiti me rradhë baret e rrugët
hidhe spirancën diku…
pranë femrës së vetmuar te banaku ulu
pi bashkë me të
dhe nxito t’ia japësh kënaqësinë e ndaluar...
shihe thellë në sy …
puthe edhe më thellë në buzë
e kur ajo më shumë të dëshirojë
gjashtëmbëdhjetë centimetrat e tu
(nëse ajo do të jetë me fat)
edhe tetëmbëdhjetë mund të shkojnë…
por kujdes...
mund të jetë edhe ndonjë beqare
që kurre s’di ç’kërkon…
që i duket se jeta s’ka çfarë t’i japë më…
ndaj kohë mos humb
me vajzat e hutuara
nga mosha dhe sëmundja e lirisë
ku gjithshka u lejohet
e s’u ndalohet asgjë…
Zotit mos i kërko më shumë
veç lutju të jetë e martuar…
për mollën e ndaluar do dijë të të falenderojë
në mënyrën e saj
edhe sikur vetëm në heshtje…
ashtu…
mirënjohëse…
pa fjalë…

(nga libri "Mekatari")
©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Titulli: Artan Gjyzel Hasani

MUNGESE PESHE

e shpikim lehtësisht tjetrin brenda nesh,
atë veten tonë tjetër, pra,
fshehur nën të njëjtën lëkurë
që të kemi dikë për të fajësuar
pa i dhënë shpjegime askujt
e pastaj e kryqëzojmë, siç dime vetë,
në udhëkryqin e paudhësive tona
ku e zeza i lë vendin të bardhës
dhe duarlarë largohemi të lehtë
e ashtu të lehtë na merr era
pa veten fajtore
lehtësisht në fajin e radhës…
©artangjyzelhasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
KOHE E MARRE BORXH

sekuencë bardhezi dashuria jonë …
mbarsur me deja-vu që ndërpriten
sa herë që hamsteri lodhet
në rrotën ku si film tirret jeta
në çastin kur dua të të dhuroj
në mungesë të kukullës një fëmijë
a një mbajtëse argjendi lotësh
se lotët e tu janë vepra arti
nuk duhet t’i thaj, as t’i fshi…
ne të dy i ngjajmë San Françiskos
me Alkatrazin e mallit përballë
Golden Gate është gojë, gjuhë,
s’kalojnë makina, veç puthje dhe buzë
prangë e artë kyç duart e zgjatura të urave
me çelësin e hedhur në oqean…
si gjarpëri ndër lule trullosen frikërat
në udhën e bukur Lombard…
jetojmë në kohë të marrë borxh,
nga jeta e dikujt që s’ekziston
dhe duhet ta shpikim si fallin
dikë që nuk na lexon në duar fatin
por në rrudhat ku zënë fill thinjat,
udhën e padukshme të lotit
para se të japë shpirt në sy
gjurmët tona në baltën e të tjerëve
ballin ku koha i brazd të gjitha…
duhet kurajo për të shpresuar te drita
edhe kur tuneli duket labirinth…
u lodhëm nga orët dhe miljet,
urgjencat e durimit dhe spitaleve,
varrezat e ëndrrave dhe fjalëve
vetja dhe hijet
duhet dëshirë për të mbetur
kur koha e vjedhur mbaron
dhe si orë pa akrepa të lë
...........................................
dashuria nuk është luftë, e dashur,
edhe pse duhet luftuar për të…

(nga libri "OVAL")
©artangjyzelhasani
 
Top