Ahtisari vadit bahçen!

Ado

FISEBILIL-LAH
Skender Limani

1. Këto ditë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për dialog Prishtinë–Beograd, Endru Llejdlli (Andrew Ladely), propozoi që doganat, policia dhe gjykatat në veri të Kosovës të funksionojnë të pavarura nga sistemi qeverisës kosovar, përkatësisht, të pavarura nga ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, deklaroi që zbarkimi i EULEX-it në Kosovë do të bëhet në muajin dhjetor. Ai u shpreh në favor të negociatave që po zhvillohen mes UNMIK-ut dhe Beogradit duke thënë që ato nuk paraqesin përfundimin e tërë të procesit!

2. Sipas këtyre deklaratave, çështja e Kosovës ende nuk është përmbyllur. Edhe pse kemi shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të këtij viti, edhe pse kemi deklarata nga të gjitha partitë politike në pozitë dhe opozitë që Kosova do të instaloj demokracinë dhe me këtë do të mbrojë të gjitha pakicat, posaçërisht pakicën serbe, çështja e Kosovës, jo vetëm nga Serbia por edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, mbetet e hapur.

3. Sido që të jetë, negociatat e zhvilluara në Vjenë mes Prishtinës dhe Beograd tashmë kanë filluar të zbatohen në terren dhe praktikisht në politikë. Duke e pasur këtë parasysh, del të jenë deklaratat e brendshme të pushtetit politik në Kosovë ato që më së shumti po shkaktojnë huti në opinion/shoqëri dhe më pas pasoja politike për Kosovën. Të ndërtojmë një kronologji.

4. Negociatat e zhvilluara gjatë vitit 2005-2007, mes Prishtinës dhe Beogradit, rezultuan me një pako që njihet si Dokumenti i Ahtisarit. Ai është dokument i cili, faktikisht, praktikisht dhe ligjërisht, i hapë mundësi edhe Beogradit, edhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, që të kërkohet zbatimi i saj pikë-për-pikë, edhe pse Beogradi nuk e ka pranuar këtë Dokument. Zhdërvjelltësi politike e Beogradit? Duket që po!

5. Gjuha diplomatike e përdorur në këtë Dokument, në një mënyrë ose tjetrën, parasheh ndarjen e Kosovës edhe administrativisht edhe politikisht, edhe territorialisht. Autonomia politike-territoriale për veriun e Mitrovicës (plus Zveçanin e Leposaviqin e Zubin Potokun), decentralizmi, përkatësisht, krijimi i komunave të reja në Kosovë, ku shumica nga to do të jenë serbe, pastaj krijimi i eksterritorialitetit përmes objekteve fetare-kulturore, janë disa nga pikat që i parasheh Dokumenti i Ahtisarit e që i ka pranuar me vullnet të plotë dhe të lirë pala Kosovare.

6. Megjithëkëtë, duket që pjesa Kosovare e udhëheqësve politikë, të mos ketë medituar, analizuar e trajtuar mjaft hollësishëm gjuhën ose të dhënat diplomatike të shkruara në Dokumentin e Ahtisarit. Ose, krejt kjo është lojë politike-mediale-publike që i servohet opinionit të brendshëm Kosovar nga ana e politikanëve kosovarë? Duket që po!

7. Kjo thuhet kur kihet parasysh deklarata e ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Ceku, i cili, pas propozimit të të dërguarit të OKB-së, propozon që Veriu i Mitrovicës të shpallet zonë e veçantë e interesit Kosovar ku, siç thotë ai, të mos përjashtohet as mundësia e përdorimit të forcës në mënyrë që të vihet kontroll në këtë pjesë të Kosovës. Agim اeku ishte prijësi i negociatave Prishtinë-Beograd, të bashkërenduara nga finlandezi Marti Ahtisari, i cili para disa ditësh fitoi çmimin Nobel për angazhimet e tij politike nëpër shtete të ndryshme botërore për të ndërmjetësuar në zgjidhje paqësore për konflikte politike.

8. Kjo qasje bëhet edhe më interesante kur kihet parasysh edhe deklarata e tjetrit pjesëmarrës në negociata Prishtinë-Beograd, publicistit Blerim Shala, i cili thotë që qasja e kryenegociatorit Marti Ahtisari ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës ka qenë pavarësia me mbikëqyrje të përkohshme ndërkombëtare. Edhe një herë dhe më konkretisht, duket që pala Kosovare është hipnotizuar me këtë formulim “pavarësi e mbikëqyrur për Kosovën”. Pala Kosovare duket që nuk ka tentuar që të zgjedhoj se çfarë i bie kjo në terren/praktikë, në realitet.

9. Për më tepër, tema aktuale për ndarjen administrative të Kosovës nga vet përfaqësuesi i OKB-së bëhet edhe më nxitëse duke pasur parasysh deklaratën e nënkryetarit të AAK-së, Bajram Kosumi, i cili thotë që “nëse dikush flet për plane për veriun e Kosovës atëherë edhe Prishtina duhet të ngre për diskutim çështjen e Luginës së Preshevës”. Dokrra dhe retorikë politike? Duket që po!

10. Tashti, kur përmbyllen krejt këto deklarata të kosovarëve, shihet që secila nga to sjell qasje të dallueshme/ndryshme dhe tjetër politike. Për më tepër, marr në përgjithësi, deklaratat e tilla ashiqare qesin në sipërfaqe mungesën e vizionit politik për Kosovën.

11. Megjithëkëtë, duket që ekziston një qasje dhe perceptim tjetër politik, por që opinioni Kosovar ende nuk është i gatshëm ta pranojë, bile, së paku, jo publikisht: ndarja e Kosovës të jetë nxitur dhe kërkuar nga vet pala kosovare (ndërsa pjesa tjetër e mbetur t’i bashkohet Shqipërisë?). Sepse, politikisht (dhe logjikisht) është e pamundshme që pala kosovare, në bisedimet Prishtinë-Beograd në Vjenë, të pranojë me aq lehtësi atë propozim, atë dokument të çuditshëm finlandez.

12. Ndërkohë, zyrtarët politik të Serbisë vazhdimisht kanë kundërshtuar pavarësimin e Kosovës, sipas tyre, nga Serbia. Por, sido që të jetë, politika e tyre karshi Kosovës, nuk ka të ndalur. Njëra nga aktivitetet politike të ndërmarra kohëve të fundit ishte dërgimi i “pavarësisë së Kosovës” për t’u trajtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Beogradi, me këtë, kërkon që pavarësia e Kosovës të shpallet e pavlefshme ligjërisht por në aspektin ndërkombëtar – sepse Beogradi veç e ka shpallur pavarësinë e Kosovës të paligjshme, pavlefshme dhe të njëanshme ndërkombëtarisht (kujto kandidatin për presidentë të SHBA-ve, Barak Obama, i cili publikisht premton që SHBA-të, nën presidencën e tij, nuk do të ndërmarrin asnjë hap të njëanshëm politik askund në botë).

13. Me këtë logjikë politike, pa marr parasysh se cili do të jetë vendimi/propozimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Beogradi po përfiton edhe hapësirë, edhe terren politik por edhe përkrahje ndërkombëtare në veprimet e veta, bile edhe nga SHBA-të.
 
Last edited by a moderator:

jana80

Super Moderator
Staff member
u hapen vizat ks?
 
Top