• Në 21 shkurt, 3 javë më parë, Italia kishte në total vetëm 16 raste me koronavirus,aq sa ka pak a shumë Shqipëria sot. Papërgjegjshmëria bëri që Italia të ketë afro 15 mijë të prekur, 1000 të vdekur e 2000 të tjerë në gjendje kritike dhe të shpërndajë virusin në gjithë Europën. Urojmë që të gjithë të bëhemi aq të përgjegjshëm sa mos të bëhemi pas 3 javësh, ajo që është Italia sot.

Zbulohet në Durrës fari 2300-vjeçar

WxP

Antarë i Respektuar
• Artur Korriku

Një far antik është zbuluar në qytetin e Durrësit. Arkeologët thonë se ky far ndriçues rreth 2300 vjet më parë iu shërbente anijeve tregtare që mbërrinin në portin detar. Zbulimi është njoftuar gjatë një seminari në qytetin e Durrësit mbrëmjen e së enjtes, nga specialistët shqiptarë dhe italianë, që po kryejnë fushatën e pestë të gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin roman të qytetit.
Gërmimet
Gjatë këtij seminari u paraqitën për herë të parë për publikun rezultatet e një gërmimi të rëndësishëm, i cili u drejtua nga Departamenti Arkeologjik i Durrësit gjatë muajve të kaluar. Gërmimet e drejtuara nga prof. Afrim Hoti u kryen në lagjen nr.3 rruga "H. Troplini", Durrës, ndërmjet sheshit qendror të qytetit dhe portit aktual. Zona e gërmuar ka zënë një sipërfaqe prej 372 metrash katrorë dhe ka arritur një thellësi prej 4.30 m. Por arkeologët i kanë ndërprerë gërmimet për shkak të rritjes së nivelit të ujit dhe shndërrimit të tij ne një moçal, çka duket edhe tani. Specialistët kanë njoftuar se janë zbuluar mbetje të periudhës greke, klasike të vonë, helenistike, romake dhe mesjetare. Në urgjencën e dokumentimit të strukturave të zbuluara para se të përmbyteshin dhe me qëllim interpretimin e kompleksitetit të dukshëm, Departamenti i Arkeologjisë së Durrësit kërkoi mbështetjen shkencore dhe teknike të misionit arkeologjik italian, që në të njëjtën kohë po punonte në gërmimet e programuara në amfiteatër. Ekipi i këtij misioni: prof. Sara Santoro, Barbara Sassi, Alberto Monti, Mikele Ferrarini, Mirela Kocollari, Silvia Gregori, dhe Roberto di Febo kanë realizuar një rilevim dhe një përshkrim e dokumentim të strukturave, së bashku me një hipotezë të parë interpretimi që bazohet mbi kuotat, teknikat e ndërtimit dhe tipologjitë e mureve.
Zbulimi
Strukturat e zbuluara janë interpretuar si magazina dhe oborre, korridore, urëza dhe kanalizime urbane, mbetje të ambienteve publike të një lagjeje portuale e pajisur mirë. Megjithëse me orientime të ndryshme, të gjitha strukturat kanë një degradim drejt detit (lindjes). Në anën veriore të gërmimit një strukturë rrethore me diametër 8 m, e realizuar me mure të jashtëm dhe qoshe prej guri dhe të mbushura më llaç, është interpretuar si një kullë e sinjalizimit me dritë (far) dhe që bënte pjesë në sistemin kompleks në portin e vjetër, të famshëm dhe shumë të frekuentuar të Durrësit. Sipas teknikës së ndërtimit, struktura është e datueshme në fund të shek. 4, deri në fillim të shek. 3 para Krishtit. Teknika e tij e ndërtimit është krejt e ndryshme nga ajo e fortifikimit e periudhës së antikitetit të vonë në Durrës, si nga bazamenti rrethor në qendër të Forumit Bizantin dhe që duhet të shërbente si mbajtëse e një statuje mortore. Lidhja me magazinat, urat, sistemin hidraulik dhe cisternat, i jep më shumë jetë hipotezës se kemi të bëjmë me strukturat e një fari.
Faret
Faret antike greke e romake te njohura në detin Mesdhe janë pothuajse 100. Burimet e shkruara dhe paraqitjet në piktura, skulptura dhe në monedha janë shumë të dendura, sepse fari ishte një monument që shërbente edhe për manifestimin e fuqisë së sundimtarëve si dhe për shfaqjen e teknikës dhe teknologjisë ndërtimore. Vetëm 20 nga këto fare njihen nga mbetjet e tyre arkeologjike. Më i famshmi prej tyre, Fari i Aleksandrisë, që ishte një nga shtatë mrekullitë e botës, ka humbur përgjithnjë. Ndërsa fari i ruajtur më mirë ndodhet në La Korunja të Spanjës, dhe këtë vit ka marrë titullin e Monumentit të Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit nga UNESCO.
Me këtë rast, në muajin qershor në një kongres ndërkombëtar ku ndodheshin specialistë të fareve antike nga e gjithë bota, u prezantua hipoteza që zbulimi i Durrësit ishte një far. Hipoteza u mbështet nga studiuesit: forma e rrumbullakët është tipike për faret e Mesdheut Lindor, dhe përqasja më e afërt janë tre faret e ishullit Thasos të epokës greke dhe të atij roman të sapo zbuluar në Patara në Turqi. Bashkësia shkencore ndërkombëtare uron që gërmimet e reja me mjete financiare të përshtatshme të mund të konfirmojnë këtë hipotezë shumë tërheqëse dhe të kërkohen të gjitha mjetet për të ruajtur dhe për ta bërë të vizitueshëm nga publiku këtë monument antik kaq të rëndësishëm dhe të çmuar. Bashkia e Durrësit, e cila punon në bashkëpunim të ngushtë me Projektin Pilot për realizimin e Parkut Arkeologjik Urban, e ka futur këtë pjesë në konkursin e ideve për riprojektimin arkitektonik të sheshit qendror të Durrësit.

Gazeta Shqiptare
 
Top