• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Variacione mbi temën “Majakovski‘”

Nga Fatmir Minguli

(Pёrsiatje mbi futurizmin dhe perkethimin e Moikomit te Majakovskit)

Nuk ёshtё as e papritur dhe as e ezauruar tё trajtosh poezinё e njё poeti tё shekullit tё kaluar.

Gjithashtu nuk ёshtё as normale pёr tё mos nxjerrё mёsime jo vetёm nga poezia e njё poeti, pa marrё mbase fare parasysh jetёn e tij, por ёshtё normale qё paralel me poezinё e aksh poeti tё trajtohen dhe idetё e tij.

E kam fjalёn pёr poetin ruso-sovjetik Vladimir Majakovski.

Jo rastёsisht po trajtoj kёtё poet dhe poezinё e tij, kur ndoshta mund tё merresha edhe me Pushkinin apo Lermontovin, apo dhe me ndonjё poet tjetёr shumё tё njohur nga bota ruso –sovjetikesi psh Voznesienskin a Bagrickin.

Janё disa faktorё jo tё zakonshёm qё mё detyrojnё tё marr nё konsideratё, nё njё lloj pёrsiatje, Makjakovskin, idetё dhe poezinё e tij, kohёn kur ai shkroi dhe jetoi.

Ai lindi nё vitin 1893 dhe vrau veten nё vitin 1930.

Fakti qё nё vitin 2018 poeti Moikom Zeqo botoi librin „Vladimir Majakovski- poezi futuriste Shtepia botuese „Zenit „- me pёrkthimin e tij brilant, ёshtё njё arsye mё tepёr pёr tё marrё pёrsipёr njё analizё sado tё thjeshtё pёr kёtё poet jo tё zakonshёm.

Ai, Moikomi, gjithashtu ka shkruar shumё poezi pёr Majakovskin nё njё periudhё tё gjatё kohe.

Perkethimet e Moikomit jane te hereshme , qe nga viti 1970, sic deshmohet nga ditaret e tij dhe libri i botuar ne 2018 „Laboratori i enderres „.

Ndoshta botimi i „Zenitit „eshte libri me perkethimet me elegangte dhe me afer origjinalit majakovskian, sepse Moikomi me dore mjeshtri neo-futurist konstruktoi ne nje shqipe te ndriteshme dhe te prekeshme „Revolucionin Metaforik te Majakovskit „-si askush nga perkethyesit e meparshem.

Perkethimi i pare mjeshteror i poemes „Re me pantallona „eshte bere qe ne vitet 60 te shekullit te kaluar nga Ismail Kadare.

Por poemat e Majakovskit i ka shqiperuar edhe Lasgush Poradeci dhe sidomos Luan Rexhepi.

***

Por dhe poeti tjetёr, Faslli Haliti, pёrktheu artikullin e kritikut italian Vitori Strada, nё vitin 2005 me titullin „Ç’tё bёjmё me Majakovskin‘‘ ose sipas origjinalit ,,Si ta lexojmё Majakovskin‘‘.

Po ky poet ka botuar poezi tё Majakovskit nё librin “ Pesё poema tё Majakovskit“ si dhe njё sёrё artikujsh tё kritikёs italiane dhe ruse pёr Majakovskin.

Eshtё e vёshtirё tё klasifikosh Majakovskin sepse jo vetёm qё koha e largon pёrherё e mё tepёr por njёkohёsisht edhe e afron duke shpalosur ato veti tё poezisё dhe tё ideve tё tij. Majakovski ka elementё tё rrebelimit nё poezi, jo vetёm nё formёn e saj por edhe nё stilin dhe mesazhet qё ai kёrkonte tё emetonte nё eterin letrar tё kohёs.

***

Por tё kuptosh Majakovskin duhet tё jesh mjeshtёr i metaforёs siç ёshtё poeti Moikom Zeqo dhe tё jesh rebel siç ёshtё poeti Faslli Haliti, i njohur pёr peripecitё e tij nё kohёn e monizmit.

Untitled-1-234x300.jpg


Majakovski bёri minimin e strukturimit te metaforave standarte.

Moikom Zeqo thotё se :

„ Se ai e hodhi kёtё standart nё erё!-Majakovski shpiku „bombat shpirterore“ dhe krijoi nje epoke kozmike te lartesive te poezise se lire dhe emancipuese.

Majakovski nuk ka nje te ngjashem qe nga Homeri e deri me sot.

Ne kalendarin e shekujve ai eshte nje Promete qe kerkon nje Univers te Ri.“

***

Ndodhi mё pas qё poetё si Asajev dhe Jevtushenko imituan vargjet e thyera,- por vetёm nё formёn e jashtme, se siç shprehet vetё Majakovski pёr Asajevin se ai nuk mundi tё fuste shpirtin nё atё imitim.

Pёr vargjet e thyera tё poezisё sё Majakovskit, Marina Cvetaeva në esenё e saj pёr Majakovskin shkruan:

,, Majakovski nga e gjithё veprimtaria e tij kishte vetёm njё rrugёdalje tё vetme, poezinё.

Qё kёtej rrjedh fiziciteti mahnitёs, ai muskulizitet herё- herё mbytёs, agresiviteti trupor i vargjeve tё tij.

Luftёtarit iu desh tё shtrёngohej i tёri nё hapёsirёn e rreshtit. Sё kёtejmi rrjedhin dhe metrat e tij tё thyer.

Vargu u kris krejt me shpёrthimin e Majakovskit, thyhet dhe s‘thyhet gjatё lidhjeve. ,,



***

Por nuk ishte i vetmi shpёrthim i Majakonskit, thyerja e vargjeve, ishte dhe tendenca e tij, dhe i tё vetmit poet rus apo sovjetik qё tё ndryshonte gjithçka.

Mbasi kishte punuar nё Agjensinё publike tё komunikimeve ROSTA nё 1922 Majakovski themeloi Frontin e Majtё tё Artit me qёllimin e vetёm tё shkatёrronte tё vjetrёn sё bashku me shokёt e tij nё zbulimin e njё kulture tё re.

Shokёt e tij ishin Ezenjshtejn, Pasternak, Babel, Asaajev, etj. Disa prej tyre u keq trajtuan nga pushteti sovjetik.

Nё kuadrin e kёtij fronti Majakovski drejtoi botimin e revistёs „LEF“ ku u botuan shumё shkrime tё guximshme pёr kohёn si pёrshembull vёllimi i Isak Babelit „Armata e kuqe“.

Dihet se Babeli vdiq nё internim nё vitin 1940.

Ai, Majakovski nuk i mohoi bindjet e tij pёr revolucionin qoftё atё rus apo atё botёror.

Ai nuk bёri alibi me veteveten.

Tё njejtёn gjё bёri dhe Bertolt Brehti dhe po tё njejtёn gjё bёri dhe Knut Hamsun, nobelist pёr letёrsinё pёr romanin “Rizgjimi i tokёs” dhe “Uria”, por nё krahun e djathtё, saktёsisht mbёshtetёs i teorisё naziste tё Hitlerit.

Tё gjithё kёta tё mёdhej tё letёrsisё nuk mohuan veten e tyre dhe veprёn e tyre.

Por me ndrrimin e sistemeve politikё, me rёnien e komunizmit, shumё shkrimtarё qё shkruan vepra me vlerё nё atё kohё, mbas vitit 1990, i mohuan ato, siç ka ndodhur edhe nё Shqipёri.

Por nё se Brehti jetoi deri nё 1956, Majakovski i dha fund jetёs sё tij shumё shpejt pa mundur tё shihte mё tej fatet e revolucionit.

Por si spjegohet qё me gjithё antikomunizmin nё botё emri i Majakovskit, veçohet, dhe madje shkёlqen, si dhe ai i Brehtit?


Kjo spjegohet nga arti i tyre i pashembullt me nivel tё jashtёzakonshёm estetik.

Askush nuk i thotё gjё Majakovskit sepse shkroi pёr Leninin nё poezinё e tij. pёrkundrazi kjo poezi sot pёrkthehet nё tё gjitha gjuhёt e botёs.

Poezia e Majakovskit duke qenё shumё dimensionale kapёrcen epokat dhe doktrinat sepse shpreh futurizmin apo tё ardhmen.

Majakovski ёshtё poeti mё i madh i shekullit tё njёzetё.

Pak a shumё pёr Majakovskin dhe veprёn e tij poetike mund tё themi se ka ndodhur dhe ndodh njё lloj si pёr veprёn e Edgar Allan Poes, tё diskutuarin e pёrhershёm qё u njoh vetёm pas njёqint vjetёsh, dhe qё u zbulua nga Malarme dhe Bodler.

Pёr Majakovskin mund tё thuhet se kush mё tepёr shkrimtar se ai ka pёrjetuar kataklizmèn revolucionare.

Ai ishte pёr njё revolucion mbi revolucione, çka e shprehu me gjuhёn e organizatёs kubo-futuriste nёpёrmjet manifestit tё saj ku thuhej: “Bota e vjetёr mbahej nga tre balena: skallavёria politike, skllavёria sociale dhe skllavёria shpirtёrore.”

Kёtu dallohet dhe sfondi i ideve tё Whitmanit i cili kёrkonte tё krijonte “Republikёn e gjёrё tё miqёsisё mes popujve.”

Ai ishte njё poet qё vinte nga sfondet e poezisё ruse dhe qё mё pas iu dha poezisё sё revolucionit.

Poezia e tij nuk u lind nё teatrin e vulgaritetit te frikshem te realizmit socialist.

***

Po sjell kёtu njё pjesё nga intervista qё Lilia Brik i dha njё gazetareje italiane:

“ Pyetje: Ç’mund tё na thoni pёr influencёn e ushtruar nga njё shkrimtar botёror si Whitmani dhe Dostojevski nё veprёn e Majakovskit?



Pёrgjigje: Pёr sa i pёrket Whitmanit, nuk flitet pёr influencё por mё tepёr pёr njё lloj afёrie midis tij dhe Majakovskit, gjё pёr tё cilёn Çukovski ka folur shumё me poetin.

Nё pёrgjithёsi nuk jam nё mendje tё shpreh ndonjё gjykim sepse nuk e njoh shumё Whitmanin, por pёrsa i pёrket Dostojevskit, Majakovski ishte afёr shpirtёrisht, jo politikisht, dhe kjo “shpirtёrisht” ёshtё tamam ajo qё quhet “ dashuri midis dy shpirtrash” [ …] ka disa vjersha nё tё cilat Majakovski merr pёrsipёr gjithё fajin pёr dhimbjet e njerёzimit, kёshtu si ka bёrё edhe Dostojevski.

Kemi thёnё mё parё qё poeti i cili ushtroi njё influencё tё vёrtetё dhe tё saktё te Majakovski, ishte Blloku.

Blloku ishte poeti i parё i brezit tonё dhe Majakovski e njihet vetё nё kujtesё, e donte dhe e admironte deri nё atё pikё sa tё bёhej vazhdues i veprёs sё tij.”

Po tё lidhёsh kёto shprehje tё veçanta edhe pёr ditёt e sotme dalin nё pah disa pyetje aktuale edhe pёr sot.

A ishte Majakovski ai poet qё propagandoi politika komuniste kudo nё lindje?

***

Pёrveç shumё shkrimeve qё qartёsojnё figurёn reale tё Vladimir Majakovskit vlen tё pёrmendet mendimi i studiuesit tё njohur italian Vittorio Strada i cili ka shkruar gjёrёsisht pёr enigmёn “Majakovski”:

“Njё pёrgjigje tjetёr na kёshillon qё tё provojmё te Majakovski operacionin tё cilit duhet t’i nёnshtrohet trashёgimia e shumё personazheve tё shkёlqyer; tё hiqet ajo qё ёshtё e vdekur (ditirambi politik) dhe tё ruhet ajo qё ёshtё e gjallё ( lirika e dashurisё), por kjo ndёrhyrje e ka tё keqen kёtu se cungon njё organizёm ku gjithçka ёshtё e lidhur dhe prerja e njё pjese qё quhet e nekrotizuar, dёmton pjesёn qё mbijeton.

Parashtrohet edhe njё zgjidhje tjetёr: ta quajmё Majakovskin jo poetin e revolucionit por njё viktimё tё kёtij revolucioni, njё lloj xhongleri tragjik i pushtetit tё ri; ta quajmё jo njё poet tё oborrit tё autokracisё sё re bolshevike por njё demaskues paradoksal tё miteve revolucionare tё fuqizuara nga ai vetё qё shihte sa lot dhe sa gjak kullonte Molloku ( Pёrbindёshi) i ri i ndёrtuar prej tij.”



“ Por nё se do tё pranoheshin kёto zgjidhje – vazhdon Vittorio Strada- nuk do tё thotё tё falsifikosh Majakovskin duke ndёrtuar njё fytyrё ndryshe nga e tija, pёrkundrazi, tё defalsifikosh duke i hequr maskёn zyrtare qё i ka vёnё pёr dhjetra vjet “realizmi socialist”.

***

Poezia e Majakovskit nuk e ka shoqen nё letёrsinё e nёntёqintёs ku nuk kanё munguar edhe shkrimtarё tё tjerё po kaq tё mёdhej qё mbёshtetёn mitet e reja tё politikave tё shteteve ku jetonin dhe krijonin.

F.Celin iu nёnshtrua joshjes makabre tё nazizmit,E. Paundi e pa tё pёrshtatshme fashizmin pёr muzёn e tij, si frymёzim.”

Nё njё shkrim timin tё mёparshёm titulluar “Ringjallja e hapёsirёs Whitmane”, botuar nё librin “Tatuazhet e shpirtit- transletёrsia e Moikom Zeqos”, kam trajtuar influencat e poezisё sё Whitmanit tek poetё tё ndryshёm tё mёdhej botёrorё. Njё nga kёta ishte Majakovski, poeti arrogant futurist.

Ai kishte njё ngjashmёri tё veçantё me Whitmanin, nё poezitё e tij, kryesisht nё subjekt.

Kritiku rus Korenej Ivanoviç Çukovski (1892-1969), qe i pari qё studjoi me imtёsi kёtё ndikim tё madh dhe kjo sidomos nё poemёn “1.500.000.000” tё Majakovskit.

Ndoshta keto vargje tё Majakoskit mund tё na afrojnё me poezitё e Whitmanit:

Qarkullojne fjalё absurde dhe tё ndyra,

Fёrkojnё veshin, zemrёn e mbёshtjellin lёmsh,

Thonё se ngado qё tё shikosh sot, s’ёshtё e vёshtirё

Njё rёnie tё rinisё tonё tё gjesh.

“Pёrse luftuam”

(pёrkthim i Luan Rexhepit)

Futurizmi i Majakovskit nё kohёn e pushtetit sovjetik ishte njё handikap, njё e ngjashme perёndimore nё tё pangjashmet forma dhe maniera tё artit tё bolshevikeve nё art e letёrsi.

Mjafton ky element i jetёs dhe i veprёs sё Majakovskit qё tё kemi diskutime tё shumёanshme nga ana e kritikёs letrare perёndimore, qofte ajo europiane, qoftё dhe amerikane.

***

Tema ёshtё “Si ta lexojmё Majakovskin”.

Kёtu po sjell mendimin e studiuesit dhe kritikut italian Vittorio Strada (1929-2018) nё pёrgjigje tё kёsaj teme:

“Tё mos cungojmё veprёn e tij, (Majakovskit- shёn. im) por edhe tё mos pёrsёrisim dobёsisht nё stilin e vjetёr tё fanfarёs revolucionare dhe tё retorikёs tribunale.

Poezia e ndez shkёndijen e saj tё sё vёrtetёs nё heshtjen, nё kontaktin rastёsor ose tё kёrkuar mes dy shpirtrave, e njerit qё ka shkruar dhe tjetrit qё e lexon.

Kjo mund tё duket antimajakovskiane, antifuturiste, antirevolucionare.

Por britma e sfidёs dhe e dhimbjes sё Majakovskit na mbrin e topitur.

Si njё jehonё e shuar ёshtё thirrja e tij shungulluese e propagandёs.

Zёri i tij autentik na prek nё shpirt, duke na bёrё tё ndjejmё vetminё e tij, si tonёn, dashurinё e tij, si tё jetuar nga ne, ankthin e tij dhe shpresёn e tij si ato qё na pushtojnё edhe ne.”

***

Majakovski me poezinё e tij universale formoi makrokozmosin dhe mikrokozmosin e plot imazheve te cilat nga vetja e tij ia pёrcolli mbarё njerёzimit.

Vlen tё citojmё strofёn e poezisё sё tij “Vetёvetes sё dashur autori ia kushton kёto vargje”:

Nё cilёn natё plot kllapi

Dhe nga cilёt Goliathё tё tmerrshёm

Unё u ngjiza

Kaq i kotё dhe kaq i madh?

(pёrktheu Moikom Zeqo)

Ai deklaronte dhe ashtu ai, Majakovski kapёrceu provёn e diksionit tё brendshёm, ku ndodheshin kaq hapёsira tё heshtura, ku fjala e tij e ashpёr, tingёlloi mё e gjallё se sa fjalёt zhurmuese tё agit-propit bolshevik.

Por brenda tij ishte shpirti, motori i tij enigmatik:

Ja si thonte pёr kёtё shpirt:

Zemrat janё motorё specialё

Po shpirti,

Me i zorshme motor!

”Puna e poetit”

(pёrktheu Moikom Zeqo)

Ishte ky shpirt qё realizoi trajektoren e poezisё mё tё madhe tё fillimit tё shekullit tё njezetё e deri nё ditёt tona.

Ishte ky shpirt qё mezi e duronte qenien e tij brenda trupit tё poetit.

***

Ashtu siç ka shkruar Marina Cvetaeva:

“ Majakovski edhe nё lirine e tij tё dukshme, ёshtё i lidhur kёmbё e duar, e nё kёtё rast, flas pёr poezinё e asgjё tjetёr.

Nёse vargjet pёr Majakovskin ishin kauza, kauza e Majakovskit nuk ishte poezia.”

Heshtja e brendshme e Majakovskit, ishte heshtje pulsuese ku ai dёgjonte pulset e saj nё veshёt e tij, pulset e njё universi tё ri, jo vetёm futurist, univers ku gёrshetoheshin fatet e botёs.

Ishte njё heshtje qё njё herё merrte format e njё merimange, njё herё tjeter si pёrplitjet e njё varke tё vetmuar nё dallgёt e oqeanit, deri sa diku shkrep agimi i njё dite tё re.

Kёtё heshtje ai e mori me vete…

Heshtja ёshtё poezia e tij!

Durrёs 8 nёntor 2019
Dita
 
Top