Superkupa e Italisë, Juventusi humb edhe Szczesny prej vaksinave

PRAG-INTER-JUVENTUS_frame_0-1280x720.jpg
Interi dhe Juventusi do të sfidohen për trofeun e parë sezonal. Kanë mbetur vetëm pak orë nga Superkupa e Italisë, me finalen që do të luhet në San Siro, prej orës 21:00. Ekipi kampion do të sfidohet në finale nga ekipi që edicionin e kaluar fitoi Kupën.

Ky është rivaliteti më i madh përtej Adriatikut, me zikaltërit që gjithsesi duken në avantazh. Jo vetëm prej formës së treguar në këtë sezon, ku Interi kryeson kampionatin dhe është favorit për titullin. Sikur të mos mjaftonte ecuria jo e mirë, Juventusi është goditur nga mungesat e lojtarëve kryesorë.

Dëmtimi i Chiesa apo pezullimi i De Ligt, do të shoqërohet nga mungesa e portierit titullar Szczesny. Polaku nuk mund të luajë, pas hyrjes në fuqi të rregullave të reja të vaksinimit, ku edhe sportistët duhet të kenë kryer me detyrim dy doza.

Duke qenë se Szczesny është vaksinuar vetëm së fundmi, ai ende nuk ka kartonin e vaksinimit dhe protokolli i ri sanitar nuk e lejon që të luajë. Për këtë arsye, në portë do të rreshtohet zëvendësuesi Perin. Absurdi në këtë situatë nuk mungon, sepse edhe pse nuk mund të zbresë në fushë, gardiani polak mund të qëndrojë në stolin e rezervave, por është i detyruar që të paraqitet në stadium pas gjithë sportistëve të vaksinuar.

Juventusi është mbajtës në fuqi i Superkupës, pas suksesit të vitit të kaluar me Napolin. Në total bardhezinjtë e kanë fituar 9 herë trofeun, ndërsa Interi kërkon triumfin e parë prej 21 gushtit të vitit 2010.

A2news.com
 
Top