Stanley Cavell ,filozofi i së përditshmes

Love

βeℓℓe â๓e
Sipas Le Nouvel Observateur.
Përgatiti: Blerta Hyska.

profil-150x150.jpg

Sot, Stanley Cavell është ndoshta filozofi amerikan më i veçantë sepse ai fut zërin njerëzor në brendësi të mendimit amerikan, i cili mbizotërohet prej dekadash nga filozofia analitike. Ky projekt përforcohet nga vullneti për të bërë të dëgjohet një zë vërtet përfaqësues i filozofisë amerikane, duke i bërë jehonë zërit të Ralph W. Emerson, themelues i figurës së “intelektualit amerikan” (The American Scholar), i famshëm për kërkimin me ngulm të një përfaqësimi filozofik në Amerikë, si rruga e vetme për një demokraci të vërtetë.
Por origjinaliteti i Cavell qëndron tek përkushtimi i tij për skepticizmin, që në fakt është filli lidhës i veprës së tij, nga Ludvig Wittgenstein tek William Shakespeare, nga Ralph W. Emerson dhe Henry D.Thoreau tek kinemaja në Hollivud.

Ka lindur në vitin 1926 në Atlanta, pasi studioi dhe dha mësim në Harvard dhe Berkeley, u bë profesor në Harvard ku zhvilloi gjithë karrierën e tij deri më sot. Veprën e tij e ndërtoi jo kundër filozofisë analitike, por përkrah saj, duke u marrë me objekte të ngjashme, por me metoda të ndryshme: ajo e përqendrimit tek e zakonshmja, tek detajet dhe dallimet e jetës së përditshme.
Filozofia e Cavell i ka rrënjët në një vepër themelore dhe problematike për traditën analitike, ajo e Wittgenstein-it të dytë dhe tek “Investigime filozofike”. Cavell ka qenë dishepull i filozofit të gjuhës së përditshme John L. Austin, shpikësi i performativëve, por trashëgimia filozofike e të cilit është harruar. Dy veprat themelore të Cavell “Must we mean what we say?” dhe “Zërat e arsyes”, i janë kushtuar Austin-it dhe Wittgenstein-it. Botimi i tyre u shfaq si një zë i ri, që kërkonte para së gjithash vëmendje për gjuhën ashtu si e flasim ne në jetën e përditshme.
Një argument disi çoroditës është se Cavell në përgjithësi trajtoi tekste, jo probleme ose argumente. Për shembull “Zërat e arsyes” eksplorojnë Wittgenstein-in dhe Shakespear-in, “The Senses of Walden” lexon Thoreau, “Një Amerikë e re ende e paqasshme” dhe “Gjendje fisnike dhe poshtëruese” lexon veprën e Emerson, “Në kërkim të lumturisë” kinemanë e Hollivudit.

Por vetëm skepticizmi na lejon të shquajmë fillin teorik që lidh të gjitha këto objekte. ثshtë dëshira jonë e përhershme për t’iu përgjigjur pyetjes: Si mund të njoh gjithçka kur kam vetëm përvojën time? Mund ta kuptojmë nëse sjellim ndërmend argumentin që përdoret shpesh si përgjigje për skepticizmin: praktika dhe jeta e përditshme më detyrojnë të mos jem skeptik, të pranoj se ekziston një botë reale ku vendos këmbët.
E gjithë kjo fillon me David Hume-in; kur nuk filozofoj më dhe kthehem tek punët e përditshme, unë nuk dyshoj.
Por a është kaq e qartë? Nuk mund të jetohet skepticizmi, të bëjë pjesë në jetën tonë të përditshme?

Të mendosh të zakonshmen bashkë me skepticizmin: ky është qëllimi i Cavell.
Ai niset nga dallimi mes dy skepticizmave, skepticizmi që ka të bëjë me njohjen që kemi për botën dhe skepticizmi që ka të bëjë me raportin tonë me tjetrin. I pari mund të zhduket, ose të pezullohet, falë argumenteve filozofike, kërkesave të jetës së përditshme. I dyti jetohet, përshkon jetën time të përditshme. Asgjë nuk mund ta zhdukë ose pezullojë. Unë mund të jetoj duke mos e njohur tjetrin. E bëj këtë gjithmonë. Midis këtyre dy skepticizmave ka lidhje të ndryshme, të diskutuara gjerësisht në filozofi.
Cavell zbuloi një lidhje tjetër. Skepticizmi i parë – ai që ka të bëjë me ekzistencën e reales, në të gjithë përpunimin dhe sofistikimin e saj konjitiv – është maskë për të dytin dhe shndërron në çështje njohjeje një çështje më të ndërlikuar, atë të raportit me tjetrin, të njohjes së tij si qenie njerëzore, pra të pranimit të gjendjes sime. Ai e shndërron në paaftësi për të ditur refuzimin tim për të pranuar gjendjen time.

Kështu na shpaloset e “vërteta e skepticizmit”: dyshimi fsheh një të vërtetë më të rrezikshme se vetë dyshimi. Cavell e ilustron këtë duke folur për tragjeditë shekspiriane, heronjtë e të cilave ( Otello, Leontes, Lear) i shndërrojnë në probleme njohjeje problemet e tyre – dyshimin për besnikëri, për partneren e tyre, ankthin e tyre – gjë që e bën skepticizmin një shpikje mashkullore – përballë realitetit fizik të tjetrit: “Skepticizmi i Otello-s për besnikërinë e Desdemonës largon vëmendjen nga një e vërtetë edhe më e tmerrshme”.
Tragjedia është vendi ku nuk mund t’u shpëtojmë pasojave të mbulimit të një gjëje nga një tjetër.

Sipas Cavell, në origjinë të skepticizmit qëndron përpjekja për të transformuar gjendjen e njerëzimit në një vështirësi teorike, në një problem për t’u zgjidhur: “Një qëllimshmëri metafizike si një mungesë intelektuale”.
Tragjedia e Otellos nuk qëndron tek dyshimi, gjendje në të cilën ai ndodhet, por në refuzimin për të pranuar atë që ai di. Ai i druhet më pak tradhtisë së Desdemonës sesa besnikërisë së saj. Otello ndihet i humbur që në momentin që përpiqet të dijë, kur pyetjet që i bën vetes anojnë nga skepticizmi, kur ai kërkon prova okulare.
Cavell identifikon filozofin dhe heroin tragjik në kërkimin e një prove të ekzistencës së reales dhe në paaftësinë për të pranuar të jenë një provë e saj.

Tragjedia shekspiriane është e pandashme nga ky moment i historisë ku shfaqet një vullnet i ri për të ditur, në të njëjtën kohë me burime të reja pasigurish. Këtë ide e gjejmë edhe tek Wittgenstein: nëse problemet e dijes janë zgjidhur, “problemet e jetës as që janë çikur”. Të pranosh të vërtetën e skepticizmit dhe ta përballosh, do të thotë të pranosh këtë gjendje në vend që ta interpretosh ose ta mbulosh. Skepticizmi nuk mund të kapërcehet me një dije të re. Përgjigjja e vetme për skepticizmin është pranimi, të pranosh qëllimshmërinë dhe të zakonshmen.
Të zakonshmen Cavell e gjen në kinema, sidomos në atë që ai e quan “komedia e rimartesës”.

Në librin “Në kërkim të lumturisë” ai gjen një lidhje midis trashëgimisë shekspiriane dhe komedisë, duke treguar se një traditë e tërë filmash të prodhuar nga Hollivudi në vitet ‘20-‘30, ishin një përgjigje ndaj skepticizmit. Në këto filma, intriga kryesore nuk është të bashkohet çifti në fund të filmit, por të ribashkohej. Skema e ndarjes, pastaj e ribashkimit strukturon të gjithë këta filma, a thua bëhet fjalë për kapërcimin e skepticizmit, për vendosjen e lidhjes së këputur me botën dhe me tjetrin.
Skepticizmi dhe tragjedia na tregojnë se gjendja njerëzore është ndarja. Ajo që në tragjedi është mohim skeptik i ndarjes, në komedi shndërrohet jo në refuzim naiv, por pranim të gjendjes sonë njerëzore.

Skepticizmi ngre një mur ndërmjet qenieve dhe botës dhe ndërmjet qenieve njerëzore. Ky mur gjendet në të gjitha komeditë e rimartesës, por ajo nuk e mohon ndarjen midis njerëzve: pajtimi është pranimi i gjendjes së ndarjes dhe të ndryshimit nëpërmjet shfaqjes së një problematike të re, asaj të barazisë. Të pranosh realitetin e tjetrit do të thotë të jesh i barabartë me të, po aq sa edhe i ndryshëm.

Kohët e fundit Cavell ka shkruar mbi melodramën (“Contesting Tears”, 1997) duke parë atje mizanskenën e kundërt të skepticizmit si pamundësi për të folur, humbje e fjalës së zakonshme.

Sigurisht, librat e tij mbi kinemanë na japin një ide më të plotë se cila mund të ishte një përgjigje realiste për skepticizmin: sikur kinemaja të mundte ta zbuste në të gjitha kuptimet e fjalës, ta bënte të pranueshëm realitetin dhe fatalitetin e ndarjes, ta konvertonte në përsëritje të dëshirueshme të së përditshmes.

Leximi që Cavell i ka bërë skepticizmit në të gjitha këto vende të prekura rrallë nga filozofia, përbën të gjithë veçantësinë e tij. Ai na çon tek pyetja:
A duam vërtet ta njohim veten?
Sepse çështja nuk është vetëm nëse mund të dimë, por nëse duam të dimë. Dhe kur dëshira për të ditur përzihet dhe braktiset tek mohimi për të ditur, ajo merr formën e skepticizmit.
Cavell është i vetmi që ka nxjerrë në pah këtë anë të skepticizmit dhe gjithashtu aktualitetin e tij. Qëllimi i tij nuk është të refuzojë ose përforcojë skepticizmin, por ta rishpikë, të bëjë që të pranohet ekzistenca e tij në intimitetin e jetës sonë të përditshme – në humbjen e fjalës, në largimin nga bota dhe mosnjohjen e vetes, ose në politikë, në një moment kur ligjërimi politik ka humbur kuptimin, aty ku, siç thoshte edhe Emerson “çdo fjalë që njerëzit thonë, më lëndon”.
 
Top