Shqiptarët kthehen në veri të Mitrovicës, serbët kundër

Loverboy

мαи ωιтн α мιѕѕιои
Në pjesën veriore të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe ka filluar kthimi i banorëve shqiptarë.

Që prej vitit 1999 mbi 10 mijë shqiptarë janë zhvendosur nga pronat e tyre në veri të qytetit të ndarë buzë lumit Ibër.

Kthimi i nëntë familjeve të para në një lagje të njohur si Lagjja e Doktorëve në veri të Mitrovicës u bë i mundur pas investimeve të qeverisë dhe pushtetit lokal për rindërtimin e shtëpive të tyre.

Sabit Mustafa është njëri nga banorët e kësaj lagje, i cili pas shumë vitesh po përgatitet të hyjë në shtëpinë e tij të rindërtuar, e cila ishte djegur nga serbët.

"Kemi filluar ndërtimin sepse qeveria na ka ndihmuar dhe ka dhënë shpresa për t'u kthyer në këtë lagje, por unë kam investuar edhe paratë e mia në këtë shtëpi. Ka dhjetë vjet që kam dalur nga kjo lagje. Ndjehem shumë mirë tani, nuk kam probleme, është vendi im, shtëpia ime,"- thotë z.Mustafa.

Ai i porosit edhe fqinjët e tij të dikurshëm, që tani jetojnë në pjesën jugore të qytetit të ndarë të Mitrovicës apo gjetkë, që të kthehen në Lagjen e Doktorëve, në të cilën jeta ka filluar të ringjallet.

"Unë do t'ju thoja banorëve të kësaj lagjeje të kthehen sa më shpejtë, ta përpunojmë lagjen dhe ta bëjmë të bukur. Nuk do të ketë probleme se kjo është toka jonë,"- u shpreh për BBC-në Sabit Mustafa.

Shqiptarët dhe serbët jetojnë të ndarë në qytetin verior të Kosovës, në Mitrovicë. Në veri të lumit Ibër shumicën e përbëjnë serbët, ndërsa në jug shqiptarët. Pjesa veriore e Mitrovicës vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare. Serbët nuk e njohin pavarësinë dhe rrjedhimisht as institucionet e Kosovës. Ata vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Beogradin.

Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës dhe udhëheqja komunale e Mitrovicës po përpiqen që investimet e tyre t'i bëjnë të prekshme edhe në veri të qytetit. Shembull për këtë është Lagjja e Doktorëve, ku procesi i kthimit ka filluar të realizohet këto ditë.

Ende pa përfunduar mirë punët në rindërtimin e shtëpisë, familja Nushi tashmë është rikthyer. E zonja e shtëpisë, Behija nuk e fsheh lumturinë e saj.

"Ndjehem tepër mirë, jam shumë e lumtur, kjo është pasuria jonë,"- thotë ajo.

Kryefamiljari Abdurrahman Nushi tregon se dhjetë vitet, sa ata kanë jetuar në pjesën tjetër të Mitrovicës, si refugjatë në qytetin e tyre, kanë qenë shumë të vështira. Ai thotë se ka bërë përpjekje edhe më herët që të kthehet, por nuk është lejuar nga autoritetet e UNMIK-ut, me arsyetim se nuk kishte siguri të mjaftueshme. Por tani siguria nuk është me shqetësim për z.Nushi.

"Tani për tani po kujdesen për sigurinë tonë, po patrullojnë policia, KFOR-i dhe EULEX-i, nuk ka ndonjë rrezik dhe shpresoj që të vazhdojë kështu,"- thekson ai.

Për të filluar rindërtimin e shtëpisë në veri të Mitrovicës nga Gjermania është kthyer Sami Hajrizi, i cili jeton atje tash e disa vite.

"Vij nga Gjermania me vullnet për t'u kthyer sa më shpejt, kushtet tanimë janë krijuar, nuk kemi kurrfarë pengesa,"- thotë ai.

Të nxitur nga fillimi i procesit për kthimin e shqiptarëve në Lagjen e Doktorëve, edhe banorë të lagjeve tjera kanë kërkuar nga qeveria dhe pushteti lokal të investojë në kthimin e tyre. Zahir Mehmeti ka jetuar në Kodrën e Minatorëve në veri, ndërsa tani jeton si refugjat në jug.

"Me shpirt jam banor i pjesës veriore, vetëm le të ma japin qeveria apo komuna materialin për ndërtimin e shtëpisë dhe unë sot kthehem. Siguria nuk është aspak problem, unë nuk po shkoj në territor të Serbisë, po shkoj në territorin tim," - shprehet z.Mehmeti.

Ndërsa shqiptarët flasin me optimizëm për kthimin e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës, përfaqësues të serbëve kërkojnë që procesi i kthimit të ndalet.

Nebojsha Joviq nga Këshilli Nacional Serb ka thënë t'i ketë lutur përfaqësuesit shqiptarë të Lagjes së Doktorëve që të heqin dorë nga këmbëngulësia e tyre për t'u kthyer me çdo kusht.

"Mendoj që një kthim i tillë mund të sjellë incidente dhe ato jo vetëm në këtë moment, por asnjëherë nuk i duhen askujt. Nga kjo do të kishin dëm edhe shqiptarët, edhe serbët. اdokush ka të drejtë të kthehet në shtëpinë e tij, edhe shqiptarët gjithsesi, por kjo e drejtë nuk bën t'u mohohet as serbëve. Kthimi duhet të jetë i dyanshëm dhe me marrëveshje," - u shpreh z.Joviq.

Autoritetet qëndore dhe komunale kanë thënë se gjatë këtij viti do të krijohen kushte për kthimin e më shumë banorëve në veri të Mitrovicës. Nënkryetari i Kuvendit Komunal, Ismajl Smakiqi tha se procesi i kthimit të shqiptarëve në pjesën veriore të lumit Ibër po shoqërohet me disa vështirësi, për shkak të situatës së ndjeshme politike.

"Edhe tani ka pengesa ad-hoce të shkaktuara nga grupe të identifikuara të njerëzve , që e pengojë kthimin e qytetarëve. Unë jam shumë i bindur që pjesa dërmuese e popullatës serbe është e interesuar të vendoset në pronën e tyre, por edhe ata kanë probleme me ekstremistët serbë, të cilët dirigjohen nga Beogradi. Kemi kërkesa ad-hoce edhe nga serbët që të kthehen në pjesët tjera të Kosovës, kështu që unë besoj që me paralelizimin e këtyre strukturave, jeta do të normalizohet shumë shpejt në Mitrovicë," - tha numri dy i komunës, Ismajl Smakiqi.

Procesi i kthimit të të zhvendosurve në qytetin e ndarë të Mitrovicës, sipas analistëve, është politizuar tej mase dhe si i tillë ka mbetur peng i ndasive të thella etnike. /bbc/
 
Top