• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Qeveria e koncesionit

dr.Dugi

Anëtar i ri
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës iu fal konzorciumit francezo-turk “Limak-Airport de Lyon“. Një burim i të ardhurave për Kosovën u shndërrua në një burim të të ardhurave për një konzorcium privat. Kjo është falje. Dhe kjo publikisht u paraqit si fitore për Kosovën. Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Christopher Dell e Pieter Feith – të gjithë njëzëri e të përbashkuar i thurrën vargje këtij ‘momenti historik’ për Kosovën dhe dobive që po na i sjellka kjo falje.

Kontrata, me gjithë kushtet e saj, e cila do të nënshkruhet diku kah muaji shtator, asnjëherë nuk e paraqit në publik. Për të ne dëgjuam vetëm nga disa emrat e lartëpërmendur të cilët e nënshkruan apo sponzorizuan faljen e ANP-së. Sipas këtyre deklarimeve ANP do të jipet me koncesion për 20 vite rresht, që nënkupton se koncesionari do të jetë pronar real i aeroportit edhe pse Kosova mbetet pronar nominal. E kjo nëkupton humbje për Kosovën. Sipas kushteve të kontratës që janë publikuar, koncesionari obligohet që t’ia jap Kosovës 39.43% të të hyrave bruto nga ANP në vit, dhe po ashtu t’i investojë 100 milionë euro në aeroport për ta zgjeruar dhe modernizuar atë. Gjithnjë sipas deklarimeve publike ky 39.43% do të rezultojë në 450 milionë euro për kohën e koncesionit, që i bie diku rreth 22.5 milionë euro në vit. Kjo kërkon zbërthim të mëtejmë, për shkak se në këtë mënyrë siç është publikuar mund të duket madje kontratë e mirë. Nëse 450 milionë euro janë 39.43% e të hyrave bruto atëherë gjithsejt të hyrat bruto do të jenë 1 miliardë e 141 milionë euro. Kur t’ia zbresim 450 milionë euro nga kjo shumë koncesionarit i mbesin afërsisht 700 milionë euro të hyra bruto. Zbritja 100 milionë të cilat do t’i investojë, mbesin 600 milionë euro të hyra bruto. Po që se ky qenka potenciali i ANP-së atëherë Kosova po i humbka me këtë kontratë 600 milionë euro për 20 vite, për shkak se nga 1.1 miliardë po i merr vetëm 450 milionë. (Natyrisht këtu flasim vetëm me të hyra bruto, ndërkohë të hyrat neto janë më të vogla meqenëse nga ato paguhen të gjitha shpenzimet.) Na është thënë disa herë se prona publike, për shkak të keqmenaxhimit po na humbka para. Mirëpo ja që koncesioni po na humbka para gjithashtu. Madje shumë para. Fitimi i dytë i proklamuar është investimi prej 100 milionë euro. Deri tash institucionet e Kosovës kanë investuar diku mbi 50 milionë euro në ANP. Pra ky investim nuk qenka edhe kushedi se çka, apo ndonjë shumë që nuk do të mund ta investonim ne vetë. Dhe këtë investim nuk do ta sjellë koncesionari nga buxheti i tij vetanak. Investimi do të vijë nga të hyrat që do të gjenerohen nga ANP. Pra 100 milionë edhe ashtu do t’i investojë ANP-ja (taksat e udhëtimit që i paguajnë qytetarët e Kosovës) ndërkohë që përfitimet nga to, pjesën më të madhe të tyre, do ta marrë koncesionari. Dhe këto përfitime ai do të synojë t’i rritë sa më shumë duke e ulur koston e mirëmbajtjes së ANP-së, pra duke pushuar njerëz nga puna. Këto janë humbjet ekonomike. Humbjet sociale do të jenë edhe më të mëdha. Përveç rritjes së papunësisë, dhënia me koncesion e aeroportit nënkupton edhe tëhuajësim i nevojës së ngritjes së kuadrove në lëminë e aviacionit. Për shkak se koncesionari do t’i sjellë me vete inxhinierët e aviacionit dhe nuk do të jetë i kushtëzuar me trajnimin e atyre në Kosovë. Ndërkohë që institucionet arsimore të Kosovës nuk do të kenë një nevojë të tillë për shkak se nuk ka treg për ekspertë të tillë. Kështu ne do të përfundojmë në punëtorë të pakualifikuar krahu në vendin tonë.

Kjo edhe është e pritshme nga qeveritë e Kosovës, të gjitha pa dallim. Këto kanë qenë dhe mbesin qeveri të koncesioneve. Këto janë ndërtuar dhe mbesin në pushtet vetëm në bazë të lëshimit pe ndaj çfarëdo kërkese. Bazamenti i shtetit të Kosovës është pjellë koncesioni (Plani i Ahtisaarit). Dhe çdo gjë në dhe rreth tij është koncesion.

Një gjë duhet ta kemi të qartë – asnjë kompani, korporatë a biznes nuk ëhtë i interesuar të investojë në ato mundësi investimi ku nuk ka përfitim. Konzorciumi francezo-turk ka hyrë në kontratën për koncesionim të aeroportit për shkak se në të ka parë potencial të madh përfitimi, pas të gjitha shpenzimeve (450 milionëshi që i jepet qeverisë, kostoja e menaxhimit, tatimet, etj.) Dhënia me koncesion nënkupton humbje të këtij potenciali për ne (gjithnjë pjesës më të madhe të tij). Dhe kjo vetëm bazuar në informatat të cilat kanë dal në publik, e natyrisht që do të ketë edhe shumë sosh që do të na befasojnë në vitet në vijim. Kontrata nuk është nënshkruar ende. Ajo nuk duhet lejuar të nënshkruhet kurrë.
 
Top