Pse në thelb jemi që të gjithë emigrantë

Qeniet njerëzore priren që të magjepsen me origjinën e tyre. Dhe historitë e origjinës gjenden nëpër kultura, fe, etni dhe kombësi, dhe të gjitha ato janë shumë të rëndësishme. Këto histori u tregojnë njerëzve nga vijnë, dhe se si të gjithë janë përshtatur me njëri-tjetrin.

Natyrisht një nga këto histori, është ajo e gjeneve njerëzore. Dhe është një histori ku çdokush ka pjesë të ADN-së njerëzore. Ndërsa shkencëtarët gjejnë sot ADN më të lashtë njerëzore, në mostrat më moderne të ADN-së, dhe po zhvillojnë më shumë mënyra për të analizuar këtë material gjenetik, kjo gjë po zbulon më shumë rreth asaj se si lëvizën dikur njerëzit e hershëm në të gjithë botën, duke u shpërndarë për të banuar thuajse në të gjitha cepat e planetit tonë.

Atëherë, pas mijëra e mijëra vitesh emigrimit gati të vazhdueshëm, a ka ndonjë popullatë që nuk e ka e braktisur asnjëherë vendin ku mendohej se ka evoluar Homo Sapiens? Pra thënë ndryshe, a ka ndonjë njeri në botë që nuk është emigrant?

“Nga një këndvështrim shkencor, të vetmit njerëz që ndoshta mund të mendohet se nuk janë emigrantë, i përkasin disa grupeve që flasin gjuhën Khoe-San në Afrikën e Jugut”- thotë Ostin Rejnolds, asistent/profesor i antropologjisë në Universitetin Bejlor në Teksas, i specializuar në gjenetikën e popullatës njerëzore.

Emërtimi Khoe-Sani referohet disa komuniteteve afrikane në rajonet e shteteve të Botsvanës, Namibisë, Angolës dhe Afrikës së Jugut, të cilët flasin gjuhë të ngjashme, thekson Reynolds për “Live Science”.

Sipas tij ekzistojnë 2 faktorë kryesorë që tregojnë se grupet Khoe-San mund të jenë pasardhës jo-emigrues të njerëzve të dikurshëm: Ata jetojnë në vendin ku ka të ngjarë që të jenë shfaqur njerëzit për herë të parë, dhe kanë një sasi të lartë të larmisë gjenetike.

Një nga mënyrat për t`a kuptuar pse larmia e lartë gjenetike, tregon një prejardhje origjinale, është krahasimi i gjeneve. Njerëzit që u shkëputën nga popullata origjinale njerëzore – mund të kenë vetëm disa nga gjenet, por ata që banojnë ende aty do të kenë të gjitha gjenet.

Megjithatë, përkundër afërsisë së grupeve Khoe-San me “djepin e njerëzimit” dhe larminë e tyre të konsiderueshme gjenetike, identifikimi i tyre si popujt e fundit aborigjenë gjenetikisht, nuk është i prerë.

Së pari, studiuesit nuk e dinë me siguri nëse Afrika e Jugut është djepi i njerëzimit. Disa shkencëtarë mendojnë se njerëzit evoluan për herë të parë në Afrikën Lindore, thotë Rejnolds, dhe shkencëtarët nuk kanë grumbulluar prova të mjaftueshme arkeologjike në asnjërën zonë, për të qenë plotësisht të sigurt se pikërisht aty u shfaq për herë të parë Homo Sapiens.

Madje ekziston mundësia që njerëzit evoluan në Afrikën Perëndimore, thotë për “Live Science” Mark Stounking, një gjenetist molekular në Institutin Maks Plank për Antropologji Evolucionare në Lajpcig, Gjermani.

Mjedise të ndryshme, bëjnë një punë më të keqe ose më të mirë në ruajtjen e mbetjeve fosile, shprehet ai, ndaj vetëm sepse mbetjet njerëzore nuk janë gjetur në vende të veçanta, kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk kanë jetuar atje shumë kohë më parë.

Stounking nuk mendon se sot ekzistojnë njerëz në botë që nuk janë emigrantë. “Njerëzit kanë qenë gjithmonë në lëvizje”-thekson ai. Dhe studimi i tij i fundit gjenetik mbi popullatat në të gjithë Azinë, ka treguar se ka një përzierje të thuajse të gjithëve me të gjithë të tjerët. “Të gjitha popullatat njerëzore, kanë qenë në kontakt me të tjerat”- përfshirë Khoe-San, thotë ai, dhe kjo është vërtetuar me prova në gjenet, kulturat e tyre dhe gjuhët e tyre.

Njerëzit e hershëm lëvizën gjerësisht përreth Afrikës për më shumë se 100.000 vjet para se të largoheshin prej andej. Në atë moment ata ndoshta u zhvendosën nga Afrika Lindore në Lindjen e Mesme, thotë Stounking.

Ka të ngjarë që jo shumë kohë më vonë, njerëzit të jenë drejtuan për në juglindje përgjatë bregdetit të Oqeani Indian, me shumë valë emigrantësh që i pasuan këta aventurierë origjinalë njënjë hark kohor prej dhjetëra mijëra vjetësh.

Stounking thotë se rrugës do të ketë pasur një shkëmbim të madh të ADN-së, dhe këta dy përbërës – lëvizja dhe përzierja gjenetike – është ajo që ai i sheh si një tipar përcaktues i specieve njerëzore.“Ajo që u pëlqen sot njerëzve është të emigrojnë dhe bëjnë seks”- tha Stounking. Dhe mesa duket kështu ka qenë që nga kohërat më të lashta.

/ “Live Science” – Bota.al
 
Top