Pse duhet të trembet Edi Rama?

Kësaj here Kryeministri i Shqipërisë duhet të mendohet dy herë. Ai mund të përdorë marifete sa të dojë. Ndoshta do ta shkatërrojë edhe shpirtin e kësaj proteste, por kur ata njerëz të kthehen në shtëpi, të shpërndarë me dhunë e shkop gome, do ta gjejnë prapë tryezën bosh e fëmijët e uritur.
ede-1-642x375.png

Protestat e këtyre dy ditëve, mund të kenë qenë pak kaotike, por, për herë të parë pas shumë vitesh, në Shqipëri po ndihet zëri i qytetarëve të zemëruar.

Qytetarë që u ka shkuar ‘thika në kockë’ dhe nuk mbajnë më. Njerëz të thjeshtë, të të gjitha shtresave që po u kërcënohet ekzistenca. Historia e Shqipërisë ka treguar se kur populli vjen në këtë pikë, asgjë e mirë nuk pritet të ndodhë.

Për këtë arsye, kësaj here, Edi Rama duhet të trembet.


Deri më sot Edi Rama ka qeverisur me politikën: “Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë, ata le ta zgjidhin vetë”. Por kësaj here kjo formulë nuk po i funksionon.

Ka një luftë të vërtetë, jo shumë larg Shqipërisë, ka një pandemi që zgjat prej dy vjetësh, ka 9 vjet që Shqipëria vetëm harxhon e merr borxhe dhe, sado të mbijetesës qofshin shqiptarët, kësaj here e kanë të vështirë t’ia dalin me Ligjin e Xhunglës, siç kanë bërë deri më sot.


Për këtë arsye, kësaj here, Edi Rama duhet trembet.

Sikur Edi Rama të kish qenë, qoftë edhe pak fare Kryeministër i Shqipërisë, nuk do t’i kishte bërë pluhur e hi të gjitha rezervat financiare të vendit me PPP. Sikur Edi Rama të kishte bërë atë që bën çdo qeveri e botës, të ruante mënjanë rezervat për ditë si këto, sot Shqipëria nuk do të ishte në pikë të hallit dhe njerëzit nuk do të ishin në rrugë.

Por ai nuk ka lënë asnjë kacidhe dhe nuk ka asnjë “Plan B” për Shqipërinë.


Për këtë arsye, kësaj here, Edi Rama duhet trembet.

U mundua t’ia hidhte me propagandë Edi Rama, por nuk i piu ujë. Rritej çmimi i bukës, gazit, karburantit etj., ai dilte e thoshte, “ta dini ju, ç’po ndodh me energjinë…”.

Dje, pasi kuptoi se çmimi i naftës nuk mund t’i lihej tregut, shpalli Bordin që medemek do të kontrollojë importuesit që të mos abuzojnë me çmimet.

Por importuesit janë njëkohësisht edhe shpërndarës, edhe shitësit me pakicë të karburanteve. Sepse janë shokët oligarkë të Edi Ramës. Ky vetë i ka lejuar të funksionojnë si të tillë, prandaj sot ai nuk i kontrollon dot.


Për këtë arsye, kësaj here, Edi Rama duhet trembet.

Kohët janë të vështira dhe asgjë nuk duket në anën e popullit. Një vend i brishtë ekonomikisht e politikisht është lehtësisht i manipulueshëm dhe të gjitha gjasat janë që politika të fusë hundët në këto protesta, vetë qeveria të fusë eksponentë të dhunshëm që të dalë pastaj e të thotë “ata janë huliganë”, e ti fusë në burg. Një skenar i tillë ka filluar të praktikohet edhe dje në darkë.

Diçka e ngjashme ndodhi me protestat e studentëve, disa muaj më parë.

Edi Rama është ekspert i manipulimit, puna që di të bëjë më mirë është kjo.
Por kësaj here Kryemininstri i Shqipërisë duhet të mendohet dy herë. Ai mund të përdorë marifete sa të dojë. Ndoshta do ta shkatërrojë edhe shpirtin e kësaj proteste, por kur ata njerëz të kthehen në shtëpi, të shpërndarë me dhunë e shkop gome, do ta gjejnë prap tryezën bosh e fëmijët e uritur. Këta që kanë dalë në rrugë këto dy ditë janë prindërit e atyre studentëve që Kryeministri u minoi dhe hodhi në erë shpirtin e protestës.


Prandaj Edi Rama duhet të ketë frikë kësaj here./Pamfleti
 
Top