“Nëse del nga kjo derë për t’u bërë murgeshë, nuk do kthehesh më”, motër Alma rrëfen rrugëtimin e vështirë: Ishte një betejë e gjatë me familjen

NeVertiti

~Kohe & Stine~

“Nëse del nga kjo derë për t’u bërë murgeshë, nuk do kthehesh më”, motër Alma rrëfen rrugëtimin e vështirë: Ishte një betejë e gjatë me familjen​

1616161310934.png
Motër Alma Zogu, ka lindur në Gramsh të Zadrimës. Ajo tani është 37 vjeçe, por në adoleshencë ndjente brenda vetes dëshirën për t’ia kushtuar jetën Zotit. Por kjo dëshirë e saj është përballur me kundërshtimet e forta të familjes. Ata ishin kundër këtij vendimi, por pavarësisht të gjithave, ajo zgjodhi që të ndiqte rrugën e saj.


Në vitin 2006 niset drejt Romës për të jetuar dy vitet më të rëndësishme para kushteve (betimet që bën një murgeshë), vite reflektimi, lutje dhe formimi në mënyrë që zgjedhja e saj të ishte një zgjedhje sa më e vetëdijshme.

Rrugëtimi i saj për tu bërë murgeshë zgjati 7 vite dhe tashmë i ka dedikuar jetën shpalljes së ungjillit dhe edukimit të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.-640-0-6053523ba6cad.png
Në vitin 2015, motër Alma filloi shërbimin në Shtëpinë Rozalba në Gjadër, strehëz për vajzat në vështirësi, ku aktualisht shërben dhe sot. Në vitin 2016 ajo ka bërë kushtet e përjetshme pas një eksperience misionare në Kili dhe 3 muaj lutje dhe formim.


E për të rrëfyer të gjitha sakrificat që ajo ka bërë për të ndjekur rrugën që ajo donte, ishte sot në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel. Motër Alma tregoi në fillim 3 shtyllat që kanë ndikuar tek ajo që të marrë vendimin për t’u bërë murgeshë.

“Dëshira për t’u bërë murgeshë lindi që në adoleshencën time. Parimisht besoj se asnjëri prej nesh nuk është fryt i rastësisë, por vijmë me një plan nga Zoti. Dëshira ime për t’ia kushtuar Zotit, ose thirrja e tij kalon në 3 shtylla. Shtylla e parë është gjyshja ime, një besimtare e devotshme. Ajo edhe pse nuk ishte e lirë në komunizëm të besonte, por ne në darkë luteshim në fshehësi me të.
-640-0-6053523cc5414.png
Shtylla e dytë është kur në fshatin tim erdhi një motër, isha 14-15 vjeçe. Ishte një person shumë i lumtur dhe pyes veten: “A mund të jem edhe unë e lumtur si ajo? Çfarë ja jep lumturinë asaj, kur nuk ka një familje, kur nuk mund të martohet. E teksa bashkëbisedoja me të, kuptova se është një zgjedhje alternativë, e në jetën time u hap një mundësi tjetër.

Shtylla e tretë ishte që në një moment të lutjes, dëgjova një fjalë që e vulosi këtë dëshirë timen, që unë t’ia kushtoja jetën Zotit”, tha motër Alma.
-640-0-6053523d34f88.png
Më pas ajo ka rrëfyer të gjitha kundërshtimet që kanë patur prindërit, gjyshi e madje edhe fisi, vetëm që ajo mos të shkonte për murgeshë.

“Jo vetëm që nuk e priten mirë, ishte një betejë e gjatë dhe shumë e vuajtur. Sipas tyre ishte një jetë e humbur, e dështuar. Nuk e konceptonin dot që të mos kishin nipër apo mbesa. Nuk e konceptonin dot që unë të mos shkoja për studime ashtu siç donin ata, për mjekësi. Unë isha një studente goxha e mirë dhe mendonin se do nisja mjekësinë, do krijoja familje, e do ndiqja rrugën e familjes sime”, tha ajo.

Madje motër Alma shtoi se gjyshi i ka thënë se “nëse del nga kjo derë për t’u bërë murgeshë, ti nuk do hysh më këtu”.
-640-0-6053528b57783.png
“Nuk i kisha mbushur ende 18 vjeçe, dhe të kundërshtoja një familje dhe fis, nuk mendoja se do arrija këtu ku jam. Kur gjyshi më tha ashtu ka qenë një goditje e fortë, pasi kisha lidhje shumë të mirë për gjyshin, më donte shumë”, tha ajo, e cila tregoi se tani gjyshi i saj është zbutur dhe është i lumtur me zgjedhjen e saj.

“Gjyshi është zbutur kur unë kam marrë kushtet e para, bëra betimin e parë. Para se të merrja kushtet e para, ai ka hyrë për herë të parë në Kishë, ka parë kryqin e ka thënë: “Jam i lumtur sot, se të shoh të lumtur ty”. Ndërsa mamaja thotë i kërkoj falje Zotit dhe ty që nuk të kuptova”, rrëfen motër Alma.
-640-0-6053523c941fa.png
E pyetur nëse ka menduar ndonjëherë që mund të ishte nënë, do kishte krijuar familje, ajo tha: “Jam nënë e shumë fëmijëve. Të jesh nënë nuk është vetëm të nxjerrësh në jetë fëmijët biologjikë, atë amësinë që ka çdo femër, Zoti ma ka dhënë që tua jap fëmijëve të zonës. Të gjithë dashurinë dhe energjinë që kam, ua fal atyre”, tha motër Alma.
-640-0-6053523c6280f.png
-640-0-6053523c34ce6.png

-640-0-6053523c0b2ca.png

-640-0-6053523bd1421.png
g.shqip
 
Top