“Nënë Liza? Zaptuese! Në fshatin nga zbriti të vret po i shkele gardhin!”

Gazetarja replikon me botuesin: “Ata zaptues paguan Universitetin tënd”​

272080228_1098149570762260_6052832289522917215_n-905x395.jpg
Përse ne nuk e njohim pronarin e tokës që ka zaptuar “Nënë Liza”, – pyet gazetari Mero Baze dhe bën një portretizim të gruas së moshuar që prej një muaji del në ekrane, e për të cilën Baze thotë se nuk është personazhi simbolik i protestave, siç duan ta portretizojnë, por personazhi simbol i tranzicionit shqiptar dhe pafytyrësisë së politikës shqiptare.

Shkruan Baze:

“E quajnë “Nënë Liza”. Veshja, gjuha dhe biografia e shpjeguar e saj, na tregojnë një malësore që tranzicioni e ka përplasur në Tiranë, bashkë me fisin e saj. Kanë ndërtuar disa shtëpi në një cep të Tiranës ku ka qenë dikur fermë dhe tani duan të trajtohen jo vetëm si pronarë të shtëpisë që kanë ndërtuar, por dhe të tokës.

Nënë Lizës i hapin rrugë të gjithë. Policët bëjnë sikur e zbojnë nga rrënojat e shtëpisë, por në fakt e lënë aty. Deputetët e PD, këta që përherë betohen se një ditë prona do t’i kthehet pronarit, e marrin në krahë dhe e sjellin në Kuvend. Ata të “Foltores” së Sali Berishës, që në fakt është prodhuesi i “Njeriut të ri” të quajtur “Nënë Liza”, ka gjetur dhe mënyrën se si ta mbajë gjallë zemërimin e nënë Lizës, duke i thënë, se asaj, do t’ia prishin shtëpinë, se do ndërtojnë kulla Rama me Bashën.

Vet nënë Liza ngjan një komuniste e thekur në formimin e saj. I akuzon policët se po sillen “si xhandarët e Zogut”, një krahasim që tregon indoktrinimin e periudhës komuniste, kur krahasimet negative bëheshin me Zogun dhe më pas thotë jo pa simpati, se “Enver Hoxha nuk të linte të flije jashtë, ta jepte një shtëpi”.
Pas kësaj i ka kapur të gjithë një dashuri e pashpjegueshme për nënë Lizën. Deputetë të majtë e të djathtë i rrijnë në krah, i japin të drejtë, i shpjegojnë shifrat etj. Edi Rama zbret nga makina e thërret në zyrë, i shpjegon kontratën që ajo merr metër për metër shtëpi të ligjshme, aq sa metra ka të paligjshme.

Shtypi e shpall heroinë. Dhe minimumi tani të gjithë janë të bindur se nënë Lizës nuk i duhet ngrënë haku. I duhen dhënë metër për metër gjithë çka ndërtuar në mënyrë të paligjshme mbi tokë të botës. Por nënë Liza dhe soji i protestuesve duan dhe më shumë. Duan të trajtohen si zot të asaj toke dhe të negociojnë të adhmen e zhvillimit të saj.

Ajo tani është një “heroinë” që i duhet vënë nderi në vend, falë një politike hipokrite që kërkon të bëjë personazhe të tilla, simbol të kauzave të gabuara të tyre, këto tridhjetë vjet.

Në gjithë këtë debat, ne e njohëm nënë Lizën, të afërmit e saj, ca djem të rinj që kanë qindra mijëra euro makina luksoze, por që luftojnë bashkë me nënë Lizën, të mos i dorëzojnë ato që kanë zaptuar etj.

Vetëm një njeri nuk e njeh askush dhe nuk flet askush për të. Pronarin e tokës që ka zaptuar nënë Liza, nipat, mbesat e fisi i saj. Ai nuk ndihet, nuk flet, nuk ka zë, nuk e adhuron njeri, nuk bën njeri betejë për të. Dhe mirë me kaq. Se të pakën është i harruar. Se nëse ndodh dhe ja mësojnë emrin, mund të jetë i sulmuar dhe i përbuzur.

Kjo është Shqipëria e vitit 2022. Nëse shkon tek fshati i nënë Lizës
dhe kalon pa dashje në një livadh pa gardh, mund të dalë prapë nënë Liza tjetër aty e të thotë “se po shkel mbi livadhet e fisit tim e jemi në gjak”. Nëse nënë Liza vjen në Tiranë, zapton tokë dhe pastaj kërkon të drejtat e saj, bëhet heroinë e Shqipërisë.

Dhe kjo ndodh se “njeriu i ri” i këtyre tridhjetë viteve është nënë Liza, kurse i humburi është pronari legjitim. E djathta shqiptare që gjoja do mbronte pronat është me nënë Lizën. E kanë shpallur ikonë të tyre. Madje dhe politikanë të pavarur të së djathtës që kanë një fije personaliteti sa i përket pronarëve dhe pronave, kanë zgjedhur “Nënë Lizat” tek Unaza e re, pasi ashtu siguronin mandate deputeti.

Nuk po flasim më për PD e Berishën pasi ata janë prodhuesit e njeriut të ri të quajtur “Nënë Liza”. Kjo është arsyeja që ne nuk e njohim pronarin e tokës që ka zaptuar nënë Liza. Po të luftonim dhe për atë, si për nënë Lizën, sot nuk do t’i kishim këto probleme”
.


Por gazetarja Aranita Brahaj, e sheh ndryshe këtë personazh dhe simbolikën e tij publike. Në një replikë ajo shpjegon “pse nuk jam me Meron, por me djersen e “zaptuesve” qe paguan universitin e merove, banesat e dhuruara ne 90, bukën e grurit qe hanin te priviligjuarit kur Puka e Mirdita nxirrnin baker e ar, por hanin buke mistri te egër”.

Shkruan Brahaj:

“Mero harron nje fakt “zaptuesit” vijne nga zonat më të shfrytezuara te vendit, nga ato zona ku njeriu punoi minator, apo gjeologji ne minierat e bakrit kromit, uzinat e përpunimit. Në ato zona ku dekada te tera mbusheshin automjete me minerale e metale per Zvicren, Austrinë, Industrite e Europes.

“Arka e shtetit mbahej me GDP e minierave te Mirdites e Pukës, Ekonomia kombetare fillonte me keto rrethe. Industria, mirëqenia, strehimi, pallatet e Tiranes, veshmbathjet e importit, universitetet ku shkonte edhe pinjolli me biografi te mire apo spiuni me i devotë, çdo e mire e ekonomisë se padrejte para ’90 lidhej me kontributin e njerëzve dhe nentokes se Puke e Mirditë.

Në kembim minatori i Veriut merrte te drejtën per te ngrene vetem buke misri, dhe femijet i vdisnin nga anemia e misrit. Në vitet 70 e 80 më të pasurit e nentokes e kishin te ndaluar nga regjimi kriminal socialist te ushqenin femijet me buke gruri. Dhe misri nuk ishte ai i cilesise qe kemi sot.

Tokat e zaptuar pas 90, ne 75% ishin publike. Shume nga tokat u blene me lekë ne dore, me vendime Keshilla Lagjesh. Zgjidhja per te blere toka me letra te rregullta e nga pronare te sakte nuk u dha asnje sistem shtetor qofte ky nen qeveri te sulmuara apo te mbrojtura nga Mero”.


Gazeta Dita
 
Top