Mitet e Platonit

Mitet e Platonit.​

1659258197692.png
Neel Burton

Ndoshta alegoria më e famshme në filozofi është Alegoria e Shpellës së Platonit, në të cilën Platoni, nëpërmjet Sokratit, krahason njerëzit të cilëve u mungon mësimi filozofik, me të burgosurit që kanë kaluar tërë jetën e tyre në një shpellë të nëndheshme dhe nuk e kuptojnë se ekziston një botë e madhe, përtej asaj që ata perceptojnë. Alegoria e Shpellës nuk është tamam një mit, për aq sa i mungon dimensioni i shenjtë që është thelbi i mitit. Por Platoni shkroi gjithashtu mitet e ‘mirëfillta’ në dialogët e tij sokratike, duke kapërcyer kështu – dhe në mënyrë të pazakontë për kohën – ndarjen e mprehtë midis mitos dhe logos: midis rrëfimit dhe ligjërimit të arsyetuar.

Platoni nuk shkroi argumente analitike të thata, por dialogë të gjallë fiktivë ose gjysmëfiktivë, duke e bërë atë një nga filozofët më të lexueshëm nga të gjithë. Dialogët e tij të mëparshëm paraqesin Sokratin duke pyetur një ose më shumë njerëz për kuptimin e një koncepti të veçantë, si bukuria, guximi ose devotshmëria, në mënyrë që të ekspozojë kontradiktat në supozimet e tyre dhe të provokojë një rivlerësim të konceptit – një metodë debati që është bërë e njohur si metoda e elenchus (‘përgënjeshtrimit’) ose metoda Sokratike.

Në dialogët e tij, Platoni thuri mite, alegori dhe metafora. Për shembull, ai krahasoi shpirtin (aka mendje – psikikë) te një karrocier në një karrocë të tërhequr nga dy kuaj me krahë, njëri i zbutur dhe fisnik (arsyeja), tjetri i egër dhe i padisiplinuar (pasioni). Të gjithë dialogët e tij, me përjashtim të vetëm atij të Kritonit, përmbajnë imazhe kafshësh dhe vetë Sokrati krahasohet në mënyra të ndryshme me një mizë, një mjellmë, një gjarpër, një lejlek dhe një pjell – dhe jashtë mbretërisë së kafshëve, me një kavanoz të zbrazët të mbushur me ide të njerëzve të tjerë dhe një mami, që ndihmon shpirtrat shtatzënë të pjellin urtësi. Ky është zëri i MenoS, një gjeneral i ri mercenar me prirje filozofike, tek “Meno” e Platonit:

“O Sokrat, më thoshin, para se të të njihja, se ti gjithmonë vë në dyshim veten dhe i bën të tjerët të dyshojnë; dhe tani ti po ushtron magjitë e tua mbi mua, dhe unë thjesht po magjepsem e pothuaj po dal mendsh. Dhe nëse mund të guxoj të bëj një shaka me ju, ju më dukeni si në pamjen tuaj ashtu edhe në fuqinë tuaj ndaj të tjerëve, se jeni shumë si peshku silur i sheshtë, i cili torturon ata që i afrohen dhe e prekin, siç po bën ti tani me mua. Sepse shpirti im dhe gjuha ime janë vërtet të turbullt dhe nuk di si t’ju përgjigjem… Dhe mendoj se jeni shumë i mençur që nuk jeni larguar nga shtëpia, sepse nëse do kishit bërë në vende të tjera siç bëni në Athinë, do të ju fusnin në burg si magjistar.”

Platoni përdori edhe mitet tradicionale dhe të tjera, të cilat ai i përshtati ose i shpiku për qëllimet e tij – mitet më të famshme të shpikura janë Miti i Atlantidës, Miti i Aristofanit dhe Miti i Erit. Po pse duheshin shfaqur mitet? Pse të mos shkruhej thjesht filozofi “e pastër”?

Mitet dhe metaforat e Platonit shërbejnë për qëllime të shumta. Për shembull, Miti i Atlantidës shërben si një shpalosje e vizionit të Platonit për një shoqëri ideale. Dhe metafora e Karrocës mbështetet në teorinë e tij të dijes, teorinë e formave dhe teorinë e dashurisë, duke treguar se si të gjitha përshtaten dhe punojnë së bashku: karrocat e shpirtrave që janë më të ngjashëm me perënditë janë në gjendje të ngjiten mjaft lart, për të ngritur kokat e tyre mbi pragun e qiellit dhe për të parë format universale. Shpirtrat që vështrojnë më gjatë format janë rimishëruar si filozofë, artistë dhe dashnorë të vërtetë dhe janë aq të përfshirë nga ajo që kanë parë, saqë harrojnë gjithçka nga interesat tokësore.

Por përtej përdorimeve të tyre thjesht njohëse, mitet e Platonit kanë gjithashtu një funksion të rëndësishëm emocional, duke e bërë filozofinë e tij më të kapshme dhe tërheqëse; madje, herë pas here, goditëse. Pak njerëz dinë për ndërlikimet e Republikës së Platonit, por pothuajse të gjithë kanë dëgjuar për Atlantis, e cila ka frymëzuar libra të panumërt dhe madje edhe një film të Disney-t. Tek Lisis, Sokrati thotë se bukuria është një “gjë e butë, e lëmuar, e rrëshqitshme” që “rrëshqet kollaj dhe përshkon shpirtrat tanë”, dhe mitet e Platonit thjesht pikojnë bukuri. Tek Charmides, Sokrati i tregon Charmides-it të ri, i cili ka vuajtur nga dhimbja e kokës, për një ilaç për dhimbjet e kokës, që e mësoi nga mjeku mistik i mbretit të Trakës. Megjithatë, ky magjistar i madh e kish paralajmëruar se është më mirë të kurosh shpirtin para se të kurosh trupin, pasi shëndeti dhe lumturia në fund të fundit varen nga gjendja e shpirtit:

“Ai tha se të gjitha gjërat, të mira e të këqija, në trup dhe në të gjithë njeriun, burojnë nga shpirti dhe përhapen prej andej… Duhet, pra, të trajtohet shpirti para së gjithash, nëse do që koka dhe pjesa tjetër e trupit të jenë mirë. Ai tha se shpirti trajtohet me hijeshi të caktuara, Charmides im i dashur, dhe se këto bukuri janë fjalët e bukura. Si rezultat i fjalëve të tilla, lind vetëkontrolli brenda shpirtrave. Kur ai lind dhe është i pranishëm tek ata, atëherë është e lehtë të kesh shëndet, si për kokën ashtu edhe për pjesën tjetër të trupit.”

Ky është një himn për fuqinë e gjuhës! Për Platonin, miti është një mjet për të anashkaluar arsyen dhe për t’u futur drejtpërdrejt në aspektet më dominuese emocionale dhe irracionale të shpirtit. Është gjithashtu një mjet për të arritur përtej kufijve të arsyes dhe gjuhës, për të kuptuar të vërtetat e thella, madje mistike, një mënyrë, nëse dëshironi, për të thënë të pathënën.

Një mit që e krijon Platoni (edhe pse nuk prezantohet si mit) është historia e origjinës së metodës së elenchus ose vetë dialogut filozofik, që, në fakt, është shumë më përpara Sokratit. Por nëse duhet t’i besohet Platonit, Sokrati filloi metodën e elenchus në përgjigje të një orakulli. Tek Apologjia, Platoni tregon se, një herë e një kohë, miku i Sokratit, Charephon, e pyeti orakullin në Delfi nëse kishte ndonjë më të mençur se Sokrati, dhe priftëresha e Apollonit u përgjigj se nuk kishte njeri më të mençur.

Për të zbuluar domethënien e kësaj thënieje hyjnore, Sokrati pyeti një numër njerëzish, që mbaheshin si të mençur për koncepte të ndryshme dhe në secilin rast arriti në përfundimin: “Kam gjasa të jem më i mençur se ai në një masë kaq të vogël, saqë nuk mendoj se e di atë çfarë nuk e di.” Që atëherë, Sokrati iu përkushtua shërbimit të perëndive duke kërkuar këdo që mund të ishte i mençur dhe “nëse nuk është, t’i i tregoj se nuk është”.

Për Platonin, domethënia e këtij miti nuk është se ai i atribuon një origjinë metodës së elenchus, por se e përshkruan mësuesin e tij Sokratin, i cili ishte dënuar me vdekje si heretik dhe korruptues i të rinjve, si njeri që kish qenë në një mision filozofik fisnik, me frymëzim hyjnor.

* Neel Burton është autor i “Kuptimi i miteve” / Philosophy Now – Bota.al
 
Alegoria e mitit të shpellës së Platonit duhet lexuar, e mësuar, nga të gjithë.
Ajo filozofi është aktuale edhe sot..pasi njerzit jetojnë në Matrix të internetit, =shpella e mitit të Platonit 🤷
Njeriu dele 🐑 ngelet gjithmonë në shekuj . Nuk del kurr nga "shpella"
 
Top