• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Mirenjohje per Fishten e Madh

alfonci

Veri investigatio
Pragavjeshtë e vitit 1987. ثndrrat tona, se pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, do të vinin ditë më të mira, u grimcuan duke na lënë vetëm zhgënjimin. Ramiz Alia, me prononcimin e tij për diktatorin, se ai do të mbetej prapë “Arkitekt i Shqipërisë Socialiste”, i thau filizat e shpresës të mbjellura në shpirtin tonë qysh në pranverë të tetëdhjetë e pesës.

Pikërisht në një nga këto ditë të mbushura me pesimizëm po shpejtoja tepër i shqetësuar në drejtim të spitalit të qytetit, ku një i afërm i imi po jetonte ndofta çastet e fundit. Në këto rrethana para meje rrëzohet një plak, të cilin e tradhëtuan këmbët e lodhura nga mosha, si dhe bastuni i ri që mbështetej mbi të. Ndalova vrapin dhe e ngrita nga toka, përballë meje një pleqëri e thellë që i jepte plakut pamjen e një rrobe tashmë të vjetër, të një cope dikur të shkëlqyer. Më shikonte me mirënjohje, por edhe me frikë. Qenia e tij e rrezatonte këtë frikë së bashku me një pasiguri totale të dyfishtë; pleqëria e thellë nga njëra anë, si dhe frika se në çdo çast mund të humbëte lirinë e fituar së voni.pasi plaku u qetësua, me një zë të ëmbël më pyeti: “A po më njeh?”. U përgjigja se nuk e njihja. Pastaj vazhdoi: “Jam një nga klerikët e paktë që shpëtuan pa u pushkatuar dhe pa vdekur nëpër burgjet komuniste, jam padër Meshkalla!”. I thashë se kisha dëgjuar për të. Më nguli sytë me kureshtje dhe me një zë që tashmë kishte marrë tipare të reja, tiparet e pasigurisë për të nesërmen, m’u drejtua: “Tashti që e morët vesh se kush jam në të vërtetë, do të më leni kështu në rrugë apo jo?”. Pyetje të kësaj natyre të bëra me zgjuarësi, vënë në provë karakterin e njeriut, duke e ngarkuar kështu me përgjegjësi morale dhe që këto lloj përgjegjësish janë nga ndjenjat më të fuqishme. I thashtë se jo vetëm nuk do të lë por do të vihem në dispozicion për sa kohë që ju do të dëshironi.

Ecëm një copë rrugë bashkë, me këtë njeri të “ndaluar”. Gjatë bisedës më foli edhe për Fishtën e madh. Më bëri përshtypje të veçantë një krahasim brilant, që pader Meshkalla bëri, përsa i përket mohimit të këtij gjiganti të letrave shqip: “Fishta, vazhdoi bashkëbiseduesi, është si një top llastiku që e kanë zhytur padrejtësisht në thellësinë e errët të ujrave për të mos dolë kurrë më, por janë gabuar, ai do të dalë me të njëjtën forcë, në dritën e shndritshme të diellit, dhe afër tij, në vendin që e takon”.

Më vjen keq që nuk arrita t’a shikoj më pader Meshkallën, pas pak kohësh, vdekja e pamëshirshme i shkëputi lidhjet me jetën në tokë, ai vdiq si “mëkatar” i lirisë e i të drejtave të njeriut.

Duke patur parasysh përpjekjet e intelektualëve shqiptarë në shekuj, s’ka si të mos duket disi e paplotë thënia steriotipe se “shqiptari e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”. Kombi shqiptar do të mbetej barbar në rast se në dorën tjetër nuk do të kishte mbajtur penën. Gjithashtu nuk e kuptoj kujt i ka bërë keq pena në dorën tjetër të shqiptarit, përveç pushtuesit që kërkonte me çdo çmim injorancën e popullit tonë!

Për hir të së vërtetës duhet thënë se, ky popull nga më të vjetrit në Europë, përveçse me shpatë ka luftuar edhe me penë. Ka patur situata që në historinë e tij të shumëvuajtur, atë që nuk ka mundur t’a bëjë shpata, e ka bërë me shumë sukses pena. Por komunizmi kurrsesi nuk e toleronte dritën që shpërndante pena e intelektualëve nacionalistë shqiptarë. Një nga këta njerëz të lavdishëm, që e përdori penën vetëm në funksion të Kombit është edhe poeti ynë i madh, at Gjergj Fishta.

Të shkruash mirënjohje për at Fishtën, duhet së pari të jesh shqiptar, t’a duash atë dhe veprën e tij, por njëkohësisht, të ndikojë edhe te disa kritikë apo “gjeneralë” të letërsisë të kohës së sotme si, Koço Bihuku, Ulusi Hako, Mojkom Zeqo, Ismail Kadare, që keqinterpretojnë në mënyrë të qëllimshme vlerat e vërteta të veprës së poetit.

Megjithëse kompetencat e mija janë në nivelin e një lexuesi të veprës së tij, e ndjej për detyrë morale, që në këtë pesëdhjetë e pesë vjetor të vdekjes së poetit, të shkruaj dy fjalë të thjeshta për epikun, lirikun e satirikun më të madh të Kombit tonë, dhe së dyti, si një kompensim mikroskopik për ato ndjesë me fuqi të përjetuar gjatë leximit të veprës së tij të pavdekshme.

At Fishta lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës, me 23 Tetor 1871. Lindi pikërisht kur Kombi Shqiptar vuante nën pushtimin shumëshekullor Osman. Por sikur të mos mjaftonte kjo, në këto kohra u shtua edhe një fatkeqësi e re; rreziku i asgjësimit të Kombit nëpërmjet coptimit territorial, që të çonte padyshim në shpërbërjen kombëtare. Në këto situata tepër të rënda për Shqipërinë, rilindasit luftuan me pushkë e sidomos me penë, që nga Kristoforidhi, Veqilharxhi, vëllezërit Frashëri, De Rada, Skiroi, Vaso Pasha, e shumë e shumë të tjerë, për të ardhur kështu në fillimet e shekullit të ri, kur koha na nxjerr në skenë një Fishtë për të zbuluar vlerat e vërtetaq të saj. “Paraqitja e tij profetike në popull, shkruan profesor Engjëll Sedaj, qe fenomenale në çdo pikëpamje, modest sipas shëmbëlltyrës shenjtore të françeskanëve, guximtar sipas shembullit të qindra klerikëve të martirizuar nga pushtuesit aziatikë, studjues dhe erudit, për t’u bërë akademik, që do t’a dëshironte çdo shkrimtar i kohës së tij dhe i kohës sonë, edukator dhe provincial i dashur, luftëtar i pako???? për veshjen shqiptare, dhe mbi të gjitha poet dhe këngëtar i ngadhnjimit të njeriut mbi të keqen”.

Që në fëmijërinë e hershme Fishta u dallua në mënyrë të veçantë për një dhunti inetelektuale të fuqishme, saqë mësuesi i tij italoarbëresh, Leonardo De Martino i kushtoi një vëmendje të posaçme, sepse De Martino pa te Fishta i vogël, Fishtën e madh të ardhshëm. Me këtë rast e shpuri në Kolegjin Françeskan të Troshanit, që ishte me zë të mirë në atë kohë. Aty kreu studimet e mesme me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1886 largohet për herë të parë nga atdheu e niset për në Bosnjë, për t’u formuar më tej nëpërmjet studimeve të larta. Nga Bosnja shkon në Livno, Kreshevë e Sutjeskë ku kreu përkatësisht studimet në teologji dhe filozofi. Në vitin 1894 vesh petkun e meshtarit të cilin e mban me nder e dinjitet gjithë jetën e tij. Këtu pikërisht mbaron odiseja e studimeve jashtë shtetit, dhe pasi kthehet, nuk e lë asnjëherë atdheun, derisa mbyll syrin tokësor më 30 Dhjetor 1940.

Për rreth 46 vjet me radhë Fishta ka qenë i mohuar dhe i panjohur për lexuesit shqiptarë, ai është lexuar vetëm vjedhurazi, si pasojë e gabimeve trashanike në dëm të Kombit tonë, që faktorin politik e kanë vënë me forcë mbi interesat kombëtare, duke cunguar kështu ndjeshëm kulturën si dhe qytetërimin shqiptar.... Krime të kësaj natyre të manipuluara për dekada të tëra kundër disa intelektualëve shqiptar, jo vetëm nuk kanëndrequr gjë, por përkundrazi, kanë krijuar një boshllëk, një varfëri të pallogaritshme në jetën tonë kulturore. Jo pa qëllim është përhapur një keqinterpretim për veprat e poetit, ku propaganda komuniste influencoi rëndom, sidomos te lexues të paformuar të çfarëdo moshe, apo te ata që nuk kanë marrë mundimin për të lexuar ndonjë varg fishtjan: pikërisht këta thonë: “Pse t’a lexojmë antikombëtarin Fishtë kur ky vetë thotë se Gjergj Fishta s’është shqiptar (!). Të paktën për të justifikuar apo për t’a zbutur sadopak injorancën e tyre, duhej të lexonin pa tjetër vargun e plotë, ashtu si e shkruan vet poeti! Nuk mbaj mend se ku e kam lexuar një shprehje që thotë se “ndërsa budallai është diçka, injoranti s’është asgjë”. Pra ky konkluzion i gabuar është përhapur me paramendim; sa keq kush përbuz pa njohur luan personazhin e injorantit...

Në satirat e Fishtës me rreth 8000 vargje, “Anzat e Parnasit”, një nga kulmet e satirës shqiptare, aty ka dhe një vjershë që titullohet “METAMOPHOZIS” që në shqip do të thotë, ndryshim i madh dhe i dukshëm, në të cilën autori që në vitin 1907, në atë periudhë të errët që përkonte më shumë se kurrë një vetëdije e një vetëmohim kombëtar, vë në lojë disa shqiptarë, disa pseudopatriot, të cilët thotë autori: “Për dhe të parëve/ S’ju bjen ner mend/ M’sa për kërpudhat/ Që mbijn n’dervend/ Për ditë t’u majun/ Si majet njala/ U punon n’shekull/ Kuleta e fjala/ Fis kanë ma të fortin/ Dhe vëlla bujarin/ Për atdhe barkun/ Për erz kanë arin/ Me nji gut morgen/ A kalimera/ Me nji dobra vjeçer/ A buona sera/ Mue punët të tana/ Më ecin për fillë/ E der murrizi/ M’qet dradofille...”.

Janë pikërisht këta tartufa e kryetula që paturpësisht duke krijuar një mirqënie disi të veçantë e të dyshimtë, s’çajnë kokën për hallet e kombit dhe deklarojnë se: “T’a dijë Shqypnia/ Pra sheklli mare/ Se mas sodit/ Unë s’jam shqyptar...”. Ai që ka patur fatin të lexojë të gjithë satirën fishtjane, do të konstatojë shqetësimin e madh të poetit, që është i detyruar t’i ironizojë t’i fshikullojë këta patriotë të remë. Qëndrimi i poetit të shqetësuar është i palëkundur, nuk ka kompromis kur është fjala për atdheun, ai i vendos antikombëtarët në vendin e turpshëm që meritojnë: “... bre coftina kalb mbi dhe/ Der kur ju t’u u tall ndër ne/ Do t’na qelbni fis e atdhe...?

Por le të mos zgjatemi më me këta lexues diletantë, kritikë apo “gjeneralë” të letërsisë tonë, sepse ndjenjat e fuqishme të së bukurës që të jep arti, janë pronë vetëm e atyre që e shijojnë dhe e konceptojnë atë.

“Lahuta e Malsisë”, është dhe mbetet kryevepra e poetit, për të cilën punoi për 32 vjet me radhë, është njëkohësisht edhe kryevepra e letërsisë shqipe në gjininë e saj. Ajo të jep kënaqësi të veçantë të shumëfishon e të rrit ndjenjat e atdhedashurisë, siç rrit qumështi i nënës fëmijën e porsalindur, të fisnikëron shpirtin me ndjenja nga më njerëzoret, duke patur si synim kryesor, përsosjen e ndërgjegjes kombëtare.

Në këto kohëra tepër të vështira për Shqipërinë, “Lahuta e Malsisë” shërbeu si një kod për të vënë në lëvizje ndërgjegjen tonë kombëtare, duke injektuar në këtë mënyrë, doza të mjaftueshme atdhetarizmi, që shqiptarët “me dërras të kraharorit të përballonin armikun shkja”. Ky kod i përsosur futej lehtësisht edhe në shpirtin e atyre që nuk dinin të lexonin, mjafton t’a dëgjojnë disa herë dhe të mbetej përjetësisht në kujtesë. “Lahuta e Malsisë” ka qenë dhe do të mbetet një sirenë luftarake e fuqishme për të zgjuar ndërgjegjen tonë kombëtare sa herë që atdheu do të jetë në rrezik, sot dhe në të ardhmen, për brezat që do të vijnë. Jo rastësisht poeti e përcakton veprën e tij si një testament kombëtar kur thotë: “Nipnisë së kohëve të vona edhe për t’le...”.

Një vepër tjetër jo më pak e rëndësishme është edhe vëllimi me lirika, “Mrizi i Zanave”. ثshtë një vepër me të gjitha karakteristikat e shkruar nga njëmjeshtër i madh i penës, ku i këndohet me dashuri të veçantë, gjuhës, zakoneve e çdo gjëje tjetër shqiptare, që poeti i përjetëson me artin e tij të madh. Nuk ka patur e nuk ka njerëz të letrave shqipe, as dje e as sot, që në veprat e tyre të jetë shkruar aq shumë e me aq përkushtim, fjalët atdhe e shqiptar, se sa në veprat e Fishtës. Janë lidhjet intime të tij, me tokën e tij, me shpirtin e njerëzve të tij, vlerat e të cilave i grumbullon, i amplifikon dhe i shpreh në mënyrë të hyjnishme në këngët që burojnë të freskëta, ashtu si uji i burimeve të maleve tona. “Natyra e jep Fishtës copa nga gjiri i saj, thotë Lazgush Poradeci, shqiptare prej rrace është vetë shqiptari i Fishtës sa të jetë jeta, shqiptari i përjetshëm siç ka qenë e siç do të jetë Ay i cili për Fe dhe Atdhe bën vdekjen si e ka patur zakon gjithnjë, “si me le”. Atdheu për Fishtën është pa dyshim kuptimi i jetës së tij, të cilin na e la trashigim edhe ne: “ma mirë dekën nën dhe m’u kja/ Se me marrë gjall mbi dhé t’vet kush dek ka ra/ Ai s’ka dekun por ka le”. Veprat e tij nuk jamë vetëm “Lahuta e Malsisë”, (1905-1937), “Anzat e Parnasit” (1907), “Mrizi i Zanave” (1913), “Gomari i Babatasit” (1923), “Vallja e Parrisit” (1927), “Jerina ose mbretëresha e luleve”, “Pika e Voesë”, “Juda Makabe”, “Odiseja”, “Ifigjinia në Avulli” etj., por Fisha ka edhe mjaft vepra të tjera të pabotuara, që të gjitha së bashku përbëjnë një shifër pothuajse të paarritshme, prej 100 mijë vargjesh.

Përveç artit të tij të dashur të vjershërimit, Fishta ka qenë edhe një piktor mjaft i mirë. Në vitin 1923 shoqnia “Rozafa” organizoi një ekspozitë kombëtare, ku Fishta paraqiti 24 punime të tij, disa prej të cilave u vlerësuan nga Akademia e Arteve të Vjenës. Jo vetëm piktura, por edhe arkitektura ishte një pasion i veçantë për poetin. Ai ka projektuar me dorën e tij fasadën e bukur të kishës së Rubikut, ka projektuar gjithashtu, kishën e fretënve te lagjja “Arra e Madhe”, manastirin në Lezhë, kishën në lagjen “Gjuhadol”, e të tjera objekte të dala nga dora e tij, që Zoti e kishte pajisur me të dhënat e një artisti shumë dimensional.

Në përvjetorin e pesëdhjetë e pestë të vdekjes së poetit, le të kujtojmë me respekt të veçantë përkushtimin e tij ndaj kombit që e lindi, e ky përkushtim i tij, le të na shërbejë edhe ne për forcimin e vetëdijes Kombëtare, si një kryekuptim madhor i jetës tonë.

Duke sjellë edhe një herë në mendje thënien brilante të të ndjerit, pader Meshkalla: që “Fishta është zhytur padrejtësisht në thellësinë e errët të ujrave”, le të shpresojmë se duke u ngritur me forcë lart, pa dyshim do të vendoset në vendin që i takon në altarin e Kombit, që poeti e desh aq shumë.

Bujar Shehu

(C) SHKODRA.WS
 
Top