Mendimi filozofik shqiptar i viteve ’20-’30.

Bilderberg

Anëtar i ri
ico_andreca2.gif


Mendimi filozofik shqiptar i viteve ’20-’30 dhe detyrat e Qendrës së Studimeve Albanologjike


Ardian Ndreca

Nuk ekziston sot asnji studim organik rreth mendimit filozofik shqiptar të viteve ‘20-‘30.
Në anën tjetër nuk kemi filozofë të mirëfilltë që të kenë zhvillue nji sistem mendimi me kulminacione të caktueme e me ide të forta e origjinale.
Kemi ma së shumti ideologë - «idéologues», në kuptimin etimologjik dhe origjinal të termit, ashtu siç e konceptonin ideologjinë Destut de Tracy, Cabanis apo Chamfort.
Ideologëve tanë, që qenë aktivë kryesisht në dekadat e para të shekullit XX, u pat ra mbi shpatulla barra e randë me qenë njikohsisht njerz veprimi dhe mendimi, njerz që duhet të luftonin e të shkruenin.
Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Faik Konica, Gjergj Fishta janë ideologë në sensin e mirëfilltë të fjalës.
Jo vetëm këta por edhe shumë të tjerë që i pasuen nuk patën mundësi me u marrë me sisteme, por iu përveshën punës me vu në jetë talentin dhe çka kishin mësue në të mirën e atdheut të tyne.
Sigurisht që ia arritën ma së miri qëllimit.
Mit’hat Frashëri asht padyshim nji ideolog i madh, pamvarsisht prej kritikave të padrejta të اajupit, e vështrimi i tij ndalet tek nevoja e nji vizioni sa ma shpirtor dhe ideal mbrenda jetës shqiptare. Fishta kërkon me zgjue shqiptarin tue i paraqitë nji të kalueme të idealizueme, plot heroizëm e madhështi. Konica, si pakkush, mbërrin me përcaktue diagnozën e sëmundjes kronike prej së cilës vuejnë shqiptarët dhe me dhanë ilaçin e vetëm që mund t’i shëndoshin. Mehdi Frashëri ban analiza dhe sinteza tejet të sakta të probleme dhe të hijeve që randojnë ndërgjegjen shqiptare e tregon nji rrugë iluministe për me i zgjidhë ato. Anton Harapi mendon se rruga e bashkimit të shqiptarëve nën ideale morale mund të mbërrihet me anë të nji pedagogjie moderne, shkencore tue e vu theksin tek nevoja e edukatës së brezit të ri, pra nji «Bildung» humaniste perëndimore. Vinçens Prennushi shpreh «ante litteram» idenë e nji demokracie me frymzim të krishtenë mbrenda shoqnisë shqiptare, bahet fjalë për nji demokraci laike dhe të ekuilibrueme që të kujdesojë shëndetin publik të gjithë antarëve të shoqnisë. Branko Merxhani sillet rreth idesë së nji neoshqiptarizme, e cila frymzohet tek idealet pozitiviste dhe tek praktika kemaliste, të dyja këto ide, të superueme ndoshta qysh asokohe.
Në gjithë ketë panoramë eklektike dallojmë nji problem kryesor: krijimin e ndërgjegjes së shqiptarit dhe kultivimin e saj me mjete racionale.
Kemi nji “pars destruens”, pra nji pjesë e këtij mendimi i kushtohet shkatrrimit të foleve të vemjeve që kishin zanë vend në shpirtin e shqiptarit, dhe nji “pars construens”, domethanë trajtohet ajo pjesë e shqiptarit që duhet të ndërtohej prej themelesh.
Pjesa e parë përmbante: asgjasimin e feudalizmit e të padrejtësive shoqnore, barazinë e grues me burrin, ndamjen e pushtetit dhe ndamjen e shtetit prej fesë. Pjesa e dytë merrej me ndërtimin e nji shteti laik, me realizimin e nji reforme agrare, vendosjen e qetsisë dhe sigurisë publike, shkollat e reja me frymzim perëndimor (ma së shumti herbartian) etj.
Ajo që na ban përshtypje asht se asnji prej këtyne autorëve nuk e konsideron dhunën si mjet për me arritë këto qëllime.
Nuk duhet të harrojmë se jemi në nji periudhë kur Europa e mplakun provonte tundimin e fortë të diktaturave, si mjete të “domosdoshme” me shërue plagët e dekadencës liberale-borgjeze.
Mjetet që përmendin autorët e masipërm janë: edukata, kultura, veprimi shpirtnor, lufta kundër individualizmit, drejtësia shoqnore, moralizimi i shoqnisë.
Ndoshta ndonji autor me temperament ma revolucionar si Ismet Toto, Migjeni apo Zef Mala paraqesin shpërthime rinore që çojnë drejt zgjidhjes së konflikteve me rrugë të dhunshme, por asnji prej tyne, për arsye të ndryshme, nuk mundi me konkretizue rrugën e pame prej larg e kështu që s’mund të bajmë veçse hipoteza e ilacione a posteriori.
Lista e autorëve të randësishëm asht e gjatë, ndoshta ma i madhi e ma i randësishmi mbetet Faik D. Konica e mandej të tjerët me rradhë.
Shumë prej tyne janë botue e ribotue në këto vitet e fundit e kështu që lexuesi ka pasë mundësinë me njohtë mendimin e tyne dhe me krijue nji ide të saktë rreth ideologjisë që kanë mbrojtë e propagandue.
Për fat të keq shumica e botimeve që janë ba nuk janë kritike, që domethanë nuk janë të besueshme 100% dhe nuk pasqyrojnë në mënyrë shkencore origjinalin.
Kemi raste si botimet e N. Jorgaqit me veprat e Nolit apo Konicës, ku ka manipulime dhe ekstrapolime të turpshem, falsifikime antishkencore, përjashtime prej veprave të pjesëve që nuk i kanë pëlqye kujdesuesit të veprës. Kemi raste të tjera, siç asht ai i veprës së A. Harapit, ku numri i gabimeve asht i madh dhe mungon aftësia shkencore e kritike në përgatitjen e tekstit.
Rasti ma i fundit asht i ai i botimit të pjesëve të përzgjedhuna të veprës së Mit’hat Frashërit ku gabimet e shtypit, transkriptimi i gabuem i pjesëve në gjuhë të huej, mungesa e aparatit kritik e dobsojnë tejet nismën pozitive.
Botimi kritik i ideologëve të Shqipnisë së re nuk asht punë që mund të bahet pa kritere e metodë shkencore, pse rezultatet e qortueshme shihen menjiherë.
Do të duhej që Qëndra e Studimeve Albanologjike të krijonte nji komision ad hoc për botimin e nji kolane të klasikëve të mendimit shqiptar, të përgatitun në mënyrë shkencore prej specialistash dhe të pajisun me aparatin përkatës kritik. Për këtë gja do të duheshin angazhue studjuesat e rinj, shqiptarë, kosovarë, arbëreshë dhe të huej e do të duhej me u përgatitë nji kalendar i veçantë botimesh, nji program i detajuem, me nji metodologji të rreptë shkencore.
Botimet e deritashme ruejnë padyshim vlerat e tyne divulgative, por rrallëherë ndonji prej tyne mund të shërbejë me të vërtetë për përgatitjen e nji studimi shkencor, mbasi tekstet paraqesin nji punë filologjike të pamjaftueshme e kajherë tradhtojnë mendimin e vetë autorit.
Ndoshta QSA duhet të inauguronte kthesën e premtueme në lamijen e studimeve shqiptare tue nisë prej kësaj pune të randësishme dhe me peshë për formimin e brezit të ri të studjuesve shqiptarë.




 
Top