Lumturia e jetës së një njeriu përbëhet nga “dielli”, por edhe nga “shiu”

Lumturia e jetës së një njeriu përbëhet nga “dielli”, por edhe nga “shiu”​

1650468659631.png
Nga Arthur C.Brooks

“The Atlantic”

Në vitin 2007, një grup studiuesish filluan të hulumtojnë mbi një koncept që në pamje të parë nuk duket se ka nevojë të shqyrtohet: nëse më shumë lumturi është gjithmonë më mirë se më pak lumturi.

Studiuesit u kërkuan studentëve të universitetit të vlerësonin ndjenjat e tyre në një shkallë që varion nga “të pakënaqur” në “shumë të lumtur” dhe i krahasuan rezultatet me zhvillimin e karrierës së tyre akademike (mesatarja e notave, leksionet e humbura), dhe me ndërveprimet sociale (numri i miqve të ngushtë, koha e kaluar me miqtë).

Pjesëmarrësit që e konsideronin veten “shumë të lumtur” kishin një jetë sociale më të mirë. Por rezultatet e tyre në mësime ishin më të dobët se ato të atyre që e përshkruanin veten si “të lumtur”. Më pas autorët e studimit shqyrtuan të dhënat nga një studim tjetër që kishte klasifikuar nivelin e “gëzimit” të një grupi studentësh të universitetit, dhe verifikuan të ardhurat e tyre gati 2 dekada më vonë, duke zbuluar se më të lumturit në vitin 1976 nuk ishin ndër ata që fitonin më shumë para në vitin 1995.

Sërish ky moment historik u arrit nga ata që e përshkruan gëzimin e tyre si “mbi mesataren”, por jo nga 10 për qind e atyre që e përshkruan atë si “shumë të lartë”. Si në çdo gjë, edhe për të qenë të lumtur duhet të bëni kompromise.

Ndjekja e lumturisë duke përjashtuar qëllimet e tjera – një praktikë e njohur si hedonizëm psikologjik – nuk është vetëm një përpjekje e kotë, por madje ajo mund të çojë drejt një jete që nuk e dëshironi, një jetë në të cilën ju nuk arrini potencialin tuaj të plotë, në të cilën ka ngurrim për të marrë rreziqe, dhe për të zgjedhur kënaqësitë kalimtare në vend të stimulimit të përvojave që i japin kuptim ekzistencës.

Rezultati i këtij studimi nuk tregon se lumturia është diçka që duhet shmangur, por se një aluzion i pakënaqësisë mund të sjellë përfitime. Për shembull, është zbuluar se trishtimi ndihmon në zhvillimin e aftësisë sonë për të zgjidhur problemet.

Emi Gat, autore e librit “Depresioni produktiv dhe joproduktiv” i botuar në vitin 1989, argumenton se disa simptoma depresive mund të jenë një reagim funksionale ndaj problemeve të mjedisit që na rrethon, gjë që na bën t’u kushtojmë vëmendje atyre dhe të pajtohemi me to.

Pra kur jemi të trishtuar për diçka, jemi më të prirur që të përballemi me atë situatë. Psikologët e quajnë atë “hipoteza analitike e përgjumjes”, dhe kjo dukuri është dokumentuar nga kërkimi shkencor.

Sigurisht, kjo s’do të thotë se depresioni klinik është një gjë e mirë. Trishtimi ekstrem mund t’i bëjë njerëzit të mos jenë në gjendje t`i përballojnë problemet. Por hipoteza analitike e ripërtëritjes, është një provë se zhdukja e ndjenjave të këqija nuk na bën automatikisht më efikasë.

Nëse këto emocione mund të na ndihmojnë që të vlerësojmë kërcënimet, ka kuptim që një sasi e tepërt e ndjenjave të mira mund të na bëjnë që t’i shpërfillim ato. Këtë e sugjeron edhe literatura mbi përdorimin e substancave. Nivelet shumë të larta të emocioneve pozitive janë të lidhura me sjellje të rrezikshme si abuzimi me alkoolin dhe drogën, apo ngrënia e tepërt.

Refuzimi i pakënaqësisë mund të na bëjë të heqim dorë nga një jetë e plotë. Në fakt, siç e zbulon një sondazh i kryer në vitin 2018 midis studentëve të universitetit, frika e dështimit lidhet pozitivisht me kuptimin e thellë që i atribuohet romancës, miqësisë dhe (në një masë më të vogël) familjes.

Kur dikush më rrëfehet mbi frikën e rezultateve negative në jetë, origjina e vërtetë e frikës së tij lidhet në shumë raste me atë se si do të ndihet për dështimin, dhe jo me pasojat e vetë dështimit, një dinamikë që i ngjan mekanizmit me të cilin shqetësimi i lidhur me pasigurinë, gjeneron më shumë ankth sesa siguria se do të marrë lajme të këqija.

Për t’i shmangur këto ndjesi të pakëndshme, njerëzit heqin dorë nga të gjitha mundësitë që nënkuptojnë mundësinë e dështimit. Krijimi i hapësirës për ngjarje pozitive – si dashuria, suksesi në karrierë apo diçka tjetër – shoqërohet zakonisht me rreziqe.

Rreziku nuk na bën domosdoshmërisht të lumtur, dhe një jetë e rrezikshme do të na sjellë zhgënjime. Por ajo mund të jetë gjithashtu më shpërblyese, sesa një jetë që është gjithmonë në anën e sigurt, siç sugjeron studimi mbi lumturinë, mbi arritjet akademike dhe të ardhurat. Ata që patën një rendiment më mirë në punë dhe në shkollë, morën ndoshta vendime që ndonjëherë ishin të pakëndshme, madje edhe të frikshme.

Kjo nuk do të thotë që ne duhet t’i shmangemi asaj që na bën të ndihemi mirë, apo se jemi budallenj sepse kërkojmë të jemi të lumtur. Përkundrazi, dëshira për lumturi është e natyrshme dhe normale. Megjithatë, pasja si qëllim kryesor apo të vetëm në jetë ndjekjen e ndjenjave pozitive – dhe të përpjekurit më shumë për t’i shmangur ato negative – është një strategji e kushtueshme.

Lumturia absolute është e pamundur të arrihet (të paktën në këtë botë), dhe ndjekja e saj mund të jetë e rrezikshme dhe e dëmshme për suksesin tonë. Për më tepër, ta bësh këtë do të thotë të sakrifikosh shumë nga elementët që e bëjnë jetën të kënaqshme.

Vetë lumturia nuk do të ishte lumturi, nëse do të mungonte kontrasti që përjetojmë në mënyrë të pashmangshme me trishtimin. “Një jetë e lumtur nuk mund të ekzistojë pa një sasi të caktuar trishtimi”- deklaroi Karl Jung në një intervistë të vitit 1960 .

Ju mund t’i vlerësoni fjalët e Jungut dhe të angazhoheni për të praktikuar rregullisht mirënjohjen, duke e falënderuar jetën për gjërat që ju sjellin lumturi, si dhe ato që krijojnë vështirësi. Në fillim do të duket e panatyrshme, por do të bëhet më e lehtë çdo ditë që kalon.

Disa nga aspektet më të rëndësishme të jetës sonë, janë rezultat i drejtpërdrejtë i ndjenjave negative që kanë arritur të depërtojnë fshehurazi tek ne, pavarësisht përpjekjeve tona për t’i bllokuar ato.

Për shembull, unë kam 3 fëmijë të rritur. Deri vonë, derisa ata ishin adoleshentë, kemi sakrifikuar shumë për ta. Unë dhe gruaja ime humbëm shumë netë pa gjumë në atë kohë, por nuk do të ndryshoja asnjë detaj të atyre momenteve (tani që i kemi lënë pas).

Pra, ky është paradoksi i një jete të përmbushur. Të ndjekësh një pozitivitet të pafundëm do të thotë të synosh dimensionalitetin e një filmi hollivudian apo të një libri për fëmijë. Pra, ndërsa vuajtja nuk duhet të jetë kurrë qëllimi ynë, ne mund të përpiqemi të kemi një jetë të pasur ku jo vetëm të kërkojmë “diellin”, por edhe të përjetojmë plotësisht “shiun” e pashmangshëm. / The Atlantic – Bota.al
 
Top