• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Kriza financiare në ‘’Wall Street’’ të Amerikës

korado

President
Amerika si forca më e madhe e gravitetit të politikës globale po përballet kohët e fundit edhe me problemet në kontekstin financiar (përveç luftës ndaj terrorizmit, humbjet nga uraganet dhe ciklonet në disa shtete, etj.), e ku si pasojë konkrete kemi falimentimin e top bankës ‘’Lehman Brothers’’

Një sërë dilemash për të mënjanuar ‘efektin domino’ për dështimin e mega-bankave të tjera, mëdyshjet pro apo contra intervenimit qeveritar në shpëtimin e IAG-së, si dhe në përgjithësi rishqyrtimin e konceptit të tregtisë së lirë, apo rishikimin e formulës se ‘tregjet rregullohen vetvetiu dhe si të tilla nuk kanë nevojë për ndërhyrje’.

Në këtë konstelacion e pamundur të mos futet në diskurs dhe debat liberalizimi i tregjeve financiare, supervizioni shtetëror ndaj tyre, raporti shtet-ekonomi, etj. Dhe për Amerikën të vësh në pikëpyetje dhe diskutim tregtinë e lirë është sikur të flasësh për ‘krizën e liberalizmit’ dhe ndryshim perceptimi edhe ndaj vetë premisave në të cilat mbahet i gjithë sistemi politiko-shoqëror i SHBA-ve.

Mirëpo, në këtë shkrim nuk do të përqendrohemi në atë se si e shohin Amerikanët goditjen financiare që pësuan, por si e akceptuan dhe pritën kundërshtarët e Superfuqisë së botës dhe amerikano-skeptikët këtë simptomë të krizës në Wall Street.

Ahmedinexhadi si Nostradamuesi politikan i shekullit XXI, duket i relaksuar kur kupton se Amerika përsëri po ka sfida në truallin e tyre.’’Po i vjen fundi Perandorisë Amerikane’’, - u shpreh në një nga prononcimet e tij para medieve. Dhe pa dyshim këto nostradamuset profetike dhe retorike të presidentit iranian për shkak të averzionit dhe anti-amerikanizmit të tij të përbetuar dhe fiktiv nuk dalin vetëm nga goja e tij, por edhe nga gjithë anti-amerikanët e tjerë që sillen vërdallë globit si: rusët, serbët, disa vende dhe individë islamikë radikalë, etj.Madje eskatologjia për ‘Lidershipin e Botës’ (Lexo:Amerika) trumbetohet edhe nga ata që kanë krijuar një antipati për politikën e jashtme amerikane, e sidomos me luftën në Irak.

Historianët na rrëfejnë se në të kaluarën e shoqërisë njerëzore ka pasur lloj-lloj perandorish, super-fuqish, të cilat shtriheshin në kohë dhe hapësirë. Disa mbizotëronin e sundonin me vite, ca me dekada, e të tjera edhe me shekuj. Kujtojmë Maqedoninë e Aleksandrit të Madh, Perandorinë Romake, Bizantin, Kalifatin arab, Perandorinë osmane, Perandorinë austro-hungareze, etj. Varësisht prej rrethanave shoqërore, emancipimit mendor dhe kulturor të shoqërive njerëzore, mënyrës dhe trajtës së prodhimit të të mirave materiale dhe veglave të punës, etj., ishte edhe tipi i mbretërive, perandorive, shteteve.

Kriza financiare që goditi SHBA-të nxori në pah teoritë klasike dhe ato bashkëkohore për lindjen, strukturën, rrjedhën dhe dinamikën e qytetërimeve. Shkurt: lindja dhe rënia apo dobësimi i civilizimeve. Ka pasur dhe akoma ka mendime përkitazi me destinacionin e Superfuqive të kohës, - të cilat mendime - kalojnë nga një ekstrem në ekstremin tjetër, nga një pesimizëm në shpresë, nga një frikë e shqetësim për të ardhmen e një civilizimi në mendim pozitiv, nga një pseudo-profeci në një të vërtetë për rrugën kah do të ecën ai qytetërim dhe vice versa. Disa besojnë që një qytetërim ngrihet mbi ‘mbeturinat’ e qytetërimit paraprak. Njëri favorizohet nga pësimi i tjetrit civilizim.’’Civilizimet janë si krijesat njerëzore, lindin, zhvillohen dhe në fund shuhen apo vdesin’’. Këtë analogjinë e fundit e bënin më së shumti intelektualët dhe profetët e përqafimit të ‘historicizmit’, të cilët besuakan që në të kaluarën ka pasur civilizime të këtij lloji (p.sh.si Amerika), por që me kalimin e kohës, dhe brishtësinë e rrethanave ekologjike, klimatike, politike (luftërat dhe konfliktet e ndryshme), shoqërore, ekonomike apo edhe psikologjike, ato u bënë ‘pluhur e hi’!Dhe tani janë nekro-civilizime, si: Inkasit, Atlandasët, Mayat, etj.

Pa u stërzgjatur në këto teorizime apo spekulime filozofike rreth ekzistencës dhe qëndrueshmërisë së Superfuqive në aspektin historik dhe kohor, është interesante të observosh satisfaksionin shpirtëror nga ata që i’a dëshirojnë ‘të mirën’ Amerikës: sadizmin e amerikanofobikëve, të rivalëve dhe anti-amerikanëve, tek sa vështrojnë SHBA-të se si po ballafaqohen me kriza dhe sfida të fillim shekullit XXI, si: sulmet e 11 shtatorit dhe shfaqja e larvave të terrorizmit bashkëkohor, lufta në Afganistan (2001) dhe Irak (2003), kriza financiare në Wall Street (2008), etj.

Pas luftës së dytë botërore Amerika ishte ndër shtetet më të fuqishme dhe ndër prijësit e qytetërimeve. Më tej, me shembjen e Murit të Berlinit, realisht ishte një botë mono-polare dhe njëdimensionale sa i përket vendimmarrjes së politikave ndërkombëtare dhe globale. SHBA-të ishin qendra e vendosjes, dhe shtetet tjera de facto mbetën në ‘periferi’ të arenës ndikuese në atë që quhet si rendi politikëbërës i botës.

Mirëpo, disa ngjarje që ndodhën në start të XXI në kontinentin amerikan, determinuan që roli i Amerikës të tkurret dhe distribuohet në mënyrë më multilaterale dhe kërkesë politike të krijimit të një rendi të ri botëror, ku aktorë do të ishin jo vetëm Amerika, por edhe shumë shtete e qytetërime të tjera, si Rusia, Kina, Bota islame, etj. Kjo realisht ende nuk ka ndodhë. Pra, një rend global më inkluziv dhe jo-përjashtues. Një botë multipolare dhe gjithëpërfshirëse. Natyrisht, Amerika nuk është tërësisht engjëll apo perfekt në ushtrimin e forcës së saj politike në planetin Tokë!

Së pari, për arsye të thjeshtë filozofiko-etike: Amerika përbëhet nga qeniet njerëzore; qeveriset, udhëhiqet dhe menaxhohet nga këto krijesa; dhe nga kjo premisë del gjykimi që nëse qeniet njerëzore janë të gabueshme, atëherë edhe mund të deduktojmë që veprimet e Amerikës mund të jenë të pamatura, të gabuara, të pa qëlluara, të demonizuara, e çka tjetër.

Së dyti, Amerika ka projektuar dhe ekzekutuar strategjitë e saj për të mënjanuar sfidat me të cilat është përballur sidomos pas ‘shtatorit të zi’, por që nuk parakupton gjithnjë në korrespondencë me zgjidhjen dhe zgjedhjen më adekuate, apo më ideale. Ka nevojë jo vetëm Amerika, por të gjithë ne njerëzit për autokritikë dhe introspeksion; rishikim të asaj se çfarë është bërë e nuk duhet bërë përsëri; për rishqyrtim të politikave të brendshme dhe të jashtme; për një inxhinieri të njëpasnjëshme dhe sistematike duke provuar dhe gabuar, dhe në fund fare një falsifikacion (Lexo:K.Popper), etj., mirëpo, nuk është e normale kënaqësia që po arrijnë kundërshtarët e SHBA-ve për regresin dhe ‘kohët e këqija’ që po i vijnë shtetit më të fortë (lexo:Amerikës) dhe është vërtetë shqetësuese. Ky lloj hedonizmi sadist për desktruktivitetin e tjetrit, kjo farë nekrofilie dhe anatemimi për Amerikën, sado që në dukje paraqitet si këshillëdhënëse, kritikë për avancime morale dhe progres të drejtësisë amerikane në botë, hakmarrje për veprime unilaterale të saj pa autorizimin e OKB-ve (si bombardimi i Serbisë, etj.) përsëri na shtyn të besojmë që homosapiensi i shekullit XXI ende në instiktin e tij e bluan agresivitetin, dhunën, hakmarrjen, mllefin.

Të përjetosh ndjesi të këndshme se Amerika po përjeton krizën financiare, falimentimin dhe bankrotimin e Bankave në Wall Street, pastaj kur dëgjon për humbjen e ushtarëve amerikanë në Tora Borë, Bagdad, e të ngjashme, rezulton me një anomali të shoqërisë dhe njerëzimit në përgjithësi.

Pavarësisht politikës së brendshme dhe të jashtme amerikane, rrëfimet për keqtrajtimet, torturat dhe shkelja e të drejtave të njeriut në Guantanamo, pushtimi i Irak-ut, vrasja e civilëve (pa qenë cak i tyre, por si fatkeqësi!) dhe shkatërrimi i plot qyteteve me renome historike dhe civilizuese në Irak, nuk duhet gëzuar faktit që Amerikës po i humbet forca e dikurshme si civilizim, së paku politikisht apo financiarisht.

Madje, edhe nga disa personalitete dhe qeveri të Evropës Perëndimore përshpejtohen gjykime dhe kritika ‘dashakeqe’ kundrejt politikave amerikane, si në dimensionin politik dhe atë financiar. Dhe të mos harrojnë evropianët paradigmën që një Amerikë e Fortë nënkupton edhe një Evropë të Fuqishme. Mos ta fshijmë nga kujtesa se Plani Marshall, ndihma për të rindërtuar ‘vajzën e bukur-Evropa’ (lexo: sipas mitologjisë!), bashkëpunimi për t’iu kundërvë Rusisë agresive, ndarja e vlerave të përbashkëta Amerikë-Evropë (Kujto: dyjat janë pjesë e asaj që e njohim si Civilizimi Oksidental), etj., janë të mjaftueshme për të arritur empatinë se sa relevante është asistenca evropiane ndaj Amerikës që të rimëkëmbet, rifuqizohet, apo mbyllja e gojëkëqijve se po vjen e ‘Marta’ për Amerikën.

Dëgjova që ministri i financave të Gjermanisë me një zë sikur të dëshirës dhe qejfit, duke u shprehur se: Amerika mos të mendojë më se është superfuqi financiare pas kolapsit dhe krizës financiare të shtatorit. Pra, vërehet dukshëm dhe qartë sikur shtetet evropiane me nënvetedijën e tyre janë të lodhur dhe nevrikosur me faktin se Amerika ishte ‘Mbreti i Botës’ që nuk i jepte askujt llogari dhe transparencë.’’Numrit të kujt t’i bie kur Amerika thërret Bashkimin Evropian?!’’(Kujto pytjen e famshme tw H.K.). Ky averzion ndaj vendimeve të njëtrajtshme dhe të njëanshme amerikane u rritë sidomos me ndërhyrjen në Afganistan, e thënë më saktë, lufta për të marrë territorialisht edhe Irakun.
Nëse kundërshtarët e Amerikës ndjejnë ekstazi dhe emocione orgazmike për problemet me të cilat po ballafaqohet kjo e përmendura, atëherë ata që së paku kanë sens për amerikanofili, për ata që besojnë se është më mirë, më qetë, më paqe me një Amerikë të Supërfuqishme; për një botë që menaxhohet nga Shtëpia e Bardhë që ka qenë më demokratikja, më e hapura, dhe më liberalja, së paku të mos ‘sjellin kobin e zi’ për Amerikën se ‘’kinse po i afrohet fundit, apo erdhi eskatologjia edhe për Amerikën’’, por të jenë 'opozitë konstruktive’ në kritikë ndaj qeverive amerikane dhe ndaj politikës së tyre të jashtme.
Pra, me minimizimin e forcës së Amerikës, nuk po vijnë ‘ditë të mira’ as për botën. Mos të mendojmë dhe besojmë se një botë pa sundimin amerikan do të jetë më paqësore dhe më e drejtë. Parafytyroni tani për tani, një Kinë komuniste apo Rusi autoritare në vend të Amerikës. SHBA-të tek e fundit janë ‘e keqja e domosdoshme’ e shoqërisë njerëzore, kur tërheqim paralele me shtetet tjera për t’i prirë njerëzimit në rrugën e saj eksploruese, prosperuese dhe kurreshtare për të njohur veten dhe universin. Imagjinoni Ahmedinexhadin t’i prijë botës! Së paku për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, shkëlqesia dhe rënia e Amerikës, është edhe apokalispi ynë.

Pa një Amerikë stabile, qoftë financiare, apo humbje e moralit të saj për të qenë shembull të një modeli shoqëror, human dhe politik, anekënd gjeografisë ku shtrihen shoqëritë njerëzore, nuk mund të imagjinohet një shtet shqiptar konsistent, apo së paku i sigurt as në kontekstin rajonal e ballkanik, e të mos flasim globalisht që ‘shumë arinjë’ na shohin si një kafshatë apo supë e lehtë për një mëngjes dite! Të punojmë dhe të besojmë të gjithë për një Amerikë më të qëndrueshme, më të fortë, më demokratike, më liberale, më paqësore, më të drejtë, më prosperuese.!

Kaq për sadistët apo ‘ahmedinexhadët’ ndaj Amerikës!E, në fund fare, pavarësisht sfidave nëpër të cilat po kalojnë SHBA-të, fatmirësisht ato nuk janë të forta, por shumë të forta! Rroftë Amerika për shumë mote!Amin!
 

Bilderberg

Anëtar i ri
KRIZA Nث WALL STREET, NJث VثSHTRIM MBI ARSYET DHE PASOJAT


Sa mund të prekë kriza financiare në SHBA, Shqipërinë dhe Kosovën? Një prej ekspertëve me origjinë shqiptare që drejton një prej grupeve më të fuqishme financiare në botë, “Zais Grup”, BLERON BARALIU, jep argumentet e tij mbi këtë çështje në një intervistë dhënë gazetës “Iliria” në SHBA. Eksperti ekonomik bën parashikimet dhe jep këshilla për qeveritë e dy vendeve. Bleron Baraliu ka lindur në Kosovë, është fitues i çmimit “30 Under 30” që u jepet talenteve të reja më në zë në bursën ndërkombëtare të New York-ut. Ai udhëheq sot në “Grupin Zais” qarkullimin e rreth 4 miliardë dollarëve në ditë, në forma të ndryshme instrumentesh financiare.

Gazeta “ILLYRIA”: Bleron, tronditjet në Wall Street kanë qenë në vëmendjen e mbarë botës, disa nga kompanitë më të mëdha financiare të botës po rrëzohen e të tjera rrezikojnë të pësojnë të njëjtin fat. Nëse mund ta shpjegoje me pak fjalë për lexuesin, çfarë po ndodh me tregun financiar dhe pse?

BLERON BARALIU: Wall Street po ballafaqohet me shpërbërjen e një piramide të ndërtuar mbi levë arkimediane, me ritëm të shpejtuar gjatë dekadave të fundit dhe të karakterizuar me ngritje të paqëndrueshme të vlerës/çmimit të aseteve, duke filluar nga pasuritë e patundshme, si toka dhe shtëpitë. Paramendoni ngritjen e një piramide të kthyer përmbys, pra e themeluar në tokë me vetëm një pikë kyçe. Duke shkuar më lart dhe më gjerë, nëse të gjitha elementet e ndërtimit qëndrojnë në relacione perfektë, e gjithë pesha vazhdon të kulminojë e balancuar në këtë pikë kyçe dhe piramida vazhdon të qëndrojë. Por, siç dihet mirë, çdo sistem që ngrihet mbi shpresat e perfeksionimit kohor është i destinuar të dështojë, sepse në lartësi të mëdha edhe era më e vogël e lëkund këtë ekuilibrim pikërisht në bazë dhe gjithçka shembet pamëshirshëm, duke rënë pikësëpari mbi supet e atyre që vazhduan ta ndërtojnë lart e më lart. Për ta vendosur këtë metaforë në rrafshin praktik të çështjes që po shtjellojmë, duhet ta kemi parasysh faktin se rregullat e sistemit perëndimor lejojnë që shuma e kredive të lëshuara në treg nga një bankë të jetë 10 herë më e madhe se rezervat e deponuara në bankën qendrore nga kjo bankë (p.sh. m = 1/R, dhe R = 10% në SHBA). Për disa asete specifike, rezervat e kërkuara ulen edhe deri në zero, që do të thotë se sistemi rregullativ në botën perëndimore lejon për levërim (“leveraging”) të aseteve në shumëfishe marramendëse.
Në rastin konkret, kompanitë e mëdha si “Lehman Brothers” dhe “Bear Stearns”, në pasqyrën kontabiliste të tyre mbanin asete rreth 30 herë më shumë se vlera bazë e investimit të tyre (“equity”). Pjesa tjetër e blerjes së aseteve pra mbulohej me kredi rrotulluese, si “commercial paper”, që ata e tregtojnë në Wall Street apo përmes dritares huazuese të qeverisë (“The FED”), duke krijuar kështu “balance sheet leverage”. Në një rrjedhshmëri të përsosur të sistemit, “Lehman” do të merrte kredi afatshkurtra pa kufi, p.sh. çdo ditë apo çdo javë, me kamatë më të ulët dhe ndërkohë me këtë do të financonte produktet komplekse huadhënëse afatgjata të ndërtuara mbi kontrata hipotekuese për blerje shtëpish (“mortgages”), me një kamatë më të lartë, duke nxjerrë kështu një fitim të vazhdueshëm. Mirëpo, në momentin që vlera e shtëpive fillon të bjerë dhe asetet e bazuara mbi to i shkaktojnë humbje kësaj kompanie, ajo fillon të pësojë kriza konfidenciale dhe do të ketë vështirësi serioze të vazhdojë financimin afatshkurtër në të ardhmen. Duke pasur parasysh se humbjet në Wall Street nga procesi i deflacionit në vlerat e shtëpive arritën qindra miliarda dollarë, kjo pikërisht ndodhi me kompanitë financiare si “Lehman Brothers” dhe “Bear Stearns”, dhe ato u detyruan të kërkojnë strehim për gjendjen kontabiliste të tyre, dhe në fund edhe të bankroptojnë (Lehman) apo gëlltiten (Bear, Merrill). Një fat i tillë mund t’i presë edhe shumë firma tjera investuese të ndërtuara mbi këtë model.
Dy pika kritike që duhet përmendur këtu janë se, e para, kriza filloi nga lëvrimi i kredive për blerje shtëpish (“Main Street”), pra ku njerëzit blinin shtëpi që nuk kishin të ardhura personale t’i mbulonin, por merrnin kredi pa mbulesë reale sepse “Wall Street” ua mundësonte këtë përmes strukturimeve komplekse financiare që në fakt rrisnin lëvrimin e brendshëm të të gjithë sistemit; dhe e dyta, se humbjet në bazë të krizave në rënien e vlerave të shtëpive nuk ishin detyrimisht mjaft që t’i bënin kompanitë në Wall Street insolvente, por kriza e konfidencës që pasoi vuri në pyetje mundësinë për të lëvruar asetet përmes kredive afatshkurtra, duke shkatërruar pamëshirshëm ekulibrimin afatgjatë – afatshkurtër në sistem. Domethënë këto kompani nuk kishin më mundësi të financonin aktivitetin e tyre afatgjatë në tregun afatshkurtër, sepse kriza e konfidencës pothuajse e zhduku fare mundësinë për huamarrje në afat disaditor apo javor, sidomos për kompanitë financiare investuese, si “Lehman”, “Bear”, “Goldman”, “Morgan Stanley”, “Merril Lynch”...

Gazeta “ILLYRIA”: Një pjesë e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë nuk ndjejnë ndonjë lidhje konkrete, deri tani, në jetën e tyre me ato çfarë po ndodh në Wall Street. Të tjerë druhen se po afrohet një periudhë e zezë e ngjashme me atë të Depresionit të Madh në vitet 1930. Sa rol mund të luajnë këto rrëzime të mëdha financiare në pjesën tjetër të ekonomisë së New York-ut, Amerikës dhe botës?

BLERON BARALIU: Nuk kam as dyshimin më të vogël se krizat financiare në Wall Street do të kenë zgjerim mbresëlënës në të gjitha sferat e jetës këtu në New York dhe më tutje në gjithë botën. Kjo do të vijë së pari përmes presionit financiar për biznese të vogla, sepse bankat do të ngurrojnë shumë më tepër përpara se të japin kredi për biznese dhe individë, e pastaj edhe përmes ngadalësimit të dukshëm të rritjes ekonomike vjetore në SHBA dhe botë. Sistemi kompleks financiar që ka rrënjët në Wall Street është në një farë mënyre motori i financimit të rritjes globale ekonomike.
Ngadalësimi ekonomik në SHBA sjell uljen e importeve nga bota emergjente, që ndikon rëndë në ekonominë e tyre. Po ashtu, ky ngadalësim ndikon në papunësi, ulje të shitblerjeve, dëmtim të konfidencës së konsumatorëve, që në fund sjellin në ulje të nivelit të shpenzimit në tregjet e përgjithshme dhe presion të drejtpërdrejtë në vlerën e aseteve të patundshme. Mirëpo, ndërhyrja qeveritare që të shpëtojë sistemin më në fund e ka natyrën e duhur, me gjithë dilemave të mëdha morale që vijnë bashkë me këtë ndërhyrje, prandaj edhe nuk besoj se në afat të shkurtër do të flasim për kriza të ngjashme me ato të Depresionit të Madh. Duhet pasur parasysh megjithatë se New York-u do të goditet veçanërisht më shumë për arsye të ndikimit drastik në kompensimin e fuqisë punëtore në Wall Street, bonusi i të cilëve do të jetë dukshëm më i ulët për shumë vite me radhë. Kur mendoj për ndikimet në komunitetin tonë, më shumë mërzitem për efektet ekonomike në pronarët e shumtë të restoranteve si dhe kam frikë se botëkuptimet e thelluara në shumë vite do të ndikojnë që komuniteti ynë të vazhdojë investimet në patundshmëri (“real estate”,) investime të cilat në këtë ambient të ri duhet analizuar me kujdes të jashtëzakonshëm, sidomos në zonën e tri shteteve, ku çmimet sapo kanë filluar të bien dhe mund të shkojnë shumë më poshtë para se të stabilizohen.

Gazeta “ILLYRIA”: Shqipëria e Kosova mbeten gjithsesi në “periferinë financiare” të botës. A shihni pasoja të mundshme në ekonominë e tyre nga këto zhvillimet e fundit?

BLERON BARALIU: Siç e ceka më lart, pasojat për vendet në zhvillim mund të jenë shumë të larta. Kosova dhe Shqipëria janë disi fatlume të mossuksesit të tyre në këtë fushë. Mungesa pothuajse e plotë e vendit tonë nga tregjet financiare botërore bën që ai të pësojë më se paku, por e ardhmja e financimit për zhvillime të shpejta në rajon duket e vështirë. Ne duhet të shfrytëzojmë rastin që të themelohemi si lojtarë të përsosur dhe rigorozë, sepse lëndimet e mëdha nga lojtarë me përvojë krijojnë zbrazëti që janë plotë mundësi për avancimin e atyre që janë më të shëndetshëm.
Mirëpo, shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon angazhim dhe disponim kooperues të qeverive shqiptare për të punuar në këtë drejtim dhe deri më tani nuk mund të them se një disponim i tillë ka rrënjë të shëndosha në politikat shqiptare. Për fat të keq, nëse bazohem në përvoja të deritashme, çdo tentim për të krijuar hapësirë bashkëpunimi me qeveritë tona në rrafshin financiar shihet me një dozë pesimizmi dhe mosbesimi nga ata, që e bën punën tonë të vështirë, sidomos kur kihet parasysh toni mikpritës nga rivalët në rajon drejt bashkëpunimeve të tilla. Me këtë nuk dëshiroj të jem kritik mbi të kaluarën e bashkëpunimit të qeverive tona me diasporën, por i ftoj ato të ofrojnë rreth vetes talentin shqiptar që shpeshherë dallohet për suksese në mjediset më kompetitive financiare në botën perëndimore.

Gazeta “ILLYRIA”: Në vitet e fundit, një numër i madh shqiptaro-amerikanësh të rinj janë punësuar në sektorët financiarë e bankarë. اfarë roli do të luajnë tronditjet e fundit përgjithësisht për karrierën e tyre sot dhe në të ardhmen e afërt?

BLERON BARALIU: Mendoj se tronditjet e këtilla për të rinjtë që sapo kanë hyrë në botën financiare krijojnë shanse të vlefshme për të përfituar përvojë, si dhe për t’u ngritur më lart dhe më shpejt në karrierën e tyre, sidomos për ata të rinj me talent të dalluar. Në afat të shkurtër, këto kriza mund të ndikojnë negativisht në financat e tyre, mirëpo nuk kemi të bëjmë me shifra kritike. Në anën tjetër, unë jam shumë pozitiv për të ardhmen e të rinjve shqiptarë në Wall Street që njoh se çfarë po mësojnë dhe si po pozicionohen kundrejt këtyre zhvillimeve historike në industrinë tonë.

Gazeta “ILLYRIA”: A guxon të bësh një parashikim se çfarë do të ndodhë në ditët dhe javët e ardhshme?

BLERON BARALIU: Miqtë e mi e dinë se rrallë herë më mungon guximi për të bërë prognoza, por më duhet të theksoj, se tani është një moment shumë më i vështirë se kurdo më parë për të bërë këtë. Mendoj se në afat të shkurtër, vlera e aksioneve në treg do të qëndrojë mesatarisht e njëjtë, por me lëvizje të mëdha ndërkohë. Mund të them se niveli i ngritur i volatilitetit do të jetë pranë nesh për një kohë të gjatë. Po ashtu kam frikë se vetëkënaqësia e tepruar që është karakteristike për tregjet financiare, do të bartet edhe në lidhje me intervenimet e qeverisë dhe të mbivlerësohet ky intervenim. Kur pluhuri të pastrohet nga skena, pjesëmarrësit në treg do të kalojnë edhe nëpër një periudhë të re paniku nga fundi i këtij viti, që do të sjellë edhe një valë tjetër shitjesh në bursa. Sugjerimi im për investitorët është që të përgatiten për një pozicionim konservativ prej dhjetorit e tutje, para se të nguten për të blerë aksionet mjaft të depresionuara të tregut.
Sa i përket prognozave makroekonomike, unë kam qenë kryesisht shumë më pesimist se ekonomistët mesatarë në Wall Street këto tre vitet e fundit dhe vazhdoj të qëndroj në këto bindje. Besoj se recesioni është i paevitueshëm dhe do të jetë më i rëndë se që parashikohet, mirëpo ekonomia e SHBA-ve ende mbetet reziliente dhe do ta përballojë këtë vrull zhvillimesh negative. Po ashtu, çmimet e larta të energjisë do të krijojnë presion tek konsumatorët, sepse nuk shoh ndonjë ulje të thellë të çmimeve të komoditeteve siç parashihet nga prognozistët e zakonshëm në Wall Street. Në përmbledhje, nuk mund të mohoj faktin se në afat të gjatë jam mjaft i brengosur në lidhje me borxhin e thellë që SHBA-ja kanë ndërtuar dhe efektet e rënda që kjo mund t’i sjellë ekonomisë botërore.


*Marrë nga gazeta “ILLyria”
Intervistoi: Ruben Avxhiu
 
Top