• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Kepi i Rodonit, zhduket basorelievi ilir në kalanë e Skënderbeut

Lauri

Anunnak
Vendndodhja
Toscana
Kryeengjelli- Rodonit
DURRثS, 28 korrik 2013
Specialistët e trashëgimisë Kulturore,
njëkohësisht anëtarë të /Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë/, Auron
Tare dhe Artan Shkreli denoncojnë një akt barbar që ka ndodhur në Kepin
e Rodonit, ku është shkulur një basoreliev disa-shekullor që ata e
identifikojnë me krye-engjëllin Mikael (Mikel / Mëhill), ose sikurse
thotë historiani Ulqini një objekt pagan (Redoni ilir zinte një hapësirë
shumë më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e
qytetit të Durrësit). Tare dhe Shkreli ndiejnë keqardhje për dhunimin e
kalasë, e cila në fakt u ka rezistuar shekujve me radhë.



‘Edhe pse për shekuj me radhë, kjo kala arriti ta mbronte vetminë e saj
tragjike, edhe falë një basorelievi të krye-engjëllit Mikael, i cili me
shpatë në dorë mbante larg saj hordhitë barbare, kjo kala nuk mundi të
rezistojë gjatë ditëve të sotme. Krye-engjëlli Mikael e mbrojti kalanë e
Skënderbeut nga otomanët, nga venecianët dhe nga banorët e zonës
përreth, që të mos i shkulnin gurët për shtëpi. Krye-engjëlli Mikael për
çudi arriti të shpëtonte edhe nga komunizmi, sistem i dhunshëm ndaj
simboleve fetare. Dhe, sot në korrik të vitit 2013-ës, statujën arritën
ta shkulin nga muret e Kalasë së Skënderbeut. E shkulën mu në hundën e
shqiptarëve, të cilët për të mbrojtur kulturën e tyre, kanë krijuar edhe
institucione’, deklarojnë anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e
Trashëgimisë Kulturore, Auron Tare dhe Artan Shkreli.

‘Me sa duket, krye-engjëlli nuk e ka ditur se ky shtet i falimentuar, i
cili kërkon të përfitojë edhe në minutën e fundit në kurriz të publikut,
nuk pyet asfare për trashëgiminë e vet kulturore, duke i braktisur
njëherë e mirë të gjitha sitet arkeologjike apo historike. Me firmën e
zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Kulturës po jepen koncesionet e
fundit dhe po merren përfitimet e fundit në kurriz të trashëgimisë.
‘Askush nuk e ka mendjen te krye-engjëlli i Rodonit, i cili për turpin e
shqiptarëve, u shkul ditën për diell’, përfundojnë Tare e Shkreli.

Ndërkaq ‘Dyrrah’-u po riboton dhe një studim të anëtarit të Shoqatës së
Historianëve të Mesdheut, shkrimtarit dhe shkencëtarit durrsak Hasan
Ulqini, në revistën italiane ‘Cimbas’ nr. 17, tetor 1999 (/Leggenda
della fondazione della citta’ di Durazzo e di Rodoni (Redonio)
illirico/). Në këtë shkrim Ulqini hedh tezën se ‘ky reliev është shumë
më i hershëm se vetë kalaja. E përforcojnë këtë mendim thyerjet e
paplotësuara, çka tregon se ky reliev është marrë diku, në një nga
objektet e shumtë të kultit që gjenden përreth. Relievi paraqet pjesën e
sipërme të një burri, që krahas krahëve ka edhe dy fletë, ndërsa koka
është e mbështjellë me një aureolë. Kjo ka bërë që studiuesit ta
identifikojnë me një engjëll... Mos kemi të bëjmë me një reliev të
Rodonit (Redonit), perëndisë së lashtë ilire? Nga sa shihet, trifurku i
Poseidonit te Rodoni (Redoni) ilir është një element tjetër (por që ka
lidhje të ngushtë me detin) – rremi i një anieje’.

*Info*

LEGJENDA E THEMELIMIT Tث QYTETIT Tث DURRثSIT DHE REDONI ILIR

Nga Hasan Ulqini

1.

Në dokumentet antike dhe mesjetare, quhej Redon e gjithë zona e
bregdetit pranë qytetit të Durrësit, që niste nga Kepi i Palit dhe
vazhdonte në grykëderdhjet e lumenjve Erzen dhe Ishëm, ndërsa me kalimin
e shekujve, emërtimi u reduktua në hapësirën e vogël të një kepi
(mbarimi i një vargu kodrash të buta 200-300 m të larta). Zbulimet
arkeologjike kanë vërtetuar se zona rreth këtij bregdeti është banuar që
në prehistori: me shumë interes është qeramika vendase - shekulli VII
para e.s. (Fatos Tartari). Por njëkohësisht, krahas qeramikës vendase
është zbuluar qeramikë e importuar protokorintike dhe greko-lindore, po
e shekullit VII p.e.s. (Hava Hidri) dhe studiuesit kanë arritur në
konkluzion për ekzistencën e një rruge detare, që lidhte territorin e
Shqipërisë me botën egjeane qysh në epokën e bronzit (Frano Prendi). Jo
pa interes është edhe një mbishkrim, që dikur ekzistonte në qytetin e
Durrësit dhe bënte fjalë për ndërtimin e tij prej dy heronjve nga Kreta:
Amfionit dhe Zetit, që ishin gjithashtu themelues mitologjikë të Tebës
(Anna Commnena).

Por me shumë interes është një legjendë tjetër, për të cilën shkruajnë
autorët antikë: Mbreti i barbarëve të këtij vendi (bregdeti i zonës së
Durrësit) ndërtoi një qytet dhe e quajti me emrin e vet Epidamn, ndërsa
me të bijën e tij Melisa u dashurua perëndia e deteve, Poseidoni dhe nga
kjo dashuri lindi Dyrrahu (nipi i Epidamnit), që ndërtoi pranë qytetit
një port dhe i vuri emrin e vet - Dyrrah.

Në luftën që bëri Dyrrahu kundër vëllezërve të tij, iu bashkua Herakliu,
që i kërkoi një pjesë të tokës së Epidamnit. Në këtë betejë Herakliu
vrau padashur Jonin, djalin e Dyrrahut, trupin e të cilit e hodhi në
det, me qëllim që Joni të bëhej eponim i këtij deti (‘Ilirët dhe Iliria
tek autorët antikë’).

Duke analizuar legjendën, arrijmë në disa konkluzione: qytetin e
Durrësit e ndërtoi një mbret barbar (jo grek - nënkupto ilir) dhe se
Epidamni ishte pjesa më e vjetër e ndërtuar në tokë. Dyrrahu ishte porti
i këtij qyteti dhe ishte ndërtuar më vonë. Në luftën kundër vëllezërve
të tij, Dyrrahu pati si aleat Herakliun, një nga heronjtë e mitologjisë
greke, të cilit, sipas marrëveshjes iu dha një pjesë e tokës, duke
nënkuptuar kolonizimin helen të qytetit të Durrësit, i cili në fillimet
e veta ishte një qytet ilir.

2.

Në territorin e kepit të Palit, historiania bizantine Ana Komnena, duke
folur për betejën detare midis flotës venedikase dhe asaj normane (viti
1081), identifikon një tempull të rëndësishëm të ‘Përmbikulluarës
Hyjelindëse’, tempull që ndoshta ishte ngritur për nder të Melisës,
vajzës së Epidamnit.

Një tempull tjetër për nder të Melisës duhet të ketë ekzistuar edhe në
kepin e Rodonit. Në të mirë të këtij mendimi është fakti që deri në
shekullin e katërmbëdhjetë në dokumente të ndryshme flitet për Kepin
Melie, vend në të cilin princi shqiptar Karl Topia kishte kantieret e
tij detare si dhe vendqëndrimin e flotës së vet detare. Por edhe në
kohën tonë, në kepin e Rodonit ekziston akoma Kepi i Melit (Melie), çka
tregon se legjenda për dashurinë e vajzës së Epidamnit me perëndinë e
detrave ishte pjesë shpirtërore e banorëve të bregdetit të Durrësit,
gjatë antikitetit dhe mesjetës së vonë.

3.

Në kepin e Rodonit (Redonit) ka pasur shumë objekte kulti, kisha të
periudhave të ndryshme historike, duke nisur që nga krishterimi i
hershëm. Në vitin 1324 përmendet ‘Sancta Anastasia alli Redoni’, ndërsa
pranë saj ndodhej një manastir ‘Sancta Maria de Redono’, kurse sot, në
anën jugore të kepit ndodhen rrënojat e Shën Pjetrit (Sancto Pietro),
kurse në anën veriore gërmadhat e kishës së Shna Ndout (Sancto Antonio).
Leon Rey, arkeolog francez, shkruan se në këtë kishë ka vënë re gjurmë
afreskesh gjatë gjithë sipërfaqes së mureve dhe pikërisht Shën Mërinë me
Krishtin në mes të dymbëdhjetë shenjtorëve, të pikturuar në katër
medaljone. Tashmë këto afreske janë prishur, por gjatë kërkimeve të
reja, gërmimit dhe pastrimit të mureve nga dherat, kanë dalë në dritë
afreske edhe më të lashta, si Shna Ndoi (Sancto Antonio) në kalë, një
shqiponjë me dy krerë, fragmente afreskesh me figura gjeometrike si dhe
gjurmët e një anieje shumë të dëmtuar. Kisha është e stilit bizantin,
por ka edhe karakteristika të stileve romanik dhe gotik, çka tregon se
është prishur dhe përshtatur gjatë shekujve në luftën e vazhdueshme
midis kishës lindore me atë perëndimore.

4.

Emri Rodon (Redon) është një emër ilir dhe sipas linguistëve ka lidhje
me një rrënjë më të lashtë /reg/-mbret, ndërsa arkeologët e
identifikojnë me një perëndi ilire, që shënohet edhe në prerjet monetare
të ardianëve, labeatëve, në monedhat e Lezhës (Lisit) dhe të fisit ilir
të daorsëve dhe se në këtë perëndi, Rodonin (Redonin), duhet të shohim
një figurë të shquar të mitologjisë ilire, të adhuruar në të gjithë
territorin e tyre dhe ndoshta dhe më tej.

Në shekullin II të e.s. emri Rodon (Redon) del në një mbishkrim në Leuca
të Italisë - si emër i një anieje, së bashku me emrin e një anieje
tjetër, por me emrin karakteristik ilir - Medaur. Në një mbishkrim
tjetër, të zbuluar pranë kepit të Rodonit shkruhet: ‘/Red(onus) Neptuno
Sac(rum)/’. Kjo të bën të mendosh që autorët e antikitetit (që tregojnë
legjendën për themelimin e Durrësit (Durazzo) e kanë identifikuar atë
(Redonin ilir) me Poseidonin grek. Këtë mendim e përforcon dhe
mbishkrimi në të cilin Redoni është identifikuar me Neptunin romak. Në
një farë mënyre Poseidoni, Neptuni dhe Redoni perëndi të detit, mbajnë
emra të ndryshëm në popuj të ndryshëm.

Të bën përshtypje një reliev i gdhendur në gur, i vendosur në një nga
muret e kalasë së Rodonit, që, sipas dokumenteve venedikase, është
rindërtuar nga Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Nga një studim i
kujdesshëm do të vëmë re se ky reliev është shumë më i hershëm se vetë
kalaja. E përforcojnë këtë mendim thyerjet e paplotësuara, çka tregon se
ky reliev është marrë diku, në një nga objektet e shumtë të kultit që
gjenden përreth. Relievi paraqet pjesën e sipërme të një burri, që
krahas krahëve ka edhe dy fletë, ndërsa koka është e mbështjellë me një
aureolë. Kjo ka bërë që studiuesit ta identifikojnë me një engjëll
(Gjerark Karaiskaj).Të bëjnë gjithashtu përshtypje dy detaje që nga të
gjithë studiuesit janë lënë në heshtje: Fundi i njërit krah të këtij
‘engjëlli’ është lehtë që të identifikohet me formën e poshtme të një
rremi anieje, ndërsa fundi i krahut tjetër ka formën e një çelësi të
madh (si në të gjitha gdhendjet e figurave të Hermesëve). Mos kemi të
bëjmë me një reliev të Rodonit (Redonit), perëndisë së lashtë ilire? Nga
sa shihet, trifurku i Poseidonit te Rodoni (Redoni) ilir është një
element tjetër (por që ka lidhje të ngushtë me detin) rremi i një anieje.

Po aureola? Përse është vënë dhe ç’tregon?

Dihet se tempujt e hershëm të kristianizmit u ngritën dhe u adaptuan mbi
tempujt paganë. I njëjti fenomen duhet të ketë ndodhur dhe me tempullin
e Rodonit (Redonit). Këtë mendim e përforcojnë gjurmë shumë më të
hershme si kolona dhe kapitele të periudhës romake e bizantine, që
gjenden rreth kishës së Shna Ndoit (Sant’ Antonio) dhe legjenda që
tregon Shën Jeronimi për gjarprin boa (një nga kultet e ilirëve dihet,
është gjarpri), që përpinte çdo gjë dhe që u vra nga Shën Hilarioni
(viti 365), sipas Artur Evansit tregon për fitoren përfundimtare të
krishterimit mbi paganizmin në bregun lindor të Adriatikut, duke
përfshirë dhe territoret përreth Durrësit, që në këtë periudhë ishte
qendër peshkopate.

Kyçi (elementi tjetër i rëndësishëm i relievit) tregon se Rodoni
(Redoni) ilir, krahas perëndisë së detit, ishte edhe perëndi e natyrës
dhe udhëtarëve, perëndi mbrojtëse e tregtisë, kaq e zhvilluar në këtë zonë.

REDONI ILIR Nث NJث RELIEV Nث KALANث E ULQINIT (Shtojcë)

Shën Astin, kur e dënuan, e lidhën në kryq, e lyen me mjaltë që ta
pickonin grerëzat. Kështu thotë kronika e krishterë.

Shën Asti është një nga martirët e parë dhe një nga protektorët e
qytetit të Durrësit. Mjalti i bletës (melissa), që të kujton emrin e
vajzës së mbretit barbar, themelues i qytetit të Durrësit, bën pjesë në
mitologjinë pagane ilire, i treguar nga autorët grekë të antikitetit. Në
një farë mënyre, në flijimin e shën Astit dhe në kronikën e krishterë të
kohës, duhet të shohim një moment të luftës që bëhej në këtë qytet në
mes të paganëve dhe të krishterëve. Dhe në këtë luftë (flijimi i shën
Astit) duhet të shikohet si fitore e përkohshme e paganizmit. Ndërsa në
një mbishkrim të gjetur në kishën e shën Mëhillit (shën Mikeli) në
Arapaj pranë Durrësit përmendet Sanctus Jonius (IONIVS) - edhe ky
personazh i legjendës së themelimit të qytetit dhe që padashur ishte
vrarë nga Herakliu (Sali Hidri). Në këtë mbishkrim të gdhendur në një
kapitel të periudhës romake dhe i ripërdorur si material për ndërtimin e
kishës së shën Mikelit (Arapaj), që në hartat mesjetare del dhe me një
emërtim tjetër Melie, (ashtu si në Kepin e Palit dhe të Rodonit), duhet
të shohim një aspekt tjetër të luftës të paganizmit me kristianizmin në
zonën e Durrësit. Kisha e krishterë ka pasur si shenjt të saj edhe një
personazh të mitologjisë ilire: Sanctus Jonius (Ionivs).

Në një studim tonin kemi theksuar për një lidhje të natyrshme të Redonit
ilir me shën Mikelin. Kemi theksuar se atributet e Redonit në zonën e
rrethit të Durrësit gjatë mesjetës së hershme do t’i merrte shën Mikeli.

Edhe në kalanë e Ulqinit shohim të gdhendur një reliev të ngjashëm "me
engjëllin me krahë" të kalasë së Kepit të Rodonit, çka e forcon më tej
mendimin e arkeologut Hasan Ceka që Redoni ilir zinte një hapësirë shumë
më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e qytetit të
Durrësit (Kepi i Lagjit në jug dhe ai i Redonit në veri).

Në një botim të shekullit 19 (vetëm 50 kopje) kemi gjetur një reliev të
një engjëlli me krahë (edhe ky i mesjetës së hershme), i shkruar në
volgar lingua (në mbishkrim gjejmë të ngatërruar greqishten me
latinishten, çka tregon se shkruesit e mbishkrimit s'janë as italianë,
as grekë - ndoshta detarë nga bregu i Durrësit), ku përmendet, krahas
disa personazheve, dhe emri i Redonit.

Edhe në kështjellën e Turrës (të hedhur në erë dhe të shkatërruar nga
rusët në vitet gjashtëdhjetë), sipas një informate të arkeologut Vangjel
Toçi, ka patur një reliev të ngjashëm me atë të Kepit të Rodonit. Aty
pranë ndodhet fshati Rrakull (në hartat mesjetare Irakle, që të kujton
po Herakliun, një nga personazhet e huaja në legjendën për themelimin e
qytetit të Durrësit.

ا'është më e rëndësishmja, kalimet nga Redoni ilir tek shën Mikeli,
duhet t'i shohim si transformime shpirtërore të një populli autokton në
rrjedhë të shekujve që nga antikiteti (pagan), në kohën e mesme (të
krishterë).

*/Red. Th. M. për agjencinë e lajmeve ‘Dyrrah’/ *
 
Top