Indeksi i Lumturise-Kosova e 32 ne bote, Shqiperia e 90-ta

Kosova është renditur si vendi i 32-të në Indeksin e Lumturisë në botë. Ndërsa, Shqipëria u rendit e parafundit në Europë në këtë Indeks, një publikim ky i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili publikohet në kuadër të Ditës së Lumturisë, që është 20 marsi.

Shqipëria renditej në vendin e 90, nga 146 shtete gjithsej, ndërsa nga shtetet e Europës lë pas Turqinë, që është në vendin e 112.

lg.php

Maqedonia e Veriut renditet pak para Shqipërisë në vendin e 89. Bosnjë-Hercegovina është në vend të 67, Mali i Zi i 75-i . Serbia është një nga 10 shtetet në botë që ka pasur përmirësimin më të lartë, duke u renditur në vend të 43.

Sipas infografikës, kosovarët renditen populli më i lumtur në rajon dhe ndër më të lumturit në botë, duke u renditur në vendin e 32, pothuajse njësoj sa italianët e spanjollët.

Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në rreth 150 vende të botës, të cilëve iu kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. (Shqipëria ka marrë këtë vit 5.199 pikë).

Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.

Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, bamirësinë, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.

Individëve u bëhen nga Instituti Gallup pyetje të tilla si “Nëse do të ishit në telashe, a keni të afërm apo miq se ku mund të mbështeteni që t’ju ndihmojnë kur keni nevojë?”, apo “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”.


Një tjetër pyetje është “A keni dhuruar para për bamirësi muajt e fundit?”. Perceptimet për korrupsionin merren po nga sondazhi i Gallup për dy pyetje: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur tek bizneset?”.

Këto pyetje kombinohen me tregues të tjerë, si të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse të publikuara nga Banka Botërore dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje.

indeksonline
 
Top