E majtë apo e djathtë..

Truri ynë është i ndarë në dy gjysma apo hemisfera, të cilat janë të lidhura me njëra tjetrën përmes corpus callosum. Këto dy hemisfera kontrollojnë lëvizjen dhe marrjen e inputeve për dy anët e kundëra të trupit tonë. Thënë me fjalë më të thjeshta, hemisfera e majtë kontrollon anën e djathtë të trupit tonë dhe gjithashtu merr sinjale nga ana e djathtë e trupit tonë dhe hemisfera e djathtë kontrollon anën e majtë të trupit tonë.

Hemisfera e majtë e trurit
Hemisfera e majtë e trurit tonë është përgjegjëse për proçese si : të lexuarit , të folurit, llogaritjeve matematikore , gjykimit/arsyetimit dhe të kuptuarit. Studimet tregojnë se kur ne flasim apo kryejmë llogaritje matematikore , aktiviteti në hemisferën e majtë rritet. Karakteristikë tjetër e kësaj hemisfere është proçesimi sekuencial i informacionit, një nga një.

Hesmisfera e djathtë e trurit
Hesmisfera e djathtë e trurit tonë është përgjegjëse për perceptimin vizual, të kuptuarit e orientimit hapsinorë, njohja e fakteve, muzika, shprehjet emocionale etj. Gjithashtu kjo pjesë e trurit është e aftë të bëjë konkluzione. Psh; për fjalët “ këmbë”,” qaj”, “ xham”, hemisfera e djathtë konkludon në fjalën “prerë”. Hemisfera jonë e majtë i njeh veç e veç këto fjalë por është e paaftë për t’i lidhur me njëra tjetrën. Kjo pjesë e trurit na mundëson të perceptojmë dhe sensin e vetes se “ kush jemi”. Individët me lezione tumoriale në anën e djathtë shpesh kanë vështirësi për të njohur veten e tyre në pasqyrë e për të kuptuar kush janë. Në ndryshim nga hemisfera e djathtë, e majta proceson informaconin si një të tërë.

Lateralizimi i trurit - të djathtët e mëngjarashët
Në një tru normal, çdo informacion që hyn në hemisferën e majtë udhëton në hemisferën e djathtë përmes corpus callosum dhe vice versa. Dy gjysmat e hemisferave funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe informacioni proçesohet në secilën prej tyre. Megjithatë, tek njerëzit është vënë re se një hemisferë zakonisht është më dominante në disa funksione të caktuara. Ky proçes quhet lateralizim. Shkalla e lateralizimit varion nga një person tek një person. Psh; për ata që përdorin dorën e djathtë, kontrolli i gjuhës është i përqëndruar më shumë në hemisferën e majtë.

Studimi i ndarjes së hemisferave
Studjuesit kanë zbuluar fakte shumë interesante deri tani, e mjaft të vlefshme për patologji të ndryshme por dhe për të kuptuarit e funksionimit të dy hemisferave. Duke i ndarë veç e veç hemisferat, përmes heqjes së corpus callosum tek individë që vuanin nga epilepsia, psikologët Roger Sperry dhe Michael Gazzaniga ( 1950-60) studjuan këta pacientë duke dhënë informacione revolucionare për funksionet e dy hemisferave.
Në një nga këto eksperimente, një pacienti me sy të lidhur ju kërkua të prekte një objekt me dorën e djathë e më pas të emërtonte objektin. Duke qënë se ana e djathtë e trupit kontrollohet me hemisferën e majtë, ku qëndra e gjuhës së folur është e lokalizuar , pacienti me tru të ndarë e preku dhe e emërtoi saktësisht objektin e kërkuar, ndërkohë që kur ju kërkua me dorën e majtë ai nuk mund ta prekte dhe ta emertonte atë.
Sot, pas zbulimeve të Sperrit e kolegut të tij, zhvillimet teknologjike kanë mundësuar njohje më të thelluar të trurit njerëzor duke përcaktuar hartat e funksioneve të ndryshme.

Studimet neuroimazherike si rezonanca ( MRI), Scan-PET dhe teknikat e biologjisë molekulare kanë arritur të zbulojnë deri në anomalitë biokimike të neurotransmetuesve, si psh gjetja e niveleve te ulta të Serotoninës e Epinefrinës tek rastet me Depresion Madhor.
… e megjithatë, megjithë zbulimet e zhvillimet që janë bërë, truri njerëzor mbetet ende një mister për tu kuptuar e njohur.
Nëse truri njerëzor do të ishte aq i thjeshtë për tu njohur, ne do të ishim budallenj për ta kuptuar- Arthur Bloch


/Psikologe Klinike
 
Top