Champions League, sot vijon beteja për çerekfinalet

atletico-stervitja-1-1280x720.jpg
Mbrëmja e kësaj të marte do të përcaktojë dy skuadra të tjera çerekfinaliste në Champions League. Manchester United synon të shfrytëzojë faktorin fushë, pasi pret Atletico Madrid në “Old Trafford”.
Ndeshja e parë në Spanjë përfundoi në barazim 1-1, me Elanga që i aktivizuar nga stoli shënoi një gol tejet të rëndësishëm për anglezët.

Edhe pse skuadra e Rangnick nuk ka shkëlqyer, besimi te Manchester United u rrit pas suksesit të fundit 3-2 ndaj Tottenham, me tregolat e shënuar nga Cristiano Ronaldo. Ajo fitore e madhe i ka dhënë besim “Djajve të Kuq” për të regjistruar një tjetër sukses ndaj Atletico Madrid.
Problematike për vendasit janë dyshimet për infektime me Covid-19 të Bruno Fernandes dhe Luke Shaw, të cilët nuk do të luajnë. Madrilenët paraqiten në këtë duel të përgjysmuar, pasi Carrasco është i pezulluar, ndërsa Cunha, Wass, Vrsaljko, Lemar, Hermoso dhe Kondogbia janë të dëmtuar. Edhe lajmi i mirë i rikthimit të Koke është zbehur nga dilemat për lëndimin e Jose Maria Gimenez.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Ajax pret në shtëpi Benfica. Sfida e parë e luajtur në Portugali përfundoi në barazim 2-2, duke lënë të hapur çdo skenar. Me atë që u pa në fushë, skuadra e Ten Hag luajti më mirë dhe holandezët mbeten favoritë për t’u kualifikuar në çerekfinale.

A2news.com
 
Top