Brari, fshati i guroreve dhe kishes se Shenmerise

kanioni-i-brarit-850x403.jpg

Emri i tij lidhet me gurgullimën e ujit të lumit të Tiranës (Riglatës), që përplaset grykave të ngushta malore e me gurë nga kalon e ushton.

Fshati Brar është një ndër fshatrat e komunës së Dajtit, i njohur për guroret e vjetra dhe sipas shënimeve, pikërisht prej andej janë nxjerrë edhe gurët që janë përdorur në Tiranë për ndërtimin e kalasë së qytetit, ose për ndërtimet e tjera të vjetra të dukshme edhe sot.

Vetë fshati ndodhet midis tri majave të larta kodrinore: asaj të Papatit 493 m, asaj të Shpatës 450 m dhe Majës së Brarit, 1214 m. Ai shtrihet në lartësinë mbi 250 m, i shtrirë në pjerrësinë natyrore të kodrës. Në fshat numërohen 60 shtëpi dhe 300 banorë.

Linja e autobusit urban të zbret në kryqëzimin djathtas për në Tufinë, si stacion i fundit në rrugën që mban emrin “Myslym Keta” (rruga e urës së Brarit). Një tabelë aty njofton se deri në qendër të fshatit Brar duhen përshkruar edhe 6 km rrugë.

Mbas 4 km, kur ke kaluar dy urat, të renë dhe të vjetrën, si edhe kthesën djathtas për në fshatin Ferraj gjendesh në hapësirën e fshatit Brar.

Pas rreth 1 km rrugë të asfaltuar, le majtas ish-magazinat e mëdha të ish-Profarmës dhe ngjitesh në një malore, duke gjarpëruar midis bahçeve me pemë dhe ullishte, derisa të arrish në qendër të fshatit Brar.

Brari, aty në maje të një kodre të bukur është përgjithësisht i grumbulluar dhe i ngjeshur, me shtëpi pranë njëra-tjetrës, me bahçe të vogla, por të mirëmbajtura me shumë kujdes.

“Emri i fshatit vjen edhe nga gurgullima e ujit të lumit të Tiranës (Riglatës), që përplaset grykave të ngushta malore e me gurë nga kalon e ushton, duke "këlthitur" me një bbëëërr.rr.rr (bbrëaër.r.r) të zgjatur e pa pushim, sikur çlirohet, për t'u dëgjuar përreth, sidomos dimrit, kur uji është i shumtë.”, - rrëfen Gëzimi, një banor i fshatit, me profesion mësues.

Midis shumë fiseve të vjetra dhe të dëgjuara në Brar janë fiset Metaj, Allmetaj, Allkutaj, Hoxhaj, Canaj, Zajmi, Çaka, Deliu, Myrtaj, Hajri, Sulmetaj etj.

Në Brar mund të soditesh kullat e Sul Metës, i poshter Hajrit, Ramazan Canit, atë të Delive e Kalleshajve ose të Kasem Myrtajt, që edhe janë dëmtuar nga koha ose riparimet, por edhe shembur ndonjëra.

Në Brar ruhen shumë toponime, si “Shpella Zojës”, “Kllukjet”, “Traphone”, “Rruga Kryqit”, “Mali me Kokë” etj

Shtëpitë përgjithësisht janë të vjetra, mjaft prej të cilave të riparuara, por ka edhe shtëpi të reja e të bukura, me segmente të rrugësh të shtruara mirë, me bahçe të rregulluara.

Bujqësia dhe blegtoria janë ato ku bazohet ekonomia e fshatit.

Pothuaj çdo familje ka një ose më shumë lopë, por ka edhe familje që kanë dhi e dele, rritin shpendë etj.

Në parcelat e vogla bujqësore mbjellin gjithçka për vete dhe bagëtinë, por rendimentet janë të vogla, sepse kanalet ujitëse nuk funksionojnë, jo vetëm se nuk ka ujë, por edhe se janë prishur.

Në bahçet pranë shtëpive të rrethuara me gardhe ka pemë frutore të shumëllojshme dhe rrush.

Nga prodhimet blegtorale dhe ai bujqësor, shumë pak mund të arrijë në tregun e Tiranës. Kjo ka bërë që shumë nga banorët të angazhohen në punë të ndryshme përreth, si në gurore, por edhe në qytet, në punë nga më të ndryshmet, sidomos në ndërtim.

Nga fshati ka pak banorë, të rinj ose familje që janë në emigracion.

Në qendër të fshatit, pranë njëra-tjetrës është ndërtuar një triptik shumë domethënës: shkolla fillore me katër klasë për nxënësit e paktë Brarit, në katin e dytë të shkollës, me hyrje më vete, është shtuar ambulanca e fshatit, kurse pak më poshtë, shumë pranë tyre është ngritur xhamia: me minare, që frekuentohet kryesisht nga të moshuarit.

Pranë kodrës, pranë lumit janë ngritur dhe funksionojnë biznese inertesh ose gurore, ku janë punësuar shumë banorë të Brarit.

Kisha e Shënmërisë dhe vendbanimet e vjetra

Në vitin 1920 gjatë hapjes së rrugës malore, gjeologu austriak E. Novak, në thellësinë e tokës prej një metër gjeti vegla të punuara prej kocke, gurë stralli të përpunuar dhe vegla pune të tjera, që i takojnë periudhës së vonë paleolitike, duke vërtetuar kështu ekzistencën e një vendbanimi tepër të vjetër, që ka lidhje me shpellën në faqen e malit aty pranë.

Ajo zonë në grykën e ngushtë të fshatit Brar ka qenë gjithnjë e banuar që në lashtësi, si pikë që kontrollon hyrjet dhe daljet e rrugës më të shkurtër, që lidh zonën malore pas Dajtit (Tomadhenë) me ultësirën Tiranë, Prezë, Durrës (Skurie).

Aty pranë është zbuluar kisha e Shënmërisë, e cila është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, me rëndësi historike dhe kulturore, me pozicion të rëndësishëm në organizimin religjioz në hapësirën Durrës-Ohër. Në analet e shkruara kjo kishë daton në vitin 1201.

Duke studiuar me shumë kujdes gjurmët që ruhen edhe sot (ndonëse tepër të dëmtuara), vë re se ajo përfaqëson një faltore të krishterë, me një sallë 8x5.36 m, me kambanore të lartë 4 metra, të ngritur prej guri të punaur dhe tullash të pjekura. Tri piktura të vjetra, të ripunuara dhe pjesë shkrimesh të padeshifrueshme, zbukurimet me gurë të punuar dhe vetë dyshemeja me gurë mermeri flasin jo vetmë për bukurinë, por dhe për rëndësinë e këtij vendi religjioz në atë kohë.

“Nga e djathta e kishës kanë qenë mjediset e jetesës së atyre që banonin atje, me mure 4.5 metra të lartë. Gjatë vitit 1965, gjatë punimeve që u bënë për ndërtimin e kabinës elektrike aty pranë kishës janë gjetur shumë kocka njerëzore.”, - rrëfen për gazetën “Si”, Skënder Farka, një banor i hershëm i Tiranës, me origjinë nga kjo zonë dhe që e njeh mirë historinë e këtyre fshatrave.

Një banor i moshuar, që ka marrë pjesë në ato punime tregon: “Duke punuar dhe gërmuar aty, lopata më shumë nxirrte kocka njerëzore sesa dhera. Ne e dinim, por u bindëm se po gërmonim mbi një varrezë të vjetër… Për nevojat e ndërtimit ne grumbulluam aty gurë të bardhë e të mëdhenj, për t’i djegur për gëlqere, por nuk i dogjëm dot, se nuk ishin gëlqerorë…”.

Banorët e zonës përreth, të islamizuar pas vitit 1621 e dinin se ai vend ishte varrezë e krishterë dhe se e kishte emrin “Parcela e Kryqit”, që njihet edhe sot si toponim, ndaj nuk e përdoën për varrime të mëtejshme.

Në fshat, si rezultat i islamizimit të përgjithshëm, në vitin 1641 kishin mbetur vetëm dy familje të krishtera, që kujdeseshin për kishën dhe pronat e saj. Në vitet 1690-1695 me gjithë përpjekjet e misionarëve të lartë për të rimëkëmbur komunitetin e krishterë, ai u shpërbë tërësisht dhe tokat e pronat e tjera të kishës u përvetësuan cdhe nga të ardhurit e mëvonshëm aty.

Në vitin 1982 në kishë u bënë gërmime arkeologjike, ku u zbuluan gjetje interesante, midis të cilave varri monumental i familjarëve Skuraj, me shkrime të skalitura në greqisht dhe latinisht, që të përkthyera lexohen: “Kujto, o Zot Sevastin Mihal Skuraj, gruan dhe fëmijët e tij”.

Varri ishte zbukuruar me pesë kryqe të gdhendura bukur në pllakën e gurtë.

Që këtej del se kisha ka qenë e Mihal Skurajt si fis dhe gjatë brezave ata kanë pasur edhe një kala (mundet kalanë e Tujanit).

Vetë Mihali ka qenë sevast (pothuaj si kryetar bashkie sot) dhe njëri prej 14 sevastëve, që kishin për kryesevast princin Dhimitër (1208). Ky princ ishte i varur nga arkondi Progon i Principatës së Arbrit në periudhën e krijimit të shtetit të Arbrit në vitin 1191.

“Gjatë gërmimeve u gjet edhe një pllakë guri e skalitur bukur, konfigurimi i së cilës u përdor për stemën e Bashkisë së Tiranës. Kjo pllakë guri, për nga stili i skalitjes, forma e kryqit, shkrimet dhe pikturat e zbuluara, vërteton se kemi të bëjmë me kalendarin bizantin (viti 1201), me teknikë punimi me prirje perëndimore. Kjo pllakë ruhet sot në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.”, - rrëfen Farka.

Nga shënimet në anale të ndryshme, vendi dhe kisha paraqiten si vende pelegrinazhi, vend pushimi dhe çlodhjeje për udhëtarët dhe vizitorët ose emisarët e kohës dhe kjo gjë dikton detyrën për gërmime a zbulime të mëtejshme.

Objekti sot është tepër i dëmtuar.

Në malin mbi kishë ndodhet një shpellë që quhet “Shpella e Zonjës”, e thellë mbi 8 metra dhe po kaq e lartë dhe e gjerë, që është përdorur si banim parahistorik, për punime “secrete" të kohës, siç ka qenë edhe shkrirja ose prerja e monedhave prej ari e argjendi.

Shtëpia e Bajram Ukës

Një tjetër monument kulture me rëndësi të madhe në fshatin Brar është shtëpia e Bajram Ukës, i zbritur atje nga malësia e Burrelit, familje e islamizuar herët, një nga më autoritaret në zonë në periudhën 1740-1940 për sa u takon zotërimeve, pasurisë dhe organizimit shoqëror feudal të kohës.

Shtëpia e ndërtuar prej guri ka një hyrje me një shpat të pjerrët mbrojtjeje natyrale të portës së madhe, për miqtë e nderuar.

Më poshtë shtëpisë janë varrezat, që janë nga më të grumbulluarat, në krahasim me fshatrat e tjerë të komunë. Ato janë të ruajtura e të rrethuara nga komuniteti i fshatit, që i përdor edhe sot e kësaj dite. Aty duken në rresht shumë varre të fisit Meta, të bien në sy dy varre të mëdhenj të stilit islamik, me kryegurë të mëdhenj, shkrime osmanishte, që i takojnë themeluesve të fisit Uka, sot fisit të madh Meta.

Më tutje, shihen gjurmët e themeleve të xhamisë së vjetër të fshatit, të shembur vitin 1968.

Fshati Brar është vetëm një nga fshatrat e Tiranës, historia e të cilëve, sot shumë pak njihet, edhe nga banorët e Tiranës.

Komuna e Dajtit

Komuna e Dajtit, me qendër në Linzë (shpesh quhet edhe komuna e Linzës) ndodhet vetëm 8 km larg qendrës së Tiranës me të cilën e lidh një linjë e rregullt autobusi.

Në këtë komunë shtrihet Parku Kombëtar i Dajtit.

Komuna e Dajtit ka shkrirë brenda vetes fshatin e dikurshëm të Shërminës ose atë të Shtëpëzës, duke ia bashkuar Linzës dhe Lanabregasit.

Komuna e Dajtit ka ka 13 fshatra. Ato janë Brari, Ferraj, Shtish-Tufina, Tujani, Linza, Lanabregasi, Surreli, Priska e Madhe, Selba, Darsheni, Murthi, Shkalla, Qafmolla.

Gazeta Si
 
Top