• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
24

Syzet e Metod Antrakidit ishin mbushur me një avull të trashë që ushqehej nga një zjarr që sapo ishte shuar në gojën e tij. Metodi afroi një cep të mbulesës së rrudhosur të tavolinës dhe i fshiu xhamat me të. Mihal Komnenit i ishte varur koka e madhe mbi këmishë, si një kambanë e shurdhët. Në një anë të këmishës, Sara shqoi dy pisqolla të vogla që rrethonin një K, të drejtë. U zgjat të pyeste për diçka, por Mihali ngriti kokën dhe asaj i mbeti pyetja në buzë. Pisqollat janë simboli i lagjes së armëtarëve, ndërsa K-ja, është e Komnenëve, tha Mihal Komneni.
Ana Komnena flinte si një pupël në krahët e Ibrahimit, ndërsa Aliu dhe Paridi kishin dalë disa herë jashtë duke luftuar me shpata dhe pa e dëgjuar Metod Antrakidin gjatë gjithë kohës. Muhamedi nuk kishte lëvizur nga vendi dhe herë pas here rregullonte çallmën që i binte mbi sy. Pjatat mbi tryezën e madhe ishin boshatisur, ndërsa përpara Ibrahimit shtrihej një njollë e kuqe verë që e kishte derdhur Ana, duke luajtur në gjumë.
Paridi me flokët e ngrira hyri në dhomë, i ndjekur nga shpata e Aliut dhe kur i pa të gjithë të heshtur i tha Metod Antrakidit: Kush e vrau Marin Kurilën? Po ta dija do t’ia kisha treguar Isakut, u përgjigj Metodi. Dhe Isaku do ta kishte vrarë, pyeti Paridi. Isak Komneni nuk dinte të vriste dhe prandaj Voskopoja u shkatërrua, tha Mihali. Po pse nuk dinte të vriste Isaku, tha Aliu duke ngritur shpatën në formë kryqi mbi tavolinë. Nuk ia kishte mësuar njeri, tha Hana e menduar. As gjyshi dhe as babai i tij nuk dinin të vrisnin. Mihal Komneni ktheu kokën nga Hana dhe e pa si një njeri që e takon pas shumë kohësh. Edhe babai nuk na ka mësuar të vrasim njerëz, por vetëm lepuj, tha Paridi dhe u ul në vendin e tij. Ti je frikacak dhe nuk vret dot as lepuj dhe as njerëz, tha Aliu me zë kërcënues.
Po ti, a mund të vrasësh një njeri, i tha Metod Antrakidi, Aliut dhe pa nga Ibrahimi që rrinte i heshtur. Unë mund të vras më kollaj një njeri se një lepur, tha Aliu dhe të gjithë kthyen kokën nga ai. Aliu e kuptoi që duhet të thoshte diçka më shumë dhe vazhdoi: Nuk i vras dot gjërat që ha.
Nuk do kesh nevojë të vrasësh njerëz sepse në fshatin tonë nuk ka shkolla dhe askush nuk vizaton nëpër mure, tha Muhamedi. Po nëse iki nga fshati, mund të vras njerëz, pyeti Aliu. Po ike nga fshati mund të të vrasin ty, u përgjigj Muhamedi duke parë me bisht të syrit nga Ibrahimi. Mihal Komneni kishte mbushur gotën e verës që mbante përpara, ndërsa Metod Antrakidi u zgjat mbi tavolinë dhe tha: Muhamedi ka të drejtë. Voskopoja provoi se dija nuk mjafton për të shmangur shkatërrimin. Qyteti më i kulturuar, ku kanë jetuar shqiptarët, u dogj. Librat, kishat, priftërinjtë, shtypshkronja, vizatimet, poetët, përkthyesit, gjeografët, filozofët arkeologët dhe studentët nuk e shpëtuan dot qytetin e tyre dhe unë pyes veten: Përse na duhej gjithë ajo dituri kur nuk arritëm dot të shuajmë një zjarr që e ndezëm vetë? Si ka mundësi që shfletuam librat e gjithë botës dhe nuk gjetëm dot faqen e duhur, atë faqe e cila do na mësonte se si nuk shkatërrohet një qytet? Mos duhej të kishim studiuar Cezarin në vend të Platonit apo Aleksandrin në vend të Aristotelit për të mësuar se mirësia nuk mjafton për të ndërtuar paqen dhe paqja nuk është e përjetshme nëse nuk e mbron me luftë? Ne ndërtuam një qytet për platonë dhe aristotelë, por jo për cezarë dhe aleksandër, por unë nuk jam i sigurt nëse ata mund të lindnin në Voskopojë. Qiparisi nuk mbin në shkretëtirë dhe deveja nuk ecën dot në akull. Isaku thoshte se ishullarët e zgjedhin luftën të fundit, por ai vetë e la ishullin pa luftuar dhe tani kushedi ku noton. Mihali thotë se nëse Isaku do dinte të vriste, Voskopoja do kishte shpëtuar. As kjo nuk më bind. Ka raste që mendoj se Voskopoja ishte një qytet i ngritur në vendin e gabuar. Po të kishte qenë mijëra kilometra larg prej aty ku ishte, ndoshta do kishte shpëtuar siç ka shpëtuar Vjena, Venediku apo Athina. Voskopoja ishte një qytet ir rethuar nga barbaria dhe injoranca dhe çudia nuk ishte që një ditë u prish, por çudia është se si u ndërtua, si një lule që mbin midis gurëve. Unë besoj se Voskopoja ishte një gjë e parakohshme për shqiptarët. Ajo u fshi ashtu siç fshihet çdo ëndërr e pakuptueshme në trurin e njeriut, i cili ngrihet në mëngjes dhe e vazhdon jetën aty ku e ka lënë një natë më parë. Punon tokën dhe gruan, ushqen kafshën dhe fëmijët dhe fle prapë për të parë një ëndërr që të nesërmen e harron. Prandaj ju do jetoni në paqe për sa kohë që nuk keni as libra dhe as vizatime, siç thotë Muhamedi. Libri ia shton oreksin njeriut dhe e lë më të uritur. Sa më shumë lexoj, aq më pak di.
Metod Antrakidi u mbështet në karrige dhe syzet filluan t’i vishen prapë me avull. Je shumë plak për të qenë pesimist, tha Mihal Komneni. Nuk do kesh kohë t’i provosh vetes ato që mendon. اfarë është pesimisti, pyeti Paridi. Pesimisti është një njeri që beson se bota nuk ndryshon por rri në vend, tha Mihali. Atëherë Muhamedi qenka pesimist, tha Aliu. Po pse është Muhamedi pesimist, pyeti Hana dhe ia nguli sytë jeshilë Muhamedit që rrinte pa lëvizur me frikën se çallma mund t’i binte mbi tavolinë. Muhamedi ka një lodër prej druri në formën e botës dhe aty dielli nuk lind, lumenjtë nuk rrjedhin, nuk bie dëborë dhe njerëzit nuk ecin. Në botën e Muhamedit nuk ndodh asgjë dhe atij kjo i pëlqen, u përgjigj Aliu.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Botën e Muhamedit e kam parë unë, foli Jani duke u drejtuar. Jani është perëndia, kurse unë jam profeti, tha Muhamedi. Ku ndryshon perëndia me profetin, tha Paridi. Perëndia e krijon botën dhe njerëzit, ndërsa profeti i thotë njerëzve se çfarë duhet të bëjnë dhe në cilin vend të botës. Po të ishe ti profet në Voskopojë çfarë do t’u kishe thënë Marin Kurilës, Isakut dhe Sali Benishit, e pyeti Mihal Komneni. Unë do t’u kisha thënë atyre të bënin tamam ato që bënë, foli Muhamedi qetësisht. Ti do lije Marin Kurilën të vritej dhe Sali Benishin të martohej tri herë, pyeti Hana. Po, tha Muhamedi. Do ta lija Marin Kurilën të vritej sepse nëse ai nuk do vritej të krishterët dhe myslimanët nuk do kishin asnjë mundësi për të bërë paqe dhe Voskopoja do të digjej shumë më shpejt nga ç’u dogj. Vrasja e Marin Kurilës ishte një paralajmërim i perëndisë, e cila donte që Voskopoja të ndahej mes të krishterëve dhe myslimanëve, por kur kjo gjë nuk u arrit atëherë Sali Benishit iu dha urdhër t’i dëbonte të krishterët. Po ti mendon se perëndia ka mbajtur anën e myslimanëve në Voskopojë, pyeti Jani. Perëndia është gjithmonë me më të dobëtit, tha Muhamedi.
Nuk më the pse do ta lije Sali Benishin të martohej tri herë, u hodh Hana.
Sali Benishi u martua një herë me një grua që mund të ishte nëna e tij, pastaj me një vajzë që mund të ishte fëmija e tij dhe pastaj me një të krishterë që mund të ishte armikja e tij, sepse perëndia thotë se të martohesh, është një detyrë të cilën njeriu duhet ta kryejë me çdo kusht, pavarësisht nga mosha, bukuria apo feja. Sali Benishi e kreu këtë detyrë dhe prandaj perëndia i fali atij Voskopojën. Ai u martua me një plakë të pasur, me një fëmijë të bukur dhe me një të krishterë të tradhtuar nga Zoti i vet, u përgjigj Muhamedi.
Sara pa në drejtim të Ibrahimit, i cili e ndiqte bisedën me kureshtje duke djersirë nën peshën e Anës që flinte e pashqetësuar, që kur pjatat ishin zbrazur dhe lugët nuk përplaseshin më. Vetëm gota e mbushur e Mihal Komnenit i kishte rezistuar ngopjes duke mos qëndruar për asnjë çast e pambushur. Po të isha unë profet, do t’i kisha thënë Isakut të mos e linte hoxhën të hynte në Voskopojë sepse ai e mësoi Sali Benishin si ta digjte qytetin, tha Aliu. اfarë do bëje, do ta vrisje apo do ta burgosje hoxhën, e pyeti Jani. Do ta mbyllja në kishë që të çmendej, u përgjigj Aliu.
Ndërsa unë, po të isha profet, do kisha bërë një gjë tjetër, foli Paridi. Të gjithë heshtën dhe ai tha: Unë do t’i kisha thënë dy djemve që putheshin me Aishen në livadhin e myshqeve që ta rrëmbenin dhe ta çonin në Korçë. Po pse duhej ta rrëmbenin Aishen e vogël, tha Hana duke parë nga Sara me keqardhje. Në qoftë se do të ishte rrëmbyer Aishja, Sali Benishi do ikte nga Voskopoja duke kërkuar dhe ndoshta nuk do të kthehej më aty për ta djegur qytetin, tha Paridi dhe ngriti flokët e ngrira lart me krenarinë e njeriut që ka gjetur përgjigjen e të gjitha pyetjeve. Po sikur ta kishte gjetur dhe të kthehej prapë në Voskopojë, i tha Aliu. Në asnjë rast nuk do të kthehej më Sali Benishi në Voskopojë, foli Paridi duke ngritur zërin. Edhe sikur ta gjente, edhe sikur të mos e gjente Aishen, ai nuk do kthehej, se do t’i vinte turp që dy djem të vegjël i kishin marrë gruan. Atëherë Sali Benishi do shkonte dhe do digjte Korçën, tha Mihal Komneni. Po të digjte Korçën, Voskopoja do kishte shpëtuar, siç shpëtoi Sparta dhe u dogj Troja, sepse gratë gjithmonë djegin pasuritë e burrave dhe jo të baballarëve. Helena ishte nga Sparta, por ky qytet nuk u dogj dhe asnjeri nuk u vra. Po ta kishin lexuar profetët historinë e Trojës do t’i gjenin aty zgjidhjet për gjërat që nuk i dinin, por me sa duket ata kanë menduar se ajo është një përrallë që nuk përsëritet.
Profetët nuk i zgjidhin grindjet e botës duke u nisur nga përrallat sepse përrallat kanë gjithmonë një fund të lumtur dhe aty askush nuk vdes, tha Muhamedi. Nëse Voskopoja do ishte një përrallë Mihali dhe Metodi mund të ktheheshin prapë atje dhe Marin Kurila me Sali Benishin do t’i prisnin duke ngrënë patëllxhanët me mish që gatuante Aishja. Nuk do ishte keq, tha Metodi, edhe mua më pëlqejnë patëllxhanët me mish dhe mund të kisha shkuar në shtëpinë e Sali Benishit. Do vija edhe unë, tha Paridi, por, kur ju të hanit patëllxhanë, unë do rrija me Aishen dhe do mësoja si puthet një grua.
Hana filloi të qeshte dhe duke i parë Mihal Komnenin, rregulloi jakën e fustanit të ngushtë dhe i tha Paridit: Pse duhet të shkosh deri në Voskopojë, mund ta mësosh këtu si puthet një grua. Paridi donte të përgjigjej, por Aliu, që lëshoi shpatën mbi tavolinë, e ndërpreu dhe tha: Aishja u puth me dy djem njëherësh, kështu që do vija edhe unë me ty në Voskopojë. Mirë, i tha Paridi, hajde, por po ia mbajte Aishes dorën poshtë fustanit nuk të marr.
Mihal Komneni e ktheu edhe një herë gotën e verës dhe u kthye nga Muhamedi. Profet, a më thua dot ku është Isak Komneni?
Muhamedi picërroi sytë ngjyrë blu, priti derisa në tavolinë u vendos qetësia dhe tha: Isaku është në një ishull ku njerëzit dinë të notojnë para se të lindin, siç tha ai vetë dhe ku duhet ta harrosh notin që të mos kthehesh më mbrapsht, siç tha poeti.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Ku është ky ishull, pyeti Mihal Komneni. Me siguri në kujtimet e familjes tuaj, u përgjigj Muhamedi. Mihal Komneni nuk foli më, por u mbështet në karrige dhe pa Sarën drejt e në sy sikur po i kërkonte ndihmë. Sara uli kokën dhe filloi të mblidhte pjatat mbi tavolinë, si për t’i thënë të gjithëve se dreka kishte mbaruar. Pas saj u ngrit edhe Hana që mblodhi lugët, gotat, thikat dhe pecetat e shpërndara, ndërsa ushqimet që kishin tepruar i bashkoi në një pjatancë të madhe. Jani u ngrit në këmbë dhe pas tij edhe Paridi. Muhamedi rrinte ende ulur duke pritur të ngrihej Ibrahimi, kurse Aliu futi shpatën në brez dhe kaloi në anën tjetër të tryezës. Metod Antrakidi dukej i lodhur dhe sytë i kishte gjysmë të mbyllur, por u përmend kur Aliu iu afrua dhe i tha: Si e gjetën djemtë me shall të kuq sa gurë kishte tespihja e hoxhës? Duke mbledhur shumën e numrave që ka çdo germë në alfabet, u përgjigj Metod Antrakidi. Fytyra e Aliut ishte e hutuar, por ai nuk e dha veten dhe pyeti prapë: Po nëse nuk di të lexosh numëron dot? Mund të numërosh pa ditur germat dhe mund të lexosh pa ditur numrat, por mirë është t’i dish të dyja se perëndia i ka vënë çdo gjëje një emër dhe nuk ka bërë asgjë që të mos përsërite. اdo dru, çdo gur, çdo kafshë, çdo zog, çdo peshk, çdo send, çdo ditë, çdo vit, çdo njeri, çdo mal, çdo det, çdo lumë, çdo re dhe çdo gjë ka një emër që duhet shkruar dhe duhet lexuar që të dallohet nga një gjë tjetër. Por asgjë nga këto që thashë nuk është e vetme në këtë botë dhe prandaj nuk ka vetëm një gur, nuk ka vetëm një ditë, nuk ka vetëm një njeri apo vetëm një peshk dhe të gjitha këto duhen numëruar që njerëzit të dinë se janë dhe sa pasuri kanë.
Mihal Komneni, që e ndiqte bisedën duke buzëqeshur, i tha Metod Antrakidit: Pse nuk i mëson këtyre djemve të shkruajnë dhe të numërojnë, Metod? Gjimnazi i Janinës nuk ka më nevojë për ty, ndërsa shtëpia ime mund të bëhet shkollë djemsh në mëngjes dhe hotel pleqsh në mbrëmje.
Metod Antrakidit iu veshën prapë syzet me avull, ndërsa hidhësia në ngjyrë piperi iu largua ngadalë nga fytyra, si një re. Në pesëdhjetë vjet ai u kishte mësuar qindra fëmijëve se si të kuptonin botën, e cila, siç thoshte ai, ishte e mbyllur me një derë që mund të hapej njëkohësisht vetëm nga dy çelësa: nga një numër dhe nga një germë. Po t’i zotërosh këto dy çelësa hap derën dhe hyn në një tunel të pafund, ose më saktë, në fund të të cilit është vetëm perëndia. Mijëra njerëz e kanë hapur atë tunel, por askush nuk ka shkuar deri në fund sepse perëndia nuk i dha askujt një jetë aq të gjatë, i thoshte ai nxënësve që e pyesnin se si shkohet në fund të botës.
Si thua Metod, e përmendi Mihal Komneni duke e shkëputur nga tuneli i ditëve të shkuara. Metod Antrakidi ngriti supet dhe pa nga Ibrahimi, i cili dukej i kënaqur. Do të të isha mirënjohës nëse do t’u mësoje djemve të mi ato që di, tha Ibrahimi dhe u ngrit në këmbë me Anën në krahët e tij. Kur fillon shkolla, pyeti Muhamedi duke parë Janin nga duart si për t’i kujtuar se tokës katrore i ishte shtuar një kuti. Nesër, tha Sara. Po ne nuk kemi shall të kuq si nxënësit në Voskopojë, tha Paridi. Unë nuk mbaj shall se më merr frymën, tha Muhamedi. Hana iu afrua Mihal Komnenit, e puthi në faqe dhe doli në oborr. Pas Hanës u largua Ibrahimi dhe djemtë u vunë në rresht pas tij. Sara mbeti e fundit dhe pasi dolën të gjithë iu drejtua Mihal Komnenit: Ku është Isaku, Mihal? Mihal Komnenit i lëvizi mjekra e bardhë kur u ngrit në këmbë. Nga larg dukej si një pemë që kishte mbirë mbi tavolinë pasi ishte ushqyer për një kohë të gjatë me mish. Përgjigjen e kësaj pyetje e pres nga ty, prandaj kam ardhur, tha ai. Unë nuk e di ku është Isaku, tha Sara që ndjeu një përvëlim në faqe. Fluturo që ta gjesh dallëndyshja ime. Krahët e tu janë zgjatur dhe mund ta kalojnë detin për të arritur në ishull, tha Mihali dhe këmisha iu fry në anën e zemrës, aty ku kryqëzoheshin dy pisqollat. Metod Antrakidi, që i shikonte të dy, do t’i thoshte më vonë Mihalit se Komnenët i drejtohen njëri-tjetrit si personazhe librash bizantinë, të cilët e zbukurojnë dashurinë e tyre me metafora zogjsh. Në ishull shkohet me not, por babai nuk ma mësoi, tha Sara e bindur se duke kundërshtuar mund t’i frenonte lotët që i ishin mbledhur në grykë. Notin do ta mësosh në ishull, foli Mihal Komneni dhe e puthi Sarën me dorë, sikur po përshëndeste një zog që nuk mund ta përqafosh. Sara hapi krahët dhe doli në ajër të pastër. Mbrëmja ia ftohu mollëzat e nxehta që u njomën si një lëkurë që mbështetet në re.
Ibrahimi dhe djemtë ecnin përpara dhe Sarës iu dukën si një ushtri e lodhur që kthehej nga shkolla. Në errësirë shtëpia e hapur nga lart dukej si një kazan që mblidhte ujë. Kur do pushojë ky shi, tha Ibrahimi dhe ndaloi një çast përpara shtëpisë. Muhamedi thotë se shiu do pushojë kur të fillojë shkolla, foli Jani pas kurrizit të të atit.
Djemtë u futën nëpër dhomat e shtëpisë së re dhe Muhamedi hoqi çallmën. Pse e heq çallmën, i tha Aliu që e kishte futur shpatën poshtë krevatit. Muhamedi e shtriu peshqirin e çallmës mbi jastëk dhe pasi e palosi dy herë, u shtri dhe vuri kokën mbi të. Nuk shkohet në shkollë me çallmë se nuk jemi në Voskopojë, tha dhe pas pak e zuri gjumi.
Ibrahimi u zgjua kur një rreze drite i shpoi fytyrën. Ana flinte akoma, megjithëse një diell i verdhë i ecte nëpër flokë si një karficë lulesh. Ngriti kokën në qiell, por asnjë re nuk ia zuri dritën. Pellgjet jeshile në oborr po thaheshin si një veshkë e nderur në diell. U çua pa zhurmë nga krevati dhe shkoi të zgjonte djemtë.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Paridi u zgjua i fundit me flokët e ngritur që i zbuti me ujë. Sapuni i ngrirë i rrëshqiti si shkumë mbi fytyrë dhe ai i fshiu me peshqir sytë që i digjnin. Aliu mori bishtin e lepurit e futi në xhep dhe tha se do t’ia tregonte Mihalit, ndërsa Muhamedi e palosi peshqirin si çallmë dhe e futi poshtë jastëkut. Kur u nisën, Ibrahimi dhe Sara dolën në oborr dhe i përcollën me sy. Do kthehen më të zgjuar, tha Sara dhe i shtrëngoi dorën Ibrahimit. Do kthehen të lodhur duke kërkuar çelësat e botës, tha Ibrahimi dhe u fut brenda për të fshehur sytë e përlotur.
Kur djemtë hynë në shtëpi, Mihal Komneni po thyente arra në oborr. Flokët e gjatë i kishte krehur dhe në qafë mbante një shall të kuq. Ky është shalli i Marin Kurilës, pyeti Paridi. Ky është shalli i Isakut, u përgjigj Mihal Komneni. Po pse nuk e mori Isaku shallin me vete, në ishull, pyeti Aliu. Shalli është si flamuri dhe nuk merret me vete, por ngulet mbi kështjellë, tha Mihali dhe theu një arrë mbi plloçe.
Kur hynë në dhomë, panë Metod Antrakidin që i priste në këmbë. Syzet e tij nuk kishin avull dhe sytë i dukeshin më të mëdhenj. Mbi një karrige tjetër, ishte një dërrasë e zezë që shkëlqente nga dielli që hynte nga dera e hapur. Mbylleni derën, tha Metod Antrakidi. Paridi mbylli derën dhe në errësirë dalloi disa shkronja të bardha mbi dërrasën e zezë. Aliu u ul, priti sa Metodi u kthye me kurriz nga ata dhe i tha Muhamedit në vesh: Metodit i ka ndryshuar zëri. Mësuesit e kanë zërin më të trashë se pleqtë, pëshpëriti Muhamedi.
اfarë kam shkruar këtu, pyeti Metod Antrakidi dhe tregoi me një shkop të hollë dërrasën e zezë. Paridi ngriti supet, ndërsa Aliu bërtiti: Voskopojë. Jo, u përgjigj thatë Metod Antrakidi. Ke shkruar emrat tanë, i tha Muhamedi. Jo, tha prapë Metod Antrakidi, unë i di emrat tuaj, pse duhet t’i shkruaj. Ke shkruar që sot është e hënë, tha Aliu duke u ngritur në këmbë. Metod Antrakidi i bëri shenjë të ulej dhe tha: Jo, nuk kam shkruar që sot është e hënë. Aliu u ul duke parë me frikë nga Muhamedi që ishte ulur në karrigen e mesit. Metod Antrakidi e mbante shkopin të palëvizur në dërrasë dhe vetë dukej si një statujë që tallet me kalimtarët. Një rreze drite që hyri papritur nga fundi i derës i ra Muhamedit në gojë dhe ky tha: Ke shkruar që shtëpia e Arianit Komnenit u bë shkollë. Metod Antrakidi nuk foli, por tundi kokën duke mohuar. Rrezja e dritës kaloi nga Muhamedi te Paridi, i cili tha: Ke shkruar që shiu pushoi dhe shtëpia jonë do ndërtohet. Jo, tha Metod Antrakidi, për mua kjo nuk ka rëndësi.
Djemtë u tulatën në karrige dhe askush nuk foli. Metod Antrakidi kroi zërin dhe Aliu u afrua edhe më shumë nga Muhamedi. Kam shkruar që shkolla u hap, tha Metodi dhe hoqi shkopin nga dërrasa e zezë. Djemtë morën frymë dhe Metod Antrakidi qeshi.

25

Kur pellgjet jeshile u thanë, Naumi dhe Andrea erdhën në fshat. Naumi kontrolloi gropën e gëlqeres, ndërsa Andrea hoqi katramanë dhe u zhvesh në dhomën e gjumit të Sarës. Trupi i tij me muskuj dukej si një pemë brenda shtëpisë pa çati. Paska rënë shumë shi, i tha Naumi Ibrahimit duke nxjerrë një dërrasë të lagur nga gropa e gëlqeres. Kur mbaron, e pyeti Ibrahimi që rrinte në mes të oborrit. Po hodhëm çatinë deri në fund të gushtit, në shtator i bashkojmë dy shtëpitë dhe në tetor secili nga djemtë e tu do ketë dhomën e vet.
Pas disa ditësh mbi shtëpi u dukën trarët e çatisë. Naumi i sharronte, pasi i maste me pe të kuq, kurse Andrea i ngulte mbi njëri-tjetrin. Trarët ngriheshin dhe pastaj kryqëzoheshin mbi çatinë që i ngjante një kafazi për njerëz. Kur Andrea thërriste të atin dhe i kërkonte gozhdë, honi i shtëpisë e kthente zërin në jehonë. Andrea kishte lidhur litarë të trashë me të cilët i tërhiqte trarët deri lart. Një ditë, në çati hipi dhe Jani duke u kacavjerrë me litarë. Ibrahimi e shikonte nga poshtë djalin lakuriq, trupi i të cilit dukej si një muskul i Andreas. Jani i mbante trarët dhe Andrea i godiste fort me çekiç. Naumi i drejtonte dy djemtë nga oborri duke thirrur dhe duke lëvizur duart në erë, sikur drejtonte një orkestër. Kur trarët formuan një kasolle prej druri mbi muret e shtëpisë, Ibrahimi thirri Sarën. Ajo nxori një stol të gjatë dhe të dy u ulën e nisën të shohin shtëpinë e tyre. Dielli hynte nëpër trarët e ngulur dhe formonte katrorë të barabartë brenda shtëpisë. Herë pas here nga katrorët dilte koka e qethur e Janit apo shpatulla e djersitur e Andreas. Kur i pa të ulur në stol, Jani nxori kokën dhe i përshëndeti me dorë. Si dukemi që atje lart, e pyeti Sara. Jani u ngrit edhe pak, vuri dorën mbi sy dhe thirri: Si dy zogj që presin të hyjnë në kafaz. Ibrahimi qeshi, ndërsa Sara u çua dhe u fut në shtëpi. Mori Anën në krahë dhe filloi t’i tregonte shtëpinë që ndërtohej. I fliste me zë të ulët, por vajza lëvizte kokën nga ana tjetër dhe shikonte Naumin që me çekiç rrumbullakoste cepat e plloçave që kishte rreshtuar në oborr. Jani e nxori prapë kokën dhe kur pa Anën i tha: Hajde dallëndyshe të shohësh si ta kam thurur folenë. Ana vazhdonte t’i mbante sytë nga Naumi dhe tingulli i rregullt që dilte nga plloçat e thyera, pas pak e vuri në gjumë. Mbështeti kokën në supin e Sarës dhe mbylli sytë. E zuri gjumi, tha Ibrahimi. Edhe mua më flihet kur vëllai më thotë dallëndyshe, tha Sara.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Pasdite, kur djemtë u kthyen nga shkolla, ndaluan përpara shtëpisë dhe filluan të numërojnë trarët. Dyzet e tetë, tha Paridi. Jo, janë dyzet e nëntë, tha Aliu. Muhamedi, që vazhdonte të numëronte me gisht, ktheu kokën nga Aliu dhe i tha: Nuk mund të jenë dyzet e nëntë sepse numri i trarëve është çift dhe jo tek. Po pse është çift numri i trarëve, pyeti Paridi. Sepse përballë çdo trari vendoset një tra tjetër dhe pjesa e përparme është e barabartë me pjesën e prapme, ndërsa faqja e majtë është e barabartë me faqen e djathtë. اdo faqe ka aq trarë sa ç’ka faqja përballë dhe prandaj numri në çdo rast është çift, tha Muhamedi duke e drejtuar gishtin nga koka e Janit që i shikonte nga çatia.
Numri i trarëve është tek, foli Naumi që i kishte dëgjuar duke lënë punën. Muhamedi uli gishtin në tokë dhe Aliu i shkeli syrin Paridit. Shtëpia është në formë drejtkëndëshi dhe faqet nuk janë të barabarta. Faqja ballore dhe ajo mbrapa, që janë më të mëdha, kanë nga gjashtëmbëdhjetë trarë secila. Dy faqet e tjera, njëra në lindje dhe tjetra në perëndim janë më të vogla dhe ato kanë nga dhjetë trarë. Kur vihen të gjithë trarët dhe shtrihen njëri mbi tjetrin duke u ngulur me gozhdë, në majë të çatisë, në pikën më të lartë, vendoset trari i madh, i cili i bashkon të gjitha faqet. Ky quhet trari i madh ose kulmi i shtëpisë, tha Naumi me një zë të butë si mësues.
Djemtë shikonin trarët, ndërsa Andrea me Janin i kishin lënë çekiçët dhe qeshnin nga lart. Sa trarë ka e gjithë shtëpia, pyeti Ibrahimi djemtë, duke i bërë shenjë Naumit që të mos fliste. Paridi filloi të mblidhte me zë, ndërsa Aliu u ul në gjunjë dhe numëroi me gishta. Muhamedi qëndroi drejt duke mos i hequr sytë nga çatia. Pesëdhjetë e tre, thanë me një gojë Paridi me Aliun. Aq ka, tha Naumi.
Unë thashë që janë çift sepse trari i madh nuk është vënë akoma, u mbrojt Muhamedi duke parë drejtkëndëshin e shtëpisë, të cilit i mungonte një vizë. Kur të zgjohesh nesër në mëngjes, trarët do jenë tek, tha Naumi dhe u përkul mbi plloça.
Dy ditë më vonë qielli u nxi dhe retë u frynë duke u varur mbi kafazin prej druri. Dielli u fsheh dhe Andrea veshi një bluzë të ngushtë dhe muskujt iu mbuluan. Ibrahimi shikonte qiellin, ndërsa Naumi shtroi prapë katramanë mbi dhomën e gjumit ku flinte, bashkë me të birin. Andrea e kishte ngulur me gozhdë trarin e madh që rrinte i shtrirë si një vijë horizonti. Mbi trupin e tij të lëmuar, Jani gdhendi emrat e gjithë djemve të Ibrahimit. Thanas, Petro, Jani, Niko, Muhamed, Ali. Nuk dinte të shkruante dhe i tha Sarës t’ia vizatonte emrat në letër. Sara i shkroi një nga një në letër dhe Jani i mori me vete në lartësi. Pasi i gdhendi me radhë me një daltë të mprehtë, mori bojë të kuqe dhe filloi t’i lyente. Furça hynte në brazdat e germave si në një kanal. Ibrahimi e shikonte i ulur në stol dhe i dukej sikur i biri po vizatonte në qiell. Kur mbaroi i tha: Shto edhe emrin e Ademit. Janit iu drodh dora dhe furça i ra brenda në shtëpi. Nxori kokën mbi trarë dhe pa të atin e kërrusur mbi stol, sikur po falej mbi një kujtim. Mos zbrit, i tha Sara, ta tregoj që këtu sesi shkruhet emri i Ademit. Andrea e lidhi furçën në litar dhe Jani e tërhoqi, e futi në brez dhe nxori daltën nga xhepi i pantallonave. Jam gati, i tha Sarës dhe ndjeu dorën që vazhdonte të dridhej. Vizato germën e parë të emrit të Aliut, thiri Sara dhe dëgjoi çekiçin e Janit që ra mbi daltë. Jani punonte shpejt dhe kur mbaroi i fryu kanaleve që kishte hapur mbi tra dhe pa germën e parë të emrit të Aliut të gdhendur. Tani merr germën e parë të emrit të Petros dhe vizatoje me kokë mbrapsht, ndërsa barkun ktheja nga lindja, tha Sara. Jani e nguli daltën fort dhe bëri një vijë të gjatë dhe pastaj i shtoi vizatimit një bark të madh të kthyer nga shtëpia e vjetër e Mihalit. Shumë mirë, tha Sara. Tani merr edhe germën e dytë të emrit të Petros dhe vizatoje. Naumi dhe Andrea kishin lënë punën dhe po shikonin Janin që godiste me përpikëri mbi tra. Nuk e dija që historia e familjes mund të shkruhet mbi dërrasë, tha Naumi, ndërsa Jani po i frynte pluhurit të germës së tretë. Merr germën e pestë të emrit të Muhamedit dhe vëre në fund, tha Sara. Jani e punoi më gjatë këtë vizatim dhe kur mbaroi, Sara i tha Ibrahimit se germa m dukej si dy shtëpitë e tyre të bashkuara kurriz më kurriz. Ibrahimi nuk foli dhe vazhdoi të shikonte Janin që po e lyente emrin e Ademit me ngjyrë të kuqe. Dukej i lodhur dhe i menduar. Pas pak i tha Sarës: Po unë mund të mësoj të shkruaj? Sara iu afrua dhe i lëmoi flokët që kishin nisur të thinjeshin. Ti i ke shkruar emrat e djemve në barkun e gruas tënde, ndërsa Jani po i kopjon, tha Sara. Ibrahimi uli kokën dhe thinjat iu shtuan. Eh, kallamari im po zbrazet, tha me zë të mekur.
Kur tre djemtë erdhën nga shkolla, Jani ishte në oborr duke larë duart e skuqura. Ke vrarë ndonjë lepur, e ngacmoi Aliu. Jani qeshi dhe tregoi me gisht trarin e madh. Muhamedi filloi të lexonte emrat me zë, ndërsa Paridi e ndiqte me vështirësi dhe emrin e Petros e lexoi: Detro.
Petro nuk ka hyrë akoma në det, i tha Muhamedi që e kishte mbaruar leximin. Por Paridi nuk e dëgjoi. Pse ma ke ndryshuar emrin, i bërtiti Janit kur lexoi emrin e tij të vjetër. Shtëpia filloi të ndërtohej përpara se ti të bëheshe Parid, ia ktheu Jani. Paridi mori një gur dhe e hodhi me forcë drejt shtëpisë. Guri u përplas te trari i madh dhe humbi me zhurmë në honin e shtëpisë. Niko dhe Ademi kanë vdekur, tha Paridi dhe u fut me vrap në shtëpinë e re. Jani foli me Sarën dhe hipi prapë mbi çati. Retë ishin ulur shumë poshtë atë pasdite dhe ai mezi i shquante germat. Në fillim i hoqi bojën emrit të Nikos duke e kruar si lëkurë me një thikë të vogël. Pastaj, i thelloi kanalet duke i zgjatur dhe duke i shkurtuar. Emri i ri kishte një germë më shumë se i vjetri dhe Jani i bëri vizatimet më të holla. Gdhendjen e mbaroi kur u err. Zhurma që bënte dalta e tij në muzg ngjante me ecjen e një maceje të uritur mbi çati. Kur mbaroi, i leu germat me bojë, por errësira nuk e la ta shijonte vizatimin të plotë. Fjeti dhe u ngrit herët në mëngjes qielli ishte i pastër dhe retë ishin fshirë gjatë natës, si germat e emrit të Nikos. Jani i kaloi edhe një bojë germave të reja që shkëlqyen më shumë nga dielli i freskët i agimit. Kur vëllezërit u nisën në shkollë, ai ishte akoma mbi çati. Parid, i thirri të vëllait. Paridi nguli sytë mbi shtëpi dhe lexoi ngadalë emrin e vet. Fytyra iu çel dhe flokët e tij të ngrirë dukeshin si të vaisura për pagëzim. Tani zbrit, i tha Janit, që të mos biesh edhe ti nga çatia siç ra Niko. Pse emri i Paridit shkëlqen më shumë se emri im, u ankua Aliu. Paridi ishte një djalë elegant që lyhej me parfum kurse Aliu është një luftëtar i fortë dhe i thekur në diell, tha Jani. ا’do të thotë elegant, pyeti Aliu, që nuk ishte bindur nga përgjigjja e Janit. Elegant do të thotë t’u pëlqesh grave, tha Andrea duke nxjerrë kokën mbi kafazin e trarëve. Paridi eci përpara duke mbajtur kokën lart, ndërsa Muhamedi i tha Aliut që i mbante buzët e mbledhura: Gratë joshen me parfum, por fitohen me shpatë.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Ke një kazan të madh, e pyeti Naumi, Sarën, një mëngjes. Kam, tha Sara, pse të duhet? Për të ngritur plloçat mbi çati, tha Naumi dhe mori kazanin prej bakri. E lidhi me litar në të dy veshët dhe e mbushi me plloça. Jani zbriti nga çatia, tërhoqi kazanin e rëndë brenda shtëpisë dhe Andrea filloi ta ngrinte me litarë. Kur plloça e parë rrëzëlleu mbi çati, Ibrahimi i ngazëllyer iu afrua Naumit. Po ecën shpejt, i tha. Po më fole kur punoj, do eci me ngadalë, tha Naumi dhe vuri buzën në gaz. Andrea i shtroi plloçat me kujdes duke nisur nga faqja perëndimore e shtëpisë. Kazani u boshatis dhe Jani e mbushi prapë, ndërsa Andrea e ngriti lart. Muskujt e tij dukej sikur shtronin një qilim prej guri mbi shtëpi. Në drekë, Sara gatoi mish me presh, bëri një sallatë me qepë dhe domate, preu bukë me feta të mëdha, kurse Ibrahimi nxori një shishe me raki. Vuri tepsinë mbi tavolinën e madhe që rrinte në oborr dhe thirri Naumin, Andrean dhe Janin. Filluan të hanin në këmbë, ndërsa shishen e rakisë Ibrahimi ia kaloi Naumit dhe ky Andreas. Rakia avullonte nga krahët e fortë të Andreas, ndërsa Naumi u ngop, shkoi të shtrihej nën hijen e katramasë ku e zuri gjumi. Kur ai u zgjua, Andrea i kishte shtuar edhe një shirit qilimit të plloçave mbi çati. Jani mbushte kazanin, ndërsa në stol ishte ulur Sara bashkë me një burrë me mjekër të bardhë dhe flokë të lëshuara mbi supe. Rrinin ngjitur me njëri-tjetrin dhe shikonin shtëpinë që rritej. Naumi fërkoi sytë e përgjumur dhe pyeti Janin. ثshtë akoma gjallë Arianit Komneni? Nuk e di, tha Jani. Ky është i biri, Mihal Komneni, vëllai i Sarës.
E paskeni ndërtimin në gjak, tha Naumi duke u afruar . në gjak kemi padurimin, tha Mihali dhe, duke e përshëndetur, e pyeti: Kur mbaron? Një shtëpi ndërtohet më shpejt se një kishë, u përgjigj Naumi. Njerëzit janë të paduruar kurse perëndia pret. Perëndia është e përjetshme kurse ne nuk kemi shumë kohë, tha Sara. Fole si Arianit Komneni, tha Naumi. Kur u martua Ibrahimi me gruan e parë, ai na tha ta mbaronim kishën një muaj përpara afatit. Filluam në qershor dhe punuam në mes të vapës, si tani, duke ngritur gurët me thonj dhe duke i veshur me vezë q ëtë ngjiteshin fort. Ishte viti 1752 dhe Andrea nuk kishte lindur. Unë i ngrija muret vetë kurse Arianit Komneni, me këmishën të zbërthyer, më drejtonte duke i lëvizur qoshet e kishës si gurë shahu. Natën ai rrinte zgjuar dhe e maste kishën me këmbë duke pritur mëngjesin. Kur hëna ndriçonte, hija e tij e madhe zgjatej si kambanore. Unë flija i drobitur dhe kur zgjohesha në mëngjes e gjeja aty. m’i zgjaste veglat e punës sikur po më jepte armë. Më dukesh si një prift që nxjerr armët nga kisha, i thashë një herë. Mua nuk më duhen armë për t’u mbrojtur nga perëndia, thoshte ai.
Në fillim të tetorit, i gjithë fshati erdhi për të dëgjuar kambanën e parë. Arianiti e tundi kambanën fort me litar dhe i tha njerëzve duke u gajasur. E dëgjuat? Perëndia erdhi në fshat! Gratë bënë kryqin, ndërsa fëmijët mbyllën veshët nga gjëmimi. Atë natë mblodha veglat dhe u nisa. Ishte një mbrëmje e thatë dhe para kishës pashë Arianitin që ishte ulur në një gur dhe shikonte nga kisha. ا’bën këtu, i thashë. Po pres sa të futet hëna në kambanë, më tha. Ishte një plak i çuditshëm. Fjalët që thoshte kishin gjithmonë dy kuptime dhe ai eglendisej kur të tjerët habiteshin. Kur e ndamë më tha: Ti do vish përsëri në fshat, por unë nuk do jem këtu. Thuaji fëmijëve të mi që rruga kalon nga kisha.
Mihal Komneni dhe Sara dukeshin si dy fëmijë të vegjël që presin babanë të ulur në stol. Mjekra e Mihalit ishte zbutur, ndërsa Sara kishte mbledhur duart mbi gjunjë. Shikonin Naumin me sy të lutur, sikur i kërkonin ta vazhdonte përrallën. Nuk e dija që ti ishe vajza e Arianit Komnenit, tha Naumi. Tani e kuptoj pse shkruani emra në trarët e shtëpisë. Mihali ngriti kokën, ndërsa Sara pa Naumin e habitur. Edhe babai juaj e kishte këtë zakon. Kur mbarova kishën ai më kërkoi ta lëmoja portikun mbi derën e madhe të hyrjes. Unë e krova gjatë gurin e ashpër derisa u bë si një pjatë e pastër dhe aty Arianiti shkroi diçka. E keni parë besoj, pyeti Naumi. Sara ngriti supet, ndërsa Mihal Komneni u ngrit nga stoli dhe duke e parë Sarën në sy i tha: Fluturimi kalon nga kisha, dallëndyshe.
I rrahu shpatullat Naumit dhe u nis me hap të madh. Sara e ndoqi pas, ndërsa Naumi u kthye dhe filloi të mbushte kazanin me plloça. Ku ikën ata, e pyeti Jani. Po kërkojnë Arianit Komnenin, u përgjigj Naumi dhe tundi kokën si kambanë.

Kisha ishte e ftohtë dhe Mihal Komneni u drodh. Një merimangë e butë që varej mbi derë iu ngjit në mjekër, por Mihali nuk e pa. këmbët e vogla të Sarës jehuan mbi altarin e zhveshur. Nga katër dritaret e vogla hynin rreze të holla drite që bashkoheshin në qendër të kishës. Mihali bëri disa hapa dhe u kthye duke parë mbi portik. Portiku ishte i mbuluar me pluhur dhe ai e fshiu me dorë. Pluhuri i ra Mihalit mbi flokë dhe disa katrorë të vegjël nxorën brinjët dhe morën frymë nën gishtat e tij të mëdhenj. Sara lëvizi për të shmangur pluhurin dhe zgjati kokën. Një katror, pak më i madh se pëllëmba e Mihalit, djersiti mbi gur. Mihali bëri një hap prapa, ngriti sytë dhe u përqendrua. Katrori ishte i rregullt dhe i ndarë në shumë katrorë të vegjël. E lexon dot çfarë shkruhet, i tha Sarës që u ngrit mbi majat e këmbëve dhe lexoi germat një nga një: KRETA. Natyrisht, tha Mihali dhe kaloi dorën mbi mjekër. Ka edhe një numër, tha Sara. اfarë numri, pyeti Mihal Komneni duke picërruar sytë në errësirë. Trembëdhjetë, tha Sara. Numri është shënuar në katrorin e mesit, poshtë germës E.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Mihal Komneni u lëkund mbi këmbët e veta dhe Sarës iu duk sikur do rrëzohej. Rrezet e dritës i vinin nga prapa kurrizit, i hynin ndër flokë dhe fytyra iu zbeh si një ikonë. Isaku ka qenë këtu, tha dhe preku portikun me dorë duke e përkëdhelur. Sara e pa në sy, por nuk foli dot. Numri trembëdhjetë është shtuar më vonë se Kreta. Shiko kanalet e gdhendjes. Nuk janë bërë nga e njëjta dorë. Numri është më i hollë dhe më i freskët dhe duket i shkruar nga një dorë e re dhe e lehtë. Ndërsa brazdat e Kretës janë të thella, të ashpra dhe të gdhendura në gur nga një dorë e lodhur dhe e pasigurt. Naumi tha se ai pastroi gurin, ndërsa babai shkroi diçka që ai nuk kishte ditur ta lexonte. Por Naumi nuk tha nëse kishte parë ndonjë numër, që do të thotë se numri është shkruar më vonë dhe patjetër ka një kuptim. اfarë kuptimi ka, pyeti Sara që dukej e frikësuar sikur e kishin lënë vetëm në një labirinth logjik. Iu kujtua Metod Antrakidi që thoshte se njohja e botës është e mbyllur në një derë që hapet me një numër dhe me një germë. I hodhi sytë nga katrori që djersinte i zbuluar nga pluhuri.
Kuptimi i parë që më vjen në mend është Voskopoja, foli Mihal Komneni. Isaku ka dashur të lërë një gjurmë të jetës së tij këtu, por katrorët bosh fshehin numra të tjerë që duhet të lidhen me njëri-tjetrin me një shpjegim. Po Kreta, pyeti Sara. Mihali lëvizi pak kokën si për të thënë se ky shteg mund të kalohej më lehtë. Kreta është shkruar nga babai. Ai e ndërtoi këtë kishë për heronjtë e Kretës dhe ditën që kisha u hap, këtu u mbajt një meshë për ta. Kreta ishte pjesa më e dhimbshme dhe njëkohësisht më e bukur e jetës së tij. Aty iu vra vëllai i madh, aty vdiq gruaja që dashuronte dhe aty linde ti. Por katrorët e tjerë mund të japin shpjegime të tjera dhe të ndriçojnë gjëegjëzën e jetës së Arianit Komnenit, tha Mihali duke marrë frymë thellë. Si do t’i hapim këto kuti, e pyeti Sara. Mihal Komneni kaloi edhe një herë dorën mbi katror sikur donte të regjistronte në kujtesën relievin memec të gurit, apo sikur donte të takonte dorën që kishte qenë aty përpara dorës së tij. E afroi dorën te buzët e veta sikur maste temperaturën, pastaj i mori erë dhe tha: Metodi mund të ketë një çelës.
I hodhi një sy kishës, hapi derën me forcë dhe doli në diell. Merimanga, që i varej si një jargë e moçme në mjekër, u verbua. Mihal Komneni vrapoi si fëmijë në rrugën e shtëpisë dhe Sara e ndoqi pas. Loja filloi, mendoi me vete.

Paridin, Muhamedin dhe Aliun i gjetën të ulur në tri karrige. Përballë tyre, në këmbë, rrinte Metod Antrakidi. Shkolla mbaroi për sot, thirri Mihali kur hyri brenda. Djemtë u çuan duke parë Metod Antrakidin, por Mihali i shkeli syrin dhe ata dolën të kënaqur. Nuk pranoj pleq në shkollën time, tha Metod Antrakidi që qëndronte akoma në këmbë. Pranoj unë, tha Mihali dhe i bëri shenjë Metodit që të ulej në karriget e djemve. Pas tij u ul dhe Sara. Karrigia ishte e ngrohtë dhe ajo mblodhi këmbët. Mihali fshiu dërrasën e zezë dhe vizatoi një katror. E ndau në pesë pjesë vertikalisht dhe horizontalisht dhe në rreshtin e parë, lart shkroi: KRETA. Në katrorin poshtë germës së mesit vuri numrin 13.
U kthye nga Metodi dhe i tha: Ja një detyrë për ty. Gjej numrat dhe fjalët e padukshme në këta katrorë dhe të jesh i sigurt se bota do të të duket më e bukur.

K R E T A
13




Metod Antrakidi rregulloi syzet mbi hundë, pa katrorin dhe tha: Ky është një katror magjik. Ku e gjete?
Ma ka lënë trashëgim babai, tha Mihali dhe mori shkopin e mësuesit në cep të dërrasës. Nuk e dija që Arianit Komneni ka qenë një mason, tha Metodi. Sara ktheu kokën, por Mihali ngriti shkopin dhe ajo nuk nxori zë.
Katrorët magjikë janë shumë të hershëm dhe disa mendojnë se janë me origjinë parakristiane, filloi Metodi. Në traditat e lashta hebreje dhe greke njerëzit e ditur përdornin katrorë të tillë për të fshehur apo për të dhënë sinjale të ndryshme. Me kalimin e kohës, katrorët magjikë u shndërruan në një sport për matematicienët sofistë që luanin me to duke habitur princat dhe madje i përdornin edhe si letra dashurie, të cilat askush përveç të dashurës, nuk mund t’i lexonte. Katrorët magjikë nuk formohen vetëm me numra, por edhe me fjalë. Sekreti i katrorit magjik është ky: numrat që e përbëjnë duhet të jenë të ndryshëm, pra të mos përsëriten dy herë, të jenë të njëpasnjëshëm, pra një, dy, tre, katër, apo njëzet, njëzet e një e me radhë dhe sido që t’i mbledhësh, vertikalisht, horizontalisht apo diagonalisht ato duhet të japin të njëjtën shumë.
Ndërsa katrorët e fjalëve formohen me vështirësi për shkak të natyrës së pambledhshme që kanë fjalët, të cilat mund të kombinohen duke u lexuar vetëm nga një anë, pra ose majtas, ose djathtas, ose poshtë, ose lart, por jo edhe anasjelltas. P.sh. fjala Kreta në katrorin e Arianitit mund të lexohet nga e majta në të djathtë, por jo në të kundërtën. Kjo bën që katrorët e numrave të jenë shumë më të përdorur në të gjitha traditat që përpiqen të shpjegojnë botën përmes numrave.
Mjeshtri i këtyre magjive matematike ka qenë Pitagora, i cili thoshte se në këtë botë çdo gjë është një numër. Pitagora arriti të hutojë gjindjen në Italinë e Jugut, ku jetonte, që në atë kohë ishte koloni greke, aq sa rregullat e tij u kthyen në një lloj feje, e cila, nëse nuk do lindte Krishterimi, ndoshta do vazhdonte ta shpjegonte botën përmes numrave. Pitagora e quante veten një hyjni dhe një herë tha: në këtë botë ekziston Zoti, ekzistojnë njerëz, por dhe qenie si unë. Siç thashë, rregullat e tij u kthyen në normë me mbështetjen e disa princave që i besuan dhe u bënë dishepuj të tij. Pitagora thoshte: Mos hani fasule, mos kaloni mbi një kryq, mos trazohet zjarri me hekur, mos shkelen dafinat, mos hahet zemra, mos lihen dallëndyshet të ndërtojnë fole nën çati, mos u shiko në pasqyrë kur je pranë një qiriu, etj. Teoria e Pitagorës, si një kombinim i matematikës me teologjinë, ndikoi në gjithë mendimin grek parakristian, por edhe shumë më vonë. Më pas, Krishterimi e mohoi Pitagorën, sepse nuk mund të pranonte që Zoti ishte një numër dhe që pas çdo numri fshihej një sekret që duhej zbuluar nga mendja njerëzore. Unë mendoj se Pitagora do kishte qenë më i suksesshëm në rast se nuk do t’i kërkonte njerëzve që të mos hanin fasule, sepse në atë kohë fasulja përbënte ushqimin bazë të grekëve. Ai i ka përçmuar grekët dhe ka qenë cinik. Edhe unë do bëja zgjedhjen që bënë grekët: më mirë një fe që nuk më lejon të martohem dy herë, si Krishterimi, sesa një fe që më pengon të ha fasule. Mes dy të këqijave do zgjidhja më të voglën.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Po me dallëndyshet ç’kishte Pitagora, pyeti Mihali që qeshte duke parë Sarën.
Nuk e di, tha Metodi. Grekët e lashtë ishin shumë tokësorë dhe qiellin ua kishin lënë perëndive.
Por le të kthehemi te katrorët magjikë. Nga grekët ato u morën dhe u përpunuan nga çifutët që kanë shkencën e tyre të numrave, e cila quhet Kabbala. Kabbala mendohet se është një libër që iu dha Abrahamit nga perëndia dhe që shpjegon lindjen, ndërtimin dhe ecurinë e botës përmes kombinimit të numrave dhe germave. Kabbala e ndan dijen njerëzore në pesëdhjetë shkallë inteligjence dhe thuhet se vetëm Moisiu arriti deri te shkalla e dyzetenëntë sepse tek e fundit nuk mund të arrinte, pasi ai nuk ishte profeti i fundit. Shkalla e pesëdhjetë e dijes është vetë Zoti dhe vetëm Jezu Krishti ka arritur deri aty.
اifutët kanë një katror të dashur me 36 numra duke filluar nga njëshi. Shuma e çdo rreshti është 111 dhe shuma e të gjithë rreshtave është 666. Ka njerëz që besojnë se ky është numri i djallit, por për çifutët ai ka një kuptim mistik dhe hyjnor që lidhet me ardhjen e Mesias. Sabatai Zevi ishte kabalist dhe një nga arsyet që njerëzit e besuan ishin pikërisht tri gjashtat e vitit 1666, kur ai u shpall si Mesia.
Edhe myslimanët kanë një katror magjik me tri rreshta. Numrat e këtij katrori janë nëntë dhe fillojnë nga tetëmbëdhjeta dhe mbarojnë në njëzet e gjashtë. Shuma e tyre është 66 që përbën vlerën numerike të fjalës Zot në arabisht.
Më vonë, lojën e katrorëve magjikë e morën masonët, të cilët u shfaqën në kohën e kryqëzatave dhe fillimisht shërbyen si mbrojtës të Jerusalemit kur ai u pushtua nga myslimanët. Masonët e parë kishin gërmuar në tempujt e Jerusalemit dhe besohet se atje kanë gjetur sekrete të mëdha nën rrënoja. Disa nga kodet e tyre të fshehta ata i kaluan dorë më dorë me anë të katrorëve magjikë.
Babai nuk ka qenë mason, e ndërpreu Mihal Komneni duke drejtuar shkopin. Kur ishte në Stamboll mund të ketë njohur disa prej tyre dhe ndoshta aty ka mësuar katrorin magjik.
Nuk ka bërë keq, tha Metodi dhe i nguli sytë dërrasës. Ky katror duhet të ketë dy pjesë. Ai përbëhet edhe nga fjalë edhe nga numra. Rreshti i Kretës është me fjalë që do të thotë se edhe rreshti i parë vertikal dhe i pesti vertikal që lidhen me të, duhet të kenë fjalë të fshehura. Ndoshta edhe rreshti i fundit horizontal që lidhet me dy rreshtat anësore duhet të jetë një fjalë. Ndërsa numri trembëdhjetë është pjesë e një katrori brenda katrorit të madh. Katrori i madh ka njëzet e pesë katrorë të vegjël. Ndërsa katrori i vogël ka nëntë katrorë të mbushur me numra. Po filloj me këtë të voglin sepse është më i lehtë.
Metodi u çua dhe vizatoi një katror më të vogël se katrori i Arianitit që rrinte përbri dhe priste të zbulohej. E ndau katrorin me dy viza nga lart-poshtë dhe pastaj hoqi dhe dy viza të tjera horizontale. Dërrasa e zezë qau nga shkumësi dhe Sarës iu ngjeth mishi. Nëntë katrorët e vegjël dukeshin si nëntë gojë të hapura. Metod Antrakidi shkroi një trembëdhjetë në katrorin e mesit, në rreshtin e parë lart dhe filloi të numëronte duke lëvizur buzët. U mendua pak dhe në katrorin e parë, në të majtë të trembëdhjetës, vuri një tetë. Poshtë tetës vuri një shtatë dhe poshtë shtatës një dymbëdhjetë. Rreshti i parë vertikal u plotësua. Mihali pa nga Sara dhe filloi të qeshte. Mektodysyz Prapakidi po i hap portat e Komnenëve, tha.
Poshtë trembëdhjetës Metodi shkroi një nëntë dhe poshtë nëntës një pesë. Ndërsa në rreshtin e tretë nga lart-poshtë vuri një gjashtë, pastaj një njëmbëdhjetë dhe pastaj një dhjetë.

8 13 6
7 9 11
12 5 10

Katrorët u plotësuan dhe Metodi bëri një hap prapa duke i parë.
Mblidhi nga të duash, i tha Mihal Komnenit. Mihali filloi të numëronte duke prekur çdo numër me shkop. Shkopi u end nga e majta në të djathtë, pastaj nga poshtë-lart, dhe pastaj përshkoi ngadalë diagonalen duke filluar nga numri tetë, kaloi te nënta dhe qëndroi te dhjeta. Shuma është njëzet e shtatë, tha dhe Sarës iu kujtua Aliu që numëronte trarët e shtëpisë me gishta. Po, tha Metodi. Por t’i mbledhësh numrat është e thjeshtë. E vështirë është t’i kuptosh.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Trembëdhjeta është numri simbol i Voskopojës, që Marin Kurila thoshte se vjen nga numri i Krishtit dhe dymbëdhjetë profetëve të tij. Këtë numër, besoj se e ka shkruar Isaku sepse një gjë është e qartë: nuk ka qenë e njëjta dorë ajo që ka shkruar fjalën dhe ajo që ka shkruar numrin.
Nga e kupton ti këtë, e pyeti Metodi. E pashë gurin, e preka, e shijova dhe e nuhata. Guri kishte erën e tim biri dhe unë këtë erë nuk mund ta ngatërroj me asgjë tjetër. Sado inteligjente, e përsosur dhe e stërvitur të jetë shqisa, dëshmia e saj nuk përbën provë, tha Metodi. Aq më tepër që shqisa jote e vjetër ka qenë e djegur nga malli. Sytë e tu kanë qenë të përlotur, hunda ka qenë e zënë, gjuha e tharë dhe dora e drunjtë. Si mund t’i besoj një zemre që dridhet nga kujtimet duke prishur muzikën e shqisave që komandon?
Mihal Komneni e uli shkopin dhe Sarës iu duk si një dirigjent i plakur. Por rënia e tij zgjati vetëm një çast. Ngriti dorën dhe ia afroi Metodit në hundë. Merri erë, i tha. Mban era myshk, tha Metodi dhe teshtiu. I fshiu hundët me mëngë dhe u kthye nga Mihali. Isaku ka pasur nëntë katrorë bosh. Më thua dot pse është vënë numri trembëdhjetë pikërisht në këtë katror dhe jo diku tjetër? Mund ta kishte shkruar trembëdhjetën në rreshtin e fundit, apo në katrorin e parë lart, ose në katrorin e mesit, ose ku të donte sepse fushën e shahut e kishte bosh dhe mund ta vendoste ku t’i pëlqente mbretin e tij trembëdhjetëvjeçar.
Kjo është çështje metode, Metod, u përgjigj Mihali dhe pa Sarën që e shikonte si një nxënëse në ditën e parë të shkollës.
Pa dyshim që është një çështje metode, përsëriti Metodi dhe vazhdoi:
Isak Komneni, gjithmonë nëse është ai që e ka mbushur këtë katror memec, ka dashur të dëshmojë diçka përmes pozicionit të numrave. Unë besoj se ai ka dashur të lërë një gjurmë dhe këtë mund ta provoj. Ja, se si. Po ta kishte vënë trembëdhjetën në katrorin e parë lart, shuma e të gjithë numrave të njëpasnjëshëm do të ishte dyzet e dy. Po ta kishte vënë numrin e tij në katrorin e mesit të rreshtit të mesit, pra në qendër, shuma e të nëntë katrorëve do ishte tridhjetë e nëntë. Mund ta kishte shkruar në katrorin e parë të rreshtit të fundit dhe mbledhja e të gjithë numrave do të ishte tridhjetë. Me pak fjalë, Isaku ka pasur nëntë mundësi për të ndërtuar një katror me numrin trembëdhjetë. Pse ka zgjedhur pikërisht këtë kombinim numrash? Pse ka kërkuar njëzeteshtatën dhe jo tridhjetën apo tridhjetenëntën apo dyzetedyshin?
Mihal Komneni mendohej duke kruar mjekrën.
Kur ka lindur Isaku, pyeti Metod Antrakidi. Në 13 janar 1742, tha Mihali. Kur iku Isaku nga Voskopoja, pyeti Metodi. Në gusht të vitit 1769, tha Mihali dhe mjekra iu drodh. Metod Antrakidi u kthye nga Sara. Kur u largua Arianit Komneni nga fshati? Në tetor 1769, tha Sara që u mblodh në karrige.
Dëshmia e shqisës së grisur të Mihal Komnenit ndoshta mund të merret si provë, shpalli Metodi dhe tha: Isaku ka qenë 27 vjeç në vitin 1769 dhe duke i kombinuar katrorët në këtë mënyrë ndoshta ka dashur të na thotë se në cilin vit ka qenë këtu. Me fjalët e numrave ai ka thënë: Kur mbusha njëzet e shtatë vjet shkova në fshat. Ose: Isha në fshat në vitin 1769. Ndërsa numri trembëdhjetë tregon se ai ka ardhur nga Voskopoja. Isaku ishte i bindur se njerëzit që do lexonin katrorin e tij do ta lidhnin simbolikën e numrit trembëdhjetë me qytetin e Voskopojës ku ai bëri histori. djalë i zgjuar, tha Metodi. I ka ngjarë më shumë gjyshit se babait. Deri tani na ka thënë se nga vjen dhe ku qëndron, por ne duhet të gjejmë se ku ka shkuar.
Po Kreta, pyeti Sara.
Nëse Kretën e ka shkruar Arianit Komneni, Isaku e ka gjetur fjalën këtu dhe është përpjekur të kombinojë numrat me fjalët e fshehura. Kjo është një teknikë e vështirë dhe unë nuk kam parë kurrë një katror magjik, ku bashkohen fjalët me numrat, tha Metodi duke bërë një hap prapa. Po nëse Isaku ka ardhur në fshat në gusht të vitit 1769 ai është takuar me Arianitin dhe ky i ka treguar sekretin e katrorit të madh. Kjo është e pamundur, tha Sara. Unë do ta kisha parë Isakun po të vinte në shtëpinë tonë atë vit. Isaku u arratis nga Voskopoja dhe turqit e kërkonin për ta burgosur, tha Mihali. Ai duhet të ketë qëndruar i fshehur që mos pikasej. Kush i mbante kyçet e kishës, pyeti Metod Antrakidi. Babai, u përgjigj Sara, ai e ndërtoi kishën. Ndoshta Isaku është fshehur në kishë sepse aty nuk hynte njeri, tha Metodi. Ndoshta, tha Sara. Kur Ibrahimi u bë mysliman prifti nuk erdhi më nga Janina dhe për shumë kohë nuk u mbajtën më mesha. Kisha rrinte e mbyllur.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Po të isha unë në vendin e Isakut nuk do gjeja strehë më të sigurt se një kishë e braktisur për t’u fshehur, foli Metodi. Ai mund të ishte fshehur edhe në shtëpinë tonë, në bodrum ose në çati, tha Sara. Arianit Komneni nuk mund të ishte kaq naiv, u përgjigj Metodi. Ai e dinte se, nëse turqit do ta kishin ndjekur Isakun, vendi i parë ku do të kërkonin do të ishte shtëpia e tij dhe ai sigurisht që nuk donte ta bënte të nipin kurban. Në këtë shtëpi, Isaku do ishte i zbuluar dhe njerëzia mund ta kishin parë.
Përpara se babai të ikte, në fshat erdhi Ali Tepelena me disa njerëz të armatosur që kontrolluan shtëpitë dhe rrahën burrat e fshatit. Ndoshta Arianiti ka menduar se Aliu erdhi në fshat për të kërkuar Isakun dhe e ka fshehur në kishë, tha Sara dhe pa nga Mihali. A erdhi Ali Tepelena në shtëpinë tuaj, e pyeti Metodi. Po, tha Sara. Ai bisedoi gjatë me babanë dhe u largua në të gdhirë. Babai u mbyll në shtëpi dhe pas tri ditësh u nis vetëm dhe më la mua në shtëpinë e Hanës.
Sekreti i Arianitit tani është më i qartë, ngriti zërin Metodi. Ai quhet Isak Komneni. Arianiti ka ikur nga fshati për të shpëtuar të nipin, të cilin e kishte fshehur në kishë. Kur ka ardhur Ali Tepelena, Arianiti ka besuar se qëllimi i tij ka qenë kapja e Isakut. Kanë ikur të dy nga fshati.
Po pse nuk më morën dhe mua me vete, pyeti Sara e mbledhur në karrige si një fëmijë. Udhëtimi i tyre duhet të ketë qenë i vështirë dhe i pasigurt. Rruga kalonte nga Janina, Voskopoja dhe Korça, të cilat kontrolloheshin nga turqit. Arianiti nuk mund të rrezikonte vajzën e vetme në këtë udhëtim, tha Metodi. Edhe unë do kisha bërë të njëjtën gjë, po të kisha një vajzë.
Po pse babai nuk donte që unë ta njihja Isakun, pyeti prapë Sara.
Ti ishe e vogël dhe nuk do ta mbaje dot sekretin e tij, tha Mihal Komneni që ishte ulur në karrige. Ata e kanë shtyrë të vërtetën në kohë, por nuk e kanë fshehur. Nëse do të donin të zhdukeshin pa lënë gjurmë, këta katrorë nuk do ekzistonin. I kanë lënë shenjat të gdhendur mbi gur, të bindur se një ditë ti do t’i zbuloje. Nuk të kanë fshehur gjë, dallëndyshe, por vetëm kanë pritur që të rritesh. Dhe të kuptosh.
Ndoshta jeta ime do ishte ndryshe po ta kisha njohur Isakun, foli Sara me zë të shuar. Babai e dinte këtë, tha Mihali. Ai ka dashur që ti të rritesh në fshat dhe të bësh gjërat që ke bërë. Ka dashur që unë të martohesha me një mysliman, pyeti Sara. Këtë ai nuk mund ta dinte, por po ta kishte mësuar do ta kishte quajtur një fat të pashmangshëm, tha Mihali dhe hodhi sytë nga katrori i madh. Po Isaku çfarë do thoshte po ta dinte se unë jam martuar me një mysliman, pyeti Sara. Mihali u mbështet në karrige dhe ngriti kokën lart sikur po lexonte në tavan. Do thoshte se, që të shpëtosh ishullin, duhet t’u mësosh të huajve notin, i tha Sarës.
Metod Antakidi rrinte në këmbë si një mësues. I bëri një shenjë Sarës dhe ajo u ngrit nga karrigia dhe u afrua te dërrasa e zezë. Pluhuri i shkumësit i mbushi flegrat. Nuk teshtiu, por bashkoi këmbët sikur donte të mbyllte gjithë vrimat e trupit.
Rruga kalon nga Kreta, tha Metod Antrakidi dhe tregoi me gisht katrorin e madh. Sara pohoi me kokë dhe ai vazhdoi. Katrori i madh ka njëzet e pesë katrorë të vegjël. Nëntë katrorët e mesit janë mbushur me numra. Në pesë katrorët e rreshtit të parë horizontal është shkruar Kreta. Mbetën edhe njëmbëdhjetë katrorë për t’u zbuluar, të cilët, meqë lidhen me rreshtin e Kretës, duhet të jenë formuar me fjalë dhe jo me numra. Në kolonën e parë vertikale duhet të jetë shkruar një fjalë, e cila fillon me germën k, njëlloj si Kreta sepse ky është rregulli i një katrori magjik. Të gjitha fjalët duhet të lidhen me njëra-tjetrën përmes një germe.
Më thuaj një fjalë që fillon me k, tha Metodi. Koha, tha Sara. Ka katër germa, foli Metodi. Duhet të ketë pesë. Kaos, tha Mihal Komneni që rrinte i ulur në karrige dhe shikonte në tavan. Të thashë që duhet të ketë pesë germa, iu kthye Metodi, por Mihali nuk e kishte mendjen.
Krahë, tha Sara. Ndoshta, tha Metodi dhe shkroi një r, poshtë k-së së Kretës, pastaj një a një h dhe poshtë saj në katrorin e fundit një e. Megjithatë nuk e kuptoj çfarë e lidh Kretën me krahun. Para së gjithash, katrori duhet të jetë logjik që të jetë magjik.
E lidh, tha Sara dhe pa nga Mihali që dukej sikur nuk ishte aty. Mihali thotë se mua më janë rritur krahët dhe duhet të fluturoj si dallëndyshe që të shkoj në Kretë. Metodi vuri buzën në gaz dhe e pa Sarën me dhimbsuri. Në ditën e parë të shkollës gjithë fëmijët tregojnë përralla, i tha. Sara u skuq dhe i mblodhi më fort këmbët. Mihali gjithmonë i ka joshur gratë duke i përshkruar si zogj. Në Voskopojë e quanin zbutësi i zogjve. Arianit Komneni nuk ka qenë një poet melankolik, por burrë kokëfortë dhe racional. Do ishte një çudi sikur jetën e vet ta përshkruante si një letër dashurie. Ky katror magjik është një letër që i drejtohet së bijës dhe jo një gruaje çfarëdo. Nëse arsyetimi im është i drejtë, kjo do të thotë se në këto kuti fshihet një histori e vërtetë që ai ka dashur të mësohet pa gabime, por saktësisht, deri në detaje, ashtu siç ka ndodhur. Po të ishte ndryshe, do mbetesha i zhgënjyer nga një burrë që e kam adhuruar, duke i njohur të birin dhe të bijën. Megjithatë, le të fluturojmë pak në errësirë dhe të besojmë se Arianiti ka shkuar në Kretë me krahë. Kalojmë në rreshtin e fundit për së gjati, që lidhet me germën e fundit të fjalës, Kreta. Duhet të gjejmë një fjalë që fillon me a, tha Metodi
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Athos, tha Sara. Mihali thotë se babai mund të jetë nisur në malin Athos për të vdekur aty siç bënin perandorët bizantinë. Mihali ka kërkuar aty, por nuk e ka gjetur. Ndoshta babai ka ndërruar mendje rrugës dhe ka vendosur të vdesë në një vend tjetër. Katrorin e kishte shkruar në vitin 1752, kur u ndërtua kisha dhe në vitin 1769 nuk mund ta ndryshonte më.
Metod Antrakidi uli syzet dhe e pa Sarën me qetësi. Ti e ke njohur Arianitin në pleqëri kur kujtimet e lodhshme, mëkatet e shpirtit dhe dobësia e trupit, e bëjnë çdo njeri të duket si murg. Por jeta e Arianitit ishte një betejë për të gjetur paqe me njerëzit dhe jo me Zotin. Të vdesësh si murg, do të thotë t’i dorëzohesh Zotit, pasi ke dështuar me njerëzit. Por ai ka jetuar si një prijës dhe njerëzit i janë bindur. Ka folur dhe njerëzit e kanë dëgjuar. Ai ka ndërtuar dhe njerëzit kanë punuar. Ka dashuruar dhe e kanë dashuruar. Ka urryer dhe njerëzit e kanë tradhtuar. Ka besuar dhe njerëzit janë lutur. Ka kërkuar dhe Zoti e ka ndihmuar. Arianit Komneni mendonte se Zoti i kishte ngarkuar një mision. Kur iku nga fshati, misioni i tij nuk ishte kryer dhe ai nuk mund të shkonte te Zoti e duke kërkuar falje t’i thoshte: Zoti im më fal, unë dështova. Sinqeriteti i dobët i murgut, është vetëvrasës. Arianit Komneni donte të vdiste, por nuk donte të vriste veten. Një njeri që vret veten nuk lë gjurmë. Atij i mjafton vetëvrasja për të dëshmuar dobësinë dhe dëshpërimin e tij. Nëse ti mendon se babai yt jetoi për të vdekur si murg, do të thotë se zbulimi i të fshehtave të këtij katrori, është një detyrim për t’i provuar vetes të kundërtën. Gjithmonë nëse e kundërta ekziston.
Megjithatë, ne do t’i shkojmë ushtrimit deri në fund, tha Metodi dhe mbushi katrorët e vegjël poshtë germës a, me tepricën e fjalës Athos. Ja ku jemi. Kreta, Krahë, Athos. Këto tri fjalë mund të bëjnë një magji, por së pari duhet të bëjnë një kuptim. Po të thërrisnim për ndihmë poetin e Voskopojës ai do thoshte se Arianit Komneni ka fluturuar për në Kretë dhe kur krahët e thinjur i janë lodhur ka ndaluar në manastirin e malit Athos, ku dhe ka vdekur. Apo jo, pyeti Metod Antrakidi duke folur me vete.
Sara dukej e ngurtë, por e vëmendshme, si një zog që kërkon një pemë për t’u ulur.
Tani na duhet të bashkojmë me një fjalë të vetme germën e, të krahut të Arianitit, me germën s, të malit Athos, vazhdoi Metodi.
Eros, tha Mihal Komneni.
Sa do t’i pëlqente poetit të Voskopojës, u gajas Metod Antrakidi dhe veshët e gjatë iu afruan te buzët. Arianit Komneni fluturon nga Kreta në Athos në kërkim të dashurisë. Po ta kishte shkruar këtë varg, ndoshta myslimanët e Sali Benishit nuk do ta kishin vrarë dhe Aishja do t’i kishte gatuar patëllxhanë me mish të grirë kur ai recitonte lakuriq duke mbajtur një kurorë me lule myshqesh mbi kokë.
Sarës i doli një aromë nga sqetullat dhe hapi pak këmbët.
E përkryer, vazhdoi të fliste Metod Antrakidi që dukej si një magjistar, i cili, duke përzier barëra me shurup dhe sheqer të djegur i ndryshon jetën një njeriu. E çon në luftë, pastaj e plagos, e nis për në shtëpi, e shëron, vendos ta martojë, e ndan, bëhet pishman, pastaj e marton prapë, djeg pak sheqer, e bën me fëmijë, pastaj i hedh bar mbi kokë dhe njeriu niset për të vdekur, por ai e kthen nga rruga dhe e mbyll në një manastir. Magjistari kënaqet kur shikon njeriun që i lutet ta lërë të vdesë, sepse është i lodhur dhe nuk ka më fuqi të jetojë, por ai pret, ndalon, vrojton, tallet dhe pi pak shurup, ndërsa njeriu vazhdon të lutet, pastaj magjistarit i mbyllen sytë nga pija dhe para se ta zërë gjumi i hedh një grusht bar mbi kokë dhe njeriu vdes nën atë peshë.
E përkryer, tha prapë Metod Antrakidi. Edhe Arianit Komneni nuk do donte një fund më të lavdishëm se ky. Të vdesësh si një murg nga dashuria. Ose të dashurosh si një murg në prag të vdekjes. Ose të fluturosh në krahët e erosit duke u nisur nga Kreta në Athos. Ose të dashurosh në ajër duke fluturuar nga Kreta në Athos. Sikur ta takoja Arianit Komnenin do t’ia kërkoja këtë katror magjik borxh për epitafin tim. Sa do doja të vdisja në një manastir, pasi ta kem kaluar gjithë jetën duke bërë dashuri në ajër. Duhet të jetë një akt fizik që nuk të lodh sepse nuk ka rëndësi. Nuk ka gravitet. Por edhe nëse ka gravitet, njeriu është i qetë sepse e di që do bjerë mbi malin Athos, në pëqi të perëndisë. E përkryer, tha Metod Antrakidi për të tretën herë dhe veshët iu zvogëluan dhe morën përmasën katrore që kishin zakonisht. E përkryer, por e pamundur, sepse fjala eros ka katër germa dhe dashuria që kërkojmë duhet të konsumohet në pesë katrorë.
Sara ishte ende në këmbë dhe faqet i ishin ftohur. Metod Antrakidi po kënaqet duke ecur në kthesat e jetës së babait, mendoi. A nuk kishte thënë Metodi disa herë: Sikur unë të isha në vend të Arianit Komnenit, sikur të jetoja si ai, sikur të kisha një vajzë si ai, sikur të vdisja si ai? Nuk mund të jesh si babai, tha Sara me vete, sepse zgjuarsinë nuk e përdor për të zbuluar botën, por për të gjetur gabimet atyre që e kanë përshkruar atë rrugë. Kjo duket sikur të kënaq, por në të vërtetë të vonon. Vonohesh duke numëruar gabimet e të tjerëve dhe nuk ecën. Jeta jote është e mbushur me vonesat e atyre që kaluan para teje. Nuk mund të jesh si babai, përsëriti Sara, pa zë. Për më tepër, je i shëmtuar.
Metod Antrakidi rrinte në këmbë dhe shikonte Mihalin. Pastaj Sarën. Asnjëri nuk e kishte mendjen. Janë lodhur duke ndjekur babanë, mendoi dhe erdhi keq.
Nuk ka asnjë fjalë që bashkon krahun me Kretën dhe me malin Athos, tha me zë të ulët dhe e fshiu katrorin me një leckë të zhubrosur. Pluhuri i shkumësit u ngrit si re dhe mbeti një copë herë mbi kokat e të treve.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Ti the se në ndryshim nga katrorët magjikë me numra, katrorët e fjalëve mund të shkruhen nga lart-poshtë ose anasjelltas, apo nga e majta në të djathtë, ose anasjelltas, por asnjëherë në të dyja drejtimet njëkohësisht, foli Mihali duke u drejtuar mbi karrige. Po, tha Metodi i përqendruar. Kreta lexohet nga e majta në të djathtë, por jo anasjelltas sepse fjala aterk nuk ka asnjë kuptim.
E kuptoj, u përgjigj Mihali duke e miratuar. Por kjo nuk do të thotë se fjalët e tjera, në mënyrë që të lidhen me fjalën Kretë, duhet medoemos të respektojnë këtë rregull. Nuk është e detyrueshme, tha Metodi dhe rregulloi syzet për të ndjekur shpejtësinë e buzëve të Mihalit. Dua të them se nëse një fjalë në kolonën e parë shkruhet nga poshtë-lart, magjia e katrorit nuk prishet. Edhe nëse prishet, ekuilibri logjik i fjalëve e kompenson këtë devijim nga rregulli, u përgjigj Metodi. Natyrisht, tha Mihali, ekuilibri i të kundërtave është më i përkryer se ai i të ngjashmeve. ا’do të thuash, e pyeti Metodi dhe veshët iu ulën poshtë.
Mihali u ngrit në këmbë dhe zgjati shkopin drejt dërrasës së zezë. Trokiti lehtë sikur kërkonte t’i hapej një portë dhe tha: Ta provojmë kolonën e parë me një fjalë tjetër, të shkruar nga poshtë-lart, e cila duhet të mbarojë me germën k, në mënyrë që të lidhet me Kretën. Ma thuaj atë fjalë, tha Metodi dhe ngriti shkumësin.
Isak, tha Mihali dhe ndjeu një lëvizje ajri që erdhi nga krahët e Sarës, të cilët u hapën sikur do fluturonin. ثshtë me katër germa, tha Metodi. Shkruaje sipas Biblës me dy a, u përgjigj menjëherë Mihal Komneni: Isaak.
Metod Antrakidi shkroi ngadalë mbi dërrasë dhe u kujdes që dy germat a të ishin sa më të ngjashme. Magjia funksionin, por logjika mbetet për t’u provuar, tha duke bërë një hap prapa dhe e pa katrorin si një pikturë që mbetet për t’u plotësuar.
Kjo do të thotë se babai dhe Isaku e kanë bërë katrorin bashkë, pyeti Sara.
Njëri ka plotësuar tjetrin, si një punë që e fillon i ati dhe e vazhdon biri, tha Mihali.
Po Naumi tha që babai e ka bërë katrorin në vitin 1752 dhe në atë kohë Arianiti nuk e dinte se Isaku do vinte në fshat në vitin 1769, tha Sara duke marrë frymë thellë sikur sa kishte nxjerrë kokën nga një tunel.
Isak do duhej të ishte emri yt, tha Mihali. Babai më ka thënë se nëna jote priste një djalë që kishte vendosur ta quante Isak, sipas djalit të Abrahamit. Djali nuk u lind kurrë dhe nëna jote vdiq duke të dhënë ty emrin e gruas së Abrahamit. Që do të thotë se Isaku, ishte një premtim i pambajtur i babait.
Po ti pse e quajte djalin Isak, e pyeti Metod Antrakidi. Mihal Komneni uli kokën dhe u mendua një copë herë. Asnjëherë nuk e kam ditur, por tani e kupto se me sa duket ka qenë një destin që unë t’i marr djalin babait tim. Nëna e Sarës e quante babanë Abraham sepse ai gjithë jetën udhëtoi duke kërkuar të zbulonte botën dhe përmes botës veten e tij. Familja e Abrahamit nuk mund të mos kishte një djalë me këtë emër.
Mihal Komneni dukej i përlotur si një plak që lexon fundin mbi dorën e një fëmije.
Nëse ecim sipas këtij arsyetimi, mund ta gjejmë Abrahamin, tha Metod Antrakidi. Pra, nëse Arianiti ka shkrua emrin e djalit që nuk u lind dot, atëherë ai duhet ta ketë mbushur katrorin e dashurisë së vet me emrat e tjerë të familjes. Si quhej nëna jote? Sheba, tha Sara. Metodi nguli shkumësin e ashpër në katrorin e fundit të kolonës së pestë për së gjati dhe duke nisur nga poshtë-lart shkroi katër germat: s, h, e, b. Germa a e Kretës ishte në vend dhe ai nuk kishte nevojë ta shkruante në mënyrë që emri i nënës së Sarës të plotësohej në boshllëk. Fytyra e Mihal Komnenit u ndriçua dhe gjoksi i tij energjik u fry dhe u ngrit mbi katror.
Ka mbetur edhe rreshti i fundit horizontal, tha Metodi duke lëmuar shkumësin me dorë. Po të ishe në vend të Arianit Komnenit, çfarë do shkruaje në këtë rresht, e pyeti Mihali, Metod Antrakidin. اfarëdo që të shkruajë, ai mbetet njëlloj i shëmtuar, mendoi Sara dhe mblodhi sqetullat e lagura. Metodi pa Sarën sikur donte t’i merrte leje që të sillej si Arianit Komneni, për pak kohë dhe tha: Ky katror i përket Kretës dhe tregon familjen që Arianit Komneni do kishte pasur në atë ishull. Pra, Kreta është familja dhe ai vetë. Sheba është gruaja. Isaku është djali. Mungon vetëm vajza.
Sara u përtyp sikur kishte një lule në gojë.
Emri im ka katër germa, tha me keqardhje si ta kishin nxjerrë nga shtëpia.
Metod Antrakidit i shkëlqyen syzet dhe veshët iu skuqën. Emri yt biblik ka pesë germa dhe është Sarai, që do të thotë princeshë, tha dhe ngriti shkumësin duke e drejtuar te katrori bosh që vinte pas germës s të nënës së Sarës. Duke mbushur katrorët nga e djathta në të majtë doli Sarai dhe bashkoi Isakun me Shebën.

K R E T A
A 8 13 6 B
A 7 9 11 E
S 12 5 10 H
I A R A S


Familja ideale e Arianit Komnenit u bashkua, tha Metod Antrakidi dhe u ul në karrige. Mihali dhe Sara mbetën në këmbë me katrorin magjik në mes.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Sara shikonte numrat dhe iu kujtua dita që babai e la te shtëpia e Hanës. Do e marrësh arkën e vogël, e kishte pyetur ajo. Arianiti e kishte parë me sytë e tij të thellë ku bota dukej më e pastër. Tani nuk më nxë, i kishte thënë. Mbaje ti që kur të më gjesh, të më futësh ty. Po si do të të gjej, i kishte thënë Sara. Ka vetëm një mënyrë për të gjetur diçka, kishte thënë Arianiti. Cila është ajo mënyrë, e kishte pyetur ajo duke ngritur arkën e vogël. Njeriu e gjen një gjë në qoftë se i duhet, kishte thënë babai. Po ti mund të më duhesh më shumë tani dhe jo kur të të gjej, kishte thënë Sara. Arianiti kishte parë mbi kokën e saj, aty ku qielli takohej me tokën dhe bëhej i kuq, sikur plagosej nga ai takim. Sytë e tij kishin marrë ngjyrën e qiellit, ndërsa trupi i ishte zvogëluar sikur bëhej gati për të hyrë në arkën e vogël. Bota po ndryshon, i kishte thënë Sarës. Unë jam i vjetër dhe i ngadaltë. Nëse rri me ty, ti do ecësh me hapin tim dhe do vonohesh. Po pse mendon se do të të gjej, e kishte pyetur ajo. Në qoftë se nuk më gjen, do të thotë se nuk të duhem, kishte thënë ai dhe ishte nisur.
Rruga ishte e shkretë, por bota nuk dukej shumë e pastër se po ndryshonte. Babai kishte të drejtë, mendoi Sara. Tani më duhet më shumë se atëherë.

Ata kanë ikur në Kretë, foli Mihal Komneni që rrinte në këmbë si një kolonë e mbetur jashtë katrorit magjik. Po pse duhet të shkonin në Kretë, pyeti Sara dhe hapi krahët. Njëri për të vdekur, tjetri për të jetuar, tha Mihali që uli kokën e bardhë dhe pyeti: Po ti, kur do fluturosh?
Kur të kem një folje të sigurt për dallëndyshen time të vogël, u përgjigj Sara dhe doli.
Kur arriti në shtëpi, ishte muzg. Plloçat në perëndim të shtëpisë ishin shtuar dhe dukeshin si një lëkurë që zgjatej duke mbuluar një skelet trarësh. Ibrahimi ishte ulur mbi krevat dhe po luante me Anën. Ku ishe, e pyeti. Sara përqafoi Anën dhe i kontrolloi kokën, pastaj barkun, pastaj këmbët dhe krahët që iu dukën më të rritura që kur ajo kishte ikur.
Isha në një botë katrore si ajo e Muhamedit, tha dhe qeshi duke ngritur lart krahët e Anës.

26

Kur Ana mbushi dhjetë vjeç, Metod Antrakidi vdiq. Muajt e fundit ishte dobësuar shumë, veshët i ishin zgjatur dhe rrudhat i kishin hipur mbi syzet e vjetra. Pothuajse nuk hante, por lëvizte buzët i shtrirë në errësirë dhe kur Mihal Komneni i afrohej ai i thoshte me një zë të fikur që mezi dilte nga labirinti i ezofagut të tij: Dedalus, a i mbarove krahët? Mihal Komneni vinte buzën në gaz, por Metod Antrakidi nuk e shihte. Do vdesë shpejt, i thoshte Mihali Sarës.
Sara gatuante gjalpë mëllage që ia sillte çdo mëngjes dhe përpiqej t’ia hidhte në gojë. Metodi nxirrte gjuhën dhe lëpinte gjalpin ngadalë, si një krokodil i dobësuar që ushqehet me jonxhë. Sara i fshinte buzët, ndërsa Ana mbyllte hundët me dorë nga era e fortë e mëllagës. Pse do vdesë, e pyeste vajza, babai më ka thënë se kush ha mëllagë jeton gjatë? Mihal Komneni shihte me qetësi nga Metodi dhe thoshte: Metodi do vdesë sepse vetëm pyet, por nuk e dëgjon përgjigjen. Po ai është mësues, thoshte Ana duke lëvizur flokët e zinj, dhe mësuesit i bëjnë pyetje nxënësve, ndërsa përgjigjet i dinë vetë. Kur mësuesi nuk e dëgjon përgjigjen, mësimi ka mbaruar dhe mësuesi ikën, thoshte Mihali. Po ty çfarë pyetje të ka bërë, vazhdon Ana me dorën mbi hundë.
Mihali shikonte Sarën të përkulur mbi Metodin dhe e nxirrte vajzën në oborr. Uleshin mbi plloça dhe dielli ia shkëlqente flokët të dyve.
Mua më pyet a i kam bërë krahët e Ikarit, i thoshte Anës që nuhaste fort nëse era e mëllagës i kishte ndjekur deri jashtë. Po Ikari zog është, pyeste Ana. Jo, thoshte Mihali, Ikari është një djalë që fluturon. Metodi e di që ai fluturon? E di, thoshte Mihali. Prandaj nuk e dëgjon përgjigjen sepse e di, thoshte Ana. Jo, thoshte Mihal Komneni. Metodi do të dije nëse krahët janë bërë gati për fluturim. Po ti çfarë i the, pyeste Ana Komnena. Unë i thashë që krahët akoma nuk janë gati, thoshte Mihali. Po ti pse nuk i ke bërë gati, e pyeste Ana. Mihal Komneni ngrinte dorën e madhe dhe e vinte mbi kokën e Anës si një çadër në diell. Pse nuk i ke bërë krahët gati, e pyeste prapë Ana duke ia larguar dorën. Po pres të rritet Ikari, përgjigjej Mihali dhe zgjaste kokën brenda shtëpisë, por hija e Sarës nuk dukej në errësirën e mbushur me erë mëllage. اfarë është Ikari, e pyeste Ana.
Ikari ishte djali i Dedalit, tha Mihali. Kur ishte i ri, Dedali ishte shumë i zgjuar dhe jetonte në Athinë. Që i vogël, ai mësoi të ndërtonte shtëpi të mëdha dhe të bukura, të cilat i vizatonte në letër dhe pastaj punëtorët i ndërtonin. Dedali dëgjonte zogjtë që këndonin dhe bënte vegla muzikore që këndonin si zogj. Ndiqte kuajt që vraponin dhe bënte këpucë për djemtë e rinj të Athinës që ata të rendnin më shpejt. Shikonte peshqit që notonin dhe bënte varka të shpejta që çanin ujin dhe i çonin njerëzit në brigje të reja. Dedali ndërtoi ura të mëdha mbi lumë, çezma që e merrnin ujin nga thellësia e tokës dhe e nxirrnin lart, oxhakë prej balte ku piqej buka dhe ngrohej qumështi dhe duar të gjata dhe të forta prej druri dhe hekuri që i ngrinin gurët e mëdhenj dhe i sillnin nga mali në qytet.
Njëherë, Dedali hipi në anije dhe shkoi në Kretë, në ishullin më të bukur, ku mbretëronte Minosi. Pak kohë më vonë, mbretit Minos i sollën peshqesh një dem shumë të bukur, të bardhë. Njerëzit nuk kishin parë kurrë një dem të bardhë aq të bukur dhe u mblodhën në sheshin e Kretës për ta parë. Demi rrinte drejt dhe i zgjaste brirët e tij të kuq andej nga i thoshin njerëzit, sepse ai ishte një dem i zgjuar dhe i dashur. Gruaja e mbretit Minos, Pasifaja u marros pas demit, të cilin e donte shumë. Ajo e lante, e ushqente dhe e fshinte me peshqir. Por Minosi nuk donte që gruaja e tij të rrinte me demin dhe atëherë gruaja i tha Dedalit që ta ndihmonte. Dedali ndërtoi një lopë shumë të madhe prej druri, të cilën e mbuloi me lëkurë dhe aty u fsheh mbretëresha me demin. Pas disa kohësh, mbretëresha e bukur lindi një fëmijë që ishte gjysmënjeri dhe gjysmëdem dhe njerëzit u habitën dhe u frikësuan. Ky fëmijë u quajt Minotauri dhe kokën e kishte prej demi, ndërsa trupin prej njeriu. Ai ecte si njeri, por sillej si kafshë dhe ushqehej me mish. Minosi e mori vesh lindjen e Minotaurit dhe i kërkoi ndihmë Dedalit për ta fshehur. Ky ndërtoi një labirinth shumë të madh nën pallatin e mbretit dhe aty futën Minotaurin. Labirinthi kishte me qindra korridore, të cilat bashkoheshin pastaj ndaheshin, pastaj bashkoheshin prapë dhe dalja e tij nuk mund të gjendej dot më. Minotauri nuk mund të dilte dhe jetonte atje. Për ta ushqyer i fusnin njerëz, të cilët ngatërroheshin dhe Minotauri i gjente dhe i hante. Por njerëzit në Kretë nuk donin që Minotauri të hante fëmijët e tyre dhe ata e morën inat mbretin, i cili u kërkoi athinasve që çdo vit t’i sillnin shtatë djem dhe shtatë vajza, të cilat do t’i hante Minotauri. Athinasit u frikësuan dhe vendosën t’ia dërgojnë Minosit shtatë vajzat dhe shtatë djemtë. Por djali i mbretit të Athinës, Tezeu, i cili ishte rritur duke ngritur shkëmbinj, tha se do shkonte në Kretë të vriste demin dhe të shpëtonte qytetin e tij nga ky dënim i tmerrshëm që i kishte caktuar mbreti Minos. Tezeu shkoi në Kretë dhe Dedali i dha një lëmsh leshi, si ato që mbajnë gratë e fshatit kur thurin triko. Ky hyri në labirinth e vrau Minotaurin dhe pastaj doli duke ndjekur lëmshin që e kishte lëshuar kur kishte hyrë brenda.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
I tërbuar nga vrasja e Minotaurit dhe ikja e vajzës, mbreti kërkoi ta vrasë Dedalin që kishte treguar sekretin e labirinthit. Dedali mori djalin e tij, Ikarin, dhe vendosi të largohej nga Kreta. Mirëpo Minosi kishte urdhëruar të gjitha varkat dhe anijet që të mos niseshin nga ishulli derisa ai të kapte Dedalin. Dedali rrinte në majë të një mali, sepse Kreta ka shumë male dhe shihte dallëndyshet që fluturonin mbi det dhe zhdukeshin në qiell. Disa dallëndyshe më të mëdha i ndihmonin të vegjlit e tyre që kishin krahë më të shkurtër duke i mbajtur në ajër me sqep kur ato binin. Duke parë dallëndyshet e lumtura që iknin nga ishulli, Dedali mendoi se e vetmja rrugë për të shpëtuar djalin e tij ishte të bënte si dallëndyshet. Ai mblodhi puplat që dallëndyshet lëshonin në tokë, i bashkoi dhe i ngjiti me dyllë. Bëri një palë krahë për vete dhe një palë për Ikarin dhe u nisën. Fluturuan të dy të lumtur mbi det. Era i shtynte krahët e tyre dhe Ikari i vogël qeshte dhe gëzohej duke parë ishujt në det dhe peshkatarët që kapnin peshq. Dedali i tha djalit që të mos fluturonte shumë ulët që stërkalat dhe dallgët e detit të mos ia lagnin krahët dhe jo shumë lart që nxehtësia e diellit të mos e shkrinte dyllin me të cilin ishin ngjitur puplat. Mirëpo, i hutuar nga lartësia Ikari nuk e dëgjoi. Ai fluturoi lart dhe iu afrua diellit. Dylli u shkri nga nxehtësia dhe Ikari ra në det duke thirrur të atin. Baba, baba më shpëto, thërriste Ikari i ngratë duke çarë ajrin si një dallëndyshe e plagosur. Dedali e shikonte të birin e tij të dashur duke rënë, por ai nuk mund të bënte asgjë. Qante duke fluturuar dhe lotët e tij u mbytën në det bashkë me të birin.
Mihal Komneni pa Anën, e cila ishte e ftohtë si dyllë, por nuk qante. Po pse nuk e dëgjoi Ikari babanë, pyeti Ana. Jo gjithmonë fëmijët i dëgjojnë prindërit, tha Mihal Komneni. Kjo është një përrallë, pyeti Ana dhe Mihali pohoi me kokë. Muhamedi më ka thënë se në përralla nuk vdes njeri, pse vdiq atëherë djali i Dedalit?
Mihal Komneni qeshi dhe sytë i lotuan në diellin që ngrihej nga plloçat e oborrit. Përrallat e grekëve të lashtë nuk janë si gjithë përrallat e tjera. Këto janë përralla me perëndi dhe me njerëz. Perënditë sillen si njerëz dhe njerëzit sillen si perëndi. Njerëzit gjithmonë duan të bëjnë si perënditë dhe të provojnë gjëra, të cilat atyre nuk iu lejohen dhe për të cilat ata nuk janë krijuar. Perënditë greke iu japin gjithnjë dënime njerëzve. Dedali humbi djalin sepse donte të fluturonte, Paridi humbi Helenën sepse ia rrëmbeu atë një burri tjetër, Akili humbi pavdekësinë kur besoi se ishte perëndi. Ky është ndëshkimi i perëndive për njerëzit: të marrin atë që do më shumë.
Po ty, si të kanë ndëshkuar perënditë, pyeti Ana. Mua nuk më lënë të shoh djalin tim, tha Mihali dhe fytyra iu ftoh. Po pse ku është djali yt, pyeti Ana.
Në Kretë, tha Mihali, në ishullin e dallëndysheve.
Ana filloi të qeshte, u shtri mbi plloça, mbylli sytë, hapi gojën e vogël dhe me një zë të shuar si Metod Antrakidi tha: Dedalus, a i mbarove krahët? Mihal Komnenit i erdhi një shije mëllage nga stomaku dhe i mbeti në gojë. Akoma jo, tha. Ana nuk lëvizi dhe vazhdoi me zërin e Metodit: Po pse nuk i mbaron? Nuk po gjej pupla dallëndyshesh, tha Mihali. Ana lëvizi pak krahët, por sytë nuk i hapi. Era e mëllagës vërtitej në ajër, por ajo nuk e pa. Kur t’i gjesh puplat mos i ngjit me dyllë se e shkrin dielli dhe djali rrëzohet në det. Mihal Komneni u ngrit dhe iu afrua vajzës që rrinte e shtrirë mbi plloçat që digjnin. Unë jam i vjetër, tha Mihali. Edhe po t’i gjej puplat dhe t’i ngjis fort pas trupit, nuk fluturoj dot. Si thua sikur të dërgoj në Kretë një dallëndyshe tjetër?
Ana Komnena i lëvizi prapë krahët dhe u gëlltit për të qëruar zërin.
Si quhet dallëndyshja që do të çosh në Kretë, e pyeti. Mihali ktheu kokën nga dera e shtëpisë, por aty nuk kishte asnjeri. U afrua nga vajza dhe tha: Quhet Sara, është mamaja e Anës që numëron me gishta. Ana u ngrit me vrull dhe me zërin e saj tha: Pse gënjen, unë nuk numëroj me gishta. Kështu më ka thënë Paridi, tha Mihali. Paridi u përjashtua nga shkolla për mungesa, tha Ana dhe rregulloi fustanin e zhubrosur nga plloçat.
Sara kishte dalë te porta dhe po i shikonte të dy. Mama, tha Ana Komnena, Mihali më tha se do të të çojë në Kretë që të marrësh djalin e tij. Sara pa nga Mihali që u ngrit dhe u ul në vendin e tij pranë derës. Po ti si thua të shkoj? Ana pa nga Mihal Komneni që rrinte i menduar. Kreta është në Greqi, apo jo, pyeti Sarën. Po, tha Sara, në Greqi është. Në Greqi ka perëndi të këqija, të cilat u marrin njerëzve atë që duan më shumë. Po fluturove si Dedali, kam frikë se ato do të më dënojnë mua duke të marrë ty. Kush të tha ty që unë do fluturoj si Dedali, e pyeti Sara. Ana bëri me kokë nga Mihali. Dedali humbi djalin sepse iku nga Kreta, kurse unë do shkoj në Kretë, tha Sara. Do kthehesh prapë, e pyeti Ana Komnena. Do kthehem, tha Sara duke parë Mihalin, që i lëvizi lëkura nën këmishë.

Pas një muaji, Metod Antrakidi nuk e lëpiu më gjalpin e mëllagës. Gjuha iu var në gojë dhe syzet i ranë mbi jastëk. Sytë i kishte të mbyllur, megjithatë Mihali ia mbylli, duke ia kaluar dorën mbi ballë sikur po i largonte jetën nga trupi.
E varrosën në fshat. Djemtë mbanin arkivolin, ndërsa Ibrahimi dhe Mihali ecnin pas tyre. Kur i hodhën dhe, arkivoli prej druri kërciti dhe një erë mëllage u ngrit lart. Në Voskopojë të vdekurit mbajnë era myshk, tha Mihal Komneni. Në Voskopojë do ta kishin lënë pa varrosur, tha Muhamedi.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Kur u kthyen në shtëpi gjetën Ana Komnenën që luante me një lëmsh të madh leshi që e kishte shpërndarë në të gjitha dhomat dhe në oborrin e madh të shtruar me plloça të reja, ku Sara kishte mbjellë domate, patate, kastravecë, qepë dhe mëllaga. Filli i leshit ishte ngatërruar disa herë rreth arrës së rritur dhe që andej kishte hyrë në shtëpi. Ana ishte shtrirë në krevat dhe shikonte në tavan.
Sara filloi të mblidhte lëmshin nga dhoma në dhomë dhe kur doli në oborr ndjeu se u lodh. U ul në stolin prej dru panje që e kishte bërë Jani dhe që pastaj e kishte lyer në ngjyrë të kuqe. Hija e shtëpisë e mbulonte oborrin. Dy shtëpitë ishin bashkuar nën një çati, si dy natyra brenda trupit të një njeriu. Ato ishin fshehur qetësisht dhe pa kundërshtuar, por të gatshme për të rrëfyer të shkuarën e tyre në çdo gozhdë dhe në çdo gur. Shtëpia është bërë si ty, i kishte thënë Sara Ibrahimit kur Naumi i kishte dorëzuar çelësin në dorë: ti ke dy fe, dy emra dhe dy gra në një trup.
Në mes të shtëpisë ishte një dhomë e madhe me oxhak dhe e shtruar me qilima të ndryshëm. Në çati nuk dukeshin më trarët dhe as emrat e djemve që Jani kishte gdhendur në trarin e madh. Mbi portën e rëndë të mbuluar me strehë Andrea kishte shkruar në gur vitin e ndërtimit të shtëpisë: Tetor, 1783.
Në tetë vjet Sara e kishte ndryshuar disa herë oborrin si një amvisë që e ndryshon shijen duke gatuar. Ibrahimi kishte bërë një furrë të re me kashtë dhe baltë, në të cilën ajo piqte lakror dhe kuleç me ullinj. Muhamedi me Aliun flinin në një dhomë në pjesën e vjetër të shtëpisë. Mbi krevat Aliu kishte varur një bisht lepuri, si trofe fëmijërie, ndërsa toka e rrumbullakët kishte humbur gjatë gërmimit të themeleve. Bota e vjetër u varros, thoshte Muhamedi. Jani me Paridin kishin rregulluar një dhomë në të cilën varej një pasqyrë e madhe me dru të gdhendur ku Paridi kalonte disa orë të ditës. Fëmijëria kishte mbetur në shtëpinë e vjetër.
Nga dhomat e djemve tani vinte erë burrash dhe këpucët ishin lënë jashtë derës së shtëpisë. Gjurmët e tyre, me baltë varrezash, dukej sikur po hynin në shtëpi dhe Sara u ngrit t’i pastronte e frikësuar. Kur hyri, pa të bijën që mbante hundët me dorë dhe faqet i ishin rrudhur nga shtrëngimi. Këtu mban era mëllagë, tha Ana.

27

Ditën që Petro u mbyt, Ibrahimi u thinj. Mbuloi kokën me duar sikur donte të fshihte plakjen. Djemtë u ulën rreth tij dhe Sara qau duke ndërruar qilimat e shtëpisë. Paridi ishte skuqur, kurse Aliu ishte zbehur. I thashë Petros të mos i besonte kalit të dajë Llambros, tha Muhamedi, por Jani e pa me neveri dhe ai nuk foli më. Ana luante pa zhurmë me lëmshin e leshit që i ra nga duart dhe ndaloi para këmbëve të Ibrahimit. Ibrahimi u zgjat ta merrte dhe të gjithë u habitën kur ai hoqi duart nga koka.
Koka i dukej si një velenxë.
Pse të janë zbardhur flokët baba, e pyeti Ana. Ibrahimi e shtrëngoi të bijën fort, i afroi kokën te qafa dhe e puthi. Kam një lëmsh si ky në vend të kokës, i tha Anës. Me një lëmsh si ky mund të gjesh çdo gjë që të ka humbur, i tha Ana. Ibrahimi uli kokën dhe thinjat i zbritën te vetullat. Ka disa gjëra që nuk i gjen dot më, tha dhe u përlot.
Sara mblodhi fillin e leshit dhe e çoi në dhomën e saj. Ana e ndoqi pas.
Do ta vras Ali Pashën, tha Aliu. Ibrahimi ngriti kokën dhe i tha Janit: Gjej Thanasin dhe i thuaj të më sjellë Petron në shtëpi. Nuk vdes pa varrosur djalin.
Jani i bëri shenjë Aliut dhe u nisën.
Në Janinë mbërritën në muzg. Dielli ishte ulur dhe hëna ishte ngritur. Hijet e tyre humbën në rrëmujën e qytetit. Njerëzit vraponin për t’u kthyer në shtëpi. Tregtarët po ngrinin mallrat e pashitura nga tezgat. Pazari ishte shtruar me kalldrëm, por në qytet kishte shumë baltë. Batanijet, basmat dhe pëlhurat që binin në tokë, ata i lanin me ujë liqeni, që t’i shisnin prapë të nesërmen.

Kur Ali Tepelena ishte bërë Pasha i Janinës kishte dalë në pazar për të takuar tregtarët. Shikonte çdo gjë, por pyeste vetëm për çmimin e mëndafsheve, të cilat i zinte me duart e holla dhe i afronte te faqja, sikur donte që ta puthnin. Atë ditë, kishte nisur një rrebesh dhe Pashai ishte bërë qull deri në lëkurë. Mbulojeni këtë pazar, i kishte thënë sejmenëve të tij. Pas dy muajsh, pazari ishte mbuluar me tjegulla të kuqe dhe tani quhej, kapali carshi ose pazari i mbuluar.
Njerëzit nuk dilnin natën në Janinë. Ushtarët e Aliut kontrollonin rrugët dhe jevgjit e dehur i rrihnin. اifutët mbylleshin herët në barakat e vogla pranë liqenit duke mbushur shishka me vaj bimësh për shërimin e ulcerës dhe duke palosur letrat e fallit. Që kur kishin ardhur në Janinë, çifutët ishin marrë vetëm me këto punë. Grekët kishin tavernat e tyre në lagjen varosh ku mblidheshin dhe pinin verë me pastërma. Liqeni ishte i pari që i ishte bindur Ali Pashës. Në dimër mbulohej me akull dhe kalamajtë rrëshqisnin mbi të me slita të vogla. Kur ndrydhnin këmbët, i çonin në lagjen e të krishterëve ku një doktor gjenovez i hutonte me një papagall memec dhe ua kthente kyçet në vend. Në verë, në breg të liqenit, gatë lanin rrobat me sapun dhe i fërkonin në govata të mëdha prej druri. Ali Pasha nuk linte njeri të peshkonte pa lejen e tij. Taksa mbi peshkun ishte e lartë dhe peshkatarët duhej ta paguanin në fillim të çdo viti. Kur ata peshkonin, njerëzit e Aliut rinin në breg dhe numëronin peshqit e vegjël që tundnin bishtin duke fryrë barkun me ajër. Peshkimi natën ishte ndaluar. Hëna ishte e vetmja që mund të zhytej në liqen pa lejen e Pashait, i cili dilte vetë në dritaret e Kastros dhe shikonte ekzekutimet që kishin urdhëruar. Natën, Pashai u thoshte ushtarëve që të ndriçonin vendin me pishtarë që ai të mund të shihte fytyrën e të dënuarit përpara vdekjes. Mbytja në ujë ishte dënimi i preferuar i Ali Tepelenës. Ka ardhur koha për barazi, qeshte Aliu. Njerëzit ushqehen me peshk, por edhe peshqit duhet të ushqehen me njerëz.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Që kur Ibrahimi ishte bërë mysliman, në qytet ishin ngritur katërmbëdhjetë xhami. Minaret e tyre binin mbi liqen, lageshin si koka lejlekësh dhe dilnin prapë duke kënduar pesë herë në ditë. Të krishterët sillnin mall nga gjithë bota dhe myslimanët e shisnin me tezga në pazar. Në Janinë kishte shumë dervishë bektashinj. Ali Tepelena nuk shkonte në xhami dhe shqiptarëve të krishterë u kërkonte të bëheshin bektashinj. Për bajram ai shpinte qengja në xhami dhe para në teqe. Kur lodhej, shtrihej në një divan të gjatë, pinte duhan me nargjile dhe thërriste dervishët që i flisnin për parajsën derisa atë e zinte gjumi. Dervishët mbushnin xhepat me duhan të shtrenjtë trëndafili dhe iknin kur Pashai fillonte të gërhiste.
Grekët e Janinës e kishin frikë Aliun. Kur ai kishte ardhur në qytet, shumë prej tyre kishin ikur. Por Aliu nuk i linte më grekët të largoheshin sepse paratë e tyre ishin burimi kryesor i pasurisë së tij. Kush donte të ikte nga qyteti duhej të linte një djalë apo një vajzë peng, në mënyrë që Pashai të ishte i bindur se ata do të ktheheshin. Taksat e mallrave ishin rritur dhjetë herë që kur ai ishte bërë Pasha.
Aliu i kishte qejf paratë. Kur nuk e zinte gjumi, zbriste në qilar dhe kalonte nëpër duar qeskat me monedha të arta. اelësat e qilarit i mbante në brez dhe flinte duke ëndërruar male me florinj. Aliu besonte se në malet përreth Janinës kishte ar dhe argjend. Ai thirri disa gërmues nga Italia, të cilët erdhën në Janinë të pajisur me shufra të gjata, me syze të trasha, me dorëza dhe me thupra magjike, të cilat ia afronin shkëmbinjve apo i zhysnin në përrenjtë malore. Ata morën me dhjetëra fshatarë që me urdhër të pashait i detyronin të hapnin gropa të thella në formë pusi, nga të cilat shpesh shpërthenin burime ujërash që i mbysnin gërmuesit. Fjala u hap shumë dhe për disa kohë kodrat dhe malet e pashallëkut u mbushën me evropianë që kontrollonin gërxhet, grykat dhe shpellat për të gjetur ar. Ali Tepelena i paguante të gjithë, por njëherë, kur i pa që pinin në një tavernë, u mërzit, durimi i shteroi dhe i përzuri që të nesërmen me ushtarë.
Gjatë verës, kur përrenjtë zbuteshin, ai ndërtonte ura prej guri, rrugë për fshatrat e shumta të pashallëkut dhe kala me mure të trashë dhe bodrume që i mbushte me barut. Në të dalë të qytetit, ai kishte ngritur një harem me dhoma të vogla ku gratë qëndisnin dhe zbukuroheshin me bojëra dhe parfume duke pritur Pashain. Dhomat e haremit ishin plot me divane dhe jastëkë mëndafshi, ndërsa dyshemeja prej mermeri i ngjante një pylli pranveror ku kafshë dhe zogj me pupla lëpinin këmbët e zbathura të grave. Në korridoret e haremit vendoseshin shporta me fiq, me rrush, me hurma dhe me pjeshkë për të ëmbëlsuar gojët e grave dhe të miqve të Pashait. Aliu organizonte aty gosti të mëdha ku ftonte tregtarë, poetë apo ushtarakë që vinin nga të gjitha viset e botës për ta takuar. Në harem kishte edhe një ndarje për djem të vegjël. Aty nuk hynte askush. Djemtë rinin në dritare si papagaj të vetmuar dhe e hapnin gojën sa herë shfaqej Pashai, i cili mendonte se duke fjetur me djem do jetonte më gjatë. Këtë ia kishte thënë njëherë një dervish që i kishte parë në filxhanin e kafesë një vijë të gjatë dhe të hollë që hynte në një bark dhe dilte prapë për t’u zgjatur deri te buza e filxhanit. Kur dervishi vdiq, Aliu qau dhe i ngriti atij një varr të bukur afër liqenit. Ali Pashai ishte i bindur se do jetonte njëqind e pesëdhjetë vjet dhe se deri atëherë sulltanët e Stambollit do ishin rrëzuar dhe ai do ngrinte një kala në Korfuz ku do të priste mbretërit e Evropës bashkë me gratë e tyre. Nuk ka perandori pa ishuj, i thoshte miqve të tij. Unë dua një ishull ku të qeveris si mysliman dhe të jetoj si i krishterë.
Ali Tepelena mbante shumë kuaj. Stallierët ishin grekë, ndërsa kuajt arabë. Një herë në vit në Janinë bëheshin gara me kuaj dhe ai rrinte në një kolltuk të gjerë dhe ndiqte kalorësit që i kapnin kafshët me thonj nga flokët. Fshatarët, e stërvitur me fustanella të shkurtra dhe këmbë të holla, vinin atë ditë në qytet, pasi i ushqenin kuajt për një muaj me tagji të mirë, dhe kush fitonte afrohej te pashai për të marrë si trofe një pisqollë argjendi apo një palë tespihe me rubin të kuq. Kalin që fitonte, Aliu e blinte dhe stallierët ia ndërronin potkonjtë. Kuajt e garave që shëndosheshin ose plakeshin ia jepnin ushtrisë.
Shqiptarët ishin ushtarët më të mirë të Aliut, por dhe më të egrit. Ata dinin të luftonin mirë me shpata, ndërsa pisqollat i mësonin me vështirësi. Nëpër trungje pemësh oficerët varnin kuti të mbushura me kashtë dhe i mësonin shqiptarëve të qëllonin. Aliu nuk i linte ushtarët të pinin dhe pisqollat e karabinat mbaheshin të mbyllura në bodrumet e Kastros. Kur Ali Pasha bleu një top me tytë të gjatë, ushtarët e pastruan dhe e nxorën në sheshin përpara kalasë. Hija e tytës zgjatej mbi liqen dhe kalonte deri në bregun tjetër ku ishin shtëpitë e çifutëve. Burrat e Janinës u mblodhën për të parë topin, ndërsa fëmijët matnin me pëllëmbë gjatësinë e tij. Pashai kishte thirrur një kolonel anglez nga Korfuzi, për t’i mësuar ushtarëve mbushjen dhe zbrazjen e topit. Koloneli ishte një burrë i shkurtër, me bark të madh dhe me flokë të zinj kaçurrelë. Ai mbante një palë çizme të kuqe në të cilat kishte futur pantallonat e bardha që i rrinin të ngushta. Anglezi u tha ushtarëve të Pashait të ngrinin një tendë rreth pesëqind këmbë larg topit dhe filloi të rregullonte tytën, të cilën e pastroi me një leckë të kapur në një shkop me nyje. Pastaj nxori një shishe me vaj të verdhë e derdhi brenda dhe e fshiu prapë me leckë. Kur ushtarët e vendosën tendën aty ku duhej, Aliu bashkë me vezirin, disa tregtarë grekë dhe oficerët e tij shqiptarë dolën në bedenat e Kastros për të parë qitjen. Ali Pasha kishte ftuar edhe peshkopin e qytetit dhe disa dervishë të shëndoshë dhe të zhurmshëm. Kur anglezi filloi të mbushte topin me predha, pashai ngriti dorën në ajër dhe të gjithë heshtën. Predha e parë ra disa hapa larg tendës dhe zhurma e saj bëri dallgë mbi liqen. Ky top nuk të vret, por të shurdhon, tha njëri nga dervishët dhe Aliu filloi të qeshte. Anglezi nga Korfuzi e lëvizi shumë pak topin dhe u shtri mbi tytë duke parë tendën me kujdes. Barku i tij i madh u palos dhe këmbët e shkurtra dukeshin si degë të thyera mbi trungun e armës. Predha e dytë ra mu në mes të tendës, e cila u gris, u rrëzua dhe pastaj u dogj. Peshkopi duartrokiti i pari, ndërsa dervishët mbyllën veshët me duar. Atë natë Aliu e çoi anglezin në harem dhe i tha të zgjidhte kë të donte nga gratë e tij. Por anglezi mori një tas me fiq të bardhë, pastaj piu verë, hëngri prapë fiq, piu nargjile dhe e zuri gjumi. Kur u zgjua në mëngjes, takoi Aliun dhe i tha se nuk e dinte që fiqtë e Janinës të vinin në gjumë. Fiqtë e grave nuk ka nevojë t’i qërosh, i tha Aliu dhe i fali një shpatë me gurë të çmuar. Disa muaj pasi iku anglezi, ushtarët e Aliut e lyenin vetë grykën e topit me të cilin filluan të qëllonin edhe në fund të muajit të ramazanit, por edhe për bajram. Peshkopi i kërkoi Ali Pashait ta përdorte topin edhe të dielën e pashkës, por Aliu, duke qeshur, i tha se topin nuk e kishte blerë për të thyer vezët.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Kur vendosi të pushtonte Sulin, Ali Pasha kishte një duzinë me topa, të cilëve ushtarët e tij u kishin vënë emra. Topit më të madh, që kishte një grykë të fryrë, si një fuçi hekuri, ata e kishin quajtur Sulltani, ndërsa një tjetër, gryka e të cilit zgjatej si një përkëdhelje e quanin Harem dhe kur nuk ndizej, gjë që ndodhte shpesh për shkak të lagështisë apo shiut, e thërrisnin Haram. Topin e parë që kishte ardhur në Janinë e quajtën Barku i Anglezit sepse nga pesha ai ishte varur dhe dukej sikur do prekte tokën. Topi më i bukur dhe më elegant dhe që e hidhte predhën drejt, pa bërë harqe të panevojshme, u quajt Tepelenasi, për nder të Pashait. Por kishte edhe topa të tjerë me madhësi të ndryshme të cilët u pagëzuan Gjirokastra, Korfuzi, Meka ose I vaisuri dhe të cilin grekët e Janinës e nderonin më shumë dhe në gjuhën e tyre e thërrisnin O Kristos. Kur topat dilnin në mëngjes nga depoja ku mbaheshin, ashtu të përgjumur e të pavajisur, ngjanin me një klasë djemsh që vihen në rresht për të larë fytyrën.
Krahina e Sulit ishte disa orë larg Janinës dhe formohej nga aleanca e trembëdhjetë fshatrave që fshiheshin në gryka të thella malesh, të cilat shikonin nga deti. Në dimër rrugët bllokoheshin nga ngricat dhe ortekët, ndërsa në verë burrat zbrisnin në fushë dhe u merrnin bagëtitë dhe ushqimet fshatarëve të varfër. Suljotët nuk kishin fusha dhe ishin të varfër. Fëmijët e tyre rriteshin me përralla në të cilat stërgjyshërit e tyre fitonin çdo luftë me turqit, ndërsa pjesën tjetër të kohës e kalonin duke gjuajtur detin me gurë. Dita në Sul mbaronte shpejt dhe nata ishte e gjatë. Turqit nuk ishin ngjitur dot në malet e tyre të thikta dhe të gjithë suljotët kishin mbetur të krishterë. Ata nuk pranonin të bëheshin pjesë e Pashallëkut të Ali Pashës dhe nuk paguanin asnjë taksë. Luftëtarët suljotë e urrenin Ali Pashën, të cilin e quanin një hajdut mysliman.
Përpara se të niste sulmin, Aliu vendosi t’u dërgonte atyre një letër, në të cilën u kërkonte ta ndihmonin për të sulmuar Gjirokastrën. Letrën e shkroi greqisht dhe ua dërgoi dy komandantëve kryesorë Jorgo Boçarit dhe Llambro Xhavellës. Boçarët dhe Xhavellat ishin fiset më të mëdha të Sulit, por shpesh grindeshin për komandën e ushtrisë. Vitet e fundit, Xhavellat kishin marrë më shumë mbështetje nga trembëdhjetë fshatrat dhe Boçarët shfrynin duke pritur ditë më të mira. Ali Pasha e dinte se nëse do t’i drejtohej njërit, fisi tjetër do inatosej duke e prishur paktin dhe prandaj vendosi që letrën t’ua dërgonte të dyve. Kur letra mbërriti në fshat, suljotët u mblodhën dhe e lexuan në kuvendin e burrave. Ali Pashën nuk e donin, por kishin nevojë për para dhe vendosën të dërgojnë në Janinë shtatëdhjetë burra me në krye Llambro Xhavellën. Të tjerët mbetën në male duke pasur frikë nga ndonjë hile e Ali Pashës. Kur u nisën, gratë dhe fëmijët u ngjitën në majë të një kodre dhe panë karvanin e burrave që zbriste poshtë në fushë. Në krye ecte Llambro Xhavella i shëndoshë dhe qimekuq, mbi kalin e tij të bardhë dhe pas tij vinte i biri, Foto Xhavella dhe Petro, djali i Ibrahimit.
Të dy mbanin këmisha të bardha, të gjata, që e ëma e Fotos i kishte qëndisur te mëngët e hapura. Rruga ishte e shkretë dhe ata ndalonin buzë përrenjve për t’u freskuar dhe për t’u dhënë ujë kafshëve të etura. Kur mbërritën në Janinë qyteti digjej nga zhegu. Balta ishte tharë dhe pluhuri u ngrit lart deri te veshët e kuajve. Një oficer i Pashait i çoi te kazermat dhe ata u shtrinë nëpër hije dhe kërkuan bukë. Nuk ua kërkoi njeri t’i dorëzonin armët dhe fjetën duke i mbajtur poshtë kokës. Në Janinë vera ishte e lagësht dhe ata nuk i zuri gjumi duke djersitur si kuaj.
Të nesërmen, Ali Pasha e priti Llambro Xhavellën në Kastro. Ishte ulur në një divan të mbuluar me kadife dhe në dorë tundte një palë tespihe me gurë jeshilë. Afër tij gurgullonte një nargjile e vizatuar me germa arabe, ndërsa te papuçet e Ali Pashës shtrihej një mace e përgjumur. Nuk lëviz dot se zgjohet macja, tha Ali Pasha dhe i bëri shenjë të ulej, por Llambro Xhavella qëndroi në këmbë. Në fshatin tim macet flenë me gratë, i tha pashait që vuri buzën në gaz dhe fërkoi dorën e hollë mbi kadife. Lëkura iu vesh me mornica dhe papuçja iu zvogëlua në këmbën e vogël. Të kam thirrur për të kapur njerëz dhe jo mace, tha pashai dhe qeshi fort me batutën e vet.
Kur i sollën duhan, Llambro Xhavella i mori erë dhe fytyra iu zbut. Ali Pasha filloi të fliste ngadalë dhe sytë e kaltër i rriteshin sa herë që Llambro Xhavella thithte çibukun e tij të shkurtër. I rrëfeu për ushtrinë e tij, për marrëdhëniet me Portën e Lartë, për planet që kishte për të sulmuar Gjirokastrën, Pargën dhe pastaj edhe Korfuzin. Nuk dua luftë me Sulin, i tha në fund. Ju jeni burra të fortë dhe ne kemi një armik të përbashkët, turqit. Kur ata të ikin unë do qeveris dhe Suli nuk do paguajë asnjë taksë. Do ju jap armë për të luftuar dhe në Sul do ngre fortesa, rrugë dhe ura. Llambro Xhavella e dëgjonte dhe kur ai mbaroi i tha: Kur do t’i biem Gjirokastrës? Shumë shpejt, tha Pashai, për disa javë jemi gati.
Llambro Xhavella u kthye vonë në kazermë dhe i gjeti burrat në gjumë. Vetëm Foto dhe Petro e prisnin zgjuar. Ata kishin dëgjuar shumë për Ali Tepelenën dhe e pyetën Llambron me një gojë: Si t’u duk Aliu?
Llambro Xhavella që përtypte duhan me dhëmbë i pa djemtë në errësirë dhe tha: Si një tigër që sillet si mace. Po Thanasin e takove, e pyeti Petro. Më mirë që nuk e pashë se do ta kisha rrahur, tha Llambro Xhavella dhe fjeti duke gërhitur si një hinkë e mbushur me oriz.
Pas dy ditësh Thanasi erdhi në kazermë dhe takoi Petron. Nuk ishin parë që kur kishin varrosur nënën e tyre. Thanasi ishte bërë një burrë i fortë me mustaqe dhe me flokë të gjata, por të drejta. Ngado e nderonin dhe pisqolla e tij ishte me dorezë fildishi që shkëlqente. Petro ishte më i gjatë dhe jeta në mal ia kishte rritur shpatullat. Rrobat e tij ishin më të vjetra se të Thanasit dhe sytë i mbyllte shpesh, si një njeri që mbrohet nga era. Thanasi i tha Petros ta linte armën në kazermë dhe e mori me vete në qytet. Ecnin të dy nëpër kalldrëme dhe hapat e tyre linin gjurmë në pluhur. Thanasi i tregoi liqenin, pazarin, Kastron dhe shtëpitë e çifutëve. Petro shikonte burrat që shisnin duke bërtitur dhe gratë e pambuluara të grekëve që ktheheshin në shtëpi duke djersirë nën sqetulla. Petro pa një shtëpi të bardhë të lyer me gëlqere, të rrumbullakët si një kusi dhe që ndryshe nga gjithë shtëpitë e tjera kishte një oxhak të hollë dhe shumë të gjatë nga i cili nuk dilte tym. ثshtë xhami, i tha Thanasi. Në një xhami më të vogël se kjo, në anën tjetër të qytetit, babai u bë mysliman.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Janina kishte shumë lypës. Ata i afroheshin Thanasit, të cilin dukej se e njihnin, por ai i shante dhe ata largoheshin me dorën e zgjatur. Në sheshin përpara Kastros qëndronin disa roja,t ë cilët lëviznin duke parë me bisht të syrit nga dritaret e kështjellës nga ku, me sa duket, dikush i vëzhgonte. Ata i mbanin karabinat mbi sup dhe mustaqet i kishin njëlloj të holla, sikur i prisnin tek i njëjti berber. Po ti si këta je, e pyeti Petro. Thanasi qeshi dhe duke vazhduar të ecte tha: Këta rrinë në diell, kurse unë jam hija e Aliut.
Në mes të oborrit të Kastros ngrihej një top i mbështetur në dy rrota dhe poshtë tij ishte një kuti druri e mbushur me predha. Gryka e tij ishte e shkurtër dhe e hollë. ثshtë Foleja e Dallëndyshes, tha Thanasi dhe u afrua te topi. Aliu ka një kazermë plot me topa. Disa i ka rrëmbyer në beteja, por shumicën ia ka blerë turqve dhe anglezëve. Topat kanë emra të ndryshëm. Ky u quajt Foleja e Dallëndyshes sepse kur donin ta provonin, një dallëndyshe që ishte fshehur brenda tytës u ngrit në ajër dhe fluturoi, por pasi bëri disa rrotullime u fut prapë atje dhe rrinte e ulur në bisht, e frikësuar. Ushtarët e lëvizën topin që ajo të ikte, por dallëndyshja nuk dilte. Atëherë futën një shkop për ta trembur dhe dallëndyshja doli, por u kthye prapë dhe u përpoq të hynte, por ushtarët e penguan duke rrahur ajrin me shkop. E drejtuan topin, futën predhën dhe u bënë gati të qëllonin. Dallëndyshja rrotullohej bashkë me topin dhe filloi të kafshonte ajrin duke fishkëllyer si një sharrë e prishur. Kur topi u shkreh, bashkë me predhën, ra në tokë një fole e shkalafitur, kashta dhe puplat e së cilës u endën në ajër për disa minuta. Copat e folesë u shpërndanë gjithandej në oborrin e kazermës dhe ushtarët që i mblodhën thanë se ato ishin përzier me vezë dallëndysheje, të cilat, nga shpërthimi, ishin bërë si një reçel që të ngjiste duart. Dallëndyshja ulërinte duke u sjellë përreth topit të nxehtë dhe i merrte erë ajrit. Kur ia thanë këtë histori, Ali Pasha vendosi ta mbajë topin në oborrin e Kastros dhe i tha topçinjve të tij: Na duhet një fole zogjsh se e kemi mbushur kështjellën me kafshë. Petro pa topin, por tyta e tij ishte e ftohtë dhe e heshtur si një bark beronje.
Në një cep të oborrit të shtruar me gurë të dendur ishte një karrocë e mbuluar që shkëlqente në diell. Ajo qëndronte mbi dy rrota të mëdha elegante dhe dy kuaj të lartë biondë, që ishin lidhur pas saj, prisnin me kokën ulur. ثshtë karroca e Pashait, tha Thanasi. E ka blerë në Francë. Në Janinë, përveç tij, askush nuk ka të drejtë të dalë me karrocë. Njëherë, një tregtar i pasur grek, të cilit i ishin fryrë këmbët dhe nuk ecte dot, iu lut Pashait të blinte një karrocë që të mund të dilte në qytet. Nuk më more leje kur u sëmure, iu përgjigj Aliu dhe e dëboi plakun që dy shërbëtorë e ngritën në krahë. Po ti ke hipur në karrocë, e pyeti Petro. Thanasi uli kokën dhe rregulloi brezin e kuq të pisqollës. Karroca është e vogël dhe nuk ka vend për hije, tha.

Gënjen Akuym e pyeti Petro. ا’do të thuash, i tha Thanasi. Petro bëri disa hapa dhe ndaloi. Dajë Llambro ka frikë se Aliu po na gënjen. Na ka thirrur për të sulmuar Gjirokastrën, por daja beson se ai kërkon të sulmojë Sulin dhe duke na joshur me premtime dhe para do të na kapë në befasi. Sido që të ndodhë, do përpiqem të të shpëtoj, tha Thanasi dhe eci përpara duke fshehur sytë. Hija e tij u zvarrit në kalldrëmin e Kastros dhe u fsheh në karrocë. Kuajt lëvizën, por nuk u nisën.
Kur Thanasi i tregoi haremin Petro u ndez. Nuk hynë brenda, por ecën deri te dritaret e vogla të mbuluara me pjergull ku vajzat afroheshin sa herë që ndienin erë burrash në oborr. Ato i kishin sytë e lyer dhe flokët e lëshuar dhe të shndritshëm. Në mes të oborrit të haremit ishte një shatërvan i kuq, ndërsa uji dilte nga një çezmë në formën e një femre me gjinj të zhveshur. Ajo shihte vizitorët dhe dukej sikur i thoshte: Shuani etjen para se të vdisni. Haremi ishte një godinë me dy kate dhe me shumë ndarje, të cilat duhej të ishin dhoma. Dritaret ishin me kangjella dhe gratë dukeshin si zogj të mbyllur në kafaza. Në fund të haremit ishte dhe një pjesë me dritare më të vogla të veshura me kortinka jeshile. Ajo është pjesa e djemve, tha Thanasi, që dukej i skuqur. Petro kapërceu pështymën. Ti ke qenë atje, e pyeti. Thanasi u afrua te shatërvani, futi dorën në ujë dhe lagu qafën. Sytë e tij ishin rritur dhe shikonin me ëmbëlsi në drejtim të haremit. Kur ika nga fshati, isha një djalë i njomë dhe flija staneve bashkë me Aliun. Në dimër ishte ftohtë, por në verë lëkura të mbushej me kripë bulmeti. Ndërsa në harem është shumë fresk. Djemtë lyhen me parfum pjeshke dhe nuk mbajnë era djathë i thartuar si bagëtitë e staneve. E megjithatë aty nuk ka ditë, por vetëm net të gjata dhe të lodhshme, tha Thanasi duke parë nga dritaret me kortinka jeshile.
Në mbrëmje shkuan në tavernë. Merimangat vareshin nga trarët e thatë, ndërsa në muret me gëlqere ishin ngulur vargje me speca djegës dhe më tutje hudhra të verdha që ishin thurur si gërshet gruaje. Në një cep, varej një pikturë që tregonte liqenin dhe një djalë që bëhej gati të lahej duke parë ujin me frikë. Djali ishte i shkurtër, por fytyra e tij ishte e regjur si e një burri që mendohet. Bedenat e Kastros ishin të holla, ndërsa barakat e çifutëve ishin bërë me dy kate. Piktura ishte vizatuar me karbon dhe dielli dukej si një predhë e zezë,g ati për të rënë mbi qytet. Petro shikonte pikturën dhe Thanasit iu duk sikur ai po mendohej, ashtu si djali me fytyrë burri. po ta vizatoja unë, do bëja një kalë në breg, që djalit t’i dilte frika, tha Petro. Thanasi buzëqeshi dhe thirri kamerierin.
Taverna ishte e zhurmshme dhe pis. Aty kishte shumë grekë që pinin verë recine që mbante era rrëshirë dhe përtypnin një pastërma të djegur që ua bënte buzët të zeza. Ata morën speca të skuqur me gjizë, qofte me erëza, patate të pjekura dhe uzo. Grekët pinin dhe flisnin me zë të lartë. Kamerieri, që kishte lidhur kokën me shami, vraponte në mes tavolinave dhe grekët e ngacmonin duke i pickuar të ndenjurat. Djali kërcente dhe llastohej duke lëvizur belin pastaj futej në kuzhinë dhe kthehej me pjata të tjera.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Në një tavolinë rrinte një burrë i veshur me kostum të zi, me këpucë të drejta me taka të larta dhe këmishë të bardhë në të cilën kishte lidhur një shall të kuq të gufuar me pika të arta. Herë pas here nxirrte një qostek dhe e shikonte. Të gjithë e njihnin sepse kur ai hyri grekët pushuan dhe filluan të flasin me zë të ulët. Burri ishte i gjatë, me një hundë të drejtë dhe flokët i kishte të krehura me kujdes. Porositi verë dhe peshk të fërguar me vezë. Hante duke qëruar ngadalë halat dhe herë pas here fiksohej mbi pjatë sikur zbulonte ndonjë organ të panjohur në trupin e peshkut. Ky është Tozoni, mjeku i Aliut, tha Thanasi. Nga se vuan Aliu, e pyeti Petro. Pak nga të gjitha, reumatizëm, dhimbje koke, shkurtim kockash, ujë në mushkëri, ngushtim zemre, marrje mendsh, kruarje, lemzë dhe majasëll. Më shumë se çdo gjë ka frikë kolerën dhe mban shumë mace në Kastro se Tozoni thotë që minjtë e sjellin kolerën nga kanalet. Ka frikë, e pyeti Petro duke fshirë gjizën me bukë. Ai thotë se nuk vdes njeriu as nga lemza dhe as nga majasëlli. ثshtë i bindur që do jetojë njëqind e pesëdhjetë vjet, tha Thanasi duke qeshur. Po ky si e shëron, pyeti Petro duke parë Tozonin që kishte mbaruar peshkun. Thanasi u ngrys dhe uli kokën mbi pjatë. Tozoni është italian, foli Thanasi. Ai ka udhëtuar shumë në Turqi, Egjipt, Maltë, More. Këtu erdhi nga Korfuzi. Njëherë e rrëmbyen piratët në Egjipt dhe e mbajtën tre vjet në anije sepse ai dinte të ndalonte rënien e dhëmbëve. Kur erdhi në Janinë u dashurua me një greke dhe mbeti. Mori një shtëpi të vjetër e rregulloi me mobilie italiane, mbolli limona në oborr dhe filloi të punonte për Aliun që e shëroi nga reumatizma. Di shumë gjuhë dhe i përkthen Pashait kur vijnë francezë, italianë ose anglezë. Tozoni është i vetmi që e pa Eminenë, gruan e Aliut, kur vdiq. Ai e di se çfarë ka thënë ajo duke dhënë shpirt. Disa thonë se e vrau Aliu me pisqollë, por disa të tjerë thonë se ajo u çmend dhe vdiq nga frika. Aliu e ka detyruar Tozonin të mos flasë për vdekjen e Eminesë dhe që ai të mos largohet nga Janina ia ka marrë gruan dhe ia ka mbyllur në harem. Një herë në muaj Tozonin e lënë të takojë gruan në një dhomë të veçantë ku ai kalon gjithë natën dhe në mëngjes ikën duke qarë. Sonte duhet të jetë nata e gruas sepse ai gjithë kohën kontrollon orë. Petro e pa Tozonin me keqardhje edhe Thanasi filloi të qeshte. Pas pak Tozoni pagoi dhe doli nga taverna. Grekët u bënë prapë të zhurmshëm ndërsa kamerieri, që ata e thërrisnin Ganimed, tundej duke shërbyer.
Kur dolën jashtë, hëna po lahej mbi liqen. Ata ecën në drejtim të kazermës duke i kthyer kurrizin liqenit. Ke qenë në fshat, pyeti Petro. Jo, u përgjigj Thanasi. Babai ka bërë një shtëpi të madhe me shumë dhoma. Ka një dhomë edhe për ne të dy. Petro ktheu kokën nga perëndimi, andej nga duhej të ishte fshati dhe hëna i ndriçoi ballin. Po shkove përpara meje mos e zër krevatin që sheh nga deti, i tha Thanasit dhe u fut në kazermë. Para se të flinte iu kujtua peshku me hala i Tozonit dhe u kollit që të mos mbytej.
Dy javë më vonë, një oficer i Ali Pashës erdhi në kazermë dhe takoi Llambro Xhavellën. Biseduan shumë pak në këmbë dhe Llambro hyri brenda dhe u tha burrave: Nisemi në të gdhirë. Bëhuni gati. Do t’i biem Gjirokastrës.
Shtatëdhjetë burrat u ngritën dhe filluan të pastrojnë armët. Kur hëna u shua, ata dolën nga kazerma. Në të dalë të Janinës i prisnin pesëqind ushtarë të Aliut, të gjithë të armatosur. Ali Pashë Tepelena nuk ishte, ndërsa Thanasi me një këmishë të kaltër rrinte në rreshtin e dytë, i hipur mbi kalë. Llambro Xhavella takoi oficerin dhe u tha shokëve të tij të ndiqnin kolonën. Dielli digjte dhe kuajt nxirrnin shkumë. Zalli i lumit të tharë anës rrugës zbardhte nga etja. Në mbrëmje, dolën dhe gryka e malit dhe fusha e zezë u hap përpara tyre si vello e vejushës. Nata ishte e pastër dhe nga larg dukeshin dritat e Gjirokastrës që fluturonin si xixëllonja mbi një shkëmb. Kolona ndaloi dhe oficeri thirri Llambro Xhavellën. Petro i pa duke biseduar në errësirë, ndërsa dhëmbët e mëdhenj të Llambros iu afruan fytyrës së oficerit. Thanasi ishte disa hapa më tutje duke dëgjuar në heshtje. Kur u ndanë, oficeri takoi Thanasin dhe të dy hynë në mes të ushtarëve që i kishin zbritur kuajve për t’u çlodhur. Qafiri më tha se do t’i biem nga një rrugë tjetër për t’i dalë Gjirokastrës nga prapa, tha Llambro Xhavella duke kapur kalin e tij fort nga kapistallet. Qimet e kuqe i ishin ngritur dhe mjekra i dridhej. Thotë se na kanë pikasur dhe nga fusha nuk mund të afrohemi në qytet sepse na kanë zënë pritë më tutje. Duhet t’i dalim nga bregu, të hyjmë në luginë dhe t’i ngjitemi malit për t’i kapur në befasi. Edhe tri ditë rrugë, tha Foto Xhavella dhe i zbriti kalit. Llambro nuk foli, por lëshoi kalin dhe u ul në bar. Atë natë mbetën atje. Ushtarët nxorën bukë nga trastat, por oficeri i tha të mos ndiznin zjarr. Pa dalë dielli, u nisën. Rruga ngjitej në një mal të thatë dhe të djegur, i cili gjarpëronte duke iu shmangur një përroi të mbushur me gurë të mëdhenj që binin aty gjatë dimrit. Ecën gjithë ditën duke ndaluar shumë pak dhe fjetën vetëm në mbrëmje, në një livadh të verdhë dhe të lagur nga vesa. Të nesërmen panë detin. Më duket sikur jemi në Sul, i tha Foto Xhavella Petros që kishte ndaluar dhe shikonte bregun nga maja e kodrës. Kali hapte hojëzat sikur thithte kripën e detit, ndërsa Llambro Xhavella ecte përpara. Nga Suli, deti duket më i pastër, tha Petro dhe vazhdoi rrugën. Disa ushtarë të Ali Pashës kishin mbetur prapa dhe po ecnin pas kurrizit të tyre. Thanasi bashkë me oficerin ishin në krye. Në drekë ndaluan afër një fshati, por nuk hynë brenda. Gjetën një burim, u freskuan dhe i vunë kuajt të pinë me radhë. Llambro Xhavella ishte zhveshur deri në brez dhe gjoksi i tij i madh nuk dukej nga qimet e kuqe që kishin nisur t’i zbardheshin. Nga aty, deti nuk dukej. Petro ngriti kokën dhe pa malin që duhej të kalonin për të dalë prapë në det. Ishte i zi dhe i mbushur me shkurre të pluhurosura. Pasdite morën rrugën dhe shumë shpejt e kapërcyen malin. Kuajt ishin të ngopur dhe u ngjitën me galop. Ushtarët e Aliut vazhduan të ecnin pas tyre dhe Petros iu duk sikur i kishin rrethuar. Dielli në perëndim i digjte qafën dhe ai u zgjat mbi det, por iu morën mendtë. Ishin shumë lart. Poshtë tyre bregu ishte plot me shkëmbinj që laheshin, si kockat në çezmë. Pas pak, lartësia u zbut dhe deti dukej më afër. Faqja e malit zbriste si thikë dhe pothuajse nuk kishte breg. Dallgët e lodhura të pasdites lëpiheshin pas malit.
Kuajt ndaluan dhe Petro pa oficerin që u afrua nga Llambro Xhavella. Kur i erdhi tre hapa larg, nxori pisqollën dhe ia drejtoi në gjoks. Me urdhër të Ali Pashait, dorëzohuni, tha oficeri dhe të gjithë ushtarët i drejtuan armët drejt tyre. Llambro Xhavella nuk lëvizi dhe të shtatëdhjetë burrat u mblodhën rreth tij duke ngritur armët. Ne jemi pesëqind kundër shtatëdhjetë, tha oficeri dhe iu afrua Llambro Xhavellës që rrinte mbi kalë duke parë detin në perëndim. Ti do vdesësh i pari, bërtiti Foto Xhavella dhe e drejtoi karabinën e tij mbi oficerin. Pas tët eti, foli oficeri dhe djersa i zbriti në faqe. Mos qëlloni, tha Llambro Xhavella dhe iu drejtua oficerit. اfarë do Ali Tepelena nga unë? Pashai më ka urdhëruar t’ju kthej në Janinë të paarmatosur, u përgjigj oficeri dhe mori frymë thellë. Kjo është pabesi, tha Foto dhe u ngrit mbi kalë, por dora e Llambros e qetësoi. Llambro Xhavella dhe oficeri u afruan duke biseduar, por askush nuk i uli armët dhe ata të dy dukeshin sikur ishin takuar në mes të kallinjve të misrit. Petro ndjeu një të dredhur në trup. Sqetullat i ishin lagur nga djersa, kurse flokët i ishin fryrë nën qeleshe. Mori frymë thellë dhe i lëshoi pak frerët e kalit. Sytë i kishte të skuqur, por deti dukej shumë afër. Pa Foto Xhavellën drejt në sy pastaj kërceu nga kali dhe, pasi bëri një hap të gjatë, fluturoi në det. Foto Xhavellës iu duk si një zog që hidhet në det pa i lëvizur krahët. Ushtarët e Aliut u afruan dhe nisën të qëllojnë. Por Thanasi i thirri dhe ata e pushuan zjarrin. Petro ishte zhytur në ujë dhe nuk dukej. Thanasi hodhi pisqollat, vrapoi si i çmendur derisa gjeti një rrëpirë dhe zbriti deri afër detit e pastaj u zhyt në ujë. Ndërsa Foto u hodh në det njëlloj si Petro, dhe filloi të notonte si i marrë. Llambro Xhavella dhe oficeri u zgjatën duke parë poshtë, ndërsa ushtarët i mbanin armët të drejtuara mbi burrat nga Suli. Thanasi zhytej në ujë pastaj nxirrte kokën të merrte frymë dhe zhytej prapë derisa thirri: E gjeta.
 

alfonci

Veri investigatio
Vendndodhja
Perpara kompjuterit
Mbi ujë doli koka e Petros që varej si një fole zogu e braktisur. Kur e nxorën nga uji, Petro nuk merrte frymë. Në mes të shpatullave kishte një vrimë plumbi që ia kishte çarë kraharorin. Thanasi qante mbi trupin e të vëllait, ndërsa Foto Xhavella ishte ulur mbi një gur dhe shikonte nga deti. Llambro Xhavella zbriti në rrëpirë dhe oficeri e ndoqi pas duke ia mbajtur pisqollën në drejtim të kokës. Burrat nga Suli shanin ushtarët e Ali Pashës, por këta nuk flisnin dhe nuk i ulën armët.
Kali i Llambro Xhavellës ishte afruar në buzë të greminës dhe shikonte trupin e lagur të Petros. Llambro e puthi Petron në ballë dhe nuk ia hodhi sytë Thanasit, të ënjtur nga lotët. Foto thirri dy nga shokët e tij. Oficeri bëri shenjë dhe ushtarët i lejuan të lëviznin. Ata gjetën një copë tokë në mes të shkëmbinjve dhe hapën një gropë. Thanasi e ngriti të vëllanë, e futi brenda dhe e mbuloi duke i hedhur rërë të lagur me duar.
Të nesërmen mbërritën në Janinë. Llambro Xhavella ecte mbi kalë me kokën ulur dhe i paarmatosur. Thanasi kishte mbërritur një natë përpara tyre.

Jani dhe Aliu e kërkuan Thanasin në Kastro, por ai nuk ishte. U endën rrugëve të zbrazura të Janinës dhe në mesnatë e gjetën në tavernë. Kamerieri i ri që tundej si vajzë, tregoi me gisht një tavolinë në cep ku Thanasi ishte ulur me një gotë përpara. Flokët i kishin rënë mbi ballë dhe dukej sikur kishte ditë që nuk krihej. Kur pa dy vëllezërit, sytë iu thanë. Kaloi dorën mbi mustaqe dhe u mbështet në karrige. Jani dhe Aliu u ulën përballë tij dhe një copë herë nuk folën. Taverna ishte e qetë dhe Thanasi shikonte pikturën e djalit që kishte frikë të lahej në liqen. Babai kërkon trupin e Petros, i tha Jani duke u gëlltitur. Thanasi nuk lëvizi dhe vazhdoi të mbante kokën në drejtim të pikturës. Do ta vras Ali Pashën, tha Aliu dhe shtrëngoi duart mbi tavolinë. Thanasi ktheu kokën. Pse do ta vrasësh, e pyeti duke e parë në sy. Aliu më vrau vëllanë, u përgjigj Aliu. Vëllanë ta kam vrarë unë, tha Thanasi dhe ktheu kokën qetësisht nga piktura. Aliu u ngrit në këmbë me zhurmë dhe kamerieri nxori kokën nga kuzhina. Jani e kapi për dore dhe Aliu u ul prapë.
Ku është Petro, pyeti Jani. Thanasi u kthye nga vëllezërit dhe duke parë gotën që kishte përpara filloi të fliste. I tregoi për takimin me Petron, për kazermën, për shëtitjen në qytet, për haremin, për Kastron, për natën në tavernë, për Tozonin, për nisjen nga Janina, për rrugën mes maleve, për oficerin, për ushtarët, për kalin e Llambro Xhavellës dhe për fluturimin e Petros në det. Zëri i tij ishte i butë, por i lartë dhe Janit iu duk sikur kamerieri i dëgjonte pas murit të kuzhinës. E dije që Ali Pasha do ta gënjente dajë Llambron? E dija, tha Thanasi, por nuk mund t’ia thosha Petros sepse ai do t’ia tregonte të gjitha Fotos dhe plani do prishej. Ti tradhtove vëllanë për Ali Tepelenën, bërtiti Aliu.
Thanasi dukej i qetë. Kishte tri ditë që mendohej në vetmi dhe në kokën e tij kishte kaluar çdo detaj i vdekjes së Petros. Ai e dinte se Aliu po e gënjente Llambro Xhavellën, por nuk kishte menduar se i vëllai do hidhej në det për t’i shpëtuar rrethimit. Kishte qenë i bindur se, pasi të shtatëdhjetë burrat të burgoseshin në Janinë, ai do arrinte ta lironte Petron dhe do ta kthente në shtëpinë e tyre të re në fshat. Babai do kënaqej dhe Petro do flinte në dhomën e madhe me krevat nga deti. Por këto nuk mund t’ia thoshte dy vëllezërve që e shihnin si një tradhtar të çmendur. Ata ishin rritur dhe e kuptonin se vdekja nuk ishte një lojë kalamajsh që mund të kthehet pas, të zhbëhet dhe të përsëritet duke ndërruar vend mes humbësit dhe fituesit. Kur ishin të vegjël, ai dhe Petro luanin luftash. Ai vritej dhe Petro fitonte, pastaj mërziteshin, ndërronin rolet dhe Petro vritej, ndërsa ai fitonte. Por kjo lojë kishte mbaruar kur Petro kishte vendosur të luante me Ali Pashën. Petro kishte humbur, Aliu kishte fituar, ndërsa ai ishte në mes të të dyve. Qante për të parin dhe luante me të dytin.
Iu kujtua koha kur Ali Tepelena kishte ardhur në fshat dhe e kishte marrë me vete. Aliu kishte sy të kaltër, duar të holla dhe një lëkurë vajze nën të cilën dukeshin damarët e mbushur me gjak të kuq. Njëherë, kur ishin shtrirë të dy nën një mollë me lule të bardha, ai e kishte pyetur Aliun se kush nga ata të dy do vdiste i pari. Unë, i kishte thënë Aliu. E kam parë në ëndërr. Do më presin kokën dhe ti do më marrësh për dore e do më shëtisësh nëpër Janinë. Do të të laj në liqen dhe pastaj do të të fshij me peshqir, i kishte thënë ai duke parë lulet e mollës. Aliu ishte ngrysur dhe i kishte dhënë një shpullë në kurriz. Kjo që të thashë është një ëndërr që nuk ka për të ndodhur. Gjethet e mollës i kishin rënë mbi kokë dhe Aliu i kishte larguar me bezdi.
A të duket se ai djali i ngjan Petros, pyeti Thanasi duke treguar pikturën pa ngjyra në mur.
Jani nuk e ktheu kokën dhe duke e ngritur zërin i tha: Babai pret Petron. Shkojmë ta marrim, foli Thanasi dhe u ngrit.

Lindja e diellit i kapi afër detit. Kishin udhëtuar gjithë natën pa folur. Thanasi ecte përpara mbi kalë dhe vëllezërit e ndiqnin në errësirë. Gjirokastra ishte futur në re dhe dritat nuk dukeshin. Kur u afruan te vendi nga ish hedhur Petro, i zbritën kuajve. Thanasi eci në buzë të rrëpirës dhe disa gurë ranë në det duke bërë rrathë të vegjël. Zbritën poshtë dhe filluan të gërmonin në heshtje. Aliu qante, por dallgët ishin të zhurmshme dhe ai nuk dëgjohej.
Petro doli nga toka si një kërmill pa guaskë. Ishte bërë gri dhe sytë i ishin mbushur me rërë. Jani ia pastroi me ujë deti dhe e puthi në faqe. Gjaku i ishte mpiksur mbi këmishë dhe plaga ngjante si një mëllagë e tharë. Aliu hoqi këmishën e tij të bardhë dhe ia veshi Petros. Ta çojmë të pastër në fshat, i tha Janit. Mori këmishën e gjakosur, e futi në det dhe e shtrydhi disa herë. Duart iu skuqën dhe ai i shpëlau në det. Pastaj e tundi disa herë këmishën në ajër dhe e veshi. Trupi iu mbush me avull dhe ai ndjeu se këmisha e tërhiqte drejt detit, por këmbët i kishte të mpira dhe duart të rrudhosura nga uji. Këmisha e Petros i rrinte e madhe dhe duart nuk i dukeshin nën mëngët e gjata. Rrinte në breg dhe shikonte rrathët mbi ujë. Ato kriheshin me radhë, por kur prekeshin me njëra-tjetrën prisheshin të dyja, njëlloj si jetët e njerëzve kur takohen. Sa kohë janë të ndara, ecin secila në punë të vet. Do ta vras Ali Pashën, tha me vete Aliu dhe pa Thanasin dhe Janin që e kishin mbështjellë Petron me një çarçaf të madh dhe po e ngjisnin lart, aty ku prisnin kuajt.
 
Top