• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Analize: Vizat Karrem apo kërbaç?

redi-

Anëtar i Respektuar
Vendndodhja
Tirane
Prej shumë kohësh po luhet një cicmic i rën-domtë nga burokracia e BEsë me atë që quhet Ballkan Perëndimor. ”E lage, s’e lage”, “ta jap, s’ta jap”, “u poq, u dogj”... Kjo nuk është një lojë kukamçefti, por një trysni e tejzgjatur, sa politike aq edhe demagogjike mes autoriteteve të BE-së dhe veçanërisht nesh, shqiptarëve. Na u dhanë mijëra pyetje; pas tyre edhe ca qindra të tjera: Përgjigjuni! Një Libër i madh me përgjigje të mbi dy mijë pyetjeve u dorëzua në Bruksel nga vetë kryeministri... Sukses i madh! Ky u quajt Libri më i rëndësishëm i historisë sonë, edhe më i çmuar se “Meshari” i Buzukut! Lloj-lloj “detyra shtëpie”, urdhra, kërkesa të njëpasnjëshme për reforma, delegacione, deklarata, premtime, ekspertë, projekte, këshilla, fjalime, kërcënime, projekt-ligje standarde, fonde për zhvillim etj, ven e vijnë pa pushim në këtë cep të Ballkanit për të na futur (apo për të mos na futur?) në udhën e mbarë e të ëndërruar të Evropës.
Në këtë tollovi, ajo që është më e thjeshtë asnjëherë nuk shqiptohet nën zë, aq më pak zëplotë: vizat do të jepen (ose jo) për qytetarët, apo si një shpërblim/ndëshkim për klasën politike të këtyre vendeve, që bën pa reshtur vetëm gër-mëre e kacafytje të padëgjuara mes vetes? Sepse vitet tutje, BE-ja tëhu! Të gjithë krerët betohen njëlloj për demokracinë, pavarësisht se duan t’i hanë kokën njëri-tjetrit dhe demokracia, bashkë me standardet e saj, shkon për lesh, e mbetet në rrugë qorre. Por, ne qytetarët ende besojmë se integrimi e liberalizimi i vizave nuk duhet konsideruar si një dhuratë, derisa kërkohet të plotësohen disa kushte, por as si ndëshkim për keqpolitikën, derisa lëvizja e lirë vlerësohet si një nga të drejtat më themelore të njeriut...
Por, ja që kaluan gati njëzet vjet dhe kjo: “e jap, s’e jap”, ose: “nuk jini akoma gati”, s’është gjë tjetër veç një demagogji bajate, një shtyrje kohe, sepse deri tani vizat nuk po trajtohen si një e drejtë, por si një “detyrë shtëpie e parealizuar”, që transformohet në ndëshkim më tepër për qytetarët, se sa për klasën politike që “nuk ka bërë reforma e nuk ka siguruar standarde”. Deri më sot ky “kufi” nuk është bërë i qartë, i ndarë, i kuptueshëm: Kush pra po ndëshkohet kësisoj me këtë vonesë-agoni që ka kaluar çdo cak kohor, populli që nuk i përtyp dot reformat e “nuk ka kulturë të mjaftueshme”, që nuk është bërë mjaftueshëm “evropian”, apo klasa politike që nuk i kryen ato detyrat, ngaqë merret me grindje mes vetes, vetëm e vetëm për të mbetur me çdo çmim në pushtet?
E sigurt është që vizat fatkeqësisht po trajtohen si shpatë e Demokleut mbi zverkun e qytetarit dhe jo të politikbërësve, ndaj kjo sjellje dritëshkurtër e diplomacisë evropiane në fakt ka ndikuar që politika në anët tona, në vend që të pastrohet e demokratizohet, të bëhet edhe më e pisët nga ç’është në të vërtetë!
Sepse, ç’do të ndodhte sikur baronesha Ashton të dilte para ca ditësh, pas Luksemburgut e të thoshte troç se fajin për këtë vonesë dramatike në procesin e integrimit, e kanë ata që e drejtojnë aktualisht Shqipërinë, ngaqë nuk duan, e madje edhe nuk po punojnë në dobi të vendit e të kombit e për këtë shkak po ndëshkohen shqiptarët?
***
Nuk ka popull më pro-evropian, më pro-amerikan, më pro-NATO, më pro-reformë se ne, shqiptarët. Jemi një popull që pranon me durim ndryshimet më radikale: papunësinë, gënjeshtrat, premtimet e pambajtura, çmimet e larta, dhunën verbale e jo vetëm verbale, por edhe ëndrrat me sy hapur. Nuk protestojmë as kur çmimi i bukës dhjetëfishohet për një natë, as kur fatura e energjisë nga agjencia çeke vjen e falsifikuar, as kur pushtetarët hedhin në erë një katund pranë kryeqytetit, as kur në këmbim të një miqësie me kryeministrin grek falen qindra km katrorë det, as kur një shishe ujë kushton më shumë se një shishe qumësht... Por, mjerisht, vetëm një gjë nuk e durojmë dot: të na shajnë liderët e zemrës! Kjo cilësi nuk ka ndryshuar që nga koha e diktaturës, madje, kur liderët luftojnë me njëri-tjetrin, ne i duam dhe i mbrojmë akoma edhe më tepër!
Ne nuk e vrasim mendjen kur investimet për ushtrinë, pas hyrjes në NATO, janë ku e ku më të larta se ato për arsimin, për kulturën apo edhe për shëndetësinë. Ne mund të dërgojmë djemtë tanë në Afganistan, mund t’i dërgojmë kudo në botë ku bëhet luftë, aq sa të na kërkohen; nuk ka burrë që të guxojë të thotë, si ndodh kudo në Evropë: “Jo, trupat tanë duhet të tërhiqen!”, pasi ky person, apo edhe parti, do të shpallet sakaq armik i betuar. Madje, jemi aq të devotshëm sa mund të bëjmë edhe investime për ngritjen e shkollave në Afganistan, edhe pse pranë Tiranës ka shkolla të rrënuara dhe mijëra fëmijë analfabetë. Ne nuk kemi ndonjë kriminel lufte që nuk e kemi kapur, nuk jemi në sherr me fqinjët, nuk kemi probleme etnike e as fetare që rrezikojnë për përplasje e tensione në Ballkan. Ne jemi aq të bindur e kokulur sa rrezik, edhe po të na kërkohet të ndërrojmë emrin, si Maqedonisë, qeveritarët tanë lepe-peqe rrezik të bien dakord, ashtu si ranë për kufirin detar... Ne nuk i themi ndonjë vendi që nuk njeh Kosovën se do të tërheqim ambasadorët, si bën Serbia kur thotë se nuk e do, as anëtarësimin në NATO, dhe as në BE, pa Kosovën...
A mund të përfytyrohet të dalë në Shqipëri ministri i Jashtëm, apo edhe ai i Integrimit e të deklarojnë, si bëri Miloshovski i Maqedonisë, kur tha se qeveria e tij ishte e pakënaqur nga takimi i ministrave të Jashtëm në Luksemburg, meqë këta nuk caktuan një datë për anëtarësimin e vendit të tij? Jo, jo , kjo as që mund të përfytyrohet! Vetëm tek ne ndodh që edhe kur Brukseli na ve kufirin te thana, edhe kur ambasadori amerikan thotë se ka krizë qeveritare, zëdhënësit partiakë dalin e deklarojnë se ky është një tjetër sukses i tyre e ndërkohë, një tjetër dështim i kundërshtarit dhe anasjelltas! Mos është ky shkaku, që ne na ofrojnë më pak mundësi për vizat dhe integrimin, meqë kemi një klasë politike kaq puthadore, kaq të papërgjegjshme e pa dinjitet? A jemi bërë ne për këtë shkak, macja e zezë dhe, a është kjo një arsye e mjaftueshme që të na respektojnë më pak se maqedonasit, malazezët, serbët, të cilët i fituan vizat para nesh? E po qe kështu, përse nuk e ndëshkojnë këtë klasë kaq të papërgjegjshme e të pamoralshme, por i dërgojnë herë pas here ftesa për te “Krokodili”, ndërsa ne, si popull, na lenë prapa gardhit me gisht në gojë?
***
Nëse liberalizimi i vizave nuk do të jepet (qoftëlarg!) as sivjet, pra edhe pas njëzet vjetësh që nga rrëzimi i Murit të Berlinit, nëse neve do të na mohohet e drejta e lëvizjes së lirë, pyetja lipset të jetë e drejtpërdrejtë: cili është shkaku i vërtetë që kjo e drejtë u mohohet shqiptarëve? Ngaqë jemi popull ende i papërgatitur, dmth pa kulturë të mjaftueshme demokratike, pa standarde, tejet i varfër, pse jo, edhe aq të inkriminuar sa me demek mund të destabilizojmë Evropën, si bënë lypësit, arixhinjtë dhe hajdutët rumunë e bullgarë? Apo ngaqë e kemi shumicën e popullsisë myslimane? Mos është ky një lloj kërbaçi politik (“demokratik”), meqë nuk i kemi bërë mirë “detyrat e shtëpisë”? Jo,jo, këto nuk janë shkaqe, por pretekste! Këto pyetje duken të dobëta, por dhe provokative, për faktin e thjeshtë se Brukseli dhe Washingtoni nuk e kanë hiç të vështirë, vetëm me një deklaratë zëdhënësi, t’u venë këmbët në një këpucë liderëve tanë të cilët nuk merren vesh, as kur i çojnë te Krokodili, as kur i pyesin për mustaqet e اelos!
Nëse Brukseli do të ishte i qartë dhe i prerë për përgjigjen (kush e ka fajin, klasa politike apo populli?), atëherë, edhe rruga e mundimshme për liberalizmin e vizave, edhe vonesat për integrimin do të kishin pas qenë më të kuptueshme e, pse jo, edhe më të asimilueshme nga ne qytetarët. Por, askush nuk hyn në këtë arsyetim. Sepse edhe vizat, edhe procesi i integrimit, edhe “detyrat e shtëpisë” nuk shihen si të drejta të njeriut, por si ndihma humanitare në kohë emergjencash, të cilat mund të jepen (ose jo) nga vullneti i komisionerëve të lartë të vendeve të pasura që mbajnë në duar “çelësat” e Shën Pjetrit, bashkë me çelësat e BE-së dhe të dyerve të demokracisë. Vetë BE, me sa duket nuk ka të njëjtat standarde e qartësi për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor. Paragjykimet e vjetra, simpatitë e reja, interesat gjeopolitike, anësitë e përparësitë sipas bindjeve politike e, pse jo, edhe racore etj, ndikokan jo hapur, por nën rrogoz, edhe në këtë Perandori demokratike.
Kështu, nëse pas takimit të Luksemburgut, zoti Barroso do të deklaronte se ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord të liberalizohen vizat edhe për Shqipërinë, e cila ka bërë përparime të mëdha në reforma etj, a do të guxonte kush të thoshte se jemi në krizë, se çmimet janë të papërballueshme, se jeta po bëhet shumë e vështirë, se shoqëria po vuan nga një ngërç institucional i tejzgjatur? Por, nëse zoti Fyle do të deklaronte të kundërtën: meqë nuk është arritur marrëveshja dhe nuk u respektua “Krokodili”, BE dhe PE vendosën (si ndëshkim) të bllokohen vizat bashkë me procesin e integrimit, a nuk do të thoshim e besonim të gjithë se Shqipëria përnjëmend ka rënë në një krizë të thellë, në një ngërç të paparë, e për këtë, faj ka njëra nga të dy palët? A nuk do ta hidhnin ca “kopilin” te dera e Berishës, ca te e Ramës?
Kjo do të thotë se kriza e vërtetë është këtu, por ama ethet dhe temperatura e saj shfaqen në Bruksel. Ne e kuptojmë nëse jemi ose jo të sëmurë, nëse vuajmë e heqim të zitë e ullirit, nëse vetëm ne nuk e kemi të drejtën themelore të lëvizjes së lirë, jo kur vërtet vuajmë, por vetëm atëherë kur këtë na e thonë ndërkombëtarët! E pra, ky arsyetim tek e fundit provon që fajin e kemi vetë; nuk na e kanë as pushtetarët, as ndërkombëtarët, derisa asnjë syresh nuk e pëson e nuk provon mbi kurriz kërbaçin e poshtërues të përjashtimit, si të jemi me “zgjebe”.
Vonesa, e ca më keq mohimi i vizave, në fund të fundit dëshmon e provon se ne e kemi më kollaj të bëhemi armiq të vetes e të njëri-tjetrit, se miq të ndërkombëtarëve!






Nga: Kico Blushi
 
Top