2 vjet pas termetit Soreca: Ka ende punë me rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit

Intervistë me Euronews Albania, Soreca: Ka ende punë me rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit


Bashkimi Evropian ishte një prej financuesve më të mëdhenj të rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit 2019. Në një interviste për gazetaren Elona Gjylmi, ambasadori Luigi Soreca tregon punën për mbledhjen e fondeve si dhe përjetimet e tij për 26 nëntorin.

Zoti Ambasador faleminderit për intervistën. Do të fokusohemi te tërmeti, për të cilin Be ka pasur një rol shumë të madh në rindërtim. Ju vetë si e përjetuat 26 nëntorin 2019? Ku ishit dhe a mund të na thoni disa nga ndjesitë e asaj nate?

Ambasadori Soreca: Faleminderit që më ftuat në Euronews. Ashtu si gjithë shqiptarët, edhe unë u zgjova nga forca e tërmetit në 3:54 dhe mu deshën disa sekonda për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Por pastaj e kuptova menjëherë se duhej të veproja. Kështu që zgjova stafin dhe brenda një ore ishim gati për të pyetur qeverinë se çfarë i nevojitej nga BE-ja. Telefonatën e parë e pata me kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, rreth orës 5 të mëngjesit.

Ata po shkonin në Durrës. Diskutuam nevojat e para imediate. Në orën 7:00, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian u aktivizua me kërkesë të qeverisë shqiptare. Pjesa tjetër e ditës kaloi me mbledhje informacioni, informova ambasadorët e tjerë të Shteteve Anëtare dhe në veçanti u përgatit mbërritja e ekspertëve të parë. Jam krenar të them se ekspertët e parë mbërritën po atë natë. Pas 18 orësh, mbrëmjen e 26 nëntorit, ekspertët e parë ishin këtu. Pastaj fillova të mendoj për periudhën afatmesme, çfarë duhej bërë, si dhe nisa të përgatis hapat e ardhshëm.

Cilat ishin hapat e radhës?

Ambasadori Soreca: Pikë së pari, të siguroheshim që të vinin sa më shumë ekspertë të BE-së, inxhinierë, ekspertë të mbrojtjes civile, dhe sigurisht ndihmat e para, tenda, gjeneratorë, shtretër, batanije. Për tri ditë erdhën ndihmat e para dhe ekipet e para ishin këtu. Unë vetë shkova disa herë në terren, në Durrës, në Vorë, në kampet e mëdha të strehimit që u ngritën. Për mua ishte shumë e rëndësishme të kuptoja se çfarë duhet të bëja, çfarë mesazhi duhej t’u jepja autoriteteve të mia për të përshpejtuar ndërhyrjen.

Pastaj faza e dytë ishte përgatitja për rindërtimin dhe këtu më duhet të them se që më 16 dhjetor u krijua ekipi i parë i ekspertëve mes BE-së, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara për të përgatitur vlerësimin e nevojave pas katastrofës, që ishte një hap shumë i rëndësishëm për të krijuar besueshmëri te donatorët që t’i dhuronin Shqipërisë. Synimi ishte puna me qeverinë shqiptare dhe veçanërisht, në atë kohë, me zotin Çuçi dhe zonjën Ekonomi që u caktuan për përgatitjet afatgjata.

Por duhet t’ju them se ato ditë në terren, menjëherë pas ngjarjes, më treguan për shtrirjen e problemit, kështu që u siguruam që të përfshinim sa më shumë burime që të ishte e mundur. Prandaj BE-ja mbërriti në vendimin për të organizuar Konferencën e Donatorëve në Bruksel. Është interesante të dihet se ishte edhe java e parë e Komisionit të ri. Dhe vendimi i parë që mori Komisioni i parë Van der Leyen ishte dhënia e 15 milionë eurove Shqipërisë për nevojat imediate. Dhe kur Presidentja Van der Leyen erdhi këtu, para dy muajsh, ishte si një mbyllje e ciklit që nisi atë natë kur vendosën. Vendimi i parë i atij Komisioni ishte për Shqipërinë.

Sa ka qenë totali i ndihmave që Bashkimi Evropian dha për Shqipërinë?

Ambasadori Soreca: Shifrat janë të rëndësishme dhe unë do të përpiqem të jem i qartë. Konferenca e Donatorëve i dha Shqipërisë një ndjesi të mrekullueshme solidariteti. 1.15 miliardë euro hua dhe donacione. Bashkimi Evropian, që do të thotë Komisioni Evropian, Shtetet Anëtare dhe Banka Evropiane e Investimeve, vendosën 400 milionë euro në këtë buxhet, nga të cilat Komisioni Evropian 115 milionë euro donacione. Këto ishin pjesët më të rëndësishme, sepse siç e dini donacionet janë donacione. Ato vijnë për t’u vënë në zbatim. Më duhet të them se kjo ndryshoi edhe punën time.

Mua m’u besua menaxhimi i kësaj shume të rëndësishme dhe identifikimi i fushave ku Shqipëria kishte më shumë nevojë. Ne identifikuam fushën e arsimit dhe kulturës si fusha me nevoja të mëdha. Kështu ne krijuam dy programe, “BE për shkollat” dhe “BE për kulturën”, i pari 75 milionë euro, ndërsa i dyti 40 milionë euro. Po pse këta elementë? Sepse Bashkimi Evropian donte të ndërtonte të ardhmen e Shqipërisë, një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes, por edhe mes BE-së dhe Shqipërisë, dhe arsimi dhe kultura janë projektimi drejt së ardhmes.

I keni monitoruar sesi janë shpenzuar këto para?

Ambasadori Soreca:Vazhdimisht. Siç e dini ne kemi vendosur të kontraktojmë dy agjenci të OKB-së: UNDP dhe UNOPS për dy programet. Pse këto? Sepse kanë të njëjtat rregulla për transparencën dhe llogaridhënien si Bashkimi Evropian. Ne u besuam atyre zbatimin e këtyre programeve, por ne kontrollojmë dhe monitorojmë zbatimin përmes komisionit drejtues, por edhe përmes vizitave me kolegë të OKB-së. Unë kam udhëtuar në gjithë zonën për të parë se si shpenzohen këto para. Diçka për të cilën jam shumë krenar është se çdo vendim në lidhje me këto 115 milionë gjendet në internet. Kemi një portal transparence ku çdo vendim i marrë për vënien në zbatim të këtyre parave është i disponueshëm për këdo, përfshirë edhe gazetarët.

Dy vite pas kësaj ndihme të madhe, si ndjeheni ju para shqiptarëve?

Ambasadori Soreca: Dy vite, dy vite të gjata të shpenzuara duke u kujdesur për shqiptarët. Nëse kthehem me mendje në ato çaste, ndihem ende i trishtuar, sepse pashë dhimbje, pashë dëshpërim. Ende kujtoj fytyrat e njerëzve që kërkonin ndihmë. Në të njëjtën kohë ndihem edhe krenar, sepse gjatë këtyre dy viteve Bashkimit Evropian ka treguar një nga shenjat më të fuqishme të solidaritetit ndaj Shqipërisë. Duke vizituar tani shkollat që kemi ndërtuar – 19 deri tani, 22 do të ndërtohen deri në mars 2022 dhe 63 deri nëntorin e ardhshëm – kur i shoh këta fëmijë dhe ato që na shkruajnë, ndihem shumë krenar që i drejtova këto programe.

Mendoj se situata është përmirësuar shumë, por ka ende punë për të bërë, ka ende njerëz që vuajnë. Por shpresoj që shqiptarët do ta shohin këtë si një arritje të madhe të Bashkimit Evropian, të Delegacionit të Bashkimit Evropian, timen, sepse e shoh këtë si arritje. Por gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar është se Bashkimi Evropian është këtu çdo ditë, duke e ndihmuar Shqipërinë në çdo krizë që kalojnë shqiptarët.
 
Top